Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday 4 April 2013

BISEDË ME VETEN DHE ME TË TJERË



Bardhyl Maliqi


Pse jemi të tronditur? As vetë nuk e dimë.
zemra, diabeti, mërzia rraskapitëse
e kanë një shkak, një fillesë delikate,
që s’ka të bëjë me marritë e përditshme.

Jo! Në pamje të parë s’ka ndodhur asgjë.
rendje për në punë, fjalë, të voglat bezdisje…
po kohën gjymtojmë, prehjes i vëmë kurthe,
kur ndaj njeri-tjetrit ngremë male mërie.

Veprimet përçart na rëndojnë në shpirt,
dhe ngrenë para nesh ca pyetje tronditëse,
ky është tërmet njerëzor? Një shungullimë,
që pasohet nga zjarre, rrënime, përmbytje…

Pse si hëna vini herë e plotë, herë gjysmake,
Herë dukeni, herë zhdukeni, herë zbeheni sakaq?
Sjellja juaj e çuditshme është pasqyra jonë,
Apo një kapriço nervozizmi e rastit dhe kaq?!

Keni harruar krevatin, harroni dhe shtëpinë.
për ju diçka tjetër do të ketë rëndësi?
Derisa laheni mëngjesesh për të shkuar në punë,
të tjera joshje ju kthjellin, të tjera magji.

Oh! Goja s’na e nxë. Jo, nuk është e mundur!
Që deri këtu të arrijë xhelozia, tërbimi,
lakmia, urrejtja, brenga, tronditja,
meraku, mërzia, kthesa, harbimi!

Nëse ne jemi shkaku dhe ju thjesht pasoja
i meritojmë plotësisht të tilla shpërblime!
Por shpirti na dhëmb, na rrëqethet shtati,
përlotemi dhe vuajmë dhe presim… ndryshime.

Mos hijet e natës jua tronditin ndërgjegjen?
Mos shkëlqimet e rreme jua zgjojnë xhelozinë?
Mos miqtë dhe mikeshat jua nisin zekthat?
Mos kodoshët jua ndjellin epshin, lakminë?

Ah! Kemi frikë se ju jeni viktima, viktima të lirisë
së keqpërdorur, pa e ditur ç’do të thotë liri.
Liria është burgu i ndërgjegjes së molepsur,
që pastrimin s’e njeh, që virtytin e fshin.

Të qeverisësh lirinë është detyrë e vështirë,
s’e bën dot kushdo, as me shkollë të lartë.
po të qe ndryshe, kjo botë nënhënore,
s’do të kishte kaq llum, kaq pluhur dhe baltë!

Kemi mallkuar veten për ngathtësinë, mungesën
e kurajës për të shkelur ligjet me këmbë,
se vetëm thundra mamuthësh planeti
ka balsam shërues, jo ajër, flatra dhe pendë.

Kështu do të bëheshim bosë të lakmuar. Objekt
meritash, respekti, pushteti, adhurimi.
Se vila ka më shumë vlerë se njeriu
në kohë qensh; përderisa ky është shpërblimi.

Veç zogjtë e shpirtit fluturojnë në hapësira mendimi,
e pafundësisht rendin, vrapojnë në kaltërsi
dhe kur thelbi ynë ekzistencial është tronditur,
kjo mërgatë e zgjatur zogjsh është e vetmja qetësi.

Fajin na e kanë rraskapitjet sfilitëse, cigarja,
një xhiro në darkë, numrat e telefonit,
gota e rakisë, leximet, kompjuteri dhe arti,
apo kontrasti gjenetik, hudhra dhe fija e rigonit?

Kokët gjatoshe, të rrumbullakëta, me majë
qafat e shkurtra të jenë shkak shëmtimi,
ky vallë të jetë mëkati, merita dhe motivi
pse mbi kambanarë krroket si korb zezimi?

Jo! Nuk është fëmija fajtor pse lind jo normal,
as merita nuk ka për paraqitjen fizike,
e vetmja meritë, normë, respekt e moral,
është aftësia për sfida dhe vetitë përtëritëse.

Pasaportë e vërtetë e njeriut nuk është
një kartë me bojë e firmë nga gjendja civile,
por fytyra e virtytit dhe vesit në rrugë,
në punët njerëzore, shoqëri e familje…

Po derisa të kthjellohen ujërat, mbi njeriun,
do ’ shkojë ruspë e kohës, do t’mbijë bar i harrimit.
veç dy engjëjve ruajtës për një çast do t’ju lutemi,
ta kuptojnë se në baltë, s’humb vlerë e floririt.

Ta duan njëri-tjetrin se në këtë planet të çmendur,
ku ne jemi viktima të urrejtjes e si zogj shtegtarë,
na detyron era dhe ngrica të mërgojmë nga jeta
dhe kur rrojmë të tymojmë si oxhakë vetmitarë…

Bij, t’i doni nënat! Nënë s’të bëhet kushdo,
as krizantemat tej kodrës, atje, në Limjon;
por Etrit janë si lisat e moçëm. Edhe hija e tyre,
dhe trungu një ditë do t’ju duhet. Intuita s’gabon!

Ato hije do t’jua heqin zhegun e vapën,
ata trungje do t’ju bëhen prush për acar,
se Baballarët janë lisat dhe oxhakët e moçëm,
që mërzinë tymojnë, po shpirtin e bëjnë zjarr…

No comments:

Post a Comment