Shqyrtimi i
gjakmarrjes në gjykimin e vilajetit të Himarës gjatë okupacionit Italian.
Nga Timo Mërkuri
Në Prill 1941, të Prëmten e Madhe, në një stan në
malin e Levanit, nga borshiotët Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boci bashkë me dy vëllezër nga Sasaj, u masakrua
Foto Prifti nga Piluri i Himarës me gjithë familjen e tij, që përbëhej nga e
shoqja- Agustella, djemtë Spiro dhe Zaharia dhe vajzat Eleni, Katerina,
Lefteria dhe Llambrinia. Ju grabitën 600 krerë bagëti të imta të cilat u shitën
në krahinën e Mallakastrës.
Familjen e Foto Priftit gjatë shtegëtimit të saj nga
Piluri për në Sarandë e zuri nata në malin e Levanit, pranë Sasajve. Duke qënë
se në atë fshat Foto Prifti kishte disa
miq, mendoi se do ishte i mbrojtur nga e drejta zakonore e mikut (miku I nje
familjeje të fshatit, në teritorin e fshatit ishte i mbrojtur nga gjithë
fshati).
Me këtë mendim, mblodhi dhëntë dhe filloi ti milte
edhe me qëllim që ti shkonte miqve për vizitë dhe tu kërkonte mbrotjen e
zakonit. Por sipas zakonit pilurjot, nuk mund të shkonte te miku me duar bosh,
ndaj mendoi t’u çonte qumësht të posamjelë dhe djathë.
Ndërsa ky pregatitej për vizitën e menduar, në stan i
shkuan Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet
Boçi nga Borshi bashkë me dy burra nga Sasaj. Ju paraqitën si miq që i zuri
rruga pranë stanit të tij. Foto Prifti, sipas zakonit, i mirëpriti. Theri një
mish, e poqi dhe ua shtroi për darkë.
Mirëpo, thuhet se, qeni i stanit e ndjeu ligësinë e “miqve”, lëvizte e
donte të këpuste zinxhirët. Por Fotua i bërtiti qënit që të rinte urtë e të mos
i shqetësonte miqtë tek po hanin mish e pinin rakinë e mikpritjes.
Pasi hëngrën dhe pinë, “miqtë” nxorën thikat dhe
pabesisht, papritmas, u sulën e masakruan të parin Foto Priftin. Pastaj vranë
gruan dhe fëmijët ndërsa vajzës Eleni i rezervuan fatin më të zi, e përdhunuan
mizorisht të tërë me radhë dhe në fund e vranë... Zaharia, duke përfituar nga
rrëmuja, si fëmijë I imët që qe, iku dhe u fsheh, por pas tre ditësh e kapën në
rrugë, e prunë dhe e vranë pikërisht te
vendi ku kishin vrarë dhe pjestarët e
tjerë të familjes. Vrasësit kishin vrarë edhe qenin e stanit* dhe e kishin
hedhur mbi kufomat e pjestarëve të
familjes.
U grabitën 600 krerë bagëti të imta, veç mushkat dhe
inventari i stanit dhe u shitën në zonën e Mallakastrës, jo vetëm për përfitim
por edhe për të fshehur gjurmët e autorësisë.
Kur u zbulua vrasja, u përfol si shkak i saj një lloj
hakmarjeje për një vendim që kishte marrë Gjykata Ushtarake
Greke, e cila paskësh dënuar me vdekje dhe ekzekutuar dy banorë nga Borshi të
quajtur Zeko Xhelilin dhe Xhevit Kambo,
duke i akuzuar për veprimtari spiunazhi në favor të Italisë. Por duke qënë se
asnjë lloj lidhjeje nuk egzistonte midis
pilurjotit Foto Prifti dhe familjes së tij me gjykatën dhe ushtrinë greke, atëherë
u përdor version fetar, pilurjotët dhe grekët kishin të njëtën besim,
ortodoksinë.
Por ndërkohë vëllëzërit e Foto Priftit, Savo dhe
Polimer Prifti kërkonin me insistim autorët e kësaj masakre. Zbulojnë emrat e
autorëve nga Borshi ndaj shkojnë dhe I kërkojnë në vend, por ata ishin larguar
nga fshati. Theksojmë se pleqësia e fshatit Borsh i denoncoi autorët dhe nuk i
fshehu, ndoshta edhe nga fakti se ata ishin larguar nga fshati apo edhe nga
frika e autoritetit dhe emrit të Savo Priftit. Pleqësia e fshatit Sasaj nuk i
denoncoi autorët nga fshati i tyre dhe as i dorzoi.
Atëherë Savo Prifti dhe Polimer Prifti menduan të
marin hakun sipas zakonit, duke qëlluar jo dorësin (vrasësin) por mbrojtësit e
tyre dhe pikërisht kryepleqësinë e fshatit Sasaj. Kështu që u çuan lajm sasajotëve
të dërgonin përfaqsuesit e tyre në një takim me pilurjotët për të biseduar
kushtet e pajtimit të gjakut.
Takimi u la të bëhej te një vend, pranë urrës që
bashkon fshatrat Sasaj dhe Piqeras, në datën 4 mars 1943, ditën e ënjte, në orën
5 mbasdite.
Pilurjotët Savo e Polimer Prifti, niprit e tyre
Leonidha dhe Jani dhe kushërinjtë e tij Sokrat Prifti e Sokrat Mërkuri rrethojnë
vendin në një distancë të largët dhe dergojnë vetëm një njeri, përfaqsues të
tyre në takim.
Nga Sasaj erdhën 8 përfaqsues.
Në bisedime pilurjoti kërkon dorësit (vrasësit) dhe
duke qënë se pala tjetër refuzon dorzimin, me preteksin e urgjencës së kryerjes
së nevojave personale largohet nga vendi i takimit dhe u jep shenjën bashkëfshatarëve
të tij, të cilët hapin zjarr me armët që kishin me vehte...
Takimi u shndrua në një masakër. Nga sasojët u vranë Osman
Husi, Barjam Haxhi, Aqif Rizvani, Resul Duka, Selim Qejvani, Dervish Ahmeti e
dy të tjerë.
Çështja kishte
rrezik të dilte jashtë kontrollit dhe të mirte përmasa të mëdha. U pleksën të
drejtat zakonore të hakmarjes me ato të
përplasjes së besimeve fetare.
Më 28 Mars 1943, në fshatin Kudhës, në shtëpinë e
Petro Kambuçit, mbi kërkesën e fshatrave myslimane, të trevës së Bregdetit e Kurveleshit,
u bë mbledhja e Gjyqit të Vilajetit të Himarës*, e cilau zhvillua gjatë katër ditëve. Sqarojmë se Gjyqi i Vilajetit
kishte një forcë të tillë që gjykatat shtetërore nuk mund të abrogonin vendimet
e saj në asnjë rast.
Procedura që është ndjekur dhe debatet në këtë Gjyq sipas procesverbalit të mbajtur
në vend.
Në muajin prill 1941, ditën e të Premtes së Madhe, pas
tërheqjes së ushtrisë greke, në një stan midis Tatzatit dhe Piqerasit, nga
borshiotët Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boçi u çfaros familja e Foto
Priftit nga Piluri I Himarës. Familja e Fotos që u masakrua dhe u vranë përbëhej
nga 8 frymësh dhe pikërsiht: 1- Gruaja e tij Agustella, 2-djali Spiro, 3-djali
Zaharia, 4- vajzat Eleni, Katerina,Lefteria dhe Llambrinia. Vajza Eleni më parë
u përdhunua pastaj u vra.Djali Zaharia u iku nga duart dhe u msheh*, por pas
tre ditësh u diktua dhe u vra atje ku kishin vrarë dhe pjestarët e tjerë të
familjes. Shkaqet e kësaj masakre ishin për hakmarje për vendimin që kishte marë
Gjykata Ushtarake Greke e cila i dënoi me vdekje dhe i ekzekutoi Zeko Xhelilin
e Xhevit Kambon si spiunë të Italisë.
Në datën 4 mars të vitit 1943, ditën e ënjte në orën 5
të mbasdites, në urën që bashkon katundin Sasaj dhe Piqeras, në një arrë afër
xhadesë, vëllezërit e të vrarit Foto Prifti të quajtur Savo dhe Polimer, nipërit
e tij Leonidha dhe Jani si dhe kushërinjtë Sokrat Prifti e Sokrat Mërkuri, për
të marë hakun, vranë sasanjotët Osman Husi, Barjam Haxhi, Aqif Rizvani, Resul
Duka, Selim Qejvani, Dervish Ahmeti e dy të tjerë, të cilët u tërhoqën aty me
preteksin për të biseduar çështjen e vrasjes së Fotos dhe familjes së tij.
Në 28 Mars të vitit 1943 në fshatin Kudhës, në shtëpinë
e Petro Kabucit, mbi kërkesën e fshatrave myslimane të trevës së Bregdetit e
Kurveleshit, u bë mbledhja e gjiqit* të vilajetit, e cila mbajti katër ditë dhe
morën pjesë në të përfaqsuesit e këtyre fshatrave:
Nga Nivicë Bubari: Miltiadh Papadhima, Stefan
Thomagjini e Filip Dhimërtika
Nga Shën-Vasili: Spiro Gjoni e Spiro Nako (Dajko).
Nga Dhërmiu: Kosta Goreci, Nikolla Jani.
Nga Piqerasi: Gogo Llaçi e Vangjel Janji
Nga Palasa: Leka Andoni dhe Vangjel Jani.
Nga Vunoi: Pilo Ziso, Taso Pilo, doktor Pavllo dhe
Naqe Kapo.
Nga Himara: Jorgo Bollano,Niko Kaçelano, Petro Konomi
e Thanas Zoto.
Nga Piluri: Dhimo Gërdhuqi e Dhimitër Lapa.
Nga Kudhësi: Thanas Kushta, Kostandin Prifti etj.
Nga Qeparoi: Grigor Polo, Kozma Mati dhe Naqe Foto
Nga Lukova: Vasil Prifti.
Nga Vromeroi: Kiço Kola
Nga Çuka: Vangjel Labo
Nga Kalasa: Zenel Bajrami
Nga Tatzati: Ahmet Tahiri e Shaban Huti.
Nga Ftera: Mustafa Kofina.
Nga Çorraj: Kristo Dhrami dhe Vesel Aliko (fshat i
përzier mysliman dhe ortodoks)
Nga Borshi: Asllan Beqi e Fuat Ahmati.
Nga Kuçi: Rrapo Ali, Xhevid Çufe e Hamit Ago
Nga Kallarati: Veliko Murati dhe Izet Bushi
Nga Vranishti: Selfo Xhani, Murat Avduli, dhe Murat
Myftari.
Nga Tërbaçi: Murat Veliu, Elmaz dhe Rrapo Meta
Nga Bolena: Bako Shameti
Nga Ramica: Bardhok Halimi e Rexhep Sulejmani.
Nga Smokthina: Dalip Manxhari dhe Sefo Emini.
Në mbledhje u përmënd dhe çështja e gjakut të dy
ushtarëve grekë të transportit, të cilët u vranë nga çeta e Borshit si më sipër*,
gjatë tërheqies së Ushtrisë Greke.
Në diskutim i pari e morri fjalën Miltiadh Papadhima
nga përfaqësuesit e Nivicës i cili tha:
-Mbasi çështja e vrasjes të ushtarëve Grek ka marrë ton
të ashpër, unë mendoj që këtë çështje të mos e marrim në shqyrtim dhe të mos e
përfshijmë në llogarinë e gjakut, mbasi ata kanë nikoqir Grekë, të cilët do të
vijnë të marrin hakun, por vazhdojmë;
-Duhet ti jepet rëndësi e madhe çështjes sepse: e
shoqja e Foto Priftit, Angustella, ishte 9 muaj me barrë kur u vra dhe vajza e
tij Eleni, duke qënë e virgjër e çnderuan vrasësit brutalisht gjithë ditën për
të ngopur epshet e tyre shtazarake, dhe pastaj e vranë. Gjithashtu rëndësi
duhet ti jepet dhe faktit të vrasjes të qënit të stanit, që ja vunë në gojë të
vrarit Foto, kështu që edhe qëni duhet të llogaritet si gjak trimi.
-Priftajt, theksoj ai, për 600 kokë bagëti, që grabitën vrasësit dhe u
shitën në Mallakastër, nuk kërkuan dëmshpërblim dhe as pranuan para që ofruan
vrasësit për shlyerjen e gjakut.
-Të gjitha këto duhet të çmohen me rëndësinë e tyre që
kanë sipas zakonit dhe përfundoi duke thënë se llogaria e Priftajve nuk është e
mbyllur me vrasjen e 9 vetave nga Sasaj, por me që tani jemi në kohë lufte,
duhet që gjyqi i zakonit të vendos armpushim të përkohshëm për ta shqyrtuar çështjen
në periudhën e paqes.
-Duke marrë fjalën përfaqësuesi i Kallaratit, Veliko
Murati, propozoi dhe ai për armpushim të përkohshëm dhe shtoi se fshati Sasaj
ka hak për të marrë nga Piluri, sepse vërtet që nga këta u vranë 9 veta, por 7
nga këta ishin sejcili me peshë nën 20 okë (domethënë të vegjël) kështu që në
140 okët e tyre, po të shtosh dhe 110 okë të kryetarit të familjes dhe të gruas
së tij, harin shifra 250 okë, kurse Sasanjotët kishin peshë 680 okë dhe më shumë,
sepse ishin të gjithë të rritur dhe me detyrime familjare.
-Përfaqësuesi i Kuçit, Rrapo Ali ishte dhe ai dakort për
armpushim për shkak të ngjarjeve të luftës, por me konditë që Sasanjotët të kenë
të drejtën të kërkojnë gjak për hakmarrje nga Priftajt, mbasi llogaria ka
kaluar dhe duhet që mbledhja tu njoh këtë të drejtë sasanjotëve për ta ushtruar
pas luftës në kohë paqe.
-Duke kundërshtuar këtë pikpamje të përfaqësuesit të
Kuçit dhe të Kallaratit, pilurjoti Dhimitër Gërdhuqi tha se:- Duhet të ndjej rrënqethje,
trishtim dhe turp njeriu për vrasjen barbare pa asnjë shkak tjetër, por për të
përfituar nga rasti duke grabitur kopenë.
-Përfaqësuesit e Himarës Jorgo Bollano, të Dhërmiut
Kosta Goreci dhe të Vunoit Taso Pilo, duke kundërshtuar me ton të ashpër përfaqësuesit
e Kallaratit dhe të Kuçit, në emër të fshatrave të krishtera të Bregdetit, kërcënuan
me largim nga mbledhja, pasi në këtë rast provohet se ana kundërshtare
Shqiptaro-Myslimane akoma udhëhiqet nga mentaliteti i vjetër dhe në kohën e sotëme,
duke dashur që të jetojë me plaçkitjen e elementit ortodoks dhe harojnë faktin
që edhe vetë pushtuesi turk, më se 600 vjet nuk mundi të sundoj në fshatrat
tona që shpesh u bënë fli, megjithë atë ai respektoi dhe u njohu privilegje të
veçanta që i fituam me shpatë në fushat e betejës, dhe nuk preku nderin e
grave.
Në vazhdim shtuan se çështja që po shqyrohet, nuk i përket
vetëm problemit të gjakut midis dy fshatrave Pilur dhe Sasaj, por ka rëndësi më
të madhe, atë të luftës për jetë, midis dy elementëve ortodoks dhe myslimanë.
Me që në një rast të tillë do të ndizet
zjarri anë dhe mbanë, sepse elementi ortodoks është i vendosur që të bëjë të
respektueshme ekzistencën e tij në tokën
e gjyshërve tanë, që e kemi vaditur për
më se 600 vjet me gjakun tonë të ndershëm e të pastër, dhe duke përfunduar thanë se elementi
ortodoks, i bashkuar dhe i pa përçarë me gëzim do të pranonte nja dy luftime të
hapur me myslimanët e kësaj zone pa dredhira në fushat e betejave dhe kush të
rrojë të gëzojë. Varet., në këtë rast nga ana kundërshtare që të gjykoj në se dëshiron
ose jo për hapjen e gjakëderdhjes.
-Duke marrë fjalën përfaqësuesit e Nivic-Bubarit dhe të
Shën Vasilit në mbledhje theksuan se;- Megjithë që për vrasjen e dy ushtarëve grekë
tani për tani nuk kërkojmë (ne. Shën.im.) gjak, mbasi hakën e tyre do ta marrin
grekët kur të vijnë, duhet të shikohet problem me rëndësi të madhe (Veçant) që përmban mbledhja, mbasi vrasësit kanë
shkelur rregullin e së drejtës zakonore, atë
“të mikpritjes dhe të besës”
mbasi të dy ushtarët grekë që u hodhën në kaminën e gëlqeres, qenë të
shkujdesur, hipur në mushka për tu kthyer në vëndin dhe familjet e tyre. Këtë
rregull pra të mikpritjes dhe besës e kanë shkelur në mënyrë çnjerëzore. Vrasësit
i ndaluan në rrugë, duke u thënë se janë të gatshëm tu tregojnë rrugën, për të
dalë në xhade e për tu bashkuar me shokët, dhe pasi ndëruan sipas zakonit nga
një cigare, pabesisht i zunë e i vranë, ndërsa siç thotë proverbi “kokë e falur
nuk pritet”, sepse dhe rob sikur të ishin zënë nga italianët, jeta e tyre sipas
rregullave do të ishte e sigurtë, kurse ata u vranë, duke shkelur kanunin. Sipas zakonit, dhe vetëm ky fakt duhet, sipas
zakonit të vëndit tonë, të vërë në lëvizje gjithë fshatrat e kësaj zone për një
dënim të përbashkët kundër vrasësve dhe atyre që i mbështesin ata, dhe jo të kërkohet
solemniteti i kanunit të shkelur. Duke vazhduar diskutimin përfaqësuesit në
fjalë, kërkuan që përfaqësuesit e fshatrave myslimane, të deklarojnë hapur, në
se pranojnë ose jo që familja e Foto Priftit është shfarosur për plaçkitje dhe
grabitje të kopesë, për të përfituar pa asnjë shkak justifikues, vepër kjo
barbare.
-I bëjmë pyetje
elementit mysliman, theksuan ata, sepse bashkëfshatarë nga fshatrat e tyre, kanë
formuar banda kriminale dhe sulmojnë elementin ortodoks, i vrasin, u rrëmbejnë
unaza të florinjta, karfica e kryqe dhe shnderojnë gratë dhe vazat e pa
mbrojtura në arat e tyre. Kërkojmë pra, në mënyrë kategorike se si mendojnë që ta
ndalojnë elementin keqbërës, mbasi elementi ortodoks, megjithëse nuk dëshiron
gjakderdhje, njëzëri ka vendosur, të bëjë reprezalie, pa dallim cilët janë keqbërësit
dhe për këtë vendim, me nder dhe guxim kemi njoftuar me shkrim të 22 fshatrat e
Kurveleshit të Poshtëm e të Sipërm si dhe fshatrat e Rrëzomës* dhe që nga ky
moment e shpall autonome këtë zonë dhe mbrojtjen e kufijve do ta bëjmë me trupa
të armatosura dhe se është gati për një luftë të tillë dhe kush të rrojë le të
gëzojë sikur, sikundrejt deklaruan përfaqësuesi Filip Dhimërtika e të tjerë”.
*-Kemi ruajtur shprehjet dhe fjalët origjinale të
procesverbalit.
* Këtë material e publikojmë, së pari, me qëllime
studimore për funksionimin e Gjyqit të Vilajetit të Himarës si dhe për të
shmangur spekullimet e ndryshme mbi ngjarjen dhe pasojat e saj, pjesmarësit në gjyq dhe fjalën e tyre. Kanë
qarkulluar versione të ndryshme të këtij gjyqi, të cilat, jo vetëm
shtrëmbërojnë të vërtetën por cënojnë edhe figurën e disa pjesmarësve. Sqarojmë
se të gjithë pjesmarësit në këto gjyqe ishin njerëz me reputacion të sprovuar,
gëzonin respektin absolute të gjithë banorëve të krahinës dhe e kishin
konsoliduar popullaritetin e tyre me vepra atdhetarie. Falnderoj edhe z M.Llaçi
për variantin shumë të ngjashëm që disponon dhe që ma vuri në dispozicion për
krahasim.
Duke qënë se asnjë nga pjesmarësit në ngjarje nuk
jeton më, u kërkoj mirëkuptimin pasardhësve të tyre për këtë publikim dhe
qëllimin e tij.
Ky material është botuar fillimisht në një revistë
greke në Janinë. Dokumenti origjinal gjëndet në arshivën e Janinës.
Vendimin e këtij Gjyqi e kemi publikuar fillimisht në
librin “Kur hardhia pikon vesë” dhe te blogu im
timomerkuri.blogspot.
*-Vrasja e qenit mer rëndësi edhe për faktin se qeni ishte në gjëndje të
identifikonte autorët, por edhe për faktin se qeni i bariut vlerësohej sin je
pjestar i familjes.
*-Himara vetëquhej Vilajet sepse ishte Krahinë
Autonome dhe jo se ishte Vilajet si ndarje administrative. Si Krahinë Autonome
ajo funksiononte mbi bazën e disa
normave juridike (dhe administrative) si Gjyqi i Vilajetit me fuqi të plotë
detyrimi dhe ekzekutimi. Ekzekutimi i
vendimeve ishte i pa apelueshëm dhe i detyrueshëm për çdo banor dhe çdo fshat.
*-Savo Prifti dhe Polimer (Polo) Prifti pas ngjarjes u
aratisën në Greqi, u vendosën në Gumenicë ku dhe vdiqën në periudha të ndryshme
kohore.
*-Në vitin 1943 në fshatin Senicë të Delvinës, në vëndin
Zagonika, ku kishin arat e tyre Seniciotët Lluka Nani e Dhimitër Piza, këtyre u
kishin zënë pritë disa nga Picari e Zhulati, myslimanë dhe i vranë me pretekst
se morrën hakën e të afërmëve të tyre që ishin vrarë gjatë luftës në kohën e
autonomisë.
Pas dy muaj në vëndin Vreshta e Senicës u vra nga një
pritë Perikli Jorgji dhe u plagos Sotir Velo, me të njëjtin pretekst. Mbas
kësaj Seniciotët kërkuan ndihmë nga fshatrat Nivic-Bubar, Shën Vasil, Lukovë e
Piqeras. Kryepleqësitë e këtyre fshatrave dërguan protestë të reptë gjithë
fshatrave të Kurveleshit të sipërme e të poshtëme dhe fshatrave të Rëzomës, me
anën e së cilës kërcënonin me reprezialie në qoftëse nuk do të ndalojin vrasjet
dhe nuk mernin masa për vrasësit. Fshatrat myslimane nga kjo protestë u
frikësuan dhe provokuan një mbledhje të gjyqit të Vilajetit në fshatin Kalasë
dhe morrën pjesë në këtë mbledhje përfaqësues të fshatërave të krishtera si më
sipër si dhe përfaqësues të Kurveleshit dhe të Rëzomës.
Por kjo mbledhje është në një rast tjetër ndonëse
është e ngjashme me gjyqin e mësipërm për nga procedura.
No comments:
Post a Comment