Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Monday, 13 February 2012

ERDHE VONË, HYJNIA IME






Erdhe vonë, hyjnia ime. Nga pritja e gjatë kaq herë e modelova
                                                                      shtatoren tënde.

Që në fëmijëri, gërvishtja në kujtesë  skena primitive,
si  skenat e gjuetisë në artin prehistorik të shpellave.

Kur m’u forcuan kërcinjtë fillova të shkelja këmbëzbathur
si një eremit nëpër gjiret e fshehta të detit
dhe të prisja të vije si një Afërditë e ngjizur nga dallgët.

Ishe e fshehur pas çdo gjallese që këlthiste në vijën e largët të
                                                                       horizontit,
pas çdo sinjali që më jepte një yll që binte,
pas çdo dritareje që hapej.

Çdo shtjellë ere
më mbështillej si përqafimi yt i padukshëm
dhe Ylli i  Jugut  më bënte roje netëve  se mos shkalloja.

Atëherë, me një furçë, më vunë të zografisja
muret e zvetënuara të një epoke. Kisha frikë
ta thoshja emrin tënd. Zbrisja në Butrint dhe fshehurazi,
dilja të të prisja në portën Skea
nga patën hyrë dikur  udhëtarët homerikë.
Ulesha në shkallaret e teatrit të lashtë
se mos kapja rastësish jehonën e zërit tënd
në mes të ofshamave të tragjedive.  

Shtrihesha në qelat nëntokësore të dyzetë shenjtorëve
larg të tjerëve, të lëpija plagët që më shkaktonte pritja jote.

Erdhe vonë, hyjnia ime dhe m’u desh kaq herë
të të modeloja, si në një studio ADN-je
dhe m’u desh kaq herë të urtësoja zjarrminë  që më kapllonte.

Erdhe e rrethuar me një luzmë drite atëherë kur bëhesha gati të
                                                                               fikja shpresat,
dhe si një amazonë e rreptë më ringjalle,
me shoqërueset e tua të përjetëshme:
poezinë në një krah dhe dashurinë në anën tjetër.

JON

Një hap më tej fillon gjithësia. Pranë meje - palombarë që
                                                                        ngjiten në qiell,
astronautë që cekin fundin e oqeaneve.
Një botë fanepsjesh më rrethon.
Ç’ rrinte e fjetur brënda meje për vite me rradhë
çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe vërshon
rrugëve të një Butrinti që shullëhet në zgrip të hapësirave.

Kuaj lumenjsh gremisen nëpër kaskada.
I dal Noes përpara dhe marr në dorëzim listën me të gjitha
speciet e tokës që mbarti në arkën e tij.  Përmbytja zmbrapset.
Toka që kërkonte është brënda meje. Faret,
me një dritë radiumi, ma bëjnë me shenjë si sinjalet e një piste
            aeroporti në mes të natës.

Një hap më tej është gjithësia. Këtu, pranë meje,
valët nxjerrin në breg statuja. Të mos kesh mëndjen,
gremiset një kapitel drite dhe tingujt vagnerianë,
nga tendosja e telave të hapësirës, jehojnë thellë zbrazëtive. 
Mbështetem mbi një mur resh që të mos vithisem.
Vë veshin dhe dëgjoj zërin e Thamosit që oshetin nga anijet
dhe lajmëron se Pani i Madh vdiq.
Drithërima e liqenit Pelod atje pranë,
me një simfoni të qarash, ndihet nga bregu tjetër.
Kush jam unë? Si më braktisën kështu perënditë pagane
dhe më lanë të vetëm në mes të sirenave që fillojnë të mbushin
radhët e korreve jonike të polifonisë ?

Një botë fanepsjesh më rrethon.

No comments:

Post a Comment