Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Wednesday 18 April 2012

BALADA ARBËRESHE Pjesa II






NUSJA E SKËNDERBEUT

Në Krujë Skënderbeu
mblodhi gjithë bujarinë,
bujarinë e priftërinë
të vendoste me ta
nga ç’anë ta mirrte nusen.
-Merre, zot, napolitane-
-Ato vashëzat e Napolit
të njoma e delikate
puna e rëndë e shtëpive tona
i vret e u nxinë jetën.
-Ka në Pulje, më afër-
-Bujaresha të hijshme
kanë Bari e Taranti-
-Të mësuara të shetisin
nëpër sheshe veç me lule,
u ngushtohet zemra
te rrethi i maleve tona.-
-Kërkojmë në Sicilinë
e mbushur me princesha.
-Nga vapa dhe afshi i detit
e ardhur në shkëmbinj me borë
zonja vashë e humb shëndetin.
Unë e di ç’duhet të marr.
Vajzën e dua arbëreshe
nga gjuha dhe zakonet.
Prandaj, zotër, në doni,
te pallati i Arianitit
dërgojini fjalë zonjës
Donikë Marinëza.

MILO SHINI

Hanin bukë si dy vëllezër
Skënderbeu e Milo Shini,
nëpër pjata të argjenta
me pirunë të artë
hanin lepuj e kaproj.
Vera që hidhnin në gota
ish e vjetër shtatë vjeçe.
Po ja, u dëgjuan bubullima,
bubullima e gjëmë përtej,
përtej e mbi malet.
U përgjegj Skëndrbeu:
-Milo Shin, vëllai im,
dil e shih ç’gjëmime janë,
në është qielli që gjëmon,
eja sërish këtu,
në ato janë gjëmë turqish
dil e më thërrit që larg.-
Me një herë u hodh mbi kal
dhe doli përtej e pa.
Pa se s’ishin gjëmë qiejsh,
po qenë pararojë e turkut
me flamuj të hapur.
Trimit na i erdhi turp
që të kthehej t’i thërriste
Skënderbeut që ta ndihte
dhe pyeti trimërinë e tij:
-O ti trimëria ime
për sa zemra ti më je?
-Për nëntë zemra unë jam,
të luftoj me nëntëqint.
Pastaj pyeti shpatën:
-Shpatë, damaskina ime,
për sa zemra ti më je?
-Për nëntë zemra unë jam
të luftoj me nëntëqint-
Pyeti, pra, kalin e tij:
-Po ti, gjogu im,
përsa zemëra më je?
-Për nëntë zemra unë jam,
të luftoj me nëntëqint.-
Hodhi sytë atëherë në qiell,
u lut:”Ndihmomë, Imzot!
Dhe ti, Shën Pal, të lutem”
Bëri kryq e u lëshua
si petriti në lumbardha.
Ca të vrarë, ca të plagosur,
ndënë shpatë të gjithë i shkoi,
të gjithë përtokë i shtriu.
Një i verbër nga gjaku i tij
sa ngrehu një shigjetë
dhe i çau një shpatull.
I vate trimi përsipër:
-Më thuaj, kush je, ti trim?
-Jam Gjin Bardhela, arbëresh-
-Gjin Bardhelë, vëllau im,
shko tutje mos të të vras
se jam i dehur nga gjaku,
nga gjaku i qenit turk.
E rrëmbeu, pra, mirë nga dora
dhe e çoi te Skënderbeu.
-Zot, mos më mbaj mua mëri;
në s’u ktheva, të gjithë i vrava.
Dhe në se nuk më beson,
dil kundrejt Orkidës.
Nëm dhe lejen se erdhi
koha të qetësohemi-
Kaptoi dielli, erdhën në shpi.
-Gëzohu, zonjë nënë,
Gjin Bardhelën, tim vëlla,
ta solla. Ma jep uratën,
uratën e zotit tonë,
dhe të të gjithë engjujve.


BIJË E HËNËS

I thotë kontesha kontit:
-O ti kont e biri im,
në gjithë malet ti të gjuash,
në mal të kuçedrës mos gjuaj,
se del kuçedra e të ha,
të ha e të përpinë.-
Trimi mëmën s’e dëgjoi,
po dëgjoi të bukurën:
-Në asnjë mal mos gjuaj, trim,
në mal të kuçedrës gjuaj.-
Si u ngjit ai në mal,
doli kuçedra ta hajë.
I trembur djali ju lut:
-O kuçedër, stërkuçedër
lem të shkoj te nëna ime,
që t’i lyp uratën.-
-Nëm ti besën pastaj ec.-
Vrapoi tek e jëma:
-O ti mëmë, mëma ime,
nëm uratën e vdekjes.-
Nëna i dha uratën.
Shkoi dhe te e bukura:
-Të falem, zonja ime,
se iki e s’shihemi më.-
-Dua të vij dhe unë me ty.-
Hipi ajo në kalë të bardhë,
ai hipi në kal të zi,
dhe vanë në mal të kuçedrës.
Sa i pa që larg kuçedra
zuri të gëzohej:
-Lumja unë, lumja kuçedër,
kisha një dhe bëra dy.-
-E mjera ti, e mjera kuçedër,
kishe një dhe s’ke asnjë.-
foli vasha, u afrua
dhe e ngriu, e lidhi në vend.
-Nga ç’gjiri je ti vashë?-
-Jam e bijë e hënës,
kam për at diellin:
vet jam vetëtima e qiejve
që bie mbi male,
mbi male e mbi fusha,
mbi fronin e së ligës.
-Vashë mbi vashat e dheut,
shko ti mirë e me shëndet,
trashëgoje trimin tënd.

DEDI SKURA

Në majë të një mali,
nën hijen e një lisi,
në shpinë dergjej Dedi Skura
dhe nuk mund të shuante
llavën e nxehtë të plagëve.
I shkuan shokët pranë:
-Eja Dedi Skurë, shkojmë-
-Ecni, shokë, ju me shëndet,
unë me ju nuk vij dot më;
por ju lutem atje poshtë
të më merrni kalin,
të mos ngordhë dhe ai
dhe ja çoni birit tim;
se rritet dhe rrëmben shpatën,
e i hypën ai kalit,
te lufta të ma çojë,
ku mizorët i vranë të jatin,
të më mbushi zemrën.


KUSH E BËRI TRYEZËN?


-Kush e bëri tryezën?
-E bëri buka dhe vera,
mishi i kuq e rrushi i zi,
mishi i dashit e derrit të egër-
-Tryeza e një prindi
që marton të bijën.
Buzësumbullat e argjenta
e ato fustanekaltërta,
zonja të martuara
me vathë margaritari,
me faqe që shkëlqejnë
te dita haredlirë.-
Vjen thëllëza nga malet,
vjen me krahët plot dëborë,
tund e shkund krahët
dhe mbulon xhamat
para nuses së bardhë
që mendimet i vijnë valë.


LIGJËRONIN DY TË RA

Ligjëronin dy të ra,
dy të ra dhe gjitone
të sapomartuara.
Thoshte e reja e zonjës Agat:
-Kam unë stoli të arta,
korale e margaritarë,
kam pellushe e mëndafshra
ndër sënduqe dhe dhomave
kam shërbyse që më binden,
m’i dha të gjitha zoti im.-
Unë vet jam më e lumtur:
në kokë kam shami qiellin me yjet,
dielli është kurora ime,
kam për fustan detin
dhe froni im dheu i gjerë,
ku fle ose rri zgjuar.-
Ju kthye në të qeshur zonja:
-Po fati im nuk është me kaq,
kam në djepe djalin e parë
që kur qesh ose kur qan
mua zemrën ma  ngreh.
-Dhe unë kam një vajzë te djepi
që më gugat si engjëll,
ka vështrimin plot hare.

VASHA QË KISH HUMBË TË ZONË

Vasha e kish humbë të zonë,
humbë e kish të dashurin,
e s’e kish më  në shtëpi,
larg në burg e mbanin turqit.
më në fund u mund nga malli.
Fshehura la shtëpinë,
çau borën gjer në brez,
akullin deri në gju,
mbrapa la malet e saj,
takoi të dashurin në burg,
e nxorri atë dhe hyri vet.
Pastaj u kthye dhe ju lut:
-O ti zot, mizori im,
mos më le të mykem
se më myket xhokja
që e kam shënuar,
prerë e qepur vet.
Po ti zoti im mizor
mos më le të mykem
se më myket gërsheti
që e kam të pleksur,
pleksur me fije ari
te pallati i zotit tatë.


FRYN NJË ERËZË

Fryn, fryn një erëzë,
fryn e hollë dhe e përdredhur,
lehtë më hap derën
dhe më tund djalin
të varur në kunjë,
ma tund e ma zgjon.
-Këtu, këtu biri im,
u la vallja e vjen jot ëmë,
vjen me gishtat plot unaza,
plot me lule qafën,
të jep sisë, të ve në gjumë.

EJA, FUTU TI NË VALLE

Shumë vasha të mira ishin,
një mendim të gjitha kishin:
të ngrinin një manastir
mbi varrin e zotit Krisht.
Rërën do ta merrnin
përrenjve të detit,
ujin do ta merrnin
nga gjiri i reve,
reve që lanin vit për vit
fytyrën e dheut e kohën.
Si e mbaruan së ndërtuari
vanë e zunë një valle brënda.
Shkoi andej një bir zoti.
-O i hijshëm bir zoti,
eja, futu ti në valle-
-Po me kë të kapem unë?
Dua të kapem me të bardhën,
me të bardhën si bora,
po ç’është që trembem kaq shumë?
Se është borë e shkrihet,
tek e le, nuk çohet më.-
-O i hijshëm bir zoti,
eja e futu në valle-
-Dua të futem në valle,
po me kë të kapem unë?
-Me të kuqen si shega.
Po pse trembem kaq shumë?
Është shegë e shkoqet.-
-Doja të futesha në valle,
po të mundja të vihesha
pranë zeshkanes së njomë,
po dhe trembem, trembem shumë
mos më nxijë dhomën,
dhomën edhe zemrën.-


Ktheu në shqipen letrare:
Agim Mato

No comments:

Post a Comment