Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday, 19 January 2012

Rabindranath Tagore: ZOGJTË SHTEGËTARË


Përktheu: ENVER ISUFI

Dy fjalë për Rabindranath Tagore


Rabindranath Tagore (forma angleze e mbiemrit të vërtetë Thakur) lindi në Kalkuta më 6 maj 1861 në një familje fisnikësh të vjetër e me tradita të shquara letrare. Babai, Debendronath Tagore, ka një emër të madh në historinë fetaretë Bengalit. Vëllezërit ishin tashmë ose do të bëheshin shkrimtarë, muzikantë, artistë.
Njëra nga motrat ishteshkrimtarja e parë bengaleze, autore e një numëri të madh romanesh, tregimesh e sagash. I riu Rabindranath pati kështu mundësinë të piqej në një ambient letrar e kulturor shumë të pasur, të hapur ndaj të gjitha korrenteve filosofike e letrare indiane dhe perëndimore. Kur ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç, më 1875, publikoi poezitë e tij të para në një revistë letrare me emër të Kalkutës. Pa mbushur njëzetë vjeç doli me përmbledhjen poetike të titulluar Prabhat Sangit (“Këngët e mëngjesit”), e ndjekur nga Sandhya Sangit (“Këngët e mbrëmjes”). Naivedya që pasoi këto dy përmbledhje, me 100 sonetet e saj solli inspirimet filosofike të Bengalit e mbi të gjitha konceptin upanishadik të shfaqjes kozmike të zotit.
Më 1877, u dërgua nga i ati në Angli për të studiuar për drejtësi. Në Londër frekuentoi University College, shfaqi interes, si të thuash, nga pak për çdo gjë, por mbi të gjitha për letërsinë dhe muzikën europiane.Pas katërmbëdhjetë muajsh u kthye në atdhe, pa u diplomuar. Në Indi vazhdoi të shkruajë poezi dhe saga. Më 9 dhjetor të vitit 1883, kur ishte veçse 22 vjeç, u martua me Mrinalini Devi-n. Më 1890 kreu një udhëtim të dytë në Europë, duke përshkuar Italinë, Francën dhe Anglinë. Më 1891 u emërua zëvendëspresident i Akademisë Letrare të Bengalit. Nga ky moment Tagore, që në dyzetë vitet e para të jetës së vet i ishte dhënë krejtësisht aktivitetit letrar, shfaq interes për formimin e të rinjve dhe i dedikohet aktivisht jetës politike të vendit të vet. Më 1901 themelon në Shanti Niketan një shkollë që më vonë do të bëhet Universiteti Ndërkombëtar Visva-bharati.
Në vitet që pasuan u godit nga një seri fatkeqësish që lanë gjurmë të thellë në jetën e tij dhe në idetë e tij: në nëntor të vitit 1902 i vdes e shoqja, më 1904, e bija, më 1905 - babai, më 1907 - djali i madh. Tek koka e shtratit të vdekjes së të bijës shkroi Sisu,” Fëmija”, që më vonë u përkthye në anglisht me titullin Crescent Moon (Hënë e re). Midis 1909 dhe 1912 shkroi Gitanjali (Hitanxhali) një seri poemash mistike me të cilën është e lidhur fama e vet. Pastaj u nis për një udhëtim konferencash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e prej këtej, më 1912 shkoi në Angli, ku takoi Erza Pound e William Butler Yeats(Kits), dy poetë që e bënë të njohur në kulturën perëndimore. Gjatë udhëtimit, Tagore kishte përkthyer në anglisht disa krijime të tij. Dorëshkrimet e këtyre përkthimeve i ranë në dorë të W..B.Yeats, që ngeli i befasuar prej tyre. Në nëntor të vitit 1912 këto poezi panë dritën e botimit nën titullin Gitagnali (Hitanxhali), me një hyrje të Kits, për të cilin ju akordua më 1913 çmimi Nobel. Më 1915 qeveria angleze i dha titullin Sir, (Sër), titull që Tagora e ktheu në vitin 1919 në shenjë proteste kundër masakrës që kreu ushtria angleze në Punjab. Në vitin 1916 vizitoi Japoninë dhe më 1917 gjendet në Shtetet e Bashkuara, për një tjetër xhiro konferencash. Zgjidhet persident i Kongresit Kombëtar Indian në Kalkutë. Në këto vite Tagora dëshiron zgjerimin e shkollës së Shanti Niketan. Për realizimin e këtij projekti ka dorëzuar tashmë shumën e marrë për çmimin Nobel, të drejtën e autorit për librat e veta dhe pronësinë e Shanti Niketanit, por shifra nuk ishte ende e mjaftueshme. Vendos të udhëtojë për 14 muaj rreth botës në kërkim të financimeve të tjera. Më 1921, më në fund , inaugurohet Universiteti Ndërkombëtar Visva-bharati (ky emër rrjedh nga një varg i sanskritishtes që Tagore e zgjodhi si moto të Universitetit: Yatra Visvam bharati ekanidam, “Atje ku e gjithë bota bashkohet në një fole”)
            Në vitin 1922 viziton Francën, Anglinë, Danimarkën, Suedinë dhe Gjermaninë, në 1924 Malejzinë,Kinën, Japoninë, në 1925 është në Itali, mysafir i qeverisë italiane. Emërohet president i Kongresit Filosofik të Indive. Midis viteve 1926 dhe 1931 kreu udhëtime të panumërta anembanë dheut: Zvicër, Austri, Farancë (ku është mik i Romen Rolanit), Angli, Norvegji, Jugosllavi, Bullgari, Rumani, Turqi, Greqi, Egjypt, Malezi, Kinë, Japoni, Kanada, Indokinë, Danimarkë, Rusi, SH.B.A. Gjatë gjithë këtyre udhëtimeve parashtroi idetë e veta dhe mblodhi fonde për Universitetin e Visva bharatit. Në Europë dhe Shtetet e Bashkuara ekspozoi edhe pikturat e veta, duke venë në dukje një tjetër pamje të gjenisë së vet krijuese.
            Tagore është tani shtatëdhjetë vjeç, fuqia e tij dalëngadalë bie nga aktiviteti intensiv. Pas një udhëtimi të shkurtër në Ceilon më 1933, nuk e braktisi më Indinë, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në Shanti Niketan. Këtu mosha e thyer bëri të vetën dhe rëndoi gjendjen e tij të përgjithëshme. Tagore u çua në Kalkuta, ku vdiq në moshën tetëdhjetë vjeçare në shtëpinë e tij të lindjes, më 7 gusht të vitit 1941.
           
  Përgatiti :Agim Mato






* * *
 Zogjtë shtegtarë verës rrahin krahët në dritare që të më këndojnë këngën e tyre dhe të fluturojnë larg.
Gjethet e verdha të vjeshtës, të cilat nuk kanë këngë, drithërohen e bien përtokë dhe mbeten pranë meje duke psherëtirë.
* * *
O tufëz e shtegtarëve të vegjël të botës!.. Lerini gjurmët e hapëzave tuaj në fjalët e mia.

* * *
Bota e heq maskën e vet përpara të dashuruarve. Atëherë ajo bëhet e vogël si një këngë, si pavdekësia e një puthjeje.
* * *
Me lotët e saj toka ruan tek lulja buzëqeshjen e vet.

* * *
Shkretëtira vigane e than nga dashuria kërcellin e fijes së barit.
Ndërsa fija e barit përkul kryet, buzëqesh dhe largohet duke fluturuar... s’di se ku.

* * *
Në qoftë se ti derdh lotë se nuk ka diell, atëherë s’ke për të parë as yjet.
* * *
Kokrrizat e rërës nëpër udhët ku rrjedh, kërkojnë prej teje këngën dhe lëvizjen, o ujë.
A do ta mbartësh dot barrën e palëvizshmërisë së syre?...

* * *
Fytyra e saj e trishtuar nuk po ndahet nga ëndrrat e mia si shiu i natës.
* * *
Dikur na dukej se ishim të huaj... Ne befas u zgjuam nga gjumi dhe pamë se ishim të dashur për njëri-tjetrin.

* * *
Qetësia zbret në brengën e zemrës sime, ashtu siç zbret mbrëmja nëpër drurët e heshtur.

* * *
Dikush me gishtrinj të padukshëm, si një fllad i lehtë, luan në zemrën time muzikën e currilave gurgullues.

* * *
“Ç’kuptim ka fjala jote, o Det?” “Është fjala e pyetjes së përjetshme”. “Me ç’gjuhë i përgjigjesh ti, o Qiell?” “Me gjuhën e heshtjes së përjetshme”.

* * *
Dëgjoi, o zemra ime, pëshpëritjet e botës me të cilat ai  flet për dashurinë që ka për ty.

* * *
Si errësira e natës është e fshehta e krijimit, e paarritëshme. Iluzionet e diturisë janë mjegulla mëngjezore.

* * *
Mos e mbill dashurinë tënde mbi greminë, se ajo është tepër e thellë.

* * *
Sot në mëngjez qëndroj në dritaren time; pas saj bota si një kalimtar, ndalet një çast, më përshëndet me kokë dhe shkon më tutje.
* * *
Këto mendime të vogla janë si një fëshfërimë gjethesh; të njëjtën pëshpëritje të gëzuar ndjej në shpirtin tim.

* * *
Se çfarë je në të vërtetë nuk e shikon dot; ajo që shikon ti është hija jote.
* * *
Unë nuk mund ta zgjedh më të Mirën Më e Mira më zgjedh mua.
* * *
Kush mban fenerin pas shpine, hedh hijen e vet përpara.

* * *
Fakti që unë ekzistoj është për mua një çudi e përhershme. Kjo është edhe jeta

* * *
“Ne, gjethet shushuritëse, kemi zë t’i përgjigjemi stuhisë. Po ti, që rri kaq e heshtur, cila je?”
“Unë jam vetëm lule”.
* * *
Pushimi i takon punës, si qepallat syve.

* * *
Njeriu nga natyra është një fëmijë; fuqia e tij është forca e rritjes.
* * *
Drita që luan midis gjetheve të gjelbra si një foshnjë lakuriq, për fat të mirë nuk e di se njeriu di të gënjejë.

* * *
O Bukuri!...gjeje veten në dashuri dhe jo në lëvdatat e pasqyrave të tua.
* * *
Zemra ime rreh me dallgët e veta bregun e Botës dhe shkruan atje me lotë fjalët: “Të dua”.

* * *
“Hënë, çfarë pret?”
“Mundësinë për të përshëndetur Diellin, të cilit më duhet t’i liroj rrugën”.
* * *
Drurët ngjiten deri në dritaren time si një zë i përmalluar e plot dëshira i Tokës memece.

* * *
Jeta i merr të mirat e nevojshme nga Bota, vlerën ia jep asaj dashuria.
* * *
Shtrati i tharë i lumit nuk i është mirënjohës së kaluarës së vet.
* * *
Zogu do të dëshironte të ishte Re.
Reja do të dëshironte të ishte Zog.

* * *
“Ujëvara këndon: “Unë do ta gjej këngën time, sapo të gjej lirinë”.
* * *
Nuk di ta shpreh se përse kjo zemër heq e vuan në heshtje...
Nga dëshirat e vockëla, të cilat ajo kurrë nuk i kërkon, kurrë nuk i di dhe kurrë nuk i kupton.

* * *
Grua!...Kur ti vete e vjen duke bërë punët e shtëpisë, gjymtyrët e tua këndojnë si rrëkeza malore nëpër zallishte.

* * *
Dielli zhytet në detin e Perëndimit duke i dërguar përshëndetjet e fundit Lindjes.

* * *
Mos i paragjyko ushqimet vetëm e vetëm se nuk je i uritur.
* * *
Drurët, si dëshira të zjarrta të tokës, zgjaten në majë të gishtave për të vështruar qiellin.

* * *
Ti buzëqeshje dhe kuvendoje me mua ashtu, kot së koti; ndërsa unë befas e kuptova se këtë minutë e kisha pritur kaq gjatë.
* * *
Hesht peshku në ujë, gumëzhin bota e gjallë në tokë, këndon zogu në ajër.
Veç, njeriu në vetvete përmban edhe heshtjen e detit, edhe gumëzhitjen e tokës, edhe këngën e ajrit.

* * *
Bota prek telat e zemrës së përvuajtur dhe nxjerr prej tyre muzikën e përmallimit.

* * *
Me armët e tij ai i krijoi vetes zotat dhe, kur fiton arma e tij, ai është vetë i fituar.

* * *
Hija, me vellon e vetë të lëshuar në ëmbëlsinë e fshehtë, ndjek pas Dritën me hapat e padëgjueshëm të dashurisë.

* * *
Yjet nuk kanë frikë se mos i marrin për qirinj.

* * *
Mëndja e mprehtë, por jo e gjerë, del në pah në çdo hap, veç përpara nuk lëviz dot.

* * *
Njeriu nuk e zbulon veten në histori; ai shfaqet nëpërmjet saj.

* * *
Kur llampada prej Kristali shau atë prej Balte nga që guxoi ta quante kushërirë, doli hëna. Dhe llampada e Kristalit me një buzëqeshje dhelparake iu drejtua hënës: “E dashur, e dashur motra ime!”.
* * *
Si pulëbardhat me valët e detit u takuam dhe u ndamë sakaq nga njëri – tjetri.
Por pulëbardhat fluturojnë, valët rendin dhe ne të dy mbetëm të ndarë?
* * *
Dita ime mbaroi. Unë ngjaj me një varkë të nxjerrë në breg që dëgjon muzikën vallëzuese të dallgës së mbrëmjes.

* * *
Jeta nuk na dërgohet si dhuratë; ne e meritojme atë duke i bërë dhurata.
* * *
Sorrës i vjen keq për palloin që paska një bisht kaq të rëndë.
* * *
Asnjëherë mos iu tremb çastit! - kështu këndon zëri i përjetësisë.
* * *
Uragani e kërkon udhën më të shkurtër rrugë pa rrugë dhe papritur e ndërpret vrullin e vet në... “Asgjëkundi”.

* * *
Hidh verë në kupën time, or mik. Në kupat e të tjerëve ajo e humbet kurorën e shkumës.

* * *
E Përkryera vishet me bukuri nga dashuria për të Papërkryerën.
* * *
Falenderoje Flakën për dritën, por mos e harro Qiririn që qëndron në hije me një durim të pashtershëm.

* * *
O bar i imët, hapëzat e tua janë të vegjël, por ti pushton tokën me shtrojën tënde.

* * *
Lulëza foshnjë shpërthen gonxhen e vet dhe thërret: “O botë e dashur, të lutem mos u fishk:!”

* * *
E Keqja nuk mund t’ia lejojë vetes luksin të quhet fitimtare. E Mira mundet.

* * *
Ku është ai burim që shpërthen këto lule në një gufim të pasosur entusiazmi?!...

* * *
Sëpata e druvarit kërkoi një bisht druri nga pema. Dhe pema ia dha.

* * *
Në vetminë e zemrës sime unë dëgjoj rënkimin e mbrëmjes vejushe të mbështjellë me shi e me mjegulla.

* * *
Dlirësia është pasuri që vjen nga bollëku i dashurisë.

* * *
Mjegulla, ashtu si dashuria në zemër, luan nëpër honet dhe sajon atje bukuri të papritura.
* * *
Ne e lexojmë gabim librin e jetës dhe pastaj themi se ai na gënjen.
* * *
Era-poete fluturon nëpër pyje e dete që të gjejë zërin e vetvetes.
* * *
Bari kërkon nëpër tokë turma të homologëve të vet; pema kërkon në qiell vetminë.

* * *
Njeriu ndërton fortifikime kundër vetvetes.

* * *
Zëri yt, o miku im, buçet në zemrën time si ushtima e qetë e detit midis pishave të brishta.

* * *
Ç’është kjo; flakëz e padukshme e errësirës, apo ndoshta shkëndizat janë yje?!..

* * *
Le të jetë Jeta e bukur si lulet e verës. Le të jetë Vdekja e bukur si gjethet e vjeshtës.

* * *
Ai që do të bëjë të mira troket në porta të mbyllura; ai që dashuron i gjen të hapura.
* * *
Në vdekje e gjitha bëhet një, asgjënuk bëhet e të gjithëve.

* * *
Piktori është i adhuruari i natyrës, prandaj ai është skllav dhe sundimtari i saj.
* * *
“O Fryt!...Sa larg je ti prej meje?”
“Unë jam fshehur në zemrën tënde, o Lule!”

* * *
“Ti je një pikë e madhe vese nën gjethen e lotusit, kurse unë jam një pikë e vogël në anën e sipërme të gjethes” - i tha Vesa Liqenit.

* * *
Këllëfët pranojnë të mos jenë të mprehtë, kur mbajnë  brenda tehët e mprehtë të shpatave.

* * *
Toka e madhe bëhet mikpritëse me ndihmën e barit të thjeshtë.

* * *
Lindja dhe vdekja e gjetheve janë rrotullime të shpejta të asaj vorbulle, rrathët  e së cilës lëvizin ngadalë midis yjeve.

* * *
Pushteti i tha Botës: “Ti je imja!” Bota e bëri atë rob të fronit të vet. Dashuria i tha Botës: “ Unë jam jotja!” Bota i dha liri dhe plot karakter.
* * *
Mjegulla është dëshirë e tokës. Ajo i fsheh diellin, për të cilin toka brengoset.
* * *
Qetësi, zemra ime !... Këto pemë të larta janë faltore.

* * *
Zhurmat e çastit përqeshin muzikën e përjetëshme.

* * *
Unë mendoj për shekujt që rrodhën në lumin e jetës, të dashurisë, të vdekjes dhe të harresës dhe e ndjej se çfarë lirie paska për të ikur!
* * *
Brenga e shpirtit tim është velloja e kurorës; ajo pret natën që ta zbulojnë.
* * *
Vula e vdekjes i jep çmim monedhës së jetës, të jep mundësinë të blejë për jetën çka është tepër e kushtueshme.

* * *
E drojtur, kokulur u fsheh reja në një qoshe të qiellit. Mëngjezi kurorëzoi madhështinë e saj.

* * *
Pluhuri i tokës shkelet me përbuzje dhe në këmbim ai dhuron lule.
* * *
Mos i ngadalëso hapat, mos i këput lulet që t’i ruash mënjanë; ec përpara dhe lulet do të lulëzojnë në të gjithë rrugën tënde.
* * *
Rrënjët janë degë thellë në tokë. Degët janë rrënjë lart në qiell.
* * *
Muzika e verës së largët angullin rreth e qark vjeshtës duke kërkuar folenë e saj të vjetër.

* * *
Mos e fyej mikun tënd duke i dhënë borxh merita nga xhepi yt.
* * *
Marrëdhënia me ditët e rëndëmta ngjit në zemrën time si myshku në trungjet e drurëve të vjetër.

* * *
Jehona përpiqet të përqeshë burimin e vet, për tëprovuar origjinën e vetvetes.
* * *
Hija ime bie në rrugë edhe pse llampa ime nuk është ndezur akoma.
* * *
Njeriu zhytet midis zallamahisë së turmës për të mbytur në të ulërimën e vet për heshtjen.

* * *
Ajo që mbaron me shkatërrim quhet Vdekje, por fundi i vërtetë është tek pafundësia.

* * *
Rrobja e praruar e Diellit është e thjeshtë, po retë e veshin atë me luks.

* * *
Malet u ngjajnë klithmave të fëmijëve që zgjatin duart për të arritur yjet.
* * *
Rruga ndihet e vetmuar me gjithë zhurmën e turmave mbi të...kjo, se nuk është e dashuruar.

* * *
Pushteti, që mburret me krimet e veta, i bën të qeshin deri në kupë të qiellit gjethet e verdha që janë duke u rrëzuar dhe retë që lundrojnë pranë tyre.

* * *
Mua më këndon sot Toka e veshur me Diell, tamam si një grua pranë çikrikut, tek këndon njëfarë eposi të lashtë në një gjuhë të harruar.
* * *
Edhe fija e barit i shërben tokës së madhe, ku rritet.

* * *
Ëndrra është një grua që kërkon të flasë.
Gjumi është një burrë që duron në heshtje.

* * *
Nata puth Ditën që po venitet dhe i pëshpërit asaj në vesh:
“Unë jam Vdekja, nëna jote dhe erdha të të jap një lindje të re”.
* * *
E ndjej bukurinë tënde, o natë e errët, siç ndjej bukurinë e gruas së dashur tek fik qiririn.

* * *
Në botën time të lulëzuar unë mbart shumë  botë të shkatërruara.
* * *

Mik i dashur. Kur dendësohet mbrëmja shpesh rri në breg duke vënë re valët dhe dëgjoj heshtjen e mendimeve të tua të mëdha.
* * *
Zogut i duket një gjë normale që ta ngresh peshkun të fluturojë në qiell.
* * *
“Në rrezet e hënës ti më dërgon letrat e tua të dashurisë” - i tha Nata Diellit - “ Unë t’i kthej përgjigjet me lotë mbi bar”.

* * *
Njeriu i madh është fëmijë i përjetshëm. Duke vdekur ai i le Botës fëmijërinë e tij të madhe.

* * *
Jo goditjet e çekiçit, por kënga e placuritjeve të lehta të ujit, i lëmon gurët e mëdhenj deri në përsosmëri.

* * *
Bleta e thith mjaltin nga lulet dhe, duke fluturuar, u zhuzhit atyre mirënjohjen e vet.
Flutura krahëshkruar është e bindur se lulet janë të detyruara t’i shfaqin mirënjohje asaj.

* * *
Nuk është e vështirë të jesh i sinqertë, kur nuk ke ndërmënd ta thuash të gjithë të vërtetën.

* * *
E pyeti E Mundura Të Pamundurën:
“Ku jeton ti?”
“Në ëndërrimet e të dobtit” - ishte përgjigja.

* * *
Në qoftë se ti do ta mbyllësh portën për të gjitha gënjeshtrat, edhe e vërteta ka për të mbetur jashtë.
* * *
Dëgjoj njëfarë zhurmëze pas brengës së zemrës sime, por nuk po e shoh....Kush është atje?

* * *
Kur gjethja dashuron, bëhet lule. Kur lulja dashuron, bëhet fryt.
* * *
Rrënjët e zhytura thellë në tokë nuk kërkojnë ndonjë shpërblim pse u japin degëve prodhimtari.

* * *
Tani, në muzgun me shi, fryn erë e tërbuar. Shikoj degët që përkunden dhe mendoj për madhështinë e të gjithë sendeve.

* * *
Stuhia e mesnatës ngjan si një foshnjë gjigande e zgjuar para kohe nga gjumi që trazon lodrat e veta në errësirë dhe bërtet.
* * *
Më kot ti i ngre valët që të arrish të dashurin tënd, o det, e vetmuar është nusja e stuhisë.

* * *
“Më vjen turp për zbrazëtinë time” - i tha Fjala Punës. “E ndjej varfërinë tënde, sa herë të shoh ty” - i tha Puna Fjalës.

* * *
Koha është pasuri, por orët duke e imituar e bëjnë atë një këmbim të thjeshtë , jo pasuri.

* * *
E Vërteta e ndjen se realiteti është një veshje tepër e shtrënguar për të. Vetëm brenda trillimit e Vërteta lëviz lirshëm.
* * *
Kur shtegtoja herë këtu e herë atje, ti më lodhje moj rrugë. Tani që më shpie kudo kam rënë në dashuri me ty.

* * *
Më lejoni të mendoj se midis këtyre yjeve ka një yll që do ta prijë jetën time përmes errësirës të së panjohurës.

* * *
O grua!... Me gishtrinjtë e tu të brishtë ti preke sendet e mia si muzikë dhe kudo u vendos rregulli.

* * *
Një zë i përmallshëm bën folenë në rrënojat e viteve të shkuar. Ai zë më këndon netëve: “Unë të dashurova ty”.

***
 Zjarri flakërues me flakët e tij më shtyn të mbrohem. Shpëtomëni nga thëngjijtë që janë duke u fikur nën hi.

* * *
Kam plot yje në qiell, por unë brengosem për llampën time të vogël që ka mbetur pa u ndezur në shtëpi.

* * *
Pluhuri i fjalëve të vdekura të është ngjitur mbi vete. Pastroje shpirtin me heshtjen tënde.

* * *
Në jetë ka plasaritje përmes të cilave depërton muzika e trishtuar e vdekjes.

* * *
Në mëngjezin e sotëm bota ka hapur dritën e zemrës së vet. O zemra ime! Dili përpara me dashurinë tënde!

* * *
Mendimet e mia vezullojnë me vezullimin e këtyre gjetheve, zemra ime këndon nën prekjen e tufëzave diellore; jeta ime ka kënaqësi të shkojë me të gjitha gjallesat në kaltërsinë e hapësirës, në errësirën e kohës.

* * *
Shoh një ëndërr, sikur të gjitha sendet e mia janë rrëmujë dhe sikur më shtypin; do t’i gjej ato në rregull tek ti, kur të zgjohem dhe të jem i lirë.

* * *
“Cili do ta vazhdojë tani punën time?” pyeti Dielli që ishte duke perënduar.
“Unë do të bëj, ç’të mundem, o Sundimtar!”- iu përgjigj kandili prej balte.
* * *
Duke i këputur lules petalet, ti nuk mund të përfitosh bukurinë e saj.

* * *
Heshtja do ta mbrojë zërin tënd, siç mbron foleja zogjtë që flenë.
* * *
E Madhja shkon përbri të Voglës pa frikë. E Mesmja mbetet mënjanë.

* * *
Nata i çel fshehtas lulet dhe i jep mundësinë Ditës të përfitojë lavdërimet.

* * *
Pushteti i quan mosmirënjohje përpëlitjet e viktimave të veta.
* * *
Të kënaqur nga bollëku ne mund të ndahemi me frytet tona gëzueshëm.

* * *
Pikat e shiut puthën tokën dhe i pëshpëritën asaj:
“Ne, bijat e tua moj Nënë, të përmalluara për strehën prindërore, u kthyem nga qielli në gjirin tënd”.

* * *
Rrjeta e merimangës shtiret sikur kap pika vese, por në të vërtetë kap miza.

* * *
Dashuri!...Kur më shfaqesh me qiririn e vuajtjeve në dorë,unë ta shoh fytyrën dhe ndjej mirënjohje për ty.

* * *
“Shkencëtarët thonë se do të vijë një ditë që ju do të shuheni” - u tha Qiriri Yjeve. Yjet nuk i kthyen asnjë përgjigje.

* * *
Në errësirën e mbrëmjes zogu i një mëngjezi të herët fluturon në folenë e heshtjes sime.

* * *
Si një tufë patash të largëta në qiell mblidhen mendimet në mëndjen time.
Unë dëgjoj rrahjen e krahëve të tyre.

* * *
Kanalit i pëlqen të mendojë se lumenjtë egzistojnë vetëm e vetëm që të mbushin atë me ujë.

* * *
Bota e puthi shpirtin tim me vuajtje duke kërkuar që unë t’i përgjigjem me këngë.

* * *
Ç’po më mundon kështu?...Mbase shpirti im që përpiqet të jetë i lirë?!
Apo mbase shpirti i botës troket në portën e zemrës sime duke kërkuar: “Më lejo të hyj?!”

* * *
Mendimi rritet duke u ushqyer me fjalë të vërteta.

* * *
Unë e zhyta enën e zemrës sime në heshtjen e kësaj ore dhe ajo u mbush me këngë.

* * *
Ose ke punë, ose nuk ke fare.
Po erdhi çasti të thuash: “Më thoni të merrem me diçka”, dije se këtu ka filluar e keqja për ty.

* * *
Luledielli u skuq nga turpi, kur mendoi se njëfarë lule e panjohur donte ta quante kushërirë.
Dielli doli, i buzëqeshi lules së panjohur dhe e pyeti: “Mirë je ti, e dashura ime?”

* * *
“Kush më shtyn kështu përpara si Fati?” “UNI im që qëndron mbi shpinën time”.

* * *
Retë mbushin rezervuarët e lumenjëve dhe për vete fshihen në malet e largët.

* * *
E derdh ujin e shtambës sime gjatë rrugës. Sa pak ujë mbetet të çoj në shtëpinë time.

* * *
Uji në tas është i kthjellët; uji në det është i errët. Të vërtetat e vogla kanë fjalë të qarta; e vërteta e madhe ka heshtje të madhe.
* * *
Buzëqeshja jote është lule e fushave të tua; zëri yt është shushurima e pishave të maleve të tua... por zemra jote është po ajo zemër e gruas që e njohim të gjithë.

* * *
Për njerëzit e afërt unë ruaj gjëra të vogla; të mëdhatë u takojnë të gjithëve.

* * *
Grua!...Ashtu siç ka qarkuar deti tokën, ashtu edhe ti ke pushtuar zemrën e botës me thellësinë e lotëve të tu.

* * *
Drita e diellit më përshëndet me një buzëqeshje. Shiu, vëllai i saj i trishtuar, flet me zemrën time.


* * *
Lulja e ditës sime, e harruar i rrëzoi petalet e veta. Në mbrëmje do të piqet fryti i artë i kujtimeve.

* * *
Unë i ngjaj rrugës natën, tek rri e dëgjoj në heshtje hapat e kujtimeve të mia.

* * *
Qielli i mbrëmjes për mua është: një dritare, një llampë e ndezur dhe dikush që pret pas tyre.

* * *
Kush mendon shumë që të bëjë të mira, nuk gjen kohë të jetë i mirë për vete.
* * *

Ata e urrenin njëri - tjetrin dhe u vranë, kurse njerëzit i lavdëruan.
* * *
Unë jam reja vjeshtake që ju kam dhuruar shiun dhe tani po shikoj bollëkun e orizit të pjekur në arë.

* * *
Gishtat e këmbëve ishin njëlloj si gishtat e duarve, por ata hoqën dorë nga e kaluara e tyre.

* * *
Errësira të çon në dritë, por verbëria të çon në vdekje.

* * *
Qeni i përkëdhelur dyshon se gjindja rreth e qark ka qëllim t’i zerë vendrojen e tij.

* * *

Rri e qetë zemra ime, mos u sul me dufet e tua. Bota le ta gjejë vetë rrugën drejt teje.

* * *
Duke e lëshuar harku i përshpërit shigjetës:
“Në lirinë tënde qëndron liria ime!.

* * *
Grua!…Në të qeshurën tënde është muzika e burimit të jetës.

* * *
Mëndja që përbëhet vetëm nga një llogjikë i ngjan asaj thikës që përbëhet vetëm nga tehu – ajo gjakos dorën që e mban.

* * *
Kjo botë është bota e stuhive të egra të zbutura me muzikën e bukurisë.

* * *
“Zemra ime është një kutizë e artë xhevahiresh për puthjet e tua” – i tha Diellit Reja që po ikte.

* * *
Duke u ngacmuar mund të vrasim, duke u larguar mund të përmbahemi.

* * *
Cicërima e bulkthit dhe zhurma e shiut nëpër errësirë më vinë pranë si fëshfërimë e ëndrrave të rinisë sime të shkuar.

* * *
“Unë kam humbur pikën time të vesës” i ankohet lulja qiellit të mëngjezit, i cili ka humbur të gjithë yjet.

* * *
Kërcuri i zjarrit që digjet, rrëmben flakë dhe thërret: “Vdekja ime është lulja ime”

* * *
Grerëza mendon se kosheret e bletëve atje pranë janë fare të vogla. Shoqet i luten që ta ndërtojë edhe më të vogël folenë e saj.

* * *
“Unë nuk mund t’i përballë valët e tua” -i thotë Bregu Lumit – “Të paktën në çdo çast më ler gjurmët e tua në zemrëm time”.

* * *
Dita e zhurmëshme e kësaj toke të vogël mbyt heshtjen e gjithë botëve të tjera.

* * *
Kënga ndihet e pafundme në ajër, piktura në tokë, poezia edhe në ajër, edhe në tokë, sepse fjalët e saj kanë brendinë që ecën në tokë dhe muzikën që fluturon në ajër.

* * *
Kur dielli është duke shkuar drejt Perëndimit, Lindja e mëngjezit qëndron para tij në heshtje.

* * *
Mos më lejo të kthehem në atë anë të botës sime dhe t’ia kundërvë atë vetes sime.

* * *
Lëvdata më turpëron, ndonëse fshehtas e kërkoj.

* * *
Kur nuk kam ç’të bëj, jepi pasivitetit tim qetësinë në thellësinë e paqes, si mbrëmja në bregdet, kur ujrat heshtin e pushojnë.

* * *
Vajzë!…Thjeshtësia jote është si kaltërsia e liqenit, ajo tregon thellësinë e vërtetësisë sate.

* * *
Më e Mira nuk shfaqet në vetmi, ajo ndodhet në shoqërinë e të Gjithave.

* * *
Mbrëmja ime zbriti midis pemëve të huaja dhe nisi të më flasë me një gjuhë, të cilën nuk e dinin yjet e mi të mëngjezit.

* * *
Errësira e natës ngjan me një thes i cili griset nga ari i Agimit.

* * *
Dëshirat tona rreshtojnë në ngjyrat e ylberit edhe mjegullën e thjeshtë, edhe afshin e jetës.

* * *
Mendimet e trishtuara më bezdisin gjithmonë duke më pyetur se si i quajnë…

* * *
Shërbimi i frytit është i çmuar, i ëmbël është edhe shërbimi i lules; por , shërbimi im le të jetë si ai i gjetheve në hije me atë besnikërinë e tyre të bindur.

* * *
Nën një erë të plogët zemra ime hapi velat drejt një ishulli misterioz të quajtur “DIKU”

* * *
Njerëzit janë të pamëshirshëm, por njeriu është i mirë.

* * *
Më bëj mua Kupën tënde dhe le të mbushet ajo me Ty dhe me gjithçka tënden.
* * *
Stuhia ngjan me kujën e një Zoti që ruan shpirtrat, të cilit Toka ia refuzon dashurinë.

* * *
Bota nuk shteron, sepse vdekja nuk është një e çarë.

* * *
Jeta e kësaj bote pasurohet me tërë dashurinë e tretur njerëzore.

* * *
Miku im, lindja e diellit e ndriçoi zemrën tënde të madhe, siç ndriçon majën e një mali me bore të vetmuar në agim.

* * *
Shatërvani i vdekjes i detyron të trazohen ujrat e qeta të jetës.
* * *
Lëvizja e jetës gjen prehje në muzikën e vetvetes.

* * *
Me goditje mund të përfitosh nga toka vetëm pluhur, por jo të korra.
* * *
Emrat tanë i ngjajnë dritës që vezullon natën nëpër valët e detit dhe tretet pa lënë gjurmë.

* * *
Ngarkoja krahët zogut me flori dhe ai nuk do të jetë kurrë në gjëndje të fluturojë në qiell.

* * *
Po ai lotus i atdheut tonë lulëzon edhe këtu, në ujra të huaja, me një emër tjetër; po me të njëjtën ëmbëlsi.
Në perspektivën e zemrës distanca zmadhohet.

* * *
Hëna ia dhuron ndriçimin e vet gjithë qiellit; njollat e errëta i mban për vete.

* * *
Mos thuaj “ja edhe mëngjezi” dhe mos e braktis atë duke e thirrur me emrin e djeshëm. Shikoje për herë të parë, si një fëmijë të sapolindur që ende nuk ka emër.

* * *
Tymi i lavdërohet qiellit, ndërsa Hiri i lavdërohet Tokës, sepse ata janë vëlla e motër prej Zjarrit.

* * *
Pika e vesës i pëshpëriti jaseminit:
“Më mbaj në zemrën tënde përgjithmonë!”
Lulja e jaseminit psherëtiu “Ufff!” dhe i rrëzoi përtokë të gjitha petalet.

* * *
Mendime të trembura, mos u frikësoni prej meje: unë jam poet.
* * *
Në heshtjen e trubulltë shpirti im mban vesh çukitjet e bulkthave – këta tinguj gri të muzgut.

* * *
Raketa!…Ofendimet që u bëni yjeve bien sërish pas jush në tokë.
* * *

Ti më solle nëpërmes shtegtimeve të zhurmëshme të ditës në vetminë e mbrëmjes. Ç’kuptim ka e gjitha kjo? … Këtë dua të qartësoj në qetësinë e natës.

* * *
Jeta është një lundrim nëpër det, ku ne takohemi në të njëjtën anije. Me vdekjen ne arrijmë brigjet dhe shpërndahemi nëpër botë të ndryshme.

* * *
Lumi i së vërtetës rrjedh nëpër kanalet e mashtrimeve.

* * *
Sot kam në zemër mall për atdheun, për një kohë të ëmbël atje, përtej deteve të kohrave.

* * *
Kënga e zogjve është jehonë e dritës mëngjezore, të cilën ia dërgon asaj toka.

* * *
“Me të vërtetë ti je kaq krenare sa të më puthësh?!” - e pyeti rrezja e Diellit Zhabën.
* * *
“Si të të këndoj dhe të të shërbej ty, o Diell?” - e pyeti lulja e vogël.
“Me heshtjen e thjeshtë të pastërtisë sate” -iu përgjigj Dielli.
* * *
Njeriu është më i keq se kafsha, kur bëhet kafshë.

* * *
Retë e murrme shndërrohen në lule qiellore kur i puth drita.
* * *
Mirë është që tehu i shpatës të mos e përqeshë dorezën nga që kjo nuk ka teh.

* * *
Heshtja e natës si një llampadë misterioze vezullon në shkëlqimin e Kashtës së Kumtërit.

* * *
Rreth e qark ishullit diellor të jetës, si një zhaurimë e paprerë deti, ngrihet kënga e pakufishme e Vdekjes.

* * *
A nuk ngjajnë malet me lulet - petalet e shpateve të tyre thithin dritën diellore!?...

* * *
Realiteti i pakuptueshëm për mëndjen tonë dhe pathosi pa vend - ja, çfarë është irealja.

* * *
O zemra ime, gjeje bukurinë tënde në lëvizjet e botës ashtu sl lundra e merr hijeshinë nga era dhe uji.

* * *
Sytë krenohen jo me shikimin, por me xhamat optikë.

* * *
Unë jetoj, në botën time të vogël dhe druhem prej saj të bëj qoftë edhe një fije më pak. Më shpjerë në botën tënde dhe më jep lirinë - atëhere me gëzim do ta humbisja të gjithë timen.

* * *
E pavërteta që kultivohet tek forca nuk bëhet kurrë e vërtetë.
* * *
Zemra ime që ndeshet me dallgët e këngëve të mia, është e etur të përkëdhelë këtë Botë të Gjelbër të ditës me diell.

* * *
O bar i thjeshtë anës rrugës, duaje yllin; kështu ëndërrat e tua do të bëhen lule.
* * *
Muzika e jetës le ta tejshpojë si një shpatë zhurmën e jetës.
* * *
Fletët fërfëritëse të kësaj peme e prekin zemrën time si gishtrinjtë e një fëmije.

* * *
Trishtimi është vello martese e shpirtit tim, që pret natën të zbulohet.
* * *
Lulja e vogël mbeti shtrirë në pluhur. Ajo kërkoi po atë rrugë nga iku fluturimthi flutura.

* * *

Në këtë botë jam i dëshiruar.
Nata po afrohet … Hapma derën, o botë e shtëpisë sime!
* * *
Unë këndova këngët e ditës sate.
Në mbrëmje më jep ta shpie qiririn tënd në udhën me furtunë.

* * *
Nuk të thërres në shtëpinë time.
Eja në vetminë time të pafundme, Dashuria ime!

* * *
Vdekja i takon jetës, siç i takon edhe lindja. Të ecurit s’është veç ngritja dhe ulja e këmbëve.

* * *
Unë mësova të kuptoj brendinë e thjeshtë të mërmëritjes sate tek lulet dhe tek drita e diellit; mësomë që të njoh fjalët e tua tek vuajtjet dhe tek vdekja.

* * *
Lulja e natës u vonua të mbyllë kupëzën e gonxhes së vetë; Kur e puthi mëngjezi, ajo u drodh, psherëtiu dhe i rrëzoi petalet përtokë.
* * *
Unë zbrita në bregun tënd si një i huaj, jetova në shtëpinë tënde si një mysafir dhe do të të le si një mik, o Toka ime.

* * *
Kur të largohem, le të kthehen këngët e mia tek ti, si një refleks i perëndimit të përskuqur në kufijtë e heshtjes së yjeve.

* * *
Ndize në zemrën time yllin mbrëmësor të paqes dhe jepi mundësi natës të më pëshpëritë dashurinë.

* * *
Ujë jam një fëmijë në errësirë. Nën petkun e natës unë zgjat duart drejt teje, o Nënë!

* * *
Dita e punës mbaroi. Mbuloje fytyrën time në krahërorin tënd, o Nënë!…Lermë të më zerë gjumi dhe të shoh ëndrra.
* * *
Llampada e takimit bën flakë për një kohë të gjatë. Ajo shuhet befas në minutën e ndarjes.

* * *
Kur të vdes, ruaj për mua në heshtjen tënde vetëm këtë gjë, o Botë: “Unë të dashurova”.

* * *
Ne do të jetojmë në këtë botë, nëqoftëse do ta duam atë.

* * *
Jepu të vdekurve pavdekësinë e Lavdisë, jepu të gjallëve pavdekësinë e Dashurisë.

* * *
Unë të pashë ty si një fëmijë i përgjumur që shikon nënën e vet në gjysmëerrësirën e agut … ai buzëqesh dhe përsëri e zë gjumi.

* * *
Unë prapë se prapë përsëri do të vdes, edhe pse e kam kuptuar që jeta është e pashtershme.

* * *

Duke ecur mes turmës në rrugë unë të pashë ty se si buzëqeshe nga ballkoni: këndova dhe e harrova të gjithë zhurmën.
* * *
Dashuria është jetë e mbushur plot e përplotë si kupa me verë.

* * *
Më shpjerë në thellësitë e heshtjes sate që ta mbush atje me këngë zemrën time.

* * *
Vuajtja e dashurisë këndoi në zemrën time si një det i pamasë; gëzimi i dashurisë këndoi në zemrën time si zogjtë në një kopsht të lulëzuar.

* * *
Shuaje llampën kur të duash - unë do ta njoh errësirën tënde dhe do ta dashuroj atë.

* * *
Kur të qëndroj para teje në fund të ditës sime, ti do të vëresh vragat e plagëve të mia dhe do ta kuptosh se trupi im ka pasur edhe plagë, edhe gjurmë plagësh të shëruara.

* * *
Që nga ditët e largëta vozitin retë në jetën time. Tashmë jo që të sjellin shi apo të shfryjnë stuhitë, por që të më zbukurojnë qiellin tim të perëndimit.

* * *
Vetë e Vërteta ngre furtunë kundër vetes dhe i shpërndan farët e veta anembanë.

* * *
Stuhia e natës së shkuar e kurorëzoi mëngjezin e sotëm me një paqe të artë.

* * *
Duket sikur e Vërteta do të zbulohet nga fjala e fundit, por fjala e fundit lind një fjalë tjetër të re.

* * *
I bekuar është ai të cilit lavdia nuk i shkëlqen më qartë se e vërteta.

* * *
Nata e heshtur është bukuria e nënës. Dita e zhurmshme është bukuria e fëmijës.

* * *
Bota e deshi njeriun kur ai buzëqeshi. Bota u tremb prej njeriut, kur ai qeshi me të madhe.

* * *
Më lejo ta ndjej këtë botë si një mishërim të dashurisë sate; atëhere dashuria ime do ta ndihmonte botën.

* * *
Drita jote diellore u buzëqesh ditëve dimërore të zemrës sime, pa dyshuar asnjë çast në rikthimin e luleve të pranverës.

* * *
Ti përshkrove vendet e shkretuara të viteve shterpë për të arritur përsosmërinë.

* * *
Ti, o shtegtar i përjetshëm, gjurmët e hapave të tu do t’i gjesh në këngët e mia.

* * *
E mërzitshme është dita që zbardh nën retë e ngrysura, tamam si një fëmijë i ndëshkuar me gjurmët e lotëve në faqet e zbehta; dhe ulërimat e jetës i ngjajnë rënkimeve të botës së plagosur. Por unë e di se rruga ime më shpie në takim me mikun tim.
* * *
Tani natën fëshfërima e gjetheve të palmave, kushtrimi në det, o Hënë e Plotë, sikur rrahin dridhshëm zemrën e botës. Nga cilët qiej të panjohur ti më solle në heshtje dhimbjen e fshehtë të dashurisë?!

* * *
Ëndërroj për një yll, një ishull dritagimi, ku unë do të lind përsëri, ku në thellësinë e prehjes gjallëruese, jeta ime do të rritë pemët e veta, si ara e orizit nën diellin vjeshtak.

* * *
Aroma e tokës së lagur nga shiu ngrihet si një këngë korale madhështore e korit gojëmbyllur të të Rëndomtëve.

* * *
Nuk mund ta marrim për të vërtetë se dashuria mund të humbasë sikur të mos kishte egzistuar fare.

* * *
Ndonjëherë ne do ta kuptojmë se vdekja është e pafuqishme të privojë shpirtin tonë sado pak nga ato që ka fituar, pasi gjërat e fituara prej shpirtit dhe ai vetë janë e njëjta gjë.

* * *
Kur telat e jetës sime do të jenë të akorduar, o Imzot, atëhere në çdo prekje të dorës tënde do të tingëllojë muzika e dashurisë.

* * *
Historia njerëzore po pret me durim të vijë edhe ngadhënjimi për njeriun e përbuzur.

* * *
Në këtë çast unë e ndjej shikimin tënd në zemrën time të ngjashëm me shkëlqimin diellor të mëngjesit mbi arën, ku sapo kanë mbledhur të korrat.

* * *
Unë brengosem për ishullin e Këngës.
Përmes Detit të stuhishëm të Klithmave.

* * *
Preludi i Natës fillon me muzikën e Perëndimit, në Himnin madhështor të tij për errësirën e panjohur ende.

* * *
Unë dola në majë dhe nuk gjeta strehë në lartësitë e ftohta dhe shterpa të lavdisë. Më shpjerë, o Udhëheqësi im para se të errësohet dita, në lëndinën e paqes, ku të korrat e jetës piqen nën urtësinë e artë.

* * *
Çdo gjë duket fantastike në këta muzgje të turbulltë: kullat, themelet e të cilave kanë humbur në errësirë, majat e pemëve si njolla mellani. Unë pres mëngjezin të zgjohem dhe ta shikoj qytetin tënd në dritë.

* * *
Unë vuajta, u dëshpërova, njoha vdekjen dhe jam i lumtur që jetoj në këtë botë të madhe.

* * *
Në jetën time kish shtigje të shkretuar e të heshtur, kishte edhe lëndina të hapura, ku ditët e mia të punës gjetën dhe dritë, dhe ajër.


* * *
Më shpëto nga e kaluara ime e papërmbushur; se ajo më ngjitet nga pas dhe ma bën vdekjen të vështirë.

* * *
Le të jetë fjala ime e fundit: “Besoj në dashurinë tënde!”

FUND


Shënim: Përkthimi i mësipërm përgatitet për botim si një libër xhepi nga shtëpia botuese “Milosao”, Sarandë

3 comments:

  1. Vlerat e shtëpisë botuese ‚Milosao‘ pata nderin ti shijoj verës që shkoi. Mjaft libra me vlerë të botuara nën përkujdesjen e njeriut të letrave Agim Mato janë tashmë kënaqësia ime dhe pjesë e bibliotekës sime këtu në Londër. Respekte për të gjithë ata që kanë shijuar botimet tek ‚Milosao‘.
    F. Terziu

    ReplyDelete
  2. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. AGIMI, pasi i tregova per situaten time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * dua magjinë
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtjeje
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    Kontaktoni Dr DAWN në emailin e tij: dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    ReplyDelete
  3. Emri im është Joana Berankis dhe jam këtu për të falënderuar DR DAWN për ndihmën e tij në shpëtimin e marrëdhënies sime. I dashuri më la sepse isha i matur dhe e kam luftuar disa herë për shkak të pasigurisë, duke mos e parë kurrë pranë asnjë zonje tjetër. Nuk mund të gjeja një mënyrë më të mirë për ta bërë atë të kthehej tek unë dhe DR DAWN erdhi në shpëtimin tim. Kur e kontaktova, ai më tha gjithçka që duhej të dija se si do të rikthehet dashuria dhe lidhja mes meje dhe burrit tim. Unë u binda dhe ai e bëri punën pa hezitim dhe menjëherë pas 48 orësh më thirri i dashuri. Jam e lumtur dhe plot jetë për shkak të mirësisë së DR DAWN. I bëj thirrje kujtdo që ka probleme të kontaktojë me të tani dhe ai me siguri do t'ju ndihmojë.
    dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    ReplyDelete