Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 19 February 2012

Dy shkrime në një për të prezantuar kantautoren dhe poeten Eli Rizo


Bardhyl Maliqi
                      
“NGA SARANDA NË NEW YORK” përjetuar si një befasi e këndshme dhe si një mëkat
Me këngëtaren brilante Eli Rizo jam njohur qysh nga koha kur unë isha nxënës në shkollën e gjuhëve të huaja në Tiranë dhe ajo nxënëse në gjimnazin “Hasan Tahsini” në Sarandë, ku qëndroja në darkë deri në mesditën e së nesërmes. Ajo shoqërohej shpesh me kushërirën time të parë, ndaj kam ndjekur edhe debutimet e saj në skenën e Estradës Profesioniste të Sarandës, ku dukshëm spikaste talenti dhe vibronte zëri i saj i magjishëm. Me ftesën e Bashkisë Sarandë dhe tonin si Klub Krijuesish jonianë  ajo erdhi për të prezantuar albumin e këngëve të saj në Sarandë, në një mbremje të paharruar ku Eli Rizo do të ishte protagoniste kryesore.  Arsyeja e veçantë dhe e përbashkët pse bashkia dhe ne si shoqatë krijuesish e ftuam kantautoren ka qenë adhurimi për zërin melodioz të Eli Rizos, që sapo kishte prezantuar albumin e saj të parë muzikor. Ajo dhe ne dëshironim që ajo t’i këndonte këngët e ketij albumi  në qytetin e saj të lindjes. Një arsye e dytë qe edhe dhimbja për vuajtjet dhe privacionet që i pat sjellë asaj lufta e klasave dhe humbja e vajzës 21 vjeçare. Atë natë të 9 gushtit 2009, në mjedieset e lokalit bregdetar “Palma”, atje te Turizmi i Vjetër, unë mbajtja fjalën e rastit, një fjalë që më buroi nga shpirti si për asnjë nga krijuesit e tjerë, pasi Bilal Xhaferin, Visar Zhitin, Agim Maton dhe Eli Rizon, gjithmonë i kam dashur veçanërisht, pikërisht për talentin e nëpërkëmbur dhe vuajtjen që ata kanë përjetuar në diktaturë. Pasi lexova librin kam ndjerë një ndjenjë kënaqësie, por edhe një  dhimbje të re.
E para ishte dhimbje disi personale, në libër nuk ishte përfshirë fjala ime pritëse, as Dokumenti i ANËTARES SË NDERIT të Klubit të Krijuesve Jonianë ELI RIZO, as çerttifikata e mirënjohjes së Bashkisë, përfshi edhe momentin kur nënkryetrja e Klubit Irena Gjoni i dorëzon Çertifikatën Zonjës Eli Rizo, por kishin zenë vend mjaft shkrime të tjera biografike, të nevojshme në raste si ky, por dhe një pblicistikë e panevojshme dhe empirike, pa ndonjë vlere të veçantë për poezinë dhe muzikën e Eli Rizos. Problemi i dytë i madh ishte se poezia e librit nuk ishte tërharur nga grami dhe krisjet. Eli ka shpirt lirik, zë melodioz dhe dhimbje, shumë dhimbje të provuar në dramat e jetës. Kjo i jep mundësinë të këndojë bukur, mallëngjyshëm; të të trondisë me zërin e saj. Por Eli nuk ka pasur mundësi për t’u shkolluar për muzikë dhe poezi, talenti saj është spontan,ndaj ajo ka pasur nevojë për t’u ndihmuar me shpirt, siç u ndihmua për këngën nga njerëz profesionistë në Sarandë, Athinë e New York.
 Në tekstet poetike e Abumeve muzikore  kjo krehje është bërë dhe këto tekste, megjithëse në dukje të thjeshta pulsojnë prej dashurisë dhe dhimbjes, të mahnisin me   madhështinë e së thjeshtës. Këto i përjetova ditët kur 1000 CD të Elit tronditën të gjitha lokalet e qytetit, autobuzët turistike dhe makinat e të rinjve, por i përjetova edhe tashti, gjatë leximit të këtij libri. Për to nuk ka një studim të mirfilltë, bile asnjë analizë apo koment, ndërkohë që poezitë e tjera janë prolikse dhe ai dritësim i veçantë i Talenitit artistik të Elit ka humbur në morinë e dhimbjes njerëzore. Edhe kjo do të ishte një punë e vlefshme që mund dhe duhej bërë. Këtë ja kemi borxh Eli Rizos. Na fal Zonja Eli, por unë do ta shlyej në një të ardhme të afërt këtë mëkat, dhe shpërblimin e di. Është kënga jote e mahnitshme, që ne s’na ka munguar kurrë!
Miqtë e mi, janë të thjeshta tekstet poetike të Elit, por kanë jetën brenda, privacionet e pafundme të saj rrugëve të atdheut: Sarandë, Fierzë e Shkodër dhe rrugëve të botës: Shqipëri, Greqi, ShBA, kanë lidhjen e pazgjidhshme te njeriut me vendlindjen, një raport romantik që vjen qysh nga poezia e rilindjes, një unitet identifikues i pashoq: "Ti je unë e unë jam ti/ të kam nënë më ke fëmijë.../ rrugëve të botës kur kaloj/ jam Saranda, vetë këndoj...” Të tilla, brilante rrezëllitëse janë tekstet e këngëve të Elit, ndaj më kujtojnë magjinë hirëplote të Këngës “Moj e bukura more!” apo “Ç’u gremis një këngë mali...” Një kafe te Limani, Një hallexhi, Pëllumbat, Mesazh etj.
“Një kafe te Limani” ka një kontekst referues të veçantë, që iu jep krahë disa përjetimeve emocionale që transmetojnë mesazhe të mëdha. Autorja përjeton shqetësimin e mungesës “Ku të jenë ata që dua,/të pinë një kafe me mua?” Dëshpërimin e mosardhjes së miqve “Dëshpëruar,/mblodha Sarandën në duar,/e vura në tavolinë,/i solla të gjithë atje,/ për pak...// Më thanë, mos u largo!/ mos na u plak!” Dhe pas këtij klimaksi artistik vjen dhe zgjidhja filozofike: “Hapa zemrën dhe vetë në tavolinë,/që t’iu them,/për Ju të Dashur!/Do ta vras pleqërinë! Kështu ripoetizohet dy nga motivet më të hershme të lirikës shqipe, ai i Mosplakjes dhe ai i Vdekjes së Bukur. (Këtë shkrim do ta vazhdoj...)
FJALA E MIRËSEARDHJES PËR VEPRIMTARINË ARTISTIKE TË KËNGËTARES ELI RIZO
Mirëserdhe, zonja Eli, në qytetin tënd të lindjes, në Sarandën tonë të bukur, që ti aq përmallshëm i këndon. Zëri yt është si nënkresë vale, kumton në shpirtin tonë ndjenja të bukura e humane, ai na  frymëzon për vepra dinjitoze, na magjeps me thjeshtësinë e tij të natyrshme, me  kredon humane, me plotërinë e tij hirplote, me kumtin e tij të pafjalë.
Kur dëgjova sidinë e këngëve të tua duke shëtitur qytetin apo kur udhëtoja për fjalët poetike në Korçë, Pogradec, Strugë, Shkup e në Tetovë, gjithkund kam marrë zërin tënd me vete, kudo më ka shoqëruar magjia e ëmbël e fjalëve të tua, e këngëve të tua.
Ndaj të kërkoj ty në fytyrën e majit e të gjej në trëndafilat e erës, në valëzimet e detit, në shkallaret me bukovile, në kundërmimin e blinjve dhe menekçeve, në gonxhet e lulemanjolave, në e-mailet e Xhorxhit, në kujtesën e Nikollaqit, në vargjet e Agimit, në makinën e Halitit, në fjalët poetike të Nikos, tek pizzeria e Pipos, kudo...
Ndonëse shpesh në rrugë kaloj i heshtur e i vetmuar, mbaj sytë poshtë e kokën ulur, kjo nuk do të thotë se brenda meje mungojnë hapësirat e kaltra, me dritën farfuritëse të këngëve të tua, me gjelbërimin e përhershëm dhe drithërues të mallit, brenda meje pluskojnë pulëbardhat e mendimit si drita e fareve, rrahin krahët skifterët e dhimbjes e të krenarisë sublime.
Shpirtin tënd të bukur nuk e kërrusën dhimbjet, ai nuk u plasarit e nuk u ça si tokë e shkretuar prej mungesës së ujit dhe plugimit se ti dite ta vadisësh me dashuri njerëzore, me sublimitetin e krenarisë tënde virgjine, me përvojën e mënçur të vuajtjes e të durimit. Zëri yt ka thirrur gjithmonë për pak më tepër dinjitet njerëzor, se ju jetoni në viset me diell, ku ylberët e ngjyrave të diversitetit njerëzor janë gjithkund të vlefshme dhe të pranueshme, ku kjo larmi ngjyrash nuk zhduket kurrë, pasi ajo ka lindur bashkë me demokracinë, është thelbi dhe shpirti i saj.
Ndaj kur ju takova e ndjeva pranë magjinë e zërit tënd, kur këndoje për limanin e feminisë dhe njerëzit që ke njohur dhe ke dashur, më dukej se ti këndoje edhe për mua, këngën tënde më të re e hirplote, dhe në ato çaste të bukura më dukej se të rrezëllinin në sy të gjitha ngjyrat e planetit dhe mbusheshim me frymë nga lumturia e çastit që na rrethonte, ndërsa binte ngadalë muzgu i ngrohtë me një kuqëlim e kaltërsi gati të tejdukshme si qelq, si qelqet e mallit në dritaret e zërit tënd.
Si ke mundur ta latosh kaq bukur shpirtin Eli Rizo, si ke mundur t’i shkulësh gjembat e urrejtjes dhe të mbjellësh vetëm grurë e lulekuqe në tokat e dashurisë, për të gatuar me to bukën e ëmbël të këngëve dhe të fjalëve të tua. Ti vuajte bashkë me ne egoizmin absurd të lirisë së të tjerëve, të atyre që të kyçin ëndrrat në sirtaret e molës për të dëgjuar muzikën brejtëse të krimbave të drurit. Ti munde të ishe më e lirë se skllevërit e doktrinave, se ata i kanë pasur gjithomë prangat në mendjet e ndryshkura dhe në shpirtrat e molepsur, “skllavja jonë Izaura”. Në mos gaboj kështu të thërrisnin në Shkodër, në qytetin ku fjalët “dritë, demokraci, liri dhe dinjitet njerëzor” janë të barazvlefshme.
Eli, ne sot të rrethojmë me dashurinë, dhimbjen dhe shpresën e bukur që ti ke mbjellë në shpirtrat tanë të etur dhe të trazuar me magjinë hirplote të  këngëve të tua. Eli, ne e dimë mirë se njeriu nuk ka nevojë vetëm për hierarkinë e nevojave bazë, për bukë, ujë e ushqim, as për strehimin që ne të dyve aq shumë na mungon, por edhe për dashuri e përkatësi që ti dhe këngët e tua me aq të drejtë e kërkoni dhe e gjeni tek zemrat e mira të njerëzve të këtij qyteti, tek nostalgjia dhe malli për Sarandën tonë.
Njerëzit kanë nevojë edhe për motivim e vlerësim dhe sinqerisht unë dhe miqtë e mi, besoj se edhe të gjithë të ftuarit tanë sonte, ju nxisim dhe ju inkurajojmë për rrugën e bukur të krijimtarisë tënde artistike, ju vlerësojmë lart, jo vetëm për fjalët e ngrohta e mallzhuritëse të këngëve të tua, por edhe për meloditë aq të ëmbla, zërin magjepsës dhe punën e bukur orkestruese dhe harmonike të miqve dhe të bashkëpunëtorëve të tu.
Zonja Eli, ne ndihemi krenarë që të kemi mes nesh dhe duke të bërë Anëtare Nderi të klubit tonë krijues ne synojmë t’i përfshimë brenda vetes të gjitha vlerat tona të kulturës qytetare, që sot shtegtojnë rrugëve të Evropës, Amerikës, Kanadasë e Australisë. Saranda ka shumë krijues Eli, të gjinive, llojeve e zhanreve të ndryshme, por ti je një prej shembullimeve tona të bukura e impresionuese, pasi ti me vullnet dhe pasion ke ditur të ngrihesh mbi sfidat e mbrapshta të persekutimit e diskriminimit, duke e zëvendësuar shkollimin me punë e pasion gjigand, duke kapërcyer me fuqi krijuese mbi dhimbjet personale që të la mungesa e Lirikës 21 vjeçare, vajzës tënde, ëngjëllit tënd të bukur.
Me këngët e tua ti pate aftësinë dhe mirësinë për të na treguar ne të tjerëve se ç’energji krijuese ka dhimbja dhe dashuria njerëzore. Klubi i Krijuesve Jonianë të falënderon Eli për gjithë punën tënde krijuese, për mirësinë që pate të jesh sonte mes nesh. Dhe dije se ti do të jesh gjithonë e mirëpritur në zemrat tona!
                        

No comments:

Post a Comment