Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday 12 October 2014

Një histori piluriote…



Një histori piluriote…


Nga Timo Mërkuri
Askush në fshat nuk e mori vesh, si erdhi e nga erdhi, ai njeri. Se, fshati ynë, është një fshat malor, ku  dimri  përton të largohet dhe pranvera mezi vjen, për të ikur përsëri me vrap, e ndjekur nga dimri. Dy stinë njeh fshati ynë, pranverën, nja dy-tri muaj dhe kusuri është dimër. Ndaj, nëpër  shekuj  e mote  s’kishte fare të ardhur në fshat. Vizitorë kishte me shumicë, sidomos në kohën e vjeljes së rrushit, por dhe këta vizitorë qenë nipër e stërnipër, mbesa e stërmbesa  të fshatarëve  të shpërngulur nëpër mote. Prandaj u habitën fshatarët me këtë jabanxhi të porsa ardhur.
Fshatarëve u erdhi keq për të, si një njeri pa jatak e katandi, ndaj  i dhanë dorën. Por ata u bënë kureshtarë me të, kur ai u prezantua si një njeri i ditur, që kishte shkruar mbi 15 libra (por nga hallet që e kishin zënë kish botuar vetëm tri), që kish shkruar mbi 875 shkrime e  faqe nëpër gazetat e dynjasë, e që kish marë për to gjithë ato dekorata e lëvdime, mbi të cilat shquhej ajo e kryepleqësisë së fshatit Shelegar, e stolisur anash me  varak të bardhë e me një patok të zografisur në mes të saj.
            Ai vazhdoi të flasë për veten e tij dhe nga të folurit e shumtë fshatarët filluan të dyshonin se
ky delenxhi, do ishte ndonjë zullumqar, i ndjekur nga fshati i tij për ndonjë zullum. E dëgjuan me vëmëndje kur nisi të thoshte se  ai…medemek…. kish lëçitur gjithë  librat e dynjasë, e kishte “kallur” brenda vetes diturinë e tyre, dhe bëhej gati që me atë dituri të përmbyste botën. Tëpkë si  në kohën e Noes, zoti i madh, që i paçim uratën.
Por për këtë nuk u trembën shumë fshatarët sepse, dihet që Piluri është fshat në majë të malit dhe që të mbërinte deri aty përmbytja, do ishin mbytur e shuar gjithë dynjaja. E po ndërkohë, ata, fshatarët pra, o do hipnin në majë të gorricave, o do ndërtonin varka e do lundronin nëpër këtë det përmbytës dijesh.
Por një  zgjidhje i duhej dhënë të porsaardhurit, o ta ndiqnin nga kish ardhur, o ta mbanin e ta ngarkonin me  punën më të keqe, me atë punë që s’donte ta bënte asnjë në fshat. Po cila qe kjo punë xhanëm, ky qe marifeti. Ishin duke e ndjekur fare, se u lodhën duke menduar për të dhe humbën kohën e çmuar të lojës së dominosë, kur Simos i ra ndërmënd dhe u tha fshatarëve që, ta caktonin të porsaardhurin …kryetar të mbajtjes së defterëve të fshatit.
Dihet  botërisht që, piluriotët mund të ulen në klub e të  lozin letra tërë ditën, me apo pa para, të ulen në për ziafete e të mbarojnë së ngrëni një kope të tërë, e së piri gjithë vreshtin. Por për të shkruar ama, vuru pushkën në lulkë të ballit e një kartë nuk e shkruanin...
Po ja që fshati mblidhej shpesh për të qarë hallet, për të matur tokat, për të numëruar fiqtë e goricat, për debatet me Himarën e me Kuçin, për… Për shumë gjëra mblidhej fshati, por për të shkruar, asnjë s’donte të shkruante. E kam llafin, të shkruante për llogari të fshatit, se për llogarinë e tij çdo piluriot shkruante si ja donte mideja dhe mbushte rafte në shtëpi me fletore këngësh e bëmash.
Kështu ndodhi që fshati vendosi ti japë një …titull … kryetar… këtij jabanxhiu, që akoma s’ja dinte as emrin. Dhe ai nuk përtoi ta bëntë punën. Shkruante fletëthirjet për në mbledhje, procesverbalet e mbledhjeve, pajtimet e gjaqeve, darovat,  ftesat për në dasma e fejesa. Djemve të rinj u shkruante letra dashurie për vajzat dhe vajzave u shkruante për djemtë, përgjigjet për letrat e tyre. Në fakt, asnjë nuk e dinte, që të tëra  letrat e defterët  i shkruante në dy kopje, një nga të cilat e mbante për vehte. Dhe, ashtu si shkarazi, u përmëndtte citate  nga letrat, sidomos vajzave dhe djemve të rinj, që skuqeshin nga ndrojtja.
S’dihej si do kishte vajtur puna, sikur sebepi i një sheri të mos vinte po nga Simua. Simua bëri një festë familjare, por nuk e ftoi jabanxhiun. A s’deshi, apo haroi nuk u muar vesh. Po, ja që të dielën në mëngjez, te rrapi i fshatit, ku Simua qeshte e bënte hoka dhe si zakonisht lozte dominonë e tij të famshme me priftin, na afrohet serbes-serbes edhe miku jabanxhi. A kishte pirë ky miku ndonjë shishe raki dëllinje, apo i dukej vetja  si një gjeneral, që kishte kalëruar, drejtuar e fituar beteja në Vaterlo e më tej, për gati 12 vjet, që kishte bërë 6 parada fitoresh, që nga Shelegari e deri në Vrion e Metoq, apo si, kjo s’u muar vesh. Por, u dëgjua qartë e shkoqur fjala e tij, kur iu drejtua Simos: -Dëgjomë këtu, o i tërëditur, alegro dhe élan! Unë jam kryetari i mbajtjes së defterëve të fshatit. Domethënë, më i pari i fshatit. Kësisoj dhe në shtëpinë tënde më takonte vendi i nderit në atë drekë! Po ti më harove mua! Të më shohësh se çdo të të bëj! Simua hapi sytë se s’po u besonte veshëve. Ky spurdhjak i bërtitka kështu! Prifti, që e nuhati kthesën që do mirte puna,  i doli përpara Simos, që u ngrit vrik në këmbë.
-Dale prift, dale….i tha Simua i zënë ngushtë nga ndërhyrja e tij. Ulu pak, ulu. Dhe pasi u ulën përsëri prifti dhe të tjerët, iu drejtua jabanxhiut…
-Dëgjo këtu ti, i vetëmtiiditur, po dëgjomë  mirë e po s’më kuptove, pyet të tjerët, se nuk do flas dy herë. Të vumë kryetar të mbajtjes së defterëve, për gomarodhula e jo për mënd. E di ti çdo të thotë “gomarodhula”? Do të thotë …punë gomari. Pra të kemi vënë aty si…gomar, e jo si kumandar. Dhe si gomar që të vumë, duhet të dish se: gomarin e  marin në dasëm për tu prurë ujë dhe jo për ta bërë dhëndër, apo për ta vënë  dollibash. More vesh, more …gomar. Tani, pirdhu nga fshati ynë, se do ta ndreqim vënçe samarin… Dhe duke iu drejtuar priftit, vazhdoi….Hajde tani uratë, hidhe zarin e luaj dominonë.

No comments:

Post a Comment