Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 30 June 2013

Timo Mërkuri, ky det që nis te zemra …




Thanas Dino:-Intervistë me poetin dhe studiuesin Timo Mërkuri





Pyetje:-Kisha menduar për titull të intervistës disa variante si psh; Timo Mërkuri në …libra me vjersha, në…. përmbledhje me këngë popullore dhe në ...libra me studime, por ja që më pëlqen ky varg i yti dhe e zgjodha  per ta vënë  në titull. Besoj se mund të bisedojmë për çfarë të duam, apo jo?

Përgjigje;-Faleminderit që e nise bisedën me një varg timin. Kjo është mënyra më e mirë për ta ‘’robëruar’’, për ta bërë për vete një poet. Dhe me që unë u bëra ‘’robi yt’’  tashmë,  do t’u ‘’bindem’’ kërkesave tuaja,  gjer në momentin që do ‘’revoltohem’’ dhe do ‘’ngre krye’’. Por gjer sa të vijë ai moment, do derdhë shumë ujë në det lumi i Bistricës. Pastaj, bisedat me ty, janë vërtet një kënaqësi për këdo, e jo më për mua,  që i kam provuar.

Pyetje; -Edhe pse ju njohim, po ju pyesim; Kush jini ju?

Përgjigje;-Unë jam Timo Mërkuri… dhe prapa… s’më vjen historia. Jam unë ai që vrapoj pas historisë dhe historive, (si bleta pas luleve), për të vjelur prej tyre ‘’nektarin’’ e për të prodhuar mjaltin e poezisë. Dhe këtë mjaltë  prodhuar viteve, e kam derdhur në  katër vëllime poetike (pa përfshirë  këtu një vëllim të përkthyer në greqisht), tre vëllime me sprova e studime për iso-polifoninë, novelën “Thomai që mbolli kripë”, librin me  esse “Epoka që verbon poetët”.
Kam hulumtuar, mbledhur e botuar, shoqëruar me shënimet përkatëse nja katër vëllime me këngë,vaje e bejte pilurjote etj, etj.
Tani më thuaj ti, a të ka pëlqyer ‘’mjalti’’im, apo si gazetar pëlqen vetëm ‘’të thartat’’.

Kam lindur në Sarandë dhe këtë e konsideroj një fat të madh. Jam diplomuar për financë dhe kam punuar dhe punoj në sektorin e financës.

Pyetje:-Ç’kanë të përbashkët financa me poezinë?

Përgjigje:-Për ju, asgjë. Për mua financa është një poezi më vete, që të  habit me konçizitetin e saj. Në ato  pak faqe bilanci, në ato shifra renditur me skrupulozitet, unë lexoj  rezultatin e një pune periodike (mujore, tremujore apo vjetore) të  një grupi njerëzish. Te kjo poezi nuk ka fjalë, aty ka shifra që flasin. Por edhe te pentagrami,  janë notat që flasin, teksti është komentues....

Pyetje;-Ç’do të thotë të jeshë nga Piluri?

Përgjigje;- Kur isha i vogël, dëgjoja shpesh të thoshnin ‘’hajdut nga Piluri’’ ose ndonjë tipi ngatërestar,  plakat e lagjes t’i thoshnin;-Ti more djalë do keshë në bark ,ose shejtanin ose ndonjë “pilurak”. Unë nuk i kuptoja çdomethënie kishin, aqë më tepër që  unë kam lindur në Sarandë dhe vizitat e mia në Pilur kanë qënë të pakta, kjo e kushtëzuar  nga problemet ekonomike familjare, në fëmini e rini dhe nga largësia e punësimit, më pas. Por për fat të mirë, në s’vajta unë në Pilur, Piluri  erdhi ai tek unë me gjithë madhështinë dhe humanizmin, legjendat  dhe përrallat, trimërinë e zgjuarsinë e tij. Erdhi e më mbuloi të tërrin.  Në fëmini,  atë ma solli në Sarandë gjyshja dhe nëna, me këngët e përrallat, të cilat edhe sot nuk i kam haruar dhe i kam cituar  nëpër librat e mi.  Pastaj, çuditërisht, gjeta Pilurin  e këngëve dhe rapsodëve dhe atëherë ndjeva, më shumë se sa e kuptova, se unë gjithnjë kam qënë në Pilur, ndonëse jo fizikisht.
Të mësosh se edhe Zeusi  flet me fëshfërimën e  lisave  të Pilurit, të mësosh e të ndjesh se je pasardhës i një fisi të lashtë, tejet të lashtë, aqë sa të të ketë mbetur  edhe emërtimi ‘’bir i këmbëcjapit’’, duke nënkuptuar në këtë Panin e Madh, kjo  ndjenjë  të vë para një  përgjegjësie morale. Është si të jeshë duke mbartur  një thesar në shpinë, të cilën do ta shpiesh  të pacënuar diku larg, nëpër kohëra. Qoftë edhe duke ecur përmes  njerëzve  që të ngacmojnë.
Të jesh pilurjot është  edhe si të mbash një amanet të shënjtë, jo thjeshte si trastë në shpinë, por si pjesë organike, pikërisht në gjakun tënd.
Më pas, duke njohur historinë e Pilurit, fshatit të djegur tre herë vetëm pse nuk pranoi të   ndëronte fenë,  fshatin  e aqë trimave, kapedanëve e kuvendarëve, vetkuptohet që të ritet ndjenja e krenarisë së origjinës.
Duke shkruar për Pilurin, në një poezi them;
Në këtë majë mali  u ka hije/Të  bëjn’ kuvend a të këndojnë/Vetëm poetët dhe …perënditë/ Këtu i kemi ne shtëpitë.
Vetëm katër vargje, por s’besoj se duhen më.

Pyetje;-Po të jesh poet nga Piluri?

Përgjigje;-Më kupto, të lutem. Në Pilur, vetëm në shekullin që lamë pas, kanë krijuar   mbi tetëdhjetë rapsodë, të nivelit të lartë, që u kanë rezistuar kohërave..Ose që të jem më i saktë, nga hulumtimet e mia, që u përkasin vetëm kohëve të vona, kam ‘’takuar’’ kaqë rapsodë  dhe krijimet e tyre. Poezia është pjesë e jetës në Pilur.Të folurit e të ngacmuarit me bejte, vajtimet e famëshme të grave e plakave pilurjote, të vlerësuara  kudo,  janë si tempuj të shënjtë . Nuk është e lehtë të hysh e të pranohesh si poet në mjediset poetike të tilla, gati gati aristokratike. Po të sqaroj diçka  për ta kuptuar, duke marë shëmbullin  nga ceremoniali i vajtimit me ligje. Në qoftë se në një mort, një vajtore nis e  ligjëron dhe e ngre, e vlerëson më shumë nga sa duhet të ndjerin, vajtoret e tjera, me vajtimin e tyre të mëpasëm e korigjojnë menjëherë lartësimin e pamerituar të vajtores së mëparëshme dhe këtë korigjim janë gati ta mbrojnë edhe me sherr, edhe brenda shtëpisë së mortit.
Kur kushte të tilla të vështira u vihen, ose më saktë u vetëvihen rapsodëve, bejtexhinjve apo vajtoreve, duhet të kuptosh që poetëve u kërkohet shumë më shumë.

Pyetje:-Po në Sarandë, si është klima  letrare?

Përgjigje:-Në Sarandë klima është e ngrohtë. Nuk e kam fjalën për këtë pragsezon plazhi, por për klimën letrare…

Pyetje:- Më fal që të ndërpres, por dua të sqaroj diçka që kam dëgjuar. Thuhet se në Sarandë jeni mbi 80 poetë që…

Përgjigje:-Boll me këto statistika bufatorike, që të kujtojnë …rendimentet në parcelat e misrit të N.B.Vrinës, dikur. Pse ç’janë poetët, misër që mbillen në parcela eksperimentale, me kubikë e pa kubikë. Më kujtohet me këtë rast Basho, i cili diku ka thënë se një komb është fatlum, në qoftëse në një shekull nxjer një poet të madh.…Një qytet  duhet të ndjehet i nderuar në rast se një poeti, bir apo bijë e tij, i kujtohen pas disa vitesh katër apo pesë poezi të tij. Madje  ka detyrimin moral t’ja kthejë borxhin e ..nderit.

Pyetje:-…mbi këtë shifër mund të shtoj edhe mbi 200 libra të botuar…

Përgjigje:-Nuk po miremi vesh, më duket. Unë të flas për poetë dhe poezinë, ti më flet për libra të botuar dhe vargje të shkruara…Më kupto miku im. Çdo gjimnazist i ka bërë një poezi dashurie shoqes së bangës ose shoqes tjetër, dhe çdo gjimnaziste i ka derdhur në vargje emocionet e pritjes,takimit, puthjes dhe zhgënjimit të parë, por ata nuk qenë dhe nuk u bënë poetë dhe ato vjershëza nuk janë poezi. Të gjithë pensionistët shkruajnë kujtime dhe bëjnë bejte, madje dhe i botojnë me kushtime dhe amanete, por nuk janë  as shkrimtarë dhe as poetë.
Le të ta sqaroj pak më ndryshe. Të gjithe ne vemi në kishë, në pashkë e krishlindje, ndezim qirinj, lutemi, marim naforën e bëjmë kryqin dhe këndojmë hymne e lavdërime fetare... Por ne jemi thjeshtë besimtarë, ndonëse jemi gati njëmiliardë njerëz. Ne nuk jemi as shënjtorë dhe  as profetë  dhe askush nuk pretendon që është Jezusi. Ai është një dhe i vetëm, madje edhe në shkrimet e shënjta  ai  quhet “I vetëmlinduri”. Kështu dhe poeti, në mes të një mase të madhe  lexuesish, recitueshish, shkruesish (shpesh grafomanë) është një i vetëm. Shpesh herë është ai, i heshturi, i drojturi.
Mund të keshë shkruar …tetëdhjetë libra poetikë…dhe të mos jesh poet, ashtu si shpesh mjafton vetëm një vëllim poetik, që të tronditë botën letrare dhe ti ndryshojë orbitën globit…poetik.

Pyetje: Po ti, ku je?

Përgjigje:-Unë? Unë kam ca  vite që kam marë rrugën për të shkuar te Tempulli i Poezisë. Për të bërë një lutje a për të bërë një …fli. Për P(oezi)erëndinë. Ky tempull qënka në majëmali dhe shtegu qënka i ngushte e i  thiktë. Shumë kanë mbritur para meje. I dëgjoj  këngët (himne dhe lutje)  dhe e ndjej  aromën e “flive” të tyre, siç ndjehet në oborin e kishës, aroma e qirinjve të ndezur. Unë  ngjitem. Nuk e di  në do arij dot te obori i këtij tempulli, por dhe në mbritsha, do trokas te porta e tij, të cilën, nuk e di në se do ma hapë ndokush, ndonjëherë.
Këtë doje të dëgjoje? Dakort, është dhe kjo një pjesë e të vërtetës, madje finalja. Por në fakt ka dhe një anë tjetër, më njerëzore. Poezia, në veçanti dhe shkrimtaria në përgjithësi është  shndruar në një farë oksigjeni për mua. Unë nuk shkruaj, që të më shohin të tjerët që shkruaj e të më vlerësojnë. Unë shkruaj, sepse nuk mund të ri pa shkruar. Ashtu si çdo njeri, që s’mund të rojë pa thithur oksigjen.
(Më duhet që  t’ju them se shprehja në korsiv, nuk është e imja, por e një poeteje, dhe unë e citova motamo, në respekt të  shënjtërisë  që ajo përmban dhe të faktit që është  shprehja më konçize e të  vërtetës sime.)

Pyetje;-Ç’mesazhe përçojnë librat e tua me poezi?

Përgjigje;-Më  kanë thënë se poezitë e mia kanë shumë  dhimbje, shumë trishtim, ka shumë lot nëpër to. Po a s’më thoni, si mund të mos derdhë lotë poeti në trazirën e ’97, kur më shumë shihnim makinën e  varrimit të ecte rrugëve  të qyteteve se sa taksitë. Kush do këndonte këngë gazmore ndërsa numëroheshin ditë për ditë viktima njerëzore.
Pastaj unë kam një mendim tjetër për poezinë. Poezia e vërtetë është poezia e dhimbjes, jo poezia entusiazte. Edhe simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga shigjeta. Mendoj se dhëmb edhe gishti kur çpohet me një gjemb e jo më një zemër e çpuar nga shigjeta. …Një dashuri që ska lotë, nuk është dashuri…thotë një fjalë arabe.
 ‘’Dhimbja  është banore e qytetit tim’’  është vargu i parë i librit tim të parë.
Duke kënduar për të, unë ftoj gëzimin njerëzor të vijë  e të bëjë si zog, folenë te pema e dhimbjes. Duhet ta njohësh dhimbjen që të kërkosh lumturinë.Për vete e për të tjerët.

Pyetje;-Si do e karakterizoje  poezinë tënde?

Përgjigje;-Unë mendoj se poezia ime është aktuale. Por ju  dhe lexuesi duhet ta dini më mirë. Unë e shkruaj, ju e vlerësoni. Unë ua jap ‘’mjaltin’’ e lotëve të mia, mos ju duket shumë i kripur? Se i sheqerosur e di që nuk është.

Pyetje;-Ç’lidhje ka poezia jote me artin popullor,( iso-polifoninë) dhe si rri me të  e ndaj tij?

Përgjigje;- Ç’lidhje ka drita me lumin, që buron rrëmbyeshëm teposhtë, hyn nëpër turbine e përsëri del e përfundon në det? Në pamje të parë  s’ka lidhje fare.
Në pamje të parë poezia ime s’ka asnjë lidhje me artin popullor, me krijimtarinë popullore, qoftë ajo edhe në prozë. Unë kam vjersha të shkurtëra, populli ka  rapsodi të gjata.Unë i kam në varg të lirë, populli i ka në vargje të rimuara.
Por ka një gjë që harohet. Dhe më kryesori. Njeriu dhe shpirti i tij. Unë jam Brgedetas, jam pilurjot dhe në vargje derdh shpirtin tim bregdetas, pilurjot. Pavarësisht në se i derdh në vargje të rimuara apo  vargje të lira. Unë jam aty , në mes të librave, në mes të vargjeve, me brengën, hallet e dertet e mia. Që nuk janë thjeshtë të miat, personale.
Janë hallet e dertet e  kohës dhe të kohrave, të kombit e të kombeve.

Le të bëjmë një  largim nga unë dhe ti bëjmë një vizitë Fatos Arapit, psh. Fatos Arapi është një poet modern, që i përket të ardhmes, pavarësisht se shkruan sot. Vargjet e tija të lira s’kanë asnjë lidhje me vargun tradicional të poezisë popullore. Por po  të lexosh me vëmëndje poezitë e tij, sidomos ciklin kushtuar vëllait të tij, Vllas Arapit, për mënyrën se si shprehet e trasmetohet dhimbja njerëzore, të krijohet ndjenja se je duke lexuar(dëgjuar apo vajtuar) vajet e nënave labe dhe bregdetase. Vetëm një “sistemim” mund t’u  bëhet vargjeve të tij dhe të çfaqet para teje një vajtim. E pra, në shtratin e lashtë (të artit popullor) rrjedh rrëmbyeshëm lumi ( i fryrë )  i poezisë moderne të tij. Diku shtrati është më i “gjërë” apo më i “ngushtë”, diku në brigje kanë mbirrë rrepe apo shelgje lotues, diku koha  ka ndërtuar “kaskada”, por gjithësesi, lumi rrjedh teposhte e derdhet në det, i pastër e i kthjelltë, pa baltovina nëpër të. Prandaj është kaqë e bukur poezia e tij.

Shiko miku im, poezinë e Ali Podrimes. Në dukje, një poezi e largët, me vargje të “çuditëshme”.  Por ajo, poezia e tij, nuk është gjë tjetër, veçse shpirti  i poetit (dhe i popullit të tij) që reh me ritëm të shpeshtë, të mbytur nga gulçet e dënesat e fshehura mes vargjeve. Po ta lexosh me vëmëndje, të duket se në çdo varg, ai ka vënë një copëz zemre, të zemrës së tij të coptuar nga fatkeqsia (personale dhe kombëtare).
Dhe këto copëza zemrë nëpër vargje, ende janë të lidhura me njera tjetrën me nerva e damarë dhe rahin si një e tërë në gjithë krijimtarinë e tij.
E pra, të thuash se ç’lidhje ka poezia e këtyre dy viganëve modernë me artin popullor, është si të pyesësh se çfarë lidhjeje kanë mes tyre vera me vreshtin, vetëm e vetëm se e para është e amballazhuar mirë e bukur në shishe dhe tregëtohet nëpër restorante moderne, ndërsa vreshti është aty, në një shpat mali, në shi e në borë, me baltë e barishte nëpër rënjë dhe shpesh herë, edhe me insekte besdisëse nëpër gjethe.

Pyetje;-Pse u hodhe në studime të isopolifonisë, bile pa kaluar nga proza?

Përgjigje;-Këtë nuk e di as vetë saktësisht. Vlerësimi i iso-polifonisë si kryevepër e njerëzimit dhe marja e saj në mbrojtje nga UNESCO më gëzoi pa masë. Mendo dhe vetë;U shtua  edhe një kryevepër e njerëzimit që populli ynë i jep botës, krahas Butrintit, Beratit e Gjirokastrës. Pra, brenda një sipërfaqeje  afro dhjetëmijë kilometra katrore, populli ynë ka  katër kryevepra të njerëzimit, të njohura e të çertifikuara. Nuk di ndonjë  vend tjetër me një dëndësi të tillë gjeografike kryeveprash. Çertifikimi i iso-polifonisë  është vërtet një vlerësim për popullin tim. Po kur dëgjova se disa studiues, fatkeqësisht shqiptarë, filluan ta sulmojnë me argumente jo serioze si psh, jo po pse u quajt iso-polifoni kur ne e kishim mirë polifoni, jo po pse nuk na pyetën edhe ne etj etj, atëherë, pa  ju futur studimeve teorike, fillova të hedh në letër mendimet e mia, duke i argumentuar me shëmbuj konkretë të jetuar, kryesisht të marë nga bregdeti dhe  veçanërisht nga  Piluri. Kjo më diktoi  që këto shënime ti trajtoja në formën e sprovës dhe jo në formën e studimit akademik. Mandje në librin “Vesa mbi këngë”, këto tema i trajtoja më shumë në formën e një tregimi, gjë që solli dhe leximin dhe përthithjen massive të tyre, ndryshe nga çmund të ndodhte po të qenë studime të tipit akademik, ku lexuesi do qe një numër i kufizuar.
Pastaj, kureshtja është sëmundja  më e njohur e poetëve dhe studiuesve. Kureshtja se si  ka ardhur kënga nga vajtimi,  apo si fluturon shqiponja e këngës në qiellin e isos, si ka shtegëtuar kënga nëpër shekuj, si është krijuar vallja, e gjer edhe te zakonet e kanunet, këto janë shpella që duhen ekploruar nga studiuesit e folklorit dhe duhen  ditur e përthithur nga shkrimtarët e poetët.
Pastaj, arti popullor është një shkollë e pazvëndësueshme e shprehjes dhe konçizitetit të shprehjes artistike. Le të shohim, psh vargjet e një këngë, për një nuse të re, ardhur në vizitën e parë pasmartesore në shtëpinë e të jatit. Dikush e pa, ashtu të stolisur me  unaza e  zinxhirë floriri dhe këndoi… Ky zinxhir i hollë larë më flori/as na fol një fjalë si në vajzëri… Dy vargje janë, por sa dramë, dhimbje e brengë mbajnë nëpër gërmat e tyre. Do duheshin vëllime të tëra për ti shpjeguar teorikisht. Pra,shih sa qartë,shkurt dhe artistikisht flet populli.Kemi ç’të mësojmë, apo jo.

Të kaluarit nga proza për te studimet ska të bëjë fare. Për tu larë në det mund të hidhesh nga ndonjë gur, nga një varkë, mund të futesh me këmbë etj etj.

Pyetje;-Sa e kanë pikturuar poetët e Sarandës Jonin dhe sa është dhënë në përgjithësi në artet tona Mesdheu?

Përgjigje;-Të kuptohemi, s’ka rëndësi sa e kanë pikturuar poetët  sarandiotë Jonin e Mesdheun. Ata ditë për ditë shkruajnë e  flasin për Sarandën, Jonin e Mesdheun, por ka rëndësi si shkruajnë  për Jonin e Mesdheun, si e pikturojnë atë. Ajo që ka rëndësi është fakti se sa  u ka hyrë në shpirt, në jetën e tyre, në botën e tyre Joni dhe Mesdheu. Sa jonianë dhe mesdhetarë janë ata, sepse kur thua Joni dhe Mesdheu ke thënë Europa, kultura,dija, përparimi, civilizimi etj etj. Mund të banosh pranë Jonit dhe të jesh banor i prapamaleve. Mund të vish pranë Jonit dhe Mesdheut me kanun, koncepte e botë  të ngushtë provinciali, të jetosh e të vdesësh pranë Jonit e të mos marësh vesh se ke humbur një botë të ndritur e të madhe.
Mund të vish edhe si  shtetar i plotfuqishëm, psh në Sarandë dhe të kapardisesh e të thuash psh ; -Do ta bëj Sarandën të këndojë me çifteli, apo të këndojë  vetëm labçe.
Këta mjeranë nuk e kuptojnë se e kanë humbur që në fillim Sarandën, Jonin e Mesdheun. Nuk bëhesh dot qytetar pse  shite dhëntë e dhitë dhe bleve një “kullaro” e një kostum.
Ky është problemi more mik.A bëhemi dot jonianë e mesdhetarë, europianë. Për veten tonë, jo për botën. Pastaj vetkuptohet që do shkruajmë si jonianë për Jonin e si mesdhetarë për Mesdheun dhe sidomos do shkruajme, do mendojmë , do jetojmë e do punojmë si europianë për Shqipërinë Europiane. Dhe duke i dhënë shpirtin tonë jonian artit tonë, fjalës sonë, vargut tonë poetik..
Këtë objektiv ka edhe Klubi i Krijuesve të Artit Jonian, Ky është në thelb ajo që ne e quajmë Arti Jonian. Jo Arti Jonik i antikitetit, por Arti Jonian i kohës  dhe jetës sonë moderne, me ritme e vizione.
Unë do tju ftoja ta mirni poezinë e miqve të mi, psh Agim Matos, Andrea Zarballa,Niko Kacalidha, Adriana Dhrami etj, dhe nëpërmjet vargjeve të tyre të shihnit botën. Ju siguroj që do shikoni një  botë magjike, që as në ëndra nuk e kini parë. Një botë  (moderne)që të magjeps e të mrekullon. Dhe të fton të bëhesh pjesë active e saj.

Pyetje;-Ç’krijimtari ka dhënë tema e kurbetit?

Përgjigje;-Kurbeti, kjo plagë  shekullore e popullit tim, u gëric përsëri e filloi të kullojë gjak, dhimbje, e …këngë. Populli ynë gjithnjë, edhe dhimbjet i ka përjetësuar nëpër këngë, qofshin këto dhimbje të ëmbëla dashurie, qofshin edhe dhimbje të rënda morti. Është një bibliotekë e tërë me këngët, apo më mirë me këngëvajet e kurbetit, e cila  fatkeqësisht dhe fatmirësisht,  ritet ditë për ditë. Them fatkeqësisht, sepse ajo tregon se vazhdon vuajtja e popullit tim në kalvarin e kurbetit dhe them fatmirësisht, se edhe sot në kohët moderne, bota shpirtërore e njeriut shqiptar, ka trokitur te laboratori krijues i këngëve të vjetra të kurbetit, për të  artikuluar artistikisht brengat, hallet e dertet e jetës së tij të përditëshme, duke riaktivizuar këtë laborator, i cili në të kaluarën ka dhënë perla të poezisë dhe këngës popullore dhe sot në kohët moderne, rezikohej të amortizohet nga mospërdorimi.

Pyetje;-Si do ta shihje dramën e një plaku të mbetur vetëm?
Përgjigje;-Vetëm këtë dramë s’dua të shoh më te asnjë njeri. Do dëshiroja të mos e shihja tek asnjë njeri mbi këtë dhe, pavarësisht nga  kombësia e tij. Kam shkruar për plakat  që ua bren ditët ndryshku i vetmisë, kam shkruar për pleqtë që vdesin duke pritur, pleqtë tanë të mbetur vetëm, dhe të them të drejtën, e kam përjetuar dhimbjen rëndshëm. Por ta përjetosh artistikisht dhe ta jetosh realisht, është një det me lotë në mes, dhe unë s’dua të lundroj  nëpër të.
As me anie luksoze.

Pyetje;-Sa njihet dhe sa jeton në kulturën e përgjithëshme të vendit krijimtaria dhe kultura jonë lokale ose rajonale?Ç’mund të bëjmë më mirë?

Përgjigje;-Nuk ka kulturë lokale, nuk ka kulturë rajonale. Ka kulturë, ka art, ka stil të shkruari, të pikturuari, të vallzuari, të kënduari etj etj. Po ju donit të thoshnit, plot dashamirësi, për krijuesit që  jetojnë e krijojnë në ‘’rajone apo lokale’’, qytete  provicialë  e ca më shumë nëpër fshatra, ku hapërsirat e shikimit artistik janë më të kufizuara. Ky është problem i vogël që zgjidhet  lehtësisht. Problemi është se sa këta shkrimtarë, poetë, piktorë në përgjithësi artistë, krijojnë vepra që, për nivelin artistik dhe mesazhin që  emetojnë i kalojnë hapërsirat gjeografike të vendbanimit të tyre. Sa vend zënë këta artistë dhe vepra e tyre në jetën artistike të vendit.
Ismail Kadareja lindi në Gjirokastër, por ai tashmë nuk është më i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me thënë që është i gjithë Europës e më tejë
Por ajo që ka rëndësi,në këtë  këndvështrim, është fakti se  ajo që quhet zakonisht ‘’krijimtari lokale’’, kënga popullore, po bastardohet  nga përpunimet dhe përpunuesit e këngës popullore, duke i shndruar shpesh edhe perlat e vërteta të  artit të popullit në ‘’xhingla arixhiu’’ pa vlerë e pa shije, thjeshtë për komercializëm. Këta janë barbarët e kohëve moderne, këta janë barbarët e artit.

Pyetje;-Sa jetojmë si krijues?

Përgjigje;-Po u fute në det, do lagesh i tëri. S’mund ta pyesësh  tjetrin që është në mes të detit në se e ka lagur këmbën e djathtë apo dorën e majtë.
Po u fute në detin e krijimit do ‘’lagesh’’ i tëri dhe do jesh i lagur sa kohë që do jesh në atë ‘’det’’. Shpesh herë poezia nis duke bërë një vjershë dashurie.Në këtë rast je një djalë fatkeq ose fatlum i dashuruar, por nuk je poet. Të jesh poet do të thotë të jetosh çdo moment të jetës poetikisht, të gjesh poezinë dhe artin edhe aty ku të tjerët shohin banalitetin. Dhe një debat ose konflikt  të rëndomtë, ta shohish si një fenomen artistik aktual apo në prespektivë. Është njësoj si dashuria. S’mund të thuash që do dashuroj të hënën e të martën dhe do bëj pushim të mërkurën dhe të ënjtën. Po të zuri dashuria e krijimtaria, të zuri të tërin dhe për gjithë kohën. Është si sëmundje. Mund të të dhëmbë vetëm koka, por këmbët s’bëjnë çap më tutje.
E pra, shërimi është që të sëmuresh i tëri e përgjithnjë.
Ilaçet nuk më bëjnë gjë… thotë një këngë popullore.

Pyetje;-Kur shkruan dhe si?
Përgjigje; Puna e zyrës bëhet me tetëorarsh, jo arti. Arti bëhet gjithnjë. Për tu shkruar, mos u habit po më pe ndonjëherë që të kem ndalur makinën në anë të autostradës dhe të jem përkulur mbi bllok.

Pyetje;Cilin poet mba për idhull, po prozator.

Përgjigje; Unë i dua dhe i respektoj të gjithë krijuesit dhe lexoj sa më shumë të mundem. Jo vetëm kaqë, por kam nisur edhe ti rilexoj shumë autorë dhe gjithnjë bëj zbulime që dikur më kanë shpëtuar. Nuk kam idhuj. Nuk i vë krijuesit në peshë për të parë kush është më i rëndë a më i majmë. Secili ka  portretin e tij, ka botën e tij, ka artin e tij. Floriri është flori pavarësisht se ku  hidhet nga ai që sja di vlerën.

Pyetje;-Ç’ke në shtyp dhe mbi se po punon?

Përgjigje:- Akoma do për ….mua.
 Zakonisht unë flas pasi e kam mbaruar punën.Tani porsa mbarova këtë intervistë, për të cilën ju falnderoj së tepërmi, juve  dhe lexuesit e nderuar që do kenë rastin të njihen me të.

Ju faleminderit.

No comments:

Post a Comment