Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 15 January 2012

Poezi nga Timo Mërkuri





Sofra  e shtëpive tona.




E varfër sofra jonë, një fetë bukë
lyer me dritë hëne
                              dhe rreth saj
një trumbë fëmijësh që çukisin përralla.


Shkojnë shpejt të flenë
                              të përqafojnë babanë emigrant
duke shaluar ëndrat, si një kal me flatra.


Eh, Shqipëria ime, Atdheu i refugjatëve.


Rikryqëzim.


Kryqin e Golgotës
                        kaq shumë e mbajta në shpinë
sa dhe vetë u shndrova në një kryq.

Eh, moj Shqipëri e kryqëzuar tek unë
Dhe unë mbeta i kryqëzuar te ty.

Po kush do na e ndezë qiririn vallë?
Apo do ringjallemi përsëri?


Në Krujë


Te kjo kala e lashtë, emra kapedanësh
                 derdhur në bronx a gdhendur në mermer
si trarë ku mbahet historia.


Shkruaj dhe unë emrin tim, në një gur bedene
të vogël, si fletë thirrje ushtrie.



Deti i hidhëruar


Qyteti i trishtuar, ulur në prag të shtëpive
dhe një hënë e dëshpëruar, që tenton të vetmbytet.

As sot s’erdhën djemtë nga kurbeti. As nesër s’vijnë.
Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti.


Pothuaj e zakonëshme.

E sollën në arkivol nga kurbeti. Dhe kuja
si një thikë na godet në gjoks papushim.

Gjashtë jetimë. Dhe një vejushë. Dhe dy pleq.
Dhe heshtja jonë që pi duhan në dhomën e pritjes.


Edhe këtë vjeshtë….


…fushave të Vurgut,  plugu s’ra.
Heshtja leson dhimbjen.Dhe në muzg
Ferrat nxijnë mbi të si dregëza mbi plagë.

1 comment: