Fatmir Terziu
Poeti shqiptar Agim Mato i vendos dukuritë jetike, ‘magazinimet’ e tij të
arta poetike, po aq edhe telajon me të cilën retushon vargun modern, të lirë,
pranë shpirtit të tij të mavijosur nga kohërrat, mendimeve dhe gjendjeve
shpirtërore të hapësirës që flet dhe që hesht, me të ato vargje me të cilat ato
kanë udhëjetë sinonimie. Këtë penelatë artistike të fjalës ai e realizon edhe
në vëllimin më të ri poetik “Fundo”. “Fundo” është ai që
shtrydh detin “Jon”, ai që “Pret të iki nga ky turp”; ai që
peisazhon “Llogara”-në; por edhe ai
që na sjell në vëmendje “Socrealizmi”-
dhe më tej deri tek “Gjithpërfshirje”-t.
“Fundo”
është vetë arsyeja e leximit. Arsyeja që në mjaft raste mungon. Këtu të tërheq,
të glabëron. Është kështu se vetë fjala, apo arti i saj, kanë këtë funksion.
Një funksion që lidhet me vetë leximin e kuptimin e poezisë. E lexova disaherë
poezinë tipike “Fundo”. Pashë atë përfytyrim të bukur me të cilin, kohë më parë
është krijuar një poezi rreth të cilës debati lindi për “mitin”. Ai “mit” rreth të cilit Hegeli iu vërvit në
veprën “Platoni” gjendet në tre pika tek poezia “Fundo”, me të cilin ky
vëllim emërzohet. Këto tre pika janë si vijon:
1. Vetë nocioni i foljes së emërzuar fundo
(nga fundos) krijon një mit. Mit i cili vjen nga vetëndërlidhja e banorëve të
tokës me bregun dhe tërësinë e asaj që i lidh si mjete aspektuale të jetikës.
2. Adoleshenca është brishtësia e
pasqyrimit. Ajo është “pasqyra” me të cilën ne shohim rrugëtimin tonë të
fragmentuar. Kuptojmë të bukurën me syrin e “pasqyrave” të saj.
3. “Midis pinave të mëdha sa një bojë
njeriu” është mit më vete. Aty njeriu dhe shkencëtari formëzohen deri në
mallëngjim.
Pra është një organizim më vete. I lexueshëm dhe i mirëkuptueshëm. Deri në
detajin më të thellë filozofik... Organizim i përsosur i artit të fjalës.
Tipologjik!
Organizimi tipologjik
Organizimi i lirshëm i bashkëtingëlloreve krijon efekt të ndjeshëm në
vargjet e poetit Agim Mato. Një efekt thuajse të hershëm të cilin e gjejmë lehtë
tek Poradeci, më saktë tek poezia e tij “Gjeniu
i anijes”. Ndërsa Poradeci mbart edhe ngarkesë shprehëse të llojit imitues:
“Vështroni si shtet sipër valash,/e
tundet anija me nge.../...me krismë e me prush prejt stërkalash/mi të shkrepëtiu
një rrufe.”, tek poezia e Matos “Jon” në disa raste bashkëvepron
aliteracioni me asonancën e largët vargore si përfundim i vetë vargut: “Një hap më tej fillon gjithësia. Pranë meje
-/palombarë që ngjiten në qiell,/astronautë që cekin fundin e oqeaneve./Një
botë fanepsjesh më rrethon./Ç’rrinte e fjetur brënda meje pë vite me
rradhë/çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe/vërshon/rrugëve të një
Butrinti që shullëhet në zgrip të hapësirave.”
Kështu ky organizim tipik i poetit Agim Mato, është edhe një veçori tjetër
e ndërlidhur me figurën e përsëritjes që ka bazë imitimin e ndjesive të natyrës
dhe të atyre që lidhësohen me qeniet e gjalla. Ky fenomen është një tipologji
poetike e radhë, ndoshta ajo që solli risi në poezinë shqipe kohë më parë, por
që tashmë me stilin tipologjik të Matos, na jep një onomatope me karakter
shprehës duke sjellë atmosferën me të cilën lidhet kuptimi i pjesë si tek
poezia “Llogara”: “dhe mërzejnë
në pyjet e pafund të pishave. Mbajnë/ ende një erë thellësirash, algash”.
Lexo me kujdes përsëritjen e ndjesisë (dihamës) së erës që vjen si erë thellësirash
dhe si erë algash. Pra vjen në dy përsëritje që sjellin atmosferën. Kështu mund
të sillet në vëmendje edhe poezia e Ismail Kadaresë “Vdekja e Moisi Golemit” ku kemi përsëritjet zhurmore ‘ulurimë, kuje, lemeri’ “nën kërkëllimë zinxhirësh frymëmarrje luanësh/ulurimë,
kuje e lemeri/Gjeneral Moisi...”.
Tek poeti Mato radha e fjalëve onomatopeike
nuk është aq e dendur sa në llojin e saj tek Kadareja. Ka një frymëmarrje më të
qetë e të qartë dhe nuk vjen si një prompt
imitimi zërrash, ashtu si në fakt onomatopeja krijohet. Në rastin e Matos, përsëritja
mes ndjesive, krijon një lloj zhurme të brendshme dhe lakohet në ndjesinë tënde
për të kuptuar gjithshka lidhet me këtë gjeografi
mbidet, me këtë ‘koordinatë’ topologjike kohërash, historirash dhe
ndjesish...
Parimi organizues
Parimi organizues i grupit të tingujve në poezinë e Agim Matos, sjell jo
vetëm anën figurative tingullore, por edhe melosin poetik, aq të dëshiruar në
vargun e lirë. Këtë parim që e ndeshim në vëllimin më të ri të poetit, që nga
titulli ndjejmë këtë parim në thelbin e tij metaforik. “Fundo” i përfjetur në një
sfond bojëtipk të qielltë e të ëmbël është mbartësi jo-numerik i poezisë
postmoderne, por transmetuesi më tipologjik i vargut të lirë, që flet pak dhe
saktë. Hulumtimin e këtij parimi organizues me vargun si njësi poetike, dhe
strofën si njësi kompozicionale e gjejmë në një ndërlidhje tektonike, ku çdo
strukturë organizohet dhe transmetohet me arkitekturë të veçantë poetike. Nuk
janë thjesht figura të përsëritjes. Por ato me të cilat poeti
Irlandezo-Britanik Eddie Forde në komunikimin e poezisë së Matos në gjuhën
angleze do të shprehej “unë nuk di shumë për Jonin (Detin), por me këtë rast e
ndjej aromën e tij..., kështu më flasin të paktën këto poezi...”. Diku do të na
vinte në ndihmë edhe postulati i të madhit T. S. Eliot: “unë nuk di shumë rreth zotave, por unë mendoj se lumi është një kafe e
fortë zot-ngrysur, xanxar dhe i vështirë. . ". (tek Four Quartets). A
nuk lexohet kështu edhe Joni, Deti me të cilin na lexohet poezia e Matos?
Ngjyrimet, jo thjesht ngjyrat, artikulimet, jo thjesht zhurmat, përsëritjet, jo
thjesht imitimet, e mjaft gjëra të tjera na dedikojnë organizmin tipologjik të
vargut tek vëllimi i ri i Matos. Na ushqejnë mitet.
Më qartë poezia “Zhurmuesit televizivë”, duke na dhënë
përsëritje të tilla si “emrat, vendet, kodet, sekretet e nxjerra./ Të vetmet
prova të “paligjëshme...” na jep të plotë jo thjesht përsëritjen me
ndryshim të pjesshëm, por thelbin e organizimit të mesazhit, ku një lloj
asonance flet në qetësinë e saj më të thellë, dhe dikton në majën e saj më të
lartë: “Qytetin, nga të gjitha anët, e
rrethonin zhurmuesit televizivë/dhe mbushnin me fasha të zeza ekranet,/si
dërrasat që dikur gozhdonin portat e shtëpive,/për të izoluar të sëmurët/nga
epidemia e murtajës.”
Dhe kjo ndodh në një kënd. Në një qyetet. Në një qytet me det. Në një det
me halle. Në një breg të tij ku hallet përfundojnë në hekura. Pas hekurave një
‘mjeshtër riparimi televizorësh”. Dhe më tej përmbysja e shtëpisë ‘për të
gjetur radiot’ ato mjete të pashpirta, që hëngrën shpirtra të pafajshmish, vetëm
sepse dëshironin asonancën poetike të jetës, të cilën Mato e tipologjizon me
mjeshtrinë dhe stilin e tij.
Mato na sjell kohërat në vëmendje, por i bën ato të jetojnë gjatë në
ndjesi. Në ndjesi poetike e jetike, përpos vetë mitit. Në ndjesi që shkojnë
larg e jetojnë gjatë, duke u vetëbërë mite.
No comments:
Post a Comment