Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Saturday, 12 May 2012

SHINKICHI TAKAHASHI


Përktheu: Agim Mato
    Lindi në 1901, në një fshat peshkatarësh japonez.
     Një nga poetët më në zë të shekullit XX. Përzieu dadaizmin dhe zenizmin tradicional. Në vitin 1923, shkroi Dadist Shinkichi's Poetry, kopja e parë e të cilës iu dha përmes hekurave të qelisë së një komisariati policie, pasi shpesh gjendej në këtë pozitë si pasojë e veprimeve të tij impulsive gjatë kësaj periudhe të jetës.
     Poeti vdiq në qershor të vitit 1987.
GUACKA
Asgjë, asgjë nuk ka lindur,
            ndonjëherë,
apo vdekur, guacka e përsërit dhe
e përsërit
nga thellësia  e kavitetit të vet.
Trupi i saj
flakur nga batica – e çfarë, pastaj?
Fle
në rërë, duke u tharë në diell,
duke u lagur
nën hënë. Asgjë s’e lidh më me
detin
apo tjetër gjë. Përsëri
 dhe përsëri
zhduket me valët.
a diçka tjetër.Përsëri
dhe përsëri
zhduket me valët.
KËPURDHË

Shtëllunga tymi të duhanit 
brënda veshit të tij të ngrirë.-
Lart vërtitet një dallëndyshe.

Kënaqësitë janë si këpurdhat,
pa rrënjë, pa lule,
rriten me shpejtësi gjithandej.

Një rreth i metaltë lëkundet
nga veshi i tij, myk
që ndrin në errësirë.
FLUTURIM HARABELI
Harabeli kridhet nga kulmi në tokë,
një udhëtim i gjatë – një raketë ngrihet
drejt hënës, miliarda botë bien.
Një spostim i lehtë, njëzetë këmbë më poshtë,
dhjetë milonë vjet. Një lloj rrëmuje,
sepse harabeli nuk mendon,
nuk filozofon, e megjithatë,
çdo gjë është nën krahët e tij.

Ç’është Zen?  “Të menduarit” -thonë mjeshtrit,
“të bën teveqel”. I lirë është harabeli
që nuk ka tru. Cicërimi – dhe para “ciu-ciu”-t,
një bilionë vjet. Një rrahje krahësh një bilion sërish.
Kokën nga e majta, u krijua gjinia njerëzore. Nga e djathta, njeriu rilind. Është kaq e thjeshtë, e pambaruar në  kohë.

Një gllënkë, dhe gëlltit universin. Një rrahje krahësh
mbi degë o mbi çati dhe lufta, paqja, ankthi zhduket.
Asgjë nuk mbetet – as  edhe një gjurmë.

“Koha dergjet në kulluset e çative”
këndon Harabeli dhe çdo herë, një çukitje.
MBASDITE
Flokët e mia bien me ngut –
Këtë mbasdite
nisem për në Azinë e Vogël.
DORË
Zgjat dorën –
çdo gjë zhduket.
Kam parë në kokën e gjarpit
fytyrën  e nënës sime të vdekur,
në çrregullsinë e reve
dhimbjen e babait, edhe ai i vdekur.

Hap gishtat-
koha nuk është më.

Dora ime është universi,
mund të bëj gjithshka.
PATATE E ËMBBËL
Nga të gjitha gjërat e gjalla
do të doja të isha një patate e ëmbël
e sapo nxjerrë nga dheu.
DEVE
Kurrizet e deveve
spostohen me retë.
Kjo vetmi të gremis kokën!
Krahët e mi shtrihen
tej majave të maleve,
flakë në shkretëtirë.


FLOKË TË BUTË
I magjepsur nga veshët e bukur të një vajze,
mblodha një grumbull gjethesh dhe e dogja.
Sa e pafajëshme ishte fytyra e saj pas tymit
që ngrihej - dëshiroja të penetroja
brënda kërmmillit të këtyre veshëve,
po ajo u kacavir fort në rrypin e tramit,
me flokët e saj të buta që parfumonin tym.
SHI I IMËT
Një mace përshkon gardhin e lagur
zhduket në hijen e gjelbër,
të zbrazur si një mendim i humbur.

Toka në kthetrat e një maceje të shtypur,
Zorrë të shpërndara në kalldrëm-
koha, e gozhduar në këta sy.

Në tavan tre kotele mjaullijnë.
Një plakë, që ngjan me një sqep të kthyer,
përpiqet të kujtojë emrin e maces.
DETI I HARRUAR
E ardhmja, e shkuara, deti i harruar,
ndërsa e sotmja është përmbysur.
Dielli ndan më dysh detin-
gjysma tashmë është mbyllur nëpër shishe.
Këmbë të shtrira në plazh,
një grua ndjen gaforen e kujtimeve
të ngjitet nëpër kofshë.
Diku i dashuri i saj po mbytet.
Me rërën e ngjitur në trup,
duke u larë në ëndërra,
të rinjtë hidhen të kapin njeri tjetrin.
RE
Jam i gëzuar, çfarëdo që të ndodhë,
një duhmë në qiell-
çfarë shkëlqimi, unë jam atje.
UNË DHE IME MË
Ndërsa barkat presin në port
perëndimi ka vënë të piqet
fortesën Hakone .
Njerëzit bien si pika shiu.
Unë qëndroj i ulur
në një stol, hap ombrellën.
Shpërthim resh.Duke buzëqeshur, nëna ime
vjen të ulet në arkivolin e saj. Shekuj më parë.

Nesër Kolombi do të mbërrijë
(mos gaboj?)
në Venezuelë, dora e tij
do të përdoret për të përqafuar ose për të vrarë –
sipas rastit.
Nën velën e bardhë, universi.
DELJA
Duke u zgjuar mbi bar, delja, dhija rrinë shtrirë,
nuk lëvizin – sa mirë është të mos bësh asgjë.
Korbi vëzhgon nga një degë e vdekur.
Delja nuk është e preokupuar me jetën, vdekjen,
nuk sheh më larg se vendi ku është shtrirë butë,
me leshin e saj të ngrohtë. Dhija e bukur
me brirët që shkëlqejnë në diell.  Ç’mund të ketë
më të mirë se kjo dhuratë e diellit? Delja është
e përhumbur, e ndan habinë e saj me dhinë, me korbin.
HARABELI DHE NDËRTESA-FOLE
Harabeli fle gjithmonë –
e ndërkohë
një ndërtesë ngrihet rrotull tij.
Për të bërë detyrat, hyn me nxitim
në ashensorin
e vetëm për të gjthë: ndërtesa
është e mbytur nga pluhuri. Qoftë ditën,
qoftë natën,
kështu drita godet
që nga fyti i saj.Nën një  krah
shkëlqejnë
dielli, hëna, yjet. Nuk është askush këtu,
askush nuk pritet për një bilionë
vjet.

Harabeli ëndërron, harabeli di.
PERËNDITË
Perënditë janë kudo:
lufta midis tribuve Koshi e Izumo
zien  akoma.
Të gjithë kundër të gjithëve, Njëshi
imponon fundin e çdo dallimi.
Të tremijë botët
janë në këtë lule kumbulle.
Aroma është Zoti.
 POMPOZITETI I ROSËS
Rosa rron gjithmonë
gjatë ditëve. Në zgjim zbulon
se ka fjetur një bilionë vjet.

Pikërisht qendra
e universit nuk ka nevojë
për sy, vesh, këmbë.

Përse i duhen këto
 atij që njeh si botën e vet
stacionet satelitare?

E çliruar nga koha,
e palëvizëshme. Rosa
nuk është e zgjuar si një qen që sulet
nëpërmjet hapësirës, si një raketë.
E vërteta është se ajo,
aty ka qenë përherë.
MUR GURI
Lulja shpërthen nga guri, në shi dhe në erë qeni
nuhat dhe kërkon të gjejë një të çarë.
Gjurmon fluturën nëpër  mjegullën
ku fëmija llokoçitet.

Në ekranin prej letre,
këmbët e gruas, të bardha, të ngjeshura:
nuk kam më dëshirë, jam i kënaqur,
më pas me duart prapa shpine
e kundroj -
nuk refuzon asgjë, në të vërtetë,
i gëzohet diellit në mes të kofshëve.

Pranë murit prej guri,
një degë e artë.
PLAZH
Stuhi: tjegulla, çati, që ngrihen e zhduken në çast.
Shkëmbinjtë rrokullisen, malet gëlltitin qytete,
ndërsa insektet dhe zogjtë këndojnë
pranë urave të shembura.

Njerëzit lëshohen në hapësirë,
sepse vlen më shumë rraca e tyre.
Në TV, kombet
kritikojnë njeri tjetrin pa fund.
Përse gjithë ky konfuzion,
si mund të riparohet trupi
i handakosur i botës?
HËNA DHE LEPURI
Gjërat egzistojnë në vetvete.
Atje lart mbi hënën
shoh lepurin
me një enë
që gjurmon oriz për kulaçe.
I kërkoj një.
“Të ç’forme” thotë lepuri,
“Një të ngjashme me raketën.”
“Ja -merre”
Jashtë, lart,
çdo gjë vrapon
sa të hapësh e mbyllësh sytë,
i lirë jam, më në fund -
pa ditur
për ku shkoj.
QIELL DËBORE
Mëllenja ra si plumb,
duke ndjekur me sy tokën, fletët e vdekura,
majat e puplave mbuluar me borë.

Kudo shihen plazhe,
aeropote, qiej resh.
E ulur mbi bankën e biletave,
mëllenja ndjek
uljen në tokë të katërmotorrëshit,
me elikat që pakësojnë xhirot.

Fletë të vdekura rrëshqasin si planerë nga qielli.
PRANË KËNETËS SHINORAZU
Një mlysh, duke notuar, fshiku dritarezën e tramit,
pagoda me pesë kate e shndritëshme në qiell.

Mbi telin e telegrafit një zog –
argëtohet në një dialog sekret,
i patundur shkëmbi shkëlqen
prej njëqind milionë vjetësh.

Pardje zogu i vdekur
pluskonte në vaskën e peshqëve
ku salamandra me sytë e shkumbuara
dhe një peshk tropikal
kërlesheshin me puplat.

Zogu, me njolla të kuqe
midis fletëve të zambakëve të ujit,
shvendoset në ajrin e mbrëmjes
JETOJMË TË LUMTUR
Njeriu i vdekur kapërxen trupa të djersitur të përgjumur
mbi trotuar, në kërkim të prehjes.
Mëngjesi i ngjyer nga bubullimat ndriçon tokën.

Zgërlaqur nga treni, koka e përbaltur
mbi binarë - asnjë njollë e trurit.
Asgjë nuk mbeti: mendimi avulloi.
Një çast – një bilionë vjet.

Mos u përdridhni si lëvozhgë portokajsh,
mos majmunëzoni një të shkuar të balsamosur.
Hape portën nga përjetësia.
Kur vetja është e lirë, universi është gjithshka-
oh, me shpejtësi do të kapësh të shkuarën.
PRANVERA
Pranvera, një qind vjet më parë
ishte shumë e nxehtë: si ta kem
në pëllëmbë, shumë jetë, shumë gjallëri.

E ardhëshmja është një zog që
që vërtitet kuturu,
e shkuara është llurbë –
gjithshka ndodh këtu, tani.

Mendim që shpërthen mendim,
që shpërthen sërish mendim: gadishuj
të gëlltitur nga koha, yzengjitë e baticave.
Shkëmbinj që dalin sipër, shkëmbinj që fundosen.

Nuk ka hapësirë, ajo që qe, nuk egziston,
një qind vjet më tej nga këtu
pranvera do të jetë sërish e nxehtë.
LULE PJESHKE DHE PËLLUMBA
(Pikturë e Kisos)
Petale rozë të një luleje pjeshke,
kokë gri në të kaltër pëllumbi,

sy të shqyera të bambuve, krahë
ylberi që mbulojnë gjithë historinë.

Bishti i zi që zbret poshtë, ti fluturon
drejt fundit të së ardhmes, tej diellit.

Për të pastruar ajrin, për të krijuar parfumin
më të ëmbël, ti gufon gjoksin.

Një degë në qerpikët e tu ngjyrë kafe,
kujdes, përderisa dragoj fantastikë lëvizin përreth.
DUKE XHIRUAR RROTËN E DHARMËS
Një reliev praj guri, nuk ngopem duke e parë:
Buda në madhësinë natyrale, me hundën e thyer,
flokë kaçurrela, sytë hënor të paqmë,
gjishtrinjtë e përthyer në mudrën[1] e gjoksit,
këmbë të kryqëzuara në lotus, poshtë çdo krahu
rrëshqet një linjë e kuqe – gjak i nxehtë.
Rreth aureolës, ëngjëj në mes të luleve,
në çdo anë, kafshë me gojë të hapura,
duke ruajtur. Ai xhiron rrotën e thesarit.
Tremijë vjet qysh se Buda
gjeti yllin e mëngjesit – tashmë
edhe dielli është verbuar nga drita e tij.
KATËR KAFSHË HYJNORE
Gjarpri notonte në rrjedhën e kaltër.
E ke parë lëkurën e tij – është jotja?

Tigri, mes kallamave të bardhë, me sy të ngulur,
mëso nga kjo – të shohësh vdekjen
është të shohësh një tjetër, kurrë vetveten.

Flakët karbonizojnë pyllin e bambuve,
harabeli i kuq fluturoi në një
fosile – egzaktësisht kështu.

Breshka lëviz, zjarri i lehtë
zbret nga kodra, e kuqe në perëndim,
shqyen vdekjen në copa. rozë, ngjyrë kafe.-

Gjuha e butë e tigrit lëpin një dragua
të dalë nga deti. Harabeli, hypur
mbi një guackë, mësyn barkun e vet.

Ç’është gjithë kjo? Trupi im dridhet nga të qeshurat.
NJË REZE E VOGËL DIELLI
Pemë pa jetë në pyll,
fletët mbulojnë tokën.
Mbi një grumbull të madh gruaja

me një pulovër të kuqe, pret.
Atje mezi depërton dielli, një fletë
luhatet në fytyrën e saj. Burri përparon

në heshtje, i shtrirë bri saj.
Shpejt ajo ikën vetëm
duke mbedhur plaçkat. Ai lutet,

(më ngjan se e dëgjoj) që gjithshka
të shkojë mirë. Një avion kalon duke
shungulluar. Ai thith cigare.

Dy fletë të vdekura ndahen.
SHPËRTHIM
Jam një qen pa tru,
një mace e mirë për asgjë
një mjegull sipër çative,
një shi  që vë përpara guriçkat.
Mbyll sytë, marr frymë –
ajër radioaktiv! Një bilion vjet
dhe do të jem katandisur gjysma.
Ndotja më godet nofullat.

Atëhere zë e ulurinë pjesa ime
që mbetet. Me pak gjak që teproi
nga zbrazja e shpërthimit bërthamor,
përpiqem të iki nga sytë këmbët.

MUNGESË
Zakonisht “Ai nuk është” –
do të kthehet
pas pesë bilion vjetësh.
Përktheu: Agim Mato






[1] ka kuptimin e vulës, një gjest simbolik në fe të ndryshme, si në Japoni e gjetkë.

Wednesday, 9 May 2012

Sa pak det paska në poezinë shqipe…..



Nga cikli :  Kur flasim për Artin Jonian
Nga Timo Mërkuri
Kur gjatë një bisede të zakonëshme në shëtitoren buzë detit, në qytetin e Sarandës, një miku im poet, përkthyes dhe studiues i folklorit më shfaqi  konstatimin se poezia shqipe dhe folklori shqiptar “kanë shumë pak det  brenda  tyre”,  ndryshe nga poezia dhe folklori grek, qipriot apo italian, unë befas ndala hapin dhe pas disa çastesh meditimi, i trishtuar hodha shikimin mbi valët e Jonin, matanë bordurave të bulevardit. S’di pse i pashë me dhimshuri ato valë,  gati t’i përkëdhjelja  kreshtat e tyre, si flokë  fëmijësh të ndëshkuar padrejtësisht nga prindër apo mësues pedantë, duke i nxjerrë nga mësimi apo shtëpia. Kaqë pranë është deti në jetën tonë, por  pse kaqë larg artit tonë qënka ai?
1-Por deti, çuditërisht është larg edhe nga  fshatrat tona të bregdetit, nga ato fshatra te të cilat ai duhej të ishte gurthemeli i emërtimit, jetës dhe artit popullor.
 Le të shohim fshatrat e bregdetit himarjot, për t’u ballafaquar  me këtë fenomen.
Asnjë nga fshatrat bregdetare nuk ka qënë i themeluar buzë detit dhe emrat e tyre asgjë të përbashkët skanë me detin..
-Himara ka qënë  lart në kala, aty ku sot quhet Himara e vjetër. Pak veta e kujtojnë  se, vendi ku është sot qyteti i Himarës, nuk quhej Himarë por kishte një emër të vetin, quhej Spile dhe këtë emër e ka pas marë nga shpella prehistorike, monument kulture, pikërisht në hyrje të qytetit.
Por Spileja ishte emër shumë i vogël për të konkuruar me Himarën e lavdishme, kështu që u tërhoq me modesti drejt haresës dhe ai vend i bukur, si perlë e porsanxjerë nga deti njihet me emrin Himarë. Pra realisht kemi dy Himara, Himara fshat, lart në kala dhe Himara qytet, poshtë në Spile.
Por edhe vetë emri Himarë s’ka asgjë të përbashkët me detin, përkundrazi, është emri i një hibridi prehistorik, Kimera, një kafshë toke e “krijuar  enkas” nga bashkimi i pjesëve më vitale të kafshëve më të  forta , që nga luani e gjer te gjarpëri, formën e të cilit e kishte bishti i kësaj bishe.
-Piluri, fshat mbi Himarë, në lartësinë 800 metra mbi nivelin e detit, duket sikur ka tentuar ti largohet detit dhe ti afrohet perëndive duke ecur nëpër shtigje malesh.
Mandje dhe emri i tij do të thotë “porta e maleve”.
-Dhërmiu, fshat i ngritur nëpër gremina (mandje Eqerem Çabej diku ka shkruar se emrin ky fshat e ka marë nga greminat e shumta dhe quhej  fillimisht Gremini), pra Dhërmiu duket sikur tenton ti fshihet detit pas gjetheve të hardhive të shumta dhe të mëdha (Dhrimadhe e shpjegojnë emrin sot) dhe të lë përshtypjen se s’ka asgjë të përbashkët me këtë det që e ka kaqë pranë.
-Nuk po flas shumë për Vunoin, me shtëpitë si karakoll kalaje, në shpat të malit mbi det dhe as për emërtimin e tij që do të thotë “mal”, por do ju flas për Qeparoin në majë të malit, si kopësht në qiell. Mandje dhe emëri Qeparo shpjegohet edhe me kuptimin “kopështe në ajër, në qiell”.Po ta shikosh nga bregu Qeparoin e vjetër aty lart të duket vërtet sikur ato shtëpi dhe  kopështe kanë mbetur varur midis tokës dhe qiellit.
-Që Nivic-Bubari i ka kthyer shpinën detit, ky fakt ka  lindur gjithmon hipoteza, por as Lukova dhe as Piqerasi nuk mund të mburen për afërsi me detin.
E vetmja gjë në breg të detit është kalaja e Panormit, e quajtur Kalaja e Vasiliqisë, rindërtuar nga Ali Pasha , gjasme si dhuratë dasme për nusen e tij 22 vjeçare. Por kjo kala e Aliut, që si karakteristikë të veçantë ka faktin që po ta shohësh nga ajri, nga të tre anët e saj tregon gërmën “A”, pra kjo kala e ringritur nga Aliu, realisht është ringritur mbi themele të një kalaje më të herëshme, të shkatëruar që në themele nga luftërat e shumta duke dëshmuar  edhe në këtë mënyrë armiqësinë e jetës së bregdetit me vetë detin.
2-Në jetën tonë, deti ka qënë prurësi i fatkeqësive, që nga “balozët e zinj”  që vinin të shkretonin vendin apo edhe hordhitë pushtuese, qofshin ato të saraçenëve piratë ( e përjashtojmë zbarkimin “paqësor” të Qezarit), zbarkimin e turqve apo edhe zbarkimin e pabesë natën e “pashkës së madhe” të Jusuf Arapit, dërguar nga Ali Pasha.
Ky fakt është gdhëndur në  folklorin tonë edhe në këngën e luftës së Lëkurësit , këngë e cila  shërben edhe si pasaporta e kësaj kalaje, këngë e ngritur nga rapsodi Kostë Gjikëdhima, pjesmarës në këtë luftë: Që në Sarandë e Kastri/Vjen vapori zeherli/ Nëpër det si gjarpëri/Vështron vëndin me dylbi/Ku bie Lëkurësi/Do ta djeg do ta bëj hi.
Nga deti erdhi kuçedra (nëpër det si gjarpëri)që  zaptoi Syrin e Kaltër, vendburimin e lumit Bistrica, por dhe nëpër këtë det iknin në kurbet djemtë e burrat e bregdetit dhe gratë e vajzat vajtonin këngën: O pampor o dhogë e thatë…
Realisht edhe nëpër përallat tona të fëminisë asgjë e mirë nuk vinte nga deti, por na rënqethin shtatin përfytyrimet e shtrigave e  kuçedrave  që lëshonin zjarr nga goja e rrëmbenin vashat e njoma. Edhe nëpër përallat e fëminisë  “trimat” që shpëtonin vashat e bukura të rëmbyra nga të ligjtë rinin nëpër male, përkarshi detit.
3-Ky pozicionim i detit përballë jetës dhe malit është një ndër arsyet që unë e pranoj interpretimin e Lefter Çipës për këngën “Vajzë e valëve”, duke e quajtur atë,  jo Vajzë e valëve të detit, por Vajzë e valeve (lëndinave) të malit. Kjo vajzë e malit zbret në breg të detit dhe prêt të dashurin e saj të vijë nga kurbeti, pret një lajm apo një letër prej tij. Dhe me që nuk i vjen as ai vetë dhe as zogjtë nuk I sjellin ndonjë lajm a ndonjë letër,  aty ku i humbi shpresa, aty  humbi dhe jetën në vetëmbytje.
4-Vërtet, me trishtim konstatova se deti nuk ka mundur të depërtojë në këngët tona popullore, në atë vend nderi dhe me ato përmasa që duhej të kishte, si pjesë e jetës së banorëve. Kjo, jo vetëm në folklorin shqiptar në përgjithësi, por edhe në folklorin e zonës së bregdetit, në veçanti.
Kjo dëshmon se deti, më shumë se jetë e ushqim, u ka sjellë banorëve të këtyre vëndeve fatkeqësi e trishtim, ashtu si një vajzë e bukur, e lakmuar nga të gjithë, i sjell shtëpisë dhe prindërve  të saj vetëm telashe. Ajo vetë s’ka faj, por “haraçin “ e bukurisë së saj e paguan  gjithë familja.
Pra ky det i bukur u sillte “familjarëve” bregdetarë vetëm fatkeqësi. Dhe është normale që populli ynë fatkeqësinë  nuk ka dashur ta përjetësojë në këngë. Dhe bashkë me fatkeqësinë përjashtoi nga përjetësimi edhe prurësin e saj, detin.
4-Krejt ndryshe ka ndodhur me malin, i cili  jo vetëm që ka një vend nderimi në këngët tona popullore, por shpesh është ai që e ndalon dhe e shkatëron të keqen që vjen nga deti, ashtu si në shkëmbinjtë e tij thyhen e zbrapsen dallgët zemërake të dimërit apo valët lozonjare të verës.
Sa pranë  janë fizikisht mali me detin, por sa larg që janë  nga njeri tjetri në përfytyrimin artistik të popullit tonë. Mandje shpesh herë edhe kundër njeri tjetrit.
Kjo, mendoj se vjen edhe për faktin se, e bukura artistike në popull është konceptuar si mbështetëse dhe mbartëse e idesë së lirisë, e idesë së mosnënshtrimit. Një shkëmb është më i bukur se një valë deti edhe për faktin se ai shkëmb mund të shndrohet shumë  lehtë në një pozicion lufte  në mbrojtje të  familjes, fshatit, atdheut nga e keqja që ka ardhur pikërisht nga deti me valë.
5-Duke qënë larg nga folklori,vetkuptohet që deti është larg edhe nga poezia, pavarësisht se sa shumë përmëndet ai dhe valët e tij nëpër vargje. Deti mungon te poezia shqipe e  Rilindjes, te poezia shqipe e viteve tridhjetë (mund të themi se Migjeni nuk qe “larë” asnjëherë në det) por edhe te poezia moderne shqipe (Dritëroi lëron fushat e Devollit një jetë të tërë, sa për shëmbull krahasimi).
Janë shkruar vargje e poezi për detin dhe për valët, por ka  munguar ajo “erë e jodit” nëpër vargje, ka munguar ajo kaltërsi përthithëse e thellësive të qashtra apo ajo  përplasje e krahëve të pulëbardhës mbi vale, që të “ndal rahjet e zemrës” , të mos bëjë zhurmë.
Lasgush Poradeci fluturon mbi vetëdijen tonë si një shpend “liqeri” duke shpërndarë stërkala valësh mbi vargje, por menjëherë e kupton se ke të bësh me stërkala valësh  liqeni, liqen  të madh sa më s’bëhet, por gjithësesi liqen. Kushdo prej nesh kur kujton emrin e Lasgushit e ka të pamundur të mos kujtojë liqenin e Pogradecit, të cilin jo më kot e vendosi si mbiemër pas emrit që zgjodhi për vete dhe për ne. Unë për vete emrin e tij gjithmon e kam nënkuptuar Lasgushi i Po(g)radecit, si të themi psh  Princi i x vendi. Dhe nuk është gabim, sepse edhe në rast se Lasgushi nuk ishte princ me titull e stemë i Po(g)radecit, ai ishte Princi Trashëgimtar i lirikës shqiptare.
Mandje, i tillë është edhe sot.
6-Po a ka hyrë sadopak deti në poezi, qoftë edhe në përpjestim të drejtë me atë pak hyrje të tij në folklore? Vetkuptohet që po.Deti, psh  ndodhet te një poemë e Fatos Arapit që nis me vargjet : Nata shkon kaluar/në kuriz të maleve… Nuk di pse kur e lexova për herë të parë këtë varg, malet ku  kalonte nata unë i nënkuptova se ishin thjeshtë …malet e Vetëtimës. Jo aqë për afërsinë e e këtyre maleve me vendlindjen e autorit se sa me hapërsirën mesdhetare të  kësaj figure.
Po tek i njëjti autor, kur lexova poezinë Vdekja e gjyshes, isha gati të betohesha se kjo gjyshe që ka vdekur ishte nga bregdeti, ndoshta nga fshati im, dhe kjo vdekje ka ndodhur vetëm në bregdet, ndoshta dhe në lagjen time. Mund tju siguroja edhe se ishte gjyshja ime ajo që kishte vdekur, vetëm se autori  kishte “haruar” ti vinte  edhe  emrin, i cili me siguri, ishte  vetëm emri i gjyshes sime. Ç’ti bësh, harojnë nganjëherë edhe poetët.
Kanë kaluar vite qysh nga ai lexim, por ky përfytyrim nuk më ka ikur, mandje jam gati t’ju bind edhe juve për vërtetësinë e këtij ….përfytyrimi.
E mbi të gjitha, t’ju tregoj se sa i bukur është dhe duket deti nëpër këto vargje.
Por sa të lodheni duke më dëgjuar mua, më mirë lexoni krijimet e  disa autorëve të Klubit të Krijuesve Jonianë.
7-Ishte hera e parë  atë ditë që sodisja detin me trishtim në zemër.
I vogli deti im,  i strukur në brigje, si jetim i  qortuar.
I dënuar me ekzil nga folklori dhe poezia.
Unë  e di që ti do vish te poezia shqipe, do ta mbulosh atë me kaltërsinë tënde, me madhështinë tënde të misterëshme. Ti do vish herë me valë lozanjare e herë me dallgëë gjëmimtare duke stërpikur me yllësinë e stërkalave shkëmbinjtë e jetës.
Qofsha dhe unë një stërkalë e valëve të tua.

Tuesday, 8 May 2012

Përtej aspektualitetit të skicës së Edmond Llaçit



Fatmir Terziu
Hyrje

Leximin e Edmond Llaçit mund ta quajmë ndryshe lexim ‘të shkurtër’. Jo se ai vjen mes zhanrit të prozës së shkurtër. Jo se ai vjen për lexuesin në formën e skicave. Jo. Çdo skicë e tij është një tregim më vete, një novelë, e hera-herës flet më shumë se një roman. Çelësi?! Leximi i detyruar. Kjo mes fjalës së tij tipike. Më saktë: Lexim i dobishëm mes fjalëve të zgjuara e të përzgjedhura. Lexim që vjen nga hapësira me të cilën vetë fjala është mbajtur, ‘stërvitur’, gatuar dhe paraqitur për tu lexuar. Është kjo fjalë që vjen shpeshherë për lexuesin mes skicave. Skica që kanë emrin dhe talentin e hershëm të Edmond Llaçit. Skica që flasin, njësojnë dhe diktojnë kulturë, identitet, harmoni mes vlerave. Në këtë analizë do të ndalem pikërisht tek ky lexim që sjell vite në sinkron, jetëza, porosi dhe portrete. Duke krijuar harmoninë e leximit së pari do të paraqes atë veçori që autori na e sjell mes prozës së shkurtër. Së dyti skica në daltën e autorit që tejkalon sprovën. Dhe së fundi në detajet që kjo harmoni e skicave të shkrimtarit na citohet si arsyeja e leximit tërheqës.

Aspektualiteti si veçori tipike e skicës

Le të ndjekim skicën e shkrimtarit Edmond Llaçi, “Të çmendurit”. Fillon me pasthirmat apo ‘zhurmërrimat’ që na kërcëllejnë në shpirt. Janë këto zhurmërrima timbruese, grishëse, lajmëtare të së keqes vrastare. Dhe lexuesi ndihet i tëri teksa lexon: “Bym, bym, kërrr...”. por edhe pse e gjitha është sipas stilit të autorit “Përtej ekranit televiziv që qëndronte i varur në mur, filluan të dilnin të shtëna arme.” Ato përsëri nuk shpëtojnë lidhjen me realitetin në të cilin autori kurdis dhe rilexon mes të dhënave faktin e çmendurisë “Ato bënin rikoshet nëpër muret e salles dhe përplaseshin në timpanin e dëgjimit të njeriut të vetëm që ndodhej ne sallën me tavolina e karrike bosh....” Kështu aspektualiteti tregues sapo është dhënë dhe ai pra njeriu që ndodhet në skutën e treguesit diktohet në këtë aspektualitet si një lëvizje metafizike e detyruar: “Nervi i syrit të majtë të tij, zbriti me shpejtësi dhe mbaroi poshtë nofullës.”
Në leximin e skicës “Porosia” aspektualiteti vjen tërësisht emocional. Ai gatuhet nën avuj të nxehtë ndërgjegjeje që citohet nga gota e verës dhe ‘të brendshmet femërore’ që krasisin vegimin mashkullor. Dhe autori na jep këtë aspektualitet të shkyçur që në fillimin e skicës duke na diktuar me qetësinë më të grishtë emocionale se ai, pra karakteri i tij “U mundua t’i kapte reagimin tek shihte të rrëshqiste nën shikimin e tij trekëndëshi i bardhë i të brendëshmeve të saja. Duke buzëqeshur ajo i puqi  kofshët me njera tjetrën dhe u ul në kolltukun e vendosur disi larg tavolinës së shtruar për të ngrënë.Ai po përpiqej t’i shmangej  duke drejtuar shikimin nga puna që kishte filluar të bënte në një nga faqet e sallonit të madh. Me elegancë ashtu siç mbante pinelin , ai kapi gotën e mbushur me verë. E drejtoi nga ajo,  e çukiti me të duke i dhuruar edhe një buzëqeshje të lehtë...” Por, nëse në këtë rast karakteri i shkrimtarit bëhet një palë udhëtuese e emocioneve të ‘kundërshtisë’ të asaj pjese me të cilin aspektualiteti gatuan lidhjen, zgjidhja është një determinim psikoanalitik i faktorit mashkull-femër, jo thjesht seks për seks, por si një metaforë jete në tërë lidhjen e saj metafizike.
Kështu skica tjetër “Jetëz” është një këndtipologji tjetër fjalëzgjedhëse, ku faktori njeri është një kokrizë mes diellnajës së jetës. Është Dielli ai që kapërcen dhe hyn, është prau që shënohet në kohë, hapësirë dhe vend, është pastaj kjo mënyrë që na jep aspektualitein e duhur: “Dielli ndodhej në çastin e kapërcimit të vijës së horizontit, midis qiellit dhe detit. Një pjesë nga rrezet e tij të fundit me shpejtësinë  e shkeljes së butonit “i burgosa” në kutinë magjike dixhitale.
Nuk kaloi shumë dhe kudo  në të gjithë qytetin, si në një ekran të madh, përpara syrit tim, filluan te ndizeshin dritat kudo. Si në ato pjesët muzikore që ekzekutohen me  orkestracione të mëdha, atë buzë mbrëmje harmonie, me logjikën e çastit,  ndjeva se isha unë që po i ndizja ato.Atje tek po shkelja tastierat e pianofortës imagjinare  dhe duke i dhënë çdo instrumentisti  çastin e tij, dritat si në një pentagram pa kufizime vizash, filluan lojën e tyre muzikore. Një lojë që  zgjati pak çaste, por tepër impresive. Me shkeljen e tastierës së fundit të pianofortës i  dhashë dritë edhe ambientit ku unë ndodhesha. Ndjesia e atij çasti u shoqërua me atmosferën që u krijua nga ndriçimet e fshehta që ndodheshin në atë mbulesë masive gjethesh.  Nuk e mora as edhe një herë inisiativën për të pyetur se si quhej ajo bime interesante. Duke qeshur në brendësinë time, mendova se lojën e ekzistencës dhe mos egzistencës midis kopshtarit dhe asaj bime e luante po  ajo. Ne çastet e lëvizjes së lirë të saj, kur kopshtari  ja  mohonte duke ia prerë ato me një gërshërë me doreza në ngjyrë te kuqe, ajo, me shpejtësi, ne krahun tjetër, i kundërpërgjigjej duke nxjerë në jetë motrën e saj binjake. Nuk e di se sa do të ketë vazhduar ajo luftë. Besoj se kopshtari do të jetë dorëzuar i pari. Ai zëvendësimi i pafund  i dha fund përpjekjeve të tij, deri sa e kuptoni se çfarë ndodhi. Ky çast i bukur ku unë po përpiqem ta shijoj.”
Ndërsa aspektualiteti është një lloj tipologjie e skicës së autorit, natyrshëm mjaft skica të tjera të tij kanë shumëdimensionin e artistit në brendinë e tyre. Fjala me të cilën ato ndërtohen, ngrihen e flasin i ngjajnë një strukture të hapur, që gjithmonë të përpin në lexim e sipër. Kështu funksionojnë mjaft skica. Ajo më tipikja që përmbyll këtë aspektualitet është skica “Portreti”. Në këtë skicë autori udhëton imagjinatën e kujtesën njëkohësisht në vite pas. Hyn në labirinthet e kujtesës për të na diktuar një aspektualitet kohe dhe jete në të njëjtin temp. Ai na ristrukturon me fjalë të thjeshta dhe flet qartë “Atë vit shkollor, në klasë kisha zënë vend në rrjeshtin e mesit, në bangon e parafundit, nga e djathta. Kishim matematikë. Mendimi më kishte fluturuar jashtë klase. S’mbaj mend se ç’më ishte shfaqur para syve, por nëpër mjergull, mund të kujtoj disa copëza…pyll i dendur me pemë të larta,lëvizje ritmike e degëve, e gjetheve, e trupave drunorë. Lëvizje e disa trupave të paqartë që afroheshin drejt ekranit të syrit tim, nën ritmin e fyellit e të flautit. Ishin trupa femërorë e jo drunorë. Më erdhi për të qeshur për rimimin pa dashur femëror e jo drunor. Po, vërtet ishin trupa femërorë që vazhdonin të lëviznin ritmikisht para syve të mi. Trupa femërorë të ajthëm, që nën rritmin e lëvizjeve të tyre, përbrenda fustaneve të tejdukshëm  zbulonin plot hir pjesëza epshndjellese. M’u kujtua tablloja e piktorit të rilindjes italiane Botiçelit, “La primavera.” I u afrova më pranë  vegimit-tabllo dhe, ashtu i turbulluar siç isha, e kapërxeva realen dhe rash në irealen. U ndodha mes tyre. Ashtu i turbulluar mes tyre, mundohesha të largoja atë mjergull, atë tis që më pengonte të shihja, fytyrat e atyre trupave femërorë që po më qarkonin...” 
Duke konkluduar me aspektualitetin si veçori tipike e skicës së Edmond Llaçit, me sa cituam më lart, duket qartë se fjla me të cilën vjen skica e këtij krijuesi është ajo që përcakton kohë, hapësirë dhe vend për të ridimensionuar artistikisht vlerat e leximit.                 

Skica në ‘daltën’ e autorit

Skica si art më vete vjen në forma të ndryshme. Lexuesi dhe krijuesi e njohin me gjuhë të njëjtë, por e dimensionojnë mes tyre me perceptime të ndryshme arti. Kështu ‘dalta’ apo ‘pena e autorit’ është ajo që nënshkruan fatin e një skice në artin e saj. me këtë rast ajo është shtrydhja e njohurive të një krijuesi piktor, që flet në gjuhën e shkruar. Është spatulla dhe dalta e tij e padukshme që strukturon tërë kompleksin e saj sintaksor. Dhe në këtë strukturë janë elementët që plotësojnë dhe skalisin formën dhe pamjen artistike të saj. skica e Edmond Llaçit, është një çupëlinë e brishtë joniane, e sharmuar mes valëve të kaltra të Detit dhe jetës, duke u pasqyruar krehshëm në sopate e monopate të pashkelura e të traditës së bukur. Është e qetë. Nusëron dhe na diktohet e pastër. Gjuhëkthjellët. Racionale. Tërheqëse. ‘Aromatike’ dhe me shije. Pra një meze në tryezën e një lexuesi sqim. Një arsye më shumë për të mrekulluar lexuesin dhe vetë mjetin që e shtron atë në këtë tryezë. Sakaq skica të tilla si “Fluturim magjik”; “Lustraxhiu dhe trumcaku”; “Përtej dashurisë”; “Hetuesi” etj., flasin me një gjuhë të qartë, ku vetë simbolika, figurat e tjera janë çelësa magjikë në shkurtesën normative të leximit. Tek njëra nga këto skica vetë fjalia është modeli i kësaj mjeshtërie: “U shfaq ai. Ia trembi pulëbardhat  duke përplasur këmbët në shkallët e hekurta tek po hypte në verandë, ashtu si dikur zbriste në birrucat e nëndheshme tek “ata”, armiqtë e popullit. Si mund t’i lejonte “ai”, këta shpendë të fluturonin lirshëm dhe të kërkonin ushqimin e jetës së tyre?! Si mund ta jetonin lirinë e tyre këta shpendë të bardhë si mëngjesi, kur bëheshin pre e armikut të klasës?!”
Le të mjaftohemi me këtë retorikë të sqimtë dhe këtë filozofi të fjalisë së goditur për të cituar edhe një herë daltën mjeshtërore të autorit.

Leximi tërheqës

Për kënaqësinë e vetë leximit ju afroj që në fillim një fragment nga “Lustraxhiu dhe trumcaku”. Shijimi i këtij leximi na dikton forcën e artit që vjen mes fjalës së artistit. Ja si shkruan ai: “Duke i dhënë një shtytje të lehtë përpara, trupit të vet, me ato këmbët e tij të vogla , trumcaku u shkëput nga dega e pemës dhe u ul mbi qeskën e plasmasit të mbushur me fara luledielli. Ai nuk shpëtoi pa u vënë re nga llustraxhiu tek po rrinte e ngrohej në diell. Me bisht të syrit ai vuri re trumcakun të tundte kokën dhe të hidhte shikimin e  mprehtë gjithandej. Pas një stepjeje të vogël filloi çukitjet e tij të  shpeshta dhe nxjerrjen e lëvozhgës të asaj fare të zezë nga jashtë dhe të bardhë nga brenda. I mbështetur për muri siç ishte i ulur në stol, llustraxhiu vuri re shikimin e pa lexueshëm të atij shpendi të imët. Për herë të parë po e ndjente praninë e tij kaq afër. Cicërimën e tij e njihte prej kohësh. Ajo e shoqëronte që herët në mëngjes kur hapte mjetet e tij të punës nga një valixhe e drunjtë dhe trokiste furçën në të për të thirrur myshterinjtë. Cicërima i përgjigjej gjithë dhe mbarote në të errur tek mblidhej me zogjtë e tjerë  për të kaluat natën në kurorat e pemëve. Atje tek përballoi shikimin me të, llustraxhiu ndjeu të  dëgjonte fjalosjen e tij të çuditshme, e cila, për njerëzit, ishte veçse thirrje e shkurtër  dy a tre rrokshe e pa deshifrueshme por me intonacione muzikore të mrekullueshme. Në atë ças ndjeu buzëqeshjen  dhe zërin e atij fluturaku...”
Në këto fjali ndërhyrja do të ishte ‘mëkati’ më i madh i sakatimit. Çdo fjalë, çdo fjali e kësaj skice meshon art.

Në vend të mbyljes edhe pak njohje

Shkrimtari, Edmond Llaçi, është nga fisi i atentatorit Vasil Llaçi, nga Piqerasi. Po kjo nuk pengoi që i ati, një ish i internuar në kampet e përqëndrimit nazist të arrestohej për agjitacion e propagandë dhe të ndërpriste ëndrrën e Emondit të ri për t'u bërë piktor. Atë e ka trishtuar fakti se nuk e linin të vendoste pikturat e tij në ekspozitat e e arteve figurative për shkak të biografisë. Mondi në rini kishte shumë pasione. Ai arratisej për ditë të tëra nëpër shpellat karstike të jugut, duke u bërë kështu, së bashku me mikun e tij të fëmijërisë, Sofokli Liti pionerë të speliologjisë shqiptare. Ka botuar artikuj, skica dhe foto, si dhe objekte të jetës prehistorike në shpella, të cilat janë dokumente interesante në këtë fushë. Ka gati për shtyp një libër të posaçëm me këtë temë. Skicat letrare të tij janë rezultat i aftësisë për të zbuluar jo vetëm brëndësinë e shpellave por edhe të karaktereve njerëzorë. Kështu është detyrë e çdo lexuesi të gjej e të shumëdimensionoj skicën dhe tërë krijimtarinë e krijuesit shumëdimensional, Edmond Lllaçi.