Resmi Osmani Tregim
GURI I ÇMUAR
1
Bledari qendroi para banakut.Vajza e
recepsionit, ishte duke lexuar,u kujtua per vizitorin kur mbi te ra hija e
siluetës. E la menjane librin dhe me buzeqeshjen qe kërkonte mirsjellja e
pritjes, e pyeti me se mund ti shërbente. Ai i zgjati pasaporten. Donte një
dhomë për të bujtur. Ajo e pyeti, për një natë apo më gjat.Ai do të rrinte disa
ditë, ende se dinte sesa, por besonte disi gjatë.
-Po u jap dhomën tonë më të mirë, në kat të
dytë, ballkoni ka pamje nga lumi.Në banjë keni ujë të ngrohtë tërë kohën. Besoj
se do t’u pëlqejë, në mos, mund t’ua këmbejmë.
Ai e falnderoi dhe mori pasaportën.
Egzona pa që ai ishte shtatlarte.Me
atlete, pantallona të shkurtëra dhe bluzë të lehtë. Në fytyren e mbuluar nga
mjekra, shquanin sytë, të kthiellët e plot dritë dhe balli i larte, qarkuar nga
flokët e gjatë lidhur bishtalec. Në qafë i ndrinte zinxhiri hollë i artë me një
gur të vogël rubini që kuqëlonte nga drita Në shpinë kishte një çantëtë madhe
me rripa. Ngjante me një shtegtar të vetmuar. Nga e folura dukej që ishte i
ardhur. I zgjati çelësin e dhomës.
Bledari lehtësoi shpinën nga barra e çantës
dhe s’po ia shqiste sytë vajzës. Ç’bënte atje kjo bukuri? Një zanë prapa
banakut të një hoteli! Dita po mbyllej me një befasi.
-Mund të ma shërbeni darkën në dhomë?
-Bëni porosinë dhe më thoni orën.
-Darkë të lehtë, ndonjë gatesë tuajën dhe
një shishe verë të bardhë, të ftohtë. Në ora nëntë.
Ai u ngjit në dhomë ndërsa Egzona vijoi
leximin e librit aty ku e kishte lënë.
2
Egzona, me tabaka në dorë,trokiti lehjtë
e si me droje , kur nga Brenda erdhi miratim “Hyre”,ajo hapi derën me kujdes
dhe iu afrua tryezës së vogël për të lënë tabakanë me darkën. Djali, ishte I
ulur anash, abazhuri ndrinte fort syprinen. Mbi sofrabez, ishte hapur një mësallë
e bardhë, mbi të cilën ishin zbrazur gurë të vegjël të çmuar, që llapsnin e
ndrinin me laryshi ngjyrash si të ylberit.Anash ishte një qelq zmadhues dhe një
kuletë kamoshi ngjyrë vishnje. Asaj i mbetën sytë në atë bukuri,por se dha
veten.
-Sipas porosisë të solla darkën.Besoj të
të shijojë.
-Faleminderit. Aroma është këndellëse.
Hijeshija jote ja shton shijen!-tha i buzëqeshur dhe u ngrit.Ftoi vajzën të
ulej, i zgjati qelqin zmadhues dhe e ftoi të sodiste mrekullinë e gurëve. Ajo
pranoi. Kur u ra përsiper drita,gurëzit u prushuan si thëngjijtë në vatër,prej
tyre buroi si e nëntëshme drita refleksive me ngjyra: e bardhë e tejpashme e
diamantit, e kuqe si thelp shege e rubinit, e gjelbra e smeraldit, blu-vjollcë e safirit,si ujë deti e akuamarinit, e verdhe
portokalli dhe trandafili e opalit, ngjyrë mjalti e amberit… ishte një mozik
shkëlqimtar, ku loznin drita dhe ngjyrat e syte s’nginjeshin së pari atë
mrekulli. Bledari mori nje pincetë,i kapi gurët eçmuar një e nga një dhei afroi
posht qelqit zmadhues që Egzona ti sodiste nga afër nën dritën e bardhë të
abazhurit.
-Gurë të çmuar janë vetëm katër :diamanti,rubini,smeraldi
dhe safiri, me bazë karboni, pastaj janë me dhjetra gjysmë të çmuar, me bazë
silici,kuarcite kristalorë që ngjyrat i kanë në varësi nga prania e molekulave
te hekurit, kromit, bakrit etj. Siç i sheh. Jane një mrekulli e natyrës.Kanë
fjetur miliona vjet nëndhe, dhe kur dalin ne dritë nga errësira, shkëlqejnë e
llapsin si të etur nga ajo që u ka munguar, i gëzohen dritës si i burgosuri
lirisë, e përthithin atë dhe e reflektojnë dukei dhënë shkëlqimin e brendisë së
tyre!.Janë të shumtë në llojshmëri, pamje e bukuri, por të pakët dhe zor të
gjendshëm,prandaj janë edhe aq të çmuar e të shtrenjtë. Janë përdorur e lakmuar që së
lashti,si shenje pasurie, pushteti dhe sundimi, ne unazat e mbretërve dhe
prelatëve, kurorat e sundimtarëve, stolitë e zonjave të sërës së lartë…
E ndali ligjërimin. Kur niste të fliste
për ta, ai s’dinte të pushonte, mund t’i thoshte se në zbulesën e Gjonit, Zoti
në fronin qiellor kishte shkëlqimine diasprit
sardit dhe smeraldit, në themelet e qytetit të shënjtë të Jeruzalemit ishin
dymbëdhjetë radhë me gurë të çmuar, se në unazën e Papës dhe kardinalëve, gurët
e çmuar ishin simbole të pushtetit, besimit dhe shkëlqimi i tyre një nga
virtytet e shenjtorëve.Rubini simbolizonte zemrën dhe gjakun e Jezu Krishtit.
Drita e pastër e diamantit vyrtitin dhe dlirësinë e Shën Marisë , se në unazat e sulltanëve(myhyret) vezirëve
dhe dinjitarëve, ishin të gdhendura ofiqet e tyre dhe perdoreshin si vula. Se
diamanti me i madh i gjetur, i ishte dhuruar mbretëreshës së Anglisë dhe ishte
bërë pjesë e kurorës mbretërore, se gurët gjysmë të çmuar ishin mbi tridhjetë
dhe se shumë prej tyre mbanin emrin e vendit ku ishin gjetur.Edhe ai po të
arrinte te gjente një gur të veçantë do ta quante “Dardanit” ….,por pati droje
se do ta mërziste vajzën.
Ajo i pa gishtat.Nuk kishte unazë me gurë, përveç
atij rubini në formë pikloti në zinxhirin e artë varur në qafë.
-Ju jeni argjendar? Qe pyetja e saj e
beftë.
-Jo jam gjeollog, i specializuar për gurët
e çmuar ne universitetin e Pragës.Çekët kanë miniera të gurëve të çmuar. Edhe ky koleksion që po sodit, më është bërë
dhuratë kur mbarova specializimin.Shpesh i sodis,se më ngazëllejnë dhe më bëjnë
të çmoj bukurinë. Si ta them, jam gjuetar i diamanteve.Kërkues privat i gurëve
të çmuar.Kur mbarova specializimin pata oferta për në Afrikën e Jugut, në Tanzani
e Namibi, nuk pranova.Diamantet e atjeshëm janë të lyer me gjak.Rebelët i këmbejnë
me armë. Kjo kuturisje më ka sjellë këtu. U pajisa me lejë nga autoritetet vendore
dhe që nesër do të nis nga kërkimet .
-Mendoni se do të gjeni?
-Shpresoj shumë. Gurë kristalorë të
bukur janë gjendur në Trepçe, Artanë, Kishnicë dhe Çukë të Batllavës.Të tjerë
duhet të jenë aty. Presidenca i ka përdorur për dhurata. Një prej tyre ju dhurua Papa
Françeskut. Midis gurëve kristalorë, mund të hasen edhe opali dhe pirokseriti. Për ta është caktuar edhe tarifa e taksës prej
katër përqind të vlerës nga gjetësit e
tyre.
-Nëse
mund të pyes,nga ç’vend i Shqipërisë jeni?-tha ajo për të ndrruar bisedë.
-Nga Berati, i një mbi një dritareve.
Edhe ne kemi një lumë, Osumin, që zbret nga malet e Skraparit mes grykave e
kanioneve te bukur. Pa kemi edhe kodra plot me ullinj ,qershi e fiq. Kam dëgjuar
që me emrin Berat tek ju quhen djemtë! Ju jeni e punësuar këtu?
-Jo.Hotelin e kemi pronë familjare.Jam
studente ne letersi.Qëndroj këtu gjatë pushimeve. Gjithsesi të uroj fat. Si
thonë gjuetarët:qëllofsh! Mua do të më falësh, më presin poshtë-tha vajza dhe u
ngrit.
Ai e falnderoi, pa ja hequr sytë siluetës
së saj belhollë,si drenushë, fytyrëhënë dhe s’kish të nginjur me amzën e lehtë
e të ëbël femrore të parfumit të saj. Kur ajo i uroi natën e mirë dhe ishte duke dalë, ai e pyeti:
-Ke marrë pjesë në ndonjë konkurs
bukurie?
Fytyrën e saj e mbuloi një tis i trëndafiltë.Shumë
i guximshëm ky djalë!
-Jo. Pse më pyet?-ajo u hoq naïve, bëri
sikur s’e kuptoi.
-Duhet ta bësh-tha ai, pa shtuar asnjë
fjalë tjetër.
3
Porta e harkuar e hyrjes në minierë ,
në rrëzë të malit, e përhinjtë dhe e zgjyrosur nga koha, ngjante me gojën e
lubisë që gëlltiste qindrat e minatorëve për në botën e nëndheshme, pastaj
villte nga rropullitë e saj vagonetat e mbushura me xeherorë dhe në mbarim të
turnit ,i flakte përjashta, të sfilitur e të dërrmuar. Mbi gojën e lubisë, një
dorë e pastërvitur, kishte shkruar me bojë të bardhë ,si paralajmërim për një
kob të pritshëm ”Me fat!” dhe në të majtë një vëmendje për shmangien e rreziqeve
të pritshme: ”Ndalohet hyrja pa paime personale mbrojtëse”. Tani kishte rënë në
gjumë letargjik.Kishte vite që nuk punohej, përveç ca puntorë të mirmbajtjes.
Bledari mbajti këmbët para kabinës së
rojes. Roja dremiste, u përmend kur Bledari trokiti me gishta në xham. Roja
gjysm I përgjumur, mamur, hapi sportelin dhe qëndroi në pritje, pa dokumentat që
I dha I posaardhuri, u shtriq, gogësiu dhe e pyeti:
-Do të hyni në galeri për të kërkuar gur
të çmuar?
-Po. E keni të shkruar te leja.
-Këtu s’punohet. Mungon rryma dhe s’ka
ndriçim. Mund të lëvizësh vetëm në horizontin e parë. Ashensori i pusit të
zbrtitjes nuk funksionon. Galeritë janë të armatosura, por aksidentet nuk
mungojnë. Kujdes në labirintet e galerive,se mund të humbasësh dhe të mos gjesh
daljen. Ndiq shinat. I ke pajisjet personale mbrojtëse? Kaskën me ndriçues,
kazmën, litar, baterinë e karikuar të ndriçesit, ujë të pijshëm dhe ushqim të
mjaftueshëm për disa vakte?
-Po. Të gjitha.
-Me lejen tënde do të kontrolloj pak çantën.
Si e bëri edhe kontrollin, mendoi se
e kreu detyrën.
-Atëhere, me fat!- bëri urimin e tij
professional që i ishte bërë zakon.-Jam këtu deri në orën dymbëdhjetë, pastaj
mer turnin roja tjetër.
Bledari vuri kaskën, kontrolloi ndezjen
e llampës, shtrëngoi rripat e çantës dhe ngau në brendësi te hyrjes si drejt
njeë fshehtësie. Galeria qendrore e nivelit të parë, si një damar e shponte
malin drejt lindjes. Deri në vendin ku niste degëzimi i galerive-arterie anësore,
depertonte drita e ditës, më tej ajo mugej dhe niste errësira dhe e panjohura.
Nga t’ia niste kerkimit, ku ishte fshehur fati? Ngau edhe ca, pastaj u kthye ne
nje galeri në të djathtë. Ndriçuesi i kaskës hidhte një fashë drite që çante
errësirën, por ajo ishte e pa mjaftueshme.Teknika e kërkimit ishte e thjeshtë:
nuk do të gërmonte, kërkimi do të bëhej me ndriçimin e mureve të galerisë, me
shpresë se guret e çmuar kristalorë,sado pak të dukshëm do të ndriçonin nga
reflektimi i dritës. Nxori nga çanta ndriçuesin e dorës dhe e hodhi dritën mbi
paretet e përhinjta e të ftohta të galerisë, që ngjasonin me ca fletë të një
libri të përhinjtë enigmatik, që nuk mund të çfletohej, ku mungonin shkronjat
dhe s’kishte ç’të lexonte . U rropat orë të tëra, ndryshoi galeri, gërmoi me
majën e thikës dhe kazmën e vogël, aty ku dyshonte, por hasi në ca gurë të
pavlerë e sterilë. I lodhur por jo shpresëhumbur, pasdite vonë doli përjashta.
E dinte: kërkimi do të ishte i vështirë dhe i zgjatur në kohë. “Durim”, i tha
vetes.
Pasi bëri dush, zbriti në hollin e
hotelit. Egzona nuk ishte.Kjo e mërziti.Pas errësirës dhe grisë së galerive,
ishte gjëja e bukur që ai shpresonte të shihte. Kaptoi urën e Ibrit dhe hëngri
darkë në një qebaptore. Birra “Peja” e ftohtë dhe e shkumëzuar i shoi etjen dhe
i shijoi shumë.U end fillikat nëpër qytetin e ndarë dhe u kthye në hotel për të
parë ndeshjen e radhës të kampionatit europian.Luante Shqipëria me Rumaninë.Përjetoi
emocionin e fitores dhe ju shtua besimi se do ti haste gurët e tij.Kur u bë
goli, Mitrovica ushtoi nga brohoritjet. Ai doli në rrugë.Tifozët festonin:
ushtonin boriet e makinave dhe valviteshin flamujt kuqezi.Në lagjen serbe
kishte rënë një qetësi ogurzezë.
Kaluan
dit. Ai vazhdoi kërkimet në galeri të tjera, porme gjithë urimin “Me fat”, mundi
po i shkonte kot dhe po bjerrte durimin.Ditën e shtatë u shty më në thellësi
dhe hyri në një galeri që iu duk më e lartë.Errësirë,shurdhëri, vetmi.Botë e nëndheshme.
Qetsinë e thellë e prishnin pikat e ujit që pikonin nga tavani dhe kërcitja e
hapave të tij në guriçkat. Ju duk se kishte hyrë në barkun e lubisë që ti rrëmbente
thesaret që fshihte, por ajo e kishte gëlltitur në rropullitë e saj si të donte
ta treste.
Vetiu
pati ndjesinë se në galeri nuk ishte fillikat.Në ajr nuhati një parfum të lehtë
që s’ishte i tiji që përzihej me duhmën e djersës së një njeriu tjetër.Pas shpine, në qafë ndjente një
si djegie shkaktuar nga një rreze e padukshme shikimi. Mprehu dëgjimin.Hodhi dritën e fenerit të dorës
prapa, ndriçoi qoshet dhe gjithë hapësirën s’shquajti gjë. Asnjë zhurmë, vetëm
kliku i pikave të ujit që pikonin nga galeria.Pastaj pyeti duke thirrur fort:”A
ka njeri këtu?” Jehonës së zërit të tij s’ju gjegj askush.Ndoshta instikti i tij e kishte gabuar.
Hodhi fashën e dritës mbi paretet e përhinjta e të shterpëta , por
ato nuk përgjigjeshin heshtnin me memecërinë e tyre kryeneçe e të pashpresë . Kur durimhumbur u mat të ndërpriste
kërkimin, në krah të majtë, pranë tavanit llapsi një rreze drite, burim i saj
ishte një kristal që mugullonte rrafsh me sterilin si kaptinëza e lulezambakut
në pranverë. Ai u ngazëllye. Me majën e thikës nisi ta zbulonte. Më në fund! U
shfaq lbyrës guri me madhësinë e një arre, kristale kokrrizore, si degëzime që dilnin nga baza e kurorëzoheshin në krye
si një lulelakër në miniaturë. Degëzimet, gjysmë të tejpashme kishin ngjyra të
ndryshme: të gjelbër, vjollcë të çelur, të kaltër dhe të kuqërremtë, shkëlqimtare
e të qeshura! S’po u besonte syve”Të gjeta, të gjeta!” –bërtiti sa i hante zëri.
Jehona u përhap në galeri.Pasi u ngop së sodituri, e pastroi me kujdes, e mbështolli
me garzë të hollë dhe e futi në çantën e shpinës.
I
hipi ethja e kërkimit. E uli mbi pëllëmbën e dorës dhe nisi ti fliste: “Ti nuk
je vetëm, po shokët ku i ke? Më thuaj, t’i nxjerr nga errsira shekullore që t’i
gëzohen dritës e të shfaqin bukurinë e tyre”,por guri fliste me gjuhën e dritës
dhe shkëlqimit pas së cilës fshihej misteri i përgjigjes. Mandej e pastroi me
kujdes, e mbështolli me garzë të hollë dhe e futi në çantën e shpinës.
Ca çape më tej, ndriçoi një kristal që
si shquhej ngjyra, e zbuloi me kujdes pa u besuar syve. Ishte një buqetë
kristalore akuamarini, përbërë nga shufërza katrore që përfundonin me majë të mprehtë.
Kishte madhësinë e një grushti, drita
edhe e përshkonte, por edhe reflektohej me një ngjyrim si thellësia e ujrave të
detit. Ai psherëtiu, i kujtouan sytë e Egzonës. Por mrekullia ishte brenda tij,
një gur opali sa një lajthi me një mozaik ngjyrash të ylberta. Kjo po që ishte
gjetje! “Eureka” bërtiti si Arkimedi. Të mirat, ashtu si edhe të këqiat, kur
vijnë, hapu derën! Guri I tretë ishte I zi me damarëzime të bardha dhe
portokalli, çuditërisht me formën e një breshke të vogël. Boll, më! Kjo ditë
ishte e mbarë dhe galeria bujare ia kishte shpërblyer mundin. U ul shesh, nuk
ishte i lodhur por i tronditur, kjo ishte habia e kërkuesit. Kur e gjen aty ku
se pret atë që kërkon si kërkuesi I arit kur sheh kokrrizat e ndritura midis rërrës.
Mbështeti shpatullat pas murit të ftohtë të galerisë dhe me një furçë të vogël
pastroi njëri pas tjetrit gjetjet e veta. I soditi dhe I vendosi në çantë. Ndjeu uri dhe etje. Piu nga shishja, por nuk
hëngri.
Në brrylin e galerisë u faneps si fantazmë hija e errët e një siluete njerëzore,
pastaj fantazma u shfaq e plotë, në njërën dorë mbate elektrikun e dorës, në
tjetrën të shtrirë përpara revolverin. I veshur me të zeza dhe kryet mbuluar me
maskë. Bledari i zënë në befasi u trondit dhe brofi në këmbë.
- Kush je ti dhe çfarë kërkon?
-
Mos luj venit, mos guxo të avitesh dhe shuje zanin!Vendosi durt pas kreje,n’mos
po t’ a hjek i plumb n’lule t’ballit.
Zëri ishte i ngjirur dhe shqipja e tij
si gjuhë shpellash.
-Hudhma
mue strajcën ku ke venue gurt, po ngutu se s’kena koh.
Bledari ishte nën ndriçimin e fenerit
dhe kërcëninmin e revolverit kurse tjetri në gjysmë errësirë, si një shpirt i
keq i pjellë nga errësira.
- Po je burrë, eja ti marrësh.Mos prit të
t’i jap.
Tjetri shkrepi revolverin që flakëroi dhe
ushtoi, plumbi, si me vërshëllimë gjarpri i fluturoi Bledarit mbi krye.
-Hudhe, në mos do të gjuj apet, e ksaj here,
lum baca,s’baj hajgare, do të cofish e bahesh haje për krymba!
-Vërtet do të më vrasësh? Aq vlen për ty
jeta e një njeriu! Për ca gurë që bëjnë vetëm një grusht euro!
-Për mue jan bajagi. Ti e ke dnue vetveten
tate se je shiftar. A e din si thojna na: nieri shiftar i mir, asht shiftari i
dekun. Mandej ti je tu ba hajni në pasuni serbe.Ktu ene toka ene nantoka jan
tonat. Ç’ka ke gjet, më përket mue, po t’lypi gjan teme!Kosova ka pas qen dhe
asht Serbi,mos t’rrej men’ja- fliste dhe dora me revolverin ishte e shtrirë në
shenjë.
Bledari i zënë ngusht, në këtë galeri të
vetmuar, nën kërcënimin e armës, nxori nga çanta e shpinës, kuletën e kamoshit
me gurët e gjetur dhe e flaku drejt grabitësit. Tjetri, ngau me çape të
kujdesshëm, me revolverin në shënjë dhe e mori kuletën. Që të sigurohej e hapi
dhe e ndriçoi. Gurët ndritën e shkëlqyen.
-Veta po hiki, n’guxofsh me m’ndjek pas,
ta dish që je i dekun!
Bledari, befas i hodhi mbi sy dritën
e fortë të fenerit të dorës.Tjetri, vetiu, ngriti duart në mbrojtje të verbimit
të syve. Revolveri me tytë nga tavani, lëshonte reflekse blu. Bledari iu turr
sipër, e qëlloi fort me grusht nën mjekër, revolveri i shkau nga dora dhe ra
disa çape tej. Pastaj i dha një shkelm nën brez, mes këmbëve. Tjetri vërriti sa
i hante zëri, si derri kur e therin dhe u plandos mbi shina. I vuri gjurin mbi shpatulla,
i tërhoqi duart pas dhe ja lidhi me litarin që kishte në çantë. Ishte i
tronditur dhe dihaste, por ja kishte dalë. Mori kuletën me gurët,pastaj kërkoi
dhe gjeti revolverin. I hoqi fishekun që kishte në gojë dhe karikatorin. Tani
si hynte më në punë.
Tjetri ishte ende i zalisur.Bledari i
hoqi maskën dhe i ndriçoi fytyrën.Duhet të ishin vërsnikë. Fytyra, edhe pse e
shtrembëruar nga dhimbja, dukej e hijshme. Kur u përmend dhe e gjeti veten të
lidhur e të shtrirë si peshk, nisi të turfullonte dhe të shante, më së shumti serbisht, por
edhe shqip, por e kuptoi që e kishte kot, ato fjalë s’bënin punë, veçse t’i
shfrynin mllefin që ishte sjellë si idiot.
Teksa po thoshte këto kërcënime, në
galeri u ndje një ushtimë e shurdhër dhe rropamë, si rrapëllima e shëmbjes së
gurëve në një shpat mali, pastaj edhe një e dytë, një shkulm i vrullshëm ajri përshkoi galerinë, teksa
ende dëgjoheshin shembjet e rrokopujshme të breshërisë së gurëve. Shembja, sipas shakullimës së ajrit, që
fryu nga kreu i galerisë, kishte ndodhur
pas brrylit,në galerinë e hyrjes.
4
Shembja e tavanit kishte ndodhur
ndoca tridhjet hapa para brrylit. Bledari e ndriçoi me elektrikun e dorës.
Galeria ishte zënë e gjitha memollokë gurësh
të mëdhenj dhe steril, si me një tapë të stërmadhe. Anash dhe përdhe
kishin rënë drrasat dhe trarët e armaturës, të tjera vareshin nga tavani si ca
gjymtyrë të thyera. Ai u trondit.Ishin zënë si në grackë, kishin mbetur rob të
galerisë. U kthye te vendi. Tjetri i mbetur në terr s’bzante.
-O njeri, a ke emër ti?
-Më qujnë Zllatko, kurse për ty e di:
Bledar.
-Nga ma di?
-Pyta në hotel “Agroni”, ma kallzoi ajo
cuca që ti i vardisesh. Kam dit që të ndjek.
-Epo, dije Zllatko, është vidhisur galeria dhe ne kemi mbetur si të zënë
në çark.
-Ç’ka po thue. Mos bre! Njitash na paska
lidh nafaka bashkë. Ose pshtojm të dy, n’mos desim t’dy. Kuku majko! Po me mue, tash që m’ke
n’dorë,ç’ka do të bajsh? Do t’më vrasësh?
-Nuk jam kriminel,s’jam si ti, edhe
nes’jemi si ju. Nuk bëj vetgjyqësi. Por po dolëm gjall prej këtu,do të dorzoj në
polici. Do gjykohesh për grabitje dhe tentativë vrasje. Padi të mjafta për të bërë
disa vite burg.
-Bajm paqe. Mi zgidh durt.T’jap besën se
nuk të gërgas.
-Nuk të besoj.
-Pse bre, ju shiftart besën e keni për
gja t’madhe!
-Ashtu vërtet, por nuk ia japim të pabesit. Ti gjuajte me armë mbi mua.Mund
edhe të më kishe vrarë.
Zllatko u rrotullua me mundim dhe duke rënkuar
e dihatur, për tu rehatuar mbështeti shpatullat në murin e galerisë. Errësirën
e ndriçonte llampa e kaskës së Bledarit.
E
di,je hala i inatosun. Deshta veç me
t’tremb.
Për njimend Bledari u ligshtua: I mbyllur
si I varrosur në thellësi të tokës, në terrin e një nate të përhershme, me ajr
të paqarkulluar, pa ujë e ushqim, jashtë dijenisë dhe vëmendjes së njerëzve.Për
‘të e ndinte veç Egzona dhe roja i minierës. Celulari s’bënte punë, nuk kishte
valë. dhe me një person armiqësor që kish dashur ti hante kokën! E para e punës
bëri inventarin e ushqimeve.Çpështolli pakon
që i kishte dhënë Egzona. Një mollë,një kokërr portokalle ,sanduiçi
me suxhuk , djathë, dy vezë të ziera, një çokollatë dhe një bidon i vogël me ujë.
Këto ishin te gjitha. Pak për një qëndrim të gjatë. E dinte: pa ujë mund të
jetohej tri dit, pa ushqim ca më gjatë, trupi hante vet-veten, në fund trurin
dhe pastaj….vinte vdekja.
Kaluan orë. Përjashta duhet të kishte rënë
nata.Heshtje mizore.Errësira ishte zonjë e territ. Bledari kishte fikur llampën
për të kursyer baterinë. Më të rrallë përdorte ndriçuesin e celularit, për të
parë orën dhe datën.U mendua gjatë. Rasti e solli të luftonte për jetën.Sa të
kishte frymë, kishte shpresë. Tjetri
ishte ligështuar,gati t’i dorzohej të keqes. Bënte lutjet në gjuhën e tij, dhe
përsëriste herë pas here në shqip, siç duket që ta dëgjonte tjetri:
-Nuk dua të vdes…. O Zot nuk dua të vdes! O shën Mari, baj nji
mrekulli!
Bledari,surbi një gllënjkë ujë, sa për
të lagur gojën. Në lukth ndjente të zalisur, po nuk hëngri asgjë, duhet të
duronte. Shkoi te shembja dhe u mor gjatë për të sajuar një saje me drrasa, që
I ngjiti me gozhdët e nxjera nga binarët e armaturës. Lidhi litarin për të
sajuar një tërheqëse pastaj, nisi të gërmonte me thonj për të nxjerë gurët dhe
inertet. Kur e mbushi slitën, u mbreh në të si kalë,litarin e vuri në gjoks dhe
me mundim e tërhoqi osh mbi shina rreth dhjetë metra. Aty e shkarkoi. E bëri këtë
punë sa u raskapit dhe thonjtë iu përgjakën. E pa me dëshpërim, ishte si të
luaje një mal nga vendi. Iu duk vetja si një milingonë që merrte thërrimet e
dheut për të hapur hyrjen e folesë së mbyllur. U kujtua për tjetrin. Mori thikën
dhe iu afrua. Ai u lebetit.
-Jo me thikë- i tha,- me plumb!
Bledari e ktheu në brinjë dhe preu
nyjen e litarit që i kishte lidhur duart.
Tjetri, që s’po u besonte syve që e pa
veten duarzgjidhur fërkoi kyçet e duarve.
-Edhe në s’më vrave ti, do të des
njisoj kah etja dhe kah uja.
-Ti u nise për të bërë keq, por mos iu dorëzo
të keqes. Sa të kem unë për të pirë, do të pish edhe ti, sa të kem unë për të
ngrënë,do të hash edhe ti. Ose shpëtojmë të dy, ose vdesim të dy! Çohu, të punojmë që të çlirojumë veten.
Bledari ngarkonte sajën, Zllatko mbrehej
si kalë dhe e hiqte branë deri te vendi
i shkarkimit.Punë skllavi. Koha kish humbur,si në kaosin para krijimit të
botës. nuk dihej ishte ditë apo natë,
punonin deri në sfilitje. Flinin sit ë vdekur. Bateria e celularit mbaroi. Nuk
dinin sakt sesa dit ishin rob të tunelit.Ajri
u rëndua. Kur mbaroi ai pak ujë, ndanë më dysh portokallin. Bledari e
thithte ngadalë dhe ndjeu një shije të paprovuar, aq sa mendoi se s’ka gjë më të
shijshme se një frut portokalli i pjekur mirë.Kalonin orë, kalonin dit e net,
nga ushqimet të cilat Bledari i ndau barabar, s’mbeti asgjë përveç çokollatës që
e ndanë dhe e hëngrën me peta të vogla.
Uria si një darë po ua shkulte vendit stomakun, po u priste barku, zorrët
gërrisnin dhe nisi një si dehje e jerm, dhe para syve shfaqeshin njolla drite, menduan
se kishte ardhur fundi.Shembja mizore e tunelit nuk kishte të mbaruar.Gjymtyrët
u dhimbnin, litari u a kishte bërë plagë gjoksin. Forcat po shterrnin. Bateria
e ndriçuesit të kaskës dhe elektrikut të dorës u mbaruan.Elektriku I dorës
ndriste sa një xixëllonjë.Pa dritë.As ditë as natë veç terr.Kështu të ishte vall ferri? Ishin dy hije
që nisi ti mundonte etja dhe urija.Zllatko nga mënyra si frymëmerrte dukej që
flinte.Bledari nisi të mendohej. Kishte shumë gjëra për të menduar por pak për
të bërë.Sido qoftë, mendoi ai nuk ka asgjë që të mos durohet, edhe kur ajo bëhet
mbinjerëzore, vuajtjet janë kalimtare.Jeta regëtin deri në çastine fundit kur
ende s’kanë shterrur burimet. Nuk duhej dorzuar. Duhet të merrej vetja në dorë.
Por si t’i bëhej ujit? Gryka ishte tharë, ishte mpiksur pështyma, ai s’
prodhonte dot më pështymë, goja e gërvishur,
e veshur me një lëndë veshtullore me shije të neveritshme, kordat e zërit ishin
tharë buzët ishin rreshkur e çarë, kishin zënë kore të thatë, gjuha e trashur,
ashpërsuar si copë dru . Gjaku ishte trashur dhe zemra mezi e shtynte. Herë pas
here, niste një lemzë që i këpuste shpirtin. Etja nga nevojë ishte kthyer në sëmundje.
Uji kishte për ta shëruar! Lëngu pa ngjyrë, pa shije, pa erë.Nuk ishte një lëng
dosido, ishte si një hyjni, vetë jeta. Duhet të mungonte që të dije ta çmoje:
ishte pasuria më e madhe në botë! Do të mjaftonin disa gllënjka që të
ktheheshin fuqitë e braktisura,mjaftonin që të shpërthenin burimet e thara të
jetës. Ai ndjeu keqardhje për veten, por më së shumti për njerëzit e dashur dhe
i qau hallin, siç do të bënte me një mik. Pastaj erdhën haluçinacionet, kllapitë,
iu shfaqën viset e bukura të vendlindjes, kur ishte ende fëmijë me prindërit, në
livadhin e mbushur me lule ,duke ndjekur fluturat…. pastaj burimi, currili që
rridhte nga lyfyti. Ai u turr për atje, por nuk e arrinte dot, burimi largohej
e largohej. Pastaj, pavullnetshëm ra në gjumë.
Zllatko në kllapi, përsëriste pa pra: ujë,
ujë, ujë…pastaj çuditërisht se nga e gjeti
atë forcë brofi në këmbë dhe filloi të thërriste” Ehej, ehej, jemi këtu,
ejani”- shkundi Bledarin nga supi:
-Shiqo ata po vijnë, janë dy minatorë,
nuk po e sheh dritën e fenerëve?
-S’ka asnjë dritë, është një kllapi- i
tha, por Zllatko duke thirrur u zvarris t’u dilte përpara. Pastaj u kthye dhe
nisi të qante nga dëshpërimi. S’ishte askush. Në vend të njerëzve po avitej
vdekja.
Kur I lanë forcat dhe hoqën dorë nga hapja
e shembjes së galerisë, ata nisën të dërgonin sinjale duke goditur me gur damarët
e xeherorit:Tri goditje, pushim, sërish tri goditje të tjera, ishte alfabeti me
të cilin minatorët në nevojë kërkonin ndihmë. Goditje me gur bënin edhe mbi
shina, me shpresë se vibrimin e tyre dikush do ta pikaste. Por edhe nga kjo
s’dolli gjë. Kur ishin shkrehur tërësisht dhe I kishte lënë çdo shpresë,
Zllatko që kishte mbështetur kryet në murin e galerisë, dëgjoi të goditura. Mendoi
se I bënin veshët dhe ishte në kllapi, por goditjet dëgjoheshin qartazi.
-Vëre veshin dhe ndigjo, po na kërkojnë!
Bledari puqi veshin. Zllatko kësaj here
nuk po gabohej.
U ngritën me zor dhe duke u mbështetur pas
paretit të galerisë u zvarritën gjer tek shembja. Goditjet e kazmave, me tingëllim
metalik dëgjoheshin më qartazi. Ata tinguj u depërtuan në shpirt dhe i lidhën
me botën e ëndërruar dhe njerëzit, që sido të panjohur, ishin sivëllezërit e
tyre që po vinin ti shpëtonin.Filluan të thërrisnin, po ndryshe nga sa
shpresonin, zëri dilte i dobët e i pafuqi.
5
Pas një jave qëndrimi në Prishtinë
te e motra,Egzona u kthye në Mitrovicë. Ditët që ikën, s’rreshti së kujtuari
dhe menduari për djaloshin e gurëve të çmuar: buzqeshja e hijshme, ajo drita e ënbël
e syve,tingëllimi i veçantë i zërit dhe ajo afëri mikluese plot të fshehta tërheqëse
të atyre fjalëve që nuk thuhen por kuptohen, që pluskojunë në ajr si magji e një
ëndërre, që zemra i kap e i ndjen vetiu. Edhe pse kishte droje t’ia thoshte
vetes, ajo e pëlqente atë djalë! Pyeti gjoja si pa sajdi për të. I thanë se
kishin dit që se kishin parë,por nuk ishte larguar, llogarinë se kishte shlyer
dhe dhoma vazhdonte të ishte e zënë. Ajo u ngjit në dhomë.Gjithçka e tij ishte
aty. Mbi komodinën e shtratit kishte mbetur një libër i hapur. Duke I ditur
rreziqet në minierë, ajo telefonoi. I thanë se rojat ishin ndrruar sipas
ndrresave, ekishin parë që kishte hyrë, por jo kur kishte dalë. Egzona pati
parandjenjë se diçka e keqe mund të kishte ndodhur. Lajmëroi policinë.
Drejtoria e minierës dërgoi një skuadër kërkim-shpëtimi. Ata e gjetën galerinë
e shembur dhe nisën nga puna për ta hapur.
Lajmi u përhap shpejt. Te hyrja u
grumbullua një turmë kureshtarësh. Erdhi policia për të vënë rregull, një
autoambulancë, me personel mjekësor. Egzona po përjetonte çaste ankthi e
padurimi. Pas disa orësh, galeria u hap. Prej andej mbartën me barrela dy
persona, që nga raskapitja nuk mund të ecnin.Me zë të shuar ata pëshpërisnin:”Ujë…ujë….ujë”
zëri mezi u dilte nga buzët e çara e të rreshkura. Egzona njohu Bledarin,ai
tjetri,ishte serbi Zllatko, që dit më parë e kishte pyetur për kërkuesine gurëve
të çmuar.Ç’kërkonte ai vall në galeri? Hipi në autoambulancë, i lagu buzët me
pambuk të njomur me ujë, i ngriti pak kokën me dorën e majtë dhe i dha për të
pirë pak ujë. Ai s’kishte të ngopur,trupi i tij ishte tharë si shkarpë, por
mjeku , që po kujdesej për tjetrin, i tha të mos e tepronte.
Riaftësimi zgjati dit të tëra, fillimisht
i ushqyen me supëra të holla dhe u bënë serume kundër dehidrimit. Egzona i qëndroi
mbi krye deri sa atij iu kthye ajo buzëqeshja e hijshme dhe në sy iu drita e
shpresës. Ai i dha numrin e telefonit që
të lajmëronte të atin në Berat.
Zllatkon nuk e paditi. Ai e kishte
marrë dënimin.
* * *
I
ati u trondit. I biri thuajse nuk njihej: I ligur si pas një lëngate të gjatë,
në flokë i dukeshin thinja që ai s’i kishte patur,faqet të rrufitura, sytë të
futur thellë, e me hije të zezë ndën të,
fytyra e zbehtë. Vetëm kur i buzëqeshi, i ati pa te ai birin e mëparshëm. E
rroku fort.Ndenjën ashtu një valë herë.Pastaj e pyeti:
-E gjete gurin e çmuar?
-Po baba. E ke krah teje. Shihe: flokët e
saj janë diamant i zi , sytë si dy smeralde , buzët rubin e opal, cipa e faqes
qelibar e sedef. Është guri i çmuar i Mitrovicës dhe quhet Egzona. I kam borxh
jetën. Bekimin tënd,baba!
Të atit iu përlotën sytë. U vuri dy të
rinjve duart mbi krye pastaj i puthi në ballë.
-Qofshi të lumtur!
Tiranë, korrik-gusht 2016
No comments:
Post a Comment