Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Saturday 25 May 2013

Leximi identitar i Mërkurit




Fatmir Terziu

100 vitet e Pavarësisë Timo Mërkuri i sjell në një kënd tjetër. Në një kënd që ravijëzon traumat epokale, mes fjalës së shkruar e të folur, mes një arti që në vetvete sjell norma të reja dhe të këndshme leximi tek “Epoka që verbon poetët”. Kjo epokë që sjell dritë në syrin e poetëve, dhe këtë dritë më tej e linçon metafora e verbërimit. Ajo verbëri në stilin tjetër të shkrimit që lexohet si traumë poetike. Trauma është në vetvete një eksperiencë troshane. Një arsye që të krijon trazira përshpirtjeje. Një dalldisje e brendshme e kërcënuar nga lotët që dalin dhe s’dalin. Dhe në gjithë këtë lëvizje metafizike, trupi është ai që i kapërcen të gjitha. Në një metafizikë të tillë janë vetë epokat. Po “Epoka që verbon poetët” e shkrimtarit, poetit dhe hulumtuesit sarandiot Timo Mërkuri, a është pjesë e kësaj metafizike? Pikërisht këtë do të sqarojmë për lexuesin e më gjerë në këtë analizë të cilën e shoh si një fragment lidhëzor në tranzitin e kohërave, epokës, eksperiencës, identitetit dhe teorisë kritike. Në librin më të ri të autorit trauma është një koncept jo i drejtpërdrejtë, por një nocion që varion dhe shfaqet mes vajit në një përsiatje rreth librit “Pse qanë kuajt e Akilit” të Vaso Toles, ose më saktë në një këndvështrim tejet adekuat të autorit Mërkuri. Sepse jo më kot Mërkuri e gjeti këtë perceptim të gjerë në mes dëshmisë së tij të hershme se “Përkundër hamendjes së përgjithshme për vajtimin, unë ju them se ka dhe ai bukurinë e tij, finesën dhe elegancën.” Pra vajtimi në letrat hulumtuese të Mërkurit, po aq edhe në këtë libër është, një traumë e lexuar artistikisht mes tradicionales në art-kulturën e popullit që diti të lexojë dhimbjen në art, por edhe në një kënd të veçantë, ku vetë vajtimi lexohet si art-kulturë.
Ndoshta mendohet që s’ka patur ndonjë këshillë apo ndonjë arsye për një fill të fijëzuar shkencërisht në këndin e vajtimit. Si i tillë ai nuk do të thotë se nuk ka qenë ‘i organizuar’ në sensin e tij më të qartë. Për këtë mjafton të shohësh e lexosh mendimin e Mërkurit që të plotësosh thelbin: “Kaq thellë ka hyrë në jetën tonë vajtimi me ligje i nënave tona vajtore, ai rënkim vaji i pambarim nëpër ksodhe, që identifikohet me gërmën “ë”, sa që jemi ndoshta i vetmi komb në botë, që e kemi mbartur këtë rënkim edhe te alfabeti. Vini re shqiptimin e gërmave të alfabetit të shqipes, p.sh bashkëtingëlloret b(ë)…c(ë)… t(ë),…m(ë),..n(ë) etj, të cilat përfundojnë me atë gërmën “ë”  rënkuese  të vajtoreve.”. Dhe kështu ‘Loti i shndërruar në …verë’ i Mërkurit mes gati njëzetë pikave na sqaron më së miri në këtë libër se loti i traumatizuar është një lidhje me Zotin dhe rrugën e tij, është brenda verës, brenda vetë kësaj lidhjeje në ‘një nivel të paarritshëm artistik’.
Në këtë libër shqetësimi artistik i Mërkurit është edhe tek memorja, tek koncepti i saj që sjell pasqyrën e identitetit shqiptar. Ai me esenë e tij “Jan Kukuzeli nuk ka kënduar… labçe”, i kundërvihet teorive të dala në këto kohë, u jep përgjigjen e duhur studiuesve vendas dhe të huaj, kryesisht fqinjëve tanë, që në sferat e studiuesve të iso-polifonisë në veçanti dhe të këngës popullore në tërësi, ‘po qarkullon një tezë, e bukur dhe mikluese në dukje, por që për mendimin tim, jo vetëm që nuk qëndron, por është thjesht shtrembërim i së vërtetës, dhe si pasojë, është e dëmshme’. Sipas Mërkurit në këtë ese ‘Jan Kukuzeli, gjeni i kombit tim, shenjtor i ortodoksisë, emër që i bën nder vendit tim me gjeninë e tij…nuk ka kënduar …labçe.’ Arsyen ai e shpjegon në disa fakte argumentuese dhe më tej shton se Kukuzeli nuk është autori i iso-polifonisë, nuk është ai zhvillues i saj dhe as mbështetës i saj. Siaps tij ai është gjeni në …liturgjinë dhe në himnografinë  kishtare, por jo në iso-polifoni. Dhe smë qartë sipas autorit “Arsyeja që më detyroi të merresha me këtë temë, është fakti se, duke ia veshur Jan Kukuzelit meritën e lindjes, zhvillimit dhe përparimit të iso-polifonisë, bëhen disa shtrembërime të së vërtetës, që të çojnë në konkluzione të gabuara, dhe të dëmshme dhe më konkretisht.”
Shkallët e ndryshme të leximit të faktorëve traumatikë mes ikjes dhe ardhjes metafizike të gjerave në këmbim të miteve dhe identiteve autori i qartëson edhe tek një kritikë të detajuar në një ndalesë rreth librit “ Guri i rëndë në vend të vet”, të Kristo Çipës dhe grupit himarjot të drejtuar prej tij, “Në Himarë, ku dhe Zoti vjen i ftuar…”. Këto shkallë leximi ndihen edhe në trokamën e lehtë të penës së Mërkurit në gdhendjen e personazheve të lidhur me faktorë të identitetit, ku ai gjen Golik Jaupin, të cilin e cilëson ‘Gjenerali të Këngës Labe’. Është i tillë për Mërkurin në mjaft fakte, por me një arsye të fortë si kjo ‘I lindur në Bënçë, një fshat i vogël, ose më  saktë, një fshat sa një lagje …fshati, por që  talenti i  Golik Jaupit, ia rriti famën sa …shtatë vilajete’ e bën këtë një vatër të ngrohtë të memorjes që saktëson mjaft: “Nga të paktët artistë që i kthen me dinjitet borxhin ardheut të tij, duke prezantuar nëpër botë pranverën magjike të shpirtit të popullit. Dhe qetësisht vazhdon të jetojë në Bënçë, duke kullotur një tufë  bagëtish, kur mijëra të tjerë, që e kanë hijen e mëngjesit pak më të …vogël se një gërmë e emrit të tij,  jetojnë luksin e vilave. Të harruar, gjithsesi, ndërkohë që gjeneralin e kërkojnë çdo ditë e në çdo vend.”
Ndërsa pjesës së parë autori Mërkuri i ngjiz edhe një bisedë filozofike të lënë në mes më autorin e kësaj analize, ai kapërcen shkallën e parë dhe ia jep së dytës në një kapitull që nis me “Sa e bukur është gjuha jonë!” në një këndvështrim tejet të veçantë për librin poetik “Hojëza fryme” të Zimo Krutaj. Këtu shkalla lexuese e Timos largon padashje qëllimin dhe qëllimi mbin apriori në vetvete: “Që gjuha shqipe është një ndër gjuhët më të vjetra të botës, për t’u bindur, mjafton të klikoni në Google, në andresën “Ëorld languages tree”, ku do t’ju shfaqet menjëherë e ashtuquajtura “Pema e gjuhëve”. Për të gjetur gjuhën shqipe, ju siguroj se nuk do të lodheni fare. Është një degë e vetme, ku gjelbërojnë dy gjethe, fare pranë rrënjëve indoevropiane të kësaj peme. Mbi të, kulpërohen plot degë e degëzime, shumica e tyre plot filiza në rritje e plot gjethe, që bëjnë hije me kurorën e tyre mbi të shkretën degë, me vetëm dy gjethe dialektesh të shqipes. Ama duke e parë aty, degë e parë, shumë afër rrënjëve në raport me të tjerat, befas kuptova se kjo “degë dygjethëshe”, shërben për t’u ngjitur lart, në kurorën e gjelbër dhe për të parë si janë “frutat e pemës” dhe si janë “foletë e zogjve” në këtë pemë...” Këtu në këtë hyrje të detajuar autori vërteton shkallët e tij përlexuese dhe na jep arysen e leximit mes Benjaminit të imazheve që kishin mbresë mes shkallëve përlexuese të Marcel Proust tek “A la recherche du temps perdu”.
Dhe jo më kot imazhet e Proust në leximin ndryshe të Mërkurit vijnë si një arsye mes çështjes, si një rend mes rendit të parendëzuar, ku trupi, objekti dhe shtëpia janë një me poetin. A nuk është i tillë edhe leximi i esesë “Shenjtërimi i shtëpive tona…dhe Niko Kacalidha?” Padyshim në një rjedhë të qartë dhe në një fushë të argumentuar, s’ka si të kuptohet ndryshe: “Dhe të vjen të thuash pas kësaj, natyrshëm e zëplotë; Mos vdeksh kurrë o Niko Kacalidha, se s’duroj dot të mbajë zi mullizeza/ në krye të kortezhit të përmortshëm të zogjve. Vërtet Niko, s’duroj dot të  çmenden zogjtë e lulet. Prandaj ulu e shkruaj akoma dhe lere vdekjen të presë te gardhi i poezisë. Të presë sa të thinjet. Me siguri do të mërzitet dhe do ikij për fare. Udhë e mbarë i qoftë! Se ne kemi shumë Fjalë të thëna në pranverë për të shkruar.” Janë këto imazhe pranverore që lidhin qetësinë shpirtërore mes shkalimit të traumës së brendshme dhe ikjes në zanafillë për të gjetur qetësinë, aty tek natyra me të cilën poeti kapërcen fate, kapërcen edhe trazimin në epokë. Trazimin që poeti e sheh artistikisht tek poeti, dhe me metaforën e tymin sjell vlerën artistike të poetit që gatuan me frymë. Është kjo frymë që i ngjizet poetit Tosku, për të cilin mërkuri shkruan “Xhelal Tosku ecën nëpër …tym” Dhe këtë imazhëri të tymtë artistikisht të qashtër e gjen në ndalesën rreth vëllimit   poetik “Tani për tani’’ të poetit Xhelal Tosku.
Teksa imazhet janë arsye në identitet, janë edhe ura lidhjeje në kultura dhe në qasje. Qasje që shpeshherë sjellin kënde gjykimi dhe ‘falsitete’ jete, që shfaqen qoshkave të errëta të artit por që ndriçojnë arsyen. Arsyen me të cilën “Të flasësh për betimin e rremë” që është një veçori e leximit të Timos rreth librit ‘’Betimi i Rremë’’   shkrimtarit Odise Kote. Më tej është kjo ndalesë ndryshe edhe në poezinë e një romani, ku Mërkuri i përkushtohet romanit “Çudia e ujqërve’’ të Kostandin Voglit. Identiteti dhe hulumtimi i tij është një grep i shtrenjtë i Mërkurit që lëviz në tërë hapësirën kombëtare dhe ku pikëtakon edhe metafora që flasin ndjeshëm si tëk “Drenusha që lëpin plagët” të cilën autori e sheh të dashuruar në diell, në një diell të plotë artistik. Këtë këndvështrim ai e zgjeron për poeten nga                                          Gjilani, Albina Idrizi. Është ky leximi mes tekstit të Mërkurit për Albinën, por edhe arsyeja e traumës së kthyer në identitet: “Kështu, ndërsa lexoja vëllimin e saj ‘’Dashuruar në diell’’ (Botim  Faik Konica, Prishtinë, 2010), para meje shfaqej një portret tejet njerëzor, me dhimbje  për plagët e saj dhe të njerëzve, të shkaktuara nga jeta e nga njerëzit. Një portret i plotë njerëzor.
Vajzë, grua, nënë e para së gjithash, njeri. Njeri që sheh gjithmon përpara, për të jetuar jetën, për të shpëtuar jetën dhe gjithë thesarin e saj njerëzor.” Këto fakte që Mërkuri i plotëson edhe me romanin “Hijet e kullave’’ të Albina Idrizit, apo edhe me shënimet rreth librit “Pergamenë e gjallë” të kësaj autoreje.
Memorja dhe po aq edhe historia si në art ashtu edhe në jetë radhit fate dhe trauma në detaje të ndryshme. Ndonjëherë jo adekuate në këtë lëmi trazimesh shpirtërore, jeta sjell edhe metafora ngjasie. Mërkuri i lexon ato tek “Bohem” ku gjen arsyen e dashurisë së një poeti me emër në trevën e Elbasanit, dhe këtë e bën mes  vëllimit “Bohem’’ të  poetit Millianov Kallupit. Sakaq në memorje është vetë jeta. Vetë dialektika qytetëse që trazohet nën fatin e qytetërimeve. Mes këtyre detajeve pena e mërkurit ndalet tek “Qytetaria e një poezie” që është një përsiatje rreth poezisë së Beatriçe Balliçit, përmbledhur në vëllimin “… ajo melodi e ne të dyve’’. Dionis Kola dhe dilemma midis prozës dhe poezisë është një përshëndetje e Mërkurit për librin “Një dolli për xhindët’’, ashtu siç është edhe një ndalesë kritike për “Fryjnë erëra” të Have Halitaj-Elezaj me esenë “Trëndafila dashurie mbi akull”.
Dhe kështu ngadalë trauma e kthyer në identitet në librin më të ri të Timos vjen si një ngjizje nga përkushtimi ndaj Sabit Idrizit. Autori në mesin e esesë së tij shkruan qartë si një lidhje për të tërën dhe ngjizjen artistike me faktorët determinues: “Pak kush e kupton shpirtin e poetit me atë oqean ëndrrash e shpresash të trazuara brenda tij. Ndoshta, ndoshta sepse poetët janë si profetët. Njerëzit e vegjël, preferojnë “Barabanë” hajdut e vrasës në vend të Krishtit profet. Prandaj e kryqëzuan në Golgota. Më pas e besuan dhe e kërkuan, por gjëma ishte bërë. Kam ca kohë që mendoj, se edhe Homerin, me siguri, ndonjë mbret do t’a ketë verbuar. Nga zilia për artin e tij, se ndonjë qese floriri për t’ia vjedhur, mos mendo se ka patur bardi i verbër. Ashtu si Sokratin e lashtë, që e dënuan të vetëhelmohej, vetëm se qe më i dituri i Athinës. Por cili fat i zi t’a verboi dhe ty gëzimin, duke të bërë shok fati me të pavdekshmit?”
Fati?! Ky fakt apo ndoshta një tjetër i ngjashëm në një identitet tejet kryeneç në memorjen e tij dhe në historinë e tij gjendet edhe teksa autori shprehet: “Tronditëse. Është si të pish një kupë me helm dhe të të  dridhet trupi nën efektin e tij...” në një ndalesë të detajuar rreth librit
Intervista me vajza të mira” të Daniel Gazullit. Dhe në pjesën e tretë të këtij libri autori nis të rrëmojë thellë në traumë, duke i shkruar një ‘Letër mikut tim Daniel Gazulli në Lezhë’. Më tej në vend të një replike është sërrish kumti mes identitetit, duke shtuar edhe retorikën e kërkimit të njohjes me emrin e ministrit, që plotësohet në vazhdim me ‘Aty ku s’jam…dërgoj zemrën time’ apo edhe me ‘Kadaresë: Një urim për ditëlindjen… nga Gjirokastra’ ku autori ka qenë i ftuar nga Shoqata ‘’Miqësia’’, Qendra e Medias ‘’Obelisk’’, me partner Shkollën e Mesme të Përgjithshme ‘’Asim Zeneli’’ Gjirokastër, të cilët organizuan në mjediset e  Hotel ‘’Çajupi’’, veprimtarinë–kokteil: -“Një urim për ditëlindjen’’, në kuadrin e 75 vjetorit të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në emër të  shoqatës  ‘’Krijuesit Jonianë’’ të qytetit të Sarandës, përshëndeta veprimtarinë me fjalën e mësipërme.
Ndërsa libri i Mërkurin merr retushimin e tij final në pasyrën e identetit shqiptar, 100 vjetori i Pavarësisë duket se i bën një kënd të veçantë llojit të vet, tipologjisë me të cilën mblidhen tre kapitujt, arsyes dhe logjikës me të cilën lexohet perceptimi i krijuesit, sidomos poetit shqiptar në anualin epokal. Në këtë lexim drejtimi identitar i Mërkurit është jo thjesht vlerë, por një çimentim idesh dhe faktorësh që ndriçojnë edhe në errësirën më të zullumtë të fateve që trazohen kripshëm mejhaneve të historisë dhe memorjes.

No comments:

Post a Comment