Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Tuesday 31 January 2012

POEZIA ZEN




 Përktheu:
 Agim Mato


MJESHTRAT JAPONEZË
(Pjesa e parë)


DOGEN (1200-1253)

Doktrina e Patriarkut Perëndimor është transplantuar!
Unë peshkoj në dritë të hënës, deri sa zbardh dita.
Pastërti verbuese! Asnjë grimcë e kësaj toke nuk përzihet
 me borën që bie,
ndërsa, unë këmbëkryq, në këtë shtëpizë malore, ulem në orë
 të mbrëmjes.

* * *

Duke ardhur, duke shkuar, zogu ujor
nuk le gjurmë,
dhe nuk ka nevojë për ndonjë guidë.


SHOIKI (1202-80)

Rrethi që gjithshka e përfshin:
as brënda. as jashtë,
as dritë, as hije.
Këtu kanë lindur të gjithë shenjtorët.


RYUZAN (1274-1358)

Në kaltërsinë e qartë, hëna!
Ujë i ngrirë gjer në horizont
shënon kufirin lart e poshtë. Me frushullimë
dragoi gjarpëron mes shkulmit të dallgëve.

GASAN(1275-1365)

E padepërtueshme është rruga e Sotos.
Përse të jesh skllavi i disiplinës?
Copto vargojtë e artë
dhe ec i patrembur drejt perëndimit.

MUSO

Shumë herë malet janë shndërruar nga të gjelbëra në të verdha.
Dhe kjo, për kapriçio të natyrës!
Pluhur në sytë e tu, bota e trefishtë është e ngushtë.
Asnjë mendim në tru, froni yt është i gjerë e i bollshëm.

* * *

Më kot gërmon në kërkim të një qielli të përsosur,
duke ngritur një barrierë rreth e rrotull.
Në fund të fundit, në një natë të errët, duke ngritur
një tjegull të rëndë, kam këputur mish, në trupin tim.

DAITO (1282-1337)

Më në fund e kam shembur barrierën e Unmonit!
Nga të gjitha anët një dalje: lindje, perëndim, jug, veri.
Brënda në mëngjez, jashtë në mbrëmje: as hotelxhi, as mysafir
 jam këtu.
Çdo hapi im ngre një fllad të lehtë.

* * *

Për të ndarë Budën dhe Patriarkët
rrëmbej shpatën time që shkëlqen.
Sa shfaq mjeshtërinë time,
Zbrazdësia  kafshon gjuhën.

GETSUDO (1285-1361)

Km ecur përmes natyrës së Dharmës,
toka ishte e lehtë, e mrekullueshme.
Pikërisht këtë natë duke fshikulluar kalin e saj të hekurtë
Zbrazdësia hyri me galop në Rrugën e Reve.    

DAICHI(1290-1366)

Mendimet rrjedhin pa fund,
e shkurtër është zgjatja e çdo jete.
Njëqind vjet, tridhjetë e gjashtë mijë ditë:
pranvera shkon, flutura ëndërron.

JAKUSHITSU (1290-1367)

Era freskohet nga katarakti
ndërsa hëna e varur si një fener, mbi majë
shkëlqen dritaren  prej bambuje. Ashtu të plakur,
malet janë më të bukur se kurrë. Kam marrë vendim:
që këto eshtra të pastrohen nga shkëmbenjtë.


CHIKUSEN (1292-1348)

Ai  është pjesë e të tërës, e megjithatë të gjithë i kalon
Vetëm se për komoditet njihet si mjeshtër.
Kush guxon të thotë se ai e ka gjetur?
Në këtë qytet të zhurmshëm unë përgatis dishepuj.


BETSUGEN (1294-1364)


Gjithë natën mendoj për labirintin e jetës –
e pamundur të vizitoj banorët e Ferrit.
Përpjekja autoritare për të futur një kalë në vend të një dreri
doli qesharake. Ky ishte si një sulm
në jetën e magjepsur të dragoit. E përbuzi!
Është në terrin që sytë hetojnë në tokë dhe në qiell,
në ëndrrën që fatkeqët kërkojnë të tashmen, të shkuarën.
Mjaft! Hëna e maleve mbush dritaren .
Kush është vetëm, dështon, kopështi është mbushur me korin
e cinxujve.


JUO (1296-1380)

Tej fragmentit të kohës, jeta ime e përditëshme.
Unë përbuz shtetin, çliroj universin.
Mohoj shkaqet dhe pasojat, si qielli i mesditës,
Kariera ime alternative: as Buda, as Patriarkët, nuk mund t’ua
transmetojnë të tjerëve.

FUMON 1302-69)

E mahnitëshme! E mahnitëshme!
Askush nuk e njeh fjalën e fundit.
Shtrati i oqeanit ka marrë flakë.
Nga Zbrazdëtira hidhen jashtë qëngja prej druri.


SHUTAKU (1308-88)

Për gjithë këto vite, siguria e Zen-it tim:
As unë, as bota ekzistojmë.
Sutrat*  të mbyllura  në sirtar,
flauti im i varur në mur,
prehem i qetë nën dritën e hënës
ose ulem duke dëgjuar ujin që thyhet
në shkëmbinj : askush nuk mund të blejë një kënaqësi si kjo,
një milionë monedha shkëlqejnë duke përshkënditur në pirg.

*tekste të shenjta

* * *

Mëndja çlirohet në mbretërinë e Dharmës,
ulem pranë dritares së përmbytur nga hëna
duke përgjuar me vesh malet atje tej,
duke dëgjuar përroin me sy hapur.
Çdo molekulë predikon një ligj perfekt,
çdo moment këndon një sutër të vërtetë:
mendimin më të shpejtë nuk ka kohë që e mat,
vetëm një fije floku mjafton të trazojë detin.
  
RYUSHU (1308-88)

Përse të shqetësohesh për të tjerët në botë?
Leri të tjerët t’u dalin thinjat, të ropaten në lindje e perëndim.
Në këtë tempull lartë në male, i shtrirë gjysëm brënda
e gjysëm jashtë, prehem larg gëzimeve dhe halleve.

TESSHU (shekulli XIV)


Si mundet që trupi i rremë të shërohet nga sëmundja e tij
e rreme, që fillon në bark?
Në se nuk e keni  këputur një ilaç nga pema e Bodhit,
ndjenja  e Karmës do t’ju shkatërrojë.

 SHUNOKU (1311-88)

Pas këngës së pranverës “Zbrazdësi e pafund, asnjë shenjtëri”
Eja këngë e erës borinë gjatë lumit Jance,
në natën e vonë edhe unë i bie flautit
duke përshkuar me tingujt e tij lumin.


TSUGEN (1322-91)

Asnjë lëvizje në dritën sunduese,
shpirti nuk mund të ofrojë vetvetiu një vizion të tillë.
Edhe në se agimi nuk ka mbërritur, e verdha këndon:
Feniksi, me lule në buzë, i uron mirëseardhjen pranverës.


GUCHU (1323-1409)

Njerëz pa sërë, si kokra kakërdhie,
vijnë së bashku, duke mbajtur erë qiell e tokë,
si mund të sillen si duhet në qetësinë e tempullit
kur, me kokën bosh, ecin në kërkim të dritës.

MUMON (1323-90)


Jeta: një re që përshkon majën.
Vdekja: veli lundrues i hënës,
oh, prano të paktën një herë të vërtetën
e vetvetes, dukurinë,
dhe do të jesh një hu ku lidhet gomari!


GIDO (1325-88)

Mbishkrim në portën e Gidos

Ai që këmbëngul se Asgjëja
është pa formë, që lulet janë vegime,
lereni të hyjë me guximin e tij.

KUKOKU (1328-1307)

Duke hypur sëprapthi në këtë kalë druri
po kalëroj përmes Zbrazdësirës.
Do të doje të ndiqje gjurmët  e mia?
Eh! Përpiqu të ndalësh stuhinë me një rrjetë.


ZEKKAI (1336-1405)


Zbrazdësira u shkërmoq mbi tokë,
yjet, duke u djegur, precipitojnë mbi Malin e Hekurit.
Me një spazëm unë flak të shkuarën.


REIZAN (?-1411)


Ulur, me të gjitha dyert hapur, zgjidhen dallime pafund.
Në këtë vend të qetë vazhdoj punën time, cilado qoftë ajo.
Larg nga njëqind lulet,  shkoj i lirë,
shkëmbinjtë që ngrihen – salla ime e meditimit
(Sa del hëna truri im pushon.)
Ulur në këtë stol të ftohtë, nuk ëndërroj më famën.
Pylli dhe mali ndjekin udhën e tyre të lashtë,
dhe në ditën e gjatë pranverore, as dhe hieja e një zogu.
EICHU (1340-1416)

Sytë e mi të përgjojnë midis qerpikëve!
Hoqa dorë nga gjërat e zakonëshme.
Ç’kuptim ka litari në qafë, për kë
e fshikullova frerin me dredhi?

HAKUGAI (1343-1414)


Vitin e shkuar, në një tempull të ëmbël në Hirosawa,
Këtë vit misid shkëmbinjve të Nikkosë,
gjthshka më duket një soj.
Duke rrahur duart, majat gjëmojnë në kaltërsi.

NANEI (1363-1438)

Duke ndarë më dysh Zbrazdësirën,
duke shkërmoqur dheun,
përgjoj, ndërsa lehtë avitet në lumë
hëna e shtyrë nga retë.


KODO (1370-1433)

 Duke i shërbyer Shogunit në kryeqytet
i njollosur nga pluhuri i botës, nuk gjeja prehje.
Tani, duke ngjeshur kapelen prej kashte, ndjek lumin:
Sa e freskët është pamja e pulëbardhave mbi rërë.


BOKUO (1384-1455)

Për shtatëdhjetë e dy vjet
e mbajta demin në robëri.
Tani, që kumbulla lulëzon sërish
po e le të lirë mbi dëborë.


IKKYU (1394-1481)

Pas dhetë vjetësh në rrugët plot rëmujë të qytetit,
jam i vetmuar në një shpellë midis maleve.
Mund të shoh retë me milje e milje larg,
duke dëgjuar muzikën e lashtë midis pishave.

KOKAI (1403-69)

Duke gjetur një mbështetje, humbet në zbrazdësi;
duke e lënë të shkojë, ajo fiton përsëri origjinën e saj.
Qëkurse muzika ka pushuar, asnjë hije nuk e preku
portën time: sërish hëna e fshatit del mbi lumë.

NENSHO (1409-82)

Vetëm me një zgjim të mirëfilltë mbërrin këtu.
Vetëm budallenjtë kërkojnë shenjtërimin për t’u shpërblyer.
Duke ngritur një dorë, feneri i farit prej guri lajmëron
                        mëngjesin. Duke buzëqeshur
hapësira e shpall me kokën e saj të madhe.


GENKO (?-1505)

I vetëdijshëm, pa iluzion
nga ky shkëmb kundroj malet, ndjej përroin.
Një shi prej tre ditësh e pastroi dheun,
Një përplasje rrufeshë çau qiellin.
Gjithmonë të lidhura zinxhir janë fenomenet,
sado vigjilent të jetë truri, para tyre është vetëm një grusht hi.
I ftohur, i zbehtë, si mjegulla në të cilën eci,
kthehem duke mbajtur në krah një shportë të mbushur me
                        pjeshkë.

 SAISHO (?-1506)

Asgjëja e Joshusë

Tokë, male, lumenj – të fshehura në këtë zbrazdësi,
në këtë zbrazdësi – tokë, male, lumenj të zbuluar.
Pranvera lulëzon, dimri hedh dëborën:
Ekziston dhe nuk ekziston, as e mohon  as e pohon dot.

YUISHUN (?-1544)

Ja, nuk është se lëvizjen  e syve e drejtojnë vetullat!
Këtë e kam menduar gjatë e gjerë.
Zgjohem, më në fund, gjej hënën
lart mbi pisha, ndërsa lumi fillon e fryhet.
  
UNGO (1580-1659)

I zhytur  në vorbullën e tre pasioneve, bëhem i verbër,
të  mbyllura në botën e gjërave sytë shohin përsëri.
Në këtë botë unë rroj: i mbuluar me një kapele kashte, bastunin
                        në dorë
lëviz në një hapësirë pa kufi, në tokë e në qiell.

 DAIGU (1584-1669)

Këtu asnjë nuk mendon për pasuri e famë,
Të gjithë flasin për të drejtën, dhe gabimi është refuzuar:
Në vjeshtë mbledh fletët në breg të lumenjve,
në pranverë dëgjoj bilbilin.

 ***
Kush guxon të afrohet në strofkullën e luanit
tej në male? I ftohtë, i fuqishëm,
ndjekës i vargjeve Zen nga koka e në këmbë,
lë të hyjë nga porta flladi i pranverës.

 MANAN (1591-1654)

 Më në fund i lirë, murg endacak,
kapërxej pengesën  e vjetër të vargjeve Zen.
Jeta ime i ngjan reve dhe korenteve që nuk lenë gjurmë.
Cili nga këto male do të jetë shtëpia ime?
  
FUGAI (shekulli XVII)

Vetëm ndjekësi i Zen e njeh qetësinë shpirtërore.
Oreksi që prish botën nuk mund të mbërrijë në këtë luginë.
Nën freskinë e një dege, dritaret e trupit
janë të mylluar mirë, unë ëndërroj, zgjohem, ëndërroj.

 BUNAN (1602-76)

 Hëna është ajo, e lashta gjithmonë,
lulet janë ekzakësisht si më parë,
E, pra, e kam gjetur thelbin
e të gjitha gjërave që shoh.
 KARASUMARU-MITSUHIRO  (1579-1638)

Ruaju nga kafshimi i ideogramave* të Zbrazdësirës
sepse dhëmbët e tua do të thyhen. Ta gëlltisësh është më mirë
                        sepse do të kesh një  thesar
në vend të shpresës së  Budës dhe Mëndjes.Flladi i lindjes
përkëdhel veshët e kalit: sa i ëmbël është parfumi i kumbullës.

 * Një ideogram është një simbol grafik apo një karakter që  i korrespondon një fjalë apo një koncept (kuptimin e saj), duke lejuar komunikimin me shkrim për njerëzit me gjuhë të ndryshme.


 TOSUI (?- 1683)

 I kënaqur me një tas të shtypur dhe mantelin copë e çikë,
jeta ime rrjedh e qetë.
Detyra ime e vetme: të lehtësoj urinë, etjen,
moskokçarës ndaj të tjerëve dhe pëshpërimave.

No comments:

Post a Comment