Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday 4 May 2017

Shqyrtimi i gjakmarrjes në gjykimin e vilajetit të Himarës gjatë okupacionit Italian.

Shqyrtimi  i gjakmarrjes në gjykimin e vilajetit të Himarës gjatë okupacionit Italian.
Nga Timo Mërkuri
Në Prill 1941, të Prëmten e Madhe, në një stan në malin e Levanit, nga borshiotët Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boci  bashkë me dy vëllezër nga Sasaj, u masakrua Foto Prifti nga Piluri i Himarës me gjithë familjen e tij, që përbëhej nga e shoqja- Agustella, djemtë Spiro dhe Zaharia dhe vajzat Eleni, Katerina, Lefteria dhe Llambrinia. Ju grabitën 600 krerë bagëti të imta të cilat u shitën në krahinën e Mallakastrës.
Familjen e Foto Priftit gjatë shtegëtimit të saj nga Piluri për në Sarandë e zuri nata në malin e Levanit, pranë Sasajve. Duke qënë se në atë fshat Foto Prifti kishte  disa miq, mendoi se do ishte i mbrojtur nga e drejta zakonore e mikut (miku I nje familjeje të fshatit, në teritorin e fshatit ishte i mbrojtur nga gjithë fshati).
Me këtë mendim, mblodhi dhëntë dhe filloi ti milte edhe me qëllim që ti shkonte miqve për vizitë dhe tu kërkonte mbrotjen e zakonit. Por sipas zakonit pilurjot, nuk mund të shkonte te miku me duar bosh, ndaj mendoi t’u çonte qumësht të posamjelë dhe djathë.
Ndërsa ky pregatitej për vizitën e menduar, në stan i shkuan  Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boçi nga Borshi bashkë me dy burra nga Sasaj. Ju paraqitën si miq që i zuri rruga pranë stanit të tij. Foto Prifti, sipas zakonit, i mirëpriti. Theri një mish, e poqi dhe ua shtroi për darkë.  Mirëpo, thuhet se, qeni i stanit e ndjeu ligësinë e “miqve”, lëvizte e donte të këpuste zinxhirët. Por Fotua i bërtiti qënit që të rinte urtë e të mos i shqetësonte miqtë tek po hanin mish e pinin rakinë e mikpritjes.
Pasi hëngrën dhe pinë, “miqtë” nxorën thikat dhe pabesisht, papritmas, u sulën e masakruan të parin Foto Priftin. Pastaj vranë gruan dhe fëmijët ndërsa vajzës Eleni i rezervuan fatin më të zi, e përdhunuan mizorisht të tërë me radhë dhe në fund e vranë... Zaharia, duke përfituar nga rrëmuja, si fëmijë I imët që qe,  iku  dhe u fsheh, por pas tre ditësh e kapën në rrugë, e prunë  dhe e vranë pikërisht te vendi  ku kishin vrarë dhe pjestarët e tjerë të familjes. Vrasësit kishin vrarë edhe qenin e stanit* dhe e kishin hedhur  mbi kufomat e pjestarëve të familjes.
U grabitën 600 krerë bagëti të imta, veç mushkat dhe inventari i stanit dhe u shitën në zonën e Mallakastrës, jo vetëm për përfitim por edhe për të fshehur gjurmët e autorësisë.
Kur u zbulua vrasja, u përfol si shkak i saj një lloj hakmarjeje  për një  vendim që kishte marrë Gjykata Ushtarake Greke, e cila paskësh dënuar me vdekje dhe ekzekutuar dy banorë nga Borshi të quajtur  Zeko Xhelilin dhe Xhevit Kambo, duke i akuzuar për veprimtari spiunazhi në favor të Italisë. Por duke qënë se asnjë lloj lidhjeje nuk egzistonte  midis pilurjotit Foto Prifti dhe familjes së tij me gjykatën dhe ushtrinë greke, atëherë u përdor version fetar, pilurjotët dhe grekët kishin të njëtën besim, ortodoksinë.
Por ndërkohë vëllëzërit e Foto Priftit, Savo dhe Polimer Prifti kërkonin me insistim autorët e kësaj masakre. Zbulojnë emrat e autorëve nga Borshi ndaj shkojnë dhe I kërkojnë në vend, por ata ishin larguar nga fshati. Theksojmë se pleqësia e fshatit Borsh i denoncoi autorët dhe nuk i fshehu, ndoshta edhe nga fakti se ata ishin larguar nga fshati apo edhe nga frika e autoritetit dhe emrit të Savo Priftit. Pleqësia e fshatit Sasaj nuk i denoncoi autorët nga fshati i tyre dhe as i dorzoi.
Atëherë Savo Prifti dhe Polimer Prifti menduan të marin hakun sipas zakonit, duke qëlluar jo dorësin (vrasësin) por mbrojtësit e tyre dhe pikërisht kryepleqësinë e fshatit Sasaj. Kështu që u çuan lajm sasajotëve të dërgonin përfaqsuesit e tyre në një takim me pilurjotët për të biseduar kushtet e pajtimit të gjakut.
Takimi u la të bëhej te një vend, pranë urrës që bashkon fshatrat Sasaj dhe Piqeras, në datën 4 mars 1943, ditën e ënjte, në orën 5 mbasdite.
Pilurjotët Savo e Polimer Prifti, niprit e tyre Leonidha dhe Jani  dhe kushërinjtë  e tij Sokrat Prifti e Sokrat Mërkuri rrethojnë vendin në një distancë të largët dhe dergojnë vetëm një njeri, përfaqsues të tyre në takim.
Nga Sasaj erdhën 8 përfaqsues.
Në bisedime pilurjoti kërkon dorësit (vrasësit) dhe duke qënë se pala tjetër refuzon dorzimin, me preteksin e urgjencës së kryerjes së nevojave personale largohet nga vendi i takimit dhe u jep shenjën bashkëfshatarëve të tij, të cilët hapin zjarr me armët që kishin me vehte...
Takimi u shndrua në një masakër. Nga sasojët u vranë Osman Husi, Barjam Haxhi, Aqif Rizvani, Resul Duka, Selim Qejvani, Dervish Ahmeti e dy të tjerë.
Çështja  kishte rrezik të dilte jashtë kontrollit dhe të mirte përmasa të mëdha. U pleksën të drejtat zakonore të hakmarjes me ato të  përplasjes së besimeve fetare.
Më 28 Mars 1943, në fshatin Kudhës, në shtëpinë e Petro Kambuçit, mbi kërkesën e fshatrave myslimane, të trevës së Bregdetit e Kurveleshit, u bë mbledhja e Gjyqit të Vilajetit të Himarës*, e cilau zhvillua gjatë  katër ditëve. Sqarojmë se Gjyqi i Vilajetit kishte një forcë të tillë që gjykatat shtetërore nuk mund të abrogonin vendimet e saj në asnjë rast.
Procedura që është ndjekur dhe debatet  në këtë Gjyq sipas procesverbalit të mbajtur në vend.
Në muajin prill 1941, ditën e të Premtes së Madhe, pas tërheqjes së ushtrisë greke, në një stan midis Tatzatit dhe Piqerasit, nga borshiotët Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boçi u çfaros familja e Foto Priftit nga Piluri I Himarës. Familja e Fotos që u masakrua dhe u vranë përbëhej nga 8 frymësh dhe pikërsiht: 1- Gruaja e tij Agustella, 2-djali Spiro, 3-djali Zaharia, 4- vajzat Eleni, Katerina,Lefteria dhe Llambrinia. Vajza Eleni më parë u përdhunua pastaj u vra.Djali Zaharia u iku nga duart dhe u msheh*, por pas tre ditësh u diktua dhe u vra atje ku kishin vrarë dhe pjestarët e tjerë të familjes. Shkaqet e kësaj masakre ishin për hakmarje për vendimin që kishte marë Gjykata Ushtarake Greke e cila i dënoi me vdekje dhe i ekzekutoi Zeko Xhelilin e Xhevit Kambon si spiunë të Italisë.
Në datën 4 mars të vitit 1943, ditën e ënjte në orën 5 të mbasdites, në urën që bashkon katundin Sasaj dhe Piqeras, në një arrë afër xhadesë, vëllezërit e të vrarit Foto Prifti të quajtur Savo dhe Polimer, nipërit e tij Leonidha dhe Jani si dhe kushërinjtë Sokrat Prifti e Sokrat Mërkuri, për të marë hakun, vranë sasanjotët Osman Husi, Barjam Haxhi, Aqif Rizvani, Resul Duka, Selim Qejvani, Dervish Ahmeti e dy të tjerë, të cilët u tërhoqën aty me preteksin për të biseduar çështjen e vrasjes së Fotos dhe familjes së  tij.
Në 28 Mars të vitit 1943 në fshatin Kudhës, në shtëpinë e Petro Kabucit, mbi kërkesën e fshatrave myslimane të trevës së Bregdetit e Kurveleshit, u bë mbledhja e gjiqit* të vilajetit, e cila mbajti katër ditë dhe morën pjesë në të përfaqsuesit e këtyre fshatrave:
Nga Nivicë Bubari: Miltiadh Papadhima, Stefan Thomagjini e Filip Dhimërtika
Nga Shën-Vasili: Spiro Gjoni e Spiro Nako (Dajko).
Nga Dhërmiu: Kosta Goreci, Nikolla Jani.
Nga Piqerasi: Gogo Llaçi e Vangjel Janji
Nga Palasa: Leka Andoni dhe Vangjel Jani.
Nga Vunoi: Pilo Ziso, Taso Pilo, doktor Pavllo dhe Naqe Kapo.
Nga Himara: Jorgo Bollano,Niko Kaçelano, Petro Konomi e Thanas Zoto.
Nga Piluri: Dhimo Gërdhuqi e Dhimitër Lapa.
Nga Kudhësi: Thanas Kushta, Kostandin Prifti etj.
Nga Qeparoi: Grigor Polo, Kozma Mati dhe Naqe Foto
Nga Lukova: Vasil Prifti.
Nga Vromeroi: Kiço Kola
Nga Çuka: Vangjel Labo
Nga Kalasa: Zenel Bajrami
Nga Tatzati: Ahmet Tahiri e Shaban Huti.
Nga Ftera: Mustafa Kofina.
Nga Çorraj: Kristo Dhrami dhe Vesel Aliko (fshat i përzier mysliman dhe ortodoks)
Nga Borshi: Asllan Beqi e Fuat Ahmati.
Nga Kuçi: Rrapo Ali, Xhevid Çufe e Hamit Ago
Nga Kallarati: Veliko Murati dhe Izet Bushi
Nga Vranishti: Selfo Xhani, Murat Avduli, dhe Murat Myftari.
Nga Tërbaçi: Murat Veliu, Elmaz dhe Rrapo Meta
Nga Bolena: Bako Shameti
Nga Ramica: Bardhok Halimi e Rexhep Sulejmani.
Nga Smokthina: Dalip Manxhari dhe Sefo Emini.
Në mbledhje u përmënd dhe çështja e gjakut të dy ushtarëve grekë të transportit, të cilët u vranë nga çeta e Borshit si më sipër*, gjatë tërheqies së Ushtrisë Greke.
Në diskutim i pari e morri fjalën Miltiadh Papadhima nga përfaqësuesit e Nivicës i cili tha:
-Mbasi çështja e vrasjes të ushtarëve Grek ka marrë ton të ashpër, unë mendoj që këtë çështje të mos e marrim në shqyrtim dhe të mos e përfshijmë në llogarinë e gjakut, mbasi ata kanë nikoqir Grekë, të cilët do të vijnë të marrin hakun, por vazhdojmë;
-Duhet ti jepet rëndësi e madhe çështjes sepse: e shoqja e Foto Priftit, Angustella, ishte 9 muaj me barrë kur u vra dhe vajza e tij Eleni, duke qënë e virgjër e çnderuan vrasësit brutalisht gjithë ditën për të ngopur epshet e tyre shtazarake, dhe pastaj e vranë. Gjithashtu rëndësi duhet ti jepet dhe faktit të vrasjes të qënit të stanit, që ja vunë në gojë të vrarit Foto, kështu që edhe qëni duhet të llogaritet si gjak trimi.
-Priftajt, theksoj ai, për  600 kokë bagëti, që grabitën vrasësit dhe u shitën në Mallakastër, nuk kërkuan dëmshpërblim dhe as pranuan para që ofruan vrasësit për shlyerjen e gjakut.
-Të gjitha këto duhet të çmohen me rëndësinë e tyre që kanë sipas zakonit dhe përfundoi duke thënë se llogaria e Priftajve nuk është e mbyllur me vrasjen e 9 vetave nga Sasaj, por me që tani jemi në kohë lufte, duhet që gjyqi i zakonit të vendos armpushim të përkohshëm për ta shqyrtuar çështjen në periudhën e paqes.
-Duke marrë fjalën përfaqësuesi i Kallaratit, Veliko Murati, propozoi dhe ai për armpushim të përkohshëm dhe shtoi se fshati Sasaj ka hak për të marrë nga Piluri, sepse vërtet që nga këta u vranë 9 veta, por 7 nga këta ishin sejcili me peshë nën 20 okë (domethënë të vegjël) kështu që në 140 okët e tyre, po të shtosh dhe 110 okë të kryetarit të familjes dhe të gruas së tij, harin shifra 250 okë, kurse Sasanjotët kishin peshë 680 okë dhe më shumë, sepse ishin të gjithë të rritur dhe me detyrime familjare.
-Përfaqësuesi i Kuçit, Rrapo Ali ishte dhe ai dakort për armpushim për shkak të ngjarjeve të luftës, por me konditë që Sasanjotët të kenë të drejtën të kërkojnë gjak për hakmarrje nga Priftajt, mbasi llogaria ka kaluar dhe duhet që mbledhja tu njoh këtë të drejtë sasanjotëve për ta ushtruar pas luftës në kohë paqe.
-Duke kundërshtuar këtë pikpamje të përfaqësuesit të Kuçit dhe të Kallaratit, pilurjoti Dhimitër Gërdhuqi tha se:- Duhet të ndjej rrënqethje, trishtim dhe turp njeriu për vrasjen barbare pa asnjë shkak tjetër, por për të përfituar nga rasti duke grabitur kopenë.
-Përfaqësuesit e Himarës Jorgo Bollano, të Dhërmiut Kosta Goreci dhe të Vunoit Taso Pilo, duke kundërshtuar me ton të ashpër përfaqësuesit e Kallaratit dhe të Kuçit, në emër të fshatrave të krishtera të Bregdetit, kërcënuan me largim nga mbledhja, pasi në këtë rast provohet se ana kundërshtare Shqiptaro-Myslimane akoma udhëhiqet nga mentaliteti i vjetër dhe në kohën e sotëme, duke dashur që të jetojë me plaçkitjen e elementit ortodoks dhe harojnë faktin që edhe vetë pushtuesi turk, më se 600 vjet nuk mundi të sundoj në fshatrat tona që shpesh u bënë fli, megjithë atë ai respektoi dhe u njohu privilegje të veçanta që i fituam me shpatë në fushat e betejës, dhe nuk preku nderin e grave.
Në vazhdim  shtuan se çështja që po shqyrohet, nuk i përket vetëm problemit të gjakut midis dy fshatrave Pilur dhe Sasaj, por ka rëndësi më të madhe, atë të luftës për jetë, midis dy elementëve ortodoks dhe myslimanë. Me që  në një rast të tillë do të ndizet zjarri anë dhe mbanë, sepse elementi ortodoks është i vendosur që të bëjë të respektueshme ekzistencën e tij  në tokën e gjyshërve tanë, që e kemi vaditur  për më se 600 vjet me gjakun tonë të ndershëm e të pastër,  dhe duke përfunduar thanë se elementi ortodoks, i bashkuar dhe i pa përçarë me gëzim do të pranonte nja dy luftime të hapur me myslimanët e kësaj zone pa dredhira në fushat e betejave dhe kush të rrojë të gëzojë. Varet., në këtë rast nga ana kundërshtare që të gjykoj në se dëshiron ose jo për hapjen e gjakëderdhjes.
-Duke marrë fjalën përfaqësuesit e Nivic-Bubarit dhe të Shën Vasilit në mbledhje theksuan se;- Megjithë që për vrasjen e dy ushtarëve grekë tani për tani nuk kërkojmë (ne. Shën.im.) gjak, mbasi hakën e tyre do ta marrin grekët kur të vijnë, duhet të shikohet problem me rëndësi të madhe (Veçant)  që përmban mbledhja, mbasi vrasësit kanë shkelur rregullin e së drejtës zakonore, atë  “të mikpritjes dhe të besës”  mbasi të dy ushtarët grekë që u hodhën në kaminën e gëlqeres, qenë të shkujdesur, hipur në mushka për tu kthyer në vëndin dhe familjet e tyre. Këtë rregull pra të mikpritjes dhe besës e kanë shkelur në mënyrë çnjerëzore. Vrasësit i ndaluan në rrugë, duke u thënë se janë të gatshëm tu tregojnë rrugën, për të dalë në xhade e për tu bashkuar me shokët, dhe pasi ndëruan sipas zakonit nga një cigare, pabesisht i zunë e i vranë, ndërsa siç thotë proverbi “kokë e falur nuk pritet”, sepse dhe rob sikur të ishin zënë nga italianët, jeta e tyre sipas rregullave do të ishte e sigurtë, kurse ata u vranë, duke shkelur kanunin.  Sipas zakonit, dhe vetëm ky fakt duhet, sipas zakonit të vëndit tonë, të vërë në lëvizje gjithë fshatrat e kësaj zone për një dënim të përbashkët kundër vrasësve dhe atyre që i mbështesin ata, dhe jo të kërkohet solemniteti i kanunit të shkelur. Duke vazhduar diskutimin përfaqësuesit në fjalë, kërkuan që përfaqësuesit e fshatrave myslimane, të deklarojnë hapur, në se pranojnë ose jo që familja e Foto Priftit është shfarosur për plaçkitje dhe grabitje të kopesë, për të përfituar pa asnjë shkak justifikues, vepër kjo barbare.
-I  bëjmë pyetje elementit mysliman, theksuan ata, sepse bashkëfshatarë nga fshatrat e tyre, kanë formuar banda kriminale dhe sulmojnë elementin ortodoks, i vrasin, u rrëmbejnë unaza të florinjta, karfica e kryqe dhe shnderojnë gratë dhe vazat e pa mbrojtura në arat e tyre. Kërkojmë pra, në mënyrë kategorike se si mendojnë që ta ndalojnë elementin keqbërës, mbasi elementi ortodoks, megjithëse nuk dëshiron gjakderdhje, njëzëri ka vendosur, të bëjë reprezalie, pa dallim cilët janë keqbërësit dhe për këtë vendim, me nder dhe guxim kemi njoftuar me shkrim të 22 fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm e të Sipërm si dhe fshatrat e Rrëzomës* dhe që nga ky moment e shpall autonome këtë zonë dhe mbrojtjen e kufijve do ta bëjmë me trupa të armatosura dhe se është gati për një luftë të tillë dhe kush të rrojë le të gëzojë sikur, sikundrejt deklaruan përfaqësuesi Filip Dhimërtika e të tjerë”.
*-Kemi ruajtur shprehjet dhe fjalët origjinale të procesverbalit.
* Këtë material e publikojmë, së pari, me qëllime studimore për funksionimin e Gjyqit të Vilajetit të Himarës si dhe për të shmangur spekullimet e ndryshme mbi ngjarjen dhe pasojat e saj,  pjesmarësit në gjyq dhe fjalën e tyre. Kanë qarkulluar versione të ndryshme të këtij gjyqi, të cilat, jo vetëm shtrëmbërojnë të vërtetën por cënojnë edhe figurën e disa pjesmarësve. Sqarojmë se të gjithë pjesmarësit në këto gjyqe ishin njerëz me reputacion të sprovuar, gëzonin respektin absolute të gjithë banorëve të krahinës dhe e kishin konsoliduar popullaritetin e tyre me vepra atdhetarie. Falnderoj edhe z M.Llaçi për variantin shumë të ngjashëm që disponon dhe që ma vuri në dispozicion për krahasim.
Duke qënë se asnjë nga pjesmarësit në ngjarje nuk jeton më, u kërkoj mirëkuptimin pasardhësve të tyre për këtë publikim dhe qëllimin e tij.
Ky material është botuar fillimisht në një revistë greke në Janinë. Dokumenti origjinal gjëndet në arshivën e Janinës.
Vendimin e këtij Gjyqi e kemi publikuar fillimisht në librin “Kur hardhia pikon vesë” dhe te blogu im  timomerkuri.blogspot.
*-Vrasja e qenit mer rëndësi edhe  për faktin se qeni ishte në gjëndje të identifikonte autorët, por edhe për faktin se qeni i bariut vlerësohej sin je pjestar i familjes.
*-Himara vetëquhej Vilajet sepse ishte Krahinë Autonome dhe jo se ishte Vilajet si ndarje administrative. Si Krahinë Autonome ajo funksiononte mbi bazën e  disa normave juridike (dhe administrative) si Gjyqi i Vilajetit me fuqi të plotë detyrimi dhe ekzekutimi.  Ekzekutimi i vendimeve ishte i pa apelueshëm dhe i detyrueshëm për çdo banor dhe çdo fshat.
*-Savo Prifti dhe Polimer (Polo) Prifti pas ngjarjes u aratisën në Greqi, u vendosën në Gumenicë ku dhe vdiqën në periudha të ndryshme kohore.
*-Në vitin 1943 në fshatin Senicë të Delvinës, në vëndin Zagonika, ku kishin arat e tyre Seniciotët Lluka Nani e Dhimitër Piza, këtyre u kishin zënë pritë disa nga Picari e Zhulati, myslimanë dhe i vranë me pretekst se morrën hakën e të afërmëve të tyre që ishin vrarë gjatë luftës në kohën e autonomisë.
Pas dy muaj në vëndin Vreshta e Senicës u vra nga një pritë Perikli Jorgji dhe u plagos Sotir Velo, me të njëjtin pretekst. Mbas kësaj Seniciotët kërkuan ndihmë nga fshatrat Nivic-Bubar, Shën Vasil, Lukovë e Piqeras. Kryepleqësitë e këtyre fshatrave dërguan protestë të reptë gjithë fshatrave të Kurveleshit të sipërme e të poshtëme dhe fshatrave të Rëzomës, me anën e së cilës kërcënonin me reprezialie në qoftëse nuk do të ndalojin vrasjet dhe nuk mernin masa për vrasësit. Fshatrat myslimane nga kjo protestë u frikësuan dhe provokuan një mbledhje të gjyqit të Vilajetit në fshatin Kalasë dhe morrën pjesë në këtë mbledhje përfaqësues të fshatërave të krishtera si më sipër si dhe përfaqësues të Kurveleshit dhe të Rëzomës.

Por kjo mbledhje është në një rast tjetër ndonëse është e ngjashme me gjyqin e mësipërm për nga procedura.

Wednesday 5 October 2016

"TRIREMA E POEZISË JONIANE", PËR TË DHJETËN HERË RADHAZI

"TRIREMA E POEZISË JONIANE", PËR TË DHJETËN HERË RADHAZI
Sabit Rrustemi 
Për të dhjetën herë me radhë, në jugun e bukur shqiptar, në Sarandë, më 30 shtator e 1 dhe 2 tetor, u mbajtë Manifestimi ndërkombëtar i poezisë "Trirema e poezisë joniane".
Të pranishëm në këtë manifestim letrar, ishin poetë nga disa shtete të rajonit e mesdheut, si Spanja, Maroku, Italia, Maqedonia, Kosova e Shqipëria.
Të ftuar dhe të pranishëm prej Kosovës ishin shkrimtarët, Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu, Adem Gashi, Nexhat Rexha, Naime Beqiraj, Prend Buzhala, Sejdi Berisha dhe unë.Nata e parë e poezisë, e cila u shoqërua me një fjal/ mirëseardhjeje nga kryetari i Klubit të Krijuesve Jonianë, Agim Mato, iu takoi poetëve mysafirë, të cilët u prezentuan me krijimet e tyre, një pjesë të të cilave i deklamoi aktori Vangjel Agora. Kurse mbrëmjen poetike e moderoi Dashamir Malo.
Dita e dytë e takimeve poetike në Sarandë, ishte e ngjeshur me vizita, në Parkun Kombëtar të Butrintit, si dhe në dy galeri të qytetit.
Në mbrëmje, fillimisht në ambientet e hotel "Butrintit" u përurua antologjia e përbashkët poetike e poetëve të Jugut të Italisë si dhe të Shqipërisë, për të cilën folën, Agim Mato, Anton Nikë Berisha, Bardhyl Maliqi dhe Irena Gjoni.
Nxënësit e gjimnazit "Hasan Tasini" që ishin dhe surpriza e mbrëmjes, shkëlqyeen me një recital të zgjedhur prej kësaj antologjie si dhe me dy pika muzikore.
Më pas, në Kompleksin hotelier "Bougainville bay Saranda", vazhdoi nata e dytë e prezenbtimit të poetëve, kësaj radhe, kryesisht të poetëve nga Saranda dhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Në përmbyllje, Organizatori nderoi me Mirënjohje, kurora të argjendta dafinash, shkrimtarët Anton Nikë Berisha, Fatmir Terziu si dhe Daniele Giancane për kontribut dhe bashkëpunim me Klubin e Kkrijuesve Jonianë. Ndërsa poetët pjesmarrës, me çertifikata.
Takimet Poetike të Sarandës, u shquan me një mikëpritje të ngrohtë shqiptare si dhe me një organizim solid nga Klubi i Krijuesve Jonianë që u ndihmuan dhe nga Bashkia e Sarandës.

Zhegër, 3 tetor 2016










Klubi i Krijuesve Jonianë mbyll me sukses Manifestimin Poetik “Trirema e Poezisë Joniane”, edicionin e dhjetë të tij

Klubi i Krijuesve Jonianë mbyll me sukses Manifestimin PoetikTrirema e Poezisë Joniane”, edicionin e dhjetë të tij
Evenimenti vendosi që Kurorën e Artë me degë ulliri duke marë në vlerësim krijimtarinë e secilit krijues dhe shkallën e bashkëpunimit të tij me Klubin e Krijuesve Jonianë vendosi që Kurorën e Artë me degë ulliri ta ndajnë mes tyre:
1-Anton Nik Berisha
2-Daniele Giancane
3-Fatmir Terziu.



Urime dhe jetëgjatësi profesionale Manifestimi Poetik “Trirema e Poezisë Joniane”, edicioni i dhjetë! Klubi i Krijuesve Jonianë organizoi në datat 30 Shtator, 1, 2 tetor  2016, tashmë si një akademinë e përvitshme tradicionale, Manifestimin PoetikTrirema e Poezisë Joniane”, edicionin e dhjetë të tij. Manifestimi poetik u organizua me mbështetjen e Bashkisë së Sarandës dhe Selia e manifestimit ishte me një pjesëmarrje të gjerë në resort “Bougainville Bay”, aty ku zakonisht lulja me emrin që i ngjizi poeti Naim Frashëri ishte që të shpërndajë dhe të grumbullojë aromë poetike nga poetët vendas dhe atyre që sollën aromën poetike nga mjaft pika të rruzullit.
Nën drejtimin e poetit të mirrënjohur, Agim Mato, “Mjeshtër i Madh”, Manifestimi Poetik “Trirema e Poezisë Joniane”, edicioni i dhjetë, natyrisht kishte dhe arsyen e vetë të rrëndësisë dhe pjesëmarjes në të. I gjithë stafi drejtues, miq të artë dhe të vlerësuar nga krijimtaria e tyre kanë pasur dhe përshëndetjen tonë miqësore, intelektuale, dhe krijuese, në pamundësinë tonë për të marë pjesë në këtë eveniment mjaft të rrëndësishëm.
Ndërkohë sikurse u njoftuam nga drejtuesit e “Trirema e Poezisë Joniane”, edicioni i dhjetë pati dhe vlerësime dhe nderoi disa poetë. Në lidhje me këtë po japim fjalën e njërit prej poetëve dhe drejtuesve të evenimentit, të mirënjohurit Timo Mërkuri që midis të tjerash ka theksuar:
“Të nderuar miq pjesmarës në edicionin e 10 të Triremës Joniane.
Po ju drejtohem juve me një falnderim të veçantë për pjesmarjen tuaj në këtë ecidion, pjesmarje e cila, jo vetëm na gëzoi dhe na nderoi por dhe e shndroi këtë manifestim në një festë të vërtetë poetike.
Ju ishit miqtë tanë në këtë festën tonë dhe ne kemi detyrimin e nderimit të mikut.
Sipas traditës shqiptare, kur në shtëpinë tonë bujtin miqtë e dërguar nga zoti, i zoti i shtëpisë, në shënjë nderimi, një nga miqtë e vendos në qoshen e vatrës. Por ndonëse vendos  njërin në vendin e nderit të shtëpisë, ai ua drejton fjalën gjithë të pranishmëve, jo aqë për rëndësinë e temës së bisedës se sa për evidentimin e nderimit të secilit bashkëbisedues. Në këtë mënyrë të gjithë miqtë ndjehen të nderuar e të respektuar njësojë me mikun e vendosur në qoshen e vatrës.
Kështu do dëshironim ne ta ndjenit edhe ju vehten në këtë moment, të nderuar e të vlerësuar me kurorën e lavdisë, ndonëse Komisioni , duke marë në vlerësim krijimtarinë e secilit krijues dhe shkallën e bashkëpunimit të tij me Klubin e Krijuesve Jonianë vendosi që Kurorën e Artë me degë ulliri ta ndajnë mes tyre:
1-Anton Nik Berisha
2-Daniele Giancane
3-Fatmir Terziu.
Ftojmë Kryetarin e Klubit të Krijuesve Jonianë z Agim Mato të vendosë kurorat mbi kryet e përfituesve.
Faleminderit”
Sikurse e thashë në pamundësi për të qenë fizikisht në këtë eveniment të zemrës, kurorën time të fituesit, jam mjaft i respektuar ta ketë marë poetja e qytetit tim, Beatriçe Balliçi, të cilën si një gëzim sublim do t’ua dorëzojë prindërve të mi në Elbasan.

Urime dhe jetëgjatësi profesionale Manifestimi Poetik “Trirema e Poezisë Joniane”, edicioni i dhjetë! Faleminderit për vlerësimin dhe respektin! Mirënjohje. 








Tuesday 13 September 2016

GURI I ÇMUAR

                 Resmi  Osmani                                                        Tregim
                                                  GURI I ÇMUAR

         1
 Bledari qendroi para banakut.Vajza e recepsionit, ishte duke lexuar,u kujtua per vizitorin kur mbi te ra hija e siluetës. E la menjane librin dhe me buzeqeshjen qe kërkonte mirsjellja e pritjes, e pyeti me se mund ti shërbente. Ai i zgjati pasaporten. Donte një dhomë për të bujtur. Ajo e pyeti, për një natë apo më gjat.Ai do të rrinte disa ditë, ende se dinte sesa, por besonte disi gjatë.                                                   
    -Po u jap dhomën tonë më të mirë, në kat të dytë, ballkoni ka pamje nga lumi.Në banjë keni ujë të ngrohtë tërë kohën. Besoj se do t’u pëlqejë, në mos, mund t’ua këmbejmë.
      Ai e falnderoi dhe mori pasaportën.
      Egzona pa që ai ishte shtatlarte.Me atlete, pantallona të shkurtëra dhe bluzë të lehtë. Në fytyren e mbuluar nga mjekra, shquanin sytë, të kthiellët e plot dritë dhe balli i larte, qarkuar nga flokët e gjatë lidhur bishtalec. Në qafë i ndrinte zinxhiri hollë i artë me një gur të vogël rubini që kuqëlonte nga drita Në shpinë kishte një çantëtë madhe me rripa. Ngjante me një shtegtar të vetmuar. Nga e folura dukej që ishte i ardhur. I zgjati çelësin e dhomës.
      Bledari lehtësoi shpinën nga barra e çantës dhe s’po ia shqiste sytë vajzës. Ç’bënte atje kjo bukuri? Një zanë prapa banakut të një hoteli! Dita po mbyllej me një befasi.
      -Mund të ma shërbeni darkën në dhomë?
      -Bëni porosinë dhe më thoni orën.
     -Darkë të lehtë, ndonjë gatesë tuajën dhe një shishe verë të bardhë, të ftohtë. Në ora nëntë.
       Ai u ngjit në dhomë ndërsa Egzona vijoi leximin e librit aty ku e kishte lënë.
        2
        Egzona, me tabaka në dorë,trokiti lehjtë e si me droje , kur nga Brenda erdhi miratim “Hyre”,ajo hapi derën me kujdes dhe iu afrua tryezës së vogël për të lënë tabakanë me darkën. Djali, ishte I ulur anash, abazhuri ndrinte fort syprinen. Mbi sofrabez, ishte hapur një mësallë e bardhë, mbi të cilën ishin zbrazur gurë të vegjël të çmuar, që llapsnin e ndrinin me laryshi ngjyrash si të ylberit.Anash ishte një qelq zmadhues dhe një kuletë kamoshi ngjyrë vishnje. Asaj i mbetën sytë në atë bukuri,por se dha veten.
       -Sipas porosisë të solla darkën.Besoj të të shijojë.
       -Faleminderit. Aroma është këndellëse. Hijeshija jote ja shton shijen!-tha i buzëqeshur dhe u ngrit.Ftoi vajzën të ulej, i zgjati qelqin zmadhues dhe e ftoi të sodiste mrekullinë e gurëve. Ajo pranoi. Kur u ra përsiper drita,gurëzit u prushuan si thëngjijtë në vatër,prej tyre buroi si e nëntëshme drita refleksive me ngjyra: e bardhë e tejpashme e diamantit, e kuqe si thelp shege e rubinit, e gjelbra e smeraldit, blu-vjollcë  e safirit,si ujë deti e akuamarinit, e verdhe portokalli dhe trandafili e opalit, ngjyrë mjalti e amberit… ishte një mozik shkëlqimtar, ku loznin drita dhe ngjyrat e syte s’nginjeshin së pari atë mrekulli. Bledari mori nje pincetë,i kapi gurët eçmuar një e nga një dhei afroi posht qelqit zmadhues që Egzona ti sodiste nga afër nën dritën e bardhë të abazhurit.
      -Gurë të çmuar janë vetëm katër :diamanti,rubini,smeraldi dhe safiri, me bazë karboni, pastaj janë me dhjetra gjysmë të çmuar, me bazë silici,kuarcite kristalorë që ngjyrat i kanë në varësi nga prania e molekulave te hekurit, kromit, bakrit etj. Siç i sheh. Jane një mrekulli e natyrës.Kanë fjetur miliona vjet nëndhe, dhe kur dalin ne dritë nga errësira, shkëlqejnë e llapsin si të etur nga ajo që u ka munguar, i gëzohen dritës si i burgosuri lirisë, e përthithin atë dhe e reflektojnë dukei dhënë shkëlqimin e brendisë së tyre!.Janë të shumtë në llojshmëri, pamje e bukuri, por të pakët dhe zor të gjendshëm,prandaj janë edhe aq të çmuar e  të shtrenjtë. Janë përdorur e lakmuar që së lashti,si shenje pasurie, pushteti dhe sundimi, ne unazat e mbretërve dhe prelatëve, kurorat e sundimtarëve, stolitë e zonjave të sërës së lartë…
        E ndali ligjërimin. Kur niste të fliste për ta, ai s’dinte të pushonte, mund t’i thoshte se në zbulesën e Gjonit, Zoti në fronin qiellor kishte shkëlqimine diasprit  sardit dhe smeraldit, në themelet e qytetit të shënjtë të Jeruzalemit ishin dymbëdhjetë radhë me gurë të çmuar, se në unazën e Papës dhe kardinalëve, gurët e çmuar ishin simbole të pushtetit, besimit dhe shkëlqimi i tyre një nga virtytet e shenjtorëve.Rubini simbolizonte zemrën dhe gjakun e Jezu Krishtit. Drita e pastër e diamantit vyrtitin dhe dlirësinë e Shën Marisë ,  se në unazat e sulltanëve(myhyret) vezirëve dhe dinjitarëve, ishin të gdhendura ofiqet e tyre dhe perdoreshin si vula. Se diamanti me i madh i gjetur, i ishte dhuruar mbretëreshës së Anglisë dhe ishte bërë pjesë e kurorës mbretërore, se gurët gjysmë të çmuar ishin mbi tridhjetë dhe se shumë prej tyre mbanin emrin e vendit ku ishin gjetur.Edhe ai po të arrinte te gjente një gur të veçantë do ta quante “Dardanit” ….,por pati droje se do ta mërziste vajzën.
         Ajo i pa gishtat.Nuk kishte unazë me gurë, përveç atij rubini në formë pikloti në zinxhirin e artë varur në qafë.
        -Ju jeni argjendar? Qe pyetja e saj e beftë.
       -Jo jam gjeollog, i specializuar për gurët e çmuar ne universitetin e Pragës.Çekët kanë miniera të gurëve të çmuar.  Edhe ky koleksion që po sodit, më është bërë dhuratë kur mbarova specializimin.Shpesh i sodis,se më ngazëllejnë dhe më bëjnë të çmoj bukurinë. Si ta them, jam gjuetar i diamanteve.Kërkues privat i gurëve të çmuar.Kur mbarova specializimin pata oferta për në Afrikën e Jugut, në Tanzani e Namibi, nuk pranova.Diamantet e atjeshëm janë të lyer me gjak.Rebelët i këmbejnë me armë. Kjo kuturisje më ka sjellë këtu. U pajisa me lejë nga autoritetet vendore dhe që nesër do të nis nga kërkimet .
        -Mendoni se do të gjeni?
        -Shpresoj shumë. Gurë kristalorë të bukur janë gjendur në Trepçe, Artanë, Kishnicë dhe Çukë të Batllavës.Të tjerë duhet të jenë aty. Presidenca i ka përdorur për  dhurata. Një prej tyre ju dhurua Papa Françeskut. Midis gurëve kristalorë, mund të hasen edhe opali dhe pirokseriti.  Për ta është caktuar edhe tarifa e taksës prej katër përqind të vlerës nga gjetësit e  tyre.   
        -Nëse mund të pyes,nga ç’vend i Shqipërisë jeni?-tha ajo për të ndrruar bisedë.
        -Nga Berati, i një mbi një dritareve. Edhe ne kemi një lumë, Osumin, që zbret nga malet e Skraparit mes grykave e kanioneve te bukur. Pa kemi edhe kodra plot me ullinj ,qershi e fiq. Kam dëgjuar që me emrin Berat tek ju quhen djemtë! Ju jeni e punësuar këtu?
        -Jo.Hotelin e kemi pronë familjare.Jam studente ne letersi.Qëndroj këtu gjatë pushimeve. Gjithsesi të uroj fat. Si thonë gjuetarët:qëllofsh! Mua do të më falësh, më presin poshtë-tha vajza dhe u ngrit.
        Ai e falnderoi, pa ja hequr sytë siluetës së saj belhollë,si drenushë, fytyrëhënë dhe s’kish të nginjur me amzën e lehtë e të ëbël femrore të parfumit të saj. Kur ajo i uroi natën e mirë dhe  ishte duke dalë, ai e pyeti:
        -Ke marrë pjesë në ndonjë konkurs bukurie?
        Fytyrën e saj e mbuloi një tis i trëndafiltë.Shumë i guximshëm ky djalë!
        -Jo. Pse më pyet?-ajo u hoq naïve, bëri sikur s’e kuptoi.
        -Duhet ta bësh-tha ai, pa shtuar asnjë fjalë tjetër.
         3
         Porta e harkuar e hyrjes në minierë , në rrëzë të malit, e përhinjtë dhe e zgjyrosur nga koha, ngjante me gojën e lubisë që gëlltiste qindrat e minatorëve për në botën e nëndheshme, pastaj villte nga rropullitë e saj vagonetat e mbushura me xeherorë dhe në mbarim të turnit ,i flakte përjashta, të sfilitur e të dërrmuar. Mbi gojën e lubisë, një dorë e pastërvitur, kishte shkruar me bojë të bardhë ,si paralajmërim për një kob të pritshëm ”Me fat!” dhe në të majtë një vëmendje për shmangien e rreziqeve të pritshme: ”Ndalohet hyrja pa paime personale mbrojtëse”. Tani kishte rënë në gjumë letargjik.Kishte vite që nuk punohej, përveç ca puntorë të mirmbajtjes.
      Bledari mbajti këmbët para kabinës së rojes. Roja dremiste, u përmend kur Bledari trokiti me gishta në xham. Roja gjysm I përgjumur, mamur, hapi sportelin dhe qëndroi në pritje, pa dokumentat që I dha I posaardhuri, u shtriq, gogësiu dhe e pyeti:
      -Do të hyni në galeri për të kërkuar gur të çmuar?
      -Po. E keni të shkruar te leja.
      -Këtu s’punohet. Mungon rryma dhe s’ka ndriçim. Mund të lëvizësh vetëm në horizontin e parë. Ashensori i pusit të zbrtitjes nuk funksionon. Galeritë janë të armatosura, por aksidentet nuk mungojnë. Kujdes në labirintet e galerive,se mund të humbasësh dhe të mos gjesh daljen. Ndiq shinat. I ke pajisjet personale mbrojtëse? Kaskën me ndriçues, kazmën, litar, baterinë e karikuar të ndriçesit, ujë të pijshëm dhe ushqim të mjaftueshëm për disa vakte?
        -Po. Të gjitha.
        -Me lejen tënde do të kontrolloj pak çantën.
          Si e bëri edhe kontrollin, mendoi se e kreu detyrën.
        -Atëhere, me fat!- bëri urimin e tij professional që i ishte bërë zakon.-Jam këtu deri në orën dymbëdhjetë, pastaj mer turnin roja tjetër.
        Bledari vuri kaskën, kontrolloi ndezjen e llampës, shtrëngoi rripat e çantës dhe ngau në brendësi te hyrjes si drejt njeë fshehtësie. Galeria qendrore e nivelit të parë, si një damar e shponte malin drejt lindjes. Deri në vendin ku niste degëzimi i galerive-arterie anësore, depertonte drita e ditës, më tej ajo mugej dhe niste errësira dhe e panjohura. Nga t’ia niste kerkimit, ku ishte fshehur fati? Ngau edhe ca, pastaj u kthye ne nje galeri në të djathtë. Ndriçuesi i kaskës hidhte një fashë drite që çante errësirën, por ajo ishte e pa mjaftueshme.Teknika e kërkimit ishte e thjeshtë: nuk do të gërmonte, kërkimi do të bëhej me ndriçimin e mureve të galerisë, me shpresë se guret e çmuar kristalorë,sado pak të dukshëm do të ndriçonin nga reflektimi i dritës. Nxori nga çanta ndriçuesin e dorës dhe e hodhi dritën mbi paretet e përhinjta e të ftohta të galerisë, që ngjasonin me ca fletë të një libri të përhinjtë enigmatik, që nuk mund të çfletohej, ku mungonin shkronjat dhe s’kishte ç’të lexonte . U rropat orë të tëra, ndryshoi galeri, gërmoi me majën e thikës dhe kazmën e vogël, aty ku dyshonte, por hasi në ca gurë të pavlerë e sterilë. I lodhur por jo shpresëhumbur, pasdite vonë doli përjashta. E dinte: kërkimi do të ishte i vështirë dhe i zgjatur në kohë. “Durim”, i tha vetes.
        Pasi bëri dush, zbriti në hollin e hotelit. Egzona nuk ishte.Kjo e mërziti.Pas errësirës dhe grisë së galerive, ishte gjëja e bukur që ai shpresonte të shihte. Kaptoi urën e Ibrit dhe hëngri darkë në një qebaptore. Birra “Peja” e ftohtë dhe e shkumëzuar i shoi etjen dhe i shijoi shumë.U end fillikat nëpër qytetin e ndarë dhe u kthye në hotel për të parë ndeshjen e radhës të kampionatit europian.Luante Shqipëria me Rumaninë.Përjetoi emocionin e fitores dhe ju shtua besimi se do ti haste gurët e tij.Kur u bë goli, Mitrovica ushtoi nga brohoritjet. Ai doli në rrugë.Tifozët festonin: ushtonin boriet e makinave dhe valviteshin flamujt kuqezi.Në lagjen serbe kishte rënë një qetësi ogurzezë.
Kaluan dit. Ai vazhdoi kërkimet në galeri të tjera, porme gjithë urimin “Me fat”, mundi po i shkonte kot dhe po bjerrte durimin.Ditën e shtatë u shty më në thellësi dhe hyri në një galeri që iu duk më e lartë.Errësirë,shurdhëri, vetmi.Botë e nëndheshme. Qetsinë e thellë e prishnin pikat e ujit që pikonin nga tavani dhe kërcitja e hapave të tij në guriçkat. Ju duk se kishte hyrë në barkun e lubisë që ti rrëmbente thesaret që fshihte, por ajo e kishte gëlltitur në rropullitë e saj si të donte ta treste.
         Vetiu pati ndjesinë se në galeri nuk ishte fillikat.Në ajr nuhati një parfum të lehtë që s’ishte i tiji që përzihej me duhmën e djersës së një  njeriu tjetër.Pas shpine, në qafë ndjente një si djegie shkaktuar nga një rreze e padukshme shikimi.  Mprehu dëgjimin.Hodhi dritën e fenerit të dorës prapa, ndriçoi qoshet dhe gjithë hapësirën s’shquajti gjë. Asnjë zhurmë, vetëm kliku i pikave të ujit që pikonin nga galeria.Pastaj pyeti duke thirrur fort:”A ka njeri këtu?” Jehonës së zërit të tij s’ju gjegj askush.Ndoshta  instikti i tij e kishte gabuar.
          Hodhi fashën e dritës  mbi paretet e përhinjta e të shterpëta , por ato nuk përgjigjeshin heshtnin me memecërinë e tyre kryeneçe e  të pashpresë . Kur durimhumbur u mat të ndërpriste kërkimin, në krah të majtë, pranë tavanit llapsi një rreze drite, burim i saj ishte një kristal që mugullonte rrafsh me sterilin si kaptinëza e lulezambakut në pranverë. Ai u ngazëllye. Me majën e thikës nisi ta zbulonte. Më në fund! U shfaq lbyrës guri me madhësinë e një arre, kristale kokrrizore, si degëzime  që dilnin nga baza e kurorëzoheshin në krye si një lulelakër në miniaturë. Degëzimet, gjysmë të tejpashme kishin ngjyra të ndryshme: të gjelbër, vjollcë të çelur, të kaltër dhe të kuqërremtë, shkëlqimtare e të qeshura! S’po u besonte syve”Të gjeta, të gjeta!” –bërtiti sa i hante zëri. Jehona u përhap në galeri.Pasi u ngop së sodituri, e pastroi me kujdes, e mbështolli me garzë të hollë dhe e futi në çantën e shpinës.
        I hipi ethja e kërkimit. E uli mbi pëllëmbën e dorës dhe nisi ti fliste: “Ti nuk je vetëm, po shokët ku i ke? Më thuaj, t’i nxjerr nga errsira shekullore që t’i gëzohen dritës e të shfaqin bukurinë e tyre”,por guri fliste me gjuhën e dritës dhe shkëlqimit pas së cilës fshihej misteri i përgjigjes. Mandej e pastroi me kujdes, e mbështolli me garzë të hollë dhe e futi në çantën e shpinës.
        Ca çape më tej, ndriçoi një kristal që si shquhej ngjyra, e zbuloi me kujdes pa u besuar syve. Ishte një buqetë kristalore akuamarini, përbërë nga shufërza katrore që përfundonin me majë të mprehtë. Kishte madhësinë e një grushti,  drita edhe e përshkonte, por edhe reflektohej me një ngjyrim si thellësia e ujrave të detit. Ai psherëtiu, i kujtouan sytë e Egzonës. Por mrekullia ishte brenda tij, një gur opali sa një lajthi me një mozaik ngjyrash të ylberta. Kjo po që ishte gjetje! “Eureka” bërtiti si Arkimedi. Të mirat, ashtu si edhe të këqiat, kur vijnë, hapu derën! Guri I tretë ishte I zi me damarëzime të bardha dhe portokalli, çuditërisht me formën e një breshke të vogël. Boll, më! Kjo ditë ishte e mbarë dhe galeria bujare ia kishte shpërblyer mundin. U ul shesh, nuk ishte i lodhur por i tronditur, kjo ishte habia e kërkuesit. Kur e gjen aty ku se pret atë që kërkon si kërkuesi I arit kur sheh kokrrizat e ndritura midis rërrës. Mbështeti shpatullat pas murit të ftohtë të galerisë dhe me një furçë të vogël pastroi njëri pas tjetrit gjetjet e veta. I soditi dhe I vendosi në çantë.  Ndjeu uri dhe etje. Piu nga shishja, por nuk hëngri.
       Në brrylin e galerisë u faneps si  fantazmë hija e errët e një siluete njerëzore, pastaj fantazma u shfaq e plotë, në njërën dorë mbate elektrikun e dorës, në tjetrën të shtrirë përpara revolverin. I veshur me të zeza dhe kryet mbuluar me maskë. Bledari i zënë në befasi u trondit dhe brofi në këmbë.
       - Kush je ti dhe çfarë kërkon?
      - Mos luj venit, mos guxo të avitesh dhe shuje zanin!Vendosi durt pas kreje,n’mos po t’ a hjek i plumb n’lule t’ballit.
        Zëri ishte i ngjirur dhe shqipja e tij si gjuhë shpellash.
-Hudhma mue strajcën ku ke venue gurt, po ngutu se s’kena koh.
        Bledari ishte nën ndriçimin e fenerit dhe kërcëninmin e revolverit kurse tjetri në gjysmë errësirë, si një shpirt i keq i pjellë nga errësira.
   - Po je burrë, eja ti marrësh.Mos prit të t’i jap.
    Tjetri shkrepi revolverin që flakëroi dhe ushtoi, plumbi, si me vërshëllimë gjarpri i fluturoi Bledarit mbi krye.
   -Hudhe, në mos do të gjuj apet, e ksaj here, lum baca,s’baj hajgare, do të cofish e bahesh haje për krymba!
   -Vërtet do të më vrasësh? Aq vlen për ty jeta e një njeriu! Për ca gurë që bëjnë vetëm një grusht euro!
  -Për mue jan bajagi. Ti e ke dnue vetveten tate se je shiftar. A e din si thojna na: nieri shiftar i mir, asht shiftari i dekun. Mandej ti je tu ba hajni në pasuni serbe.Ktu ene toka ene nantoka jan tonat. Ç’ka ke gjet, më përket mue, po t’lypi gjan teme!Kosova ka pas qen dhe asht Serbi,mos t’rrej men’ja- fliste dhe dora me revolverin ishte e shtrirë në shenjë.
     Bledari i zënë ngusht, në këtë galeri të vetmuar, nën kërcënimin e armës, nxori nga çanta e shpinës, kuletën e kamoshit me gurët e gjetur dhe e flaku drejt grabitësit. Tjetri, ngau me çape të kujdesshëm, me revolverin në shënjë dhe e mori kuletën. Që të sigurohej e hapi dhe e ndriçoi. Gurët ndritën e shkëlqyen.
     -Veta po hiki, n’guxofsh me m’ndjek pas, ta dish që je i dekun!
           Bledari, befas i hodhi mbi sy dritën e fortë të fenerit të dorës.Tjetri, vetiu, ngriti duart në mbrojtje të verbimit të syve. Revolveri me tytë nga tavani, lëshonte reflekse blu. Bledari iu turr sipër, e qëlloi fort me grusht nën mjekër, revolveri i shkau nga dora dhe ra disa çape tej. Pastaj i dha një shkelm nën brez, mes këmbëve. Tjetri vërriti sa i hante zëri, si derri kur e therin dhe u plandos mbi shina. I vuri gjurin mbi shpatulla, i tërhoqi duart pas dhe ja lidhi me litarin që kishte në çantë. Ishte i tronditur dhe dihaste, por ja kishte dalë. Mori kuletën me gurët,pastaj kërkoi dhe gjeti revolverin. I hoqi fishekun që kishte në gojë dhe karikatorin. Tani si hynte më në punë.
         Tjetri ishte ende i zalisur.Bledari i hoqi maskën dhe i ndriçoi fytyrën.Duhet të ishin vërsnikë. Fytyra, edhe pse e shtrembëruar nga dhimbja, dukej e hijshme. Kur u përmend dhe e gjeti veten të lidhur e të shtrirë si peshk, nisi të turfullonte  dhe të shante, më së shumti serbisht, por edhe shqip, por e kuptoi që e kishte kot, ato fjalë s’bënin punë, veçse t’i shfrynin mllefin që ishte sjellë si idiot.
            Teksa po thoshte këto kërcënime, në galeri u ndje një ushtimë e shurdhër dhe rropamë, si rrapëllima e shëmbjes së gurëve në një shpat mali, pastaj edhe një e dytë, një shkulm  i vrullshëm ajri përshkoi galerinë, teksa ende dëgjoheshin shembjet e rrokopujshme të breshërisë së  gurëve. Shembja, sipas shakullimës së ajrit, që fryu nga kreu i galerisë,  kishte ndodhur pas brrylit,në galerinë e hyrjes.          
          4
          Shembja e tavanit kishte ndodhur ndoca tridhjet hapa para brrylit. Bledari e ndriçoi me elektrikun e dorës. Galeria ishte zënë e gjitha memollokë gurësh  të mëdhenj dhe steril, si me një tapë të stërmadhe. Anash dhe përdhe kishin rënë drrasat dhe trarët e armaturës, të tjera vareshin nga tavani si ca gjymtyrë të thyera. Ai u trondit.Ishin zënë si në grackë, kishin mbetur rob të galerisë. U kthye te vendi. Tjetri i mbetur në terr s’bzante.
        -O njeri, a ke emër ti?
        -Më qujnë Zllatko, kurse për ty e di: Bledar.
        -Nga ma di?
        -Pyta në hotel “Agroni”, ma kallzoi ajo cuca që ti i vardisesh. Kam dit që të ndjek.
        -Epo, dije Zllatko, është  vidhisur galeria dhe ne kemi mbetur si të zënë në çark.
       -Ç’ka po thue. Mos bre! Njitash na paska lidh nafaka bashkë. Ose pshtojm të dy, n’mos desim  t’dy. Kuku majko! Po me mue, tash që m’ke n’dorë,ç’ka do të bajsh? Do t’më vrasësh?
       -Nuk jam kriminel,s’jam si ti, edhe nes’jemi si ju. Nuk bëj vetgjyqësi. Por po dolëm gjall prej këtu,do të dorzoj në polici. Do gjykohesh për grabitje dhe tentativë vrasje. Padi të mjafta për të bërë disa vite burg.
       -Bajm paqe. Mi zgidh durt.T’jap besën se nuk të gërgas.
       -Nuk të besoj.
       -Pse bre, ju shiftart besën e keni për gja t’madhe!
       -Ashtu vërtet, por nuk ia japim  të pabesit. Ti gjuajte me armë mbi mua.Mund edhe të më kishe vrarë.
       Zllatko u rrotullua me mundim dhe duke rënkuar e dihatur, për tu rehatuar mbështeti shpatullat në murin e galerisë. Errësirën e ndriçonte llampa e kaskës së Bledarit.
E di,je hala i inatosun. Deshta veç  me t’tremb.
      Për njimend Bledari u ligshtua: I mbyllur si I varrosur në thellësi të tokës, në terrin e një nate të përhershme, me ajr të paqarkulluar, pa ujë e ushqim, jashtë dijenisë dhe vëmendjes së njerëzve.Për ‘të e ndinte veç Egzona dhe roja i minierës. Celulari s’bënte punë, nuk kishte valë. dhe me një person armiqësor që kish dashur ti hante kokën! E para e punës bëri inventarin e ushqimeve.Çpështolli pakon që i kishte dhënë Egzona. Një mollë,një kokërr portokalle ,sanduiçi me suxhuk , djathë, dy vezë të ziera, një çokollatë dhe një bidon i vogël me ujë. Këto ishin te gjitha. Pak për një qëndrim të gjatë. E dinte: pa ujë mund të jetohej tri dit, pa ushqim ca më gjatë, trupi hante vet-veten, në fund trurin dhe pastaj….vinte vdekja.
        Kaluan orë. Përjashta duhet të kishte rënë nata.Heshtje mizore.Errësira ishte zonjë e territ. Bledari kishte fikur llampën për të kursyer baterinë. Më të rrallë përdorte ndriçuesin e celularit, për të parë orën dhe datën.U mendua gjatë. Rasti e solli të luftonte për jetën.Sa të kishte frymë, kishte shpresë.    Tjetri ishte ligështuar,gati t’i dorzohej të keqes. Bënte lutjet në gjuhën e tij, dhe përsëriste herë pas here në shqip, siç duket që ta dëgjonte tjetri:  
       -Nuk dua të vdes…. O Zot  nuk dua të vdes! O shën Mari, baj nji mrekulli!
        Bledari,surbi një gllënjkë ujë, sa për të lagur gojën. Në lukth ndjente të zalisur, po nuk hëngri asgjë, duhet të duronte. Shkoi te shembja dhe u mor gjatë për të sajuar një saje me drrasa, që I ngjiti me gozhdët e nxjera nga binarët e armaturës. Lidhi litarin për të sajuar një tërheqëse pastaj, nisi të gërmonte me thonj për të nxjerë gurët dhe inertet. Kur e mbushi slitën, u mbreh në të si kalë,litarin e vuri në gjoks dhe me mundim e tërhoqi osh mbi shina rreth dhjetë metra. Aty e shkarkoi. E bëri këtë punë sa u raskapit dhe thonjtë iu përgjakën. E pa me dëshpërim, ishte si të luaje një mal nga vendi. Iu duk vetja si një milingonë që merrte thërrimet e dheut për të hapur hyrjen e folesë së mbyllur. U kujtua për tjetrin. Mori thikën dhe iu afrua. Ai u lebetit.
        -Jo me thikë- i tha,- me plumb!
        Bledari e ktheu në brinjë dhe preu nyjen e litarit që i kishte lidhur duart.
        Tjetri, që s’po u besonte syve që e pa veten duarzgjidhur fërkoi kyçet e duarve.
        -Edhe në s’më vrave ti, do të des njisoj kah etja dhe kah uja.
        -Ti u nise për të bërë keq, por mos iu dorëzo të keqes. Sa të kem unë për të pirë, do të pish edhe ti, sa të kem unë për të ngrënë,do të hash edhe ti. Ose shpëtojmë të dy, ose vdesim të dy!  Çohu, të punojmë që të çlirojumë veten.
       Bledari ngarkonte sajën, Zllatko mbrehej si kalë dhe e hiqte branë deri te vendi  i shkarkimit.Punë skllavi. Koha kish humbur,si në kaosin para krijimit të botës.  nuk dihej ishte ditë apo natë, punonin deri në sfilitje. Flinin sit ë vdekur. Bateria e celularit mbaroi. Nuk dinin sakt sesa dit ishin rob të tunelit.Ajri  u rëndua. Kur mbaroi ai pak ujë, ndanë më dysh portokallin. Bledari e thithte ngadalë dhe ndjeu një shije të paprovuar, aq sa mendoi se s’ka gjë më të shijshme se një frut portokalli i pjekur mirë.Kalonin orë, kalonin dit e net, nga ushqimet të cilat Bledari i ndau barabar, s’mbeti asgjë përveç çokollatës që e ndanë dhe e hëngrën me peta të vogla.  Uria si një darë po ua shkulte vendit stomakun, po u priste barku, zorrët gërrisnin dhe nisi një si dehje e jerm, dhe para syve shfaqeshin njolla drite, menduan se kishte ardhur fundi.Shembja mizore e tunelit nuk kishte të mbaruar.Gjymtyrët u dhimbnin, litari u a kishte bërë plagë gjoksin. Forcat po shterrnin. Bateria e ndriçuesit të kaskës dhe elektrikut të dorës u mbaruan.Elektriku I dorës ndriste sa një xixëllonjë.Pa dritë.As ditë as natë veç  terr.Kështu të ishte vall ferri? Ishin dy hije që nisi ti mundonte etja dhe urija.Zllatko nga mënyra si frymëmerrte dukej që flinte.Bledari nisi të mendohej. Kishte shumë gjëra për të menduar por pak për të bërë.Sido qoftë, mendoi ai nuk ka asgjë që të mos durohet, edhe kur ajo bëhet mbinjerëzore, vuajtjet janë kalimtare.Jeta regëtin deri në çastine fundit kur ende s’kanë shterrur burimet. Nuk duhej dorzuar. Duhet të merrej vetja në dorë. Por si t’i bëhej ujit? Gryka ishte tharë, ishte mpiksur pështyma, ai s’ prodhonte dot më pështymë,  goja e gërvishur, e veshur me një lëndë veshtullore me shije të neveritshme, kordat e zërit ishin tharë buzët ishin rreshkur e çarë, kishin zënë kore të thatë, gjuha e trashur, ashpërsuar si copë dru . Gjaku ishte trashur dhe zemra mezi e shtynte. Herë pas here, niste një lemzë që i këpuste shpirtin. Etja nga nevojë ishte kthyer në sëmundje. Uji kishte për ta shëruar! Lëngu pa ngjyrë, pa shije, pa erë.Nuk ishte një lëng dosido, ishte si një hyjni, vetë jeta. Duhet të mungonte që të dije ta çmoje: ishte pasuria më e madhe në botë! Do të mjaftonin disa gllënjka që të ktheheshin fuqitë e braktisura,mjaftonin që të shpërthenin burimet e thara të jetës. Ai ndjeu keqardhje për veten, por më së shumti për njerëzit e dashur dhe i qau hallin, siç do të bënte me një mik. Pastaj erdhën haluçinacionet, kllapitë, iu shfaqën viset e bukura të vendlindjes, kur ishte ende fëmijë me prindërit, në livadhin e mbushur me lule ,duke ndjekur fluturat…. pastaj burimi, currili që rridhte nga lyfyti. Ai u turr për atje, por nuk e arrinte dot, burimi largohej e largohej. Pastaj, pavullnetshëm ra në gjumë.
      Zllatko në kllapi, përsëriste pa pra: ujë, ujë, ujë…pastaj çuditërisht se nga e gjeti  atë forcë brofi në këmbë dhe filloi të thërriste” Ehej, ehej, jemi këtu, ejani”- shkundi  Bledarin nga supi:
      -Shiqo ata po vijnë, janë dy minatorë, nuk po e sheh dritën e fenerëve?
      -S’ka asnjë dritë, është një kllapi- i tha, por Zllatko duke thirrur u zvarris t’u dilte përpara. Pastaj u kthye dhe nisi të qante nga dëshpërimi. S’ishte askush. Në vend të njerëzve po avitej vdekja.
     Kur I lanë forcat dhe hoqën dorë nga hapja e shembjes së galerisë, ata nisën të dërgonin sinjale duke goditur me gur damarët e xeherorit:Tri goditje, pushim, sërish tri goditje të tjera, ishte alfabeti me të cilin minatorët në nevojë kërkonin ndihmë. Goditje me gur bënin edhe mbi shina, me shpresë se vibrimin e tyre dikush do ta pikaste. Por edhe nga kjo s’dolli gjë. Kur ishin shkrehur tërësisht dhe I kishte lënë çdo shpresë, Zllatko që kishte mbështetur kryet në murin e galerisë, dëgjoi të goditura. Mendoi se I bënin veshët dhe ishte në kllapi, por goditjet dëgjoheshin qartazi.
     -Vëre veshin dhe ndigjo, po na kërkojnë!
     Bledari puqi veshin. Zllatko kësaj here nuk po gabohej.
     U ngritën me zor dhe duke u mbështetur pas paretit të galerisë u zvarritën gjer tek shembja. Goditjet e kazmave, me tingëllim metalik dëgjoheshin më qartazi. Ata tinguj u depërtuan në shpirt dhe i lidhën me botën e ëndërruar dhe njerëzit, që sido të panjohur, ishin sivëllezërit e tyre që po vinin ti shpëtonin.Filluan të thërrisnin, po ndryshe nga sa shpresonin, zëri dilte i dobët e i pafuqi.
5
           Pas një jave qëndrimi në Prishtinë te e motra,Egzona u kthye në Mitrovicë. Ditët që ikën, s’rreshti së kujtuari dhe menduari për djaloshin e gurëve të çmuar: buzqeshja e hijshme, ajo drita e ënbël e syve,tingëllimi i veçantë i zërit dhe ajo afëri mikluese plot të fshehta tërheqëse të atyre fjalëve që nuk thuhen por kuptohen, që pluskojunë në ajr si magji e një ëndërre, që zemra i kap e i ndjen vetiu. Edhe pse kishte droje t’ia thoshte vetes, ajo e pëlqente atë djalë! Pyeti gjoja si pa sajdi për të. I thanë se kishin dit që se kishin parë,por nuk ishte larguar, llogarinë se kishte shlyer dhe dhoma vazhdonte të ishte e zënë. Ajo u ngjit në dhomë.Gjithçka e tij ishte aty. Mbi komodinën e shtratit kishte mbetur një libër i hapur. Duke I ditur rreziqet në minierë, ajo telefonoi. I thanë se rojat ishin ndrruar sipas ndrresave, ekishin parë që kishte hyrë, por jo kur kishte dalë. Egzona pati parandjenjë se diçka e keqe mund të kishte ndodhur. Lajmëroi policinë. Drejtoria e minierës dërgoi një skuadër kërkim-shpëtimi. Ata e gjetën galerinë e shembur dhe nisën nga puna për ta hapur.
          Lajmi u përhap shpejt. Te hyrja u grumbullua një turmë kureshtarësh. Erdhi policia për të vënë rregull, një autoambulancë, me personel mjekësor. Egzona po përjetonte çaste ankthi e padurimi. Pas disa orësh, galeria u hap. Prej andej mbartën me barrela dy persona, që nga raskapitja nuk mund të ecnin.Me zë të shuar ata pëshpërisnin:”Ujë…ujë….ujë” zëri mezi u dilte nga buzët e çara e të rreshkura. Egzona njohu Bledarin,ai tjetri,ishte serbi Zllatko, që dit më parë e kishte pyetur për kërkuesine gurëve të çmuar.Ç’kërkonte ai vall në galeri? Hipi në autoambulancë, i lagu buzët me pambuk të njomur me ujë, i ngriti pak kokën me dorën e majtë dhe i dha për të pirë pak ujë. Ai s’kishte të ngopur,trupi i tij ishte tharë si shkarpë, por mjeku , që po kujdesej për tjetrin, i tha të mos e tepronte.
       Riaftësimi zgjati dit të tëra, fillimisht i ushqyen me supëra të holla dhe u bënë serume kundër dehidrimit. Egzona i qëndroi mbi krye deri sa atij iu kthye ajo buzëqeshja e hijshme dhe në sy iu drita e shpresës. Ai i dha numrin e telefonit që  të lajmëronte të atin në Berat.
        Zllatkon nuk e paditi. Ai e kishte marrë dënimin.
                                                          *          *           *
      I ati u trondit. I biri thuajse nuk njihej: I ligur si pas një lëngate të gjatë, në flokë i dukeshin thinja që ai s’i kishte patur,faqet të rrufitura, sytë të futur thellë,  e me hije të zezë ndën të, fytyra e zbehtë. Vetëm kur i buzëqeshi, i ati pa te ai birin e mëparshëm. E rroku fort.Ndenjën ashtu një valë herë.Pastaj e pyeti:
    -E gjete gurin e çmuar?
    -Po baba. E ke krah teje. Shihe: flokët e saj janë diamant i zi , sytë si dy smeralde , buzët rubin e opal, cipa e faqes qelibar e sedef. Është guri i çmuar i Mitrovicës dhe quhet Egzona. I kam borxh jetën. Bekimin tënd,baba!
    Të atit iu përlotën sytë. U vuri dy të rinjve duart mbi krye pastaj i puthi në ballë.   
    -Qofshi të lumtur!


        Tiranë, korrik-gusht 2016