Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 15 April 2012


BALADA ARBËRESHE

Ktheu në shqipen letrare:
Agim Mato


RRËFIME SHPIRTI

Doli dielli nga mali
dhe mbuloi dy pallate.
I ndriti zonjës Lenë
tek i plekste gërshetin
me një cohë gjithë lule ari
të bijës përmbi fron
e mbi qafë ja paloste;
më poshtë pastaj i ndriti
zonjës Agat në këmbë
përpara pasqyrës
ku stoliste djalin
me pellush dhe argjend
se do shkonin për rrëfim,
për rrëfim edhe kungim
te kisha e Todrit.
Ndaj mesditës vasha
shkoi e ra në gjunjë te prifti.
I tha:-Zot, unë dua
një trim që kam në gji;
po shokët më shajnë,
shokët dhe prindërit e mi,
ky është mëkati im.-
Prifti i tha:-U çlirove.
Vetë të jap një pendesë,
asnjeri të mos takosh,
asnjeriu t’i bësh nder,
veç atij që deshe shumë.-
U ngre vajza me uratën.

Erdhi trimi të kungohej.
Porsa priftin e dalloi
atje larg, e ktheu mbrapsht:
-Eja, më bëj një të mirë,
eja dhe më kungo.
Prej andej trimi i bardhë
në kishë e çoi priftin:
-Cili është mëkati yt?
-Vajta krushk unë me një nuse.
Udhës nga shkonim
na zuri një rrëpirë shi.
Gjithë ç’ishin u shpërndanë,
kush në mollë, kush nën dardhë,
kush nën kumbullzën e bardhë,
unë i ziu s’pata se ku
po te dera e vendit të shenjtë
dhe e lidha kalin
te pragu, nën stuhi.
Po me patkonjtë e parë
ai i shkretë e i rrëmbyer
çau pllakën prej mermeri
nga firasi drita në  varr
edhe zgjoi vashën e bardhë.
“Trim i bukur e plot dritë,
si më shkunde vdekjen
ulu e puthëm një herë
e më nxirr erën e mykut,
erën e dheut të zi.
Trim i bukur e plot dritë,
si më puthe për të parën,
puthëm edhe për të dytën”
Tri herë unë e putha,
tri herë bëra mëkat;
retë që shkonin në qiell,
më linin hije në zemër.-
Prifti ndenji një copë herë,
pastaj i tha:-Harroje, bir,
se dhe Zoti do ta harrojë.

UDHËTONIN NËNTË TRIMA

Udhëtonin nëntë trima,
shkonin në dheun e latinëve
të më çonin nëntë vasha,
nëntë vasha arbëreshe.
Udhës i takoi një plak.
-Të vij dhe unë plaku me ju?
-Je plak e nuk vjen dot.-
-Tek veni ju kaluar,
murxhari më sjell me ju;
sa të shmpini këmbët
më bëni një patericë,
në udhë, në një shqopishte.-
Dhe i bënë një patericë,
në udhë në një shqopishte.
Në atë fshat ku shkuan
ndalën e hodhën shortin
mbi vajzat e zgjedhura.
Dhe më e bardha, më e njoma
ajo plakut i takoi.
Shpejt u ndanë veç e veç,
veç shkuan plaku e vajza,
gjersa arritën në një përrua.
Kali shkoi të pinte ujë.
-Prëhemi këtu në hije.-
Plakun e zuri gjumi
në prëhër të vashës.
Vajza ishte shumë e mënçur,
hoqi shaminë nga koka
dhe ja mbylli sytë,
zgjidhi brezin nga mesi
dhe ja lidhi duart,
duart edhe këmbët-
Kur u zgjua plaku,
vasha kish kaptuar malin,
atë mal dhe tjetrin.
-O, kush shkon këtij mali,
zgjidhmëni se do të vdes.-
E mëshiroi zoga e egër
dhe i cimbisi shaminë
dhe i hapi sytë,
i cimbisi brezin
e i zgjidhi duart,
duart edhe këmbët.
-Ec, plak i mjerë,
ec e mblidhu te dheu yt,
sepse fati i trimave
nuk është fat i plakut.-
Nga mjekra që shkuli plaku
zbardhëlloi gjithë dheu,
nga lotët që derdhi plaku
gjithë lumenjtë u frynë.


DHRIA DHE QIPARISI

Kur linde ti vashë
unë në derën tënde isha;
lutesha dhe falesha,
falesha te zoti ynë
të lindje një syzezë,
syzezë vasha leu.
Kur u rrit e u bë në moshë
lajmës i dërgova.
Vajza deshi, po nuk deshi
ajo bushtra, e jëma.
-Vashë, ti mos u helmo,
ja kthej mëndjen unë sat ëme.
Bleva një palë nallane
e së ëmës ja dërgova,
lajmësin i vura.
Desh e jëma po nuk desh
i jati i mvrejtur.
-Vashë, ti mos u helmo,
ja kthej mendjen dhe tyt eti.
Një jelek kadifeje bleva
dhe tyt eti ja dërgova,
pastaj lajmësin i vura.
Deshi i jati po nuk desh
i vëllai, qeni i tërbuar.
-Vashë, ti mos u helmo,
ja kthej mëndjen tët vëllai.
Bleva një brez të argjentë
me shpatën damaskine,
të vëllait ja dërgova,
pastaj lajmësin i vura.
Ngjeshi shpatën në mes,
të motrën e ndaloi.
Një të diel menatë
mora udhën e vajta vet,
hyra në dhomat
ku krehte gërshetat,
i krehte dhe i plekste,
i plekste me fije ari
të ardhur nga Napoli
e në qafë i vinte palë.
Pika loti i binin në gji.
Po nuk ishin pika loti
ishin zjarri i të dashurit.
E përshëndeta, i hodha dorën,
në vithe të kalit e vura
dhe u nisa nëpër sheshe.
Doli para i vëllai
me katër ungj
dhe me shtatë kushërinj.
-Mbaje kalin djalë,
sa t’i jap unë pajën,
pajën kësaj bije zoti-
-Pajën që desha e mora,
mora vajzën si dëbora,
sytë e saj tre mijë dukatë,
edhe vetullat po aq
të rroj unë për gjithë jetën.-
Tek ura e lumit
e rrethuan për ta vrarë.
Ai luftoi me tre a katër,
pastaj ra nga kali
bashkë me të bukurën.
Atje i mbuluan me gurë.
Kur u butësua vera,
trimi u mbi një qipariz,
vajza u mbi një dhri e bardhë
dhe u mbështet te qiparizi.
Nxorri rrudh dhria e bardhë,
shkonin të sëmurët,
hanin e shëroheshin,
shkonin të plagosurit
merrnin fleta qiparizi
ua vinin plagëve
dhe në çast ato mbylleshin.



***


Bije shi e bije borë
doli vashëza të lajë,
çau akullin me këmbë,
i ngjitej bora ndër duar,
duke u hedhur në ajër.
Pastaj fryu veriu i ftohtë
dhe i mori shaminë e hollë.
Atëloshi vajti e ngriti.
-Kthehu bijë, kthehu në shtëpi,
gjithë jeta u nxi.

TESTAMENT

Atje tej te fushë e luftës
dukej një tym i zi;
po ai s’ish tym i zi,
po më ish trim i ri,
trim i ri e i plagosur,
që i avullohej gjaku
edhe goja i ligjëronte,
ligjëronte me shokët:
-O ju shokënit e mi,
kur t’veni te mëma ime,
të vërtetën ju mos i thoni,
se pranë zjarrit në u gjëntë
bie brënda edhe digjet.
Por ju shokënit e mi
te zonja ime kur të shkoni
të vërtetën ia thoni;
të marrë krëhrin e të krihet
ulur tek pasqyra,
tri pëllëmbë ta bëje gërshetin,
pastaj të dalë në derë,
të ngejë sytë tek ajo re
porsi pela e pa fre.

DALLGA NË ANË I NXORRI

Dallga në anë i nxorri
trimat që notonin
në mes të detit
në një ditë vere,
po trimin e së bukurës
në anë nuk e nxorri.
Të gjithë thirrën në një gojë:
-Shënmëri, mbyte!
E dëgjoi e bukura,
u ngrit e zbardhur krejt
duke lidhur shaminë
edhe shpejt u hodh në ujë,
e arriti trimin e saj.
-O ti trim, i lumi trim,
cili gju ti t’u mpi?
Cili krah t’u përdrodh?
-As krahu nuk m’u përdrodh,
as gjuri nuk m’u mpi
po desha të provoja
zemrën e shokëve të mi.
E kthjellët vajza iku
me trimin e saj përdore.


E PUTHURA

Lart, në majën e një mali
ish një shesh me një arrë.
Atje bridhnin zanat,
zanat dhe dreqërit;
bënin më shumë keq se mirë.
Ndodhi që shkoi atje
një vajzë që s’e dinte.
Zanat e rrethuan,
e rrethuan dhe e mbajtën
dy vjet e nëntë ditë,
e pastaj në shpi u gjend.
Një trim pas një zogu
shkoi gjer në atë shesh,
ku e rrethuan dreqërit,
e rrethuan dhe e mbajtën
dy vjet e nëntë ditë
e pastaj në shpi u gjet.
Kur u panë në kishë të djelën
u njohën dhe u lutën.
Aty këtu trimi trimi t’i fliste,
t’i fliste e ta desh,
gjersa u takuan vetëm,
u takuan ndanë një lumi.
Trimi e zu e më e puthi,
e puthi në buzët
e në të dyja faqet.
Vajza gjithë e skuqur
në ujë vërviti faqen
dhe lau të puthurën,
po më skuqi ujët.
Kur nga fshati, që së poshti,
dolën gratë të lanin teshat,
në vend që të zbardhnin,
skuqeshin të linjtat që lanin,
kopështet që ujiteshin,
nxirrnin fletë të kuqe,
zogjtë që pinin ujë
humbnin vërshëllimën.




NERËNXA
Ku mbiu, ku mbiu nerënxa?
Mbiu në zall të detit.
Asnjeri nuk u kujdes
veç e bija e zotit të madh,
që pa zbardhur dita vinte,
e plehëronte dhe e ujiste,
pastaj ulej i këndonte:
-Rritmu, ti nerënxa ime,
hidhe shtatin shpejt përpjetë
hapi degët mbushur gjethe
dhe më bëj hije të dëndur
për bujar e bujaresha.-
Sa e vogël qe nerënxa,
aq të madhe e bëri hijen
ku zot i madh vuri tryezat
dhe martoi të bijëzën.
Ishin zotërinj e zonja
mbi mbulesat e mëndafshta.
Rrinin rrotull shërbëtorët
dhe u binin kitarrave
duke ngrënë e duke pirë;
secili zot shpatën në brez,
secila zonjë kish në krah
një vashëzë si hënë,
e në dorë djalë të bukur;
secila vajzë një unazë,
secili djalë një nerënxë
në ajrin e detit.




MJEGULLA


Malet e Pjetër Shtrorit
ngarkoheshin aq me borë
sa me shi e mjegull të dendur.
Mjegulla ngriti folenë
dhe foleja që ngriti
e pleksur qe me driza ari,
vezët që u ul e bëri
ishin flluska të arta;
zogjtë, pra, që nxorri nga vezët
të artë e kishin lafshën
edhe krahët të argjenta.
Kur kënduan ata zogj,
era që shkonte nëpër fletë
qëndroi dhe dëgjonte
të kënduarit në qiell,
atë këngë aq të ëndëshme,
sa prëhej dhe e dëgjonte
e bija e Mizistratit
tek rrinte edhe thurrte
qilimin me katër fletë.
Zonja tek e para faqe
qëndisi të zotin e saj
me të gjithë argatët pas,
pastaj tek e dyta faqe
më qëndisi veten
me shërbëtoret rrotull,
ajo tek e treta faqe
më qëndisi diellin
me të gjitha rrezet e tij;
po tek e katërta faqe
më qëndisi atëhere
vajzën e saj të bardhë
të rrethuar (siç është perëndeshë)
me yjet, që nga fshati
i sheh te mbrëmja e saj.
Dhe i mbështolli me mjegullën
tek hapnin gjethet zogjtë
që nga vezët nxorri
dhe së thelli ashtu këndonin,
shtëpitë me hare i mbushnin.


E DI KU KE FOLENË

Bleva  çelsa të nuk ndihen    
e në natëzën e errët
hapa derën e Skllavunit,
hyra thellë nëpër dhoma
të ndriçuara nga hëna,
vodha vashëzën nga shtrati
xhveshur në të linjta.
Asndonjëri nuk më pa,
veçse zoga sqepëverdhë.
-Mori zoga sqepëverdhë,
shih se mos më kallzon,
se unë e di ku ke folenë,
vete e ta shkallmoj,
unë e di ku ti kullot,
vete dhe e përcëlloj.


Shënim: Baladat e mësipërme, në proces botimi nga shtëpia botuese “Milosao”  janë nxjerrë nga “Rapsodi të një poemi arbëresh” mbledhur nga  Jeronim De Rada. Titujt janë të

No comments:

Post a Comment