Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 15 January 2012

I I N T E R N U A R I M E N U M Ë R 134.994 - S T A L A G A




Sofia me Andrean për dore, po ecnin në trotuarin që të çonte tek baranga e stërzgjatur.  Në mes të saj kishte një kuadrat të vogël, kushëriri i Bilbilit. Ai  tregtonte në të pulla poste, zarfe qe i përgatiste vetë dhe karamele. Ky ishte Barba Apostoli, një burrë i shëndetshëm faqekuq e me trup mesatar. Koka i ishte zhveshur që në rini. Ishte fjalëpakë e shpirtmirë. Kishte zgjedhur për të mbajtur familjen  vetëm me tre artikuj për të cilat qytetarët kishin nevojë në ato vite.  Të kërkoje artikuj të tjerë, nuk gjeje. Karamelet e shijshme, më shumë nga ato të gegës, i hidhte në disa vazo qelqi dhe fëmijëve u lëshonte goja lëng kur ndodheshin atje. Kur shikonin karamelet mundoheshin të siguronin nga një qindarkë, nga më të mëdhenjtë dhe vrap te barba. Me këto tre artikuj barba Apostoli ishte shumë i kënaqur. Kur s’kishte punë e mbyllte dyqanin dhe qendronte në shtëpi. Përgatiste zarfa dhe fitimin prej tyre e kishte të plotë. Sofia gjente mbështetje tek  kushëriri  i  burrit, prandaj edhe atë ditë ishte drejtuar për tek baraka e tij. I biri i barba Apostolit, Spiroja, kishte më shumë se një javë që kishte ardhur nga ana e Jugosllavisë, por për këta të tjerët nuk dinte gjë në rronin, apo jo. Ai kishte vuajtur shumë në një kamp tjetër që siç thoshte vetë, ai ishte një kamp vdekjeje. Kur po i afroheshin barakës, vuri re se barba Apostoli doli me vrap tek dera. Para tij kishte ndaluar një ushtarak anglez. Ishte i kthyer mbrapsht. Sofia u habit që ata të dy u përqafuan. Ndaloi këmbët që iu drodhën dhe shtrëngoi fort dorën e të birit. Shtëpitë, nga të dy anët e rrugës, iu tundën si nga një tërmet, ndërsa baranga në krahun e djathtë iu zmadhua dhe iu ngrit drejt qiellit. Menjëherë mendoi veshjen e saj të vjetëruar, shollët pak të shqepura dhe fërkoi faqet e dobësuara, pastaj ngriu si bust. “Paska ardhur!,” sa ndenji ashtu e ngrirë, as ajo nuk e kuptoi. Andrea po e shikonte i habitur, pastaj e shkundi nga dora. Ajo u përmend, por filloi t’i dridhej buza. Ata ishin futur brenda barakës. “Unë e zeza i paskam qarë hall, kurse ky qenka si bej, edhe me shëndet, edhe i veshur si ushtarak anglez.” Me këmbë të mbajtura që mezi i shkëpuste nga toka, sikur i kishte të rënduara me pesha, u gjend para barakës me dorën e të birit të shtrënguar pak më tepër seç duhej. “Bilbil, ja dhe Sofia, me tët bir, Andrenë.” Ai u kthye rrëmbimthi dhe kur pa gruan e re me djalin për dore ndjeu një rrëqethje. Një nxehtësi i përshkoi kokën dhe zemra i rrahu aq fort, saqë nuk e përballoi dot dhe u kthye nga kushëriri. Për disa çaste u mbështet tek banaku, pastaj e pyeti atë me zë të dridhur: “Sofia qenka ajo, more Apostol? Bobo, si qenka katandisur.” Zëri mezi iu dëgjua. Sofia ishte vetëm tridhjetenjë vjeç dhe fytyra e saj e kishte humbur freskinë para kohe. Viti i fundit e kishte dërrmuar  me tërë ato punë të rënda, me ato mendime tragjike nga fukarallëku i tejskajshëm dhe meraku i tre fëmijëve. Tualet nuk kishte bërë kurrë, sepse u mungonte edhe sapuni për të larë fytyrën. Barba Apostoli e kuptoi përse u trondit Bilbili dhe i tha atij se Sofia këto kohë  ka vuajtur shumë me të tre fëmijët dhe  me djep ngarkuar. Është brranisur që nga fusha e deri në fshatin e saj. Dhe ai vazhdoi të rrëfente  me shumë qetësi e me fjalë të ngadaltë. Ata shikonin akoma njëri-tjetrin. “Është shumë e zonja. E ka nxjerrë bukën me djersë e ndershmëri. S’i thonë shaka, Bilbil, të ushqehesh vetë  i katërt në luftë e pas lufte, por duhet ta dish që ajo të nxjerr edhe nga fundi i detit. Kur është kthyer nga fshati i saj e kemi ndihmuar nga pak të gjithë. Por nuk mbahet shtëpia me miell hua, more Bilbil.” Atij iu varën lotët në buzë, ndërsa ajo hodhi edhe disa hapa duke tërhequr djalin, pastaj i tha me buzët që i dridheshin! “Andrea, ai është babai! Vrapo, takoje.” I ati u ul për ta pritur në krahë. Lotët nuk i ndalonin, ndërsa i biri e shikonte me habi. U çua dhe u drejtua nga e shoqja. “ Paske vuajtur shumë, por gëzohem që më ke mbajtur fëmijët gjallë.” Ajo u afrua dhe zgjati dorën. “Mirë se erdhe,”-  i tha kokulur. Barba Apostoli mori dy valixhet  që ishin në trotuar,  pastaj u tha atyre: “Përqafohuni se keni gati dy vjet të ndarë, duke mos ditur asgjë për njëri-tjetrin. Akoma me zakone prapanike do të rrojmë ne, po ti Bilbil, që vjen nga jashtë, përqafoje gruan e mjerë se shih si dridhet. Mblidhi zemrën.” Bilbili e përqafoi, ndërsa ajo u turpërua para kushëririt të burrit. Gjimnastorkën jeshile ia lagu me lotë. Po dridhej e tëra. Por edhe ai. Nuk e prisnin këtë takim kaq të papritur.
“Të lashë si kumbull, mori Sofi. Ke hequr të këqija. Por prapë do ta marrësh veten.” “Jo, more burrë, jo. Rrudhat nuk mbulohen më, sado që të bësh.” “Do shëndoshesh prapë, je dobësuar shumë.” Dhe ai i nxirrte fjalët të shkëputura. Nuk dinte si ta ngushëllonte për dobësinë. Dhe e shtrëngoi përsëri në krahët e tij. Ajo ngriti sytë dhe e pa për disa sekonda në fytyrë duke i gjezdisur sytë në të gjitha të prerat, që nga flokët e deri në gushë. Pastaj hapi gojën: “Ti paske jetuar mirë, kurse unë qaja çdo ditë për ty.” Ai tundi kokën në shenjë mohimi. U mendua pak, pa nga kushëriri, pastaj nxorri një fotografi të madhe nga xhepi i brendshëm, e pa njëherë vetë, duke mbledhur buzët, pastaj tha: “Muajt e fundit po. Por në kamp...” Dhe u dha fotografinë. Sofia u drodh, sikur në dorë, t’i kishte rënë një sfurk dhe i ra nga dora. Andrea e ngriti nga toka dhe ia drejtoi së ëmës. Ajo ngurronte ta kapte. Sytë iu hapën jashtë mase. Në atë fotografi ajo po shikonte një skelet me sy të rrumbullakosur, të humbur  thellë në kafkë. Tëmtha të kërcyera, faqet gropë, buzë të dala e ballë të gjerë. Mjekra i krijonte hije në qafën e hollë, ku i dukeshin damarët si krimba toke dhe gurmazi ku i numëroheshin që poshtë lëkurës rruazat e ezofagut. Kocka, lëkurë, gropëza të thelluara e të errëta. Ky ishte portreti i tij atje. Pastaj i zbriti sytë përmbi një pllakë të gjatë, të varur në qafë, ku ishte i shkruar një numër që ajo nuk dinte ta lexonte. Nën pllakë ishte mbërthyer një rrobë burgu me vija. Barba Apostoli lexoi me zë: 134.994-STALAG-A. Lotët i lagën fotografinë dhe ajo e fshiu me bishtin e shamisë së kokës dhe e pyeti me buzë të dredhura: Nuk iu jepnin fare për të ngrënë, si ke duruar me gjithë këtë dobësi? “Ta dini që unë atje jam 33 vjeç dhe peshoja 38 kile.” Pastaj u kujtua dhe e pyeti të kushëririn në ishte kthyer  i biri, Spiroja?
Është kthyer, por më tha se bashkë nuk jeni takuar asnjëherë. Bilbili i tha se ishin në kampe të ndryshme dhe nuk e dinte si kishte jetuar. I kushëriri i tha se ishte në një kamp vdekjeje. Do të bisedoni e do t’i thoni. Edhe vuajtjet e tua, dhe ju drejtua Sofisë, se përse ishte munduar sot në Skalomë. Ajo i tha se atje jepnin një racion ndihmë nga UNDRA dhe erdhi për ta marrë. Mbylli sytë përgjysmë dhe asnjeri nga ata nuk e dinte që ajo në ato momente kishte një përçartje psikologjike. Po hetonte në ato momente fëmijët,  si do ta prisnin të ëmën kur t’u vente me diçka në thes, apo në trastë. Tortura që ka kaluar këto kohë vetmie, pa babanë e fëmijëve, duke u rropatur rrugëve e fushave deri këtu, e kishte kaluar  kupën. U drodh. U shkreh në një vaj që nuk pëmbahej. U mbështet në banak, e përmbysur dhe po tundej e gjitha, si e munduar nga ndonjë sëmundje. Bilbili e ngriti me kujdes dhe e mbështeti në gjoksin e tij. Kur ajo mbaroi dënesat e fundit ai i tha: mbaruan tani, mbaruan, moj Sofi! Tani më ke dhe mua. Do të shkojmë bashkë t’i marrim ato ndihma. Dhe mbasi zoti  Apostol e uli  në karrigen e tij doli jashtë me Bilbilin. “Çudi”! u shpreh i porsaardhuri. Unë erdha këtu me shpresë se do të kishte ndryshuar diçka. Por po shikonte se populli po zvarritej më keq se para lufte. Edhe në Gjirokastër ku fjeti një natë, pa njerëz të mjeruar. Nuk ka ndryshuar gjë komunizmi? Në Kakavi na pritën shumë keq. Me zor na futën brenda, se nuk donin të na merrnin në dorëzim. Njerëzit e UNRA-s donin të na kthenin përsëri në Janinë dhe a e di si na thanë? Nuk kishin nga një koqe plumbi dhe për juve, por u lanë të ktheheni të gjallë.”  Barba Apostoli nuk e priste këtë fjalë dhe ngeli i shokuar e i tha Bilbilit se ishte e pamundur. Dhe unë u thashë: ne kemi luftuar dhe ndofta edhe më shumë se ju që po na flisni ashtu. Kemi mbajtur edhe partizanët me bukë. Mos flisni pa na njohur. Na akuzuan se ndenjëm si pula të na kapte gjermani dhe do të ishte më mirë të na kishin vrarë. Njeri prej tyre na foli më me qesëndi. “Po të më njihje mua ti, do të më hiqje kapelen” -- i thashë. Bëmë shumë debat. Për ta u ankova në qark, por ata i kishin mbyllur të dy veshët, megjithëse me sy tregonin interesim, por reagimi dëshmonte që edhe ata mbanin avazin e ushtarëve, apo të ish- partizanëve të Kakavijes. Komandanti i qarkut më mori atë natë në shtëpi  ndofta për të më kthyer një mirënjohje të vogël për ato që kisha bërë  për të, që kur filluan gueriljet e deri sa unë u kapa nga gjermanët. Ai më tregoi dashamirësi për nënën time që ishte nëna e partizanëve, ndërsa për kakavijasit më tha të mos ua vija re. Ne ishim 14 shokë që prisnim  me padurim të futeshim brenda kufirit. Unë kisha dërguar më parë në Kakavije edhe dy makina të UNRA-s, me nga 34 të internuar në secilen.Unë rrija në Janinë se doja që t’i sillja të gjithë në Shqipëri. Hoqa shumë aty. Edhe më burgosën, por nuk vuajta nga grekët, por nga armiqtë shqiptarë.
Bilbili po fliste shumë i emocionuar. “Përse të na vrisnin, cili nga anëtarët e qeverisë i kishte lëshuar këto helme kundër nesh që kishim sakrifikuar për komunizmin vite të tëra, si bolshevikë, që në vitin 1936.” Kur pa edhe gruan e tij të vrarë shpirtërisht, të prishur në fytyrë, të uritur, me rroba të vjetëruara e shollë të shqepura,  djalin të zbathur, të mballosur dhe të veshur shumë hollë, i theri zemrën. Shpërthimin ia shoi i kushëri që e ndaloi të ngrinte zërin. Ai nuk dinte çfarë t’i thoshte, po do t’i mësonte të gjitha. Floririn dhe mallin nga tregtarët i grumbullonin. Do t’i mësonte edhe ato. Do të mësonte që nga jashtë nuk sillnin, as bukë, ndërkohë  që jugosllavët po zbraznin magazinat. Dhe ai i dha një porosi: “Mos fol për asgjë, se ka shumë spiunë. Burgjet i kanë mbushur dhe torturohen. Është një kaos alla jugosllav.” “Më duket se kemi luftuar kot,” - u shpreh nëpër dhëmbë.” “Mësohu me rregullat e reja dhe mos u dëgjo për çfarë shikon, se do merresh në qafë. Nuk pyesin, as për heronjtë e luftës. Ik në shtëpi dhe prit se ndoshta do të të thërrasin për punë.”
Andrea e njohu më në fund të atin. Iu duk si ai anglezi që iu dha bukë në makinë. Kishte vetëm një ndryshim. Anglezët ishin të bardhë e flokëverdhë, ndërsa i ati qe ezmer dhe flokëzi. Vetëm veshjen kishin njëlloj. Ndërsa i ati u kënaq së qeshuri me Andrean që e shikonte me habi, por edhe ai nuk e njihte Galinë, për të cilën qau kur e pa dhe e drejtuar nga Stela, po i hidhte hapat me vështirësi. Mandej  i buzëqeshi kur ra në krahët e tij.
Një rrëqethie me ndrydhje zemre ndjeu kur hodhi sytë rreth shtëpisë, thuajse bosh. Pak misër që kish të mbjellë Sofia, ishte i pambledhur akoma. Nga ai misër do të merrte edhe bujku që kishte ngarë qetë, do të merrnin edhe vllehët që do ta transportonin nga fusha në shtëpi me kafshë. Po do të  jepnin edhe detyrimin dhe pastaj çfarë të mbetej do ta merrte Sofia.
Mbas disa ditësh, Bilbilin e thirrën në komitetin ekzekutiv të qytetit dhe e caktuan të punonte në zyrën e kadastrës. Për banim i dhanë një barakë në qendër të qytetit. Po afronte përgatitja për reformën agrare.
Andrea tani ishte më i rritur dhe filloi të shkonte i pashoqëruar te hallë Lena. Shtëpia e saj ishte pothuajse në fund të fshatit dhe përballë saj, dukej një çarçaf blu në fund të kodrave që vareshin nga  dy vargmalet nga ana perëndimore. Andrea qëndronte një moment duke menduar me fantazi për detin, pastaj futej në oborrin e hallës së tij, duke shtyrë një portë të vjetër llamarine që zvarrisej dhe nga të dy anët e saj, ngriheshin dy pemë përralli, të rritura ca si tepër. Ajo e priste nipin me shumë dashuri dhe i tërhequr nga dashuria e saj, ai shkonte gjithmonë. Në atë shtëpi kishte të siguruar një përshesh me qumësht, ose me kos, të cilën e donte fort, por e pranonte pas shumë të luturave të hallës, sepse ajo ia dinte turpin të nipit.  E dinte që ai kishte gjithmonë uri. Dhe uria qe shoqëruese për të gjithë popullin. Halla e Andreas  siguronte bukë misri për të gjithë vitin dhe më pak, bukë gruri, sepse i shoqi,  ishte shumë i lidhur me fushën. Nga një tufë dhi, siguronin edhe qumësht. Por ama ato kishin hedhur rrënjë dhe ishin për çdo ditë. Bulmet dhe bukë misri e më pak bukë gruri. Fasule qorre që nuk e di se pse i quanin qorre, përderisa kishin një sy të zi, si syrin e lakuriqit të natës. Po edhe për atë thoshin se është qorr. Por Andrea nuk e besonte. Ajo thoshte se ai verbohet tmerrësisht nga drita, ashtu mbase si fasulja që nuk shikonte se çfarë hiqnin njerëzit mbasi i hanin ato. Pastaj njerëzit, si në fshat edhe në qytet, i përdornin ҫdo lloj lakre, pak patate, rrallëherë mish, sebepi festat. Të tjerat ishin ëndrra.
As viti 1946 nuk solli ndonjë përmirësim,  përveç Reformës Agrare që u mori tokën e bagëtinë e tëpërt disave dhe ua ndanë më fukarenjve. E gjithë kjo i shkaktoi një lodhje të madhe Bilbilit, me matjet dhe me ndarjet. Edhe ai mori një tokë zallishte, në anë të lumit dhe një ka që e quanin Meliso, shumë të vjetër në moshë, aq sa i varej lapa e gushës e me vështirësi lëvizte këmbët. Andrea e shikonte në ato sytë si të fjetur dhe që e përtypte barin me përtim dhe thoshte me vete duke tundur kokën: “Ky është plak sa papu Foto Badini e plaku Vito.” Ndërsa Stela filloi të çapitej pas tij duke matur brazdat, me çapat e vogla duke mbjellur farë. Dhe sa më shumë rriteshin, u shtoheshin edhe mundimet, mballomat në rroba. Herë ҫapitnin me nga një palë sandale plastike që shqyheshin me një rrëshqitje të vogël të këmbës dhe më të shumtën e kohës zbathur, sidomos  Andrea që ishte djalë. Megjithëse babai punonte në komitet, prapë të shumtën e kohës qenë të uritur. Ai  rrogën e harxhonte më shumë  gjatë javës në qytet dhe më shumë me shërbime fshat më fshat. Ndërsa Sofia, me vështirësi, shlyente detyrimet, megjithëse për çarje, mbjellje e korrje e bënte Bilbili duke marrë herë-herë leje nga kryesia, por shfrytëzonte në momente të caktuara edhe  lejen e zakonshme vjetore.
Andrea tani kishte shumë shokë. Por më i rëndësishmi ishte Bardhoja. Tepër biond dhe me sytë midis bojëqiellit dhe jeshiles, disi të bardhë si xham. Shumë i lëvizur, i  kruante shumë rrëzat. Të gjithë arsenalin ushtarak të përrenjve që kishin lënë ushtritë e huaja, partizanët dhe ballistët, e kishte grumbulluar bashkë me Andrean tek vëndi më i përshtatshëm, pikërisht poshtë kopshtit të Andreas, ku mund të futeshin vetëm ata të dy. Ishte një vit më i madh. Kola ishte një vit më i vogël se Andrea, fytyrë rrumbullakët  me  sy të zi të mëdhenj,  por aspak i shkathët sa Bardhoja me Andrean. Ishte më i përkëdhelur, sepse kishin shumë bagëti. Shpesh shkonte me kecat. Llaqi ishte fytyrëkuq dhe i shëndetshëm. Gjithmonë  i zilepste shokët, kur dilte nga një portë e madhe e shtëpisë së tij në rrugicë, me një copë bukë gruri të madhe në dorë, me pak sheqer e me vaj. Nuk dinte fare nga punët e shtëpisë si Andrea, sepse kishte shumë gra në shtëpi dhe ishin në gjendje. Babai nuk ishte çoban si i dy të tjerëve, por punonte në një zyrë poste dhe ishte mjeshtër i telegrafit “Mors.” Në lojë ishte shumë i rëndë. Ndërsa Dilo fytyrëverdhë si e ëma Dadaja, kishte shumë lodra vetëlëvizëse që s’i kishte asnjë në fshat. Prandaj edhe djemtë, edhe vajzat, e shikonin me zili. Bile edhe fletoret e lapsat e bukura me ngjyra e goma, ia sillte i vëllai, Lezo nga Çekia, ku ishte dërguar nga pushteti popullor për të mësuar për doktor. Por ama në shtëpi, ishin shumë fukarenj. Edhe ata, me një gomar plaçka. I jati i sëmurë, nuk i përballonte dot detyrimet. Andrea kishte shkuar shumë herë tek Dadaja në darkë kur u ngelej ndonjëherë gomari jashtë dhe me gjithë kërkimet nuk gjendej. Ajo i lidhte gojën ujkut me një spango, thoshte diҫka me gojë dhe pastaj e vinte spangon komba-komba në kripë. Sigurisht që Andrea shkonte tek Dadaja mbasi kishte ngrënë disa rripa nga e ëma nga që nuk e kishte gjetur gomarin. Vetëm se familja e Dilos, nuk ishte në gjendje më të keqe se e Mufitit. Familja e tij kushedi se nga erdhën në atë fshat dhe ishin vendosur në një shtëpi përdhese, të braktisur. Fshati u qante hallin dhe i ndihmoi me sa mundi. Bukën në dorë ai ta shikonte si një kafshë e uritur dhe shoket detyroheshin  ta ndanin me të. Megjithatë, Andrea po vinte re që Mufiti po hante më shumë se ai. Ishin shumë fëmijë dhe të gjithëve  u rëndonin kokallat. Të rreckosur dhe me  shumë mballoma nëpër  pantallona dhe këmisha.  E ëma ishte shumë e ngathët dhe nuk i zinte dora për asgjë. Babai u kishte vdekur. Si edhe tek Diloja, morrat në trup dhe pleshtat sheshit, ishin tufa-tufa. Por ama ai nuk ishte gërnjar si Solli, një kokëmadh dhe me faqe buçko. Nuk e kuptoje pse ishte kokëtul. Rridhte  nga një baba për të cilin thoshin , “ku i mbahet ky shpirt.” Edhe skuadra e vëllezërve që ishin të gjithë më të mëdhenj, mesa duket kishin ngjarë nga e ëma. Ecte kokulur sikur i rëndonte edhe kur luanin, me të duhet të kishin kujdes. Pasuria e tyre ishte githë-gjithë dy dyshekë zhake me kashtë, një hambar si çdo shtëpi, një sepet dhe enët e gatimit e të ngrënit prej alumini, balte e bakri. Edhe ata gëzonin pas një gomari. Shokët e tjerë ishin në lagjen tjetër që quhej Mëhalla e Hanit. Mëhalla e Andreas quhej Mëhalla e Kopaçes. Kishin atje edhe vajza shoqe me fytyra e karaktere të ndryshme.

No comments:

Post a Comment