Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Tuesday, 8 May 2012

Përtej aspektualitetit të skicës së Edmond Llaçit



Fatmir Terziu
Hyrje

Leximin e Edmond Llaçit mund ta quajmë ndryshe lexim ‘të shkurtër’. Jo se ai vjen mes zhanrit të prozës së shkurtër. Jo se ai vjen për lexuesin në formën e skicave. Jo. Çdo skicë e tij është një tregim më vete, një novelë, e hera-herës flet më shumë se një roman. Çelësi?! Leximi i detyruar. Kjo mes fjalës së tij tipike. Më saktë: Lexim i dobishëm mes fjalëve të zgjuara e të përzgjedhura. Lexim që vjen nga hapësira me të cilën vetë fjala është mbajtur, ‘stërvitur’, gatuar dhe paraqitur për tu lexuar. Është kjo fjalë që vjen shpeshherë për lexuesin mes skicave. Skica që kanë emrin dhe talentin e hershëm të Edmond Llaçit. Skica që flasin, njësojnë dhe diktojnë kulturë, identitet, harmoni mes vlerave. Në këtë analizë do të ndalem pikërisht tek ky lexim që sjell vite në sinkron, jetëza, porosi dhe portrete. Duke krijuar harmoninë e leximit së pari do të paraqes atë veçori që autori na e sjell mes prozës së shkurtër. Së dyti skica në daltën e autorit që tejkalon sprovën. Dhe së fundi në detajet që kjo harmoni e skicave të shkrimtarit na citohet si arsyeja e leximit tërheqës.

Aspektualiteti si veçori tipike e skicës

Le të ndjekim skicën e shkrimtarit Edmond Llaçi, “Të çmendurit”. Fillon me pasthirmat apo ‘zhurmërrimat’ që na kërcëllejnë në shpirt. Janë këto zhurmërrima timbruese, grishëse, lajmëtare të së keqes vrastare. Dhe lexuesi ndihet i tëri teksa lexon: “Bym, bym, kërrr...”. por edhe pse e gjitha është sipas stilit të autorit “Përtej ekranit televiziv që qëndronte i varur në mur, filluan të dilnin të shtëna arme.” Ato përsëri nuk shpëtojnë lidhjen me realitetin në të cilin autori kurdis dhe rilexon mes të dhënave faktin e çmendurisë “Ato bënin rikoshet nëpër muret e salles dhe përplaseshin në timpanin e dëgjimit të njeriut të vetëm që ndodhej ne sallën me tavolina e karrike bosh....” Kështu aspektualiteti tregues sapo është dhënë dhe ai pra njeriu që ndodhet në skutën e treguesit diktohet në këtë aspektualitet si një lëvizje metafizike e detyruar: “Nervi i syrit të majtë të tij, zbriti me shpejtësi dhe mbaroi poshtë nofullës.”
Në leximin e skicës “Porosia” aspektualiteti vjen tërësisht emocional. Ai gatuhet nën avuj të nxehtë ndërgjegjeje që citohet nga gota e verës dhe ‘të brendshmet femërore’ që krasisin vegimin mashkullor. Dhe autori na jep këtë aspektualitet të shkyçur që në fillimin e skicës duke na diktuar me qetësinë më të grishtë emocionale se ai, pra karakteri i tij “U mundua t’i kapte reagimin tek shihte të rrëshqiste nën shikimin e tij trekëndëshi i bardhë i të brendëshmeve të saja. Duke buzëqeshur ajo i puqi  kofshët me njera tjetrën dhe u ul në kolltukun e vendosur disi larg tavolinës së shtruar për të ngrënë.Ai po përpiqej t’i shmangej  duke drejtuar shikimin nga puna që kishte filluar të bënte në një nga faqet e sallonit të madh. Me elegancë ashtu siç mbante pinelin , ai kapi gotën e mbushur me verë. E drejtoi nga ajo,  e çukiti me të duke i dhuruar edhe një buzëqeshje të lehtë...” Por, nëse në këtë rast karakteri i shkrimtarit bëhet një palë udhëtuese e emocioneve të ‘kundërshtisë’ të asaj pjese me të cilin aspektualiteti gatuan lidhjen, zgjidhja është një determinim psikoanalitik i faktorit mashkull-femër, jo thjesht seks për seks, por si një metaforë jete në tërë lidhjen e saj metafizike.
Kështu skica tjetër “Jetëz” është një këndtipologji tjetër fjalëzgjedhëse, ku faktori njeri është një kokrizë mes diellnajës së jetës. Është Dielli ai që kapërcen dhe hyn, është prau që shënohet në kohë, hapësirë dhe vend, është pastaj kjo mënyrë që na jep aspektualitein e duhur: “Dielli ndodhej në çastin e kapërcimit të vijës së horizontit, midis qiellit dhe detit. Një pjesë nga rrezet e tij të fundit me shpejtësinë  e shkeljes së butonit “i burgosa” në kutinë magjike dixhitale.
Nuk kaloi shumë dhe kudo  në të gjithë qytetin, si në një ekran të madh, përpara syrit tim, filluan te ndizeshin dritat kudo. Si në ato pjesët muzikore që ekzekutohen me  orkestracione të mëdha, atë buzë mbrëmje harmonie, me logjikën e çastit,  ndjeva se isha unë që po i ndizja ato.Atje tek po shkelja tastierat e pianofortës imagjinare  dhe duke i dhënë çdo instrumentisti  çastin e tij, dritat si në një pentagram pa kufizime vizash, filluan lojën e tyre muzikore. Një lojë që  zgjati pak çaste, por tepër impresive. Me shkeljen e tastierës së fundit të pianofortës i  dhashë dritë edhe ambientit ku unë ndodhesha. Ndjesia e atij çasti u shoqërua me atmosferën që u krijua nga ndriçimet e fshehta që ndodheshin në atë mbulesë masive gjethesh.  Nuk e mora as edhe një herë inisiativën për të pyetur se si quhej ajo bime interesante. Duke qeshur në brendësinë time, mendova se lojën e ekzistencës dhe mos egzistencës midis kopshtarit dhe asaj bime e luante po  ajo. Ne çastet e lëvizjes së lirë të saj, kur kopshtari  ja  mohonte duke ia prerë ato me një gërshërë me doreza në ngjyrë te kuqe, ajo, me shpejtësi, ne krahun tjetër, i kundërpërgjigjej duke nxjerë në jetë motrën e saj binjake. Nuk e di se sa do të ketë vazhduar ajo luftë. Besoj se kopshtari do të jetë dorëzuar i pari. Ai zëvendësimi i pafund  i dha fund përpjekjeve të tij, deri sa e kuptoni se çfarë ndodhi. Ky çast i bukur ku unë po përpiqem ta shijoj.”
Ndërsa aspektualiteti është një lloj tipologjie e skicës së autorit, natyrshëm mjaft skica të tjera të tij kanë shumëdimensionin e artistit në brendinë e tyre. Fjala me të cilën ato ndërtohen, ngrihen e flasin i ngjajnë një strukture të hapur, që gjithmonë të përpin në lexim e sipër. Kështu funksionojnë mjaft skica. Ajo më tipikja që përmbyll këtë aspektualitet është skica “Portreti”. Në këtë skicë autori udhëton imagjinatën e kujtesën njëkohësisht në vite pas. Hyn në labirinthet e kujtesës për të na diktuar një aspektualitet kohe dhe jete në të njëjtin temp. Ai na ristrukturon me fjalë të thjeshta dhe flet qartë “Atë vit shkollor, në klasë kisha zënë vend në rrjeshtin e mesit, në bangon e parafundit, nga e djathta. Kishim matematikë. Mendimi më kishte fluturuar jashtë klase. S’mbaj mend se ç’më ishte shfaqur para syve, por nëpër mjergull, mund të kujtoj disa copëza…pyll i dendur me pemë të larta,lëvizje ritmike e degëve, e gjetheve, e trupave drunorë. Lëvizje e disa trupave të paqartë që afroheshin drejt ekranit të syrit tim, nën ritmin e fyellit e të flautit. Ishin trupa femërorë e jo drunorë. Më erdhi për të qeshur për rimimin pa dashur femëror e jo drunor. Po, vërtet ishin trupa femërorë që vazhdonin të lëviznin ritmikisht para syve të mi. Trupa femërorë të ajthëm, që nën rritmin e lëvizjeve të tyre, përbrenda fustaneve të tejdukshëm  zbulonin plot hir pjesëza epshndjellese. M’u kujtua tablloja e piktorit të rilindjes italiane Botiçelit, “La primavera.” I u afrova më pranë  vegimit-tabllo dhe, ashtu i turbulluar siç isha, e kapërxeva realen dhe rash në irealen. U ndodha mes tyre. Ashtu i turbulluar mes tyre, mundohesha të largoja atë mjergull, atë tis që më pengonte të shihja, fytyrat e atyre trupave femërorë që po më qarkonin...” 
Duke konkluduar me aspektualitetin si veçori tipike e skicës së Edmond Llaçit, me sa cituam më lart, duket qartë se fjla me të cilën vjen skica e këtij krijuesi është ajo që përcakton kohë, hapësirë dhe vend për të ridimensionuar artistikisht vlerat e leximit.                 

Skica në ‘daltën’ e autorit

Skica si art më vete vjen në forma të ndryshme. Lexuesi dhe krijuesi e njohin me gjuhë të njëjtë, por e dimensionojnë mes tyre me perceptime të ndryshme arti. Kështu ‘dalta’ apo ‘pena e autorit’ është ajo që nënshkruan fatin e një skice në artin e saj. me këtë rast ajo është shtrydhja e njohurive të një krijuesi piktor, që flet në gjuhën e shkruar. Është spatulla dhe dalta e tij e padukshme që strukturon tërë kompleksin e saj sintaksor. Dhe në këtë strukturë janë elementët që plotësojnë dhe skalisin formën dhe pamjen artistike të saj. skica e Edmond Llaçit, është një çupëlinë e brishtë joniane, e sharmuar mes valëve të kaltra të Detit dhe jetës, duke u pasqyruar krehshëm në sopate e monopate të pashkelura e të traditës së bukur. Është e qetë. Nusëron dhe na diktohet e pastër. Gjuhëkthjellët. Racionale. Tërheqëse. ‘Aromatike’ dhe me shije. Pra një meze në tryezën e një lexuesi sqim. Një arsye më shumë për të mrekulluar lexuesin dhe vetë mjetin që e shtron atë në këtë tryezë. Sakaq skica të tilla si “Fluturim magjik”; “Lustraxhiu dhe trumcaku”; “Përtej dashurisë”; “Hetuesi” etj., flasin me një gjuhë të qartë, ku vetë simbolika, figurat e tjera janë çelësa magjikë në shkurtesën normative të leximit. Tek njëra nga këto skica vetë fjalia është modeli i kësaj mjeshtërie: “U shfaq ai. Ia trembi pulëbardhat  duke përplasur këmbët në shkallët e hekurta tek po hypte në verandë, ashtu si dikur zbriste në birrucat e nëndheshme tek “ata”, armiqtë e popullit. Si mund t’i lejonte “ai”, këta shpendë të fluturonin lirshëm dhe të kërkonin ushqimin e jetës së tyre?! Si mund ta jetonin lirinë e tyre këta shpendë të bardhë si mëngjesi, kur bëheshin pre e armikut të klasës?!”
Le të mjaftohemi me këtë retorikë të sqimtë dhe këtë filozofi të fjalisë së goditur për të cituar edhe një herë daltën mjeshtërore të autorit.

Leximi tërheqës

Për kënaqësinë e vetë leximit ju afroj që në fillim një fragment nga “Lustraxhiu dhe trumcaku”. Shijimi i këtij leximi na dikton forcën e artit që vjen mes fjalës së artistit. Ja si shkruan ai: “Duke i dhënë një shtytje të lehtë përpara, trupit të vet, me ato këmbët e tij të vogla , trumcaku u shkëput nga dega e pemës dhe u ul mbi qeskën e plasmasit të mbushur me fara luledielli. Ai nuk shpëtoi pa u vënë re nga llustraxhiu tek po rrinte e ngrohej në diell. Me bisht të syrit ai vuri re trumcakun të tundte kokën dhe të hidhte shikimin e  mprehtë gjithandej. Pas një stepjeje të vogël filloi çukitjet e tij të  shpeshta dhe nxjerrjen e lëvozhgës të asaj fare të zezë nga jashtë dhe të bardhë nga brenda. I mbështetur për muri siç ishte i ulur në stol, llustraxhiu vuri re shikimin e pa lexueshëm të atij shpendi të imët. Për herë të parë po e ndjente praninë e tij kaq afër. Cicërimën e tij e njihte prej kohësh. Ajo e shoqëronte që herët në mëngjes kur hapte mjetet e tij të punës nga një valixhe e drunjtë dhe trokiste furçën në të për të thirrur myshterinjtë. Cicërima i përgjigjej gjithë dhe mbarote në të errur tek mblidhej me zogjtë e tjerë  për të kaluat natën në kurorat e pemëve. Atje tek përballoi shikimin me të, llustraxhiu ndjeu të  dëgjonte fjalosjen e tij të çuditshme, e cila, për njerëzit, ishte veçse thirrje e shkurtër  dy a tre rrokshe e pa deshifrueshme por me intonacione muzikore të mrekullueshme. Në atë ças ndjeu buzëqeshjen  dhe zërin e atij fluturaku...”
Në këto fjali ndërhyrja do të ishte ‘mëkati’ më i madh i sakatimit. Çdo fjalë, çdo fjali e kësaj skice meshon art.

Në vend të mbyljes edhe pak njohje

Shkrimtari, Edmond Llaçi, është nga fisi i atentatorit Vasil Llaçi, nga Piqerasi. Po kjo nuk pengoi që i ati, një ish i internuar në kampet e përqëndrimit nazist të arrestohej për agjitacion e propagandë dhe të ndërpriste ëndrrën e Emondit të ri për t'u bërë piktor. Atë e ka trishtuar fakti se nuk e linin të vendoste pikturat e tij në ekspozitat e e arteve figurative për shkak të biografisë. Mondi në rini kishte shumë pasione. Ai arratisej për ditë të tëra nëpër shpellat karstike të jugut, duke u bërë kështu, së bashku me mikun e tij të fëmijërisë, Sofokli Liti pionerë të speliologjisë shqiptare. Ka botuar artikuj, skica dhe foto, si dhe objekte të jetës prehistorike në shpella, të cilat janë dokumente interesante në këtë fushë. Ka gati për shtyp një libër të posaçëm me këtë temë. Skicat letrare të tij janë rezultat i aftësisë për të zbuluar jo vetëm brëndësinë e shpellave por edhe të karaktereve njerëzorë. Kështu është detyrë e çdo lexuesi të gjej e të shumëdimensionoj skicën dhe tërë krijimtarinë e krijuesit shumëdimensional, Edmond Lllaçi. 

No comments:

Post a Comment