Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Tuesday 18 February 2014

Trëndafili rrënjët i ka në tokë…





(Mendime gjatë promovimit të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel Papakristo)

timo
nga Timo Mërkuri

Ndërsa poeti Niko Kacalidha mbaroi paraqitjen e analizës letraro-artistike të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel Papakristos, roman që u promovua të shtunën e kaluar nga Klubi i Krijuesve Jonianë në Sarandë, nuk e di pse analiza e tij mu duk, jo vetëm e arirë artistikisht ( dhe që me të drejtë u duartrokit), por edhe brenda një formati diplomatik. Njëfarë trëndafili në …gotë.
Po ja që unë jam mësuar ti shoh trëndafilat të mbjellura nëpër oboret e shtëpive dhe aty kam parë se ato i kanë rrënjët në tokë.
Niko Kacalidha, si ish ministër shteti, nuk mund ti largohej dot formatit diplomatik, por unë s’kam ndërmënd të bëhem ministër ndonjëherë, prandaj i shoh trëndafilat, jo vetëm nga petalet por edhe dheun ku kanë shtrirë rrënjët. Ose më saktë, ushqimin që kanë marrë për tu bërë aqë të bukur.
Kështu e pashë romanin e Vangjel Papakristos. Artistikisht të bukur, ushqyer nga jeta e tij e stërmunduar. Jo vetëm një roman biografik, por një dëshmi e jetës së një komuniteti minoritar i cili gjithë jetën ka emetuar humanizëm dhe miqësi.
Është i dyti libër që lexoj nga ky bashkëqytetar i imi, dhe që të dy, të përkthyer nga greqishtja. Kur në vitin 2010 lexova nga ky autor librin me tregime “Ditë agonie” u rrënqetha qysh në faqet e para. Skenat e dhunës policore të diktaturës, të cilat vetëm sa i kisha dëgjuar të vinin tek unë gojë mbas goje, në formën e një legjende, brofnin para syve të mi jo faqe mbas faqe libri por edhe rresht pas rreshti. Dhe më dukej se më tundnin gishtin me qortim, sikur më thoshnin…kaqë shpejt na harove.
Pastaj erdhi ky roman rrënqethës me skena të zymta torture e tmeri, sa që të dukej se po ecje nëpër dhomat e torturave të Gestapos. Pas çdo faqeje luteshe të mos përsëritej tmeri i përjetuar në faqet e para. Të dukej se po ecje nëpër një natë në furtunë dhe kërkoje medoemos dritën e një ylli pak para agimit. Sa për tu orientuar. Sa për të marë frymë.
Dhe kur kjo dritë të vinte, ajo kishte formën e zemrës së nënave minoritare, djemtë dhe burrat e të cilëve masakroheshin nga diktatura. Ato yje që dukej se binin, nuk qenë meteorë. Qenë lotët e tyre prej nëne zemërbardhë e rrobazezë.
Unë i kam para syve ende skenat makabre të tërheqjes zvarrë përmbi valët e detit, të lidhur pas motoskafëve të policisë, të trupave të të rinjve, të vrarë në tentativë për tu aratisur. Ose zvaritjen nëpër rrugët e Sarandës, të të rinjve të kapur në këto tentative. Akoma më ushtojnë nëpër veshë klithmat…këta janë armiqtë e Partisë, bjeruni…Akoma e kam para syve heshtjen stoike të të rinjve të lidhur e të goditur…
Unë këto ende i kam parasysh, si… fushëbeteja të …luftës së klasave…,ndonëse në fakt qenë ekspozime të dhunës policore politike mbi popullin.
Por nuk dija gjë për dhunën policore të ushtruar mbi minoritetin. Ose më saktë, askush nuk më kishte treguar gjë për ‘të. Thuaj se përbënte sekret shtetëror. Vetëm se dëgjonim se si disa “gango” qyteti flisnin me përbuzje për minoritarët dhe të folurën e tyre.
Duke na imponuar me zor njëfarësoj buzëqeshjeje, që më shumë shkaktohej nga ngërdheshja e tyre se sa nga ajo që ata donin të ironizonin. Duke na imponuar edhe njëfarë distancimi…Edhe për shkak të moskuptimit të gjuhës së tyre prej nesh, sepse bashkëmoshatarët tanë minoritarë e dinin shumë mirë gjuhën tonë dhe flisnin lirshëm me ne. Por pikërisht këtë lirshmëri bisedash e mardhëniesh kërkonin të largonin segmented policore. Që të mos i kuptonim, që të mos i mbështesnim para dhunës politike.
Para asaj dhune, që e përshkruar mjeshtërisht nga Vangjel Papakristo, na tregon se:
- Kjo dhunë dhe skena terori nuk qenë dëshmi force. Këto qenë dëshmi frike e një regjimi në rrënie nga kalbësimi. Nuk thotë më kot populli…rruaju nga frikacaku sepse ai të vret. Trimi të fal.
-Lufta e klasave ka rrënë me tehun e saj të lemerishëm në minoritetin grek në Shqipëri me një goditje ritmike e të shumfishtë, krahasuar kjo me goditjen e saj në trevat e tjera të vendit.
Tejë fasadës së Kuvendit me nënkryetare minoritaren Vitori Çurri, tejë fasadave të shtëpive dropullite, të lyera me gëlqere të bardhë, kryesisht në fshatrat e Vurgut gëlonte mjerimi dhe dhuna policore. -Dhe kësaj dhune politike i shtohej edhe aroganca nacionaliste e segmenëve dhe elementëve të caktuar policorë. Një dhunë e dyfishtë mbi një minoritet paqësor.
-Ky minoritet, përballë kësaj aroganve policore e nacionaliste, si mburojë pati vetëm shpirtin e tij të madh human, i cili mbrujti qëndresën.
-Edhe faljen, si askush tjetër.
Këto mendoja në momentet e promovimit të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel Papakristos, subjekti i të cilit është jo vetëm biografia e autorit dhe familjes së tij.Por e një komuniteti të tërë , shumë pranë nesh. Por që ne nuk e kemi dëgjuar sa duhet, atëherë kur duhej ta dëgjonim. Dhe që bijtë e tij ende nuk e kanë bërë prezent sa duhet e si duhet në jetën tonë dhe në letërsinë shqipe, duke lënë në to një boshllëk. Një boshllëk që nuk e mbulon dot vetëm një roman i Vangjel Papakristos. Ky roman vetëm sa dëshmon për të.

URA

URA
Nga Agim Mato











Tani mbahem fort nga vizioni yt.

Ndiej një rikthim të çuditshëm te fuqitë e shpirtit...
Përkëdhel në ajër imazhin tënd,
të prek lehtë dhe të them:
“Çfarë magjie kanë në këto çaste sytë e tu?!”

Nuk të shoh gjatë që të mos më lëndojë mungesa
e tyre.

Kurrë nuk të mendova të trupëzuar,
por si një përzjerje ëndrrash.

Si një mjegullnajë e gjithë ndjesive të mia.

Zotat deshën të ishim larg
dhe derdhën energjitë mbi mua
të ngre këtë urë qiellore të poezisë,
që përshkënditet në hapësirat deri te metropoli ku
rron.

Vete e vjen ty nëpër atë urë prej drite
ku bien gjethe hëne e luspa yjesh,
ku varen çarçafet e reve, diejt e horizontet mbrëm-
ësore
nën tingujt e një muzike
që luhet në ato çaste nga shpirtrat tanë.

Tërë ajri që thithim në mushkritë tona
mbushet me kopshte të lulëzuara.

Jeta na provon se është një vuajtje e bukur.

Kam këtu një çelës të kaltër të syve të tu
dhe di të shoh nëse është turbulluar
rezervuari i dritës brenda tyre.

Tani mbahem fort nga vizioni yt.

Saturday 1 February 2014

Një Vdekje në Qytezën e Qetë




Nga Hart Wegner
Autori i librit Lamtumirë Fjalë

            Jashtë Salzburgut shiu sapo kishte pushuar. Pasi lashë pas Liqenin Hënor e pyjet e blerta e të ftohta pranë Shën Wolfgang-ut e po i afrohesha Linz-it, peizazhi mori atë zymtinë e butë të Austrisë së Epërme. Zyra e avokaturës në Essen më kishte dërguar që të gjeja një varr e të kujdesesha për të. Edhe pse kishte mëse dhjetë vjet që kishte mbaruar lufta, shumë njerëz shpresonin të gjenin të afërmit që kishin mundur të mbeteshin gjallë. Dhe kur nuk arrinin t’i gjenin, kërkonin varret. Në këto livadhe të buta, në pëllitjen e lopëve e në ndërtesat luksoze me tulla përreth nuk kishte asgjë që të më sillte në mendje zjarrin dhe vdekjen, por megjithatë, këtu jashtë Gjermanisë, kam menduar më shumë për luftën sesa kur ndodhesha në shtëpi. Isha ende në shkollë kur mbaroi lufta dhe në strehime strukesha me gratë dhe fëmijët e tjerë. Përse vallë më erdhën në mendje fuqishëm këto kujtime kur kalova kufirin? Ula dritaret dhe thitha ajrin e freskët e të larë nga shiu.
            Mbasdite vonë arrita në Payerbach, një qytezë e qetë nën hijen e malit Rax e zura një dhomë në hotelin Horn-Hof, ballina e të cilit, ndryshe nga ndërtesat e tjera të qytezës, ishte e porsalyer. Vendosa të filloja kërkimet për varrin, ndërkohë që rrezet e diellit ende binin në luginën e ngushtë. Nëse do ta gjeja shpejt, ndoshta mund të largohesha të nesërmen dhe të qëndroja një ditë në Vjenë. Pamja e varreve që sikur kacavirreshin në faqen e pjerrët të kodrës dhe dërrasat në fund të çdo shkalle prej balte, të shtrembëruara e të çara nga ngjeshja e dheut, e bënin ngjitjen të mundimshme. Përfytyroja mbajtësit e arkivolit në krye të vargut të zi të cilët sforcoheshin e lëkundeshin nën peshën e të vdekurit. I pamësuar me atë lartësi, u ula në një stol të ngushtë pranë një gur varri të ngrënë nga koha dhe hodha vështrimin poshtë luginës që po errësohej me rënien e muzgut.
            Prapa meje foli një burrë me një zë monoton si të një ciceroni muzeu. “Para lufte Payerbach-u ishte një qytezë e bukur,” dhe shtoi sipas traditës së Alpeve, “Grüss Gott[1].” U ngrita në këmbë, u përkula para tij duke i shtrënguar dorën, ngaqë ishte i vjetër.
            “Po, vërtet një vend i bukur para lufte. Njerëzit e rëndësishëm vinin nga Vjena. Të pasurit e aristokratët shoqëroheshin së bashku, ose të paktën kështu mendonin të pasurit.” Nënqeshi djallëzisht me pohimin e tij. “Ata rrinin te Fischer-i. . . a e njeh sadopak qytezën? Jo? Fischer quhet hoteli në rrugën që të shpie në Reichenau, afër urës.” Ai bëri me dorë në drejtim të kundërt të hotelit tim. “Natyrisht, shumë prej tyre këtu kishin shtëpi të mëdha dhe ende në anën e majtë kanë mbetur disa nga ato pallate. Në verë disa nga vizitorët rrijnë. . .” Ai buzëqeshi dhe bëri me dorë nga gurët e zbehta të varreve përreth, gurë që bartnin emra aristokratësh dhe stemat me pupla.
            “ Çdo ditë vij këtu dhe nëse të duhet ndonjë gjë, djalosh, jam gati të të ndihmoj. Pleqëria të sjellë dashuri për rininë, ndërsa rinia sjell. . .” Ndaloi për një çast dhe iu duk i parëndësishëm vazhdimi i fjalisë. “Po, jam gati të të ndihmoj.” Tundi kokën dhe palltoja e vjetër ngjyrë jeshile iu përplas në trupin imët. Pastaj hoqi kapelën prej shajaku në ngjyrë të zezë e flokët e bardha u shpupuritën në erë.
            Pas pak vazhdoi, “Banorët e qytezës ngjiten këtu me përtesë, thjesht për ndonjë ceremoni fetare dhe pastaj zbresin me nxitim pa u përshëndoshur me njëri-tjetrin. Gjatë gjithë varrimit nxitojnë në mënyrë të turpshme. Asgjë nga zakonet e vjetra. Pompes funébres. . . me kuajt të mbuluar me kadife të zezë dhe puplat që u lëkunden kur ecin . . .” Qeshi dhe këmbët i lëvizën sikur të kishte dëgjuar ndonjë muzikë funerale. Pastaj u mbështet te një engjëll prej alabasteri, gati për fluturim, por që një nga krahët e kishte të thyer.
            “Po kërkoni dikë?”
            I tregova për detyrën që më kishin ngarkuar. Ishte një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara. Një zonjë nga Bostoni dëshironte të jepte fonde për të mbjellë lule çdo pranverë në një varr.
            Plaku tundi kokën. “Njoh shumë të vdekur dhe guri i varrit tim duhet të jetë pikërisht mes tyre. Gjatë gjithë këtyre viteve ua kam shkulur barin dhe myshkun disa prej varreve të vjetër dhe me mollëzat e gishtave ua kam gjetur emrat. . .” Dora e tij rrëshqeti mbi faqen e gurit ku mbështetej engjëlli me një krah. “Cilin varr po përpiqeni të zbuloni?” Qeshi zymtë me lojën e fjalëve.
            “Të Golik-ut,” u përgjigja.
            “Golik-ut?”
            “Çarls-Louis Golik.”
            Qeshi, “Sidoqoftë, Çarls-Louis. Pa dyshim ndonjë honxhobonxho vjetnamez.” Mblodhi supet. “Golik?” Përsëri u kruspullua sikur po lypte ndjesë. “Në të vërtetë njeriu duhet të njohë vetëm njerëzit e sërës së tij.” Qeshi. “Nuk kam njohur kurrë një Golik.” E shqiptoi emrin me një neveri të tillë saqë vijat e thella në cepat e gojës së lashtë u zgjeruan e morën formë të lakuar.
            Ngaqë nuk doja ta pezmatoja më shumë, i thashë se do të vija nesër në mëngjes e të shikoja ca varre të tjera. “Quhem Hainzës,” i thashë, “përfaqësues i firmës Mollenhauer & Faber në Essen. . .”
            “Essen?” Kam qenë një herë në Essen për të vizituar fabrikën Krupp,” dhe buzëqeshi.
            “Do të vini përsëri nesër?”
            “Sigurisht. E ku tjetër duhet të shkojë një plak?”
            “A mund t’ju pyes për emrin, zotëri?
            “S’ka më emër, djalosh. Qysh kur ata na i hoqën titujt tanë, pas lufte. . . luftës tjetër. . .” Zëri iu dridh. Pastaj, vështroi përsëri, buzëqeshi dhe foli me zë të ulët. “. . . luftës tjetër. Për ju në Gjermani, madje edhe tani, një dukë është ende dukë dhe e ka kurorën e tij. Ndërsa ne e kemi humbur fisnikërinë. . . traktatet e Versajës, e Shën Xhermain, dhe e Rapallos. . . Nuk ka më fisnikë në Austri. Që nga ajo kohë emri im tingëllon i shkretë e nuk më pëlqen ta përdor më.”
            Iu përkula si i zënë në faj. “Atëhere, nesër,” thashë duke u përpjekur të dukem i kënaqur. “Atëhere, nesër.”
            Ai tundi kokën, buzëqeshi dhe më shtrëngoi dorën fort. Gishtat i kishte të ftohtë dhe menjëherë dora iu zhduk mbrapa kurrizit. Sikur po recitonte një fragment nga një dramë, shtoi: “Ishte kënaqësi. U gëzova kaq shumë.”
            Kokulur dhe me kapelën e zezë në dorë u largua rëndë-rëndë poshtë shkallëve të rrëpirta deri sa u zhduk në luginën e Payerbach-ut.
            Ngjita shkallët deri në majë të kodrës dhe hodha vështrimin poshtë. Asnjë dritë e vetme nuk dukej prej shtëpive të mbledhura si një grumbull i madh dheu në errësirën që po binte.
            Restoranti i hotelit ishte bosh. Burri që më mbajti valixhen e që më pas mësova se ishte Herr Brack, i zoti i Horn-Hof, erdhi në tryezë dhe porosita një Pariser schnitzel. Pasi fillova të haja, ai u afrua, u përkul deri në bel, kërciti lehtas thembrat e kërkoi leje të ulej. Miratova me kokë, ndërkohë që po haja me lugë lëngun e qumështit të athët të sallatës me kastraveca. Kamerierja i solli verë dhe ai filloi të flasë. Pyesja veten se mos pahndehte se duke më treguar historira që kishin ndodhur këtu, do të më nxiste të qëndroja sa më gjatë në dhomën më të shtrenjtë dhe të haja në restorant.
            S’më interesonte asgjë çfarë thoshte ai e bënte komplimente për Gjermaninë e rrëfente se sa gjë e shkëlqyeshme kishte qenë që oficerët gjermanë patën qëndruar në hotelin e tij gjatë luftës së fundit. Nuk porosita ndonjë ëmbëlsirë e u ngrita duke kërkuar falje. Ai qëndronte në këmbë mbrapa tryezës së rrumbullakët e u përkul pak teksa eca në drejtim të errësirës. Pranë lumit, që këtu kishte marrë pamjen e një kanali të betonuar, u gjenda para një ndërtese të vjetër e të hallakatur. Në këtë rrënojë, mbi një tabelë të shtrëmbëruar e me gërma që mezi lexoheshin ishte shkruar “Fischer.” U kujtova se në varreza plaku e kishte përmendur si hoteli ku rrinin vjenezët e pasur. Ndodhej mbrapa rrugës një kopsht të madh e të errët dhe pjesa kryesore e ndërtesës binte në sy nga vilat që mbështeteshin në themelet e saj. Kate të tëra me ballkone druri zgjateshin mbi verandat me rripa dërrasash dhe mbi rruginat e mbuluara, ndërsa nga çatia e varur dhe e mbuluar nga errësira binin mbi kafazin e shkallëve të jashtme mbeturina të ndryshme duke përmbytur barërat e këqija me copa druri të kalbur. Kanata dritaresh tërë zgjyrë e të lyera me bojë të kuqe e të bardhë vareshin shtrembër. Mbi ndërtesë dukej turbullt një kullë.
            Më kumboi në vesh zëri i Hell Faber-it që oshëtinte në zyrat tona, me një nuancë të dialektit të Vestfalisë që të jepte përshtypjen e pafajësisë. “Dhjetë vite të shkuara duhet ta kishim spastruar këtë qytezë. Austriakët, vëllezërit çapaçulë. Madje edhe në luftë nuk mund të mbështetesh kurrë tek ata.”
            U ktheva ngadalë nga kisha ardhur. Asnjë dritë e vetme nuk ishte ndezur, paçka se ishte ora nëntë. Asnjeri nuk pashë në rrugë. Sapo afrohesha te hoteli, pashë së fundi një vend të ndriçuar. Ishte një ëmbëltore, që shërbente edhe si kafene, me një derë xhami ku me gërma bojargjendi ishte shkruar Konditorei i Buchta-it. Mezi hapa derën që kërciste dhe ngecte në dyshemenë e paniveluar. Jehona rrapëlluese e derës me xhama ishte i vetmi tingull brenda. Dhoma ishte kaq e ndritshme sa m’u desh kohë që sytë të më përshtateshin. Karriget dhe tryezat me syprinë mermeri shkëlqenin nga llaku.
            Në një tryezë ishin dy burra të përkulur kaq shumë mbi një tabelë shahu, saqë kokat e tyre pothuajse preknin gurët e zeza e të bardhë. Nga ana tjetër e dhomës m’u afrua një burrë i imët që më vështroi sikur po qante një të vdekur.
            Grüss Gott,” tha dhe më pyeti çfarë dëshiroja.
            “Akullore,” i thashë.
            “Më falni, nuk kemi akull.” Ai pothuajse nuk i lëvizi buzët e thara. Foli me një zë të ulët, por të dy shahistët çuan kokat mbrapa dhe vështruan sikur të kishte bërtitur. Qëndrova në këmbë e nuk ua ndava sytë derisa kokat e tyre u shkrinë përsëri së bashku mbi tabelën e shahut. Kur dola jashtë, mbylla derën e u gjenda poshtë degëve të ulëta të një peme të madhe bliri në lulëzim. Erëmimi i ëmbël m’i ngacmoi hundët. Qëndrova poshtë pemës e në çast gjithçka që kisha humbur m’u kthye përsëri: dritarja e dhomës që binte nga rruga me pemë bliri atje në shtëpinë time në Silezi, përpara lufte, përpara eksodit. Mbrëmjeve aroma hynte nga dritaret e hapura së bashku me zërin e djemve më të mëdhenj që flisnin me vajzat e dëgjoja pëshpëritjet, të qeshurat dhe shushërimën e gjetheve. Gjatë ditës, djemtë ngjiteshin mbi pemët dhe mblidhnin lule bliri në këllefe jastekësh të varura në qafë që t’i shisnin. Mora disa herë frymë thellë, pastaj shfryva me forcë e shtriva krahët në erëmimin e ëmbël dhe gëlltita thërrmijat aromatike të luleve të verdha të blirit deri sa ndjeva dhimbje në kraharor dhe filluan të më merren mendtë.
            Hoteli ishte vetëm disa hapa tutje, në errësirë. Pronari, që ende po qëndronte prapa të njëjtës tryezë ku e kisha lënë, tundi dorën dhe më ftoi të ulesha. Para tij ishte një radhë gotash vere ngjyrëqelibari. Teksa i afrohesha tryezës, ai më shikoi drejt në sy. Deri atë çast, nuk e kisha parë drejt në fytyrë. Kur më regjistroi në hotel, kur më kërkoi pasaportën, kur më tha të plotësoja formularin e policisë apo kur qëndroi te tryeza ime, ai asnjëherë s’më shikoi me ata sy të verdhë si të një qeni gjuetie.
            “Ulu, Herr Hainzës,” tha dhe bëri me gisht te karrigia pranë tij, një karrige e lyer me një stil fshatarak me lule të kuqe e blu. Mbas pak, tha, “Herr Hainzës, ku ishe?”
            I thashë se bëra një shëtitje të shkurtër dhe pashë një ndërtesë të braktisur me kanata bardhëkuqe.
            “E Fischer-it,” tha ai. “Në këto anë na pëlqen t’i lyejmë gjërat me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë. A e di sesi e kuqja-e-bardha-e-kuqja u bënë ngjyrat tona kombëtare?”
            Kur pa që s’e hapa gojën, ai nxitoi të flasë. “Ndoshta mund të jetë ndonjë rrëfenjë. Ndoshta ndonjë legjendë. Nejse. Një kalorës u nis në luftë e mbi parzmore veshi këmishën e bardhë të betejës. Pastaj vuri rripin ku varej edhe shpata.” U mbështet në karrige. “Nuk e di kur ka ndodhur, por pas fitores, tërë veshja e kalorësit ishte mbuluar nga gjaku i armiqve dhe i vetmi vend që kishte shpëtuar pa u gjakosur ishte pjesa e mesit e këmishës, mbrojtur prej rrëkeve të gjakut nga rripi i gjerë i shpatës.” Qeshi e piu një gllënkë ngadalë. “Siç e sheh, gjaku ka qenë në fillimin e historisë sonë, flamuri ynë. . .”
            E ndërpreva. “Prej andej shkova te Konditorei për të blerë xhelatinë frutash në akull, por nuk kishte.”
            “A doni ndonjë ëmbëlsirë? Ndoshta një pjatë Salzburger nockerl?”
            Mendova të porositja nockerl, një si re veze e fryrë me sheqer të pluhrosur, por ndërrova mendje. Erëmimin e ëmbël të luleve të blirit ende e ndjeja në fyt.
            “Jo të falem nderit, por më mirë një gotë verë e ujë mineral.”
            “Jozefa!” iu drejtua një vajze anemike, me një fustan të zi që i rrinte keq e që po shkëlqente gotat e barit. Ajo mbushi gotat me verë, i hodhi pak ujë minerali dhe i vendosi para nesh. Pastaj mori gotat boshe nga tryeza dhe i buzëqeshi pronarit.
            “Pra, ishe te Buchta,” tha ai.
            “Më duket se kështu quhej. Por vështirë ta them. Çdo gjë është kaq e errët në këtë qytezë.”
            “A të tha ndonjë gjë të keqe?”
            Hodha vështrimin tutje. “Jo. Atij i ishte mbaruar akulli.”
            Ai ra në mendime.
            “Ndoshta nuk fole aq sa të të vinte re. Po të të kishte dëgjuar, do ta merrte vesh se je nga ana tjetër e kufirit,” tha ai e bëri një lëvizje përbuzëse. “Ai s’i ka qejf gjermanët. Ata i varen gruan.”
            “Gjermanët?”
            “SS-të. Ta thashë se të gjithë oficerët e mirë gjermanë kanë ndenjur te ky hotel. Por jo, s’është e vërtetë. Nuk ka oficerë gjermanë të mirë. I gjithë ky vend u mbush me kafka bojargjendi të SS-ve. Nuk ishin të zinjtë, SS-të politikë, por një grup që sapo kishte ardhur nga Ukraina. Ata vunë nën kontroll gjithë ndërtesën, nga qilari deri te dhoma e pastrueseve, dhomën tënde e t’imen. Bëhet fjalë për pranverën e 1945-ës. Jozefa, sill dy të tjera!”
            Doja të largohesha. Fjalët dhe toni i tij po më shqetësonin. Por ndenja. Asgjë nuk fitohet nga tërheqja.
            “SS-të zbuluan se kur zhurma e artilerisë ruse po i afrohej qytezëz, gruaja e Buchta-s kishte ngritur një flamur të bardhë. E pashë nga dritarja e kuzhinës kur e ekzekutuan. Në atë kohë sapo isha kthyer nga fronti rus me një plagë në shpatull nga një plumb që kishte kaluar tejpërtej.” U rrotullua në karrike dhe më tregoi shpatullën e plagosur.  “Ndodhi herët në një mëngjes të bukur e gjithë dritë. Po skuqja vezë në sobën afër dritares, i skuqja për ata. E pashë kur po e nxirrnin nga Konditorei. Njëri vuri litarin mbi një degë të ulët, tjetri e ngriti lart, sikur po e vinte në sup për ta transportuar diku. E ngriti dhe . . . menjëherë e lëshoi. Pastaj hynë brenda, hëngrën vezët dhe u ankuan, sepse në tryezë u mungonte mishi. Kjo ishte e gjitha. Ja ata ishin gjermanët tuaj të mirë.”
            Nuk fola fare.
            “Arsyeja që hodha vështrimin nga dritarja ishte se ajo bërtiti. Munda të dëgjoja britmat edhe pse dritarja ishte mbyllur e yndyra kërciste në tigan. Ajo ulërinte. Ecte në mes dy ushtarëve me uniformat në ngjyrë gri e jeshile dhe nxirrte një piskamë të mprehtë.”
            Ai u ngrit papritur dhe shtrëngoi anën e tryezës aq sa mbulesa u bë shuk në të dyja grushtat dhe gotat u lëkundën e u përplasën me njëra-tjetrën. Pastaj ngriti kokën lart dhe lëshoi tri klithma drejt traversave të errëta të tavanit. Shtrëngova krahët e karriges dhe hodha vështrimin nga Jozefa, sytë e së cilës ishin ngulur te ky njeri që ulëriste. Në atë fytyrë verdhacuke vetëm sytë e saj të ndritshëm kishin jetë, ndërsa uniforma e saj, e zezë dhe e zymtë, thithte dritën si një sfungjer në atë cep ku po qëndronte.
            I zoti i hotelit qëndroi i heshtur me kokën të ngritur përpjetë sikur priste që klithmat të oshëtinin në cepin e errët. Ngriti gotën lart dhe vështroi flluskat në barkun e qelibartë.
            “Njëri prej tyre u ul në gjunjë dhe iu fut gruas nga mbrapa në mes të shalëve. Mbështeti spaletat me kordon argjendi mbrapa gjunjëve të saj dhe me dorën e djathtë ia mbështolli të dyja këmbët, ndërkohë që tjetri i vuri lakun në fyt. Ai që e ngriti lart, eci menjëherë mbrapsht dhe trupi i saj filloi të lëkundej në erë dhe të shkelmonte me këmbë sa më lart që të ishte e mundur që të shmangte peshën nga qafa. Kindat e fundit u fryn, ndërkohë që qëllonte pemën me këmbë. Ushtari tjetër u kthye me duart lart drejt degëve të gjelbra, kapi këmbët e saj dhe i tërhoqi fort. Për Shën Mërinë e Virgjër të betohem se është e vërtetë që dëgjova kërcitjen e qafës së saj në mes të asaj zhurme të yndyrës në tigan dhe të dritareve që ishin mbyllur. Ajo mbeti e varur si një copë mishi në mes të gjetheve. Pastaj, ushtarët hëngrën mëngjesin me vezë. Ja, i dashur Herr Hainzës përse Buchta nuk i do gjermanët dhe kjo është arsyeja që askush në Payerbach nuk i do ata. Jozefa, na sill një. . .”
            E ndërpreva dhe i thashë se doja të shkoja në dhomë. Ai tundi kokën dhe u përkul. Nuk e di si ta merrja, si respekt, përçmim apo ironi? Kur u ngjita lart vështrova poshtë përmes parmakëve të stilit barok dhe pashë që ai vazhdonte të qëndronte në këmbë vetëm pranë tryezës, derisa Jozefa iu afrua dhe mbështeti faqen në gjoksin e tij. Ai nuk reagoi fare sikur të ishte i vetëdijshëm për praninë e saj. I vështrova edhe ca përmes parmakëve, përtej shtyllave të trasha ku dalloheshin shtresa të ndryshme bojërash me figura zemrash të kuqe e lule mos-më-harro në ngjyrë bojëqielli.
            Dhoma ishte akull e ftohtë dhe, përpara se të ndizja abazhurin mbi komodinë, shkova të  mbyllja dritaren duke u orientuar  me të cekur. Rrethi i vockël i dritës më ngrohu e ra mbi sendet që kisha nxjerrë: mbi orën me sinjal alarmi që e merrja në udhëtime e që po punonte pothuajse pa u ndier brenda këllëfit të lëkurtë; mbi një Bibël të vogël e me kapak lëkure që pothuajse s’e lexoja më, por e merrja me vete kur udhëtoja; e mbi një botim me kapak të hollë të Murtajës së Kamysë. Nuancat e ndryshme të ngjyrës së verdhë të kopertinës së shkëlqyer, një lloj portokallie e zbehtë e një jeshile si në spitale, krijuan një njollë të turbullt mbi tavan. Edhe këtu brenda ishte akull, por më mirë në këtë dhomë të ftohtë sesa të rrije poshtë me atë hanxhi të marrë, apo në rrugët e kësaj qyteze të heshtur e të mbuluar nga errësira.
            U zhvesha dhe rrëshqita nën mbulesa. Çarçafët ishin të ftohtë, të lagësht e të ashpër, ndërsa krevati shumë i shkurtër. Mblodha këmbët aq sa munda, u ktheva në njërin krah dhe ia ngula sytë dhomës. Kështu duhet ta kishte ndier veten Harkeri në filmin Nosferatu kur hyri në tokën e vampirëve. Vërtet, kisha takuar disa banorë: aristokratin plak e nopran në varreza, pronarin e hotelit, Jozefën dhe burrat e ngrysur në Konditorei. Të tjerët duhej të ishin diku, ndoshta në shtëpitë e tyre, fshehur mbrapa mureve të trashë duke shikuar vjedhurazi nga kanatat e dritareve. Herët në mëngjes dhoma u mbush me zhurmë dhe një gri e ndotur drite bëri që gjithçka të merrte një ngjyrë kënete. U mbështeta në dritaren e ngushtë, por nuk pashë asnjeri në rrugë dhe nuk munda të kuptoja se çfarë më kishte zgjuar. U vesha dhe zbrita poshtë në holl. Dëgjova hapa prapa meje. Ishte Brack-u, pronari.
            Grüss Gott, Herr Hainzës. Më vjen keq për mbrëmë, por shpresoj se nuk ma morët për të keq. . . shumë verë.” Ai kreu ritualin e përkuljes, të buzëqeshjes dhe kërcitjes së thembrave, si të ishte programuar. “Dhe nëse ju kam ofenduar, më falni, ju lutem më falni. . . siç e di, vera.” Buzëqeshi përsëri. “In vino veritas,” tha ai. Ju e dini për të vërtetën në verë. Mund të jetë po aq e keqe për mua sa edhe për ty.” Heshti, qeshi dhe iu dukën mbushjet e florinjta të dhëmbëve. Pastaj shtoi. “Ishte kënaqësi. U gëzova shumë.” Nuk fola fare, ndërsa ai mbeti me gojë hapur e drita e zbehtë e mëngjesit shkëlqeu nga mbushja e metalit të dhëmbëve.
            Eca në të njëjtin drejtim nga kisha ecur mbrëmë e ndalova në xhamat e ndotura të Konditorei. Në derë kishin vënë një kovë zinku për ta mbajtur pak të hapur. Trokita në xhamin e hollë dhe Herr Buchta doli duke u përpjekur të lidhte rripat e përparëses mbrapa kurrizit.
            “Ç’urdhëroni zotëri?”
            “Nuk kam ngrënë mëngjes. Ndoshta mund t’më. . .”
            “Pa dyshim, zotëri. Pak kafe, një vezë të zier apo dy, dhe nja dy simite të ngrohta.”
            “S’ka më mirë, të falemnderit.”
            Mori dy karrige të zeza të lyer me llak nga tryeza e mermertë afër dritares. “Urdhëroni. Për një minutë e keni gati.”
            Dritarja ishte e hapur dhe erëmimi i pemës së blirit përhapej në dhomën bosh e të ftohtë. Përjashta gjithçka ishte pluhrosur me pjalmin e verdhë të pemës. Në murin e Konditorei-t dhe në pemë ishin krijuar duna ngjyrë squfuri nga era që përplasej mbi to. U mbështeta dhe mora frymë thellë. Rruga ime ishte e qetë, por të mërkurave gumëzhinte nga trumbetat e fanfara e organizatës Hitler-Jugend që vinin dhe stërviteshin në lëndinën pranë shtëpisë sonë. Vështroja të rinjtë nga dritarja e dhomës sime. Babai e urrente zhurmën e rëndë të daulleve ushtarake që buçitnin në shtëpitë tona. Ndoshta ishte diçka më tepër se zhurma, por në atë kohë ai nuk guxonte t’ma tregonte.
            Një vajzë e vogël eci pranë dritares dhe fustani i kuq shkëlqeu nga rrezet e zbehta të diellit mëngjesor. I tërhiqte këmbët sikur gërvishte trotuarin dhe rënkonte si një sirenë.
            “Urdhëroni kafenë dhe vezën. Nëse dëshironi gjë tjetër, më thoni. Oh harrova, kam çuar të marrin ca simite të ngrohta. Të miat kanë qysh dje.”
            Gjatë gjithë kohës vajza e vogël rënkonte.  M’u kujtuan mesnatat që më shkundnin të zgjohesha dhe rendnim drejt strehimeve.
            Herr Buchta u largua dhe pastaj u kthye pas disa minutash me një pjatë me simite të ngrohta.  “Ajo gjithnjë kështu ka rënkuar,” tha ai. “Të paktën që kur ka filluar të ecë e të flasë. Madje siç e sheh, ajo ka lindur shumë kohë mbas lufte. S’është në rregulll këtu,” dhe vuri gishtin në mes të ballit me rrudha.
            Përpara se të thoshte edhe diçka tjetër, vajza e vogël kaloi përsëri e dhoma u mbush me një ulërimë sirene të gjatë. Ajo u rrotullua rreth pemës dhe u zhduk poshtë rrugës nën retë e verdha pluhrore duke përhapur nëpër qytet pjalmin e ëmbël të pemëve të blirit.
            “E qëllojnë me gurë. Hera-herës e sheh të gjakosur e të strukur pas ndonjë gëmushe duke ulëritur.”
            “Dikush duhet të bëjë diçka.”
            “Askush nuk bën më gjë.”
            Tunda kokën dhe vendosa t’i thosha atë për të cilën kisha ardhur. “Herr Buchta, më vjen shumë keq për vdekjen e gruas tënde. Mbrëmë ma tregoi pronari i hotelit.”
            “Po, është e trishtueshme, por kanë kaluar vite.”       
            “Ai më tha se çdo njeri këtu, dhe ju veçanërisht, i urreni gjermanët.”
            “Oh, ai. . .” ndaloi sikur donte të pështynte. “Ai duhet të shikojë punët e veta dhe të mos flasë kaq shumë. Ishte luftë, ti e di, luftë.” Ngriti zërin që të mos dëgjohej rënkimi i vajzës që po kthehej te pema. “Ishte një ditë e shkëlqyer. Jo si tani. Nuk e di pse kjo kohë është kështu. . .” Ndaloi, u kthye dhe pastroi tryezën e mermertë me leckën e njomë. “E nxorën pikërisht nga kjo derë që hyre ti. Njëri nga ushtarët ecte përpara, pastaj ajo dhe mbas saj ushtari tjetër që e la derën të hapur.” Ai fshiu një tryezë tjetër dhe erdhi përsëri. “Ajo ishte atje. Nga dritaret e katit të sipërm e shikoja të gjithë skenën. Nuk më kishin marrë ushtar, ngaqë isha i sëmurë nga mushkëritë.” Ai u kollit disa herë si për të më bindur mua. “Ishte një grua e imët. Nuk mund të krahasohej me atë ushtarin që e çoi te pema. Ishte kaq e vockël saqë edhe një puhizë e tundte. Litari ishte tamam litar xhelati, bërë me fije bardhezi. Nuk u bë gjyq fare. Asgjë veç . . . varjes dhe litarit të përshtatshëm që përdridhej e shpërdridhej duke e rrotulluar atë ngadalë, ashtu siç e kishte zakon të rrotullohej kur më tregonte mua ndonjë fustan të ri.”
            Eca përmes Payerbach-ut, gjithçka dukej e rëndomtë dhe e shkatërruar si një copë dru që deti e ka nxjerrë. Tabela dyqanesh të gjymtuara tundeshin në ajrin gri. Në një park të errët ndodhej një platformë e rrumbullakët koncertesh, e shtrembëruar, si një guackë boshe e hapur dhe e pandërgjegjshme për arkitekturën e saj të mrekullueshme. Asnjë orkestër nuk do të luante më aty. Dyshemenë e kishin shqyer, ndoshta e kanë përdorur për t’u ngrohur. Shtëpitë ishin të grumbulluara përreth parkut dhe nëpër shitore shije reklama të dalëboje dhe gjithë pluhur.
            Afër mesditës, ndalova në një gasthaus nën urë. Porosita dhe vërtet kisha ndërmend të haja, por desha të pyesja një njeri tjetër për varjen. Nuk e mbaj mend fare fytyrën e kamerierit, por fillimisht foli si me përtesë, pastaj u hap plotësisht.
            “A ishit këtu kur ndodhi ngjarja?” e pyetja.
            “Po. Nuk më morën ushtar. Punoja si brigadier në një fabrikë në malet në Hirschwang.”
            “Kam biseduar me Buchta-n te Konditorei. Rreth varjes.”
            Burri s’e hapi gojën.
            “A e patë kur e varën?”
            “Të gjithë e pamë.”
            “I gjithë qyteti?”
            Tundi kokën, pastaj u zymtua. “Të gjithë e panë, por disa nuk e panë ditën e parë.”
            Ngriva. “Ti thua se ajo qëndroi e varur më shumë se një ditë?”
            “Disa ditë, deri në çastin që ngrysej. Kur këmbanat e lutjes e mbrëmjes binin, ushtarët marshonin drejt pemës sikur do të ulnin flamurin. E ulnin, e shpinin në qilarin e hotelit dhe e fshihnin aty gjatë natës që askush të mos e gjente dhe ta varroste natën. Edhe e vdekur ajo duhej t’na kujtonte se çfarë do të ndodhte me tradhtarët dhe disfatistët. Çdo mëngjes ata marshonin drejt pemës dhe e varnin përsëri atje.”
            “Sa kohë zgjati?”
            “Katër javë.”
            “Sa veta ishin ata që e mbanin?”
            Ai hodhi shikimin tutje pa folur.
            “Sa veta e mbanin?”
            “Të gjithë ata.”
            Mbrëmja ishte e errët dhe tymi ngrihej si rripa të murme mbi luginë.
            Të nesërmen shkova në varreza përsëri. Dërrasat e shkallëve m’u dukun më të larta se një ditë më parë.
            Plaku ndodhej aty në të njëjtin varr që ishte edhe dje. “Si e kaluat ditën në Payerbach?” pyeti ai. “Je vonë,” shtoi prerazi.
            “Më keni pritur?”
            “Je vonë. A gjetët ndonjë gjurmë të. . .”
            “Golik-ut,” thashë. “Jo. Mbrëmë dhe sot më kanë treguar për një ekzekutim, një varje gjatë luftës. Jam marrë me të.”
            “Po, varja dhe dyqani i ëmbëlsirave.” Qeshi. “Rusët erdhën pas një muaji, por gjermanët e varën gruan e Buchta-it.”
            U ula në stolin e ngushtë, ndërsa ai qëndroi në këmbë mbështetur në engjëllin prej alabastre. “Përse çdo njeri thotë, Ishte kaq kënaqësi. U gëzova kaq shumë,” e pyeta. E dëgjova nga ty dhe nga të gjithë.”
            “Ishte kaaaq kënaqësi. U gëzova kaaaq shumë.” Buzëqeshi përsëri, duke shijuar tingullin e stërzgjatur. Perandori ynë e kishte zakon të thoshte kështu. Franc Jozefi e përdori këtë frazë për dhjetëvjeçare të tëra me duart e mbledhura mbrapa kurrizit.”
            “Po përse?” e pyeta me padurim.
            Plaku tundi kokën ngadalë. “Gjatë gjithë jetës së tij vetëm një herë tha atë që vërtet mendonte, pikërisht pasi u ndërtua opera në Ringstrasse, në Vjenë. Ai kritikoi ndërtesën dhe arkitekti e qëlloi me plumb që i përshkoi trurin tej për tej. Mbas kësaj, perandori ynë i katandisi ligjeratat publike në Ishte kaaaq kënaqësi. U gëzova kaaaq shumë. Dhe qëndroi kështu me duart e mbledhura mbas shpine për mëse gjysmë shekulli, ndërkohë që gjithë Evropën e kishte përfshirë flaka.” Plaku heshti. Pas pak, foli përsëri. “Ai ndenji një herë te Fischer-i. Shumë nga ne kanë vdekur. . .” Filloi të flasë mbytyrazi, por papritur ngriti kokën lart dhe vështroi përsëri nga lugina.
            “Shiko poshtë, në të majtë të kryqit prej druri. Është Horn-Hof, hoteli yt. E shikon atë deriçkën që të çon në qilar, pikërisht prej andej e nxirrnin trupin çdo mëngjes. Përmes asaj deriçke. Besoj se e kupton tani se kush e tradhtoi.”
            “I zoti i hotelit?”
            “Ishte e pamundur të gjeje njerëz të tillë në kohën time. Njerëzit kishin dinjitet. . .”
            Nga lodhja e humba durimin.
            “Po ti ku ishe kur e varën?”
            “Atje. Ashtu si të gjithë, atje.” Ishte i etur të pranonte se kishte qenë një dëshmitar okular. Plaku mbylli sytë e i hapi ngadalë.
            I thashë: “Do të ketë qenë një tmerr i vërtetë të shihje sesi një skuadër SS-ësh terrorizonin. . .”
            “Skuadër?” Anoi kokën aq shumë saqë veshi i djathtë më preku gojën.
            “Pronari i hotelit dhe Buchta vetë më treguan për ngjarjen. Skuadrat e SS-ve, e gjithë kompania në hotel. . .”
            Plaku u drejtua dhe ia plasi të qeshurës në një mënyrë të tillë që s’kisha dëgjuar asnjë të qeshte kështu. “Skuadrat?!. . . Kompania?! A e ke idenë se sa veta ishin? Dy! Dy! Madje as edhe uniformat me kafkat e argjendit, me kordonat e arta në spaleta dhe me medaljet në gjoks nuk i bënin ata të dukeshin më shumë. Dy veta.”
            “S’është e mundur,” thashë. “Kush e çonte deri te pema dhe kush e ruante kufomën? Vetëm dy burra? Nuk flinin fare?” Nuk mund t’u besoja veshëve. “A s’mundej njeri të bënte diçka? Të paktën ta varroste?”
            “Dy veta dhe s’ishin as të bëshëm. Një skuadër?. . . Lächerlich!”[2] Ia dha së qeshurës kaq shumë, saqë iu desh të mbahet te këmba e engjëllit me krah të thyer. E qeshura e tij jehoi nëpër varrezë. Papritmas e kuptova, por ende nuk arrija ta kuptoja vërtet shkretinë e kësaj qyteze.
            “Ku janë të gjithë?” pyeta.
            Ai e kuptoi se ku e kisha fjalën.
            “Kanë vdekur. Trupat e tyre ende lëvizin, por janë aq të vdekur sa edhe shtëpitë e tyre të varrosura nën shtresa pluhuri.” Pështyu në tokë mbi këmbën e engjëllit.
            “Lufta?” pyeta.
            “Lufta! Lufta!” shpërtheu me padurim. Mori frymë thellë, pastaj mezi u ul.
            U përpoqa ta qetësoja. “Çfarë duhej të bënin ata. Ju s’kishit armë, ndërsa SS-të . . .”
            “Ata duhej ta varrosnin. Unë duhej ta varrosja.”
            U ula pranë tij dhe u mbështeta te varri, mbledhur grusht brenda pardesysë. Atje tej qyteza po fundosej në errësirën e luginës.
            Ai më pëshpëriti në vesh. “Ik! Shko në shtëpi! Je i ri dhe s’të lidh gjë me . . .”
            Atë natë u nisa drejt Vjenës. Kur arrita në Essen, shkrova mbi dosjen e Charles-Louis Golik-ut:  Varri nuk gjendet.
Përktheu nga origjinali
Pirro Dollani



[1] Lavdi Zotit, shën i përkth.
[2] Qesharake!