Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday, 7 August 2014

AUTOREFUZIM



  VASIL KLIRONOMI
25 poezi nga përmbledhja “Plagë qeramike”


       Vasil  Klironomi është poet nga Saranda dhe ka emigruar këtu e 20 vjet në Greqi. Ka botuar 2 libra me poezi shqip dhe boton në Athinë në gjuhën greke krijimet e veta. Vasili ka punuar shofer në Parkun e mallrave të Sarandës, dhe i magjepsur pas poezisë dhe metaforave, shkruan në kohë të lirë në kabinën e mjetit të vet, duke pritur ngarkimin e qymyrit në Memaliaj. Shkollën e poezisë e bëri kështu, në shoqërinë me ne krijuesit e atëhershëm dhe në vetminë e udhëve të gjarpëruara të jugut, duke i përshkuar ato me fantazinë e tij të ndezur. U rrit si poet në klimën e poezisë joniane. Vasili është vlerësuar nga poetë të njohur grekë, si Kostas Evangjellatos, i cili ka prezantuar librin e tij të fundit në veprimtarinë e organizuar me këtë rast. 25 poezitë e paraqitura këtu janë shkëputur nga përmbledhja e tij: “Plagë qeramike”, të cilat i përktheu në shqip poeti Vangjel Zafirati.
                                                            A. Mato


AUTOREFUZIM

Qiej
zbrazte Zoti në sytë e shumë njerëzve
dhe ndihesha i zemëruar.
Përse të mos jem i bukur, thoshja.
Humbisja në gishtërinjtë e duarve
me veten time fajtor.
Fryhej deti.
Shkumë nxirte ne cepat e buzëve
Thua se desh të më revokonte
Dhe unë në fundin e tij.

Frynte.

Re qe humbisnin udhën më ndiqnin.
Depërtonte lagështira në supet e mia
dhe në shtëpitë për rreth.
Mes përpjekjes për të kuptuar qëllimin,
nata diçka vidhte nga barku i ditës.
Parakalonin silueta të zeza.
Humbisja me zogjtë e natës.

Përemra
            nga buzët e mia kalonin.
Kush kishte bukurinë dhe kush përsosmërinë.
Ai kishte gjithçka, e unë asgjë.
Shikues në ngjyrat e tyre.
Zvarritjen e zërit tim vetëm unë e degjoja.

Përbri
            pisha kish marrë formën e shqiponjës
qe të jetojë.
Pema  kish marrë formën e shqiponjës
të më tregojë.
Ku e gjeti fuqinë,  pyesja,
të mbijë në këtë gurishte?
Me njërin nga gishtat e mi e shënova.

Në detin e hapur,
Anije të ndritëshme
I dorëzoheshin palëvizshmërisë.
Në udhën e tyre kërkoja shënja.
Ishuj artificialë ndërtoja me dallgët
Dhe përsëri humbisja në pallatet e thellësisë.


PERDET E HIJEVE

Në zjarrin që ndeza i shtriva duart,
zemra të futet në harmoni.
Rreth e rrotull
dëborë që zbriste  deri në tëmthin e malit
dhe lisa te zhveshur
që asnjëhere nuk mësova ç’ thonë midis tyre.
Dru të kalbur më trembën me krismat.
Barinjtë të veshur me rroba të gjera,
më thërrisnin
të mos trembem nga të lehurat.
Të keqen ndjekin brënda natës...
Por unë
dëgjoja perdet e natës
                                      dhe një shqiponjë erë,
fë fikur çka më dhuroi Prometeu.
Në erësirë kërkoja  të gjej fener dhe duart e Irinive
                                                                           takoja.
Duke mos ditur sa do t’i rezistoja breshërisë së erës,
për një ndihmë të vekshmi falesha.


NË DITËN TRAGJIKE

U përpoqa  të heq dimbjen
nga sytë e tu të thelluar.
Vura më shumë dëshirë,
eca me hap të lehtë pranë teje.
Fytyrën të ndriçova
duke vënë më një anë
flokët e tua të lëshuara.


TETOR

            Mikut tim poet e piktor  Spiro Llajo

Sot mbyllëm  dritaret dhe shiu me erë
ngjiti në to lule të fishkura, gjethe të verdha.
Si pikturon kështu edhe kjo erë !



PA TITULL

Ka disa poezi
qe shpërthejnë mbi letër
me denesa të qeramikta.
Por, po i pastrove me një penë
ngrë nervin edhe  gostitë me verë
lexuesit te gjithe.
Ka disa poezi
ku nga pena jote duan
të dëgjohet vetëm muzikë  e saj.


KRIMBI I MENDAFSHIT

Lëvizë në gishtin tim tregues
dhe të gjitha  me ngadalë lëvizin rreth meje.
Në sytë e mi surealistë,
dëgjon
çdo tingull.
Mblidhet në krahët e tij
dhe fluturon.

ME GJETHE  DAFINE

Thuaj se është e çmëndur,
thuaj se është një budallalëk
Ajo qe nga ty kërkoj.
Një ditë në shseshin qendror,
I larë, i krehur,
Me përkedheli, me puthje të të çvesh.
Rroba jota e pastër, te këmbet e zhubrosur,
Të jetë ajri që thith trupin tënd.
E ç’domethënë që kalove të pesëdhetë e pesat,
Gjoksi yt mund të mëkojë fëmijë
Sepse unë t’i zbresë tridhjetë.
Trupi yt, trupi yt i drejtë.
Kur kërcen,
Vathët ne vesh dëgjohen
Si këmbana të gëzuara
Dhe kjo ndh qysh atëherë që të dashurova.
Asnjëherë s’të lashë të kërcesh vetëm
Dhe u bëre perëndesha e valles.
Dhe nëse egzistojnë ca vija në fytyrë
I pikturova.
I bëra degë me gjethe dafine,
Të kundërmojë sheshi
Dhe do kundërmojë nga lakuriqësia jote.

DUA TË DI

cila dore kurdis Diellin
qe ta puth.
Sytë qe e ngjiten atje lart të na ndriçojë.
Të puth buzët qe i dhanë ngrohtësi.

SUSAMI

Susam hapu!
Brënda teje
si Diogjeni, të flë në një qyp
Paradokset e Zinonos
e mësimet e Platonit
në një bankë të gurtë,
në orët pa mbarim të ndjek.
Me dy grushte dheu fytyrën të lyej
e  të luaj Aristofanin.
Brënda teje kudo që  shkel, ngjitem tek dashuria.
Susam hapu!
Me antenat e një milingone
të mësoj se deri ku arrin  rrezja ime.
Me rosat e Ezopit
Tek Paktolusi  yt të notoj.
Në pafundësinë e Heraklitit të ruaj
formën time.
Susam hapu!
Tu kushtohem dënesave të tua prej qeramike.

NE FUND MAESTRUA THA

“...që të marrësh pjesë në një orkestër
duhet të kesh udhëtuar me erën
dhe jo vetëm.
Ti kesh rezistuar breshërisë së tyre.
Të kesh parë e dëgjuar lumenjtë
si rezistojnë para se të derdhen ne det.
Të kesh dalluar vijën shumëngjyrëshe
qe vjen pa zhurmë nga thellësitë e qiellit
edhe qendron pingul,
dallueshëm në pentagramin tënd.
Ndryshe, qorazi do t’i biesh veglës sate.”


E  VEJA

Edhe sivjet
e zhytur thellë në hidhërim,
sikur të ketë rënë në gjumë letargjik.
Maj
dhe qendron brënda.
Herë-herë tenton
që kokën të nxjerrë jashtë,
dëgjon botën që qesh
dhe pa shprehje
kthehet në gjëmën e saj.
Ka frikë mos e shikon Dielli
edhe i jep shkëlqim.
Një çast
guxon të mendojë
veten  aty  jashtë
dhe Dielli i vyrtitshëm,
nuk e humbet rastin.
Flutura rrobaqepse
E  veshin me ngjyra.
Në kembë, në të kuqe
si në afreske Minoike,
pikon
            poezi
dhe e ndrojtur, pak e zhveshur,
e ndjeshme
i dorëzohet
një ëndrre me vazhdim.

I SËMURI DINAK DHE KARDIOLOGIA

Brenda nga sytë, i tha, shiko zemrën time!
Dhe ajo pa një organ të thelluar
në formë piramide të përmbysur,
në mes të gjoksit të vendosur,
të ndarë në dy pjesë
me inde muskujsh të vizuar
të karakterizojnë muskujt
qe vareshin nga dëshira e tij dinake.

NXEHJE

Kur më ofendon,
kur më shan parardhësit
kur me krijuesin e dhunës nxin
zemrën time,
kur vazhdon  krimin e urryer
duke kafshuar një nga një
të dyzet vitet tona bashkëshortore,
kur fshehtas më kontrollon xhepat,
kur me thonjtë e tu të mprehta gjakos
fytyrën time të rrumbullaktë e të kuqe,
pendohem qe të dashurova,
pendohem qe shkrova
poezi të freskëta e të ëndërrta për ty,
pendohem që bëra fëmijë me ty,
pendohem qe ekzistoj dhe bëj shoqëri me
 poetë bashëmoshatarë qe janë vetvrarë.


PAS VDEKJES

Iku.
Mirë bëri qe iku.
Aty dikush do gjendet
që t’i flasë
ose kur do flasë ai,
dikush do gjendet
që ta dëgjojë.
Vetëm nëse i është bërë zakon
dhe nuk do dojë
t’i flasë njeri,
ta dëgjojë njeri.

NË PRAG TË DALJES

Mos ndalo tek unë!
Edhe të tjerë të presin.
Lindje e një magjie
e plotë.
Do desha që ti të më udhëhiqje
ashtu si unë dua që të ecë.
Mos ndalo tek unë!
Lëvozhgë e Hënës.
Dëgjo, dëgjo komedi antike,
këtej kaloi mendimi,
pasi nuk e preka,
u dashurua me fëmijtë e mi.
Mos ndalo tek unë!

ZËMËRIM

Çfarë do?
Pozicioni i Diellit apo i Hënës të shqetësoi?
Të ngrita si grua dhe u gjende mbi mua
furtunë.
Kam frikë se në çaste ekstaze
Do i ngjasoj Zotit
Edhe si Zot do të shikoj.


FASHISTJA E VOGËL

Fryu era dhe zogu shtegëtar
u ngatërrua në flokët e saj të ngrehura.
Në çast erdhi një sqifter dhe e coptoi.
Ay veprim kaloi në mëndjen e saj.
E  pamë në sytë e saj, në fytyrën e saj.
Zbriti në zemrën e saj, në stomakun e saj,
në  mëlçinë e saj, në zorrët e saj.
U bë e gjitha një egërsirë. Gati të na shqyejë.


SHQETËSIMI I 60-VJEÇARIT

Si flë kështu përmbys
me dy brylat
qe dalin nga jashtë
duke mos mundur të të përqafoj?
Si flë kështu përmbys
me njerin nga gjunjët nga jashtë,
e ngjan me top mesjetar
që më asgjëson.
Si flë kështu ?


VETEM TY
              
Të pres si një liman.
Shikoj e dëgjoj spirancën
qe ti hedh, spirancën qe dëshiroj.
Kaq e pandjeshme  distanca.
I ngarkuar me emocione,
bofor, me ngjyra dhe të tjera,
të padukshme,të parëndësishme,të pakta
ku për mua janë shkëndia.
Të pres.
Dëgjoj tingujt e zërit tënd
dhe lotë gëzimi e padurimi
dridhen në nofullën time,
lotë qe vetëm ti mund ti dallosh.

MAGJISTAR I DETIT

Jam magjistar i detit.
Para se  të eci, mësova të notoj.
Më hidhte vëllai nga guri i madh
dhe pulbardha
më shoqëronin, era të mos më prekte.
Mellanurë
hapnin rrugën, në fundin e detit mos vritesha.
Në ujrat e kaltëra,
sparot më pastrojnë lëkurën,
supjetë kalojnë sipër përkedhelitë.
kur i mungoj, një oktapod shtrin këmbën
dhe ngjit tek unë venduzat.
Në thellësitë e syve të mi
një sinagridhë nuk mundem që ta qetësoj.
Sa herë rrezikoj,
është gati të dalë e t’i coptojë.
Ngjala, shpresa të përdredhura,
vijnë nga lumenjtë,
në thellësitë e syve të mi të lindin.
Siç ju thash jam magjistari i detit.
Me një kupi valët përkëdhel
edhe ato bien në këmbët e mia.
Me një vel acaroj erërat
edhe ato përgatisin furtunat.
Mbi një dërrasë kërcej rrok
edhe delfinët shikojnë me kërsheri.
Në llëret e mi, në trupin tim
kam pikturuar jashtëtokësorët.
Jam magjistari i detit.

TAKIM ME VDEKJEN

E takova në Saltzburg,
jashtë kishës katolike.
Duart  e tij ishin të ngrira.
Qoftë e në metal, e takova.
Kishte në fytyrën e tij, erësirë të pa përshkruar
 ne perëndimin e njerëzve ngjitur.
Ah sikur të kishte sy, një grusht me yje të hidhja.
Hajde, më thoshnin fëmijtë,
ka kaq muze, kemi për të parë kaq shumë
dhe i ndiqja  duke u dridhur.
Ndërsa festungsban ngjitej në kështjellë,
shtrëngova dy duart e Elenit dhe e pyeta:
Të kam thënë se vetëm vdekja do na ndajë ?

DEGA

Degën qe vodhe nga hardhia ime
do ta fshehësh, për sa kohë ?
Do ta shartosh.
Mbreti i frutave brënda vitit,
do ngjitet në muret e shtëpisë tënde,
do hapet mbi tjegulla.
Hardhia e shenjtë do të mbështjellë në gjethe,
pastaj vilat do lidhen,
kokrat do marrin ngjyrë,
mbi çatinë tënde do piqet ëndrra ime,
po ti, çdo bësh ti? E di çdo bësh.
Ti do vazhdosh,
të këputësh rrushin
do ta mbyllësh në fuçi të bëhet musht
dhe kur vera do ulet brënda meje,
me një kanatë do mbushes bukuri
qe unë kaq dorëlëshuar do mundja të të jipja.
Të të them!
Do të thërras dhe Apollonin
qe këndon vetëm me liren e tij,
në çastin qe ti pi vetëm lëngun tim çudibërës.

 NË EPOKËN TONË

Fatkeqësishtë u linda në një epokë
ku edhe bodrumet pjellin frikë.
Një shkrepje arme si paralajmërim më mbyll gojën
dhe kjo, sepse nuk mundem që ta përballoj.
Në epokën tonë çdo politikan hajdut
mund të futet brënda meje
në momentin qe flë dhe ëndërroj.
Gjatë ditës të më vjedhë ëndrrat.
gjatë ditës të më vjedhë hapat,
qe të mos mbërrij kurrë në destinacion.
Në kohë,
larg nga të parët e mi
gjithnjë e më rrallë dal në rrugë.
Nuk ndihem mirë.
Fatkeqësisht u linda në një epokë
ku e vërteta nuk ka vlerë.
Çka më e thjeshtë se të thuash të vërtetën.
të ma thuash në vesh si një përrallë
në momentin që më kanë shqyer,
në momentin që nuk ndihem njeri.
Për derisa e di se
nuk mund të më çosh atje ku dëshiron,
përse merr në duar megafonët.
Nuk më mjafton dëshira jote e mirë.
Dua diçka më të vështirë, krijuese
që të më sjellë kënaqësi,
të vetflijohem duke ditur se dikush tjetër
do mbërrijë në destinacionin tim.
Dua të papengueshmen.


DESHIRA IME E FUNDIT

Më thonë se pas vdekjes të gjitha mbarojnë.
Vyshkesh, tretesh, bëhesh dhe.
Në rregull.
Por unë në jetën time kam disa vlera.
Isha tërheqës, i mahnitshëm, i bukur.
të gjithëve  ju pash me dashamirësi.
Në çdo gjë tregova per ju  personalitet.
Prandaj dhe kur të iki, dua,
të paktën qoftë e për një çast, të mbani zi për mua
Nëpërmjet një kënge,
Ose nëpërmjet një të qeshure apo një loti.
Të vendosni në xhepin e vogël të xhaketës,
një lule për mua
dhe sado e pabesueshme që dëgjohet, ju jap fjalën se do
ribëj veten time ne dhe të lehtë, pjellor
qe të mbij për ju diçka e bukur.

Saturday, 31 May 2014

Filozofia metafizike e lundrimit në vargun poetik të Matos



Filozofia metafizike e lundrimit në vargun poetik të Matos 
Nga Fatmir Terziu
 Abstrakt


Në këtë analizë të librit më të ri poetik të poetit Agim Mato duam të ndalemi në lidhjen metaforike që qaset mes artit të fjalës për të ripërcaktuar përmasat logjike dhe artorganik të fjalës që lëvrohet nga ndikimi i një hapësire kulturore. Te vëllimi poetik “Lundrimet” (2014) me redaktor, një emër të njohur në letrat bashkëkohore shqipe, Pandeli Koçi (alias Sazan Goliku) dhe në botimin e “Milosao”-s, poeti Agim Mato na jep një qashtërsi (më shumë se qartësi poetike) prognozën filozofike të lidhjes dhe arsyes me detin, mes një metafore që lind, rritet dhe zhvillohet e pavdekshme te procesi më determinues i lidhjes së njeriut me detin, lundrimin (brenda shpirtit si nocion). Lundrimi është vetë roli që arsyeton, por që edhe na jep mundësinë të kuptojmë më thellë. Për këtë studimi do të ndalet te roli i detit në kulturën njerëzore, aspektualiteti i tij Jonik në krijimin ndikues të rrethnajës, ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit dhe më tej me një zbërthim të tërë dimensionit që jep vëllimi, si qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë. Mes kësaj ndalesat do të jenë për të dhënë arsyen, pse A.Mato mbetet një poet tipologjik me vlera në krijimtarinë e tij.

Deti, rrethnaja e dyfishtë kulturore tej lundrimit nga vetja

Roli i detit në kulturën njerëzore ka qenë i rëndësishëm për shekuj, ndaj dhe si i tillë edhe për poetin Mato ai vazhdon të jetë më shumë se arsyeja e arsyeve. Deti është vetë procesi, zhvillimi, heshtja, gëzimi, trishtimi dhe vetë komunikimi. Si poet dhe si njeri ai e përjeton detin në mënyra të ndryshme, herë të qeta dhe pajtuese, por jo pak herë edhe kontradiktore. Deti në vargun e tij është jo thjesht det, por një aspekt ku zanafill ‘lundrimi’ poetik. Ai është aq i fortë, por i qetë, i bukur, por i rrezikshëm. Përgjigjet e poetit Mato në det mund të gjenden në artformësimin e përfshirë të letërsisë poetike të tij, në ndjenjën dhe shijen e artit piktoresk, poezinë e krijuar në vite, filmimin mes kujtesës dhe kapjeve të aparatit, teatrin e tij jetik dhe njerëzor të luajtur mes heshtjes dhe përndjekjes në vite, dhe muzikalitetit klasik të valëve. Një art i tillë ka ardhur në leximin e poetit mes njohurive dhe shijeve të tij, ndoshta me atë që hershmëria e përfaqëson që 40.000 vjet të shkuara. Që atëherë, artistë në vende dhe kultura të ndryshme kanë përshkruar detin, ndoshta në një kah të ndjeshëm me shpirtin e tyre artist. Profesori Eqerem Çabej që herët në studimin e tij monografik “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939: 61-65) thekson se ‘një aksiomatikë e dyfishtë’ ka ekzistuar mes këtyre lidhjeve dhe literaturave. Si pasojë deti dhe lundrimet janë përshkruar në art, duke filluar nga vizatime të thjeshta në muret e kasolleve në Lamu nga i mirrënjohuri Joseph Turner. Artisti Japonez Katsushika Hokusai ka krijuar punime me ngjyra të disponimit të detit. Deti është shfaqur në letërsi që nga “Odisea” e Homerit (shekulli i 8-të pes). Deti është një temë e përsëritur në poezinë e haikut japonez të lëvruar nga poeti Matsuo Basho (1644-1694). Në letërsinë moderne europiane, romanet e detit dhe të frymëzuara si të tilla janë shkruar nga Joseph Conrad, Herman Wouk, dhe Herman Melville. Deti ka frymëzuar shumë muzikën gjatë shekujve. Varrimi në det ka qenë praktikuar në mënyra të ndryshme nga vende të botës që nga qytetërimet e lashta të Egjiptit, Greqisë dhe Romës. Kështu lundrimi në det ka qenë dhe mbetet formëzimi i gjithë pranisë jetike dhe të përtejme, madje edhe një arsye për të rikrijuar komunikim me rrethnajën. Kështu mbetet tek poeti Mato edhe mes vëllimit, por që nis edhe tek poezia “Deti”: “Ishe altari ku rrëfehesha. Flisja e flisja mes mërmërimës/së dallgëve/me një zë që të mos kuptohej nga të tjerët./Kur ngriheshin tallazet e tua,/e ngrija edhe unë zërin/dhe bërtisja mbi shkëmbinj nga frika se s’ më dëgjoje.” (Mato, 2014: 5). Shihet qartë mes kësaj poezie ajo që në fjalën e Çabej vjen si një ‘niveau’ (nivel) kulturor, ku qasen reagimet njerëzore (ibid).
Reagimet e njeriut në det janë gjetur në letërsi, art, poezi, film, teatër, dhe muzikë klasike, si dhe në mitologji dhe në interpretimin e ëndrrave psikoterapeutike. Rëndësia e detit të kombeve detare është treguar nga ndërhyrja që ai bën në kulturën e tyre; përfshirja e saj në mit dhe legjendë. Përmendja e tij në fjalë të urta dhe këngë popullore; përdorimi i lundrimeve në ofertat kushtimore; rëndësi e lundrimeve dhe deti si nocion në ceremonitë e pranimit dhe në ritet mortore; fëmijët duke luajtur me anije lodër; të rriturit me anijet e mëdha; turmat e mbledhura në nisjen e një anijeje të re; njerëz duke përsiatur në mbërritjen ose largimin e një anijeje dhe qëndrimin e përgjithshëm ndaj çështjeve detare. Këto e mjaft dukuri të tjera që lidhnin Sarandën dhe lidhin tashmë më gjerë në hapësirën e saj ujore me fqinjin kulturor, si në Jug dhe më gjerë, i japin vargut dhe njëkohësisht, poetit dhe piktorit, artistit dhe vizualpikturuesit Mato, arsyen pse vargu i tij thith dhe jep ajër mes lundrimit detar. Simbolikisht deti ka qenë prej kohësh dhe konsiderohet ende si një mjedis armiqësor dhe i rrezikshëm, pasi është i populluar nga krijesa fantastike: Leviathan gjigant i Biblës, Scylla në mitologji greke, Isonade peshkaqeni në mitologjinë japoneze, anijet e gëlltitjes në mitologjinë skandinave. Por edhe në veprat e filozofit Karl Jung, deti simbolizon personalen dhe atë pa ndjenja kolektive në interpretimin e ëndrrës. Vargu i Matos, e gjen dhe pështjell ëndrrën e tij të ndaluar nga ‘kartonizimi’ mes detit, lundrimit dhe valëve e dallgëve të tij: “Më mbuloje atëherë me shkumë/dhe lëpija kripën tënde/së bashku me lotët.” (ibid).
Siç shihet vlera e detit, mes vargut të Matos, merr një përmasë tjetër. Ndoshta ajo që bashkon dhe ribashkon filozofikisht kulturat. Në Azinë Juglindore, rëndësia e detit rritej mes vlerave epike, princeshat në ishuj të largët, përbindëshat dhe peshqit magjik tek përgjojnë në humnerë futen edhe mes vargjeve të poetëve. Janë jashtë izolimeve, por edhe brenda dyzimeve. Kjo e qartë te vargjet e poetit ku “Oqeanikët me dritat shumëkatëshe kalonin përballë/dhe nuk e ceknin tokën time, pëlhurat e velierave/atje larg i shtynte një erë tjetër/që mushkritë e mia s’e kishin provuar.” Dhe ku poeti vjen dhe qëndron mes detit si “...një Robinson Kryzo i vogël,/derisa gjiri u skuq nga balta që tretej/dhe pemët u shembën mbi ujëra, si udhëtimet që nuk/i bëra.” (ibid). Autori lexonte literaturën e ndaluar, që ia kishte lënë mënjanë fshehurazi babai i tij vizionar, Remzi Mato, artist në novacionet e tij, i papajtuar me stuhinë e dallgëve të sistemit, dhe kuptonte se ‘mbretërit’ e hapësirës detare ishin vargjet, arti i fjalës, që ashtu si shumë kombe që besonin se Poseidoni ishte zot i detit, edhe vetë ky varg i bardhë, i lirë ishte pikëtakuesi me mitin. Këtu ai padashje i jepte jetë në zhvillim vetë artit jonian, atij arti që merrte volumin e frymëmarrjes nga ‘influenca e thellë’ ku ‘distanca midis poetit dhe popullit’ nuk ishte shumë e madhe (Çabej, 1939: 61-65). Kjo distancë bëhej edhe më e ndjeshme në lidhjen artorganike me detin: “Pranë meje notonin peshq të ngathët/e të verbër të thellësive,/të pamësuar me dritën,/të rënë sa herë në rrjeta dhe të gjuajtur/me shkelma nga peshkatarët, sërish në ujë./Isha si i verbuar edhe unë nga një pluhur i dëndur/drite./Tërë fjalosjet vetmitare,/tërë rrëfimet e pafundme me ty/filluan të më rrethonin/si një brerore e padukshme shpresash/që ngjitej nga thellësia e labirinteve nënujore./Ndjeja të më merreshin mendtë/dhe mesdita më flakte pranë teje,/dhe gjumi më zinte përzier me rërën e nxehtë,/me algat përsipër/dhe valët që më rrihnin në brinjë./Shaluar mbi një kalë deti bridhja në thellsirat e/ëndërrta të koraleve/dhe ndjeja të më firasej trishtimi,/të më avitej Poezia,/si rrezet e dritës/që kullosnin mbi hapësirën tënde, o det./Frikë nuk pata më se mos më dëgjonin të tjerët.” (ibid). Kështu frika se mos e dëgjonin të tjerët, e bënte poetin të strukej në këtë det, mes lundrimit të tij të heshtur, pasi ai kishte format e tij të hershme të datuara e të tipologjizuara në mjedisorganikën e tij kulturore, ku vetë lidhja jonike transmetonte në heshtjen e saj. Ky det i shfaqur në literaturë, të paktën që nga koha e Homerit, i cili e përshkruan atë si “e verës së detit të errët” (oînops PONTOS), tashmë qasej deri në strukun e majëfjalës së zhytur në thellësinë e mendimit të poetit Mato. Ndërsa tek “Odiseja” gjente pikërrëfimin e udhëtimin e heroit Odise që lufton për t’u kthyer në shtëpi nga përtej detit pas luftës me trojanët, e përshkruar në Iliada, ai, pra poeti shqiptar, Mato gjente arsyen të rikthente në vetvete fjalën e artë që përballej me Trojën e kartonizimeve, me ndalimin e tij lundrues e të qetë poetik. Fluturimin e tij të përçart e merr nga një vend në një tjetër, duke përjetuar ndër rreziqe të tjera detare, ku shfaqet deti i ri përbindësh, jo si atëherë Scylla, vorbulla Karridba dhe ishulli Ogygia i nimfës Calypso, por tërë nomenklatura tjetër që lagej në det dhe jetonte tej detit dhe hallve të tij, ajo që shfaqej e frikshme në arsyen e joarsyen e fjalës. Ndaj dhe vetë poeti citon se “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”. Në ndihmë na vjen edhe Çabej me dy aksiomat e tij, ku thekson e para është influenca e rrethnajës krijuese dhe e dyta është ngjyra politike e shkrimtarisë, me qenë se fatet e posacme socialpolitike kanë shtruar një influencë të shënuar në të lindurit e literaturave’ (ibid). Poeti, sipas Çabej, është ‘një prijës shpirtëror’ që i ka ‘rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional’ ku gjithnjë duhet ta vendosë penën në shërbim të identitetit të tij, kulturës së tij, arsyes dhe mendimit në të mirë të fateve njerëzore dhe të vendlindjes (ibid). Kjo lidhje me vargun e Matos është më shumë se lundrim, është një falënderim ekzistence, për njeriun e tij të dashur, më të afërtin e jetës, atij që i dhuron edhe ekzistencën: “Kur erdhe ti/u terratisën perënditë e rreme/që vërtiten rrotull njeriut./Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.” (ibid). Është kjo ekzistencë pikërisht në lundrimin e poetit ku jeta, toka, hapësira dhe deti marrin forma të reja: “Drita që solle papritur ma trembi vetminë/dhe, i pamësuar me të, nuk guxova/të rri gjatë përballë teje,/që të mos vuaja. Pyesja hijen time/prej Heminguei dhe ajo bëhej më memece se unë.”. Është kjo ekzistencë që mes lundrimit mbeti një besnike e përbetuar e artit të fjalës, që në jo pak raste mundej dhe mundohej nga heshtja e dallgëve që shkisnin vetëtimthi.

Aspektualiteti Jonik dhe rrethnaja si tipologji midis formës dhe strukturës

Në përgjithësi vargu i poetit Agim Mato, i qasur mes dallgëve të shpirtit dhe atyre të rrëthnajës, apo edhe vetë detit Jon, i japin qasje të lirë aspektualitetit Jonik, ku rrethnaja determinohet dhe agravon deri në detajin më të ndjeshëm. Gjeografikja si e tillë rrjedh e nxehtë në hapësirën që krijohet si tipologji midis formës dhe strukturës. Herë pas here ‘stanzat’ variojnë dhe vargu i Matos kapërcen numeracionin vargor dhe enumeracionin metaforik e logjik, ku secili përmban një numër të ndryshueshëm të vargjeve. Pjesë lojëparësore poetike shihet në strukturimin e tij, përthyerjen sipas logjikës poetike, ndalesën e reduktuar, ndryshesën në arsye dhe kapërcimin foljor. Tek mjaft poezi të tij shihen katërmbëdhjetë  rreshta, i dyti, i treti dhe i katërti kapin numeracione të ndryshme që variojnë. Sa për skemën në vargje, nuk ka skemë të dukshme rimëbrendore, ose logjike, që synon një vend trajtimi të lirë të modelit bazë jambik që zakonisht ushtrohet pak herë nga autori, por që veçon në strukturën e tij. Në mjaft poezi ka një seri të zanoreve të hapura (melankolike, të gjatëvëna, tërheqjen në arsyetim për të na dhënë një minigjëmim të brendshëm brenda zanores, si në përshpirtjen e saj zanore kur lidhet me arsyen e fjalës). Në përgjithësi vihet nga fillim në fund të poezive një ritëm në rënie sintaksore që mund të zbulohet në leximin e vazhduar të në strofës që herë pason e herë ngushtet deri në sakrificë ndjesore. Në këtë mes vetë strofës së tillë tipologjike të poezisë së Matos, mund t’i qasen lundrimet e brendshme me shtatë rreshta të pentametrit jambik, me skemën e një rime logjike që afërsohet në skematikën tradicionale të abbacddcc, por jo të ngjeshur në rimëzim dhe adoptesë. Kjo lloj poezie, tipike e Agim Matos, mund të shihet si një seri tingëllimash jo të plota, ku dy pjesët e para çdoditësohen në mendësinë e akumuluar të kulturës së kujtesës dhe të krijuara nga 14 linja që sugjerojnë se qëllimi nuk është të arrijnë për të arritur formën e rreptë sonet, por të ritmojnë në heshtje atë që autori kërkon ta lundrojë në përshpirtjen e tij. Me përjashtim të një linjëvargu të shkurtër (tri këmbë) të hapjes, pjesa e fundit e një poezie të tillë imiton oktavën e një soneti të mbyllur me një qëllim të vetëm, linjën klimatike të vendrrethnajës, që zakonisht është tipike ‘jodike’ ose joniane e sqaruar edhe në studimet e mia të mëparshme, ku duket se sikur pjesa e fundit e një poezie përcjell pesë linjat e brendshme e të ndjeshme të vargut. Shembujt janë shumë, por poezia “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” na shpie pikërisht në kuptimin e plotë të kësaj analize dhe vetë strukturës së saj: “Përpiqem të gjej rrënjët e dëshpërimit/ku është mpleksur spiranca e lundrimeve të tua./Hetoj ujërat e kaltërta të syve të tu,/llokoçitjen e halave të qerpikëve, si shelgje lotues,/ku frika ka ngritur folezat e një dyshimi./O brishtësi e trembur, o turbullim miturak,/O trumcak i uritur për një gllënkë qiell,/mos e lerë dritën tënde të përpëlitet nga terri,/mos e lerë shikimin të më pyesë me këmbëngulje/për dramën e një udhëtimi të ndërprerë/që mendon se luhet brenda teje./Ç’dramë? – të them unë. Pa shikomë,/nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit?/A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim/dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para?” (ibid).
Poezia e Agim Matos është një poemë pëshpirtjeje e kombinuar me adekuaten e kujtesës kulturore të mbledhur në vite. Matthew Arnold përdor termin ‘prekës’ dhe ‘ndikues’ ndërsa përcjell një analizë për një strukturë të tillë poetike (Arnold, 2005: 47).  Kur ai ia atribuon këtë me ndjenjën njerëzore mbi një objekt të pajetë si deti, natyrisht bëhet më interesante si nga vetë aspektualiteti Jonik po ashtu edhe nga rrethnaja si tipologji midis formës dhe strukturës. Në të njëjtën kohë ai krijon një ndjenjë të patosit. Lexuesi mund të ndiej simpati për të vuajtur vetë lirikisht mes vargut që pëson në kushtet ekzistuese të rrëfimit filozofik dhe strukturor të poezive. Përsëritja e herëpashershme në disa poezi të Agim Matos, është përdorur për të ilustruar peizazhin e fshehur mes natës dhe ditës në mjedisin bregdetar: “Në ç’liman pret të të brohorasin për finishin?” (ibid). Ajo të çon deri në një pikë kulmore eventuale me: “Vërtet, nuk e di se lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti?”
Në heshtje të dyja këto portretizojnë, ku shfaqen lundrimet dhe shpirti. E para është ajo që mund të shihet. E fundit është ajo që thekson se drita nuk është atje, se ajo nuk mund të shihet më gjatë, rendi është zhdukur dhe lë pas asgjë, por errësira fshihet në shpirt. Në një kuptim metaforik të fjalës, jo vetëm që drita është zhdukur, qëllimi s’ka siguri, por lundrimi që fillon nga shpirti i është qepur pjesës së errët dhe errësira e struk atë. Errësira e bën të vështirë për të përcaktuar pozitën e lundrimit dhe dikush tjetër qaset në këtë mjedis të errët, dhe kurrë nuk mund të jetë i sigurt që do të kthehet drita ndonjëherë, përpos ekzistencës strukturore të vargut. Arsyet janë përdorur në pikë të ndryshme të poezive me efekte mjaft të kundërta, por të hapura në mendim. Studiuesi shqiptar, Aurel Plasari, na vjen në ndihmë kur citon se ‘krijimi letrar, ai poetik posaçërisht, është një akt intimiteti të thellë, fati të brendshëm, dhe si i tillë ka karakter luhatës’ (Plasari, 2010: 7). Më tej për Plasarin, ‘talenti letrar nuk është një continuum, por ka edhe ai karakter luhatës’ (ibid). Tek Agim Mato, ashtu si edhe në rastin e poetëve të mëdhenj, madje të quajtur kombtarë, talenti ka ardhur nga mirë-risia e tij, përkujdesja e ndjeshme shpirtërore dhe ndjesia e organizuar në mënyrë të ndjeshme, gjithashtu, luhatëse.

Ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit

Lundrimi si filozofi në konceptin e Friedrich Nietzsche duhet kuptuar ‘vrulltas në sferën e metafizikës së artit’ (2001: 192). Sipas Nietzsche ‘me këtë rast e quaj të nevojshme ta përsëris edhe një herë tezën e parashtruar më parë, se vetëm si fenomen estetik ekzistenca dhe bota paraqiten të përligjur’ (ibid). E kuptuar kështu detyra e mitit është të na bindë që edhe e shëmtuara dhe joharmonikja është lodër artistike, në të cilën vullneti, në tërë ngazëllimin shekullor që ngërthen, luan me vetveten. Ky mit i ardhur nga filozofia metafizike e ndërlidhjes, sillet mes vargut perceptues të Matos si “Pjalmi i yjeve”, ku thirrja është midis metafizikes dhe estetikes: “I vogël, provoja të fluturoja me krahë dylli,/duke u hedhur nga lartësitë e shkëmbinjve/ të Akrokerauneve/dhe përfundoja shpesh në degët e ilqeve të jugut” (ibid). Ai vjen qartë si vetë ndikimi i lundrimit, pra si filozofi në vargun e poetit: “Po unë nuk u flas viktimave të miteve antike,/i flas shpirtit tim të ngjizur tek ti.” (ibid). Këtu është edhe një lidhje me artin dionisian, ndonëse na bëhet i qartë ndryshe nga rrjedhoja një qasje përmes vleraës së padiskutueshme të disonancës muzikore. Kjo duket qartë në mjaft poezi, por “Planeti me dritë të zezë” është mes një klauzole ku muzikaliteti poetik kryen një funksion midis lundrimit si filozofi dhe asaj që agravon mes botës së rrethnajës: “Gjëmonte Osumi kur të rigjeta. Salmonet/vërviteshin në të kundërtën e rrjedhës,/duke u ngjitur si flurudha të mateshin me zogjtë./Ç’mendoje në ato çaste?” (ibid).
Kjo prodhon edhe ngazëllimin që lindi nga vetë miti tragjik mes vargut, ku retorika hyn në funksion të vetë lundrimit shpirtëror, me anë të filozofisë së mitit të rikrijuar, ose të tejthirrur në funksion të ri tek “Xixëllonjat”: “Nëse do të vish, të betohem, e flaka moshën time,/dhe do të të çoj përdore në lëndinat e pranverave të/reja,/në çastin kur xixëllonjat lajmërojnë se ngrohet koha/ndërsa mbajnë radhën e çeljes së luleve,/të frutave të lidhura/dhe bëjnë inventarin e yjeve.” (ibid). Edhe poezitë e tjera pasuese “Feniksi”, “Ura”, “Zog i trembur”, “Memento”  dhe “Gugushi”, madje edhe gjithë nënseksioni që nis me poezinë në të njëtin titull “Shtëpia ime prej deti” kryejnë një lidhje dionisiane të përftuar madje edhe nga mundimet lundruese të pëshpirtjes, duke na prurë një simetri të ndjeshme brenda një puhize ‘poetike’ të vetë artit poetik.

Puhiza ‘poetike’ e artit poetik

Aspektet e simetrisë në poezi nga mjaft studiues janë marrë për të përfaqësuar tensionin poetik. Në kuadër të procesit kompozicional mes impulseve spontane dhe nuhatjes së brendshme nga njëra anë, dhe më shumë vetëdije e imponuar nga struktura dhe organizimi nga ana tjetër, shihen edhe mjaft poezi të poetit shqiptar, tashmë me emër, Agim Mato. Poezitë e tij të hershme, që shpëtuan përkohësisht nga ‘kartonëzimi’ apo ‘brumëzimi ideologjik’, si “Sazani” (1983); “Mug” (1982); “Pulëbardha” (1980) kanë një konsideratë të tillë të qartë, me të cilën ne do të ndalemi më tej në këtë analizë. Këto forca nuk janë parë si kontradiktore, por si të nevojshme dhe plotësuese, elemente të muzikalitetit poetik, me një ngarkesë strukturore, ku spikat nevoja për ekuilibër midis të dyjave (poetikës dhe muzikalitetit) është konsideruar thelbësore. Intuita, ose sensi logjik i poetit, luan një rol të rëndësishëm në afrimin e elementeve të ndryshme të procesit kompozicional në një tërësi muzikale me simbiozë artistike dhe me një penelatë piktoreske të akuarelit mendor, ku ngjyrimet janë kaçube të detajuara e të minidetajuara spatulanteske, të cilat babai i spatulës në pikturën shqiptare, mjeshtri Sefedin Agolli, do t’i quante arti që të jep shpirti.
Struktura, si formale dhe e konceptuar ndryshe, ka një pjesë të madhe për të luajtur, por pasi organizimi logjik është jo nga tema të frymëzuara automatikisht, në penelatën poetike të Matos, aq edhe në timbrin muzikal të poezive të tij, do të krijojë një pjesë të kënaqshme të muzikalitetit të fshehur në determinim, por të hapësinuar në shpirtqasjen poetike mes logjikës, konceptualitetit dhe funksionit filozofik të kohës, vendit dhe hapësirës. Ja konceptualiteti, funksioni filozofik dhe shpirtaqasja poetike si funksionojnë tek poezia “Sazani”: “Dhjetë kilometra të një toke në det/si shpina e një peshku mbi ujë,/po sa u munduan/ta zinin në rrjetë/të ardhur nga tejdeti/gjeneralët e huaj./Po unë i sajti do të jem nga shokët poetë/që vargje shkruaj për ishullin tim,/për ishullin që rri/i ngjeshur në helmetë/te porta e Atdheut/në përgjim?” (ibid).
Për poetin Mato, qasjes në ndjenjë intuitive mund ti arrihet edhe duke mbajtur parasysh një ‘poemë’ të veçantë ‘, foto ose pikturë tonike, si një parim të përgjithshëm organizues. Kështu poezia, në kuptimin më të gjerë, ka udhëzuar në heshtjen e saj mesazhiere formën e përgjithshme të shumë prej kompozitave muzikale, si dhe sigurimin e stimujve fillestare. Për qëllim të analizës dhe diskutimt, ky shkrim ndan copat e portofolit shoqërues në tri grupe kryesore, në mënyrë që të përshkruajë rolin e veçantë të stimulit poetik, organizimit simetrik fushën dhe veprimin intuitiv mes forcave integruese. Nokturni i fundit është përdorur për të ilustruar se si të gjitha këto aspekte janë sjellë së bashku në një copë. Ndaj edhe hyrja në këtë studim na sjell hapësirën kilometrike mes poezisë së Matos, ku ‘Dhjetë kilometra të një toke në det’ nuk janë thjesht ajo që lexojmë ‘si shpina e një peshku mbi ujë’, por logjika me të cilën funksionon simetrikja dhe asimetrikja e shekujve me gjeneralë, pushtues e ardhës e ikës tek ‘porta e Atdheut’. Dhe ajo është “në përgjim?” Poeti e di më së miri këtë nga bunkerizimi, nga vetë ishulli që ka emrin “Sazani” dhe jo thjesht në krye të poezisë.
Ndër poetët më me ndikim në këtë pikë të hershme të autorit Mato, janë ndoshta emra të cilët vijnë nga kultura e ashtuquajtur ‘e artë poetike’ e poetëve të pyllit të madh rus, mes të cilit lastarë të njomë lisash dhe mështeknash mbajnë ende kampionin e qasjes. Këtë qasje nga periudha e fundit e simbolizmit në fundin e realizmit socialist (simbolistë, futuristë, imazhionistë, akmeistë e socrealistë) të gjithë të zhgënjyer nga epoka e socializmit e mbajnë strofkave të arta të letërsisë Blloku, Pasternaku, Mandelshtami, Cvetajeva, Esenini, Jevtushenko, Ahmadulina dhe Brodskij. Dhe qasja e ‘ndikuar’ kapërcimërisht në vrugun e zellit dhe të pasionit është marrë e konsideruar si e tërhequr nga muzikaliteti dhe simetria mes strukturës dhe trajtesës së temave dhe poezive tyre, idetë dhe teoritë e tilla që u ndriçuan prej analistëve të mëvonshëm. Muzikaliteti dhe poezitë e tilla me muzikalitet dhe simetri kanë pasur, gjithashtu, një ndikim të rëndësishëm në kompozitat e mëvonshme poetike shqiptare, nëpërmjet mendimeve të qasura në procesin kompozicional dhe rolin më të gjerë të muzikalitetit në poezi.
Më tej këtë muzikalitet e ndiejmë në poezinë tjetër “Mug” të poetit Mato. Ja si shkruan ai me zellin e penelatën e tij të brendshme:“Rrija vetëm me gjithësinë./Mbaja vesh puhizën e yjeve që çelnin si luleshqera...”. Është ky muzikalitet poetik që ndihet si nga mesazhi, struktura, po aq edhe nga zbrazëtia si nocion filozofik. Çfarë e bren shpirtin e poetit? Pse ai gjendet ‘vetëm me gjithësinë’? Të gjitha këto kuptohen qartë. Ai kishte një baba që dinte të sillte gjëra të reja në jetë, që dinte të mbante gjallë shqiptarinë edhe në emrat e fëmijëve (Agim, Luan, Vullnet, Pemul etj.) Emra që i jepnin më shumë liri, por edhe një zbrazëtirë që dikushnaja ose rrethnaja do ta cmirëzonte dhe kjo do të ndihej atje, pikërisht ku arti flet me heshtjen, në artin poetik të Matos...Ja si shkruan poeti dhe hulumtuesi Timo Mërkuri kur shprehet për  vëllimin poetik “Fundo” të poetit Agim Mato në  ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”: “Pak e dinë  se jeta e Agim Matos ka kaluar mes privimeve shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të rëndomtat, për vetë karakterin klasor të sistemit që lamë pas.  Arrestimi dhe dënimi politik i të atit i solli si pasojë  heqjen e të drejtës së botimit. Ndonëse ai  pohon me sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës së botimit,  solli një heshtje gati 30-vjeçare të këtij bilbili të poezisë shqipe..” Mërkuri që thuajse i di të gjitha, ndoshta jo ato zbrazëti mes vargut ose heshtjes ‘me gjithësinë’ të poetit Mato, shton se ajo kohë “Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte kohë  brohoritjesh.. ..Dy ditë me radhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …” Sipas Mërkurit “Kështu shpjegohet fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korrigjonte e sidomos…heshtëte si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në buzë”, duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm… Dhe unë, ndërsa kujtoja dhe shkruaja  këtë fakt, s’di pse nisa të rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë  vargjet…Vetëm neve na kërkojnë/çertifikata virgjërie.
Për Mërkurin më tej “Kjo puna e “biografisë” së tij edhe mua  më nxori disa herë “telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “  këshillonte babanë, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që kishte me të birin e një të  burgosuri politik”. Im atë   më  pyeste i merakosur  se…  “mos  do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani që  s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me faktin se  para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja ime  e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ia mbushte shumë mendjen. Po ja që   një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik “Jug” të Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.” Kur ‘kartonizohej’ shpirti poetik, sillej ngarrendja e trullosur e gjeografisë, jo asaj poetike. Nuk ishte gjeografikisht e qartë. Nuk ishte as gjeografia e mitit, as Çaoshi - Kaosi (gjer. Chaos) që vinte nga shpatullat e erës karshi brigjeve të detit Jon. Turfullima e quajtur nga ata që kapërcyen Qafën e Gjashtës ditën me erë e shi të vrullshëm, tufan i padukshëm, kapërceu edhe dallgën e fundit që u shtriq matanë ngrehinës ku darkonte poshtërsia e rastit. Kjo fjalë e greqishtes antike që kishte veti të vrazhda, që para krijimit dhe pas çdo shkatërrimi të Universit, kishte arsyet e fshehta të qëndronte në shpirtin e Zojës së Botës. Me këtë, vetë Zoja ishte një gjendje tipike si “rrjedhë e përhershme” e ujëgrykësive, para se lënda të shpërthente e të merrte formën për të krijuar botën e ngurtë. Çaoshi ose Kaosi, në Bibël, shpjegohet si një gjendje e Botës para krijimit, me kuptimin “shkretëtirë” dhe “bosh”. (Shiko dhe Kijameti, Dita e Madhe e Gjykimit Botëror, Tiamat.) Me këtë rast shamata pëshpirtej mbi një dosje dhe pika e fundit e turfullimës që u quajt tufan i padukshëm, ra dhe pikoi mbi një katrama, ku shtroheshin tërë shpirtëza të fjalosura mes mendjes dhe shpirtit, ato gjallesa të pafalshme, të pagojta, librat e Agim Matos. Dhe turfullima e ndihte shpirtërimën dyfishe të Matos, ku ai i Remziut, babait të tij, që ndiehej burrëror për të birin e tij, që kur nisi të kapërcente mendimin filozofik të penelit, e ta vishte atë me mendimin filozofik të vargut. E kishte prurë lehtas këtë në mendjen e tij intelektuale, ai njeriu i dashur, që ishte dashuruar me ‘magjinë’ e fotografisë dhe ndaj te kartonëzimi i Matos, nuk mund të bëhej ndryshe kartonëzim i Matove.
Agim Mato, leximin e kishte të hapur e të mbyllur në shpirt, ndjesinë e udhëtimit poetik e ndjente dhe qaste bulëzëshëm amshimin jonik, kur valët dhe dallgët kërkonin fatin e tyre të stërkalizuar falë pikërisht atyre tufaneve të padukshme. Dhe Saranda dukej një kornizë e vogël, ku ai varte dita-ditës portretin e tij poetik, që ia lexonte vetëm shpirti e ndonjë nga miqtë e tij të hershëm, të paktë të tillë, por jo të vetëm, si Pandeli Koçi, Kiço Papa e deri sa fjala e Fatosit, të madhit të letrave shqipe, do t’i jepte gjithnjë një shtysë të nëndheshme. Kjo i jepte jetë. I jepte jetë atij edhe pas kartonizimit të ‘shpirtit’ të tij të lirë poetik... Dhe ai jetoi bashkë me vargun, me poezinë e poezitë e tij në vite e vite, deri sa një ditë, trokitja ime më shfaqi kokriza të vërteta diamanti, në një lexim të sypërsyshëm. Më tej, teksa nata vishej me mëndafshin e saj të lehtë veror, e palma bulonte nga gushtësia e zagushisë, letër pas letrash ndjeva riardhjen e një pene, të cilën e kisha ndjerë më herët nga fjalët e Myrtajt, Farukut të letrave shqipe.
Ngarendshëm, retë e ardhura të atyre kohëve, me ardhje-ikjen e disa viteve më pas, krasitën dilemën e poetit, që kishte pësuar goditjen më brutale, por me një fat, ose më saktë siç Koçi citon se “Agim Mato është një dukuri e dhimbshme. Atë vetë nuk e futën në burg si të atin për “politikë”, por e përjetoi  në mënyrë të dyfishtë. Ishte aq i zgjuar sa shmangu hekurat në duar e në dritare. Por ai e provoi burgun e të atit ekonomikisht, shpirtërisht e potencialisht. Ai provoi në kurriz robërinë e burgut të madh me emrin “diktatura e proletariatit”.” E provoi këtë se duhej që Mato, i riu, drita e syrit ‘magjik’ të babait që e donte shumë të ‘shuhej’ ngadalë dhe letrat të kishin formë tjetër. Të kishin atë formë që do ta merrnin në korrikët e kartonizimeve të asaj kohe, në korrikët kur grushti ngrihej lart dhe godiste, ishte në të vërtetë fat që ai mos të të vriste. Mos të vriste siç kishte ndodhur me poetët e tjerë të kartonizuar e të izoluar, burgosur e të torturuar. Por edhe me një fakt që vinte nga fati i të tjerëve të kampit ku militohej nga fillesa e pasluftës. Dhe çuditërisht korriku që i kishte marrë jetën poetit të madh bullgar Nikolla Vapcarov, si për ironi të fatit do t’i merrte ‘jetën’ në një kohë tjetër më të largët, librit të Matos. Jeta duhej revolucionarizuar dhe vdekja si pasojë duhej të vdiste në mënyrë revolucionare. Kartonizimi sakaq ishte kapërcimi i shamatshëm i Qafë Gjashtës, në atë ditë-natë me stuhi, furtunë të padukshme.
Atëherë, qartësia e vonuar e “Mug”-ut poetik në shpirtin e tij është më shumë se një asimetri me kohën që jetojmë. Prej kohësh arti i tij poetik pret vendin e duhur, ndoshta më shumë se sa shpirti i tij i tendosur deri në këputje. Ajo këputje që vjen herët nga “Mug”: “...mbaja vesh detin atje poshtë,/frymëmarrjen e guvave të tij si ca gërhitje balenash./Një xixëllonjë u shpëtoi zjarreve të perëndimit dhe u end/sipër meje/me një hënë të vockël nën bark...” Kjo na shpie në një lidhje me substancën e tringëlluar të ashtuquajtur “Kështjella e soc-realizmit?” Nuk e di, a duhej vallë karton të ndërtohej “Kështjella e soc-realizmit?” Dhe nëse duhej, nuk besoj se kartoni i poezive të tilla do ta mbante atë në jetë. Vetë këto vargje do ta shkrinin atë si shkumë valësh deti Jonian, që në akuarelin e spatulën poetike të Matos, do të sillnin vetëm polen: “Ja Rozafa. Gjiri i bardhë i skalitur në hyrje të kështjellës/pikon  qumësht./Lindnin shekujt, pinin qumësht te ky gji i kohës,/pinin mushtin e lirisë, /që rridhte nga gjëndrat e tokës/dhe rendnin pastaj mes luftërash, /rendnin mes lavdish...”
Diku në studimet e mia, në një material të papublikuar ka një lidhje të hershme të një udhë-shkrimtareje britanike që e quan kërkimin e bletës në pyje, si një veçori karakteristike e zonave shqiptare, të cilat e donin mjaltin në sofrën e tyre. Dhe e dini si shprehet ajo? Ja kështu: “Unë ecja në trevën me shqiptarë dhe ata bërtisnin për të risjellë bletët punëtore duke nxjerrë zëra melodikë në korr: “Bletë, bletë..., matoja jonë e ëmbël, mato, mato ..., bletëza jonë mjaltërore...”. Nuk e di në fakt nëse kjo lidhje e ka sjellë nektarin poetik të Matos ... në këto mjaltërime që flasin qartë dhe bukur edhe sot, edhe pse klubi i atëhershëm i shoferëve, që ndoshta rishtas e shohim tek “Udhëtim në Pranverë” nuk ekziston, edhe pse “Deti i plugimeve te reja” dëshmon qashtër dhe ndjeshëm: “Eja, e dashur, anës së detit /me sytë e mirë si qielli, /si trungje dallgët rrokullisen /dhe çahen, përflakur nga dielli./Ja, këtu do ngremë qytetin./Më të blertë se ky s’do të ketë, /mbi të kapshtie portokallesh /dhe radhë brezarësh gjer te retë.” Dhe ja le ta themi me vargun e fundit.... poezi të tilla enden e enden përjetësisht vetëm “Enden qyteteve të kaltëra.”
Poezitë “Zhytem” dhe “Plazhi i krorëzës” kanë në vetvete modelin ku shihet qartë qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë te poeti që tashmë zotëron dhe konkurron ndjeshëm. Në thelb është vetë ajo ‘puhizë’ poetike që qartëson: “Këtu natyra është si në ditën e krijimit të botës./Edhe rëra e plazhit,/edhe shkëmbenjtë që dalin nga uji,/edhe deti,/edhe fundi i tij/mbajnë të pashqitur pullën origjinale të krijuesit.” (ibid). Më tej edhe rreth njëqind poezitë e autorit kanë brenda puhizën e vet e të detajuar imtësisht. Ajo që na shtyn është vendi që ata meritojnë.

Duke përfunduar

Analiza e poetikës dhe vlerave poetike të poetit Agim Mato te “Lundrimet” na shpie mes vargut në një sipar të hapur trepërmasor të hapësirës, vendit dhe kohës. Ajo na sqaron vlerën e një filozofie të tejdukshme që vjen nga lundrimi shpirtëror si imitim filozofik i jetës dhe rrethnajës metaforike të detlidhjes dhe tërë asaj ku ‘banon’ vargu poetik i Matos. Është një arsye më shumë se fakti i leximit, ajo që na detyron të huazojmë nga W. H. Auden se ‘Një poet është, para së gjithash, një person me pasion, që na detyron të gjithë neve që kemi një dashuri të madhe për gjuhën’. Dhe këtë ai e bën mjeshtërisht, poetikisht. Pra, duke përfunduar mund të themi se për ta vlerësuar si duhet aftësinë agimiane të këtij apo atij vargu, duhet të kemi parasysh jo vetëm bardhësinë e vargut të tij, por në po atë masë edhe mushtin dhe muzën poetike të tij, si dëshmi e dytë e kësaj aftësie. Duke i vendosur pranë e pranë Agim Maton dhe poezinë e tij, sepse ata të një udhe janë, të një shpirti, kemi të drejtë të hamëndsojmë se me arsyen e lundrimit filozofik rritet edhe lundrimi shpirtëror poetik.

Referenca:
Arnold, Matthew (2005) Prose, Poetry and Writing. London: Metuen.
Çabej, Eqerem (1939) Një skicë historike e literaturës shqipe. Shkodër: Shtypshkronja Franceskane.
Jung, Karl (2008) Ëndrrat e filozofia. Londër: Penguin.
Mato, Agim (2014) Lundrimet. Sarandë: Milosao.
Mërkuri, Timo (2012) “Kur flasim për Artin Jonian”. Sarandë: Milosao.                 
Nietzsche, Friedrich (2001). Lindja e tragjedisë. Tiranë: Eugen.
Plasari, Aurel (2010) Dy fjalë për rileximin e poetit. Tiranë: GEER.
Terziu, Fatmir (2012) Joni Poetik. Londër: Lulu.

Tuesday, 18 February 2014

Trëndafili rrënjët i ka në tokë…





(Mendime gjatë promovimit të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel Papakristo)

timo
nga Timo Mërkuri

Ndërsa poeti Niko Kacalidha mbaroi paraqitjen e analizës letraro-artistike të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel Papakristos, roman që u promovua të shtunën e kaluar nga Klubi i Krijuesve Jonianë në Sarandë, nuk e di pse analiza e tij mu duk, jo vetëm e arirë artistikisht ( dhe që me të drejtë u duartrokit), por edhe brenda një formati diplomatik. Njëfarë trëndafili në …gotë.
Po ja që unë jam mësuar ti shoh trëndafilat të mbjellura nëpër oboret e shtëpive dhe aty kam parë se ato i kanë rrënjët në tokë.
Niko Kacalidha, si ish ministër shteti, nuk mund ti largohej dot formatit diplomatik, por unë s’kam ndërmënd të bëhem ministër ndonjëherë, prandaj i shoh trëndafilat, jo vetëm nga petalet por edhe dheun ku kanë shtrirë rrënjët. Ose më saktë, ushqimin që kanë marrë për tu bërë aqë të bukur.
Kështu e pashë romanin e Vangjel Papakristos. Artistikisht të bukur, ushqyer nga jeta e tij e stërmunduar. Jo vetëm një roman biografik, por një dëshmi e jetës së një komuniteti minoritar i cili gjithë jetën ka emetuar humanizëm dhe miqësi.
Është i dyti libër që lexoj nga ky bashkëqytetar i imi, dhe që të dy, të përkthyer nga greqishtja. Kur në vitin 2010 lexova nga ky autor librin me tregime “Ditë agonie” u rrënqetha qysh në faqet e para. Skenat e dhunës policore të diktaturës, të cilat vetëm sa i kisha dëgjuar të vinin tek unë gojë mbas goje, në formën e një legjende, brofnin para syve të mi jo faqe mbas faqe libri por edhe rresht pas rreshti. Dhe më dukej se më tundnin gishtin me qortim, sikur më thoshnin…kaqë shpejt na harove.
Pastaj erdhi ky roman rrënqethës me skena të zymta torture e tmeri, sa që të dukej se po ecje nëpër dhomat e torturave të Gestapos. Pas çdo faqeje luteshe të mos përsëritej tmeri i përjetuar në faqet e para. Të dukej se po ecje nëpër një natë në furtunë dhe kërkoje medoemos dritën e një ylli pak para agimit. Sa për tu orientuar. Sa për të marë frymë.
Dhe kur kjo dritë të vinte, ajo kishte formën e zemrës së nënave minoritare, djemtë dhe burrat e të cilëve masakroheshin nga diktatura. Ato yje që dukej se binin, nuk qenë meteorë. Qenë lotët e tyre prej nëne zemërbardhë e rrobazezë.
Unë i kam para syve ende skenat makabre të tërheqjes zvarrë përmbi valët e detit, të lidhur pas motoskafëve të policisë, të trupave të të rinjve, të vrarë në tentativë për tu aratisur. Ose zvaritjen nëpër rrugët e Sarandës, të të rinjve të kapur në këto tentative. Akoma më ushtojnë nëpër veshë klithmat…këta janë armiqtë e Partisë, bjeruni…Akoma e kam para syve heshtjen stoike të të rinjve të lidhur e të goditur…
Unë këto ende i kam parasysh, si… fushëbeteja të …luftës së klasave…,ndonëse në fakt qenë ekspozime të dhunës policore politike mbi popullin.
Por nuk dija gjë për dhunën policore të ushtruar mbi minoritetin. Ose më saktë, askush nuk më kishte treguar gjë për ‘të. Thuaj se përbënte sekret shtetëror. Vetëm se dëgjonim se si disa “gango” qyteti flisnin me përbuzje për minoritarët dhe të folurën e tyre.
Duke na imponuar me zor njëfarësoj buzëqeshjeje, që më shumë shkaktohej nga ngërdheshja e tyre se sa nga ajo që ata donin të ironizonin. Duke na imponuar edhe njëfarë distancimi…Edhe për shkak të moskuptimit të gjuhës së tyre prej nesh, sepse bashkëmoshatarët tanë minoritarë e dinin shumë mirë gjuhën tonë dhe flisnin lirshëm me ne. Por pikërisht këtë lirshmëri bisedash e mardhëniesh kërkonin të largonin segmented policore. Që të mos i kuptonim, që të mos i mbështesnim para dhunës politike.
Para asaj dhune, që e përshkruar mjeshtërisht nga Vangjel Papakristo, na tregon se:
- Kjo dhunë dhe skena terori nuk qenë dëshmi force. Këto qenë dëshmi frike e një regjimi në rrënie nga kalbësimi. Nuk thotë më kot populli…rruaju nga frikacaku sepse ai të vret. Trimi të fal.
-Lufta e klasave ka rrënë me tehun e saj të lemerishëm në minoritetin grek në Shqipëri me një goditje ritmike e të shumfishtë, krahasuar kjo me goditjen e saj në trevat e tjera të vendit.
Tejë fasadës së Kuvendit me nënkryetare minoritaren Vitori Çurri, tejë fasadave të shtëpive dropullite, të lyera me gëlqere të bardhë, kryesisht në fshatrat e Vurgut gëlonte mjerimi dhe dhuna policore. -Dhe kësaj dhune politike i shtohej edhe aroganca nacionaliste e segmenëve dhe elementëve të caktuar policorë. Një dhunë e dyfishtë mbi një minoritet paqësor.
-Ky minoritet, përballë kësaj aroganve policore e nacionaliste, si mburojë pati vetëm shpirtin e tij të madh human, i cili mbrujti qëndresën.
-Edhe faljen, si askush tjetër.
Këto mendoja në momentet e promovimit të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel Papakristos, subjekti i të cilit është jo vetëm biografia e autorit dhe familjes së tij.Por e një komuniteti të tërë , shumë pranë nesh. Por që ne nuk e kemi dëgjuar sa duhet, atëherë kur duhej ta dëgjonim. Dhe që bijtë e tij ende nuk e kanë bërë prezent sa duhet e si duhet në jetën tonë dhe në letërsinë shqipe, duke lënë në to një boshllëk. Një boshllëk që nuk e mbulon dot vetëm një roman i Vangjel Papakristos. Ky roman vetëm sa dëshmon për të.

URA

URA
Nga Agim Mato











Tani mbahem fort nga vizioni yt.

Ndiej një rikthim të çuditshëm te fuqitë e shpirtit...
Përkëdhel në ajër imazhin tënd,
të prek lehtë dhe të them:
“Çfarë magjie kanë në këto çaste sytë e tu?!”

Nuk të shoh gjatë që të mos më lëndojë mungesa
e tyre.

Kurrë nuk të mendova të trupëzuar,
por si një përzjerje ëndrrash.

Si një mjegullnajë e gjithë ndjesive të mia.

Zotat deshën të ishim larg
dhe derdhën energjitë mbi mua
të ngre këtë urë qiellore të poezisë,
që përshkënditet në hapësirat deri te metropoli ku
rron.

Vete e vjen ty nëpër atë urë prej drite
ku bien gjethe hëne e luspa yjesh,
ku varen çarçafet e reve, diejt e horizontet mbrëm-
ësore
nën tingujt e një muzike
që luhet në ato çaste nga shpirtrat tanë.

Tërë ajri që thithim në mushkritë tona
mbushet me kopshte të lulëzuara.

Jeta na provon se është një vuajtje e bukur.

Kam këtu një çelës të kaltër të syve të tu
dhe di të shoh nëse është turbulluar
rezervuari i dritës brenda tyre.

Tani mbahem fort nga vizioni yt.