Agim
MATO
ese
Gjatë gjithë ekzistencës populli ka ngritur malet e pasurive të veta
shpirtërore. Këngët janë si katet e pyjeve që i veshin këto male. Secili kat ka
dëndësinë e tij të këngëve. Shikoni majën çame të rrahur nga erërat e mëdha të
kohrave. (Shqipëria është e mbushur me maja të tilla). Atje ka drurë që u kanë
rezistuar shakullimave, këngët e moçme për bëmat e Pirros dhe Skënderbeut ,
legjendat dhe baladat e fuqishme që zenë vend nderi në fondin e artë të poezisë
sonë popullore. Dëndësia në këtë lartësi nuk është e madhe sepse përjetësia
kërkon hapsirë. Pyjet e dendura fillojnë poshtë majës. Ahishtat, pishnajat
përzihen me mjegullat. Këto nuk janë mjegulla po tymi i luftrave epike dhe
historike. Në këto pyje baresin heronjtë kombëtarë dhe krahinorë. Pastaj
vijnë pyjet e dëndura të mbushura me
firarët e maleve, me pyjet e brengave dhe të nizamëve. Një tis i hollë i
argjentë i mbulon këngët e dashurisë dhe të dasmave. Ato janë në një pllajë
tërë diell ku ka kroje dhe lëndina. Po ndodh
që edhe lulet e këtyre lëndinave t’i spërkatë gjaku. Më poshtë, në
ultësirat e ditëve tona kanë mbirë këngët e një malli të çuditshëm për varret e
të parëve, për shtëpitë gërmadha, të shoqëruara të gjitha me ofshama që
drithërojnë atmosferën e sa e sa festivaleve. Një pyllnajë që rritet përditë.
Pyjet dhe këngët kanë jetën e vet. Siç
ka drurë qindravjeçarë ka edhe këngë qindravjeçare. Siç ka pyje që degradohen
dhe në vend të tyre mbijnë të rinj, ka edhe këngë që vdesin dhe vendin e tyre e
zënë të ra. Eqerem Çabej thotë: “Poezia popullore është një organizëm i gjallë
... Ajo bën jetën e saj organike, shkon pas frymës së kohës dhe ndërron bashkë
me të. “Më poshtë: ” Këngë të moçme zhduken, të vjetra krijohen, shpesh herë
këto përzihen dhe shkrihen me njera tjetrën “. ( E.Çabej “Për gjenezën e
literaturës shqipe”)
Kushdo që dëshiron të udhëtojë
nëpër hapësirat e pamata të folklorit të Çamërisë, duhet të marrë për
udhërrëfyes Fatos Mero Rrapajn dhe duhet të ketë me vete biblën e tij voluminoze:
“Këngë popullore nga Çamëria” Garant për këtë bëhet Ismail Kadare, që e ka
shoqëruar këtë bibël me një përcjellje, ku e quan: “Një enciklopedi poetike, të
plotë e të gjerë”.
Interesimi i menjëhershëm që
ngjalli në opinion dhe hutimi i Institutit të Folklorit, i kushtohet si lëndës
së re, gati të panjohur, ashtu dhe vlerave të mëdha artistike që mbart kjo
trashëgimi e paçmuar popullore. Mendja të shkon menjëherë tek “Bleta shqiptare”
e Thimi Mitkos, babait të folkloristikës sonë, që gjeti tek Fatosi një nga
pasuesit më të zellshëm të këtyre
dekadave të fundit. Do të duhej shumë vend për të folur për peripecitë
mbi 40 vjeçare të këtij mbledhësi të apasionuar, për endjet plot durim, vullnet
e këmbëngulje në të gjitha trevat ku
janë shpërndarë sot mbartësit çamë të
shpërngulur nga dherat e tyre. Kjo e bën edhe më domethënëse misionin e tij të
madh për të shpëtuar këto vlera nga rreziku i humbjes shkallë shkallë në
kushtet e një shpërndarjeje të tillë heterogjene. Gjithashtu, gjithshka që
jeton e konservuar në kujtesën e të moshuarve bën një firasje të
pallogaritshme gjatë kalimit në brezin
tjetër. Momenti që gjeti folkloristi ynë i zellshëm për këtë qe vendimtar.
Përmbledhja, është vetëm një pjesë
e arkivit të hartuesit të saj. Hojet e këtij arkivi janë të mbushura me qindra
mijëra vargje, faqe proze e materiale gjuhësore, historike e etnografike, të
qëmtuar me kujdesin prej shkencëtari në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nga
pasuria autentike, nga larmia e shumëanshme tematike e gjinore, libri në fjalë
është deri më sot thesari më i plotë i artit oral çam.Të mos harrojmë se edhe
Mitkoja, edhe Spiro Dineja, me ndërgjegje ose pa ndërgjegje kanë futur në
materialet e mbledhura prej tyre këngë popullore çame. Edhe ato nuk janë pak,
po me dhjetra.
Si hyri kënga çame në “Bletën shqiptare” dhe në “Valët e detit“? Shumë
thjeshtë. Në parathënien e librit të tij Spiro Dineja thotë: “ ... atë kohë,
ndodheshin edhe shumë shqipëtarë në Egjypt, ngado të shkoje do të piqje
shqipëtarë. Karakollët e Kajros qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nuk
reshtnin ... prandaj gjeta kohë të mbledh nga të dy anët (dialektet)”. Çamët
nuk mungonin kursesi këtu, qoftë si nizamë, qoftë si kurtbellinj. Ky fenomen në
folkloristikën tonë mendojmë se ka një
rëndësi të posaçme studimore për motërzimet ndërkrahinore. Mbartësit e këtyre
krahinave jetonin vite të tëra sëbashku në shërbimin ushtarak osman. Shpirti
shqiptar, muza shqiptare, aty, në vetminë e shkretëtirave, duket se vinte në
provë përjetësinë dhe madhështinë e vet. Këngët e krahinave të ndryshme ushqenin njera tjetrën, merrnin
dhe jepnin. E kundërta ndodhte me këngët e reja që krijoheshin aty, ato të
brengave, të nizamllëkut, kurbetit, etj. Me kthimin në atdhe ato fillonin një
jetë të veçuar krahinore, gjersa shndërroheshin në motërzime të motiveve bazë.
Këto motërzime janë si barometra që matin presionet e lëvizjeve të gjera
shoqërore, halleve dhe brengave që përfshinin krahina të tëra. Në rastin
konkret motërzimet çame, flasin për atë se sa të lidhura kanë qenë këto treva me
fatet e kombit në të gjitha etapat e historisë sonë.
Tani le të hipim përsëri në majën e këtij mali imagjinar të populluar me
pyjet e këngëve çame, tek këngët dhe legjendat për Pirron dhe Skënderbeun. Sa
të vjetra janë? Vargjet e bardha dhjetërrokëshe të hedhin larg dhe kjo të
ngazëllen. Mendo se këto janë ngritur mbi trungjet e lashta, kur kjo metrikë
praktikohej në eposet. Elementët bizantinë janë të dukshme. Po ashtu edhe ato
zakonore vendase që mbijetojnë edhe sot. Fjala e vjetër “ipè” për shiponjë haset dëndur
tek këto këngë. Epirin (nga epeiros- gr.vjetër) çamët e quajnë tek këto këngë
Iperi dhe veten iperotë.( Vetëm më vonë fillon të vihet në përdorim fjala
çamërjot). Ç’lidhje mund të ketë për këngëtarin e dikurshëm rrënja “ipè” (shqipe)
me Iperì (Shqipëri)? Të jetë vetëm
rastësi apo një kalk analog i periudhave kur nis formimi i kombit, duke i
ndërruar kuptimin termit antik të imponuar nga jashtë? Epiteti ”Burri” që i
bashkëngjitet emrit të Pirros, sipas dëshmive, dikur zëvendësonte në Çamëri e
gjetkë vet emrin e tij. Thuhej Burri dhe nënkuptohej Pirroja. A nuk është një
fakt ky se kujtimi i tij ka mbijetuar në kujtesën e popullit? Po kujtesa më e
mirë është kënga dhe legjenda. Sigurisht, kur ndodh që figura e tij merr
ngjyrim të theksuar historik, kënga ka huajtur nga historiografia. Kjo është në
dëm të vjetërsisë sepse është një shtresëzim i mëvonshëm. Gjithashtu edhe gjuha
është e mbartësve të mëvonshëm të saj, një fatkeqësi kjo e kushtëzuar nga koha
kur janë mbledhur. Një gjë është e sigurt, që këto legjenda nuk janë më pak të vjetra se ato të Urës së Nartës dhe
të Dhoqinës, me të cilat kanë ngjashmëri stilistikore apo metrike. Tek kënga “Krujë
trime n’atë vetull mali” flitet edhe për jehonën e fitoreve të Skënderbeut në
Iperì:
Iperiotët
valle kanë hjedhur
dhe çdo natë
zjarre kanë dhezur
Tek Barleti do të gjesh të
përshkruar gëzimin popullor pas fitoreve, që shndërrohej në një festë të vërtetë. Ai merret shpesh me këtë fakt në
veprën e tij të njohur për Skënderbeun. Kënga në fjalë dëshmon vërtetësinë e Barletit
dhe, për analogji, hershmërinë e vet.
Mbi tërë hapsirën e motiveve të
këtij libri ngrihen lart dy ndjenja dhe veti sublime të shqiptarit: atdhedashuria
dhe shpirti liridashës. Shpesh të dyja këto ndjenja nënkutojnë njera tjetrën
dhe shndërrohen në një lejmotiv :
U
shkrinë për liri,
për
flamurin kuq e zi
Pasqyrimi në këngë i luftrave dhe i
luftëtarëve të panumërt të kësaj treve është bërë në kompleksitet me
kontraditat, planet, diplomacinë dinake dhe intrigat e diplomacive, pa lënë
mënjanë as qëllimet dhe pikësynimet e hapura apo të fshehta politike dhe
ekonomike të tyre.
Që në
Prevez’ e Janinë,
shqiptarët
luftë po bijnë,
Kordha
jonë vringëllet,
me të
dia anët pret,
s’pjesim
krale e sulltanë,
se kemi
hall për vatanë,
edhe pa
buk’do të rrojmë,
me të shtatë
do lëftojmë,
vendin
tonë s’e lëshojmë.
Tema për mbrojtjen e trojeve nga
intervencioni i huaj është shumë e përhapur në këngën çame. Më 1807 trupa të
Napoleon Bonapartit pushtojnë Prevezën. Kapedani Hasan Çapari me pesëqind
vullnetarë u sul për çlirimin e qytetit:
Napolonit
s’ju përule,
galëtë(francezët)
të gjallë i zure.
Një shekull më vonë, më 1911, po në bregdetin
çam, përpiqet të zbarkojë edhe Entelia (Italia), po çamët, edhe pse pa “topa e
xhepane“ qëndrojnë si trima dhe s’lejojnë kënd t’i bëjë “Urë” dhe “raje”. Duke
thënë “Urë” këngëtari popullor kishte parasysh rëndësinë e pozitës së trojeve
të veta për brendësinë e gadishullit ballkanik. Shqiptari gjithmonë mbrojtjen e
tij e ka vënë edhe në funksion të mbrojtjes së popujve fqinj. Tek kënga në
fjalë, rapsodi, duke parë pamundësinë për të ndjekur armikun në det, i
drejtohet me sfidën e tij:
Del
steresë moj dhe ti,
ta shohç
shqipon si për si
Në shumë këngë bëhet fjalë për
mbrojtjen nga luftëtarët çamë të Volës, Petrovicës, Njihuarit, Filipjadhës,
përleshjen trup me trup në Gribovë, për qëndresën heroike shqiptare në Bezhan
të Janinës, Mali i Bezhanit indetifikohet me vet mbrojtësit:
O
Bezhan, i zi Bezhan,
gjashtë
muaj n’istikam,
i pakart
i pa duhan,
buk’
edhe fai s’të dhanë,
po
lufton në këmbë e mban.
Një mal që për muaj me radhë
nuk ka kartë për të dredhur një cigare!
Dhe fakti që s’ka duhan duket më i
rëndë se fakti që nuk ka bukë, (zë vendin e dytë në radhitje ) sepse dhimbja
shpirtërore për fatin e atdheut e kapërxen
çdo dhimbje tjetër. Mali këmbëngul të rrezistojë ashtu siç rrezistojnë
malet. Një epos i vërtetë qëndrese ky!
Vargu i heronjëve popullorë është i
gjatë. Marko Boçari, Ali Farmaqi, Bubulina, Zejnel Hasa, Maksut Veliu, Tahir
Meta, Sabri Preveza, Spiro Çakëlla, Alush Taka, Muharrem Rushiti, të ndjekur
këta nga firarët e maleve apo kaçakët si Lul Manka, Met Shoti, Zeqo Kipa, Mehmet
Hyseni, Lul Çapari, pa përmendur bilbilenjtë labë apo Shemo Gjirokastritin për të cilët muza çame s’u kursye edhe për
faktin se trualli i saj ishte shpesh teatri i veprimeve të tyre. E marrë në
rendin kronologjik, kënga çame derdh një galeri të tërë personazhes që nga Ali
Pashë Tepelena e këtej. Vet Aliu portretizohet edhe me ngjyrimin legjendar edhe
historik, pa fshehur të vërtetën mbi figurën komplekse të tij. Tek “Hanko kur
bëre Alinë” ngjyrimi është legjendar:
Vallë
ti, moj, i dhe sisë,
që të
dolli yll me dritë?
Apo mos
ta kanë rritë
tij ato
zërat e malit
edhe
ujët e spitharit?
Në këngën tjetër “Medet për Vezir
Alinë” sundon qortimi i hidhur i vënë në gojën e Marko Boçarit:
Medet
për Vezir Alinë
që
s’dëgjoi Boçarinë
të
mblidhej me Bushatllinë
për të
bërë Shqipërinë.
Marko
Boçari i tha:
-Dëgjomë,
Ali pasha,
po s’u
bëmë me ata,
Shqipëri
për ne nuk ka,
do
grihemi lakëra ,
do
këndojë quqeja”.
Ky është ndoshta një nga motivet më
të hershëm, që bën fjalë për domosdoshmërinë e uniteit kombëtar, për të cilën
s’mund ta ndërmernin vezirët dhe baballarët po puna e madhe e rilindësve tanë.
Ky unitet shtrohet me forcë sidomos në këngët e periudhës së Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit, periudhë në të cilën Çamëria njohu shumë veprimtarë. Ata e zgjidhën
drejt çështjen e bashkimit të kombit dhe njësisë së territoreve që viheshin në
rrezik. Në dobi të këtij bashkimi ose më mirë nën presionin direkt të këtij
ideali ishte lufta për prishjen e hasmërive dhe pajtimin e gjaqeve që
ndërmerrnin atdhetarë si Ibrahim Parga, nën parrullën “Çdo hasm ta bëjmë
vëlla”, apo Lul Repani që ka parasysh ndarjet fetare “S’e vret vëllai vëllanë,/
gjithë jemi shqiptarë”.
Në këngët që i bëjnë jehonë luftës
së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve kundër të njëjtit armik ndjehet
respekti i veçantë për popullin fqi. Vet Marko Boçari, i brumosur si luftëtar
pranë Aliut u bë një nga heronjtë më legjendarë të revolucionit grek, një nga
internacionalistët më të mëdhenj që e konsideronte luftën e popullit fqi si
luftën e popullit të vet:
Ngreu, o
Marko trimëria,
të
dërgon kartë Greqia
- Eja, o
Marko Shqipëria,
se na zu
frymën Turqia.
Katër vargje sa për një monument.
Historia shkroi faqe të lavdishme për këtë “Çamërjot”, figura e tij frymëzoi
shumë shkrimtarë e piktorë gjenialë të shekullit të kaluar në Europë. Tufa e
këngëve çame për të janë lulet e vendlindjes së tij, të identitetit të tij, ato
që s’vyshken kurrë në panteonin e popujve. Dhe Markoja nuk është i vetëm, por
njëri nga ajo plejadë heronjsh si Xhavella,
Bubulina, etj. Një nga shembujt më domethënës të një qëndrimi të gjerë dhe gati
deri në një konceptim ideal të fqinjësisë është kënga “Ballkize, moj kapedane”.
Ballkizja dhe motra tjetër Gjulia janë bija të patriotit Musa Demi. Të dyja
partizane. Ballkizja në repartet e Elasit grek dhe Gjylja në një nga brigadat
tona partizane. Dy motra në dy ushtri kundër të njëjtit armik. Lidhjen e Ballkizes
me partizanët grekë rapsodi e ngre si një vëllazërim popujsh:
Bashkë
me fqinjët tanë,
lidhur
si vëllau me vllanë,
grekër
dhe shqiptarë,
për të lëftuar
dushmanë.
Rapsodi është i ndërgjegjshëm dhe i zhveshur nga çdo paragjykim kur bën
konkluzionin e aktit të saj:
E dhe
jetën për lirinë,
për
miqësinë me fqinjë,
zbukurove
historinë.
Në këngët për shpërnguljen me forcë
të çamërve nga trojet e tyre në asnjë rast nuk ngatërrohet populli grek me
masakrat e gjeneralit fashist Napoleon Zerva. Do thënë që ky është kapitulli më
i dhimbshëm në poemën popullore çame. Ai zë fill më herët, qëkurse bëheshin
përpjekje dhe shpërnguleshin për në Turqi po me forcë masa të tëra nën
pretekstin se ishin turq. Ngatërrimi i fesë me kombin në kurriz të fatit të
popullit tonë është i njohur. Në një
këngë thuhet:
Çish të
ikim nga shtëpia?
Çish t’i
lëm gjushrit në varre,
me
kurmet pa tretur fare?
Çdo koment do ta varfëronte efektin
tronditës të këtyre vargjeve. Tani mendoni një anije të mbushur me familje çame
që lundron përmes Egjeut drejt Turqisë së panjohur, e largët për ta. Sipër tyre
fluturojnë zogj, që kënga mund t’i pyesë sipas traditës për atdheun që ngeli
pas. Mirëpo kraharori i zogjve është tepër i brishtë për të mbajtur peshën e
madhe të dhimbjes dhe mallit të tyre. Anieja e zgjat distancën nga atdheu, kur
ja, zënë e duken avionët në qiell. Këta po, vendos t’i pyesë muza e plagosur:
Uluni, o
ju ballona
t’u
pjesë për shtëpitë tona
dhe përgjigja :
Na habere
nuku kemi,
se ka
ato vende s’jemi
Shpresë e kotë. Asnjë nuk i qëllonte të ulej
në atdheun e tyre të mjeruar. Ja një motërzim tjetër:
Shkon
ballona në heva,
pijet
motra për vëlla.
-Ne kah
ato vende s’jemi,
ka
vëllai yt habere s’kemi.
Zdrigju
ti ballon mbërdhe,
-
Do zdrigjem në
Pllatare,
të pi një filxhan
kahave.
Tabloja tjetër, po aq e dhimbshme,
e ndjekjes drejt kufirit shtetëror shqiptar me djepet në krahë dhe me tymin e
ullinjve të tyre të djegur në mushkri, është regjistruar me të gjitha pejzat e
muzës popullore:
Çamët duke
ikur
e duke
luftuar
ngarkuar
me plaçka
dhe
foshnjat në duar,
hedhin
sitë prapa:
shtëpitë
përvëluar,
ka
gjulet e topit
ullinjtë
të copëtuar.
Çamëri e
shkretë
shumë u
përvëlove
çdo
pëllëmbë tokë,
me gjak e
mbëlove.
Në shumë këngë, rapsodi çam, si të ishte
ndonjë studiues sociolog, burimin e fatkeqësisë e gjen tek fashizmi, që është
stimuluesi më i egër i nacionalizmit:
Si
kulshedrat në Greqi
u vendos
fashizmi i zi.
Këto kulçedra ju sulën në radhë të
parë Çamërisë, popullsisë së saj fatkeqe:
E pa
dinjaja me si,
ç’bë
Zerva në Çamëri.
mbilli
njerzit në shtëpi,
i therri
si bagëti.
Dhe
grave që ishin me barrë,
me thikë
në bark u ranë,
ua
nxorrën jenët gjallë,
dhe ata
me thikë i vranë
Mirëpo poetin popullor nuk e lë të
qetë ndërgjegja për gjithshka ndodhi në të kaluarën. Ai bën bilancin e
historisë së tij dhe për këtë do të jetë sa më objektiv, të jetë “shahist” tek
e vërteta. Ai e nis gjykimin ng argumenti i kundërt:
Çamëri,
o zëmëra ime,
...a mos
vall pate gabime?
Përgjigja vjen menjëherë, pa pikë
hezitimi:
-As
gabime, as të metë,
dëshmon
historia vet.
Duke bërë një eskursion në pyjet e
këngëve popullore çame të mbushen mushkritë me ozonin e tyre të pastër dhe
aromën e veçantë. Hapësira ndjesore e tyre është e pakufishme, e përmasave
universale. Ky libër, që mbushet me rrëkera gati të padukshme ritualesh, lodra
fëmijësh, nina nana, këngë argëtimi e dashurie, rite e valle dasmash, vaje,
këngë humoristike e satirike, për të
kaluar pastaj tek legjendat e baladat, tek këngët për ngjarje të njohura e të
panjohura historike, për heronj të mëdhenj kombëtarë, për luftëtarë e martirë,
tërë kjo plotëri tematike e gjinore, shpalos vizionin e gjerë të Çamërisë në të
gjithë ekzistencën mijravjeçare të saj. Në këto këngë janë regjistruar si në
një sizmiograf të ndjeshëm që nga
tërmetet e mëdha, siç janë vithisjet e perandorive, e gjer tek dridhjet e
jelekëve të vajzave të shkaktuara nga vështrimet e djemve. Duke ndjerë në to
temperamentin dhe konstitucionin shpirtëror të popullsisë çame, pozitën
nevralgjike dhe hobetë e kohërave që u vërvitën parreshtur mbi fatin e saj, nuk
do të duket aspak i habitshëm gjithë ky vitalitet dhe kjo begati poetike. Në
thelb, tërë struktura e poezisë çame është e pandashme me poezinë popullore në
përgjithësi, kurse në vaçanti ajo ka marrëdhënie e pleksje me këngën labe.
Plasticitetit të prerë e të fuqishëm lab, që edhe kënga çame e ka në thelb, ajo
i jep fytyrën e vet e tone më të buta e më lirike, siç është vet realiteti i
Çamërisë. Afërsia gjeografike, dendësia e komunikimit në të kaluarën e kanë
kushtëzuar këtë ngjashmëri. rapsodi lab dhe ai çam, kur kanë kënduar për të
njëjtët heronj dhe për të njëjtat ngjarje, duket sikur planin botëkuptimor janë
marrë vesh me njeri tjetrin për qëndrimet dhe vlerësimet që kanë bërë. Kjo flet
për atë ndjeshmëri të lartë dhe kthjelltësi para çdo situate, sado e ngatërruar
qoftë.
Kënga çame duket se e nxjerr tërë
dufin që ka njeriu brenda. Ajo nuk mban rezerva për hir të ndonjë etikete apo
kanuni të vjershërimit. I vetmi kanun për të është që të mos i ndahet të
vërtetës. Ajo shënon vetëm ato hollësi që i duhen përjetësisë. Sensi i kursimit
në vargje nuk e cënon tërësinë e ngjarjes dhe të fenomenit që ka marrë përsipër
të na rrëfejë. Dhe rrëfimi është sa i shtruar
aq dhe energjik, sa i besueshëm, aq dhe realist. Kalimi nga elementet
realiste në ato legjendare bëhet me një lehtësi të çuditshme. Lul Çapari është
person historik, që ka jetuar, por njëkohësisht ai mbështillet shpesh me një
mjegull legjendarizmi. Kjo nuk ia humb vërtetësinë figurës por plazmon në të
gjithë përfytyrimin që ka populli për jetën e kaçakëve të mbushur me të
papritura:
Lul Agai
ja hipi atit,
çajti
malet e Morfatit,
Lul Agai
ja hipi divit,
çajti
malet e Marglliçit.
ose:
Lul Agai
hipën shkallatë,
xhelati
trohis pallatë.
Në këto këngë rrëfimi poetik kalon pa u ndjerë nga tonet epike në ato
lirike dhe anasjelltas:
Foli një
zë kaha malit.
Të ikij
Lul Çapari,
Luli
mori një të rëpjetë,
ju mbush
sharkëza me vesë.
Aftësia për të hedhur tablo
përgjithësuese nuk i ka munguar kurrë folklorit. Kënga çame, duke anuar nga një
sens më lirik, i ka më për zemër këto tablo të mbushura me elemente të natyrës
dhe të jetës fshatarake. Natyra mendojmë se ka gjetur vend në këngët çame dhe
ajo ka shtuar sensibilitetin dhe e ka bërë më të afërt. Ajo është një sfond që
paralajmëron, është atmosferë, si tek vargjet e mëposhtme:
Ne
ulliri në sohor,
frin një
erë e bin një borë,
shkon
një trim vetullahollë,
me
martinizën në dorë
Kjo dhe shumë të tjera të kujtojnë këngët popullore arbëreshe dhe është e
kuptueshme se, nga brigjet çame, kanë ikur masa të tëra arbëreshësh për në
Itali. Forca përgjithësuese e tablosë nuk mbështetet në elemente të mëdha në
vetvete, përkundrazi, detajet më të zakonshme, nëpërmjet një shkallëzimi
poetik, arrjnë të japin në më pak se dhjetë vargje atë që do të duheshin faqe
të tëra. Ja një shembull:
Kur dola
në Mal të Zi,
klaj,
moj, klaj për Çamëri,
pashë gratë
nën ulli,
pashë
nuset pa stoli,
burrat
shkuan eksori ( internim) .
Kafshët
mbenë pa bari,
lehte
qëni në shtëpi,
bukë nuk
i hidh njeri.
E thënë me një frymë, e vizatuar me një përpikmëri të habitshme, ajo ka brenda
edhe shkretimin, edhe gjëmën, edhe dhimbjen gjer në një lloj shurdhimi të
jetës. Por pas gjithë këtyre vjnë dy vargje:
gratë me
dhën e me dhi,
gratë
venë në mulli”.
Pra, nuk ka marrë fund çdo gjë, jeta vazhdon në sajë të stoicizmit të
gruas.
Lirika çame është e ndezur, me një
imagjinatë dhe forcë abstraguese të madhe, që të krijon gjendje emocionale dhe
situata shpirtërore të vërteta. Vajza për rapsodin e kësaj treve është
“Nerënxë”, “ Thëllënxë”, është “ Thellukë (lundër) e bukurisë”, “Trëndafil në
bokërrimë”. Ajo nuk ta bën të lehtë fitoren që do të arrish, ajo është “ xhinde”,
është
Ngjala
që llomis në det,
ta zësh
me dorë të shket
Le pastaj po t’i vardiset ndonjë i moshuar, si do ta qesëndisë:
more
plaku faqezi,
mor të
zëntë gjarpëri,
u s’kam
mbeturë për ti,
se jam
vajzë farfuri.
Kur bie vet brënda ndjenjës së bukur të dashurisë, asaj i “digjet jeleku”
nga “ zjarret e gjirit”. Ajo është besnike, tërë finesë, ajo duket sikur ta
fshinë shtëpinë me një dorë trëndelinë”, kaq bukur është të jetosh me të. Djali
vizatohet me temperament, i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për të vluarën e tij.
Ai i dorëzohet tërësisht ndjenjës. Kaq e fortë është kjo sa që në ndonjë këngë duket
sikur sundon përçatja e tij, alogjizmi po në të vërtetë është ndjenja e
fuqishme që depërton në shtresa të tilla të fantazisë, që e afron atë me
ëndrrën:
Këndova sa u ça
shkëmbi,
ndjeu e bukura e u drodh vendi.
Ndjeu e bukura përbrenda,
hapi penxheret e ergjënda.
Fluturova e hira brënda.
më vu bukë e djathë e hëngra.
Më shtroi stromën, rashë e fjeta,
kur u ngreç ati s’e gjeta.
Dhe më poshtë:
Zura udhën e
stratoit,
poqa
Lejmonin në udhë,
- O lejmon,
a i zi lejmon,
mo më pe të
bukurën?
Këtu drejt
më shkoi prëmë,
ku ta dija
ta kesh zënë.
Kollauz t’u kesh
bënë,
në dorë ta
kesh dhënë.
Vizioni poetik është i befasishëm
të shumë krijime. Kënga “Abedin Madanë e vranë” nis me një uverturë:
Gjem’i
zi e kali i bardhë,
hingëllit
nëpër pazarë,
kërkon
Abedin Madanë
Kjo tablo, me ankthin e rrufeshëm
që të përpin, nuk të shqitet nga kujtesa, ashtu si skenat shekspiriane. Intuita
gjeniale e popullit i ka brenda vetes tërë ligjësitë e artit për të na dhënë
pasazhe të tilla të papërsëritshme. Ja dy vargje energjike që paralajmërojnë
dramë, me të cilat fillon një këngë tjetër :
Ditën që
zuri bora,
mora
shallin edhe dolla.
Aftësia e popullit për ta koncentruar esencën e motivit në dy a tre vargje,
bën që ato grumbullojnë në vetvete energji të mëdha poetike ashtu si bërthama e
një atomi. Një motre i vrasin të vëllanë për hiçgjë dhe ajo ngjesh armët, merr
hakun dhe i drejtohet të vdekurit:
...po të
bij shok me vëllanë,
tok ta
pini duhanë!
Energjia këtu gjeneron nëpërmjet nëntekstit si një reaksion zinxhir. Ja dhe
dy vargje të tjera:
Na dhanë
rrobat e ngushta,
jemi
djem na zë angusa.
Këtu nuk është vetëm shqetësimi për rrobat e ngushta të nizamëve por për
njëmijë halle që burojnë prej kësaj, për personalitetin dhe lirinë e humbur,
për rregullat e rënda të jetës ushtarake osmane. Kjo angusë, kjo zënie fryme
është pastaj për tërë atdheun, djemtë e të cilit i çonin “ Në Jemen si qetë”.
Në asnjë këngë nuk mund të gjesh
qoftë edhe një mjet poetik që të vihet si stoli apo qëllim më vete. Vjershëtori
anonim nuk kërkon t’i imponohet kujt. Tek kjo përmbledhje nuk gjen as
formulimet e standartizuara të bukurisë në femrën në përgjithësi që gjetkë e
has. Kur thotë për vajzën se është vetullnakatosur, këngëtari vizaton më shumë
gjendjen e saj të trazuar. Epitetet buzëlule, ballëdiell, ballësulote,
armëpishë, e shumë të tjera, para se të shprehin kategorinë e së bukurës,
shprehin një veti, një anë të karakterit. Pasuria e leksikut çam me fjalët e
rralla e plot tingëllim ndihet në të gjitha këngët. Le të shënojmë këtu disa
fjalëformime me ngjyrim poetik si leshbozhure, dhëmbëqelqe, lumare, vajrëkimë,
dhënëbukëpakëza (njerka), dhënëbukëshumëza (nëna), parahënë, rrungalë,
mespurtekergjenda, bythpuloshi (gishti i vogël, thikënëngunëza (e pabesa) etj.
Apo nuanca kuptimore si buka e lumit, që nënkupton grykëderdhjen me llum të
tij. Ndoshta më shumë se për çdo fushë tjetër populli e ka ngritur furrën e
fjalëve të reja për të ushqyer poezinë e tij.
Nuk mund të mos përmend këtu disa thërmia të papërsëritëshme të këtij
folklori, për të dhënë sadopak diçka nga madhështia e tij:
Ç’u mplaksh
e këmba më mbet,
djalërinë
kush ma jep?
Ta blej një
milë e dyzetë,
dhe vetëm
për një sebep,
për Mirushen
që s’më flet
po shkon si
pampor në det.
***
Këta ujt’e rrëzave
si misht e thëllëzave,
këta ujt’e maleve,
si djathët e staneve,
gjumë i ëmbël i Pargës,
portokallja e Nartës.
***
U dolla,
dielli leu,
dolli
nepërka nga dheu.
Besëqenia më
gënjeu.
Gënje moj
qëne, gënje,
në të zënça
me hile
në vathë të
bletëve...
***
shkon
furtuna ndënë koshtë,
me qelq
farfuri në dorë
e potis
vasilikonë.
Shkon
furtuna dikue klarë,
çish kërkon?
Kërkon beharë,
kërkon
prill, e kërkon majë
djalënë për
veten e saj.
***
Kur të bën
pruf-pruf fustani,
si në det
kur shkon tufani;
kur të bën
pruf-pruf shamia,
si në det
kur shkon gjemia.
***
Sulltani
hordhitë i pruri,
digju ti,
Janinë nuri!
***
Këto kusuret
tona,
s’kanë të
sosur akoma,
lëshojnë
gjethe të njoma.
Shkoni, moj
të liga, shkoni,
shkoni mbi
mua, kaptoni,
se jam i
mësuar, i gjori.
***
Ne ulliri në
sohor,
frin një erë
e bin një borë,
shkon një
trim vetullahollë
me
martinëzën në dorë.
***
Fati im i
gremisur,
vallë ç’ditë
është nisur.
A mos e ka
zënë gjumi,
apo e ka
marrë lumi;
a mos e ka
zënë ledhi,
a vallë mos
i dhëmb mezi.
...Qysh i vogël kam bredhur në lëndinat e këngëve çame. Mblidhja farat e
fjalëve të rralla, toponimet, vargjet brilante që i ruaja si petalet e luleve,
dengje lirikash të shkurtëra me të cilat mbushja blloqet, fjalët e urta. Këto
ishin arkivi im i parë sëbashku më këngët popullore arbëreshe që i ktheja me durim
në shqipen e sotme dhe habitesha se sa ngjanin me ato të krahinës sime. Pastaj
u fut brënda meje De Rada dhe Mitrush Kuteli. me hambarin e pashoq të leksikut të tij, me të
cilin krijoja fjalorin tim. Dhe çuditërisht, gjithmonë, kënga popullore çame,
ajo arbëreshe, poezia e De Radës dhe shqipja e përkryer e Kutelit, përziheshin
për të mbrujtur kulaçin e vërtetë të poetikës që ëndërroja të kisha.
Shkruar 1986. Hyn në shtyp në revistën “Nëntori” dhe
hequr nga shtypi me porosi të KQ të PPSH.
No comments:
Post a Comment