Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 19 May 2013

TAVERNA POSEIDON



Agim Mato




1

Në tavernën Poseidon të rrethuar me xhama, me tollovinë
e peshkatarëve rreth e rrotull, me flugat që rrëshqasin poshtë
                                                                             dritareve,
të duket sikur lundron në barkun e një përbindëshi.


Një gotë raki, një sparo, një sardele,
një dolomit në cep të një pjatelle,
ku përdoren vetëm gishtat,
të shijon më shumë se peshku i kushtueshëm i restorantev të
    klasit,
ku të hutojnë pirunët e pafund dhe thikat.


Këtu e le veten të të rrëmbejë fantazia e avujve të alkoolit,
të bësh sikur je dakord me broçkullat për sirenën e plagosur
të atij që ke përballë,
duke të përsëritur:
“Më dëgjon? Më dëgjon?“
Dhe ti: “po, po” i tund kokën,
“po, po” i thua,
që t’i shpëtosh këmbënguljes,
e prapë në grackë ke rënë, pa u menduar:


“E solla tërë gjak në liman
- të thotë -me barkën time.
Kur këta që sheh rrotull
bënin llogje në tavernë,
unë i lidhja fashat,
pa ja zilepsur nishanet”.


Në intimitet më afrohet,
kthen kokën andej këndej
si një pirat i rrallë
dhe më ekspozon para syve
një monedhë antike të Pirros së Epirit.


“Është e rrallë, or mik, ja, shikoje!
Sirena, nga anijet antike të thellësive
si shpërblim më nxorri, kur u shërua
një amforë me pare floriri e stolira.”


Nuk ja var më. Thërres 
kamarierin:
“një teke zotërisë!”
Dhe për t’i shpëtuar
i ve veshin debateve, 
zallamahisë.


2

Ata që fjalët u lëshojnë tym,  si të kërleshur duken.
Barku i përbindëshit hepohet mbi debatet.
Një dorë e nevrikosur lëkund
një shkresë të policisë bashkiake:

“Data aq e kaq! Urdhri është i prerë,
Leja skadoi, të drejtë nuk keni!
Çmontojeni me të mirë Poseidonin,
Përndryshe, ...paisjet...në det do t’i gjeni!”


Konflikt social, mendova dhe vargjet
që pak çaste më parë bridhnin të lira
u vunë në rresht, ashtu si ushtarët, 
shtrënguan pajimet, metrikën dhe rimat.


Të vijë policia bashkiake tha dikush!
Se këtu, në humnerat e frikëshme të Jonit,
E para leje që dha perëndia,
Me qitap dhe tapi ishte ajo e Poseidonit.


Atje ku pallatet zenë cit më cit qiellin
Ngrihej dikur tempulli i Afërditës,
Tani nuk e dimë ku perëndon dielli,
Nuk e dimë ku çelet sythi i dritës.


Kur triremat jonike për t’u dredhuar stuhive,
Poseidonit i luteshin të fashiste dallgët,
Ai i ndihte sa shfaqej tempulli i Afërditës
Te gjiri i Onhezmit, ku ndizeshin flakët.


Është vonë. Barkat lëkunden nën hijet e rënda,
ku pesha e pallateve asfikson limanin.
Ende zien Posidoni përbrenda,
si Rrugët e Bardha  kur fryn maestrali[1].


[1] Toponim detar pranë Karaburunit.

No comments:

Post a Comment