Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Saturday 21 January 2012

KËTO E TË TJERA







Nuk kam bredhur nëpër botë për të kërkuar shpirtin e
                                                                               humbur
si një Harold. Më ka mjaftuar ky atdhe ku rroj
edhe atëhere kur perënditë e rreme
e kapnin për fyti këngën time
dhe e përplasnin në harrim.


Nuk e shkova ndërmënd arratinë nga ky atdhe
prej guri, prej deti, prej telash me gjemba
edhe atëhere kur ato ato do të bëheshin
vuajtjet e mia, burgimi im.


Nuk doja të ikte Bilal Xhaferi.
Qava kur më la në duar sokëllimën e shpirtit
me jehonën që oshëtiu gjer në Amerikën e largët
dhe përjetë e humba zërin e tij prej laureshe.


Pse iku Kadareja nuk e kuptova kurrë.


Lëndohem kur shoh se përditë bjeret atdheu
dhe ne, të tjerë presim,
ta mbushim zbrazdësirën sadopak.


Për këtë e të tjera si këto
nuk e dëshirova
fatin e një Çajld Haroldi
të lodhur e të penduar
nga orgjitë londineze,
edhe pse e pat lëvduar karakterin dhe bujarinë time,
edhe pse e pat lëvduar fisin tim, të kapur fortë pas
                                                shkëmbinjve dhe ullinjve
    nën hijen
  e Akrokerauneve.

Sarandë, 2012



ANDREA 



Kur pres Andrea Zarballanë për të pirë kafen,
gjithmonë më duket sikur ai niset nga lashtësia për të
                                                                 mbrritur tek unë.
Vonon pak, sa të këmbejë dy llafe me Ezopin,
një sentencë me Kavafisin
deri sa  shfaqet te kthesa e bulevardit buzë detit
me flokët e tij prej pulëbardhe
dhe sytë si një diell i qetë mëngjesor.


Ato sy shkrepëtinin dikur. Papritur e papandehur
atë dritë, pas së cilës ishte marrosur,
ja mori Meri Zangali,
si për të feksur rrugën për ku ishte nisur.
Ja mori, ndoshta, sepse atje ku shkoi, 
ajo nuk mund të qetësohej dot pa atë dritë.


Ka njëzet vjet që Andrea gatuan për Merin
në kuzhinën e vetmuar
dhe u përgjigjet telefonatave të djemëve nga larg,
me zë të lartë, aq sa e dëgjojnë edhe fqinjët.


Ah, sikur, të shfaqej edhe një herë
zëri i saj nga ana tjetër e telefonit
dhe t’i kthente gjithë mobiljet rreth tij
në pemët e lulëzuara të Llazatit.


Përhumbem edhe unë,
ndërsa Andrea, më uron mëngjesin
dhe bën sikur ka mijëra vjet që jeta rrjedh e tillë,
sikur ka mijëra vjet që ne, te kafe “Riviera”,
në vend të cigareve,
këmbejmë poezitë në gjuhët tona,
unë si një De Radë, ai si një Kavafis.

No comments:

Post a Comment