Shtëpia botuese "Milosao" vuri në
qarkullim librin "Demokratia”- shkollë e gazetarisë shqiptare -
si një
tipologji e teksteve publicistiko letrare, shkruar nga poeti, publicisti dhe
studiuesi Odise Kote. Ky
libër me 236 faqe, merr në analizë gazetën “Demokratia” të Gjirokastrës, që për 14 vjet, deri në
vitet 40, luajti një rol të jashtëzakonshëm emancipues në shtypin shqiptar të
kohës. Studimin e paraprin një hyrje gjithë pathos e atutorit të titulluar “Në
vend të një esseje..” si për të justifikuar seriozitetin dhe pasionin e veçantë
me të cilin Odisea e ndërmarrë këtë inisiativë.
Në vend të një Esseje...
ODISE KOTE
Viti i ri 2013 është në të ardhur e sipër, e në vend të sipërfaqes së
bardhë të borës, në faqen e pjerrët të malit të Gjerë fryn një erë e thëllimtë.
Qielli është tmerrësisht i kthjellët, i
tejdukshëm sa të ngjan se do të bëjë krak-krak. Do të thyhet. Si një qelq.
Por kjo
në fakt nuk ndodh asnjëherë e pikërisht sepse tejdukshmëria e akullt të jep mundësinë
të depërtosh deri në detaje, tek ndjesitë e përfytyrimeve mbi ngrehinat,
kalldrëmet e ngrira, pullazet që varen, sprethët që i lëkundin bishtatundsat e,
aty – këtu dhe ca oxhakë që nxjerin tym si cibuqe të kohëve qëmoti.
Nga përbrenda qytetit, i zënë si në panik, një
gazetashitës plak ngjit në gulc të
përpjetën e lagjes Varosh, me një tufë gazeta
ndënë sqetull. Ndonëse në kohë të vështirë për shtypin e shkruar,
gazetashitësi, që sepse ngjan me Sizifin, më kujton dhe lajmëtarin e mocëm që
belbëzonte :
-Çfarëdo që të bëni, nuk mund ta ndalni lindjen e ardhshme…
Merret me mend se në fund të këtij
kumti, sic ndodh shpesh pas një rikthimi, tundimi vjen nga dritaret e kohëve të
shkuara, nga Gjirokastra e viteve ’20 – ’30.
Gazetashitësi plak ka një jetë që ndan gazeta dhe e di mirë se lajmi i
gazetës, më shumë se buka në sofër,
është fuqi, është dritë, është ndricim, epërsi dhe avantazh. Gjirokastra nuk
jeton dot as edhe një sekondë pa
informacion mbi veten, ngjarjet,
luftrat, murtajat, krizat, botën.
“Ah...ato qenë ca kohë...“pëshpërit pandjeshëm ai, e përpiqet të gdhendë në
portret gjithë dimensionion e kënaqësisë, duke u rrekur të nxjerrë nga memoria,
gëlimin e qytetit gati një shekull më parë.
Sytë e gazetashitësit e zmadhojnë ekranin e kujtesës dhe brenda tyre
shquhet Gjirokastra e viteve të para, pas shpalljes së pavarësisë më 1912.
Gjirokastra e etur për informacion, dije, arsimim, kulturë. Me këtë orientim,
Gjirokastra kishte shpëtuar nga zgjedhjet e këqija, të paralajmëruara, qoftë në
pikëpamje të shijes së ulët, në dukje e padëmshme, qoftë në pikëpamje të
nevojës së nëmur për të vrarë kulturën e tjetrit. Kjo zgjedhje ishte ekzistenciale, pasi qyteti nuk pranoi të
mbetej bisht i askujt. Gjirokastritët e harxhuan edhe atë fuqi të paktë që kishin
për të ekzistuar.
I vendosur t’iu ikë rrezikimeve, prej dekadash vetëreflektimi, qyteti ishte
përpirë nga ethet e zjarrta të zejes së arsimit dhe shkrimëtarisë. Ashtu si
Shkodra cmendej prej jareve, Korca prej serenatave, Gjirokastra ishte dashuruar
me shkronjat. E dehur prej pasionit, qyteti
kishte punë vetëm me magjinë e arsimimit dhe të të menduarit. Sepse në
Gjirokastër, më tepër se askund tjetër, procesi i të menduarit është esencial,
tipologjik, kreativ dhe pjesë e ekzistencës për cdo banor. E kundërta e saj,
mungesa e procesit të të menduarit është parë gjithmonë si dicka e panatyrshme,
e pamundur, anormale. Në Gjirokastër ende besojnë, se jo vetëm njeriu, por cdo
skutë e ka një shpirt, e ka një kujtesë. Sepse qyteti ende jeton me legjenda e
mite. E kundërta, mungesa e tyre, do të thotë se qyteti po prishet, po zhduket.
Nga zeja e arsimit dhe e shkrimëtarisë Gjirokastra voli aksimumin dhe
pasardhësve ua tregoi udhën; se fjala e dituria janë ato që bëjnë çudira në
këtë botë. Përkushtimi i njëmendtë ndaj tyre e ngriti atë në individualitetin e
kërkuar.
Arsimin e kultivonin Grigor Gjirokastriti, përkthyesi i parë në shqip i
Dhjatës së re, që më 1824, Apostol Meksi e Kostandin Kristoforidhi, studiuesit
e bashkëshoqëruesit e albanologut gjerman Johan Hann me “Studimet
albanologjike” dhe mbledhjen e pasurisë folklorike, burimore e zakonore
shqiptare, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Urani Rumbo, Thoma Papapano, Mihal
Grameno, Bajo Topulli, Avni Rustemi, Javer Rushiti, Petro Poga, Sokrat Kutra me
shokë.
Shkrimtarinë e lëvronin Vangjel Koca, Branko Merxhani, Jorgji Meksi, Et’hem
Haxhiademi, Safet Butka, Javer Rushiti, Nebil Cika, Petro Marko, Avni Rustemi,
Sterjo Spasse, Ismet Toto, Lumo Skëndo, Tajar Zavalani, Veli e Ramiz Harxhi,
Eqerem Cabej, Musine Kokalari.
Në një qytet si Gjirokastra e viteve ’20 – ’30 nisën të botohen pesë gazeta
në shqip. Më 27 mars 1920 del numri i parë i gazetës
“Drita”, me botues Veli Hashorvën, deri më 1924. Në vitin 1923 del në
Gjirokastër gazeta “Zëri i Gjirokastrës” me drejtor z.Petro Harito. Po në vitin
1923 del në Gjirokastër gazeta “Bisedë e lirë” me drejtor z.Petro Harito. Në
vitin 1925 del Gazeta Labëria me drejtor Xhevat Kallajxhiun e po atë vit edhe
Gazeta “Demokra-tia” me drejtor Xhevat Kallajxhiun. Ndërkohë botohej edhe një
gazetë në gjuhën greke e minoritarëve grekë.
Avokatinë e jurisprudencën e lëvronin një grup i gjerë avokatësh e
gjyqtarësh të shkolluar sa në Stamboll, Kajro, Vjenë, Paris, Bukuresht e Romë.
Grupi i juristëve të Gjirokastrës harton në vitin 1920 edhe ligjet kryesore të
Avokatisë së Shtetit, duke zgjedhur edhe ministër, Petro Pogën. Në kafenetë e
Gjirokastrës, e sidomos në klubin e gjuetarëve kishte seksion të vecantë që
quhej :Kuvendi i ligjeve.
Ish-juristë të perandorisë otomane të ngelur në Gjirokastër (në atë kohë
Gjirokastra kishte një numër mjaft të madh të të arsimuarve për jurisprudencë),
juristë të ardhur nga emigrimi e të shkolluar në perëndim, avokatë e gjyqtarë,
përmbarues e ushtarakë diskutonin me
pasione doktrinare ndërthurjen e ligjeve të shtetit me të rejat e shkencës
juridike, zbatimin e tyre në shtetin e ri.
Klinikat kirurgjikale të Gjirokastrës kishin doktorët e famshëm Laboviti, Flloko e Kalivopulli,
farmacitë kishin doktorët Kapallopu-lli, Koci e Angjeli të shkolluar në
Gjermani, Austri e Greqi. Anamnezat e sëmundjeve “shtegëtonin” sa nga Gjirokastra në Janinë, Igumenicë,
Tiranë, Bari, Romë, Grac të Austrisë e nëpër Europë.
Sistemi bankar në Gjirokastrën e viteve ’20 – ’30 mori hovin e lules
përballë diellit. Banka italiane, greke, filiale të degës së Hamburgut, të
Mancesterit, agjensi tregëtare e turistike që e conin udhëtarin e kohës nga
Gjirokastra në Sarandë, pastaj deri në Itali, Angli, Spanjë, SHBA-në e
Australinë e largët. Dy herë në javë, zonjat e zotërinjtë e Gjirokastrës,
preferonin transportin ajror që i lëvizte në itinerarin: aeroporti i qytetit
drejt kryeqytetit, Tiranë.
Djemtë e vajzat më të mencura, Gjirokastra i dërgoi të shkolloheshin në
Europë, si një shenjë e sigurtë e emancipimit dhe e orientimit perëndimor. E.
Cabej, O.Nishani, M.Kokalari, B.Omari, R.Xheneti, R.Malile, B.Spahiu e dhjetëra
të tjerë studiuan në universitetet më të mira të Romës, Vjenës, Parisit e
Berlinit.
Ishte kjo arsyeja që në ato vite, Liceu francez i Gjirokastrës, vendoste në
skenë pjesë të simbolistëve e të teatrit absurd. Shpikësi aventurier Dino Cico
tentonte të ndërtonte e të lëshonte
aroplanin e tij në fluturim. Idriz Guri, drugdhendësi epitaforistik,
njësoj si Sokrati i lashtësisë, fliste
me gjuhën e kodeve e sentencave, ndërsa
poeti i verbër Vehip Qorri lëshonte kumte e mesazhe me bastunin e tij,
duke zbritur nga Sokaku i të marrëve. Ndërkaq, si një përmbysje në zgrip, qe përhapur fjala se
përfund qytetit (por, se ku, nuk e thoshte askush) qe celur e para shtëpi
publike. Shtëpi e të lëshuarave, si
e quanin banorët e pjesës së epërme të
qytetit. Bicim shtëpi kurvash.
Për një ngatërresë në murin e kopshtijes, apo një fjalë e thënë ashtu
shkujdesur, qenë grindur e therrur njerëzit dikur, kishin plasur hasmëritë e
qejfmbetjet, qe prishur përjetë gjitonia.
Ndryshe ishte puna me gratë, me gratë e shtëpisë së të lëshuarave.
Asnjëherë nuk u mor vesh nëse Ato, të Lëshuarat, ishin nga
qyteti apo të ardhura. Sa herë që dikush
përpiqej të mësonte dicka rreth kësaj “flame”, më shumë ngatërrohej e hynte në
qorrsokak. Në vend që të sqaronte dicka,
e mjegullonte më shumë. Ato ishin gjysmëhije e gjysmëfantazma. Fakte të thëna
turbullt e tinëz. Kinse. Kishte një rend
të fshehtë e të padeshifrueshëm moria e pafundme e pandehmave,
intrigave, fjalëve. Edhe sot e kësaj dite, kjo histori ka mbetur ende e
pasqaruar.
Befasisht, si për të sjellë pak
gëzim pas gati pesëqind vjet robërie osmane, në qytet u shfaqën festat publike;
festa e Flamurit, e Pavarësisë, festa e Shtetit të ri, por edhe të tjera “që vinin” nga Oksidenti,
festa e verës, festa e rakisë, festat fetare, Bajrami e Pashkët, Karnavalet,
festa e të dashuruarve, festa e të rinjve etj, etj. Bashkë me festat nisën edhe
gjestet e filantropike. Bujari e humanizëm. Dhurata për familjet e varfra.
Bursa të paguara për djem e vajza që studionin jashtë. Tregëtari i madh i verës
Gole Larua u conte nga një kanë me verë të gjithë qytetarëve shtëpi më shtëpi.
Avokati Avdyl Xheneti dha napolonat flori për të ndërtuar rrugën e Palortosë,
një grup patriotësh e tregëtarësh si Riza Sino, Kasem Bozgo,Halit Karagjozi,
Halit Bejko, Asim Mero,Xhafo Lani, Vehap Kokalari, Abedin Hasani, Refik Budo,
Spiro Karajani, Lame Fandi e Kico Koci e dhjetra të tjerë, dhanë napolona flori
për të ndërtuar shtatoren e Cerciz Topullit e për të restauruar Shkollën e Parë
Shqipe tek kodra e Rilindësave, të tjerë patriotë e qytetarë kontribuan për
ndërtimin e kullës së orës së Kalasë, etj.
Si një sinjal hyjnor, qytetit po i kthehej humori, qesëndia, analiza e
fenomeneve, parashikimi dhe vizioni i së ardhmes, cilësi që ishin tretur e bërë
thuajse hi në kohët e pushtimit otoman. Tashmë ato po gjallëroheshin vrullshëm
e këto ishin shenjat e sigurta të shëndetit mendor. Qyteti e ndjente se duhej ta
gëzonte Lirinë, përndryshe e priste
ndonjë humnerë e re. Në kafenetë e mejhanet plot lezete e kuvende burrash të fisëm, këndohej
hidh e prit, thumbohej e qeshej me të
madhe si në një betejë qytetërimi:
…Atje poshtë, atje lart/
te ura në Dunavat
ju kam thënë njëqind herë
/ndizini ata fenerë.
Njëqind herë na ke
thënë/pse t’i ndezim kur ka hënë,
Hënë e dritë ka kudo/pse
i ndezin në Palorto ?
Kjo psikikë qytetare, sillte parreshtur reagime, nxiste ide, kërkonte
dritën në fund të tunelit. Shoqëria e kohës bënte presion. Janë dy Dekrete të Famshëm, të denja për cdo
anuar perandorak, ato që inicoi shoqëria gjirokastrite e viteve ’20 – ‘ 30 e që
i miratoi pa mëdyshje kryebashkiaku sqimëtar Bajo Topulli: Dekreti i Zonjërisë, dekret që i këshillonte të gjithë burrat të
respektonin vajzat e gratë ashtu sic ato e meritonin dhe Dekreti i Kapellës Allafrënga, dekret ky që iu kërkonte burrave që,
kur shkonin në Pazar apo në Shëtitje e Sport, të mbanin kapellë allafrënga si
shenjë e orientimit perëndimor të shoqërisë gjiroka-strite. Dekrete të tilla,
kaq kalorsiake e me kaq finesë zor se mund të gjenden në historikun e qyteteve
më aristokrate të botës.
Por sa më shumë që përpiqesh të kuptosh
kohën e shkuar të viteve ’20 – ‘30, aq më e pakuptueshme bëhet ajo.
Kundërthëniet janë kaq të mëdha, si në një paradë të pafund
egosh. Nëse nuk përpiqesh të kuptosh kodet e fshehta, mund të klasifikohesh si
gabues i rradhës. Ajo që ndodhte në thellësi, në botën e pëshpërimave e
hetimeve të fshehta, shpesh ishte krejt e kundërta e asaj që shfaqej në
sipërfaqe.
I ndërtuar në një terren fantastik, si paraprirës i së çuditshmes, megjithatë, nga odatë
e epërme zonjat e rënda, pos thashethemeve për dashurickat e vockëla, zairetë e
dimrit, vështrimet vëngër të kunatave, apo dhe gjyqet e rreme, vijonin të
shihnin me tejqyrë udhën që shfaqej në horizont, madje edhe Aliqet, varrezat publike të
qytetit. Ato të gjitha e dinin se Shën Agustini ishte shprehur që jeta
nuk varej nga kohëzgjatja, por nga intensiteti i saj. Kundërshtueset e tyre, si
përherë, ia prisnin aty për aty, duke ia atribuar arabëve sentencën që vdekja
është një nga edukueset më të mëdha të njeriut.
Kësisoj të “vdekurit”
ishin pjesë po aq e rëndësishme sa dhe të gjallët. Në momentet e vetërrëfimit, kohë
pas kohe, qyteti zgjaste duart nga ajo që mendonte më shumë pas ditëve
hirnosëse, "botën e atjshme". Nuk shikonte në "botën e atjshme" thjesht
vdekjen, por pyeste vazhdimisht, a mos vallë, kjo frikë ndërton fole në të
pandërgjegjshmen duke konkurruar me mendjen, me ndërgjegjen, për të krijuar
personazhet e modelet e ardhshme ?
Dhe cila është sfida ? A e përballon dot ekuilibrin mes jetës e vdekjes ?
Qyteti zgjohej përherë
mes dilemave të mëdha.
Në një kuptim, Gjirokastra është dhe sot e kësaj dite në udhën e zgjidhjes
së dilemës. Ka bërë një zgjedhje, të jetë Kazani
që Përzien. Të gjithë janë brenda këtij Kazani që valon: kultura të
ndryshme, etnitete, bindje e besime të ndryshme, udhëtarë, muhaxhirë,
pelegrinë, asketë, besimtarë.
Si për drejtpeshim, përzierja ndodh
në pjesën e mjegullt, enigmatike të
saj. Në nënshtresën e hollë të kuptimit. Aty ku tronditjet nuk ishin të rralla.
Disa prej tyre, ato më misteriozet, kishin trajtën e arsyetimeve të përmbysura,
hutimeve, halicunacione-ve. Sepse martohej myslimani i Labërisë me një kaurkë
të Lunxhë-risë, bëhet vëllam gjirokastriti me dropullitin, djali i priftit
merrte nuse të bukurën e babait të Teqesë, hebreu Sollomon bëhej synet, evgjiti
Qani mbante kryqin në qafë, vajzat të krishtera e myslimane shkonin në të
njëjtën shkollë të Urani Rumbos, guzhinierët kaurë të Zagorisë gatuanin në
qebaptoret e xhamisë, e kështu me rradhë. Gjirokastra përzien e përzien e nxjer
në fund Gjirokastritë.
Ndonëse cilësimi Kazani që përzjen,
nuk e ka tërë fuqinë për ta spjeguar
krejt alkiminë e kryer, sërish ai pohon një pjesë të së vërtetës. Kjo ndodh
sepse në Gjirokastër thonë se fjalët e mëdha janë zbraztësi. Kërcasin si kripa
në prushe zjarri. Dëgjohen shpesh në ekonomi, në letërsi, në politikë dhe në
fjalorin e përditshmërisë. Është mirë të distancohesh syresh se shpesh ato
mbjellin fatkeqësi.
Më shumë se sa Kështjella, simbol i mitit të qëndresës (miti i malit, i
vertikalitetit), me zotërimet aristokratike të Bue Shpatës e Gjin Zenevishit,
me legjendën e Argjiros, me intrigat pushtuese e vëllavrasëse, e aquaduktin e
Ali Pashë Tepelenës, Gjirokastra është e shquar për Urat. Gjithcka e shfaqur ngjan se merr kuptim vec nga Urat. E ushqyer ethshëm me dashurinë
për Urat. Urat që lidhin dy brigje. Dy botë. Dy hapësira. Dy kultura. Dy
mendje. Dy njerëz. Të dashurën me të dashurin. Urat që lidhin jetën.
Urat në Dunavat, në Palorto, në Granicë, në Cfakë e Varosh, në Pazar të
vjetër, në Mecite, ura e Nanxës, e Zerzebilit, te portë e Pashait, etj, etj.
Askush më mirë se gjirokastritët nuk i njohin dhe nuk i kuptojnë vlerat e
urave. Si të jenë shkolluar të gjithë për teori komunikimi, për diplomaci,
politologji, oratori e gazetari. Urat që dje ishin akte dhe vepra krenarie për gjirokastritët, sot në botë
perceptohen si simbole të mendjeve të zhvilluara, të mendjeve të hapura.
Sado që s’duan ta pranojnë, në Gjirokastrën e viteve ’20 – ‘ 30, lëvizte e
gjithë kultura e qytetërimi ballkanik e europian i kohës. Qytetërim shqiptar,
grek, italian, hebraik, gjermanik, spanjoll, francez, arumun, turk, egjyptian,
etj. Qarkullimi i vlerave ishte i hatashëm. Si askund. Studentë që ktheheshin
nga Europa, tregëtarë që mbërrinin nga Ballkani e deri nga Hamburgu gjerman,
bankierë nga Napoli e Berna, hoxhallarë e myftinj nga Stambolli, mjekë nga
Athina e Roma, juristë nga Kajro e Berlini, gjuhëtarë nga Vjena e Roma,
studiues nga Moska, Bukureshti, Manastiri e Lajpcigu.
Vec në një pellg të vogël ngrehinash midis lagjeve Palorto e poshtme e
Varosh, si të ishte qëndra e OKB-së, qëndronin pranë e pranë, ministri i
jashtëm Rauf Fico i biri i Emirit të Jemenit, me të afërmit e Thanas Vajës,
krahut të djathtë të Ali Pashës, pranë Bahri Omarit jetonin doktorët e kirurgët
e famshëm Laboviti të shkolluar në Austri, pranë Kadarenjve jetonte Kakopinua,
pranë Xhaxhinjve jetonte një komunitet italian, pranë avokatëve të famshëm të
Xhenetëve jetonin disa minoritarë grekë, pranë tregëtarëve të mëdhenj hebrenj
jetonin ca vllehë, disa komisionerë gjermanë manifakturash nga Gjermania, pranë
motrave italiane rrinin nxënësit myslimanë të Medresesë, pranë kishës katolike
ishte xhamia, e pranë teqesë kisha
ortodokse. Në sheshet e vogla të lagjeve luanin me top llastiku, si fëmijët
shqiptarë ashtu dhe fëmijët evgjitë, grekë, italianë, hebrenj, arumunë etj.
Ky qytet nuk ishte vetëm
i vetvetes. E natyrshmja dhe e pana-tyrshmja ishin tek njëra
tjetra. Ishte shndërruar prej kohësh në qytet kozmopolit. Mendjehapur. Edhe
kur tentoi ndonjëherë t’i ikte kahjes së qytetërimit, aty dhe u rrëzua në
theqafje. Pësoi fraktura të thella.
Gjirokastra u bë shpejt qyteti me
ndërgjegje kritike. Ajo përvetësoi, sic
dinte ajo të përvetësonte, mësimet e
qytetërimit perëndimor, kuptoi më shpejt se të tjerët, dobinë e Dukurisë Ndërkulturore. Gjirokastra
kishte përtërirë brenda enëve të saj të gjakut–dimensionin e pranimit të
kulturës së tjetrit. Gjirokastra e viteve ’20– ’30 u bë për shoqërinë shqiptare
të kohës Fenomen drite, Ekstra
qytetërim, Qytetërim plus.
Dëshmia që me sa duket është dhe guri i provës, e ka emrin Bibliotekë
Publike. Gjirokastra është ndër të parat qytete
me Bibliotekë Publike. Edhe sot e karakterizojmë një qytetërim apo
një personalitet me cilësimin: njeri me
Bibliotekë. Gjirokastra ishte Qyteti me Bibliotekë. Në janar 1928,
mendjendrituri Branko Merxhani shkroi një artikull “Mbi bibliothekë”, ku
argumentonte se kishte ardhur koha që djalëria gjirokastrite të kishte
bibliotekën e saj, pasi pa dituri e libër, ajo nuk mund të qytetërohej e të
europianizohej. Branko Merxhani thoshte midis te tjerash.. .”Bibliotheka
kombëtare do të jetë rregulluesja e vërtetë e jetës s’onë mendore...” .
Këtij apeli të Merxhanit iu përgjigjën menjëherë si paria e qytetit ashtu
edhe gjirokastritët që ishin mërgimtarë prej Bukureshtit, Stambollit, Kajros e
deri në Amerikën e Australinë e largët. Me
fondet e tyre nisën ndërtimin e Bibliotekës së qytetit dhe blerjes së
librave. Brenda një viti biblioteka e qytetit, me fonde të dhuruara nga
qytetarët, mbërriti në mbi 30 mijë tituj (gati sa dyfishi i popullsisë së
qytetit) e disa vite më vonë në rreth 78 mijë tituj.
Dëshmia tjetër që, me sa duket, mbetet ende guri i provës, ishte themelimi
i shoqërisë civile. Gjirokastra shënjohet si qyteti prijëtar i shoqërisë civile
shqiptare. Brenda disa vitesh në qytet u themeluan nëntë bërthama të shoqërisë
civile, me status, program e aktivitet të dendur publik.
Telegrafisht po japim një diagramë të aktivitetit të tyre.
Më 23 nëntor 1919, Shoqëria “Vëllazëria” jep kontributin e saj për mbrojtjen e atdheut nga synimet e
shteteve imperialiste në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920,
Shoqëria “Drita” ndez shkëndijën e bashkimit të të gjitha shoqatave patriotike
në një konferencë kombëtare, gjë që realizohet në Vlorë, në prill 1921.
Më 23 mars 1921 themelohet Shoqëria “Kundra Bastijes” ku bënin pjesë rreth
100 gra e vajza. Shoqëria harton një manifest ku kërkohej respektimi dhe
përparimi i tyre. Argumenti i tyre ishte: “Me përparimin e grave e vajzave përparon edhe
Mëmëdheu.” Në krye të grave gjirokastrite ishte mësuesja e nderuar Urani Rumbo,
ndërsa disa muaj më vonë, me iniciativën
e Avni Rustemit, themelohet më 11 korrik 1921 “Lidhja e mësuesve”.
Po në mars 1921, themelohet
“Shoqëria e opingarëve” e shoqëria “Shpresa” që u vunë në mbrojtje të
interesave të qytetarëve të thjeshtë, të “opingarëve”, nga përqeshjet e lufta e përkrahësve të
“turqizmës”, pasuesve të idesë së ribashkimit me perandorinë otomane.
Veprimtaria e klubeve patriotike mbitheksoi vlerat kombëtare, himnizoi lirinë e
fituar, shtetin e ri, u dha frymëmarrjen e duhur të kohës së re traditave të
rizgjuara.
Më 5 nëntor 1923 celet në Gjirokastër, Liceu francez. Fillimisht me dy
profesorë francezë e më pas një trupë e kompletuar, sollën për herë të parë në
qytet idetë e Francës së kulturës, iluminizmin, letërsinë e madhe, artin dhe
qytetërimin europian. Teatro, ekspozita, koncerte, festa, shëtitje, poezi,
shkrimëtarësi, zakone, veshje, vezullim, ide, koncepte të reja, imitime, të
gjitha këto buruan prej këtij Liceu që ishte për qytetin – një dhuratë e bekim
perëndie. Celja e Liceut ishte padyshim një nga ato ngjarje që ndikuan fuqishëm
në jetën qytetare dhe ndihmuan në ndryshimin e psikikës qytetare duke e
orientuar atë drejt trendit të kohëve moderne. Dhjetra djem e vajza që e
mbaruan atë Lice, u nisën për studime jashtë Shqipërisë, në Europë, duke u bërë
shkencëtarë, artistë, filozofë, ekonomistë, politikanë, shkrimtarë, ndër më të
mëdhenjtë e kohëve.
Shpirti kritik, i protestës, i reagimit social, motorri që di të ndezë
shoqëria civile, kishte nisur të funksiononte në Gjirokastër. Në shkurt të
vitit 1921 organizohet greva e parë e punëtorëve tipografë. Në dhjetor të vitit
1923, “Grupi Demokrat” i Gjirokastrës, në programin e vet ka kërkesën për
reformën e tokës si dhe kërkesën për një republikë kolegjiale. Ndërkaq më 25
maj 1925 “Lidhja e punëtorëve” themelohet si e para sindikatë punëtorësh që
kërkon vendosjen e tetëorëshit në punë dhe zbatimin e tij. Në një protestë
masive ajo nxorri në shesh gjithë punëtorinë e qytetit.
Më 7 korrik 1924 themelohet shoqëria “Studenti”, një shoqëri kulturore e pak kohë më pas, më 25
korrik 1925 “Lidhja e mësuesve”, e cila kërkonte që mësuesit të paguheshin
rregullisht, pas grevës që organizuan, sepse kishin 6 muaj pa rrogë. Ndërsa në
shtator 1928, shoqëria “Studenti”, nënshkroi një protestë ku kërkonte nga
qeveritarët e kohës që të mos mbylleshin shkollat e qytetit.
Pyetja brengosëse, që do të duhej të bëhej patjetër në fund të kësaj
esseje, është: a do të ishte e plotë dhe
pasqyruese kjo dritë qytetëruese e Gjirokastrës nëse i
mungonte “Demokratia” ?
Jo dhe kurrësesi! Sepse “Demokratia” ishte pjesë e asaj drite, në mos ishte
vetë drita.
Ajo ishte dhe mbetet gazeta që
sillte, sjell dhe do të sjellë gjithmonë
lajmin e botës...
No comments:
Post a Comment