Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Tuesday 3 September 2013

Sofia e Gjeraqines





Nga Kristo Çipa

Ujërat e Buronjës atë mëngjez pranveror, ishin më të hareshme e më të zhurmëshme se kurrë. Gurgullima e lumit si marrës i këngës polifonike zë metalik bashkohej me ison mijëra zërëshe të zogjve që cicëronin nëpër degët e rrepeve në buzë të lumit të lashtë e elegjik. Natyra ishte në delir.Vetëm malet e heshtur sepse kishin rënë në mendime. Sa herë zë e kullon bora,ata i kap një trishtim dhe brenga e palexuar kërkon të rrjedhë nëper shtratin e Shushicës, kujtesën e tyre. Por madhështia e tyre nuk e lë brengën të dalë. Ҫmimi i madhështisë është i rëndë. Peshon sa malet e pak më shumë. Nuk ka gërxh, gur, shkrep, pllajë, luginë, hon e guvë, që të jetë anonim. Por dhe  emrat kanë një histori qoftë ajo epike, tragjike, elegjike, lirike, ironike apo edhe komike. Labëria dhe malet e saj nuk janë aq pjellore me bimësitë se sa me historitë. Ndaj ka aq shumë burime ujore si për të tretur kripërat e historisë që koha ka shtresëzuar nëpër palët e sepeteve të lavdis labe. Shumë janë thënë, ca janë shkruar. Shumë të tjera presin të dritësohen e botës së sotme të qytetëruar ti tregohet.
     Diku andej nga Qafa e Dërrasës, plasi një burim që turbullonte e shkumëzonte me ditë të tëra. Lajmi gjarpëroi nëpër xhaden e pashtruar e të arnuar që të ҫon tek sheshi i Gjolekës dhe u fut brenda në lokalet e fshatit për t’i kujtuar se ҫ’kishte ngjarë shtatëdhjet vjet më parë në qafën e Gjeraqinës. Qeleshe bardhët me  ҫibukët e shqoptë filluan të gjenin në kujtesën e tyre damarët e ujit dhe ngjarjen që buronte.
  Eh!Si su platit kjo dhimbje e thiktë që ka vite që na sëmbon në zemër këtu në fshatin tonë!- e ngau bisedën xha Hasani, duke humbur i trishtëm pas shtëllungave me tym që nxirrte ҫibuku i tij i fundit në përdorim në jetën duhan pirëse të këtij fshati.
 Eh djali i varfër! Donte trëndelinë në Papadhimë! Por bari ynë ka helm dhe i hidhëron sheleget. Moj greke e bukur, moj greke! Shkove si ylberi në qafën e Dërrasës dhe na godite yllin e ҫuar! Ishim të egër në krenarinë tonë dhe  ja bëmë kurban krenarisë atë djalë, ndaj dhe plasi uji atje në shtufishtë të Toҫe. Dhëmbja është më e fortë dhe më e thellë se krenaria--shtoi i menduar e i lënduar thellë, xha Hasani.
-Dhëmbjet i kemi qarë e kënduar, xha Hasan- se i kemi patur dhe bërë pjesë, por këtë të qafës së Gjeraqinës, nuk kemi ditur e nuk dimë ende ҫ’farë emër ti vemë!-tha Bejtua, një ndër ata bashkë fshatarë që e kishte kaluar jetën jashtë atdheut e tani që kishte dalë në pension ishte kthyer e banonte në fshat në stërrallin e mallit siҫ thoshte dhe vet.                                                                 -More Bejto ajo qe dhëmbje sa e rrallë edhe e marrë.! Ajo bukuria e grekes të marroste e të ngaste. Edhe sot që jam 80-të e kusur vjeҫ kur i kujtoj fytyrën e saj më lajthitet mendja e më kullot si dreri në lëndinën e bukur.
  - Avash, avash se të kap tensioni e na lë amanetet xha Hasan/!---e ndërpreu një djalosh mjekër kare-, se nuk ishte më e bukur grekja e Gjeraqinës se bejkat e stërrallit tonë!
     -Bejkat tona, bejka janë, more djalë, por janë bejka të serta, ndërsa grekja ishte zërë me magji që të rrëmbente sikur kishe pirë nga ky hashashi juaj.- ja ktheu xha Hasani.
  Plasi gazi në atë lokal, në atë orë muzgu pranveror dhe të gjithë ju lutën xha Hasanit t’u tregonte me hollësi atë ndodhi të ngjarjeve të luftës së dytë botërore. I vënë në pozitë të vështirë nga kjo kërkesë, xha Hasani e mbushi edhe një herë ҫibukun, hoqi thellë dhe duke ulur përgjysëm kapakët e syve nën tendën e vetullave të trasha, filloi shtruar e dëshpëruar të tregonte.

                           . . .
  - Ishin vitet e luftës së dytë botërore! Luftrat o djem,e kanë fytyrën të llahtarisur, barkun të boshatisur, syrin të zalisur e xhepin të grisur. Këto anët tona që tani në kohë paqeje janë të harruara e të humbura nga sytë e botës e të qeveritarëve, në luftë bëhen kryqendra e si i thoni ju të rinjtë, vendosin fatet e popujve dhe gatuajnë qeveritë e ardhëshme. Në luftë këtu burri e gruaja kanë vlerën e princave e kontërve, ministrave e ambasadorëve. Ky vend i shtufit e këto male të thata, burojnë ushqim jete për luftëtarët e lirisë dhe muhaxhirët e këputur, për miqtë dhe armiqtë, Po, po! Edhe për armiqtë!- Se edhe ata i gostit ky vend sa janë këtu e kur vjen ora për tu larguar u tregon rrugën e kthimit. Se, me  që ra fjala për armikun, ska ndodhur kurrë në këto anë që armikun ta presëm në besë. Jo, jo! I themi të largohet dhe pos na dëgjoi ja shtrojmë rrugën me barut. Ndërsa miku bëhet vendas dhe buka e tij gatuhet në ҫdo vatër e sofër, në ҫdo konak e stan. Ky vend pa miq është i pabanueshëm. Miku është dielli i këtij vendi.
-Nejse u mora shumë me këtë punën e mikut dhe armikut por do tju tregoj për atë që më pyetët. Ishte viti i dytë i luftës italo-greke dhe futja e gjermanit përcaktoi fatin e luftës. Pasi italianët depërtuan brenda kufirit grek karvanët me refugjatë e muhaxhirë filluan të vinin në anët tona duke kërkuar bukë e strehim. Sa kalonte një karvan vinte tjetri dhe rrugët e fshatrat u mbushën me hallexhinj. Pleqësitë e fshatrave të Labërisë u mblodhën dhe vendosën t’i ndanin nëpër shtëpi për të kaluar atë periudhë të vështirë e kur të qetësohej situata të ktheheshin në shtëpitë e tyre. U thashë edhe më parë që në luftë këtu vendi bëhet kryeqendër dhe pleqësitë e paritë e vendit janë  si qeveri të vogla por  të forta e të afta për t’u  bërë ballë kërkesave të luftës. Pra pleqësitë filluan të nikoqirisnin hallet e luftës. U ndanë nëpër familje dhe mbanin shënim emrat e tyre. E kishin të vështire të komunikonin me të ardhurit e paftuar por popujt në halle kanë një gjuhë të përbashkët që i bashkon e i afron.U ndanë në të gjitha lagjet e fshatit dhe të tjerët i nisën  në fshatrat fqinje të shoqëruar me anëtare pleqësie. Gjithҫka po shkonte mirë dhe të ardhurit filluan të shkarkonin ankthin e pasigurinë e të visheshin me mantelin e mirkpritjes labe. Magjet e bukës filluan të burojnë miell për mysafirët. Por një mbasdite të vonët kur dielli  i tkurrur po i afrohej të kaptës së Ҫikës. Refugjatët e fundit që do të mbrinin në qëndër të Kuҫit. Ishin dy femra, nënë e bijë. Emri i nënës nuk mbahet mend e u harrua shpejt, por emri i bijës me hane, nuk do të harrohet kurrë. Ai u trashëgua  si në gjak edhe në gur. I thoshnin Sofi dhe ishte magji, që digjte dhe gurët me sy. E deshëm si vajzën tonë dhe ashtu e mbajtëm por verbimi i atij djali gjumë zi, bëri që  Sofia e bukur dhe e ndrojtur të kthehej në shën Sofi e të bënte kurban një djalë kuҫjot azgan.

                                              . . .
   Vendi ishte mbuluar nga bora kur mikeshat futën këmbët në konak të Lekajve. Remzi Leka u hodhi një vështrim të dy grave mysafire dhe ndjeu keqardhje për hallin e tyre dhe aq më tepër kur në këtë hall nuk ishin të shoqëruara nga ndonjë mashkull shtëpie. Nuk dinte greqisht por u foli shqip duke i shoqëruar fjalët me gjeste.
       -Mirseerdhët dhe na qoftë buka e ëmbël këtu në konakun e Lekajve këtu ne Kuҫ. Rini si në shtëpine tuaj e mos u qederosni, se hallin tani e kemi bashkë!
 Greket të dyja mëmë e bijë diҫka kuptuan nga ato fjalë dhe u përgjigjën me përulësi.
       Efharisto! Efharisto! -dhe u munduan që të merreshin vesh me të zotët e shtëpive me gjuhën e syve. Grekja nënë u prezantua. Mas lene Eleni qe Sofia!- duke treguar në të dy rastet përkatësinë e emrit me lëvizjen e duarve.
  Remziu e  kuptoi se ҫ’farë shprehu grekja dhe u prezantua edhe ai.
    -Unë quhem Remzi Leka! Kjo është nikoqirja e shtëpisë Ferziletja, djali im Krenari, vajza Bukuria dhe djali tjetër Astriti!
 Të dy palët u kuptuan në prezantimin e parë dhe u ulën rreth oxhakut të mbushur me zjarrin e mikpritjes. Pasi solli qerasjen e parë e zonja e shtëpisë Ferziletja dhe u bënë urimet e para ra një heshtje e shkurtër ku të  dy palët hetonin me sy njëri-tjetrin.
  Remziu shikoi atë grua që i kishte kaluar të dyzetat dhe që shndriste si majat me borë në natë me hënë-Xhinde honi janë këto greket e bukura, si  shën Mëria! Vetëm këto e marrosën Pashain tonë. Vasiliqi e quanin atë që e deshi shumë Aliun dhe që e qau edhe kur u bë me mjekër të kuqe. -Dhe shikimi i Remziut nuk mund të mos vinte re një mjegullim që herë pas here ulej mbi ballin e Elenit si retë e përziera mbi majë të Ҫipinit.
      -Ҫ’farë halli të veҫantë do ketë kjo grua, që ja errëson nurin e farfurijtë mbi ballin e qëruar? Hallet janë si shkronjat në filxhanin e kafesë! Nuk i këndon dot i shkreti njeri me një të parë. Por nejse, ne na duhet t’i strehojmë e t’i ushqejmë për aq kohë sa të urdhërojnë në konakun tanë, derisa të shkojnë në të mbarën e tyre.
 Pastaj i kaloi sytë tek e bija, Sofia. Sa e pa diҫka i krisi brenda gjoksit.U tremb në ëndjen e tij. --Eh meluni!-tha me vete. Kjo lanete e bukur do të na marrë më qafë! E paska zografisur zoti me dorë! Jarabi Marshalla!-dhe lëvizi vendin e i hoqi vetëtimthi sytë prej saj. I foli të birit Krenarit duke i thënë të dilte e të siguronte mallin që sapo ishin futur në vathë. I tha  të mëndte kecërit e sapolindur të qerbëmushkës që ishin të bukur si  të dy greket mysafire. Krenari doli menjëherë të mbaronte porositë.
   Tani ishte radha e Elenit të hetonte fytyrat e të zotërve të shtëpisë. I hodhi sytë mbi Remziun dhe një ngrohtësi e siguri ja përshkoi gjithë qenjen. I veshur ashtu me rroba shajaku dhe me qylafin e bardhë mbi vetull, ai ngjante me kalanë e Sulit, e papushtuar kurrë. Mustaqet e zeza pa asnjë thinjë përforconin vendosmërinë e ballit dhe garancinë e syve. Fytyra e tij që tregonte me shumë nga sa ishte, të thoshte shume për botën e brendshme të këtij burri të panjohur për greken, por që  i dukej se kishte vite që e njihte dhe që mund të mbështetej me të gjithë sigurinë e saj në këto vite të trazuar që kalonte vendi i saj dhe e gjithë bota. Pasi u ngroh nga pamja dhe shprehja e fytyrës së Remziut, sytë i kaloi tek e zonja e shtëpisë Ferziletja. Kjo kishte kaluar tek pozicioni i saj i preferuar, gatimi dhe me një mirësi të shenjtëruar kishte filluar të hollonte tek sofrani petët për byrek. Fytyra e saj e pastër dhe e dashur të ngjante me darkën e shtatorit para se të fillojnë shirat. Dukej që vetkënaqej me gjendjen që kishte familja e saj dhe donte të mbështillte gjithҫka me dhembshurinë e saj. Brenda varfërisë së kohës i dukej se ishte më e pasura e dheut dhe dëshironte ta mbante ashtu me të gjithë mysafirët që i vinin në shtëpi. Rrallë herë ndonjë merak i fshehur, dilte dhe rrëmbente pak qartësi nga qielli i qelqtë i fytyrës së saj.
   U kënaq me psikologjisjen që u bëri të dy  bashkëshortëve. Eleni i kaloi sytë nëpër orenditë e shtëpise, ku vuri re punimet e leshta të bëra me merak e art fukarai që dukej gjithandej por nuk lexohej në asnjë palë sy të  të zotërve të shtepisë. Djali i madh i shtëpisë kishte dalur përjashta dhe nuk pati kohë ta vëzhgonte, por gjallërinë e tij e kishte ndier por sa e pa. E shkëputi shikimin dhe instiktivisht foli-Na zisun oli!
Remziu e shikoi në sy duke mos kuptuar se ҫfarë tha. Eleni e hutuar për një ҫast e mblodhi veten dhe bëri me shenjë se ishte e kënaqur për gjithҫka. Pas pak kohe kur Krenari kishte siguruar bagëtin dhe u fut Brenda, darka ishte gati dhe Bukuria duke fluturuar e shtroi atë në sofër. U shkëmbyen urimet nga të dy palët dhe filluan të darkonin. Kur sapo kaluan kafshatat e para dhe sytë e Krenarit u shkëmbyen rastësisht me sytë e Sofis, nga dora e saj ra luga. Të gjithë e kaluan në heshtje. Vetëm Remziu diҫ pëshpëriti me vete.


                                                     .  .  .
           Dielli i atij mëngjezi, pas tërë atyre ditëve me borë e mjegull, doli i larë e i qartë si  të ishte pastruar në drestilat e Kuҫit. Krenari morri tufën e dhive dhe e nxorri faqes së poshtme të malit, andej nga s’kishte flokë bore. Zilet e këmborët e tufës sepse binin ndryshe atë ditë! Të gjithë bashkëfshatarët që takonte u fliste një” kalimera” të hareshme. Ishte bërë e ditës që disa fjalë të gjuhës së mysafireve të përdoreshin nga të gjithë. Zakon i njohur shqiptar! Krenarit përpara i ҫfaqej e i zhdukej. Sofia me sytë robërues. Pastaj ҫeҫua me atë ashpërsinë atërore dhe porosia që i dha kur u nis nga shtëpia.
-Biro! Ta duash si motër e ta ruash si sytë e ballit, Sofinë! Mos u turbullo nga verbimi i syve të saj se atje është nderi dhe turpi ynë! Miku është diell, si ky që ka dalë sot, për vendin tonë. Balli ynë sështë ulur kurrë.
 I vinte në kandar porosinë e ҫeҫos dhe turbullimin që ndjente dhe sepse pa kuptuar e tërhiqte Sofia. Pastaj e hiqte mendjen dhe i kalonte si në ekran vajzat e fshatit, duke bërë krahasimin. Asnjëra nuk ja trazonte shpirtin si Sofia. Sa herë e ҫonte nëpër  mendje i mbahej fryma dhe i kujtohej një këngë fshati ku thuhej se shikimi i vajzës të nduk zemrën. Pastaj e pyeste veten -Po unë ҫkam? Ajo është mysafire për pak kohë e do të  iki dhe unë do të jem këtu në gurin tim me mallin e gjënë time dhe me vajzat e fshatit!
- Dhe kështu përcolli ditën e parë pas ardhjes së Sofisë, ditën e dytë, të tretë e me radhë. Darkave tek shiheshin më shumë flisnin me sy , se sa me gojë. Gjatë ditës mësonte disa fjalë greqisht nga bashkëmoshatarët dhe ja thoshte Sofisë, ndërkohë i mësonte asaj shqipen. Eshka e shpirtit kishte filluar të digjej pa flakë e pa tym. Atë nuk e ndiente askush. Vetëm Sofia kishte filluar tja ndjente aromën përcëlluese por i rinte larg se trembej nga zjarri që sdukej. Kaluan ditë dhe erdhi koha kur Krenari bashkë me nënën dhe motrën, shkonin dhe bënin gjethe për kecërit e ritur dhe Sofia me të  ëmën rinin në shtëpi, tërë ditën duke u mërzitur. Një ditë motra i tha Krenarit se do ta kishte shumë dëshirë që Sofinë ta kishte nuse për vëllain, por Krenari bëri sikur se dëgjoi. Nëna i tha Bukurisë, që të mos e bënte me atë muhabet se ajo ishte e huaj dhe do të kthehej në shtëpinë e saj. Tani ajo është në besën tonë dhe ne do ta përcjellim atë si vajzën e shtëpisë.
 Një mengjes Sofia i kërkoi mana Ferziletes dhe motër Bukurisë që ta mernin me vete atje ku shkonin për gjethe. Këmbënguli fort dhe ato ja plotësuan. Sofia, vet e katërt, me tërkuzë e sëpatë u nis nëpër rrugët e fshatit. I pëlqyen ato rrugica dhe ndjeu mall përvëlues për vendlindjen. Hodhi sytë tej nga grykat përmbi pyllin e heshtur e të trishtëm, andej nga dukej horizonti i pafund e i kaltër. Ndjeu aromën e detit dhe zemra i rahu fort si krah thëllëze. Qerpikët e gjatë lëshuan litar lotësh të cilat më kot deshi t’i fshinte me cepin e shamisë së kokës. Ky vend i ashpër ku e solli halli, sepse ju duk si dheu i gjakut të saj dhe fluturimthi shkoi nëpër mend sikur ky të ishte  dheu i përhershëm i saj. Hodhi sytë e pa mana Ferzileten dhe ajo ju duk më e afërt se mana Eleni. Motër Bukuria është si bukurezat e Majit sa e shndritshme aq edhe e paaritshme, tërë shpresë e jetë dhe të ngjitej në shpirt. Pastaj sytë i shkuan tek Krenari. -Ah levendi mu, levendi mu! -foli me vete. Sa shumë ja kishte gërryer zemrën. Eh luftë e mallkuar që nuk ta lë mendjen të qete e shpirtin të llagart! Por nga një anë më mirë, se kurrë nuk do t’i kishte takuar këta njerëz e këta levendë që i kishin marrë zotit të gjitha cilësit e kapedanëve. Më mirë të mos e kishte mendjen tek Krenari se do ta kishte të pamundur ndarjen prej tij. I hoqi sytë e shtrëngoi zemrën. Pastaj filloi të dialogonte me veten, pse nuk duhej të qenë të lirë njerëzit te bënin ҫka u ndjente zemra? Pse mana Eleni i thoshte, se nuk mund të rinin përgjithmone këtu, se këta janë shqiptarë, e ato greke? Sofia e kishte kundërshtuar duke i thënë se edhe në patridhë kishte arvanitas që flisnin gjuhën shqipe, por mana Eleni i kishte thënë  se ata atje ishin të krishterë ndërsa këta këtu myslymanë. Po edhe në këtë pikë  Sofia ishte fare e paqartë, se nuk shikonte tek këta njerëz ndonjë gjë të veҫantë apo ndonjë rit të caktuar. Ata faleshin vetem përpara mikut dhe  zjarrit. Duke folur kështu me veten mendimet ja ndërpreu zëri i Krenarit i cili i kujtoi se kishin mbritur dhe duhej të fillonin të prisnin gjethe. Filluan të prisnin duke bërë edhe barrën që do të ngarkonte Sofia. Ndersa ata i prisnin, ajo i mblidhte duke i bërë barrë për ti ngarkuar, por herë pa herë ngecte nëpër shkarpat e vendit. Barrët i ngarkuan nënë e bijë por Sofia nguli këmbë që t’i bënin edhe asaj një barrë. Pas këmbenguljes i bënë edhe asaj një barrë të vogël dhe të dyja, nënë e bijë e mësuan dhe e ndihmuan të ngarkohej dhe u nisën të katërt për udhë. Në krye Bukuria, nënë Ferziletja, Sofia dhe në fund Krenari me një shul në krah të cilën e përdorte për kasollen e bagëtive. Sofia pasi bëri disa qindra metra e ndjeu se ngarkesa ishte diҫka e veshtirë që vetëm sorkadhet e Labërisë mund ta përballonin, por   krenaria e saj nuk e linte të ulej e ta shkarkonte barrën e saj. Duke ecur gjithnjë e më ngadalë rruga e ҫonte në një shkallë shtegu ku duhej forcë dhe shkathtësi për ta kapërcyer. Sofia ngjiti këmbën e majtë dhe shtyu trupin për tu ngjitur. Forca e pakët e saj dhe shkurret që ndodheshin në të dy  anët e shtegut nuk e lejuan të ngjitej dhe ashtu pezull, barra me gjethe filloi ta tërhiqte poshtë, drejt përroit. U mundua të kapej por duart  nuk mundnin dhe sytë për një ҫast panë fundin e përroit rreth 5- 6 metra poshtë. Gjithecka i kishte shkuar nëpër mendje, por që fundi i jetës së saj  të ishte atje tek ai përrua i zi, kurrë se kishte menduar. Mbylli sytë dhe fare instiktivisht ulëriti duke pritur fundin e tmershëm në përplasje me shkëmbenjtë e greminës. Po priste nga ҫasti në ҫast me sytë mbyllur, por spo kuptonte ҫfarë e mbante pezull. Gjithҫka kishte ngrirë. Vetëm kur së bashku me barrën e gjetheve, ndjeu se diku po rrotullohej hapi sytë dhe pa që ishte në krahët e Krenarit, aq afër me trupin, fytyrën, sytë dhe për më shumë me buzët e tij. Pas atij mankthi sa shumë donte ta përqafonte e ta puthte atë levend,  atë palikar, por seҫ e pengonte, diҫka e ngurtë aty brenda. Efharisto poli!-, i foli dhe i shtrëngoi fort duart, duke ju ngjitur në trup tërë drithërimë. Për pak ҫaste Sofia, së bashku me barrën e gjetheve u gjend në krye të shtegut ku e prisnin mana Ferziletja me motër Bukurinë. Llahtara ende nuk ishte shuar nga fytyra e saj dhe lotët e nxehtë ja lan fytyrën e tmerruar. Të tre i dhanë kurajo dhe ja hoqën barrën me gjethe. Ajo dhe ashtu e shkarkuar dridhej e tëra. Zëri i dashur e kurajoz i Krenarit i dhanë fuqi për tu kthyer në shtëpi në Lekaj. Mirënjohja, dhembshuria dhe dashuria po i përziheshin të tria bashkë në atë  buajtje të detyruar,  por njëkohësisht aq shumë të adhuruar për atë fshat të Labërise. Ajo darkë e asaj dite kishte thyer shumë tabu e kishte ndërtuar shumë ura, por atë më kryesoren e më të rëndësishmen-lirinë e dashurisë!- ende se kishte  ҫliruar.


                                                      .  .  .
   Pasi kaluan dy -tre muaj dhe pranvera po jepte sinjalet e shpresës e lajmet venin e vinin mbi shalë kuajsh, supe udhëtarësh e rrallë nëpër sedile makinash, muhaxhiret me kodin e tyre instiktiv po lajmëronin njëri tjetrin se koha kishte ardhur për ty kthyer dhe paqja provizore me pushtuesin po vendosej. Duke lënë pas mijëra fjalë falenderuese e mirënjohëse në gjuhën  greke e pak në shqipe, ata filluan të ktheheshin në dheun e tyre. Labërinë e kishin quajtur” Dheun e shpëtimit”. Popujt mirënjohjen e ruajnë thellë në ndërgjegjen e tyre, si  xhevair të ҫmuar. Janë të tjerë ata që për interesa të tyre e tjetërsojnë. Kombet edhe kur ndryshojnë e evolojnë, kanë një spirale të ҫuditshmë që të kthen tek  e kaluara. Hallet që prodhojnë kohërat, gjithmonë e gjithmonë kalojnë  mbi supet e tyre.
  Në përcjellje të mysafirëve labërit ndiqnin kodin e lashtë të besës. Deri në kufijt gjeografik të territoreve të tyre të zotët mbanin përgjëgjesi për ata që kishin qënë miq apo kalonin teritorin e tyre. Vendi i tyre –përgjëgjësi e siguri e tyre. Trafiku njerëzor, në atë vit të luftës së dytë botërore nëpër krahinën derëpritëse të Labërisë, kishte arritur pikun. Të gjitha rrugët dalëse e hyrëse të Kuҫit, zhurmonin nga pritje -përcjelljet dhe ҫdo gur depozitonte  fjalët falenderuese të miqve. Arshivë më të mirë nuk mund të gjendej.
  Në vatrën e Lekajve po shtrohej darka e fundit për mikeshat greke. Remziu porositi Krenarin që të bënte mish për darkë dhe gruas së tij i tha të hollonte byrek. Erdhi mbrëmja dhe gjithҫka ishte e shtruar në sofrën e Lekajve. Eleni bëri kryq, gjë që se kishte bërë më parë dhe puthi duart e Ferziletes e të Bukurisë, ndërsa Remziut e Krenarit u fali mirënjohje e falenderim. Sofia i shikoi të gjithë në sy dhe foli e ҫorientuar duke lëshuar rrëke lotësh. Përlotja e saj e preku gjithë familjen Lekaj. Bukuria gjithashtu u përlot duke marrë në krah Sofinë. Ajo darkë ishte darka e përlotjes, fundi i së cilës edhe sot ende ska mbaruar. Remziu u hodhi një shikim të gjithëve dhe kapi përqendrimin e pafajshëm të Krenarit tek fytyra e Sofisë. Djali dukej se do të tretej në fytyrën e Sofisë. -Eh moj Sofi, moj bijë! Sa e mirë aq edhe delikate për derën time. Dashtë zoti të vesh mirë në shtëpinë tënde që të shpëtoj edhe unë djalin nga zalisja për ty. Këto bukuritë delikate të vënë flakën. Unë ja shoh zjarrin në sytë esaj, por nuk dua që të më djegë mua. Nesër ikën e do të më presë qafën lanetja. Po prap diҫka i thoshte se nuk do të ndahej dot nesër.
         E nesërmja u gdhi e trazuar. Dielli i asaj dite ishte i merakosur. Zilet e bagëtive vinin valë- valë dhe me një tingëllim të ҫarmonizuar. Bagëtia kishin filluar të mileshin dhe kullota më me qumësht ishte ajo e qafës së  Dërrasës. Nga toҫajt tek gryka e gjeraqinës, ku era e detit e rit më shpejt lastarin dhe ka më qumësht. Muhaxhirët e shumtë ishin kthyer dhe kalimtarë të rrallë kalonin nga gryka e Fterrës. Remziu e porositi të birin që t’i përcillte mikeshat deri tek qafa e gjeraqinës, tek sinori i fshatit dhe pastaj të kthehej e të bënte gjethe për kecër. Të shoqen e porositi tu jepte peshqesh nga punimet e saj. U përshëndet me mikeshat dhe iku tërë merak të kulloste dhitë. Ferziletja u vuri bukë me vete dhe nga një triko leshi të punuar prej saj dhe duke u përlotur u përqafua me të dyja. Kur u nda nga Sofia padashur duart ju pleksën tek gërsheti i Sofisë dhe nuk mund t’i shplekseshin. Bukuria i percolli deri tek sheshi i Gjolekës, dhe me buzën që i dridhej u nda me to por sytë i ngelën tek Sofia. Greket të shoqëruara nga Krenari morën rrugën e kthimit. Eleni ecte përpara duke i lënë të  dy të rinjtë ta bënin atë copë rruge bashkë. Ajo e kishte kuptuar që ata të dy ëndëronin për njëri- tjetrin, por e dinte gjithashtu që ajo ëndërr nuk bëhej kurrë realitet. Kjo copë rruge le të jetë një ndarje e ëmbël për ta, se pas kësaj ndarje ngelet kujtimi  dhe ai gjithmonë është I qëruar.-Këto mendonte Eleni dhe nxitonte të kthehej në dheun e saj.
  Të dy të rinjtë e morën vërtet shtruar. Për herë të parë ishin aq vetëm e aq afër. Kishin shumë për të thënë, por gjuhët e tyre nuk  mund të komunikonin lirshëm, prandaj gjestet ishin mjeti më i mire, më shprehës e më i saktë për momentin. Sytë shigjetonin njëri tjetrin duke parë thellë në brendësitë e zemrave dhe  përkthenin  në mendje. Përkatësia shpirtërore skishte kufi!. Koha, dheu, besimi, identiteti i mbanin të ngrirë. Duart i bashkuan dhe po ja shtrëngonin  aq fort njëri- tjetrir, sa  dukej sikur nga ҫasti në ҫast do tu ridhte gjak. Krenari  ja thoshte për këngë, Sofisë i hante buza për puthje. Duke e përkëdhelur e duke folur shpirt me shpirt po i afroheshin qafës së Dërrasës. Eleni nuk i dinte kufijtë e fshatit dhe kapërceu qafën e mori drejtimin e Fterës. Krenari me Sofinë nuk e panë  se ҫfare drejtimi mori Eleni ose më mirë nuk shihnin fare rrugë e drejtim dhe këmbët e bashkë me to dhe deshira i ҫuan nga qafa e Gjeraqinës , ku vendi ishte më  idilik  dhe më i fshehtë. Brenda Krenarit kishte filluar një ndryshim që as e kuptonte dhe aq më pak ta përballonte. Vendi që u doli përpara ishte i tëri fshehtësi. Krenari e kishte marrë për dore Sofinë dhe atje tej në grykë në një shkallë bari mbushur plot trëndelinë, Sofia u lëshua pa dashje tek trupi i Krenarit. Qielli i dëshirës u hap. Krenari e tërhoqi pas vetes dhe e puthi. Sofia nuk rezistoi por as nuk bashkëpunoi. Kishte ngrirë. E donte atë puthje por nuk e priste. Njëra mendje i thoshte ta puthte edhe ajo Krenarin, por  të gjitha rrethanat dhe nëna që e priste nuk e lejonin. Ajo ishte në  ҫast oportun. Pikërisht, kjo lëkundje i dha Krenarit, kurajo të vazhdonte. Ajo puthje Krenarit ju duk më e ëmbël se të gjitha hojet e bletëve që kishte prerë, më e lehtë se  flladet në shesh të Papadhimës, më dehëse se juga e ëmbël e jonit. Diҫka qiellore e kishte prekur. Më tej  është parajsa - i tha vetes dhe filloi ta puthte pareshtur. Sofia ishte ngurtësuar si zanat tona. Kishte ngrirë në mendim por  kish filluar të shkrinte në ndjenjë. Një mjegull e avullt po ja  mbulonte trupin. Ky avull po shkonte drejt e në buzët e Krenarit, në duart dhe në gjithë trupin e tij. Doriu kishte filluar trokun dhe nuk mund të ndalonte. Filloi të vinte në levizje duart. Gjithҫka prekte, dukej se e dehte dhe gjithë alkoli i dëshirës kalonte nga buzët e tij e drejt e në tru. Truri mpihej , duart lëviznin. Nga gjoksi i gurtë i Sofise, ato lëvizën më poshtë. Sofia e mpirë nuk reagonte por thoshte- Krenari mi! Krenari mi!-dhe filloi të dridhej. Duart e Krenarit  mbritën poshtë nën fustanin e mëndafshtë të Sofisë duke prekur e shtrënguar mishin e butë. Në një moment kur duar kishin kaluar kufirin e lojës, fustani u ngrit dhe një mish i bardhë si napat e varura të djathit në shelqeruar, u cfaqën para syve të Krenarit. Ishte në portën e parajsës. Dhe pak e do të arihej gjithҫka. Zemereku i epshit ishte kurdisur dhe punonte me tërë shpejtësinë e tij.  Po Sofia?-Sofia kishte humbur në mes të gjithë atyre kryqëzime ndjenjash, mendimesh, përjetimesh e reagimesh. Befas u përmend. U përmend dhe reagoi. Instiktivisht bërtiti. Nga thellësitë e ndërgjegjes, formimit, zakonit, vetmbrojtjes, doli nje si ulërime tingujsh. Grykat e morën dhe nuk mund ta kthenin më mbrapshtë. Ҫasti i dëshpëruaur kishte mbritur. Jo ҫasti që kishin dashur por ai tjetri, fatali! Luginat e përcollën zerin. E morrën brinjat dhe ua përcollën majave. Natyra e dëgjoi. E dëgjoi Eleni e cila po ashtu reagoi pa vetëdije dhe ulëriti nga e panjohura. Instikti njerëzor në rast rreziku. Po malet e Labërise kanë shumë vesh. Dëgjojnë  gjithҫka. Dëgjojnë e prëcjellin. Përcjellin e reagojnë. Ҫobanët dëgjuan dhe si në alarm vrapuan drejt vendit nga erdhi britma. Drejt britmës edhe Eleni. Asnjë nuk e dinte se ҫfarë kishte ngjarë. Krenari u përmend!. I kishte dalur dehja e dëshirës. Ishte për herë të parë dhe ajo dehje të  mba si raki kocimare. Mendja e mpirë filloi të punonte. E pa Sofinë e lebetitur ashtu ҫerek lakuriq dhe filloi vetgjyqësinë. Ҫtë bënte! Kishte kaluar pa e paramenduar, kufijtë e ëndërimit. Donte të rikthehej atje ku  mendja kish qënë në qiell. Momentin dhe vetveten nuk e donte më. Dashurinë e lanetisi. Tashmë donte zakonin dhe burrërinë, por ishte vonë se njerëzia ishin afruar shumë. Zakoni ishte larguar, po shkonte për në kuvend të Kuҫit. Se kapte dot më. Ishte vonë ndaj vuri duart në kokë dhe po shihte rrugën e zezë të  epshit.  Sofia që zgjoi djallin ishte shpërfytyruar.

                                                                .  .  .
  Ndërkaq, ҫobanët nëpër shpatet e faqet e maleve e kishin marrë sinjalin e ngjarjes dhe rendin për atje. Gjatë rrugës kishin aritur edhe Elenin e cila nuk e njihte vendin dhe nuk e përcaktonte dot vendndodhjen e vajzës së saj. Sofia ishte në një gjendje të papërcaktuar. Si statujet e bardha që kanë shekuj që rinë me këmbët   hapur por që nuk shohin asgjë. Vetëm momentin kur janë gatuar. Ajo kishte ngelur ashtu ҫerek lakuriq, sikur me vetëdije donte të ruante provat e ngjarjes. Ҫobanët sa shkuan e përmendën dhe po e pyesnin. Sofia vetëm belbëzonte zë e buzë dridhur-Krenari……….Krenari……!.Edhe Eleni insiktivisht belbëzonte -Krenari……. Krenari…..! Ҫobanët e kuptuan se këtë punë e kishte kryer Krenar  Leka. Morrën gratë greke dhe u nisën për në fshat. Gjatë rrugës ata njoftuan të gjithë ata që takonin dhe në sheshin e Gjolekës ja dorëzuan gratë kryepleqësisë. Tani në Kuҫ mëshira ishte fshehur ndërsa zakoni kishte dalur i veshur ushtarak për të vënë rregull e qetësi. Ligjet e traditës të përzjera me ato të gjendjes së luftes, filluan të dërgonin mesazh në ҫdo konak e stan të Labërisë. U njoftuan të gjithë anëtarët e pleqësisë dhe brenda dy orësh të shtatë  anëtarët e pleqësisë si shtatë anëtarë të ndonjë gjykate supreme të veshur me shajak të zi ishin gati të fillonin betejën për mbrojtjen e traditës e zakonit, të cënuar rëndë në qafë të Gjeraqinës. U thir edhe Remzi Leka dhe dy fshatarë që kishin qënë emigrant në Greqi dhe e dinin mirë gjuhën greke, për të përkthyer sa më drejt.Asnjë sduhej të rëndohej.asnjë sduhej të lehtësohej,e drejta dhe zakoni të viheshin në vend. Shtëpia ku po gjykohej ngjarja ndodhej afër sheshit dhe masat e marra ishin perfekte. Ngjyra gri e erët i kishte mbuluar muret e hirtë e ҫatinë e gurtë. Epizmi despotik ishte ashpërsuar dhe për një moment  dukej se edhe malet po i nënështroheshin këtij gjykimi hijerëndë. Të shtatë burrat që gjykonin kishin tendosur gjithҫka në fytyrë, lëvizje e shprehje. Ҫdo fjalë që dilte nga goja e skalitur dhe në vendin e saj. Shtatë kokë  lëviznin rrallë e ngadalë. Pyesnin, dëgjonin, pohonin, kërkonin, kundërshtonin, dhe aprovonin. Greket e hutuara përveҫse lotonin nuk po kuptonin asgjë. vetëm kur u pyetën thanë në mënyë skematike, ҫfarë kishte ngjarë. Kur Sofia u pyet  se a ishte përdhunuar dhe nga kush, ajo u përgjigj në një mënyrë të habitshme-Unë  e dua Krenarin. Krenari është djalë i mirë! -Kjo pergjigje nuk i bindi anëtarët e pleqësisë, të cilët filluan ta pyesnin me imtësi,  aq sa Sofia edhe e hutuar por edhe e frikesuar nga ajo atmospfere  tejet pushtetrëndë, filloi dhe e tregoi ngjarjen të plotë dhe me detaj. Kur mbaroi, ajo ja shkrepi të qarit por anëtarët e pleqësisë e trajtuan me butësi. U pyet edhe e ëma e cila tregoi gjithҫka ashtu siҫ kishte ndodhur. Pleqësia e falenderoi dhe kerkoi nga Remzi Leka apo ndonjë i afërm i tyre se mos kishin ndonjë pyetje për të dy gratë greke. Nga Lekajt askush nuk pyeti. Një  i ftuar nga fshati fqinj i bëri një pyetje Sofisë.
    -Kjo ngjarje ku ndodhi nën udhë apo mbi udhë?-  Përkthyesit sqaruan Sofinë dhe ajo u pergjig
-Në mes të rruges, atje tek trëndelinat e lëndinës! -Pas kësaj pyetjeje,  kryeplaku I fshatit, një burrë i drejt por i rreptë dha urdhër që të dy gratë të shoqëroheshin deri në fshatin Borsh dhe atje të përcilleshin nga njerëz të sigurtë për në Sarandë. Gjatë rrugës të viheshin në dijeni pleqësitë e fshatrave që kalonin. Ky urdhër u aprovua nga të gjithë dhe filloi zbatimi i tij.
  Remzi Leka ishte varrosur brenda kufomës së tij. Nga ҫfarë i digjte nuk shpëtoi. E morri më qafë Sofia. Jo Sofia por bukuria e saj. Xhindja helene erdhi si nepërkë shulleri, kaptoi kufirin dhe  helmoi shtëpinë time, Pastaj e kundërshtoi veten……..E ҫfaj pati e shkreta! Erdhi për të shpëtuar nga lufta dhe pa dashjen e saj na hapi luftë neve. Luftë me turpin pa armiq e dyfek. Ma ka fajin djali mua. E kuptova që do të marrosej për atë xhinde. E prisha zakoni! E theva besën! Miku i shtëpisë është perëndi dhe nuk  trazohet. Po  kjo ishte shumë e bukur melunja. Si  shën MËRIA! Na futi në mëkat!
  -  Me këto mendime i lidhur, Remzi Lekes  si bënin këmbët të dilte nga ajo dhomë që i dukej si kubeja e xhenetit.

                                                      .  .  .
 Shtatë shilte të vendosura në minderin e asaj shtëpie, ngjanin me të shtatë sofat në gjyqin qiellor, ku uleshin gjykatësit e Zeusit dhe gjykonin konfliktet midis detit dhe tokës, tokës dhe qiellit, qiellit dhe detit dhe të tre së bashku me njeriun. Në odën e madhe kishte dendësi të heshtur dhe një lëvizje që i ngjante asaj të hënës në qiellin e cingërimtë të janarit. Edhe përjashta odës kishte njerez që prisnin me ankth përfundimin e këtij gjykimi. Pasi ishin larguar gratë greke, kryeplaku hapi pleqësimin e kësaj ҫështjeje apo siҫ e quajti ai, besëprerjen e Gjeraqinës. Në ato fjalë të ngadalta që ngjanin me rrokullisjen e kokrrave të tespijeve në duart e një plaku të madh e jetëgjatë sa një rrap njëshekullor u tha qartë e prerë se ngjarja ishte njolla e zezë mbi faqen qelibar të këtij fshati. -Dielli i nderit tënë u erësua atje në qafën. e Gjeraqinës. Supet i kemi të kërrusur e ballin dot nuk mund ta ngrëmë ashtu siҫ e keshëm më parë. Unë kërkoj nga të gjithë ju  të nderuar anëtarë të pleqësisë, të thoni fjalën tuaj me drejtësi e rreptësi. Hak të mirrni e në hak të mos bini! Si thikë fjalën e përvëtiu thikën! Gurin në zemër e zemrën në dorë! Të zbardhet zullumi po  të mos thartohet brumi! -kaq tha kryeplaku, duke ua lënë fjalën anëtarëve të pleqësisë.
    I pari e morri fjalën anëtari I pleqësisë që erdhi nga Kunjovat, më i moshuari i tyre por që dallohej për drejtësi  e ashpërsi të qartë. Gjykimi i tij nuk e njihte mëshirën por dallonte qartazi dredhën.
  -Të mirseardhur e të munduar  miq! Ju  falenderojmë me gjokulin e zemrës, për mundimin që kini bërë  dhe na i bëni hallall qederin që u vumë. Ju të nderuar pleq të fshatit! Nuk kesha menduar kurrë se do të arrija ditën kur faqja e Kuҫit do të  bëhej si ngjyra e lëngut të frashërit. Diell më të ftohtë e më të prerë se sot nuk kam parë kurrë në këtë faqen time. Na kane vrarë por sna kanë turpëruar! Na kanë syrgjynosur por sna kanë nakatosur! Na kanë djegur por sna kanë qelbur! Dhe ballin e kemi patur përpjetë si maja e Ҫikës e Ҫipinit, se miku ka qenë kurora e nderit tënë. Në qafë të Gjeraqinës kemi gremisur herzin e fshatit. Ta ngremë duhet  kurban nga shelegët tanë, nga ata që bënë dëmin. Shelegu është në Lekaj. Atje ku u ndez zjarri duhet të piqet edhe mishi. Remzi Leka duhet t’i japë xhevap kësaj pune. Le ta ngrërë malin me supet e tij që të derdhet zullumi! -kaq tha plaku i Kunjovës dhe u ul sikur të mos kishte fare këmbë.
    I dyti e morri fjalën plaku i buronjës i cili e kishte llafin si peshqit e lumit, të shdritshëm por të rrëshqitëshëm. -Na ndodhi o njerëz. na ndodhi! Po djalë është edhe Krenar Leka! Djalë në moshë të tij! Pastaj edhe ҫoҫ  e ka turbulluar ajo lanete e bukur, që fekste si ylli në majë të Gjinikës. Po dorë sduhej të vinte! Lira e kuqe në kuletë të amanetit është më e fortë se vet porta e xhenetit. Po lira e kuqe doli nga hajmalia dhe u tundua djali. Për këtë punë sduhet para e dyfeqe, por Lekajt le ta marrin vet më qafë gurin e ta hedhin pak më tutje se qafa e Gjeraqinës. Emrin e saj ta marrin për llagap e djali le të marrë udhët e të thote nga të vejë, se   sështe i kuҫjot. Sofia le të jetë nderi e turpi i tyre! -ky propozim i hedhur prej tij për te mbyllur këtë ҫështje, nuk u pranua nga të gjithë  dhe u vazhdua me të tjerët.
     I treti e morri fjalën një burrë i mesëm i cili banonte në Bobovishte mbi katund dhe  bëri një pyetje të cilës ju përgjigj po vet.-Të nderuar pleq! Pse po i vini vërdallë kësaj meseleje e po e bëni tërkuz?! Unë ju pyes juve se ҫfarë bënë gjitonët tanë kurrë ajo nusja që kishte bujtur atje u zvarris nga djali i shtëpisë natën në gjumë në shtëpi të Gjimashajv?! Ju e dini apo jo? -Baba i djalit nxorri nga gjiri plumbin e futi në gojë dhe ja dha pleqesisë per djalin e tij. Ajo është burrëri. pastërti e drejtësi. Mos na vononi por bëni konak kësaj pune- u ul dhe fshiu me shami djersët mbi ballë.
      U ngrit i katërti një djalë i ri rreth të tridhjetave i cili kishte rreth një vit  i kthyer nga Italia, ku vazhdonte shkollën ushtarake.  Ato ndodhi të asaj lufte e kishin trazuar keqas, ndaj ishte kthyer në vatrën etij.  Ai foli mjaft shtruar e qartë, butë e ëmbël.
 -Ngjarja e djeshme, vërtet na ka tronditur e na ka hutuar por le ta gjykojmë pak më shtruar. Le të mos digjet malli se u dogj bari.! As të pritet trëndafili se ju këput një gonxh! Krenar Leka vërtet ka hedhur një hap të gabuar por as më thoni ju që jini më të moshuar, po të ktheheshit mbrapa dhe te kujtoni tallazet që ka ngritur shpirti juaj kur valët e gjakut goditnin muret e ndjenjave tuaja  ҫfarë do të bënit? Këtu para jush ishte ajo vajza e pafajshme me atë emrin aq të bukur Sofi. Pa më thoni me zemër në dorë, kujt nga ju qoftë më i moshuari nuk ju drodh zemra nga llahtaria e bukurisë së saj? Edhe zoti kur e shikon atë mëkaton me veten. Por edhe karakteri ynë i fortë lab dhe besa për mikun kurrë nuk duhet të thyen! Po le tu japim edhe një mundësi! Le ta pyesim greken  Sofi se mos ndoshta do te rijë e të rojë këtu në Labëri! -të gjithë morrën frymë të lehtesuar. Sytë u drejtuan tek kryeplaku. Ai e kuptoi për ҫfarë po e shikonin, u kërkoi falje dhe doli e u drejtua tek njëra nga shtëpitë e atyre që u ngarkuan të përcillnin greken. Foli e pyeti por më kot! Sofia kishte ikur nxitimthi. Sa kishte mbritur në Borsh një makinë rasti e kish marrë për në Sarandë. Sofia smund të kthehej më! Vetëm emri i saj do të ngelej përjetësisht  në Kuҫ.
 Në atë odë kanunore,  ku si tek mbërthimi i Krishtit pritej me ankth lajmi i kryeplakut, ҫfaqja e tij qe nga distanca, dukej sikur sillte siluetën e kobit. Sikur malin tja ngarkonin mbi supe do ta ngrinte, por të  kthehej ashtu nuk e mendonte!-Ato kanë ikur dhe tani mund të jenë pranë dheut të tyre-foli si mërmërimë, kryeplaku. Djalit që kishte bërë propozimin i shpëtuan  dy pika lot, të cilët zbritën poshtë tek mjekra dhe u rëzuan poshtë në dysheme, si fati i Krenar Lekës në atë gjykim kanunor që bënte Labëria.
 Vazhdimi i mëtejshëm i pleqërimit tani më kuptohej. Folën edhe dy anëtarët e tjerë dhe të gjithë janë lanë problemin më derë Remzi Lekës. Natën vonë, shume vonë, të gjithë anëtarët e pleqësisë  mbi një gur të vendosur në qendër të odës, vendosën duart e tyre të lidhura bashkë dhe thanë se pëllumbi nuk do të fluturojë më ,Do të paguaj haraҫ ngacmimin e thëllëzës! Qafa e Gjeraqinës po mbushet me krakëritjen e korbave. Vetëm Remzi Leka  e kishte vënë atë gur në zemrën e tij. E thirën dhe e dha. E dha për hir të nderit dhe të besës! Për të patur ballin të ngritur, pa le ta kishte një krah të këputur e një sy të erësuar. Jeta me dritë për Remzi Lekën kishte përfunduar! Tuneli i errët sapo kishte filluar. Këmbët e ҫuan drejt shtrojes së tij.

                                                          .  .  .
 Dita gri u gdhi e përtuar.Tufa zogjsh venin e vinin  nga njëri breg tek tjetri dhe cicërimat e tyre të shqetësuara përhapeshin nëpër  shkurre e ferra , deri tek arat e vogla në mes të koҫimareve, të cilat kishin ardhur dhe prisnin të mbilleshin. Në ara të Lekajve një ҫift që po lëronin dhe bujku I tyre u fliste  butë, tamam si  papë ëe meshën e përshpirtshme. Bujku mbillte arën e fundit se farën e jetës nuk e mbolli dot!.Pleqësia e fshatit  kishte  vendosur, që për aktin që kishte kryer,të prishej!.Kjo fjalë e habitshme dukej sikur nuk e thoshte thelbin e asaj që do të bëhej, por kishte një shqiptim të hekurt që  parathoshte gjëmë!-TË PRISHET!-vendim i paapelueshëm për ҫdo gjykatë e institucion, qoftë shtereror, fetar, shoqëror apo edhe vet qiellor. Ndëshkim nga shoqëria që funksiononte me kodet dhe zakonet e mbijetesës. Në emër të besës dënohej pabesia, qoftë kjo edhe kur mer formën e dashurisë së zjarrtë. Në besë, ndjenja ngrin ose mer formën e shkëmbit të bardhë i padepërtueshëm nga rrymat e jetës.
  Të shtatë anëtarët pasi kishin marrë plumbin nga Remzi Leka e kishin përzier atë me plumbat e tyre. Plumbat e besës s’kishte armë që t’i shkrepte! Ata zbritën atje ku Krenar Leka lëronte arën. Te gjithëve u dridhej zemra kur e panë atë djalë në lulen e moshës, që po e priste ndërprerjen e jetës me një qetësi  olimpike, bile me një shikim ëndërimtar- a thua se pjesa tjetër e jetës do ta ҫonte nëpërmjet krismave atje ku nuk i ikte mendja, tek Sofi?!-. I thanë se ҫfarë ishte vendosur dhe i kërkuan fjalën e fundit-. Ai heshti disa sekonta. uli kokën, u mbush me frymë, u kthye nga qafa e Gjeraqinës dhe u tha-Më shpini tek Sofia!-dhe ngriu ashtu me atë profil ëndërues për te qafa. Dhe ata nuk e lëvizën .Tërhoqën shulët e pushkëve dhe shtin. Jehona e krismave morri grykën për të mbritur drejt qafës  së Gjeraqinës Por jehona ecte ngadalë, shumë ngadalë. Shpirti i Krenar Lekës e kishte aritur Sofinë.
                                                                .  .  .
 Xha Hasani e kishte mbaruar së treguari historinë e Sofisë e bashkë me të edhe duhanin në ҫibukun e shqoptë.-E more djem, u a tregova këtë ngjarje  se më  kap malli sa herë e kujtoj, por këto ngjarje të mëdha e të ҫuditshme duan kalemxhinj t’i hedhin në kartë! Do ngrihem, se nesër jam për rrugë dhe kjo rruga jonë ka ngelur ashtu siҫ ka qënë kur erdhi Sofia e Gjeraqinës.