Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Wednesday 25 January 2012

Poezia e Kristo Çipas, këngë e magjishme nga Bregdeti

image Kristo Çipa
Nga Fatmir Terziu

Kristo Çipa, është një emër që sot mund të shihet në një këndvështrim tresh. Treshja e tillë, treshja e këndvështrueshme e kësaj figure vjen rishtaz mes poezisë, ‘Grupit të Bregdetit të Himarës’ por edhe mes vetë folk-traditës që ai mban gjallë jo vetëm frymëzimin, por edhe tërë dimensionin jetë-udhëtim të vargreferimit të tij. Është vetë vargu i tij që mes këtij këndvështrimi trinonimik ai që qartëson tre detaje të vogla, por tepër domethënëse tek të cilat vetë jeta e poetit gjen prehje. Poezia “Deti” shkruar për të dëshmuar po aq mes valës ‘me shkëmbim xheloze’ po aq edhe me ‘tallaze kthjellime’ duket se i jep nder në renditje poezisë së tij ‘Pikë loti, moj Fotinë’ me të cilën ai dëshmon rrugëjetën e gjallë mes një historie të lashtë e krenare: “nëntë lebër vijnë/besë Konstandinë/për kapedan Nasen/detin e përpinë/aman Fotino/pikë loti/moj Fotinë’. Dhe këtu gjen vend mes lotit edhe titulli i vëllimit të tij poetik “Guri i rëndë në vend të vet” për të cilin poeti Besnik Mustafaj shprehet me një përcjellje miqësore. Ndërsa vargu i poetit qartëson “jam nga Piluri mbi dete/supe lart me krenari/trimërinë e kam me vete/zgjuarsinë e mbaj në sy’ fjala e Mustafajt të shpie në aromën dhe dritësinë e vargut të poetit Çipa “vargjet e Kristo Çipës kanë drita dhe aroma të forta, kanë ngjyra të theksuara e të gjitha këto të përthyera nga mjedisi ku jeton poeti’.
Për poetin piluriot Bardhosh Gaçe shprehet: “Shpirti i tij i thellë lirik, i mbështetur në muzën popullore të Bregut, ka dhënë frymëzime të bukura, vargje të gdhendura me ndjenja e emocione për dashurinë, duke e zbritur perëndeshën e bukurisë nga qielli në këto brigje joniane. Poezia e Kristo Çipës është një këngë e magjishme, me të cilën poeti shëtit nëpër brigjet e Himarës dhe Atdheut, duke u falur kohës dhe njerëzve më shumë dashuri dhe fisnikëri.”.
Por përse themi se poeti krijimtaria e tij janë në një këndvështrim tredimensional? Duke parë së pari poezinë shohim se ajo është një pikëkompozitë mes folk-poezisë dhe tradicionales popullore që hulumton, përcjell dhe forcon mesazhin urtor. Duke parë së dyti duartrokitjt e polifonisë himariote gjejmë forcën që ai i jep grupit polifonik të ‘Bregut të Himarës’ e sidomos asaj force që ai ka marë nga duartrokitjet në edicionin e 7-të të takimit muzikor "Recontre de Coralisula", që u zhvillua kohë më parë në Korsikë.
Duhet sqaruar se Grupi i Bregut të Himarës është një grup polifonik i cili pason traditën e grupeve të tjera më të vjetër të Himarës, Pilurit, Dhërmiut, të bregdetit shqiptar. Ky grup ka debutuar në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2004. Nën drejtimin e Kristo Çipës, grupi i Bregut të Himarës ka fituar çmime në Festivale të ndryshme si: Bylis Polifoni 2008, ISO POLIFONI Vlorë 2008, Berat 2008, Rapshtë 2009. Grupi është nderuar gjithashtu me titullin e Mirënjohjes së Labërisë. Vitin e kaluar Grupi i Bregut të Himarës mori pjesë në edicionin e 4-rt të Takimeve Muzikore të Dy Botëve në Kalanë e Gjirokastrës, të organizuar nga shoqata ‘Argjiro’. Grupi i Bregut të Himarës përbëhet nga Kristo Çipa, Eleni Joshi, Eleni Mërkuri, Dhimitraq Bala, Harilla Dhimo, Jani Qendro Zeneli, Foto Leka dhe Janaq Tata.
Dhe së treti ajo që cituam më lart është vetë lidhja anakronike e forcës që vjen mes vargut dhe dimensionit të polifonisë.
Në këtë lidhje jo më kot do të rishtrojmë pikasjen e Besnik Mustafajt se “Vargjet e Kristo Çipës kanë drita dhe aroma të forta, kanë ngjyra të theksuara e të gjitha këto të përthyera nga mjedisi ku jeton poeti.” Kjo natyrë përshkrimore deri diku përcakton mandej edhe orientimin e autorit drejt temës poetike dhe bëhet vlerë në komunikimin me lexuesin. Me fjalë të tjera, sipas Mustafajt, Kristo Çipës do t’i shkonte si lavdërim përcaktimi se është poet popullor. Përcaktimi i fundit si një poet popullor, mbetet një term rreth të cilit mjaft poezi të tilla si ‘jam nga Piluri mbi dete’; ‘Djalëria ime’; ‘Marshi i rebelëve 1997’; ‘Unë jam Damjani i Himarës’ etj ndërtojnë diskursin tipik të populizmit. Vetë populizmi mund të definohet si një ideologji, në tërë filozofinë politike të vargut, ose si vetë tipi i diskursit. Kjo është përcaktuar nga Cambridge dictionary si "ide politike dhe aktivitetet që kanë për qëllim për të përfaqësuar nevojat e zakonshme e njerëzve dhe dëshirat e njerëzve ".
Dhe këtë e bën në mënyrë të përsosur poezia dhë tërë vargu i poezisë së poetit Kristo Çipa. Ai mes poezisë ‘Lumturia jonë shkuar pasuri’ na dikton qartë se lidhja organike mes diskursit populist ka një shtrirje mes ligjësisë natyrore ‘burrë-grua’ ku vitet, koha dhe hapësira si dimension brenda vetë vargut na qartësojnë se ‘pasuria jonë, dhuratë perëndie/fëmijët në dhomë kupë lumturie/nuk na puthi kamja,neve s’u afruam,/s’na gostiti parja, as ne nuk e fituam.../
Ja se si shkruan Timo Mërkuri në një shënim të tij për këtë vëllim: “Ndërsa lexoja librin  poetik të Kristo Çipës “Guri i rrëndë në vend të vet”, pikërisht në momentin kur çfletoja faqen 14, gjatë leximit të vjershës “Jam nga Piluri mbi dete”,  te vargjet …Atje te lisat me hije/ Ku ka selinë perëndia…, pikërisht aty e gjeta vehten në pozicionin më të çuditshëm që mund ta mendojë çdo lexues. Në vend që të lexoja qetësisht vargjet, unë i këndoja ato. I këndoja sipas melodisë  të njohur të grupit të Kiço Çipës, grup i cili njihet si Grupi i Himarës.Unë po e këndoja librin varg pas vargu  e vjershë pas vjershe. Herë  duke e vënë vehten në rolin e marësit dhe herë  duke marë rolin e hedhësit me atë…hajde deee… magjike. Dhe më së shumti, duke i logatur  vargjet vetmevete.Ishte hera e parë që më ndodhte kjo, ndajë mornica më shkuan nëpër trup. Se të nisësh të lexosh e të përfundosh  duke kënduar ato që lexon… dhe aqë e zakonëshme nuk është.  S’di pse mu kujtua fakti se libri i leximit në shkollat fillore quhet libër këndimi, pavarësisht se s’ka të bëjë fare me nota muzikore dhe me këngë. Por ama, ato zëra fëmijësh, tek lexojnë në kor fjalët dhe fjalitë, veç me cicërima zogjsh të ngjasojnë. E këngë më të bukur se  ajo e zogjve  në pranverë, ju siguroj unë që nuk është dëgjuar ndonjëherë. Edhe kjo mund të ketë qënë një arsye që Naim Frashëri dhe rilindasit e tjerë, abetaret që hartonin i quanin thjeshtë; Këndonjëtorja  e…çunave. Gjithsesi, libra për t’u kënduar.  Zvëndësimi i  foljes “lexoj” me foljen “këndoj” ose edhe barazvlefshmëria midis tyre, s’di pse të krijon një ndjenjë kënaqsie dhe  mburjeje për diapazonin  harmonik të konceptimeve në gjuhën tonë.”
Së fundi duke parë dhe lexuar qartë diskursin në tërë aritmetikën e bollshme, plot 100 poezi të vëllimit “Guri i rëndë në vend të vet” ne gjëjmë filozofinë me të cilën rruga e poetit mbetet e hapur dhe e mirëpritur, si një këngë me jehonë magjike për vitet dhe brezat.

No comments:

Post a Comment