Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Wednesday, 28 March 2012

Margaritarët…



Nga cikli “Kur flasim për Artin Jonian

Nga Timo Mërkuri
Unë nuk jam ihtiollog,  por unë e di si krijohen margaritarët.
E di shumë mirë si krijohen margaritarët edhe për faktin se kam lindur dhe jam ritur në breg të detit.Dhe ca të fshehta të detit, ne djemtë e bregut i dimë mirë, aqë sa mund t’ju  tregojmë edhe juve ca kuriozitete të këndëshme. Bie fjala, si krijohen margaritarët.
Të jem i qartë me ju që në fillim, folja “krijohen”, kur është fjala për margaritarët, nuk është folja e duhur. Më e drejta do të ishte të përdorim foljen “lind” dhe “ritet”, si për çdo gjë të gjallë.  Por, për ju që nuk e njihni detin, po përpiqem t’jua shpjegoj sa më qartë.
A kini dëgjuar për koralet e detit? Këto janë disa “bimë” apo më mirë “lule” deti, me ngjyra të ndryshme dhe bukuri maramendëse, të cilat mandje, lëkunden nën rrymat detare, tamam siç lëkunden lulet në fushë, nën flladin pranveror. Ta shohësh këtë lëkundje gjatë zhytjeve detare, sidomos në momentet kur mes tyre kalojnë vetëtimthi ndonjë tufë peshqish të vegjël, ju siguroj unë, që do tju  mbetet  në mëndje  si një ëndër detare. Dhe po të keshë fat, që këta peshq të jenë të  shumëngjyrshëm, bukuria e ylberit  mbi tokë do të duket siç duket një  kukull prej lecke, veshur me të bardha para një nuseje që vallzon në krahët e dhëndërit ditën e dasmës së saj. Jo vetëm koralet të duken si lule por edhe gurët me lule të ngjajnë.  Vetëm aromë nuk lëshojnë këto korale-lule. Ke dëshirë të këputësh disa korale e të bësh me to një tufë lulesh për tja dhuruar  … mikes së zemrës, domosdo.
Por…., këtu më dëgjoni me vëmëndje, kini pakëz kujdes kur ti këpusni ato në fund të detit, në brigjet shkëmbore të Jonit, ku ato riten me shumicë,  se me ti nxjerrë në sipërfaqe, në kontaktin më të parë me atmosferën, ato ngurtësohen, pikërisht në formën rastësore që krijohet nga ky kontakt. Dhe megjithatë, përsëri janë shumë të bukura, ndonëse të ngurtësuara. Ndoshta te ky ngurtësim  i të bukurës , e ka burimin dhe ajo legjenda me atë shtrigën që ngurtësonte gjërat dhe vajzat e bukura  që e shikonin. Ajo vërtet i ngurtësonte  të bukurat,  por gjithmon ka patur “trima” që donin ti shpëtonin këto “bukuroshe” nga ngurtësimi. Veçse duhet të themi se, këtë here, këta trima të “çartur”, quhen artistë koralesh, gdhëndës koralesh. I marin këto korale të ngurtësuara dhe me to krijojnë  vargje magjepës ruazash, për vajza dhe nuse të reja, gurë unazash apo gurë byzyliku, mandje gdhëndin edhe statueta të vogëla, fine për nga linjat dhe magjepëse për nga bukuria.
Po të më pyesnit për bukurinë e tyre, unë do t’ju sugjeroja që ti haronit fare unazat, byzylikët dhe  varëset e florinjta apo të argjendta. Dhe me dashamrësi do t’ju kujtoja se edhe  vlera  dhe artistike e tyre ka këtë kurbë ritjeje, paralele me bukurinë dhe finesën.
Por ajo që dua tju kujtoj më tepër se çdo gjë, me këtë rast, është fakti se këto gurëunaze, gjerdan e byzylikë të bukur, të kapur me cepa argjendi unazash e byzylikësh a të lidhur në varg mëndafshi nëpër gjerdanë, këto statueta të gdhëndura të  bukurisë së ngurtësuar, jo shumë larg në kohë dhe distancë, kanë qënë të gjalla, që loznin  e koloviteshin me rymat detare si çupkat e vogëla nëpër shilarëse.
Dhe nuk të besohet ky trasformim e ngurtësim i një bime të gjallë detare.
 U zgjata pak për tju treguar se deti ka “botën “ e tij, të pakuptueshme nga të tjerët.
Ajo që të duket e ngurtë në bregdet është e gjallë dhe plot lëvizshmëri në thellësitë e detit. Kështu ndodh edhe me margaritarët.
Margaritarët janë “bij” të disa guackave që quhen pina, të ashpëra në dukje nga jashtë, por me jetë  brenda dy kapakëve kuackorë. Pak a shumë si një midhje e madhe, e cila, brenda dy kapakëve të zinj, ka atë  gjallesë, që e gatuar mirë, na shijon së tepërmi.
Pikërisht edhe pina, ka brenda kapakëve kuackorë të ashpër  gjallesën,  e cila përpiqet ta mbajë pastër “shtëpinë” e saj prej kuacke dhe trupin e saj delikat, si dhe   të sigurojë ushqim për të jetuar ajo vetë, apo dhe të lindurit e saj.
Por ndodh që rrymat detare, të cilat lëvizim guriçkat e rërës në fund të detit, të arijnë të futin  brenda kësaj guacke ndonjë kokrizë të vogël rëre.Kokriza është e vogël, por alarmi që shkakton te gjallesa detare kjo “gjë” e huaj, e gurtë, është shumë e madhe. Në rast se gjallesa nuk arin ta nxjerë jashtë organizmit të saj me  formën tradicionale të shtyrjes, ajo, duke mos u pajtuar me praninë fizike të kësaj “gjëje të huaj”, e cila mund të mbartë në të ardhmen reziqe  të panjohura  për vetë gjallesën apo krijesat e saj, përdor metodën e “murosjes” të kësaj gjëje të huaj, brenda organizmit të saj.
Kështu, për vetëmbrojtje prodhon një substancë e cila e “vesh” nga të gjitha anët kokrizën e rërës, duke e izoluar atë  nga kontakti me organizmin. Kjo substancë e prodhuar nga vetë krijesa detare, rjedh nga organizmi i saj natyrshëm, në formë “lëngu molekular” për nga madhësia, dhe nga kontakti me kokrizën e ngurtë të rërës, ngurtësohet edhe  ajo vetë, duke krijuar kështu një  veshje, një “koracë” izoluese të gjithëanëshme të   kokrizës së rërës.
Kjo substancë është lëndore, është si ushqimi i nënës për fëmijën e saj në fetus, është si gjaku që rjedh nëpër deje. Po të dalë gjaku jashtë trupit , ai mpikset, duke  u ngurtësuar, pra duke ndryshuar formën, mandje edhe ngjyrën, deri diku. Pra, kjo substancë lëndore që   ngurtësohet në formë  rruzulli, reth kokrizës së rërës, përbën  atë  gur të çmuar dhe magjepës për nga bukuria  që quhet “margaritar”. Unik dhe i pandashëm në pjesë  apo copa, si çdo gjë e gjallë. . I bukur, me një  ndriçim të përzier bardhësie e kaltërsie, thua se është  drita e syrit të detit që të sheh me ëmbëlsi. Një bukuri shtangëse, që stë lë të largohesh pa e kthyer kokën dhe njëherë. Kjo mund të shpallet perëndesha e bukurisë e botës nënujore. Një Afërditë e re. Dhe me që ra fjala për Afërditën, unë ju them se krahasimi nuk është i tepëruar, dhe për faktin se, jo më kot artistët e rilindjes europiane e pikturuan Afërditën sikur del nga një guackë e porsahapur, në breg të detit.
Kështu gjëndet edhe sot nëpër skulpturat që zbukurojnë  parqet dhe muzetë.
Tani që unë jua tregova sekretin, ju mos vraponi të zhyteni në det e të kërkoni margaritarë në çdo hap. Jo në të gjitha brigjet dhe jo në të gjitha detet lindin e riten margaritarë nëpër pina. Jo të gjitha pinat lindin e ritin (unë s’them dot “prodhojnë”) margaritarë dhe ata nuk riten me javë, si zogjtë e pulës.
Duhet ta dini  se, për tu  ritur një margaritar i  në madhësi mesatare,  duhen disa dhjetra vjet punë prodhuese  e krijesës detare, pinës?
Ndërmënd kam  vargun e poetit A.Mato:  Mea Culpa, ku dëshmon se tridhjetëvjet poeti i privuar nga botimi, riste në shpirt  perlat e tija poetike, nën një pamje të ashpër indiference publike.
“Heshta si bilbili në degë”  shkruan poeti me një varg tronditës artistikisht.
Ka ca kohë, që në ciklet e botuara prej tij, rethoret e gërmave më duken herë si lotë e herë si margaritarë. Nga kjo ngjashmëri më lindi dhe mendimi se, ndoshta  vetë margaritarët, janë thjeshtë lotët e pinave, apo lotët e zemrës , të ngurtësuara. Krahasimi nuk është shumë larg, sepse, po ti hapësh dy kapakët kuarcorë të pinës, pa i shkëputur nga njeratjetra, ato formojnë  figurën e zemrës. Dhe margaritari në mes të kësaj zemre detare, i  shndëruar në një pjesë  organike të saj, të cilën pina e ruan me xhelozi, e mban fortë, duke i shtrënguar kapakët e saj kuarcorë gjithnjë e më shumë.
 Zhytësit dhe peshkatarët që i gjejnë këto pina, flasin për përdorim force të madhe me thika detare, për ti ndarë nga njera-tjetra dy kapakët kuackorë të pinës dhe për të marë perlën brenda saj.
 Miret margaritari nga pina, vihet nëpër unaza, byzylikë apo gjerdane dhe atu ai përkëdhel gishtin, krahun  a gushën e vajzës që e mba. Këtu lind ajo lidhja e ndërsjelltë midis margaritarit dhe vajzës që e mba, ai trasmentin i mistereve të ëmbëla  të fund deteve nga margaritari te vajza, për të cilin flasin legjendat. Më të kaltëra bëhen ëndërat e vajzave që mbajnë margaritarë, më i ëmbël  është shikimi i syve dhe buzëqeshja e tyre është më e bardhë dhe të premton shumë.
Djema, po doni të fitoni parajsën, ky është momenti për tu nisur drejt saj.
Pasi miret  margaritari, pina hidhet në det, si një gjë e panevojëshme ose miret për të pikturuar në pjesën e saj të brendëshme, kryesisht, motive detare. Deri këtu qe jeta e saj.
Është e vërtetë që shkencëtarët ihtiollogë, duke ditur mënyrën e ritjes së margaritarëve, kanë krijuar rezervate për prodhimin e tyre, duke stimuluar ushqimin intensive të pinave dhe duke pretenduar që për disa vjet të arijnë prodhimin dhe rendimentin natyral.
Siç edhe pritet, prodhimi i tyre ka rezultuar “skarco” po ta krahasojmë me origjinalin, por që gjithësesi ka gjetur treg shitjeblerjeje, ndonëse me fitime jo aqë të lakmueshme.
Jo vetëm kaqë, por edhe fusha e përdorimit të tyre është  larg përdoruesve, admiruesve dhe kërkuesve të margaritarëve  realë. Pra, për të ineresuarit, kini kujdes, një margaritar të tillë “artificial” mund t’ja dhuroni një të dashure të sezonit veror, por mos guxonit t’ja dhuroni gruas suaj dhe ca më pak, duke e shoqëruar me deklarata dashurie e besnikërie.
Unë s’mbaj përgjegjësi për pasojat që mund të rjedhin nga kjo pakujdesi e juaja.
Por ajo që dua të theksoj veçanërisht, është fakti se këta margaritarë, edhe kur janë brenda pinave por edhe kur vendosen nëpër unaza apo gjerdanë nusesh, kanë atë ndriçimin magjik të  pastërtisë të funddetit, bardhësinë dhe kaltërsinë e tij. Kanë misterin e pazbuluar të detit, atë mister që të tërheq si drejt një aventure të domosdoshmë për jetën, por të munguar gjer më sot. Jo më kot kanë lindur legjendat  me margaritarë, mbi mardhëniet e ndërsjellta dhe ndikimin në fatin jetësor  të mbajtëseve të tyre.
Unë  te një margaritar, shoh furtunat dhe bunacat e një deti plot jetë. Aty stampohen vorbullat detare dhe jeta nënujore, aniet e mbytuar dhe jetët njerëzore  në përpjekje a në përpëlitjen e fundit, siç stampohet në retinën e syrit,  pamja e fundit që sheh njeriu në jetë.
Unë i shoh këto miqtë e mi, i shoh qartë te margaritarët.
Pavarësisht në se ai është në një  unazë apo në një gjerdan.
Ai është bir i detit dhe mban detin me vete.
Me botën e tij kaltërore, me dritën e tij ëngjëllore.
Me shpirtin e oqeanit në mes.
Unë e ndjej dhe do dëshiroja ta ndjenit edhe ju.
Kështu, si këta margaritarë është edhe  poezia e Artit Jonian.
Kur, te  komenti i  poezive “Erdhe von hyjnesha ime” dhe “Jon”, të  mikut tim A. Mato te “ Fjala e lirë” e datës  14.02.2012 unë shkruajta:-A e ndjeni detin Jon midis vargjeve? A nuk ju duken fjalët si disa ishuj koralesh mesdhetarë? Në qoftë se po, atëherë unë ju them se, ju e kini ndjerë artin jonian. Urime.
Dhe këtë Urim, nuk ja dedikoja  autorit të poezive, por lexuesit të kësaj Gazete të nderuar, të cilit, vërtet i uroj ta lumturojë botën e tij me dritën dhe kaltërsinë …edhe të Artit Jonian.

Thursday, 15 March 2012

Shënjtërimi i shtëpive tona…dhe Niko Kacalidha.


         
Nga Timo Mërkuri
-Ishte rastësi fakti që ai lindi në Leshnicën e Sipërme, aty  ku koha ndau kufijtë e dy shteteve. Por ndoshta kjo rastësi ishte edhe fati i tij, për të hedhur shikimin dhe mendimin tejë  klonit, aty ku dhe zogjtë kishin ndrojë të vejevinin. Poshtë këmbëve të tij, një lumë i rrëmbyer gërryente shpatmalin, duke i bërë më të largëta brigjet dhe pemët nëpër to.
E bashkë me to edhe zogjtë  këngëtarë.
E hidhte shikimin te bregu i përtejmë ku zbardhnin e skuqnin lule të shumta, por s’mund të shkonte bashkë me të, t’u mirte erë a t’u këpuste një gonxhe a një petale së paku. Shpesh, tendoste krahun e tij fëminor dhe  hidhte gurë drejt bregut tjetër, si për të parë a qenë afruar ndopak brigjet dhe a qe rritur ndopak ai vetë. Ndoshta edhe për të tentuar të kalonte me not atë lumë të rrëmbyer. Por dhe  gurët i  binin në lumë, si për ti treguar pamundësinë e mbritjes “atje tejë”.
E po, në qoftë se  nuk kishte forcë fizike të hidhte as gurin e llastikut në bregun tjetër, askush nuk e pengonte mendimin e tij  të shëtiste lule më lule e pemë më pemë në dherat e bregut tjetër. Sepse aroma e atyre luleve e pemëve vinte bashkë me përallat e gjyshes, me këngët e nënës. Ja sillte nëpër  këshilla dhe  ai burri me mjekër të thinjur, që i ulur pranë oxhakut, me një libër në dorë,  lexonte  (apo  shkruante) Iliadën dhe Odisenë? Ishte Homeri apo babai i tij, ky plak i ditur,  që e njohu  qysh në fëmijëri me Hektorin dhe Akilin, të cilët i admiroi.( Thellë në shpirt ai  u magjeps, bashkë me Odisenë, nga bukuria e Naustikës dhe sigurisht, ra  në dashuri me të.Por i jati, von, shumë von e mori vesh këtë dashuri të të birit. Epo, helbete, baballarët, të fundit i mësojnë dashuritë e fëmijëve).
-Ishte rastësi që ai lindi në atë  breglumi, ku ndaheshin dy shtete, dy kohë, dy stinë.
-Ishte rastësi që ai e kishte  shtëpinë diku, në një cep të legjendës, ku rrugën për aty na e dëfton vetë, te poezia Shtëpia ime në shpat të ferrit, ku shkruan :
Shpella që të nxjer në ferr,bodrumi/ i klithmave dhe ulërimave të mia/.Plasi damari i ferrit dhe u quajt Skotini/ strukur nënë eshtrën e brinjës së shtëpisë sime.
…dhe te pragu i asaj shtëpie ai dilte e priste ..vjeshtën, thjeshtë, siç del i zoti i shtëpisë të presë mikun që bujt nëpër natë. Se po nuk dola unë nëpër rugë, kush ka/ për ta pritur vjeshtën? Dhe vjeshta vinte,  herë me Elitis e herë me Kostas Mondis e Jorgo Moleskies,Taqis Varviciotis a Jorgji Aleksiu, Sofokli Lazaru e Rula Ioanidhu-Stavru.  Pinin kafen e mikpritjes te shtëpia e Nikos dhe më pas, shoqëruar nga ai, vinin drejt nesh, për të na folur për një poezi, që aqë pranë e kishim dhe aqë pak e njihnim. Dhe kur ktheheshin në  vendin e tyre, mirnin me vete, jo vetëm librat greqisht të Niko Kacalidhës por edhe përkthimet e tij  të krijimeve të  Kadaresë, Agollit, Arapit, Zeqo, Bllaci,Londo, Papleka etj etj, duke u treguar miqve të përtejlumit  se sa bukur këndohet në shtëpitë tona. Dhe mbi  ato brigje, ku frikohej dhe era të kalonte, ai ndërtonte një urë kalimi për poezinë e dy popujve. Përenjtë e rrëmbyeshëm të socrealizmit dhe ato të   një nacionalizmi  të sëmurë, dallgët e moskuptimit të artit modern të ngritur nga era e një meskinitetit mjeran  përplaseshin mbi harqet e kësaj ure. Dridheshin harqet e  urës  dhe  rrëzohej me rropamë e gjithë ngrehina. Ishte e rëndë pesha e artit, për tu mbajtur nga ato harqe ure, të cilat goditeshin çdo çast nga dallgë  gjithnjë në rritje.  “Perënditë” me siguri kërkonin flijim. Dhe si në legjëndën e urës së Artës,  te harku kryesor, ai murosi zemrën e tij. Prandajë kanë atë dridhje, të lehtë, si kordat e zemrës, përkthimet e tij. Qoftë përkthimet e autorëve grekë në shqip, qoftë dhe përkthimet e autorëve shqiptarë në greqisht. Qoftë edhe vetë krijimet e këtij autori dygjuhësh. Ne shkruajmë në një gjuhë  dhe kemi  bekimin e popullit tonë dhe e ndjejmë peshën e përgjegjësisë për këtë bekim. Po ti more Niko Kacalidha, që shkruan në dy gjuhë, i bekuar dy herë, nga dy popuj sa të lashtë aqë dhe të rinj, si e mban në atë trup të imët, atë peshë kaqë të madhe? Unë, vërtet, ta kam dhe s’ta kam zilinë.
dhe në dritaret e asaj shtëpie ai dilte e përgjonte erërat
…ndoshta, nga ajo dritare ku stërgjyshi i tij fliste me yjet…Stërgjyshi që fliste me yjet dhe merte pjesë/ këmbëkryq në koncilet e yjeve….që shoqëroi/ Odisenë në Dodonë dhe u preu një degë nga druri  /profetik argonautëve për shtegëtime
…në boduarin e asaj shtëpie ku …fle mbretëresha e urtësisë/…Fle  fatthëna e Dodonës/ Fle orakulli i thinjur i Delfit/ Dhe druri profetik shkund gjethet e fatthënave/…mos i zgjohen shënjtorët/ që flenë të pafajshëm në prehërin e saj të Shën Mërisë… se ajo është gjyshja ime.
-Dhe, me që e pruri rasti,unë ju them se, nuk është e rastësishme që në atë breg të jetës e të botës së tij, ai e shndëroi atë shtëpi në  një …kishë të vogël,(apo shtëpitë tona kanë qënë kishëza kahmoti) në hieroren e të cilës ndrin konizma e Shën Mërisë. Dhe në qoftë se kjo Shën Mëri ju ngjan me gjyshen e poetit, nuk jini dhe aqë gabim. Se gjyshja e tij është ajo që …shkruajti ungjillin e …poetit. ….Krishti u kryqëzua në Leshnicë/…dhe në Leshnicë do ringjallet së vdekuri/ sipas ungjillit të gjyshes sime.. Sepse Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut dhe e dhimbjes së përgjakur/që vuri kujen në shpellat e mia të shpirtit/ dhe u bë ikonë e shtëpive tona. Kaqë shumë shënjtëri, kaqë shumë dhimshuri ka në atë portret gjysheje, sa që  lehtësisht e saktësisht mund të identifikohet me  portretin e Shën Mërisë. E pra, miqtë e mi, dijeni nga unë: nënat dhe gjyshet minoritare janë personifikimi më i saktë i Shën Mërisë mbi dhe për nga përvujtmëria dhe humanizmi  e besimi që shpërndajnë. Nën ato veshje të  zeza tradicionale, është një zemër e madhe e bardhë, ku ka vetëm lule e këngë  e… bukë për të gjithë. Dhe një burim urimesh e bekimesh, plot ëmbëlsi, që ta bëjnë udhën dritë e  të heq çdo dhimbje e lodhje të kësaj jete.
Lum kush i mer ato bekime!
 Prandaj ka kaqë shumë ungjillizim në poezinë e Nikos. Jo vetëm te Ungjillizimi i zogjve, jo vetëm te Ungjillizimi i pemëve.Edhe ëndërat kanë Ungjillin e tyre, shkruar nga … vetë Zoti që del nga tempulli, Poeti. Zotat që dalin nga tempulli…duke treguar me gisht botën, janë poetët.
Dhe Nikua  vë përpara kopenë e tij të dallgëve, a kopenë e tij të yjeve dhe të ëndrave që i shtegëton nëpër motive, stinë e vise e vjen drejt nesh. Dhe përsëri, kur lodhen nga rruga e gjatë, ose mer ndonjë degë peme plot lule e zogj nga Leshnica që tju bëjë hije, ose  i kthen në vendlindje, sepse  për të, qëndra e botës është Leshnica e tij. Vetëm Leshnica ka gurë që të dehin me eliksirin e tyre, vetëm në Leshnicë këndojnë zogj …të pagëzuar,vetëm në Leshnicë mund të dëgjosh Profescinë e drurëve dhe  vetëm nga Leshnica mund të shohësh Orfeun duke qarë në dafinat e Butrintit.
…Vetëm nga Leshnica e tij, mund të nisesh në  viset e panjohura të poezisë  si Argonaut.  Argonaut u qepa në anie…/dhe ovullat e thata të vetmisë/ i prisha dhe ato, i treta.
…Ishte vërtet rastësi që  ai lindi aty, në atë breglumi.
Por ishte dhe fatlum që lindi në atë breglumi. Aty, ku dhe shikimi kishte frikë të kapërcente lumin, aty buisnin mitet e legjendat, shpërthente jargavani e zogjtë kungoheshin ‘’në emër të atit, të birit e të zogut të shenjtë”.Aty shkruhej “Testamenti i pestë i barit” me vargjet profetike “Mbinte në gjenezë dinastia e barit/ Drapëri i hënës i priste kërthizën” Aty në Leshnicë jo vetëm u kryqëzua Krishti, por dhe gjeneza atje nisi:…Dhe lidhja duhej bërë në gjenezë,me një fije gjineshtre nga Leshnica.  Dhe në atë gjenezë ku shkruhej se …E para ishte puthja. Kështu e nis..Shën Poeti, ungjillin e tij .
Që nga Leshnica ai konkludoi se.. Paridi nuk e kishte puthur Helenën/Se po ta kishte puthur do zbuteshin dhe detet.
Ndoshta gabohem, por mendoj se poeti, me mirë e më bukur mund të shkruajë vetëm për vendlindjen e tij, ose në rastin e shtegëtimit, për vendin ku kaloi fëmininë.. Atje fillon realisht…bota poetike e poetit. Në vendlindje, në fëmijëri mbrujten në vetëdijen tonë motivet e figurat, në fëmijëri dhe në vendlindjen tonë mbillet fara e frymëzimeve, e ngjyrave dhe këngëve, e poezive dhe poemave të nesërme. Kur dhe ku do ti çelin gjethet e lulet, kur do ti lidhin frytet këto motive, kjo është çështje kohe,“çështje stine të ngrohtë”
Ai erdhi nga Leshnica  në vjeshtë,çuditërisht si një pemë plot gjethe e zogj nëpër to.Në vjeshtë mua më mbijnë gjethe….Unë nuk e duroj gjetherënien. Ai erdhi mes nesh si  një mjeshtër i madh i poezisë,   i mirte zogjtë nga qielli dhe i ultë nëpër vargje. Mandje dhe vargjet e tij hekzametrikë, të pangjashëm me asnjë  poet tjetër në Shqipëri, pa rimë, me një ritëm të brendshëm, të kuptueshëm vetëm nga një sy e vesh “delikat”, dëshmonjnë për një poet të madh, që lëron “arat” e letërsisë shqipe dhe greke njëkohësisht, me një varg që të lë pa mënd për nga dëndësia e  pasurive artistike.
Vargje që të ngjallin emocione madhore, plot jetë , gjelbërim e këngë zogjsh. Mandje edhe guri të duket sikur këndon nën penën-daltë të gdhëndësit të pranverës, Niko Kacalidha. 
Prandaj ai erdhi mes nesh, ose më saktë , solli mes nesh  një përzierje shpërthyese ngjyrash e zërash  pranverorë, që i kishte mbrujtur e shënjtëruar te ajo kishëza e vogël shtëpi aty në Leshnicë..  Një kor magjik zogjsh që zgjatin sqepin nga rethoret e zanoreve, si bilbilat mes luleve të mollës e të çmëndin me këngën e tyre, sa që të vjen të pyesësh, a je në ëndër apo në legjendë. Metaforat nëpër vargje u ngjajnë foleve të  thëllëzave, mba vesh e dëgjo këngën e tyre. Dhe s’të garantoj dot, a do çmëndesh a do magjepsesh. Por gjithsesi mos u trëmb, sirenat janë  larg, te kapitulli tjetër. Këtu është pranvera…në emër të atit, të gurit e të drurit. Dhe të zogjve, sigurisht.
Si e solle këtë pranverë poetike në këtë dimër të stërgjatur tranzicioni, more Niko? Kaqë shumë lule e kaqë shumë zogj ka Leshnica jote, kaqë shumë ungjillizim kanë zogjtë e drurët e gurrët në Leshnicë? Kaqë shumë dritë e hije   bashkë ,të ngashme me botën e Elitis dhe dhe herë herë të Kavafis.

..Ishte rastësi që ai lindi në atë breglumi.Por në atë breglumi ai dëshiron të prehet. Varin e dua në Leshnicë./Atje të prehem gjërë e gjatë në gurin e vetmisë.
Dhe si të gjithë poetët, ka ca kushte në marveshjen me vdekjen: Në vdeksha në vjeshtë e di që do më mbulojë borina e gjethit/prerë nga pikëllimi i zogjve për letaninë time/Mos vdeksha në vjeshtë se në mos gjethe/do bëhem zog për profecitë e drurëve / për të alarmuar pyjet…..Mos vdeksha në prill se do më marin me flatrat e tyre zogjtë somnabulë drejt qiejve…… Është mëkat të vdesësh në prill, të leshë jetimë / zogjtë dhe foletë e zogjve… Mos vdeksha në dimër se do më lërë borsi/pa kallur nga punët e stinës….Mos vdeksha në verë/se kori i zogjve do çmendë botën/duke i bërë njëmijë lutje zotit në agullim/për ringjalljen time.Se qënkam unë pagëzori i tyre…
Dhe të vjen të thuash pas kësaj, natyrshëm e zëplotë; Mos vdeksh kurrë o Niko Kacalidha, se s’duroj dot të mbajë zi mullizeza/ në krye të kortezhit të përmortshëm të zogjve.Vërtet Niko, s’duroj dot të  çmënden zogjtë e lulet. Prandaj ulu e shkruaj akoma dhe lere vdekjen të presë te gardhi i poezisë.Të presë sa të thinjet. Me siguri do mërzitet dhe do ikij për fare. Udhëembarë i qoftë.
Se ne kemi shumë Fjalë të thëna në pranverë për të shkruar.
Për Njëqint trëndafilat dhe Njëmijë guacka deti.
Apo mos do të flasim për Lotin e ciklaminitBashin e yjeve?
Me siguri, aty në Leshnicë.

Zaho Vasili: Poezi



VARRI  KU  SHKON  KOMITI 
Zbret malit si shkëmb i shkoqur
Me dhimbjen që të trondit,
Një hajdut, kryehajdut
Një komit  kryekomit.

Hapen buzët, brengë e vaj
Mjekrës i shterën fuqitë,
Një hajdut që s’di të qajë
Një komit me strrall tek syt.

Mbi varrin me trëndelinë
Po dridhet më leht se bari,
Era qan e ulërin
Një komit që shtrat ka malin.

Ajo fle gjumin e madh
S’zgjohet dot të dalë në dritë,
Qaj hajdut, kryehajdut
Shtridh dhimbjen kryekomit.

Shkrep një herë pushkën e gjat
Gjunjë s’ka, në lot u mbyt,
Qan hajduti se ka plagë
Si del gjak, t’ja presësh misht.

Si të jetë mjegull largohet
Qan sërish si të jetë prill,
Balta nga lotët vesohet
Mbjell çdo vit një trëndafil...
LULET
Zgjidhe  rrugën kur sheh lule në tokë
Se ndryshe shkel mbi ëndërra,
Shmangu se sythi është një grusht me lot
Kudo që të jetë, nuk shkelet zemra...
UNË  JAM 
Unë jam nga ftoi i fshatit tim
Nga  uji i burimeve që këndojnë mbi bar,
Nga hardhia që loton në thëllim
Nga jelet e kalit tim të bardhë.

Unë jam nga shpirti që s’e gjej kund tjetër
Nga kënga që më bën me dy zemra,
Nga emri i gjyshit tim të vjetër
Nga lotët e pathara që derdh nëna.

Jam nga fjala e bukur që deh shpirtin
Nga dhimbja në mes të guximit,
Jam nga e djeshmja e gjyshit prej miti
Nga e sotmja e atit që s’e njeh zemërimin...
ME VËSHTRIME MË FLET MARSI
Me vështrime më flet marsi
Pikon marsi nën qerpik,
Sa bukur që lotët flasin
Nuk gjen buzë të ngjajnë me syt.

I futem prillit në buzë
Prill i bukur puthëm ti,
Më mbaj si gonxhe nën bluzë
Se unë do të bëhem gji.

Të vijë maji të më thithë
Të m’i bëjë buzët gjak,
Veç një djalë pres nga të gjithë
Tek dy gjijt të marri hak.

Shtatori kullon florinë
nëpër flakë zhuritet zemra,
porsi llavë ma dogji gjinë
drejt dasmës më shkau këmba.

Nën fustan të nusërisë
Çela si lulja në shegë,
Nën kostum të dhëndërisë
Krisi si shega në degë...
ISMAILI   DHE  DRITËROI
Qytetit me vlerë
Shtruar i rridh’ lumi,
Dy lumej të tjerë
Nuk i zinte gjumi.

Brumi që i zuri
Diamant i pastër,
Dielli dhe nuri
O moj Gjirokastër.

Gjimnazi poetve
Ekselenc e vargut,
Me  hënën, netëve
Hyjnë e dalin pragut.

Me prillin e pastër
Majin në qepallë,
0 moj Gjirokastër
Ç’zjarr të ndezën vallë?

Me kalldrëm sokaku
Gurë me salltanete,
Hyjnë e dalin pragut
Hapat e poetëve.

Endeshin poetët          
Si të marrë ndën hënë,           
Vargu  ndizte netët            
Nga yjet qe zënë.      

Varg e rimë ngacmuar
Në palcën e natës,
Shpirti u merr hua
Nga zjarri lofatës.

Rruzujt e floririt
Hëna derdh çative,
Si mëndafsh prej syrit
Hedhur poezive.

Grindeshin poetët
Për një varg a rimë,
Mblidhej porsi vetull
Hënëza me sqimë.


Ndën fustan dy gjijtë                 
Ftua e shegë ngjeshur,             
Vajzat hedhin sytë                 
Pas perdes rrinë fshehur.                       

Zunë e lehin qentë     
Dalin nëpër pragje,     
Ç’të bënin dy djemtë   
S’mbrohen dot me vargje...!  

Perdet në mesnatë
Po tunden si fletët,
Vajzat nëpër prag
Si t’i mbrojnë poetët !?

Po vrapojnë rrugës                           
Mbi mur a ndën mur,
Sokaku të marrve
Rrokulliste gurë.

Muret u bën prita
Hëna derdhte ar,
Në odë ndizet drita 
– Ç’janë këta të marrë !

Gjithë lagja në këmbë
Ç’të jetë vallë kjo zhurmë ?
- Ej , ju në kalldrëm                    
Na latë pa gjumë !                      

Rrugicë më rrugicë
Sokakët stolisur,
Hijeshi e vargut 
I bënte të krisur.

Adhurim për penën
Gjirokastra mban,
Që të dy poetët
Sa lavdi të dhanë.

Qyteti qe vatra                   
Prushi ata mbetën,
Gjirokastra ,djepi
Që tundi poetët.
ZEMRA E NËNËS
Zemra e nënës si fole zogu në degë
Cicërimat e  dashurisë  cijasin,
Kur të mos i dëgjohen më këngët
Duhet të shqetësohemi e të thërrasim...

Zemra e nënës si pentagrami me nota
Nëna e gjitha kullon këngë,
Nëse tingujt si ndihen të plota
Duhet  të ngrihemi në këmbë !

Zemra e nënës është një burim i thellë
Që rrjedh nga thellësia e shekujve,
Nëse ujët ka filluar e me zor del
Ah...nëna po u afrohet të vdekurve...

U afrohet po nuk bashkohet me ta
Krijon një ishull në det,
Ne jemi valët, përjetësisht e rrahim
Dhe e ndjejmë që ajo është përjetësisht në jetë...
BALADA  E  KËNGËS    PA MBAUAR 
           - Homazh për  F. Dedën -
Princi i këngës, princëruar
Krijoi kaltërsinë me yj,
në qiell e pa mbaruar
mbeti kënga e nënës së tij.

Notë pas note, fjalë e zemër
qerpikët i ranë tek sytë,
- Ma mbaroni këngën e nënës
Qielli i hapi vënd tek yjt.

sekondat në shpirt i mblidhte
vdekja s’pret, erdhi ta marrë,
notat për nënën kur hidhte
i gjanin me syt e gjallë.

Ju gremis zemra nga shpirti
shpirti nur, ju dogj nga nuri,
Muzika hijnesh e priti
Mbi lavdin e saj e vuri.

Toka ku të dy janë shtrirë                         
Nuk është balt, por lot i ngrirë,                 
Kush e ndjen mallin e nënës                     
E harron vdekjen e tij.                             

Prehëri jetës mbetet nëna                                                   
Atje kokën vë njerëzimi,                                 
Kurrë s’do të reshti zemra
Tek ajo që jetën lindi.                                   

Duhen sy që të ket lot                                  
Ku ka zemër, thuhet nënë,                           
Ku ka qiell do ketë botë                                
Ku ka botë  do ketë këngë...                    
QYTETI  IM
Qyteti im, si një pyll i madh vigan
Mbushur me pemë të larta, drurë të tretshëm,
Ah..qyteti i pyllt,tek gjiri mban
 pemë e shkurre,pa gjelbërim të përjetshëm.

Qyteti im, si një pyll i madh në këmbë, i blert
I përjeton të gjitha stinët, si njeriu njeri,
I than degët, gjethet i bien në vjeshtë
I dalin rrënjët nga stuhitë e moshës në tufan e në shi.

Qyteti im thahet, vyshket,sërish ka bleruar
Mbushur plot folet, nga zogjtë fëmi,
Pa këngët e tyre do mbetej i shurdhuar
Me këngët e tye ,nuk ka trishtim në gji.

Është harrur shumë qyteti im im pylltë
Degët nuk mpleksen më me njëra – tjetrën,
Filizat që mbillen i shtojnë jetë tek syt
Dhe përjetësisht e vazhdon jetën...
LOTËT  E  MUNGUAR
Qielli i mëmëdheut ka gjithmonë re
Në zheg e në lagështirë,
Për të derdhur lot dhimbjeje mbi ne
Për të gjithë njerzit e mirë,
Për të gjithë ata që sëpatën njerëz
T’i qanin njëherë me dëshirë...

Tuesday, 6 March 2012

2 Poezi nga Niko Kacalidha




Krishti u kryqëzua në Leshnicë

Krishti u kryqëzua në Leshnicë*
dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve
                                    të nxirte në Gogotën time,
me lulekëmbana të rëna nga shëtitja e epitafit.

Kryqin ja dhanë stërgjyshit tim dhe e mbarte mbi shpinë
me një peshë të tmerëshme të fatit.Dhe u zbardh
                                brenda një nate.

Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut
                             dhe e dhimbjes së përgjakur
që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit
                       dhe u bë ikonë e shtëpive tona
dhe ajo erë e marë që fryu mbrëmë ishte
                                             erini e saj e kujes.


Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës
     së Kumtrit që na rri mbi krye
     dhe pikoi gjaku mbi shegët e egra.
Dhe qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen
       nga yjet e Asterisit.
Dhe ciklaminet  për kurorë nga agullimi ynë.

Krishti u kryqëzua në Leshnicë.
Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri
            sipas ungjillit të gjyshes.   
*Leshnicë-vendlindja e autorit
Ma mori gjyshen Maji
Ma mori gjyshen maji dhe s’arita ti çoja
    pakon e kafesë për llogari të majit.

Xhezveja bosh e heshtjes, varur në
                          gozhdën e dhimbjes.

Filxhani i përmbysur i fatit me mijëra
                                udhë të pathëna.

Ma mori gjyshen maji dhe i preu kostumin e
                       kumbullës. Se s’donte ta çonte me
   shaminë e tretur të saj, të zezonës.

Ma mori gjyshen maji  shtegut të drurëve.
      As me kafe s’e ngopa fisnikërinë e
      rrudhjes.

Ma mori gjyshen maji dhe nuk e la të ecte
      se mos pikëllonte jaseminin.

Ma mori gjyshen maji si n jë pendë të lehtë
         për të firmosur qiellin,
dhe :’’ Ku e kam Nikon ? Prisni ti mar leje
         Nikos ’’ i thoshte majit.

Qiriri i qiparizit në asterisin e mbrëmjes
    përnatë i ndezur për të brenda meje.
Dhe është fryma e saj, puhiza që endet mbrëmjeve
                                 në gjethnajën e drurëve, përbri
                                 shtëpisë sime.

Monday, 5 March 2012

SALVATORE QUASIMODO



Përktheu Agim MATO


VAJTIM PËR JUGUN


Hëna e kuqe, era, ngjyra jote prej gruaje
veriore, dëbora e paanë...
Zemra ime është tashmë në këto ultësira,
në këto ujra të hirnosura nga mjegullat.
E kam harruar detin, guackën e madhe
që i fryjnë barinjtë siçilianë,
këngët monotone të karrove në xhade
ku çiçibanozi dridhet në tymin e kallamishteve,
e kam harruar shtegëtimin e çafkave dhe të lejlekëve
në ajrin e rafshnaltave të gjelbra
për tokën dhe lumenjtë e Lombardisë.
Po njeriu kudo këlthet për fatin e një atdheu.
Askush nuk do të më sjellë më në Jug.

Oh, Jugu është lodhur duke zvarritur të vdekurit
në brigjet e kënetave  malarike,
është lodhur nga vetmia, nga vargojtë,
lodhur nga blasfemitë e të gjitha rracave që kanë ulëritur vdekjen që  jehon në të gjitha puset e tij,
që kanë rrufisur gjakun e zëmrës së tij.
Për këtë arsye  bijtë e tij kthehen në male,
detyrojnë  kuajt të dremisin nën mbulesa yjesh,
përtypin lule akscie ndanë udhës
përsëri të kuqe, sërish të kuqe, sërish të kuqe.

Më askush nuk do të më sjellë në Jug.

Dhe kjo  mbrëmje e ngarkuar me dimër
është ende e jona, dhe këtu të përsëris ty
kundërthëniet e mia absurde,
ëmbëlsinë dhe tërbimin,
një vajtim dashurie
që dashurinë s’mund ta mbërrijë.



EPITAF PËR BICE DONETTIN

Me sytë e ngulitur tek shiu dhe shpirtrat e natës,
atje, në kampin pesëmbëdhjetë në Musoko,
është gruaja emiliane e dashuruar prej meje
në vitet e trishta të rinisë.
S’ka pak që vdekja luajti me të
ndërsa kundronte e qetë erën e vjeshtës
tek shkundëte degët e rrepeve dhe fletët
nga shtëpia e hirtë e periferisë.
Fytyra e saj është ende e gjallë nga befasia,
siç ish në fëmijëri  shtangia e rrufeshme
nga ai që përtypte flakët përmbi karro.
O ti që shkon, i shtyrë nga të vdekurit e tjerë,
para varrit të hapur njëmbëdhjetë e gjashtëdhjetë,
ndalo një minutë të përshëndesësh
atë që nuk u ankua kurrë nga burri
që rri këtu, i urryer, me vargjet e veta,
një nga të shumtët, punëtor të ëndërrave.

THANATOS ATHANATOS
(Vdekje e pavdekëshme)

Dhe do na duhet të të mohojmë,  Zot
i tumoreve, Zot i lules së gjallë,
dhe të nisim me  një jo në gurin e errët
të egzistencës dhe të ndjejmë vdekjen
dhe mbi çdo varr të shkruajmë vetëm
bindjen tonë të sigurtë: “thanatos athanatos”?
Pa një emër që të kujtojë ëndërrat
lotët, rrebeshet e këtij burri
të mundur nga pyetjet pa përgjigje?
Dialogu ynë i shurdhër bëhet papritur
një absurd i mundëshëm. Atje,
në mjegullën e dëndur, brënda pemëve
vigjilon fuqia e gjetheve,
i vërtetë është lumi që shtyn brigjet.
Jeta nuk është ëndërr. I vërtetë është burri
dhe vajtimi i tij xheloz për heshtjen.
Zot i heshtjes, shpërtheje vetminë.

LETËR NËNËS

“Mater dulcissima”, tani pikojnë mjegullat,
anija përplaset pa torua nëpër brigje,
pemët mbufaten nga uji, digjen nga dëbora;
nuk jam i trishtuar në Veri, nuk jam
i qetë me vetveten, nuk pres falje nga askush,
shumë më detyrohen lotë si njeriu me njeriun,
E di që nuk ndjehesh mirë, që jeton si
shumë nëna poetësh, e varfër dhe e drejtë
në masën e dashurisë për bijtë e largët. Jam
unë sot që të shkruaj.” – Më në fund do të thuash
dy fjalë për këtë djalë që iku nëpër natë
me një pallto të shkurtër dhe dy vargje në xhep.
Kështu të varfër, me shpirtin e gatshëm
do ta vrasin një ditë diku. -
“ Sigurisht, më kujtohet, hypa në një shkallë gri
të trenave rrangallë  që mbartnin kumbulla e portokaj
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot me laraska,
me kripë dhe ekualipte. Tashmë të falënderoj dua
për ironinë që vure mbi buzët e mia të buta si të tuat.
Kjo buzëqeshje më ka shpëtuar nga lotët dhe dhimbjet.
Dhe nuk ka gajle se sot po mbartin lotë për ty,
për të gjithë ata që si ti presin dhe nuk dinë se çfarë.
Ah, vdejke e fisme,
mos e prek tik takun e sahatit të guzhinës të varur në mur,
gjithë fëmijëria ime ka kaluar mbi zmaltin
e kuadratit të tij, mbi këto lule të vizatuara.
Mos i prek duart  dhe zemrën e të moshuarve.
Do të më përgjigjet dikush, ndoshta? O vdekje e devotëshme, vdekje e hijëshme.Lamtumirë, e shtrenjtë,
lamtumirë, e imja “dulcissima mater”

* mater dulcissima – latinisht - e ëmbla nënë



KITARAT E VDEKURA


Toka ime është mbi lumenjtë ngjeshur me detin,
asnjë vis tjetër nuk ka një zë kështu të lehtë
ku hapat e mia koten  
midis xunkthve të rënda të kërmijve.
Padyshim është vjeshtë: në erën e shqyer
kitarrat e vdekura ngrefin kordat
mbi gropat e errëta, ku një dorë shkundullon
gishtrinjtë e zjarrtë.
                        Në pasqyrën e hënës
krihen vajzat me gjokset e portokajtë.

Kush qan? Kush i fshikullon kuajt në ajrin
e kuq? Do të ndalojmë në këto brigje
gjatë një zinxhiri të gjelbër dhe ti, e dashur,
mos më sill përpara kësaj pasqyre
të pafund: atje shihen brënda djem
që këndojnë dhe pemë të larta dhe ujra.

Kush qan? Unë jo, besomë: mbi lumenj
rendin fshikujt e egërsuar të një kamzhiku,
kuajt e errët, vetëtimat e squfurit.
Unë jo, rraca ime mban thika
që flakërijnë dhe hëna e plagë që djegin.