Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Saturday 14 April 2012

NJË LIS ME DEGË NA U RRËZUA


Bardhyl Maliqi

Poemë për babanë
1. ORLA
Mbi shpinën e  malit të Orlës varet një re e bardhë,
një re si shpresë e mekur, e palëvizshme, e ngrirë;
është muaji i dytë, baba, që orla brenda teje është shtrirë.
Shpend ndjellakeq, me madhësi shqiponje, ç’do prej tim eti ti vallë,
ti orlë që malet nguros dhe lisat rrëzon me klithmë të keqe, krrokamë?!
Baba, ti shpreson te rrënjët e tua, atje, në dheun e të parëve,
Oh, është vonë o atë,  o më i miri i baballarëve!
Ç’është kështu?
Pse dëgjoj nga Filati, pse dëgjoj një një oshëtimë:
“Të shtrinë, o Ali Maliqi, o lisi me degë, të shtrinë...”
Erdhi zonja vdekje.
2. ERDHE, QË MOS ARDHSH?!
Erdhe, që mos ardhsh, heu, t’u mpifshin këmbët?!
Mbeç paraplegjike, palo plakë uloke,
boll e mbolle Pllajën e Vasiliqisë,
poshtë Përrallit t’ Hasanit,
te kthesë e Qafëbote.
Erdhe, që mos ardhsh, heu, t’u thofshin këmbët?!
Pse ma merr tim atë, ç’të ka bërë vallë,
nata kreshpërohet tek Qafa e Madhe,
nëpër Likojan, ujku qan ngadalë,
m’u në Mesogun,  ku Bertin na e  vranë.
Gjyshja iku e para,  dhemb humbja pa skaj,
në sirtarë kujtimesh flenë fotot e saj,
por sa herë që nusërojnë  bajamet,
era derën hap, çapa dëgjoj pastaj,
nëpër agullime çelin sytë e saj.
Pastaj iku dajkua dhe hallat të dyja,
Thonë i desh në dasmë vetë Vasiliqia.
Im ëmë e shkreta, harruar mbi dhe,
ç’pate Zonjë e Madhe, ç’pate që e le!
Fati i jetimit s’tjetërsohet dot,
dhe në qeshtë një çast,
humb në gjak e lotë...
Por tjetër plagë na mblodhi,
Shpirti ther tani,
Kreshmoi kreshpërohet
Prilli-helm i zi!
3. NJË LIS ME DEGË NA U RRËZUA
Babai  ra.
Një lis me degë na u rrëzua,
            por ti mor bir, mos u tremb prej tij.
Unë  Uilliami s’jam, por një fjalë të them:
 “Të vdekurit dhe të fjeturit nuk janë veç piktura”,
por më tepër se kaq, shumë më tepër se kaq.
 Janë balli i vrenjtur i babait, për djemtë që ikën e s’u kthyen më;
për të tjerë që këtu ishin, e s’kishin më zë,
që në ingranazhet e ekzistencës vërtiteshin poshtë e lart,
që në molin e indiferencës u myshkën pa shkak.
Eh, ju  baballarë të dëshiruar për bijtë e munguar,
që veç telashe ju sollën për ditë e nga pak,
që iu vrisnin me egoizëm dhe sherre pa cak,
që ju dogjën me mallin e të qenit aq larg....
E dimë.
Nuk ka veç një fajtor
dhe në është një, dhe ai, është i pafaj,
në kurthin e kohës ne ramë si në çark,
-Na fal baba, që të munguam kaq gjatë!
Ty durimi t’u sos dhe hapi t’u mpak,
por nuk e pranonim dot, na dukej tepër larg
dita kur do porositnim arkivolin dhe nekrologjinë,
kur do të zgjidhnim granitin dhe fotografinë,
dita kur më dysh do të ndanim historinë:
4. ME TY BABA, BABA PA TY!
Vëllezër dhe motra, ç’ndodhi me ne vallë,
Prindër me 5 fëmijë, babai  i pa djalë!
Pse dreq hiena e nëmur të hyri në mushkri.
Dhe syri rrëzoi dritën dhe syri u përgjak
dhe re si  lis me degë, mu atje në prag!
Oh,
një lis me degë ne na u rrëzua,
pa pritur, pa kujtuar!
Dhe mbet hardhia nëpër erë, përmbi  hon hepuar...
Dhe unë thurr dhe shthurr:
5. DIALOGË  ME ANTAGONISTËT E MUNGUAR
Të lutem vare në mur fotografinë, ti, mor bir!
Ai burrë s’ishte dokushdo, ai burrë s’është një qenie e harruar!
Është babai yt, është babai im, kjo s’ka fare rëndësi,
Në republikën e vogël të familjes
AI është president i përhershëm,
është Ylli Ynë Polar,
e Jona Dashuri!
Dhe mos e harro fjalët e Uilliamit:
“Të vdekurit dhe të fjeturit nuk janë veç piktura”,
por më tepër se kaq, shumë më tepër se kaq.
Janë hijet e lisit që na flladitin ballin,
paçka se i rrëzuar;
janë fijet e rigonit që kundërmon në çdo hap,
janë lulemendrat dhe lulemullagat
e feminisë sonë, që u rrit në këtë prag.
Dhe unë nuk di pse mendoj:
6. KALOI NJË VIT...

Kaloi një vit dhe ne i qasemi babait edhe më pranë,
gjersa të vijë dita të mbrrijmë në moshën e tij,
të shuhemi si ai,
të rilindim si ai.
Po vallë, a do t’i afrohemi dot dinjitetit të tij,
a do të jemi, vallë,  njerëzorë sa ai?!
Dhe mos harro, mor bir, se ai ishte njeri,
Njeri si unë, njeri si ti,
Njeri si fëmijët e fëmijëve tanë,
Të atyre që ende s’kanë mbrritur,
Njeri!
Babi ynë fjalëpak, ai që s’u ankua kurrë,
që në këtë pyllnajë ishte më i larti burrë!
A gjendej bashkëbisedues më i mençur në këtë kaza?
Ti dyshon?!
Më tepër respekt për njerëzit,
                kushdoqofsh, or mik i nderuar,
se në zyrat e shtetit ai s’besdisi njeri,
për gjysmë pensionin kurrë s’u ankua,
s’ishte si çdo veteran që troket në çdo derë
për pak para më shumë, për më shumë drejtësi.
S’ishte nga ata që ju ta përcillnit me buzëqeshje ironike:
“Duku nga pasnesër xhaxha!”
dhe me kolegët të pëshpërisni:
“Sa të ngjitur këta pleqtë, mor zot...”
Ju, nënëpunës kafkianë, që emra të paqenë, keni si pasword!
Oh, im atë, ishte tjetër hapsirë,
babai im, qiellori që unë e artikuloj kështu:
7. BABI IM - HAPSIRA  IME BLU!
Baba,
firmosi hapsirat e gjelbra dhe qiejt që sot rigojnë shi,
se ti na mësove se drurët degëzohen e gjethojnë,
se ti na mësove se lulet duan të çelin,
dhe jepju hapsirave, jepju baba, hapsirave blu!
Ajo që iu përket barit dhe piklave të vesës si kristale,
Të përket edhe ty,
Ajo që iu përket tokës dhe ujit
Të përket edhe ty,
Pasioni i bukur dhe nevoja njerëzore
Ushqenin zemrën tënde,
ndryshe nuk do të çarteshe pas një gërmadhe të harruar,
për të kapur foletë e zogjve të dashurisë njerëzore,
babai ynë i mirë, i paharruari baba!
Një thënie kam kujtuar gjithmonë për nderin tënd:
Fytyrat e bukura  na qetësojnë shpirtin,
dhe ti ishe i bukur, veçanërisht i bukur!
Mendjet e bukura na kthjellojnë trurin,
dhe ti kishe mendje të bukur, etalon për urtësi;
se ti ishe pronar i dy magjive të kësaj bote:
Bukurisë dhe mençurisë!
Ti e dije: ajo që i përket dheut dhe pjellorisë
ka lidhje parësore me diellin;
dhe na mësove se ajo që i përket qiellit dhe fluturimit
ka lidhje parësore me laureshat.
Kam qenë symbyllur, baba,
dhe ti më solle dritën me kreshpërim, diellor, të egër.
Baba, ti më përket jo thjesht se të dua,
Jo thjesht si baba ti më përket,
Ti më përket se rrezikove prej bukurisë që vret,
ndaj i largohem  pyllit dhe dal në rrugë,
ndaj i përvidhem dallgës dhe dal në breg;
Shëndodhrin kam përballë
dhe Qfëbotën përbri.
Baba, a e di?
S’ka më bukur se një përqafim mes drurëve,
ku flokët të shpleksen nëpër erë,
ku aromat e tokës e të gjirit tënd
i shtojnë shijen stinës së bardhë të dashurisë njerëzore,
e bëjnë pranverën të kundërmojë aromë blirësh
dhe hapsirat blu i veshin me dritë,
ndaj e ngre zërin
dhe  thërras me gjithë shpirt:
8. ÇOHU, BABA, MOS RRI I SHTRIRË!
Çohu, or burrë i dheut,
çohu siç ishe, si lis,
çohu dhe hapsirat blu veshi me dritë sërish!
Baba, ne jemi këtu, erdhën edhe vëllezërit,
robër të  përhershëm të kalvarit të pambaruar
në kurbet, tej kufirit të mallkuar.
Jemi të gjithë të përlotur, këtu,
në këmbët e tua,
Babai ynë  i nderuar!
Sot, më 15 prill!
·         Ali Maliqi u lind në Konispol më 4 janar 1934 dhe u nda nga jeta më 15 prill 2011. Për shumë vjet ka punuar si mësues, punonjës kulture, kryetar i pushtetit vendor etj. Është autor i Pjesës së dytë të historikut të Krahinës së Konispolit, autor i një srë artikujsh për arsimin në Krahinën e Çamërisë, për Luftën Antifashiste etj.
·           “Të vdekurit dhe të fjeturit nuk janë veç piktura”  (Makbeth, Uilliam Shekspir)

No comments:

Post a Comment