Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Monday 23 January 2012

Diskursi i rezistencës në krijimtarinë e Minella Gjonit


image Minella Gjoni


Dr Fatmir Terziu
Çuditërisht për njeriun, ky diskursi i rezistencës! Më së shumti për mësuesin, studiuesin, hulumtuesin, kthyesin dhe transmetuesin e çdo vlere të ardhur nga skutat shekullore në germa të arta për brezat, kohërat e shekujt në ikje, vijim e ardhje... Një magazinë e pashtershme vlerash nën këtë ‘çudi’ që mbetet fakt teksa formon diskursin e rezistencës. Dhe kjo s’është në fakt ‘çudia’, por është aroma e largët e viteve që pasojnë ndikimin e urtësisë dhe mençurisë tek Minella Gjoni. Aroma e Shën Vasilit, jo thjesht si një gjeografi apo histori e vendlindjes, por si një ‘erë e asaj Shëvasie aq të dashur’ për të cilën Robert Martiko shprehet “Kur vija në fshat nga Vlora, për hir të dashurisë që më shfaqnin prindërit apo paraardhësit tuaj të dashur më dukej ky vend si një shtet brenda shtetit... Ku nuk vepronte fare e ashtuquajtura Luftë e Klasave, apo ato forca negative që juve vetë ju shtrënguan për tu larguar nga ai fshat i mrekullueshëm apo Vend Perëndish” (Martiko, Blogspoti kushtuar fshatit Shën Vasil). Në këtë udhëtesë grishëse tundimi i ‘çudisë’ vyshket tej dhe ardhjet na diktojnë amshin e një kohe tjetër që nguli tek studiuesi Gjoni, atë fëmijëri “gishtëprerë në vllazëri gjaku, përballë vështrimit bekues të shënjtorëve nga ikonat” (Papagjoni, shënim për librin e autorit: “Se jam nga Bregdeti”). Kjo ndodhte dhe vinte në rritjen e saj graduale mes aromës tipike të Bregdetit sepse “ai është nga ata djem të Bregut, modest e këmbëngulës, që ka kontribute, jo thjesht si një ndër personalitetet e arsimit në trevën e Jugut e më gjerë si “Mësues i Merituar”, por edhe për studimet e tij në rrafsh historik, folklorik, gjuhësor, gjithëheri për krahinën e Bregdetit” (ibid).
Me këtë rregëtim tipologjik të faktorit frymëzues në tërë aritmetikën e fateve, fakteve dhe materialeve, argumentave dhe dimensioneve, artikujve dhe konferencave, trajtesave e kumtesave të panumërta të Minella Gjonit, ajo që lidhet me librin është thjesht një dëshmi e strukur në qindra e qindra faqe që shënojnë libra të tillë si “Se jam nga Bregdeti” (rrjedhë historike), “Bregdeti dhe Ali Pashë Tepelena”, “Studim dialektologjik dhe toponimik i Bregdetit të Poshtëm”; “Vendlindja jonë Shën Vasili”; “Shën Vasil fshat i dëgjuar”,  Historia e shkollës Shënvasil”, “Bregdeti dhe Europa” dhe “Xhelozi pleqërie”.
Dhe ne, jemi gati pjesë e këtyre faqeve të shumta të librave të Gjonit, teksa aritmetika e tyre na përpin enkas “në histori betejash, emrash e kapetanësh të njohur, burrash të mençur, dijetarësh, klerikësh të lartë, vezirësh, administratorësh e hierarkësh autoritarë, ushtarësh, oficerësh e gjeneralësh që kanë shërbyer nëpër oborret mbretërore, filluar nga perandoria romake, Bizanti, epoka zulmëmadhe e Skënderbeut, mbretëria e Napolit, Spanja, Venediku, Stambolli, Austro-Hungaria, luftërat ruso-turke, Misolongji dhe revolucioni grek e gjer tutje në brigjet e Argjentinës dhe Amerikës së re” (Papagjoni, po aty). Por autori i dehur nga ‘aroma’ e hershme, nga trashëgimia ngacmuese dhe njohuria didakte nuk mbetet me kaq. Ai rrëmon e rrëmon deri në grimën e fundit për të kapërcyer shekuj e shekuj e për të sjellë fate dhe fakte të reja të diskursit të rezistencës, aq të vyer në një zonë-Perlë shqiptare të rrahur nga erozioni dhe agraviteti i historisë. Autori këtë shërbim nuk ia bën thjesht vetëm fushës me të cilën ai ndan jetën, por diskursi i tij i rezistencës është mjeti me të cilin qindra e qindra studentë të të gjitha niveleve, studiues e shkencëtarë, vendas e të huaj mund të kenë çelësin e mjaft arsyeve të kyçura me e pa qëllim. Jo më kot autorin e shohim në mjaft raste mes emrave më në zë të historiografisë shqiptare. Jo më kot! Ai është besnik në kërkimin dhe paraqitjen e tij dhe e sheh të pandarë pjesën e konsideruar nga tërësia e Europës, ndaj mëshon më së miri tek “Bregdeti dhe Europa”. Jo më pak tek “Xhelozi pleqërie” ku rrëfimet e tij janë pjesë e këtij diskursi. Janë 34 tregime me ngjarje reale të ardhura brezash, por në një këndvështrim letrar e një dioprinë moderne. Ky libër është jo vetëm me individualitet të spikatur dhe me tematikë e stil të admirueshëm, por edhe me nivel të lartë si në përmbajtje edhe në formën e të shprehurit. Më tej diskursin e rezistencës e bën më të arsyeshëm vetë shtrirja kohore në disabrezash e këtyre rrëfimeve, që sjell edhe mentalitete e zbërthime të psikës së personazheve që vijnë si individualitete të pangatërrueshëm. Një rrëfim i zhdërvjellët, mes rrëfimit  kronikan, letrar e gazetaresk  bën që të lexohen me një frymë rrëfimet e librit më të fundit “Xhelozi pleqërie” të Minella Gjonit, por edhe shton më tej forcën e diskursit të rezistencës me të cilën studiuesi dhe hulumtuesi Gjoni dihat mes kohërave për kohërat.
Nga ana tjetër “Bregdeti dhe Europa” i autorit Minella Gjoni (Mësues i Merituar) është çelësi në morinë e shumë hyrjeve që historia u ka lënë shqiptarëve në sënduqe të heshtura kornizave dhe shtjellave lëmishkore. Historia e një treve si Bregdeti, me të veçantat e veta gjeografike, sociale e mitike, është parë në një këndvështrim të ri nga studiuesi Minella Gjoni. Tek “Bregdeti dhe Europa”, kjo histori vjen e parë në raportet e hershme me Mbretërinë e Napolit e deri në ato me Francën e Egjyptin. Në libër analizohen marrëdhëniet e krahinës së Bregdetit me Papatin e Romës, më tej me Spanjën, apo me Venedikun, për të vijuar me Rusinë e Austrinë, me Turqinë e Greqinë, si dhe me Francën e me Egjyptin. Diskursi i rezistencës në këtë vepër është një pasim i dukshëm i veprave paraardhëse të autorit, edhe pse këtu ai është më i ndjeshëm dhe tejet transparent. Josif Papagjoni në njëfarë mënyre i parafrohet këtij diskursi kur citon “Ky fis kaonësh epirotë, shqiptarë me rrënjë ngulur thellë në shekuj, trima e atdhetarë të flakët, rrëmbyen vëmendjen e Bajronit duke i inspiruar atij ekstazën e njohur poetike tek “Çajld Harold”(Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun/ si mund ta lënë të gjallë armikun?!); gjithpo aq grishën penën e francezit Pukëvil, vlerësimet e konsullit anglez Lik, shkrimet e Edith Durhamit. Brigjeve të ashpra të kësaj krahine me Akrokeraunet (Mali i vetëtimave ku Zeusi godiste me shigjeta flakërimash), i është adresuar vetë Homeri tek “Odiseu” e më pas Virgjili” (ibid).
Për librin “…se jam nga Bregdeti – rrjedhë historike”, të Minella Gjonit, Papagjoni është shpehur “Është e çuditëshme se si kjo krahinë, e djegur, e rrënuar dhe e shpopulluar dhunshëm nga luftrat, emigrimet, epidemitë shfarrosëse dhe fatkeqësitë natyrore disa herë, sërish është ringritur nga gjaku dhe kuja si Anteu, dhe sërish ka rilindur nga hiri dhe zjarret si zogu Fenix. U dyndën aty: romakë, gotë, vizigotë e ostrogotë, hunë e arabë, bullgarë e bizantë, normandë e venetikas, anzhuinë e turq, andartë grekë, fashistë italian e nazitë gjermanë; vranë, prenë, shkatërruan, dëbuan, dogjën (vetëm gjatë luftës civile midis legjioneve të Qesarit dhe Pompeut u dogjën 70 fshatra, Ali Pasha bëri kërdinë dhe i vuri zjarrin Bregut të poshtëm me ambicjet prej turkoshaku), - por njerëzit e saj hyjni patën tokën ku kishin lerë edhe etrit e tyre, besimin e patundur tek zoti dhe feja që kishin përqafuar, krenarinë për identitetin” (Papagjoni, po aty).
Mes këtyre pikasjeve të Papagjonit dhe mjaft thënieve e arsyeve të sjella në forma të tjera nga studiuesi Xhufi në komunikimet shkencore me autorin, po aq në vetë argumentet që vetë autori sjell për fate të pashkruara më parë, shihet qartë forca e diskursit të rezistencës që sqarom më tej se “Bregasit nuk kanë qenë shquar vetëm për nepsin e pashuar ndaj lirisë, por edhe për kulturën e jetesës e më gjerë. Kur gjithkund Shqipërisë flihej në rrogoz, piktori anglez Eduard Lir shprehte kënaqësinë që pat fjetur, në fshatrat e Bregut, në krevat me sustë dhe çarçafë të larë. Në fletët e librit lexuesi ndjen edhe etjen e përhershme të bregasve për dije, shkolla, kulturë. Të panumërt janë mësuesit, veprimtarët e kulturës, artistët, studiuesit: 65 profesorë e doktorë shkencash, 16 Mësues të Popullit dhe Mësues të Merituar, 13 Artistë të Popullit dhe Artistë të Merituar, rreth 100 shkrimtarë e publicistë të njohur në rrafsh kombëtar” (ibid).
Ndërsa citojmë dhe marim në konsideratë veprën e Gjonit, të ndërlidhur me diskursin e rezistencës, duhet sqaruar se fjala ‘rezistencë’ me të cilën ne kumptojmë tërësinë e lidhjeve historike, nuk është thjesht arsyeja për mbijetesë, madje as edhe vetë nocioni i saj historik. Me këtë kontekst përfshihen të gjitha anët strukturore, kulturore, sociale dhe shkencore me të cilat format e diskursit formojnë vartësinë e rrjedhës së gjërave në histori, por edhe në kërkimin e fateve dhe fakteve që përcaktojnë vetë ato struktura. Le të konsiderojmë edhe fatin që një trevë e tillë, të cilën mjeshtërisht e dekodon për të gjithë lexuesit autori Gjoni, ka patur në shekuj, por edhe e konsideruar në emra konkretë të cilën përbëjnë krenari dhe lavdi për të. Në të njëjtën kohë vetë diskursi i rezistencës në këta emra gjen arsyen të flasë më qartë. Ata sipas gjetjeve të Papagjonit janë “Ashtu si galaktikat, ndrisin mes këtyre emrave opuset e njerëzve të shquar të penës, të mendjes e të fantazisë si Petro Marko, Spiro Çomora, Dhimitër Anagnosti, Robert Ndrenika, Diana Çuli, Odise Grillo, Anastas Kondo, Neço Muka, Lefter Çipa, Llambro Ruci, Aleks Çaçi, Spiro Gjikondi, Andrea Varfi, Myzafer Korkuti, Adriatik Kallulli, Miho Gjini, Spiro Shkurti, Sulejman Mato, Viktor Qurku, Ilirian Zhupa, Alqi Lepuri, Andon Qesari, Anastas Kristofori, Sheri Mita etj. Nga Bregdeti ishin Spiro Jorgo (Koleka), Xhorxh Tenet (ish shefi i CIA amerikane), Melina Mërkuri (ish ministre e kulturës së Greqisë), apo Spiro Koleka e Gogo Nushi, Stefan Papagjoni, Mantho Bala, Jorgo Milica e Myzafer Ahmati, Paskal Milo e Petro Koçi, luftëtar si Zaho Koka, Kozma Nushi, Vasil Laçi, Mitro Xhani, Persefoni Kokëdhima, portjeri i kombëtares Foto Strakosha, komentatori sportiv Valdimir Grillo, mjeku Besim Elezi, juristi Ismet Elezi, heroina Maro Konda që u hodh nga gremina për të mos rënë në duart e turqëve dhe i tërhoqi pas edhe ata vetë…” (ibid).
Pra shihet më së qarti vetëm edhe fakti i fundit i cituar i ‘Maro Konda’, mes të cilit diskursi i rezistencës forcon bindjen në këtë lidhje ku sedërtohet filozofia e studimeve të Minella Gjonit. Argumentet hulumtuese, faktet e ardhura nga qindra burime të besueshme, debati në heshtje me disa jo-argumentime të shfaqura, apo ‘goditja’ në heshtje shton më tej rëndësinë e leximit të Gjonit dhe cilësimin e studimeve dhe krijimeve të tij të besueshme dhe të qëndrueshme.
Për këtë le të rikthehemi paksa tek tregimi “Shpirti i nënës së një të cmenduri”, tregim të cilin autori e vendos në rrjeshtin e “Xhelozi pleqërie”. Aty gjejmë tipare të tilla rezistence dhe dashurie si “Një shtëpi e vjetër ndodhej në krye të fshatit”; “ngrehinë shkatarraqe”; “xhaketa e vjetër”; “I vetmi banor i mureve të rrëzuara ishte Moisiu, i sëmuri nga trutë – si e thërrisnin”; “gërmadhat e shtëpisë së gjyshit të vdekur”; “të ëmën e donte shumë”; “misërniken ia servirte e ëma”; “Mushkonjat atë verë kishin mbuluar dhenë”; “Moisiu i çmendur e kuptoi se e ëma ishte shumë sëmurë”; “dyshekun me kashtë”; “Loti i të çmendurit të kthjellët dhemb deri në shpirt”; “Me duar bënte sikur ia hiqte zjarrin nga balli, por prapë asaj trupi i digjej furrë”; “Se si do ta shëronte Moisiu të ëmën, një zot e dinte. Ç’bluante vallë truri i tij i kthjellët në çmenduri!? Ç’pjesë të shpirtit të tij do t’i falte ai së ëmës?” “Se si do ta shëronte Moisiu të ëmën, një zot e dinte. Ç’bluante vallë truri i tij i kthjellët në çmenduri!? Ç’pjesë të shpirtit të tij do t’i falte ai së ëmës?”; “Shikimin e hodh tutje, në grykat e Skotinisë së Zhulatit përkarshi. Duke picërruar sytë, mundi të dallonte së largu ca copa bore të ngrirë”; “mbushi thesin me dëborë të ngrirë”; “Ndjeu një lehtësim në shpirt”; “Unë do ta shëroj nënën. Unë do ta shëroj nënën”; “Nëna po ikte, po ikte duke pasë mbi ballë një copë bore, duke pasë mbi ballë një dorë dhembshurie, një copë sakrifice nga i biri i saj i çmendur. Në  kthjelltësinë e çmendur, Moisiu e kuptoi që e ëma ndërroi jetë. Klithi, lebetiti e ulëriti mbi të ëmën. Përpiqej t’i hapte sytë, buzët. I donte shikimin, buzëqeshjen, por merrte veç ngurtësimin e trupit. E rrotullonte si për ta ngrohur, si për ta gjallëruar. Nuk e shkëpusnin dot nga trupi i së ëmës si për të ngelur përjetësisht aty, bashkë edhe përtej vdekjes...” etj.   
Në qetësinë tonë më të madhe kuptojmë këtë përshkallëzim figurativ me tension, qëllim dhe dimension force. Lexojmë forcën dhe arsyen. Kuptojmë pra diskursin e rezistencës me të cilin edhe fjala ‘i cmendur’ dështon. Këtu qëndron forca e autorit edhe pse në këtë rast është tregim, rrëfenjë, fikshën.                                                                                     

No comments:

Post a Comment