Në ndalesën e kohës
Në stacionin e radhës jam ulur diku,
pres minutat, sekondat të shkojnë,
vështrimin kam hedhur kuturu,
shoh njerëz të gatshëm të udhëtojnë.
Këtë vend më parë ndoshta e njihja,
por sot më duket aq i panjohur,
i largët nga zemra që tani venitet
gërmat s'i lidh dot me emra të zgjedhur.
Kam ndalur të pushoj në një qoshe të qetë
i lodhur kokën kam varur poshtë,
mënjanë njëri sy shtanget papritur,
shfaqen imazhe nga e ftohta botë.
Ëndrrat sfidojnë njëra-tjetrën,
treten në trillet që kalojnë vazhdimisht
bëj zgjime të shpeshta, kthjellohem ndërkohë
e frymë nis të marr lirisht.
Thellë në shpirt një zë më thërret,
askush nuk e dëgjon në skajet e jashtme
ngrihem në këmbë si pa bërë bisht
e çmpihem nga mendimet e mëparshme.
Të dua, Sarandë!
Mbledhur dikur perënditë
në republikën e pulëbardhave,
derdhën gjithë fantazitë
me bukurinë e përrallave.
Në gjirin e shenjtë e të bekuar
zgjodhën këtë vend përrallor,
vendin e dyzetë shenjtorëve
ku çdokush bëhet shenjtor.
Onhezmi i Deas
me sinagoga, bazilika
nga qendra e botës udhëtoi
këtu e ndali krejt mikpritja.
Këtu ka lindur historia,
perënditë në duele mistike,
bashkë me ëndrrat e mia,
vazhdojnë sot e kësaj dite.
Fluturova mbi detin Jon
për të ruajtur krenarinë,
këtu është qendra e kësaj bote,
në mes të dheut e kam shtëpinë.
Këtu bashkohet toka me qiellin,
mali me fushën, burimet me lumenjtë,
lumenjtë me detet, detet me liqenet,
Butrinti i lashtë me Lëkurësin e shenjtë.
Stërgjyshërit, stërnipërit
të gjithë këtu takohen,
lënë gjurmë të gdhendura në gur,
mbi shkëmbinjtë që shkumëzohen.
Ti m'i lan problemet, hallet
e një dite të lodhshme sido,
me zhurmën e dallgëve melankolike,
përmes valëve më thua se më do.
Zhurma e ëmbël e një deti krenar
që nga koha e Ilirëve e deri më sot,
me ngjason me heronjtë legjendarë
që këtë tokë e kanë larë me lot.
Ndaj, jo më kot ndihem krenar
në republikën e pulëbardhave,
sirenat më mësuan të jem marinar,
të bëhem mik i zanave.
Jetoj në gurin më të bukur
të kurorës së nënës Shqipëri,
është qyteti që më mbushi
me frymë poetike e dashuri.
Në një copëz të vogël të Ballkanit
sa të ushqesh njerëz të bukur e të drejtë,
bekuar do të jesh në rrjedhë të njerëzimit,
Onhezmi përherë e bukur do të jesh.
Ti bën dhe të dashuruarit më të ndrojtur,
të shpërthejnë në bukurinë tënde, Sarandë,
je mitra e njerëzimit, e bukura e dheut,
Saranda e bukovileve, të dua pamasë!
Të dua Saranda ime,
të dua sa herë emrin ta shqiptoj,
me asnjë qytet në botë
Sarandë e shtrenjtë s'të ndërroj.
Pranë Jonit
Ngjan me parajsën kjo pamje anës Jonit,
me parajsën e ëndrrave të mija hyjnore,
çdo gjë e bukur më lart se natyra,
ku vetë ajo duket madhështore.
Legjendat kaluan vargje të lira,
Ilirët s'u mposhtën nga asnjë zot,
të gjitha perënditë e parajsës,
derdhën këtu verën më të fortë.
Rendën Jonianët të gostisnin veten,
me verën e shenjtë kaluan në parajsë,
u lanë në detin e bekuar Jonian,
gëzonin ëngjëjt e Jonit pa masë.
Rendën Jonianët, renda dhe unë,
me vrapin e demit në maraton,
të hidhem nga shkëmbinjt e thepisur nga koha,
në gjirin e thellë të detit Jon.
Pranë bregut të parajsës,
dyzetë shenjtorë më rrethuan me gota,
bënë gëzuar me verën e vjetër,
thanë njëzëri, këtu lindi bota.
A mundesha vallë të mos e besoja,
në këtë tokë ku e para lindi besa,
të gjitha lindën dhe perënduan,
por në mendjen time mbeti kujtesa.
Mirësevini në vendin e perëndive mitike!
Pafund yjet natën festojnë,
ylli i afërditës agimit vezullon,
erërat e jugut, jonin valëzojnë.
No comments:
Post a Comment