Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Tuesday, 31 January 2012

POEZIA ZEN




 Përktheu:
 Agim Mato


MJESHTRAT JAPONEZË
(Pjesa e parë)


DOGEN (1200-1253)

Doktrina e Patriarkut Perëndimor është transplantuar!
Unë peshkoj në dritë të hënës, deri sa zbardh dita.
Pastërti verbuese! Asnjë grimcë e kësaj toke nuk përzihet
 me borën që bie,
ndërsa, unë këmbëkryq, në këtë shtëpizë malore, ulem në orë
 të mbrëmjes.

* * *

Duke ardhur, duke shkuar, zogu ujor
nuk le gjurmë,
dhe nuk ka nevojë për ndonjë guidë.


SHOIKI (1202-80)

Rrethi që gjithshka e përfshin:
as brënda. as jashtë,
as dritë, as hije.
Këtu kanë lindur të gjithë shenjtorët.


RYUZAN (1274-1358)

Në kaltërsinë e qartë, hëna!
Ujë i ngrirë gjer në horizont
shënon kufirin lart e poshtë. Me frushullimë
dragoi gjarpëron mes shkulmit të dallgëve.

GASAN(1275-1365)

E padepërtueshme është rruga e Sotos.
Përse të jesh skllavi i disiplinës?
Copto vargojtë e artë
dhe ec i patrembur drejt perëndimit.

MUSO

Shumë herë malet janë shndërruar nga të gjelbëra në të verdha.
Dhe kjo, për kapriçio të natyrës!
Pluhur në sytë e tu, bota e trefishtë është e ngushtë.
Asnjë mendim në tru, froni yt është i gjerë e i bollshëm.

* * *

Më kot gërmon në kërkim të një qielli të përsosur,
duke ngritur një barrierë rreth e rrotull.
Në fund të fundit, në një natë të errët, duke ngritur
një tjegull të rëndë, kam këputur mish, në trupin tim.

DAITO (1282-1337)

Më në fund e kam shembur barrierën e Unmonit!
Nga të gjitha anët një dalje: lindje, perëndim, jug, veri.
Brënda në mëngjez, jashtë në mbrëmje: as hotelxhi, as mysafir
 jam këtu.
Çdo hapi im ngre një fllad të lehtë.

* * *

Për të ndarë Budën dhe Patriarkët
rrëmbej shpatën time që shkëlqen.
Sa shfaq mjeshtërinë time,
Zbrazdësia  kafshon gjuhën.

GETSUDO (1285-1361)

Km ecur përmes natyrës së Dharmës,
toka ishte e lehtë, e mrekullueshme.
Pikërisht këtë natë duke fshikulluar kalin e saj të hekurtë
Zbrazdësia hyri me galop në Rrugën e Reve.    

DAICHI(1290-1366)

Mendimet rrjedhin pa fund,
e shkurtër është zgjatja e çdo jete.
Njëqind vjet, tridhjetë e gjashtë mijë ditë:
pranvera shkon, flutura ëndërron.

JAKUSHITSU (1290-1367)

Era freskohet nga katarakti
ndërsa hëna e varur si një fener, mbi majë
shkëlqen dritaren  prej bambuje. Ashtu të plakur,
malet janë më të bukur se kurrë. Kam marrë vendim:
që këto eshtra të pastrohen nga shkëmbenjtë.


CHIKUSEN (1292-1348)

Ai  është pjesë e të tërës, e megjithatë të gjithë i kalon
Vetëm se për komoditet njihet si mjeshtër.
Kush guxon të thotë se ai e ka gjetur?
Në këtë qytet të zhurmshëm unë përgatis dishepuj.


BETSUGEN (1294-1364)


Gjithë natën mendoj për labirintin e jetës –
e pamundur të vizitoj banorët e Ferrit.
Përpjekja autoritare për të futur një kalë në vend të një dreri
doli qesharake. Ky ishte si një sulm
në jetën e magjepsur të dragoit. E përbuzi!
Është në terrin që sytë hetojnë në tokë dhe në qiell,
në ëndrrën që fatkeqët kërkojnë të tashmen, të shkuarën.
Mjaft! Hëna e maleve mbush dritaren .
Kush është vetëm, dështon, kopështi është mbushur me korin
e cinxujve.


JUO (1296-1380)

Tej fragmentit të kohës, jeta ime e përditëshme.
Unë përbuz shtetin, çliroj universin.
Mohoj shkaqet dhe pasojat, si qielli i mesditës,
Kariera ime alternative: as Buda, as Patriarkët, nuk mund t’ua
transmetojnë të tjerëve.

FUMON 1302-69)

E mahnitëshme! E mahnitëshme!
Askush nuk e njeh fjalën e fundit.
Shtrati i oqeanit ka marrë flakë.
Nga Zbrazdëtira hidhen jashtë qëngja prej druri.


SHUTAKU (1308-88)

Për gjithë këto vite, siguria e Zen-it tim:
As unë, as bota ekzistojmë.
Sutrat*  të mbyllura  në sirtar,
flauti im i varur në mur,
prehem i qetë nën dritën e hënës
ose ulem duke dëgjuar ujin që thyhet
në shkëmbinj : askush nuk mund të blejë një kënaqësi si kjo,
një milionë monedha shkëlqejnë duke përshkënditur në pirg.

*tekste të shenjta

* * *

Mëndja çlirohet në mbretërinë e Dharmës,
ulem pranë dritares së përmbytur nga hëna
duke përgjuar me vesh malet atje tej,
duke dëgjuar përroin me sy hapur.
Çdo molekulë predikon një ligj perfekt,
çdo moment këndon një sutër të vërtetë:
mendimin më të shpejtë nuk ka kohë që e mat,
vetëm një fije floku mjafton të trazojë detin.
  
RYUSHU (1308-88)

Përse të shqetësohesh për të tjerët në botë?
Leri të tjerët t’u dalin thinjat, të ropaten në lindje e perëndim.
Në këtë tempull lartë në male, i shtrirë gjysëm brënda
e gjysëm jashtë, prehem larg gëzimeve dhe halleve.

TESSHU (shekulli XIV)


Si mundet që trupi i rremë të shërohet nga sëmundja e tij
e rreme, që fillon në bark?
Në se nuk e keni  këputur një ilaç nga pema e Bodhit,
ndjenja  e Karmës do t’ju shkatërrojë.

 SHUNOKU (1311-88)

Pas këngës së pranverës “Zbrazdësi e pafund, asnjë shenjtëri”
Eja këngë e erës borinë gjatë lumit Jance,
në natën e vonë edhe unë i bie flautit
duke përshkuar me tingujt e tij lumin.


TSUGEN (1322-91)

Asnjë lëvizje në dritën sunduese,
shpirti nuk mund të ofrojë vetvetiu një vizion të tillë.
Edhe në se agimi nuk ka mbërritur, e verdha këndon:
Feniksi, me lule në buzë, i uron mirëseardhjen pranverës.


GUCHU (1323-1409)

Njerëz pa sërë, si kokra kakërdhie,
vijnë së bashku, duke mbajtur erë qiell e tokë,
si mund të sillen si duhet në qetësinë e tempullit
kur, me kokën bosh, ecin në kërkim të dritës.

MUMON (1323-90)


Jeta: një re që përshkon majën.
Vdekja: veli lundrues i hënës,
oh, prano të paktën një herë të vërtetën
e vetvetes, dukurinë,
dhe do të jesh një hu ku lidhet gomari!


GIDO (1325-88)

Mbishkrim në portën e Gidos

Ai që këmbëngul se Asgjëja
është pa formë, që lulet janë vegime,
lereni të hyjë me guximin e tij.

KUKOKU (1328-1307)

Duke hypur sëprapthi në këtë kalë druri
po kalëroj përmes Zbrazdësirës.
Do të doje të ndiqje gjurmët  e mia?
Eh! Përpiqu të ndalësh stuhinë me një rrjetë.


ZEKKAI (1336-1405)


Zbrazdësira u shkërmoq mbi tokë,
yjet, duke u djegur, precipitojnë mbi Malin e Hekurit.
Me një spazëm unë flak të shkuarën.


REIZAN (?-1411)


Ulur, me të gjitha dyert hapur, zgjidhen dallime pafund.
Në këtë vend të qetë vazhdoj punën time, cilado qoftë ajo.
Larg nga njëqind lulet,  shkoj i lirë,
shkëmbinjtë që ngrihen – salla ime e meditimit
(Sa del hëna truri im pushon.)
Ulur në këtë stol të ftohtë, nuk ëndërroj më famën.
Pylli dhe mali ndjekin udhën e tyre të lashtë,
dhe në ditën e gjatë pranverore, as dhe hieja e një zogu.
EICHU (1340-1416)

Sytë e mi të përgjojnë midis qerpikëve!
Hoqa dorë nga gjërat e zakonëshme.
Ç’kuptim ka litari në qafë, për kë
e fshikullova frerin me dredhi?

HAKUGAI (1343-1414)


Vitin e shkuar, në një tempull të ëmbël në Hirosawa,
Këtë vit misid shkëmbinjve të Nikkosë,
gjthshka më duket një soj.
Duke rrahur duart, majat gjëmojnë në kaltërsi.

NANEI (1363-1438)

Duke ndarë më dysh Zbrazdësirën,
duke shkërmoqur dheun,
përgjoj, ndërsa lehtë avitet në lumë
hëna e shtyrë nga retë.


KODO (1370-1433)

 Duke i shërbyer Shogunit në kryeqytet
i njollosur nga pluhuri i botës, nuk gjeja prehje.
Tani, duke ngjeshur kapelen prej kashte, ndjek lumin:
Sa e freskët është pamja e pulëbardhave mbi rërë.


BOKUO (1384-1455)

Për shtatëdhjetë e dy vjet
e mbajta demin në robëri.
Tani, që kumbulla lulëzon sërish
po e le të lirë mbi dëborë.


IKKYU (1394-1481)

Pas dhetë vjetësh në rrugët plot rëmujë të qytetit,
jam i vetmuar në një shpellë midis maleve.
Mund të shoh retë me milje e milje larg,
duke dëgjuar muzikën e lashtë midis pishave.

KOKAI (1403-69)

Duke gjetur një mbështetje, humbet në zbrazdësi;
duke e lënë të shkojë, ajo fiton përsëri origjinën e saj.
Qëkurse muzika ka pushuar, asnjë hije nuk e preku
portën time: sërish hëna e fshatit del mbi lumë.

NENSHO (1409-82)

Vetëm me një zgjim të mirëfilltë mbërrin këtu.
Vetëm budallenjtë kërkojnë shenjtërimin për t’u shpërblyer.
Duke ngritur një dorë, feneri i farit prej guri lajmëron
                        mëngjesin. Duke buzëqeshur
hapësira e shpall me kokën e saj të madhe.


GENKO (?-1505)

I vetëdijshëm, pa iluzion
nga ky shkëmb kundroj malet, ndjej përroin.
Një shi prej tre ditësh e pastroi dheun,
Një përplasje rrufeshë çau qiellin.
Gjithmonë të lidhura zinxhir janë fenomenet,
sado vigjilent të jetë truri, para tyre është vetëm një grusht hi.
I ftohur, i zbehtë, si mjegulla në të cilën eci,
kthehem duke mbajtur në krah një shportë të mbushur me
                        pjeshkë.

 SAISHO (?-1506)

Asgjëja e Joshusë

Tokë, male, lumenj – të fshehura në këtë zbrazdësi,
në këtë zbrazdësi – tokë, male, lumenj të zbuluar.
Pranvera lulëzon, dimri hedh dëborën:
Ekziston dhe nuk ekziston, as e mohon  as e pohon dot.

YUISHUN (?-1544)

Ja, nuk është se lëvizjen  e syve e drejtojnë vetullat!
Këtë e kam menduar gjatë e gjerë.
Zgjohem, më në fund, gjej hënën
lart mbi pisha, ndërsa lumi fillon e fryhet.
  
UNGO (1580-1659)

I zhytur  në vorbullën e tre pasioneve, bëhem i verbër,
të  mbyllura në botën e gjërave sytë shohin përsëri.
Në këtë botë unë rroj: i mbuluar me një kapele kashte, bastunin
                        në dorë
lëviz në një hapësirë pa kufi, në tokë e në qiell.

 DAIGU (1584-1669)

Këtu asnjë nuk mendon për pasuri e famë,
Të gjithë flasin për të drejtën, dhe gabimi është refuzuar:
Në vjeshtë mbledh fletët në breg të lumenjve,
në pranverë dëgjoj bilbilin.

 ***
Kush guxon të afrohet në strofkullën e luanit
tej në male? I ftohtë, i fuqishëm,
ndjekës i vargjeve Zen nga koka e në këmbë,
lë të hyjë nga porta flladi i pranverës.

 MANAN (1591-1654)

 Më në fund i lirë, murg endacak,
kapërxej pengesën  e vjetër të vargjeve Zen.
Jeta ime i ngjan reve dhe korenteve që nuk lenë gjurmë.
Cili nga këto male do të jetë shtëpia ime?
  
FUGAI (shekulli XVII)

Vetëm ndjekësi i Zen e njeh qetësinë shpirtërore.
Oreksi që prish botën nuk mund të mbërrijë në këtë luginë.
Nën freskinë e një dege, dritaret e trupit
janë të mylluar mirë, unë ëndërroj, zgjohem, ëndërroj.

 BUNAN (1602-76)

 Hëna është ajo, e lashta gjithmonë,
lulet janë ekzakësisht si më parë,
E, pra, e kam gjetur thelbin
e të gjitha gjërave që shoh.
 KARASUMARU-MITSUHIRO  (1579-1638)

Ruaju nga kafshimi i ideogramave* të Zbrazdësirës
sepse dhëmbët e tua do të thyhen. Ta gëlltisësh është më mirë
                        sepse do të kesh një  thesar
në vend të shpresës së  Budës dhe Mëndjes.Flladi i lindjes
përkëdhel veshët e kalit: sa i ëmbël është parfumi i kumbullës.

 * Një ideogram është një simbol grafik apo një karakter që  i korrespondon një fjalë apo një koncept (kuptimin e saj), duke lejuar komunikimin me shkrim për njerëzit me gjuhë të ndryshme.


 TOSUI (?- 1683)

 I kënaqur me një tas të shtypur dhe mantelin copë e çikë,
jeta ime rrjedh e qetë.
Detyra ime e vetme: të lehtësoj urinë, etjen,
moskokçarës ndaj të tjerëve dhe pëshpërimave.

Monday, 30 January 2012

"Miq të Klubit Jonian": Sabit IDRIZI


Sabit IDRIZI u lind më 16 shtator 1955 në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe. Deri më tash ka botuar këta libra:

1. Pesha e fundshekullit, poezi, 1995
2. Përderisa është e martë, poezi, 1997
3. Diell me dhëmbë, poezi, 1998
4. Finalja e zhgënjimit..., ditar, 2000
5. Mbretëresha është gjallë, poezi, 2006
6. Zarfi, prozë, 2008
7. Ma fsheh bregun tjetër, poezi, 2010

Që nga mbarimi i luftës është shef i Sektorit të Kulturës në Komunën e Mitrovicës, punë të cilën e kryen edhe tash. Është edhe kryeredaktor i revistës letrare Fjalë e valë, të cilën e financon Kuvendi i Komunës së Mitrovicës e të cilën e nxjerr Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, kryetar i së cilës është. Është redaktor, recensent apo redaktor gjuhësor i mbi 60 librave të autorëve të ndryshëm. Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin anekënd trojeve shqiptare. Është përfaqësuar në disa antologji dhe leksikone. Disa nga poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në rumanisht dhe anglisht. Që nga viti 1997 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Mitrovicë.




Sabit IDRIZI

BASHKUDHËTARJA IME
(Gruas sime Hajries, e cila po lëngon nga një sëmundje e rëndë)

Nga po resh gjithë kjo verdhësi
Mbi hartën e përhirtë të ëndrrave tua

Kur të pashë sot në mëngjes
Aty përpara Shtëpisë së Shëndetit
Thashë se nga vetura nuk zbrite ti
Po vetë kulmi i vjeshtës

Me atë shikim prej mjegulle
S’dija a po më luteshe për diçka
A po m’i shigjetoje vitet e mbetura

Ani
Le të ketë mungesë barërash
Mungesë filmash të rëntgenit
Shkelje betimesh të Hipokratit...

Ne do të shkojmë prapë tek doktoreshë Mevlydja në Shupkovc
E ta marrim edhe pak melhem shpirti
Që t’mos na pëlcasë kjo ditë këtu

Ndalja nuk është rrugë
Bashkudhëtarja ime prej ëndrrash
E ne kemi për të shkuar diku...

Mitrovicë, mars 2011




KËMBIMI

Me një kavanoz zorrë në dorë
Trup i bie Prishtinës
Më prinë përpara shpresa
Hallet m’rëndojnë shpinës

Diku te “Bill Klintoni”, më thonë
Është laboratori “Shpresa”
Aty ku dritëson dielli
Aty ku veson vesa

Kërkoj dhe e gjej “Shpresën”
Hallet m’rrinë karshi
E jap një grusht lekë
Marr një kumt të zi

Prishtinë, maj 2011



KËRKOJ FALJE
(Gruas sime Hajries, në dymujorin e vdekjes)

A të kujtohen ato ilaçet që t’i përmendja përditë
(Aty tek shtrati i dergjës)
E që po vononin të na vinin
Nuk kanë qenë ilaçe
Kanë qenë përpëlitjet e mia të fundit
Përpara se t’ia dorëzoja qiellit
Flakën e shkrumbimit tim

Mitrovicë, më 1 shtator 2011



SINJALE TË MJEGULLTA

Unë të flisja për arritjet e mëdha në Shkencat e Mjekësisë
Ti e haje shtatin nga dhembjet e padurueshme

E diku nga pellgu i thellë i verdhësisë sate
M’i dërgoje do sinjale të mjegullta
Që t’i deshifroja prometheisht

Ç’po ndodh kështu me këtë shekull të ri
Që po sqepton kaq pamëshirshëm 
E s’po ngopet mëlçi


BUZËQESHJE E VYSHKUR

Më së shumti më dhimbseshe
Kur shtërzoje me krejt fuqinë e shpirtit
Për ta pjellë një buzëqeshje të vyshkur



FALJE-MARRJE

Kur hoqën dorë të gjithë mjekët
(Kemi arritur shumë në Shkencat e Mjekësisë, s’ka fjalë!)
Ajo m’u dorëzua mua
Dhe Krijuesit të Madhërishëm 
Unë për vete
(Me pafuqinë time prej vdekatari)
S’lashë ilaç pa trilluar
S’lashë guri pa rrotulluar
Që t’ia falja bile do pritje
Kurse ai...
Krijuesi i Madhërishëm
(Që s’ka çka s’ka)
Pse ia mori të gjitha përnjëherë nuk e di


DORËZOHEM   

Ndonjëherë kur të kesh kohë me bollëk
Ktheji sytë edhe kah fëmijët e mi
E shihi si vdesin nga dash (uria)

Të lutem shumë atdhe
M’u hëngër mëlçia
Nuk jam më Promethe...



BISEDA E FUNDIT ME TË

Kësmet
Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)
Do t’ia nisim shtëpisë

Po (ia ktheva) do ta ndërtojmë një shtëpi të re

Ndoshta deri atëherë (vazhdoi ajo me gjysmë zëri)
Do të punësohet bile njëri djalë

Po (ia ktheva, i bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri

Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)
Do t’i marrim dy nuse të mira

Po (ia ktheva) do t’i martojmë të dytë përnjëherë: Ramadanin dhe Liridonin  

Do të na mbushet shtëpia plot me nipa e mbesa (u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)
Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës... 

Po (ia ktheva) do të... (dhe dola jashtë e ia plasa vajit)

Kur u ktheva sërish në dhomë
Ajo tashmë ishe nisur pakthyeshëm
Dhe po fluturonte drejt yllit të vet 

Në dy pika loti të kristaltë
Që ende po rrëshqisnin ngadalë faqeve të saj të vyshkura
Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra...



ÇUDI

A malli si prush
A pse po ndjehem tjetërkush


Ç’TË BËJ ME TO

T’u lëshoj fre ëndrrave
A t’i vë nën dry
N’ç’themele t’i ndërtoj të shkretat
Tash pa ty


KUSHT

Po ma gjetët një epokë që s’u përpoq t’i verbojë poetët
Do t’jua jap sytë e tyre që të shihni në përtejkohë

Po ma gjetët një të tillë që s’u mundua t’i vrasë ata
Do t’jua jap jetët e tyre të gurëzuara nëpër kështjella metaforash
Që edhe ju ta merrni guximin
E t’ia tregoni bërrylin vdekjes

(Mik i Timo Merkurit)

Saturday, 28 January 2012

POEZIA ZEN – Mjeshtrat kinezë - Përktheu Agim Mato






VDEKJA


DAICHU


Njëbrirëshi i i zjarrtë  këputi
zinxhirin e artë dhe lepuri hënor
përplasi kangjellën e argjentë;
mirësevjen mbi malin Shozan,
moj hënë e mesnatës.

FUYO – DOKAI (1042-1117)

Gjashtëdhjetë e shtat vjeç po e mbyll
hesapin me këtë jetë –
as qiellin kërkova
dhe as ferrit nuk ju tremba.
Do t’i çoj këto eshtra
tej botës  së Trefishtë,
të paskllavëruara, të patundura.

SOZAN – KYONIN (shekulli IX ?)

Një pemë pa rrënjë,
gjethe të verdha të shtrira
tej kaltërsisë;
as re, as njollë.

UNPO BUN – ETZU

Shtatëdhjetë e pesë vjeç,
murg për pesëdhjetë e shtatë vjet.
Dishepuj, përse pyesni
ku shkoj
me hojzat në tokë?

KOKO

Në fund të fundit, fjala,
nuk më mban lidhur  më.
Hënë e ftohtë mbi pellg,
tym mbi anijen.


TENDO – NYOJO (1163 – 1228)

Gjashtëdhjetë e gjashtë vjet,
duke grumbulluar mëkate,
kapërxej në ferr,
tej jetës dhe vdekjes.

SEIHO

Qielli nuk është i lartë,
toka nuk është solide,
përpiqu ta kuptosh! Shih,
sot, 25 dhjetor,
në jug shkëlqen Harusha e Madhe.


SHOZAN

“Asnjë mendje, asnjë Buda”
ja fusin kot dishepujt
“Gjer në lëkurë, gjer në palcë”
Mirë, pra, gjithë të mirat:
atje tej një majë shkëlqen mbi tjetrën.

LAYMAN YOKETSU

Asgjë s’është dëshiruar,
asgjë s’është braktisur.
Në Hiçin e madh –
A,B,C,D.
Një gabim, një tjetër,
gjithkush kërkon
Parajsën Perëndimore.

HOMYO

Verë, që më turbullon gjithmonë,
edhe pse ruhem shumë në të pirë.
Ku do të rezistoj
i kthjellët këtë natë?
Në ç’qoshe të breglumit
do ta pres aurorën hënore?

ZUIAN

Shpata që përshkon qiellin me shkëlqim të akulltë
çan demonë, Budë, patriarkë,
pastaj, e ndriçuar nga hëna, e nervozuar nga era,
zhytet në këllëfin e veshur me xhevahire. Dema të hekurt
zhyten gjatë gjithë brigjeve lumore.

SHISHIN – GOSHIN (?-1339)

Duke folur : shtatë hapa, tetë rrëzime.
Duke heshtur: një, dy hapa të rreme.
Poetë vargjesh Zen, kudo që jeni,
ndalni, çlironi trurin.



SHOKAKU

Erë e fortë, hënë e ftohtë
një përrua i gjatë përshkon qiellin,
asnjë hije tej kangjellave –
katër anë, tetë drejtime.



RAKAN KEINAN

Sot Rakani, duke i hypur sëprapthi
një kali të hekurt, hypën në malin Sumeru,
duke rendur me galop përmes Zbrazdësirës
asnjë gjurmë s’do të le.

IKUO JOUN

Ky mik, i përsosur në sytë e njerëzve,
përsërit gjithmonë të njëjtën gjë,
prej pesëdhjetë e gjashtë vjetësh. Tashmë
ka diçka të re: pemët do të bëhen ushta,
kodrat shpata.

CHITSU

Mos e rruaj më kokën,
mos e laj trupin
bëji kapicë drutë,
gati t’u vesh flakën.




UNCHO

Dyzet e nëntë vet:
çfarë rropame!
Tetëdhjetë pranvera:
çfarë gëzimi!
Ç’është të kesh e të mos kesh?
Të ëndërrosh e të ëndërrosh.
Kumbulla të ngakuara me borë,
unë jam gati!

DAIE SOKO (1089-1163)

Jeta është siç e kemi gjetur,
ashtu dhe vdekja.
Një poezi lamtumire?
Përse të këmbëngulësh?


WAKUN SHITAI (1108-1169)

Pema e hekurt lulëzon,
pula shpall vezën e saj,
kaluan të shatëdhjetat e unë
sharroj vargjet në skela.

YKUO-MYOTAN

Për shatëdhjetë e dy vjet e kam mbajtur lart
pasqyrën e fatit.
Do ta kem thyer
pasi të kem mbërritur në fund të udhëtimit.


DAISEN


“Të gjitha gjerat ndahen”
Asnjë gjurmë shenjtërie
në këto eshtra të varfra;
Hirin e tyre do ta shpërndajnë
në valët e lumit Jance.
Ky është i vetmi parim:për të gjithë.



KYURIN-EKI

Tetëdhjetë e tre vjeç: më në fund
s’mi ve kush frerët.
Lisi është një Budë,
të panjohurat janë shembur.

TESSHO

Më në fund tej limiteve-
as marrëdhënie, as vartësi.
Sa i qetë është oqeani
që sundon Zbrazdësirën.


SEKISHITSU-SOEI

Pesëdhjetë e tre vjeç,
një buall i ngathët që e lenë fuqitë.
Tani këmbëzbathur çapitet
në Zbrazdësi - ç’absurditet.

DANKYO-MYORIN (shek.XIII)

Duke ardhur, mbledh duart grusht,
duke ikur, i shtri.
Duke kapërxyer barrierat
një thupër lotusi
bën të zvarritet elefanti.

ICHIGEN

Gjashtëdhjetë e tetë vjet  i shtyva:
të shumta e të kota shpenzimet. Demi prej balte
thyhet në dyshemenë e oqeanit.
Në qershor, flokë bore.

GEKKO-SOJO

Si u sillkan kështu poetët Zen
për meritë të shterpësisë!
Ç’marrëzi më bën që t’i bie
në mesditë këmbanës së mesnatës?


SEKIOKU-SEIKYO

Trupi im  nuk do të infektojë
pjerrësitë në lulëzim –
Mos e gërmoni këtë dhe,
ç’nevojë ka përqëndrimi në flakën Samadhi?
Një barrë shkarpa mjafton.

KIKO

Mali Sumeru – grushti im!
Oqeani – goja ime!
Mali  bëhet thërrime, oqeani thahet.
Ku kërcen lepuri i stolisur?
Ku vërtitet korbi i artë?

Thursday, 26 January 2012

Nje pike…





nje pike te embel kerkoj
te thyej kripezimin
zhytur ne thellesine e detit blu
te mbetem si deshiroj
te heq perçmimin
kur embelsine time ta kem derdhur mbi ju

Duhet

Gjunjezimi eshte frenimi I humbjes
Kur rreshket ne balte
Ne prekjen e tokes me force
T’I pershtatesh dhimbjes
kur jodin  e shperndan neper plage
qe te ringrihesh
pa iu shmagur mbeshtetjes
kembet t’I shkulesh ngadale ,por ne toke
Zëmra i mban për vete..
Mësova të dëgjoj fjalë zëmre
Zhurmë ndjenjash
psherëtimë për një ikje…
“une e doja me shume”…
përskuqje deshire
tension gjaku dhe dridhje
shuplakë
më pas përkëdhelje
ndërrim bisede
urtësi në fjalë dhe mendim
diçka mërmëritet si sekret
pushoi në një moment së rrahuri
në një tjetër me nxitim
mësova të dëgjoj fjalë zëmre ,por ti them  nuk i di…

Përse jo..
Retë fugojnë shpejtësisht , formojnë figura
ëndërrime tokësore
disa bien,pluhurosen
disa lotojne.
Ne që presim poshtë tyre
përse nuk lëvizim si ato?
të gjejmë poshtë nesh shëmbëlltyra
buzëqeshjen të na presin kur të bjerë prej fytyre
lotët..
t’i përcjellin në botën e tretë …
përse jo..

TË ÇMENDURIT


EDMOND LLAÇI



Skicë

Bym, bym, kërrr... Përtej ekranit televiziv që qëndronte i varur në mur, filluan të dilnin të shtëna arme.Ato bënin rikoshet nëpër muret e salles dhe përplaseshin në timpanin e dëgjimit të njeriut të vetëm që ndodhej ne sallën me tavolina e karrike bosh. Nervi i syrit të majtë të tij, zbriti me shpejtësi dhe mbaroi poshtë nofullës. U duk si një zgërdheshje që po i dilte nga një mendim i thellë.Për afro një minutë fytyra e tij ra në qetësi. Ata sy ku bebja e tyre kishte një bardhësi deri në zbrazësi, të krijonin bindjen se ndodheshe ne një spital psikiatrik.
Bym, bym, kërrr... vazhdonte kërcitja e armëve që po dilte nga televizori. Ato përplaseshin ne muret e zbrazëta të sallës, tej të zgjyrosur nga bardhësia e dikurshme që i kishte dhënë bojaxhiu i fundit.
Në një moment të shpejtë pas asaj, duart e tij eshtërmëdha u mbërthyen aq fort sa mund të mendoje se po i tregonin focën njeratjetrës.
Ai ngriti kokën dhe i hodhi një shikim të shpejtë atij ekrani të çuditshëm. Sugjestonohej lehtë. Pothuajse, qe i vetmi që i largohej atij përbindëshi.Ajo drite shumengjyreshe e alarmonte vazhdimisht.
E ngriti prap kokën tek shihte gishtrinjtë e tij të ngrinin krye karshi njeri tjetrit. I tërhoqën vëmendjen ato të bërtitura që dilnin nga ajo kuti dritë verbuese. Pa t’i qartësoheshin ato njolla në turma njerëzish. Mendoi për një çast se mund të shkonte pranë tyre dhe të bërtiste me ta, por.kërcitja e armëve e stepi. Siç u ngrit në këmbë po ashtu u ul rrëmbimthi. Në mënyrën më të thjeshtë, në aq pak sa ndjente, kuptoi se nuk duhej të reagonte.
Bym, bym, kërrr... krismat në vazhdimësi përplaseshin në zbrazësinë e sallës e të mendimit të tij të mjerrë.
Befas, ai dha shenja njerëzore duke reaguar‚’’Shumë rrëmujë po krijoni. Nuk mundem. Mjaft, nuk dua zhurmë’’. Pastaj nisi të bërtasë. U ngrit në këmbë, kapi tavolinën që kishte pranë dhe e flaku tej. I u drejtua atij ekrani të xhamtë  që ndodhej i montuar në mur por nuk e arriti.
U ndal duke kujtuar se të keqen e kishte përbrenda vetes së tij.U përpoq të shkulte flokët e qethura zero, por asgjë. U përpoq të fuste përbrenda gojës thonj e gishtrinj për ta shqyer atë. Prapë, e pa mundur. Heshti duke drejtuar gishtin tregues të një prej duarve të tij drejt asaj kutie. Lëshoi një ulërimë gati si të dragonjëve flakhedhës për t’i trembur e larguar prej andej ato turma tek vinin e shtoheshin. I rrëmbeu tavolina e karrike duke bllokuar porta e dritare
 Në fytyrën e tij nuk ndjehej më egërsi por frikë ndaj asaj turme të zhurmëshme tek po përhapej në të gjithë qytetin. Instikti i mbrojtjes bëri që çdo  gjë që ndodhej aty t’i ngjeshte pas portave e dritareve
E pa mundur. Si një ciklon, ato të bërtitura e ulërima njerëzore, të shoqëruara me kërcitje armësh nisën të hynin vrrullshëm në sallën ku ndodhej. Ajo vorbull thithëse gjigande fuste brenda çka gjente jashtë.dhe sëbashu me ta shkatërronte çdo gjë që u dilte përpara.
Forca manjetike e poleve të kundërta që u krijua në ato çaste ishte aq e fuqishme sa  e hodhi jashtë atë mjeran. Nuk e kuptoi se si u ndodh në mes të rrugës. Për herë të parë e pa veten matan asaj godine dhe atij rrethimi të madh me tela .Zhurma e madhe e njerëzve që po shtyeshin të hynin brenda dhe kërcitja e armëve po e hutonin së tepërmi.“Duhet të kisha dale më shpejt prej andej„ i tha vetes  nën zë. Turma si bisht gjarpëri vazhdonte të  hynte përbrenda asaj godine të çmendurish.
 E pa edhe një herë dhe ja kërciti vrapit më të poshtë kembezbathur duke ulëritur. Ajo klithmë nuk kishte lidhje fare me të bërtiturat e turmes.          

   1997