Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday, 22 January 2012

FUNDO[1]

 
 
Në adoleshencë merrnim fundo
dhe rrëshqisnim mbi barin e funddetit,
si tufat e peshqëve, që nxitonin të trëmbura
para trupave tanë. Peshqit shpërndanin
ca cërka drite vezulluese
nga luspat e tyre
dhe  fillonin të na buçisnin veshët
nga të rrahurat e zemrës së madhe të detit.
 
 
Duk - duk, duk - duk  rrihnin veshët tanë,
gjersa ngjiteshim lart për të marrë frymë
dhe sërish zhyteshim
në atë xham të lëngëshëm haluçinacionesh,
të gjenim se nga vinte ajo oshëtimë  
brënda mushkrive të pafundme të detit.
 
 
Hetonim me kureshtje
thellësirat,
dhe ndjenim sipër kokave tona
të lundronin hijet
e  barqeve të  anijeve.
 
 
Netëve,  gjumi na zinte sërish në thellësira
duke shetitur në qytetet e nënujëshme
së bashku me delfinët,
që s’e kuptonim
si shndërroheshin para nesh në sirena.
 
 
Ato na bënin me shenjë
dhe ne i ndiqnim përmes magjirave të detit,
midis pinave të mëdha sa një bojë njeriu,
që hapeshin dhe shihnim të vezullonin
margaritarët brënda tyre
si në pallate të koraltë.
 
 
Po kur u afroheshim sirenave,
duke mënjanuar meduzat,
dallonim të habitur
fytyrat engjëllore të shoqeve tona.
 
Sarandë, 2012
 
 


[1] Fundo- marr fundo, zhytem në fund të detit

No comments:

Post a Comment