Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 15 January 2012

BARDHYL MALIQI, poezi





GJYSHJA...

Gjyshja kundronte qiellin e hapur
si tepsi,
plot thërrmija yjesh
si fluturza të bardha,
të mbetura nga kulaçi i grunjtë
i diellit;
ndërsa tej llamburiste nëpër natë Korfuzi,
dhe ne ngjyenim bukën në hijen e kandilit.
Dhe hëna krehte flokët e verdhë mbi malin e Nartës,
në pasqyrën vezulluese të Jonit
dhe dëshirat e ndaluara mbyteshin me ngashërim
në ujin qelibar të sterrës,
duke shpresuar për nesër,
nesër!...


KUFIJTË

Kanë kaluar katër muaj
nga takimi im me Frosinën
në një natë me hënë
në korijet e spitalit “Haxhikosta”;
dridhem nga zëri kërkues
i mjekes sime, Kristinës,
dridhem si fleta e plepit
te liqeni i Janinës.

E di,
vjen një moshë,
kur burrat hutohen, tremben,
si fëmija që ka humbur çelsin e shtëpisë-sigurinë e tij,
varur në qafë
në vend të hajmalisë.

Unë përditë luftoj
të shtyj kufijtë e të qenit fëmijë,
për t’u ndarë me ju mendjekthjellët.

TRISHTILI
                            miqësisht
E njihni Trishtilin,
zogun e vogël të gjithkohshëm të pyllit,
që këndon bukur,
që përçartet pranverës me ngjyrën e gjelbër të krahëve,
me gushën e bardhë,
me sqepin e vogël të verdhë,
me lëvizje të gjalla,
vajzërisht të hijshme.
Por ty po më habit bre, Mustafë!
pse ngjyresh me poza patriotizmi,
pse lëviz me postura histerike,
me zë të çjerrë,
me sy të zgurdulluar?
mos vallë don të fshehësh
dobësinë tënde,
atë zogun e vogël të pyllit,
pas flatrave dhe sqepit të një shqiponje,
pas kokës së madhe dhe
syve të zgurdulluar të bufit?!
Mustafë,
o i biri i dikushit!
*                       *                       *
Poezia më e bukur e Kiplingut është në mundsh,
e Kadaresë llora
e Bilal Xhaferit baladë çame
ndërsa poezia jote më e bukur është grami,
ajo bima që të gjithë e luftojnë,
e shkulin, e mihin, e flakin,
se u zë tokën e bukës,
të grurit dhe thekrës.
por grami yt, bre Muçë, ja beh
me një ushtri të tërë filizash të gjelbër,
sikur mbin nga hiçi…
ndaj kur shoh që shtiresh,
ndaj kur shoh që çirresh,
për poetin-njeri,
trishtohem,
më dhemb shpirti!

TETI

Sikur të mos gjerbja maturimin e humbjeve
dhe mungesat të m’i kompensonte deti,
me gjallesa nënujore;
me ty do ta ndaja heshtjen,
Teti!

Dhe Akilë të rinj do të lindnin,
perëndesha ime thesprote.

Me dashuri,
Yti,
Pele,
Mbret i Mirmidonëve.


EKUINOKS

Në çdo datë 22,
ka një ngjarje të pashkruar,
një algoritëm të pathënë.

Më 22 mars ekuinoksi pranveror,
më 22 mars poetët i zenë dritën Njeri-Tjetrit,
22 vjeç isha në atëherë,
Nora,
Ti te Kulla Ejfel,
Unë te Portat e Shën Pjetrit!

NJË PROSTITUTE

Të falem ty,
Prostituta ime,
Sa të hirshme do ishin perënditë,
Nëse do kishin kandellën tënde!
Do ta ndërroj besën eunuke
Dhe Krishtin anemik,
Për të përqafuar
Fenë tënde.

Shërbëtori yt besnik!

PENDIMI

Dielli është penduar që lindi,
kur pa thertoren tënde,
Paramithi,
më 1945,
dhimbje!
gjak,
lotë dhe hi...

KRYQËZATA

Unë jam kryqëtar i së arthmes,
por pa kryq e pa shpatë,
për shpirtin tënd,
Amarda,
do të bëj
kryqëzatë!


PËR BESË!

Pak të zeshkëta dhe me shumë shije,
janë këto besimtaret e Jahovait
në qytetin tim jugor.

Sikur të isha ca vjet më i ri,
për besë,
s’do më njihnit
për shenjtor!








VETËM TI

Shenjtore e hershme,
Lezbike e vonuar,
Delikate si qelq,
Më bie nga duart…

’97-TA

Krismat bënë ngjarjet,
Ngjarjet lindën krisma,
Krim,
Kurthe,
Klithma!

…Kjo qe e gjitha!


“N”

Neuroni,
nervi,
Nevria.

Unë
mes dy veprave të Sartrit:
“Murtaja”
dhe “Neveria”…


KUMRIE

Pëllumbeshë e Jugut,
pelistere Kreshmoi,
kumri e Elbasanit,
sa herët më zgjoi!

PAGËZIMI I FJALËS

Ata erdhën
me zjarr e me hekur
për të pagëzuar heshtjen,
Pal Ëngjëlli pagëzoi fjalën:
“Në Emër të atit, të birit
dhe të shpirtit të shenjtë,
të pagëzoj...
Amen!”

Shkuan shekuj dhe
heshtja u shit në karton;
fjala
si fara e grurit,
gjithnjë bleron!            


PRANVERA

Ky mulli i blojes
dhe kjo “Dredhëz Ere”,
gjeratore e kaltër,
ti gush dallëndyshe,
bar që qesh në ledhe...

ABETARJA E KOHËVE TË VONA

E mirë dhe e keqe,
e bukur dhe e shëmtuar,
e suksesshme dhe e dështuar,
kjo kohë postmoderniteti,
e Abetares sonë të vonuar.

Globale dhe lokale,
e realizuar në gjithë potencialin e vet,
dhe njëkohësisht
foshnjë perverse
e ngecur në djep.

Njeri dhe kafshë,
e dashur dhe vrasëse,
heroike dhe antiheroike,
altruiste dhe egoiste,
kjo koha jonë shqiptare.

E shtypur dhe shtypëse,
e shfrytëzuar dhe shfrytëzuese,
e dhunuar dhe përdhunuese,
gjeratore
gjithërrotulluese!

Dele dhe qen,
qen dhe njeri,
viktimë dhe xhelat,
endem i pafat.

Ndërtuese dhe shkatërruese,
shkurt vetvetja siç është,
maksimë e përhershme,
moral i pamort:
“homos hominus lupus est”
edhe nesër,
si dje,
si sot!


EPITAF PËR BUKURINË

Bukuri e përpirë në endrra,
bukuri e shpalosur në zgjime,
mes luleve të bajames strukesh,
dhe shndrin në vezullime.

Robi yt kam lindur,
gladiatori yt kam mbetur,
laureshë e pafjetur…



SYTË E TU

Sytë e tu – kopsa të kaltra,
në fytyrën time janë qepur.

Hiqi moj, të paça,
në s’më do të vdekur!


KOHA

Hënë e ngrënë,
vajzë e pafat,
rigat e shiut,
etja e tokës
i zgjat.


THYERJE

Bukë e thyer,
njerëz të thyer,
qiell i thyer,
dhe dyer, dyer, dyer.
Shqyer,
shqyer,
shqyer...


ETJA

Etje kam në zemër,
etje kam në sy,
etje kam në duar.

Eja ti ta shuash,
Shelgji im kulluar.*

Nora - floçkë burimesh,
shpirti im i zgjuar!
BOTA

Bota si tavëll duhani,
diku në pijetore...

prej mbetjesh tymon.

Fundi si fillimi:
lejlek që shtegton...


MË MIRË...

Më mirë dashuri buzë gremine,
më mirë psherëtimë galaktike,
se sa inekzistent
dhe peng
i vetvetes
në vite.


ÇURK I GJAKUT TË BUKUR

Në këtë botë,
vetëm një çurk gjaku
është i bukur.

Ajo e çvirgjërimit tënd,
laureshë e prillit,
kaçureleve
futur.

ANKESA E PORTËS DYKANATËSHE TË BASHKISË

Ankohet porta dykanatëshe e bashkisë,
pse i qajnë rrezet e reja;
por s’kërkon vaj për to,
kërkon kandilë për varreza...
pyes kush ka vdekur,
askush nuk e di,
mbase politikat e strehimit,
punësimi, çështjet sociale, s’e di!

Ankohet porta dykanatëshe e Bashkisë, se gjithë qyteti
hyn e del këtu, shoqatat, partitë,
kryetarët kuq e blu...
gejshat e politikës dhe bredharakët
hu më hu!

TË ARDHURIT

Ju zbritët nga malet
si përrenjtë në lumë,
ju bujtët nga kodrat
si lumenjtë në det,
me kuç e me maç,
me nuse të reja
dhe me foshnja në djep.

Por i druheni qytetit,
hoteleve dhe bareve
dhe sidomos...
pronarëve!

Se qytetet tona, mor zotërinj,
pjellin vetëm Luke.
Luke dhe “zoti të dhashtë!”
me shalët e holla lakuriq
dhe me kërthizat si bobla
jashtë..

Se shalët lakuriqe dhe
kërthizat jashtë’ janë
limanet e vërtetë,
që ka ky qytet.

Këtu ankorohen bluxhinse
dhe kravata
dhe shkarkohet spermë pa doganë,
me para kesh në dorë,
me sekserë, me tutorë,
me shefa, me drejtorë...

BIE SHI NË VARREZA

Bie shi në varreza
dhe lagen krizantemat
deri në rrënjët e dhimbjes.

Bie shi në varreza
dhe heshtja plugon varret.

Vetëm trishtili
çurçuron në gëmushat e verdha
dhe fërshëllen
vetëm era.


STATUJAT

Natën,
njerëzit ëndërrojnë
vendin e statujave.
Natën,
statujat zbresin nga piedestalet.

Po s’më besoni,
pyesni fshesaret!


MANEKINËT

Manekinët janë të lumtur,
kaq shumë reklama,
kaq shumë butikë
vetëm për ta,
vetëm për ta.
Dhe vetëm vajza
dhe gra të reja
manekinët i veshin,
i zhveshin,
i reklamojnë dhe
kur vjetërohen ca,
pronarët,
pa problem,
shitëset i ndërrojnë.
Se manekinët,
vetëm të rejat
dhe vetëm të bukurat
preferojnë;
ndërsa ne
po plakemi vetëm me një grua,
që turfullon
e troshitet,
si kamjon i konsumuar.
Ndër kohë,
s’pyet njeri për Sokratin,
për Tolstoin apo për mua;
që xhaketa e kostumit
na është kuajtur në bërryle,
dhe pantallonat, si shumë
na janë holluar...
Ah, të isha manekin,
sa do të kujdesej
ky qytet
për mua!


REKLAMAT

Reklama majtas,
reklama djathtas,
na u bë jeta
reklama
dhe pasqyra.

E megjithatë,
më tepër
po na nxihet
fytyra...
RRËFIMTARËT E VDEKJES

Si këto fare
që tregojnë anijet e mbytura,
rrugën e mortjes
nga nuk duhet të shkojnë të gjallët;
mbi dhe janë ngulur
si rrëfimtarët e vdekjes,
...Statuja gjeneralësh!

MUZIKA MONOTONE...

Natën
fillojnë muzikën e tyre monotone,
bulkthat
dhe krimbat e drurit.

Ata s’pyesin
për veshët që i dëgjojnë.

Mjafton të dëgjohet
muzika monotone e bulkthave
dhe krimbave të drurit...

1 comment:

  1. ...Pershendetje Bardhyl!...Po marr pjese nga larg dhe ju uroj shume vjet gezuar! Suksese!

    Eli Rizo
    NY

    ReplyDelete