(Mendime gjatë promovimit të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel Papakristo)
nga Timo Mërkuri
Ndërsa poeti Niko Kacalidha mbaroi paraqitjen e analizës
letraro-artistike të romanit “Ëngjëj midis demonëve” të Vangjel
Papakristos, roman që u promovua të shtunën e kaluar nga Klubi i
Krijuesve Jonianë në Sarandë, nuk e di pse analiza e tij mu duk, jo
vetëm e arirë artistikisht ( dhe që me të drejtë u duartrokit), por edhe
brenda një formati diplomatik. Njëfarë trëndafili në …gotë.
Po ja që unë jam mësuar ti shoh trëndafilat të mbjellura nëpër oboret e shtëpive dhe aty kam parë se ato i kanë rrënjët në tokë.
Niko Kacalidha, si ish ministër shteti, nuk mund ti largohej dot
formatit diplomatik, por unë s’kam ndërmënd të bëhem ministër
ndonjëherë, prandaj i shoh trëndafilat, jo vetëm nga petalet por edhe
dheun ku kanë shtrirë rrënjët. Ose më saktë, ushqimin që kanë marrë për
tu bërë aqë të bukur.
Kështu e pashë romanin e Vangjel Papakristos. Artistikisht të bukur,
ushqyer nga jeta e tij e stërmunduar. Jo vetëm një roman biografik, por
një dëshmi e jetës së një komuniteti minoritar i cili gjithë jetën ka
emetuar humanizëm dhe miqësi.
Është i dyti libër që lexoj nga ky bashkëqytetar i imi, dhe që të dy,
të përkthyer nga greqishtja. Kur në vitin 2010 lexova nga ky autor
librin me tregime “Ditë agonie” u rrënqetha qysh në faqet e para. Skenat
e dhunës policore të diktaturës, të cilat vetëm sa i kisha dëgjuar të
vinin tek unë gojë mbas goje, në formën e një legjende, brofnin para
syve të mi jo faqe mbas faqe libri por edhe rresht pas rreshti. Dhe më
dukej se më tundnin gishtin me qortim, sikur më thoshnin…kaqë shpejt na
harove.
Pastaj erdhi ky roman rrënqethës me skena të zymta torture e tmeri,
sa që të dukej se po ecje nëpër dhomat e torturave të Gestapos. Pas çdo
faqeje luteshe të mos përsëritej tmeri i përjetuar në faqet e para. Të
dukej se po ecje nëpër një natë në furtunë dhe kërkoje medoemos dritën e
një ylli pak para agimit. Sa për tu orientuar. Sa për të marë frymë.
Dhe kur kjo dritë të vinte, ajo kishte formën e zemrës së nënave
minoritare, djemtë dhe burrat e të cilëve masakroheshin nga diktatura.
Ato yje që dukej se binin, nuk qenë meteorë. Qenë lotët e tyre prej nëne
zemërbardhë e rrobazezë.
Unë i kam para syve ende skenat makabre të tërheqjes zvarrë përmbi
valët e detit, të lidhur pas motoskafëve të policisë, të trupave të të
rinjve, të vrarë në tentativë për tu aratisur. Ose zvaritjen nëpër
rrugët e Sarandës, të të rinjve të kapur në këto tentative. Akoma më
ushtojnë nëpër veshë klithmat…këta janë armiqtë e Partisë, bjeruni…Akoma
e kam para syve heshtjen stoike të të rinjve të lidhur e të goditur…
Unë këto ende i kam parasysh, si… fushëbeteja të …luftës së
klasave…,ndonëse në fakt qenë ekspozime të dhunës policore politike mbi
popullin.
Por nuk dija gjë për dhunën policore të ushtruar mbi minoritetin. Ose
më saktë, askush nuk më kishte treguar gjë për ‘të. Thuaj se përbënte
sekret shtetëror. Vetëm se dëgjonim se si disa “gango” qyteti flisnin me
përbuzje për minoritarët dhe të folurën e tyre.
Duke na imponuar me zor njëfarësoj buzëqeshjeje, që më shumë
shkaktohej nga ngërdheshja e tyre se sa nga ajo që ata donin të
ironizonin. Duke na imponuar edhe njëfarë distancimi…Edhe për shkak të
moskuptimit të gjuhës së tyre prej nesh, sepse bashkëmoshatarët tanë
minoritarë e dinin shumë mirë gjuhën tonë dhe flisnin lirshëm me ne. Por
pikërisht këtë lirshmëri bisedash e mardhëniesh kërkonin të largonin
segmented policore. Që të mos i kuptonim, që të mos i mbështesnim para
dhunës politike.
Para asaj dhune, që e përshkruar mjeshtërisht nga Vangjel Papakristo, na tregon se:
- Kjo dhunë dhe skena terori nuk qenë dëshmi force. Këto qenë dëshmi
frike e një regjimi në rrënie nga kalbësimi. Nuk thotë më kot
populli…rruaju nga frikacaku sepse ai të vret. Trimi të fal.
-Lufta e klasave ka rrënë me tehun e saj të lemerishëm në minoritetin
grek në Shqipëri me një goditje ritmike e të shumfishtë, krahasuar kjo
me goditjen e saj në trevat e tjera të vendit.
Tejë fasadës së Kuvendit me nënkryetare minoritaren Vitori Çurri,
tejë fasadave të shtëpive dropullite, të lyera me gëlqere të bardhë,
kryesisht në fshatrat e Vurgut gëlonte mjerimi dhe dhuna policore. -Dhe
kësaj dhune politike i shtohej edhe aroganca nacionaliste e segmenëve
dhe elementëve të caktuar policorë. Një dhunë e dyfishtë mbi një
minoritet paqësor.
-Ky minoritet, përballë kësaj aroganve policore e nacionaliste, si
mburojë pati vetëm shpirtin e tij të madh human, i cili mbrujti
qëndresën.
-Edhe faljen, si askush tjetër.
Këto mendoja në momentet e promovimit të romanit “Ëngjëj midis
demonëve” të Vangjel Papakristos, subjekti i të cilit është jo vetëm
biografia e autorit dhe familjes së tij.Por e një komuniteti të tërë ,
shumë pranë nesh. Por që ne nuk e kemi dëgjuar sa duhet, atëherë kur
duhej ta dëgjonim. Dhe që bijtë e tij ende nuk e kanë bërë prezent sa
duhet e si duhet në jetën tonë dhe në letërsinë shqipe, duke lënë në to
një boshllëk. Një boshllëk që nuk e mbulon dot vetëm një roman i Vangjel
Papakristos. Ky roman vetëm sa dëshmon për të.
No comments:
Post a Comment