Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Monday, 8 February 2016

MBI POEZINË BASHKËKOHORE TË ARBËRESHËVE TË ITALISË

Anton Nikë Berisha (Universiteti i Kalabrisë)

Veprat që u krijuan dhe rrafshi i lartë artistik që mbërritën në to disa nga shkrimtarët arbëreshë të shekullit XIX, sidomos J. De Rada, F. A. Santori e Z. Skiroi (ky krijoi dhe botoi edhe në shekullin XX), dëshmojnë se ajo ishte kohë kur u përftuan vlera kulmore, jo vetëm të letërsisë arbëreshe, po dhe gjithëshqiptare. Pikërisht me to u krijua baza dhe qensia e letërsisë arbëreshe, gjë që u shpreh dukshëm edhe në zhvillimin e mëtejshëm të saj. Mbi bazën e kësaj tradite shkrimtarët arbëreshë pasardhës vazhduan ta pasurojnë atë në mënyrën e tyre dhe brenda kohës së tyre.
Nga viti 1923, kur poeti Zef Skiroi (Giuseppe Schirò) botoi poemën Mino[1], kushtuar vrasjes tragjike të birit, e deri më 1946 (duke lënë anash botimin e dytë të shtuar e të përmirësuar të veprës së tij Te dheu i huaj, lënë në dorëshkrim dhe të përgatitur për botim nga vëllai i tij, Giovanni Schirò, Palermo 1940, dhe të Këthimit, po ashtu lënë në dorëshkrim dhe përgatitur për botim nga Giuseppe Schirò Jr., Romë 1965), në botën letrare arbëreshe nuk u krijua ndonjë vepër me vlerë dhe nuk u bë ndonjë botim i rëndësishëm.Kjo zbrazëti u kushtëzua dhe ndodhi, pos tjerash, për shkak të gjendjes së rëndë që mbretëroi edhe në Itali në periudhën 1923-1946, gjë që, natyrisht, u shpreh edhe tek arbëreshët dhe te letërsia e tyre. Në këtë kohë krijuesit arbëreshë gjalluan në kushte mjaft të vështira; një pjesë e tyre u detyrua të bënte punë të ndryshme për të mbijetuar, ndërsa një pjesë tjetër mërgoi jashtë Italisë.
Këtë gjendje e shpreh dhe përmbledhja me poezi Bubuqe t’egra e Dushko Vetmos (pseudonim i Françesko Solanos përdorur për vepra letrare) nga Frasnita e Kalabrisë, botuar në Buenos Aires të Argjentinës më 1946, ku ky arbëresh jetoi për rreth 25 vite.
Vëllimi i përmendur i Dushko Vetmos, bashkë me poezitë e këtij autori, me poezitë e Lluka Perrones dhe ato të Vorea Ujkos të botuara në revistën “Shêjzat”[2], themeluar më 1957 në Romë, janë krijime që përligjin vijimsinë e zhvillimit të letërsisë së arbëreshëve të Italisë dhe fillet e modernitetit të mirëfilltë të saj[3].Letërsia arbëreshe e shekullit të kaluar provon se rëndësia e kohëve, e autorëve dhe e veprave letrare që i cilëson arti i madh nuk qëndron vetëm në të dhënën se ato nuk përsëritën ose përsëritën shumë vështirë, po pse krijojnë bazën dhe rrafshin artistik dhe ndikojnë pashmangshëm në letërsinë që krijohet pas tyre. Poezia bashkëkohore e arbëreshëve të Italisë e dëshmon këtë dukuri në disa aspekte.
Ç’është e vërteta, shkrimtarët bashkëkohorë arbëreshë u ballafaquan me dy çështje: me një anë me pamundësinë e krijimit të atyre veprave e të llojeve që e cilësuan traditën shumë të pasur paraprake letrare arbëreshe, përkatësisht të zëvendësimit të autorëvet madhorë si Jeronim De Rada, Françesk Anton Santori, Zef Skiro, ndërsa më anë tjetër, me domosdonë e krijimit të veprave artistike që do të shenjëzonin botën dhe kohën e tyre, të dëshmonin mëvetësinë dhe rëndësinë si krijues të artit të fjalës.
Derisa çështja e braktisjes së përftimit të veprave e të llojeve klasike letrare ishte punë më e lehtë për t’u përmbushur, e dyta - përftimi i veprave cilësore artistike që do t’u përballonin kohëve, si dëshmi e qasjes, e shqiptimit dhe e shprehjes poetike të veçantë dhe të mëvetësishme – kërkonte dije, aftësi dhe përkushtim të madh. Që t’ia dilnin kësaj, natyrisht, lypsej njohje e mirëfilltë e asaj që ishte krijuar nga paraardhësit e tyre arbëreshë, po dhe nga krijuesit e letërsive të tjera. Këtë vetëdije krijuese e dëshmuan disa poetë arbëreshë, veprat e të cilëve e pasuruan traditën letrare arbëreshe si cilësi dhe si shprehje moderne poetike.
Cilësia e parë, me çka dallohet poezia bashkëkohore arbëreshe është konceptimi modern dhe shprehja moderne poetike, e brumosur me vargje stukturash të lira dhe me ritëm të brendshëm. Poetët arbëreshë e përftuan poezinë si krijesë, si njësi qensore dhe tërësore shprehëse poetike dhe kuptimore. Ata iu shmangën krijimit të njësive-poezive që do të lidheshin e shkriheshin në një tërësi (njësi) më të madhe, në poemë ose në një lloj (krijesë) të gjatë që brenda një libri shpreh tërësinë, si ngjet me veprat poetike Këngë të Milosaos, Skanderbegu i pafan të De Radës, Canzoniere Albanese, I burgosuri politik të Frangjisk Anton Santorit, Kënka e sprasme e Balës të G. Darës (i Riu), Rapsodie Albanesi, Mili e Hajdhia, Te dheu i huaj, Këthimi të Z. Skiroit etj. Vetë e dhëna se poetët bashkëkohorë arbëreshë nuk e vijuan lavrimin e mëtejshëm të poemës si vepruan paraardhësit e tyre, dëshmon se ata u detyruan të gjenin e të përdornin mënyra të mëvetësishme të shqiptimit e të rrëfimit poetik, një gjuhë dhe një sistem të veçantë të të shprehurit.
Për të krijuar një poezi moderne dhe bashkëkohore këta poetë u mbështetën, përveç te tradita letrare arbëreshe,[4] te poezia moderne dhe bashkëkohore italiane, françeze, spanjole dhe anglo-amerikane, të cilën e lexuan qoftë në origjinal, qoftë nëpërmjet përkthimeve të shumta në gjuhën italiane, që ishte dhe mbetet gjuha e shkollimit të tyre.
Frytet e një përcaktimi dhe të një përkushtimi të tillë krijues vërehen në disa pikë që në përmbledhjen e D. Vetmos Bubuqe t’egra, të botuar më 1946 në Buenos Aires, e cila me të drejtë merret si nismë (gurthemel) e poezisë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë, si dhe në poezitë që u botuan në revistën “Shêjzat” (Pleiadi) të themeluar më 1957 në Romë nga Ernest Koliqi.
Përmbledhja që provon një ngritje cilësore të poezisë bashkëkohore arbëreshe, po dhe modernitetin e saj të mirëfilltë, është Lule shkëmbi e Lluka Perrones, botuar më 1969 në Kastrovillari të Kalabrisë. Këtë e plotësojnë pastaj veprat e Vorea Ujkos (pseudonim i Domeniko Bellicit), të Dushko Vetmos, të Lluka Perrones, të Enca Skutarit, të Pietro Napoletanos, të Zef Skiro Di Maxhos, të Vinçenc Belmontes, të Zef Skiro Di Modikas, të Zef Kakocës, të Mario Bellicit etj. Me veprat e tyre u pasurua poezia arbëreshe, po në të njëjtën kohë dhe ajo gjithëshqiptare.
Poetët bashkëkohorë arbëreshë, secili në mënyrën e vet, krijuan një poezi që shpreh botën e brendshme: ndjesitë, pakënaqësitë, shqetësimet, brengat e tyre, po në të njëjtën kohë edhe fatkeqësitë dhe tragjikat e arbëreshëve në rrjedhë të gjallimit. Si krijesë e vetjeve (individëve) të caktuar, ajo shenjëzon dhe gjakon njësimin shpirtror e etnik dhe qëndresën në kohë. Pra, është kërkim dhe njëkohësisht përftim i identitetit, shprehje e të qenunit dhe e qensisë së botës arbëreshe, e domosdosë së pasurimit të saj, po në të njëjtën kohë është gjakim thellsor për vetënjohje dhe njohje të botës që ata i përkasin, po dhe njohje e njeriut dhe e botës së tij në përgjithësi. Në të vërtetë, kjo poezi paraqet një mozaik të gjerë e të pasur tematik. Poetët bënë objekt trajtimi artistik një varg dukurish të botës dhe të shpirtit arbëresh, qoftë krenarinë, qëndresën, nderin, besën, trimërinë, flijimin, veprimin e lirë dhe lirinë, qoftë brengat, vuajtjet dhe fatkeqësitë që e cilësuan jetën e tyre, pastaj atdheun e të Parëve, ëndrrën, absurdin e jetës si dhe çështje të fatit e të botës së njeriut si qenie. Pra motivet e kësaj poezie janë të ndryshme e të shumta, siç janë të nduarduarta mënyrat e shtjellimit të teksteve e të të shprehurit poetik.
Frymëzim kryesor i poetëve bashkëkohorë arbëreshë janë njëmendësia (realiteti) konkrete arbëreshe dhe njëmendësia e kaluar, historike, gjë që i cilëson edhe veprat e paraardhësve të tyre. Këto dy njëmendësi, qasur e vështruar nga rrafshe e pika të ndryshme, njësohen në botën subjektive të poetëvet dhe krijojnë një realitet më vete, që jetsohet (materializohet) para së gjithash nëpërmjet strukturave të ndryshme gjuhësore dhe mesazheve poetike.
Njëmendësia subjektive që krijohet në qenien e poetëve dhe në përfytyrimet e tyre është rrjedhojë e asaj që e cilësoi dhe e cilëson gjallimin e përditshëm të arbëreshëve të Italisë: gëzimet, shqetësimet, vuajtjet dhe pësimet, që njëherit ndërlidhen edhe me vetë krijuesit. Bota e brendshme e poetëve frymon dhe gjallon zakonisht në marrëdhënie të ngushtë me botën e njerëzve të tyre; e para ndikon dhe e drejton në shumë pikë të dytën (të poetëve), e dyta gjakon ta kuptojë, ta përvehtësojë, ta shprehë dhe të njësohet sa më shumë me të parën.
Gjërat që, të themi lirshëm, hyjnë në shpirtin e tyre, i nënshtrohen “rregullave” të brendshme dhe marrin veçantitë e ndjeshmërive dhe të ngjyrimeve subjektive përkatëse. Duke hyrë si kuptime, si mbresa, si refleksione të gjallimit konkret (arbëresh ose në përgjithësi njerëzor) në qenien e poetëve, ato subjektivizohen në forma dhe në përmasa të ndryshme dhe si të tilla shprehen përmes teksteve dhe mesazheve poetike - artit të fjalës. Ngushtë lidhur me këtë Ungareti thotë: “Poezia - është bota, njerëzimi - jeta e vetvetes - të lulëzuara në fjalë”. Receptimi dhe të shprehurit e këtillë të dukurive dhe të përbërësve të botës arbëreshe nga ana e poetëve bën që ajo botë në veprat e tyre të dalë më e pasur dhe më me vlerë.
Në poezi dhe nëpërmjet krijimit të saj poetët arbëreshë gjetën qensinë e së vërtetës, të gjallimit e të veprimit. Nëpërmjet saj ata shprehën qëndresën e pazakonshme të arbëreshëve përballë stuhive e të papriturave, ngadhnjimin mbi realitetin e rëndë dhe mbi fatkeqësitë dhe përftuan (përmes ëndërrimit dhe projeksioneve të synimeve të tyre) realitetin shpirtror, formë e qensishme e jetesës. Ajo, e frymëzuar nga dufi dhe era e dheut dhe e gjakut të tyre, i mbajti dhe u dha fuqi për vijimsinë e gjallimit e të veprimit.
Bota arbëreshe në këtë poezi shqiptohet në rrafshin sinkronik dhe diakronik. Çdo gjë që poetët bënë objekt trajtimi artistik niset dhe e ka bazën në botën arbëreshe, ose nëpërmjet qensisë së saj, vështrohen e përcaktohen edhe dukuritë e tjera, si janë tragjika e njeriut, ballafaqimi jetë-vdekje dhe e keqja që mbretëron brenda njeriut si qenie. Poezia e tyre është gërshetim i gëzimit dhe i hidhërimit, i kënaqësisë dhe i dëshprimit, i dritës dhe i errsirës, i qetësisë dhe i stuhisë, po edhe i dramës dhe i tragjikës së shumfishtë arbëreshe. Ajo është, si do të shprehet poeti V. Ujko, heshtje plot pëshpëritje, ose t’ëmblin mister / që përhap mallëngjim, është vuajtje që ngadhnjen mbi dhimbjet, mbi pësimet, që e cilësuan jetën arbëreshe; është njësim me botën e përditshme, po njëherit edhe me të kaluarën, me mitin, me ëndrrën dhe me përfytyrimin, pa të cilat jeta do të ishte e zhveshur.
Vjershat e mia
kujtim i lagët në gjak
i mbështjellë me ëndërr,
çast i shndritur nga dielli.
(V. Ujko, Vjershat e mia)

Në poezinë bashkëkohore arbëreshe mbipeshon vuajtja, drama dhe pësimet. Thënë metaforikisht, kjo poezi është gërmim në dhimbjen dhe në tragjikën e arbëreshëve, fillet e së cilës kapën nga çasti i largimit të tyre prej Atdheut për të vazhduar deri te dukuritë që i përkasin kohës sonë. Ngjet kështu për arsye se poetët këto i ndiejnë më thellë, ua trazojnë më shumë shpirtin dhe pikërisht nëpërmjet tyre depërtojnë në të fshehtat e botës e të njerëzve të tyre; dalin më të mëvetësishëm si krijues dhe mbërrijnë të njësohen më shumë me atë botë dhe, përmes artit, t’ia zbulojnë atë më plotnisht vetvetes dhe të tjerëve.
Dhimbjen dhe tragjikën këta poetë e shprehin nëpërmjet dy formave kryesore: konkrete dhe shpirtrore. E para është pasojë e jetës së përditshme, e vështirësive dhe e të papriturave të saj; e rrezikut të asimilimit dhe të zhdukjes së botës arbëreshe, po dhe e vetë fatit të mjerë të njeriut në përgjithësi. E dyta është rrjedhojë e vuajtjeve shpirtrore, e pamundësisë të bëjnë një jetë më të pasur kulturore e shpirtrore, pasojë e mungesës së lidhjeve dhe e komunikimit me atdheun dhe me kulturën që i përkasin, e shkollimit në gjuhën amtare e të tjera. Kjo mënyrë e shqiptimit poetik mbipeshon për arsye se, siç thekson Franc Kafka, “Përcaktuese është vetëm vuajtja, mundimi”. Pra, veprat e poetëve janë fryt i pakënaqsisë dhe i shqetsimit. Me fjalë të tjera, “Për artistin arti është vuajtje përmes të cilës ai lirohet për t’i përballuar një vuajtjeje të re” (F. Kafka). Meqenëse artisti, pra dhe poeti, mendon në mënyrë të veçantë dhe thellsisht për botën e njeriut dhe për fatin e tij dhe e shpreh (ose duhet ta shprehë) ndërgjegjen para së gjithash të njerëzve të cilëve u përket dhe me të cilën e ndan fatin e vet dhe të veprës së vet, ai i ndien më tepër brengat dhe fatkeqësitë e tyre, prandaj (siç thotë. M. Kuteli, duke bërë fjalë për poezinë e L. Poradecit) “Muzukaliteti ose plasticiteti i një vepre është pasqyra e sulmit të brendëshmë, e sulmit shpirtëror të poetit e shprehur përmjet fjalëve të thurrura ‘sërë-sërë-e-varg-varg’, të harmonizuara me përmbajtjen, me kuptimin e veprës”.[5]
Një mënyrë e këtillë e perceptimit dhe e shqiptimit zbatohet nga autorët në forma të ndryshme e të shumta. Këtu po përmendim poezinë e V. Ujkos, Unë kam shkuar[6], ku autori nuk jep tablo të katundit e të jetës së njerëzve në të, të bukurive të natyrës ose ndonjë çast hareje apo prehje shpirtrore, që mund të shkaktojë natyra dhe gjallimi në të, po si e ndien ai gjendjen e katundit të mbetur thuaja pa njerëz, me shtëpitë pa emër e me rrugë të heshtura; si shprehet në shpirtin e tij ky tmerr i patregueshëm tërësisht me fjalë, po i mundshëm të kuptohet nga struktura gjuhësore poetike dhe nga nënteksti që krijohet prej saj. Ujko nuk ofshan, as nuk klith, as nuk akuzon, as nuk jep shpjegime. Ai shqipton atë që e ndien në thellsinë e shpirtit dhe që është tronditëse për të, po që mund të jetë e tillë edhe për atë që do ta lexojë: shkon në katund të ngarkojë trishtimin (si mund të ngarkohet trishtimi?!), në një gjendje kur koha (meqë katundi ngjan në diçka të pa shpirt, të vdekur) ka mbetur pa të nesërmen (e si koha mund të mbesë pa të nesërmen!), gjë që shenjëzon se katundi ka mbetur pa njerëz, pa të rinj. E pazakonshmja nuk shprehet vetëm përmes kësaj që përmendëm, po dhe përmes kulmeve lundruese të shtëpive (që të braktisura nga gjindja i pret rrënimi më i shpejtë), lisave krahë skeleti dhe dhenve eshtrash të zgropsuara.
Unë kam shkuar në një fshat
se të ngarkoja trishtimin
e rrugëve me qetësi plot
dhe të shëpive pa emër.
Zbritte mjegulla nga kodrat
e bashkohej me tymin
e kulmeve lundruese.
E tufa zogjësh
iknin ndaj bregut t'detit.
Burrat mjekërzes
pushonin të pshtjellur n'mallota
e po koha kish qëndruar
pa të nesërme.
Në pamje të patundur
lisat krahë skeleti
e dhentë eshtra t'zgropsuar.
(V. Ujko, Unë kam shkuar)
Kjo strategji e rrëfimit poetik përligjet po ashtu në poezinë Drekova bresher e thëngjij vlushi, ku nëpërmjet veçantisë së të shprehurit modern, janë krijuar rrafshe të ndryshme kontrastesh e tablosh të veçanta. Poeti Perrone me një anë drekon (bashkë me të varfërin) breshër e thengjij dhe (në vend të ujit) pi avullin e burimit, ndërsa më anë tjetër, qerrrja e fluturave del si shpëtimtare nga gozhdat që lëvizin në ajër. Ballafaqimi shkon e bëhet edhe më i pazakonshëm: bariu ndez cigaren në llampën e qyqes, duke ndukur vezë si i dehuri verën, ndërsa shpirti është si dy pika uji i bërë baltë. Këtë imazh të pazakonshëm e mbyll metaforika për kërmillin, që me lëvozhgën e shkrirë bën piktura abstrakte në fletët e lakrave; një poezi që shpreh sa një gjendje të rëndë të jetës së njeriut, po aq edhe absurdin e saj.
Drekova breshër e thëngjij vlushi bashk me vobekun,
pimi avullin e burimit tek gardhi i myshkët
me një petal lulëkuqje.
Qerrja e fluturavet na shpetoi nga gozhdat
që lëviznin në ajërin.
Bariu dheznej cikarrin me llampën e qyqës
e fryhej gaz tek praku i derës
ture ndukur vezë si i dehuri verën.
Shpirti ynë si dy pika ujë
bëri një lucë ku na përthyhej tutjea,
i vetmi lëm i ndriçem,
për të helqmi çqetësimin tonë
njera kur të teret liqeni.
Kërmilli losnej stanjin në avullin e argomës
e pikturonej kadre astrakte
ndër fletat e lakravet.
(Ll. Perrone, Drekova breshër e thëngjij vlushi)
Shqetsimi, vetmia, dëshprimi, dhimbja, pikëllimi, dramat dhe pësimet, që e cilësojnë jetën dhe veprimin e përditshëm, poetët i shprehin nëpërmjet simboleve të ndryshme, sidomos territ, erës, lotit, pagjumësisë, mjegulles, gjëmbave, lisit të thatë, shërtimes, thengjillit të pashuar, lumit pa ujë, nuses pa keze, brumbullit të zi, gjarprit, zogut pa pendla etj. Këto ata i shqiptojnë, qoftë si dukuri që e cilësojnë jetën e përditshme të tjetrit, qoftë edhe të atyre vetë: Unë kam bjerrë hijen time; gjuha ndë gojet më u bë guri / e piva thartinë e durimit; Vetëm ti e di / o Zot, sa driza / gilmonjen lkurën time. Jo rrallë del se ata në jetë kërkuan një lule e gjetën një gjemb, kërkuan një qingj e gjetën një ujk ose Kërkonja një zog / e gjeta një gjarpër. Pra, ashpërsia e jetës është e madhe,e shumfishtë.
Era më spurrunxis
ndëpër jetë si një
filith kashtë
e birem ndër llargat
çë e liga farmakos.
(E. Skutari, Si një filth kashte)
Shpesh poetët gërshetojnë imazhe të pazakonshme e tronditëse të përditshmërisë si ndodh në poezinë Zgjohet gdhira. Madhështia e shprehjes dhe e tablove shprehet përmes simbolikës së flakës si vullkan dhe nga pasqyrat ninëzore, prej nga lind gëdhira e stolisur me kaltërinë e detit dhe me yj si dhe nga lumi që mbyt shërtimat e natës në det dhe kreh flokët e shprishur në pasqyra floriri. Gjithë kjo ndërthuret me pasqyrën, mjet që na dërgon me botën e pazakonshme të magjisë e të mitit. Edhe pse fitohet përshtypja se autori mbetet në rrafshin abstrakt, nga qenësia e kumteve poetike del e kundërta. Përmasa e kuptimësisë së mesazhit poetik është e qartë: puna e vështirë e punëtorit, i cili gjakon të mbijetojë me djersën e vet, po shpesh zhgënjehet. Gjendje sa e rëndë po aq e veçantë shpirtërore; flaka e detit të Sybarit shpërndërrohet me flakën e punëtorit: krahu i thatë rrëmben një dorë flakë për t’i terë lotët; të cilët i ter me flakë të shpirtit dhe e “qetëson” fytyrën e rrudhur, shenjë e jetesës së rëndë.
Një arren deti në bërrulin e Sybarit
shkrehen flaka si vullkan.
Nga pashqyret ninëzór zgjohet gdhira
e stoliset më një cohë të kaltërtë
e qindisur me yjzë.
Lumi mbyten në det shertimet e natës
e krehen leshët e shpjeksur në pasqyret floriri.
Puntori ngjaten krahun e thatë,
rrëmben një dorë flakë
e teren lotët që i shuajnë gazin
në volinë e dhilpur.
(Ll. Perrone, Zgjohet gdhira)
Duke shqiptuar dhe njësuar të tashmen dhe të kaluarën, duke shprehur gëzimet dhe fatkeqësitë e botës konkrete, imagjinative dhe mitike, poetët arbëreshë në të vërtetë i shprehin dhe i vështrojnë çështjet në rrjedhën diakronike, pra flasin me shumësinë e zërave (Më arrijnë zëre / nga të gjitha anët / e unë u shtoj zërin tim), me të ashtuquajtura pamje fillestare, përkatësisht me figura mitike që ngërthejnë një simbolikë shumësore dhe mundësojnë afrimin e kohëve, të gjeneratave, të dukurive. Me këtë mënyrë ata vënë në spikamë përmbledhtas mesazhet e kohëve të ndryshme, përkatësisht përvojat e panumërta dhe tipike të breznive.
Kështu përgjumshëm e vetmitar
më vijnë para sysh
lëvizjet e fëminisë
dhe fytyra fatkeqe e Garantinës.
Dhe arrijnë nga largsija e hijevet
troku i kalit të Konstantinit
që qaset me shpatulla vdekjeje.
Dhe një jehomë arbreshe
depërton ajrin e zëmrën
e ngjitet përpjetë si mister
me flatrat e veta të lehta
e rrokë kacavarset e murit,
rrokë heshtjen,
rrokë gjakun tim.
Ujko, Moment arbresh)
Jetën e rëndë poetët nuk e shprehin nëpërmjet kumteve të zakonshme, po nëpërmjet një strukture tekstore të përftuar me shkathtësi dhe mjeshtri dhe një gjuhe të pasur poetike - të fjalëve që përmbajnë një simbolikë dhe metaforikë shumësore, siç ngjet në poezinë Qajnë guret e prehët. Në perceptimin e poetit nuk qajnë vetëm njerëzit, po edhe gurët; lulja zhvesh petalet në pluhurin e djegur, ndërsa njeriu bisedon me rrjetën e mërimangës, e cila është e varur në dhëmbëzit e dritës si lehtësim udhëtimi, që kryesisht ka kuptimin e gjallimit konkret.
Ndër udhet qajnë guret e prehët.
Lulëkuqja zvishën petalit në pluhurin e djegur.
Udhëtari në qetësinë bisedon me penjëra merimagashë
të vjerrur ndër rrëmbazit e dritës,
shtërrngon në dorë një lile dielli
që i lehtëson udhëtimin
e i prier kurrizin valavet e motit të thadruara te shkëmbi.
(Ll. Perrone, Qajnë guret e prehët)

Poezia bashkëkohore arbëreshe nuk është vetëm shqiptim artistik i botës dhe i shpirtit arbëresh, po shpesh herë edhe kritikë e ashpër. Veprohet në këtë mënyrë për arsye të domosdosë së vetdijësimit të njerëzve për ruajtjen e botës së tyre e të thesarit të trashëguar shpirtëror dhe etnik. Këputja e vazhdimësisë së përdorimit të gjuhës, të dokeve, të zakoneve dhe të virtyteve të paraardhësve të tyre, do të shpejtonte dhe shkaktonte asimilimin më të shpejtë e natyrisht edhe zhdukjen. Presioni në ndërgjegjen e poetëve për vetëdijesim individual dhe kolektiv për ruajtjen e identitetit arbëresh, para se të ngryset e të ndodhë mbyllja në institucionin e “Kujteses” (siç shprehet Zef Skiro Di Maxho), është i madh dhe i vijueshëm. Sidomos duhet të ruhet gjuha. Nëse ndodh që ata ta humbin edhe këtë përbërës të qensishëm etnik, atëherë për ta do të flitet në të kaluarën. Për këtë arsye mesazhi i poetit bëhet sa i drejtpërdrejtë, po aq edhe dramatik.
Mëma arbëreshe ardhur
nga qytëti për pushime
hedh papandehur
mbi qetësinë fjalë
lëtire të mbaj
foshnjën që iken te vapa (...)
Edhe macet kanë frikë
se mos ndodhen në dhé të huaj.
(Z. Skiro Di Maxho, Kapica e ndryshku)
Kritika nuk përqëndrohet vetëm në botën arbëreshe po herë-herë merr një përmasë të gjerë, gjithënjerëzore. Veprimet e pamatura të njeriut, që dëshmojnë zvetënimin, vafërimin dhe shprishjen e tij shpirtërore, i shqetësojnë poetët. Si e tillë jeta ka humbur vlerën e njëmendët siç ka humbur natyrshmërinë edhe vetë akti i vdekjes - që mbyll jetën konkrete. Këtë qëndrim të njeriut e përligjin luftrat që bëhen në pjesë të ndryshme të botës, vrasjet, e keqja që njeriu thuaja çdo ditë i sjell vetes dhe të tjerëve. Brenda këtij vetërrënimi poeti, V. Ujko, veçon automjetet, të cilat atij i janë bërë obsesion i vazhdueshëm i përsiatjeve. Gazrat që lëshojnë ato, duke ndotur ajrin dhe “vrasjet” që bëjnë ato duke marrë me qindra jeta të njerëzve nëpër rrugë, provojnë, sipas tij, të keqen, pësimet që njeriu ia sjellë vetes. Dukuria ka marrë atë përmasë sa, si thotë poeti, sorrat “kanë marrë sëmurjen e njeriut”. Kjo e bën atë të klithë thuaja papërmbajtshëm: Ju lutem ta mbroni vdekjen. Nëse njeriu s’qanë kokën për jetën e vet, për marrëdhëniet me njerëzit, atëherë së paku duhet ta mbrojë vdekjen e natyrshme, atë akt që duhet të ngjasë e të përmbyllet jashtë dhunimeve të dorës e të mendjes së tij. Pamjet e tilla të përftuara nga poeti janë sa rrënqethëse aq sugjestive e artistikisht të papërsëritshme.
Gjatë urës s'autorrugës
grumbull sorrash të patundura
midis vrullit të makinave.
Janë shumë të lodhura
e s'duan të fluturojnë më
në erë të rralluar.
Kanë marrë sëmurjen e njeriut
dhe presin të përulura
shortën fatale.
Nuk ka më rrëqethje
edhe vdekja e humbi misterin.
Ju lutem ta mbroni vdekjen.
(V. Ujko, Situatë e dytë)
Për të shqiptuar sa më plotnisht botën arbëreshe, poetët i kthehen të kaluarës dhe përjetësojnë artistikisht dukuri, ngjarje, personalitete dhe shenja që kanë pasur e kanë një rëndësi të shumfishtë për ta dhe që ndërlidhën me botën shqiptare në përgjithësi: Arbëria - Shqipëria, Kruja, Shkodra, Vlora, Tirana, Prishtina, Ulqini, Gjakova, pastaj Gjergj Kastrioti - Skanderbegu, Jeronim De Rada, Gjergj Fishta, Gjergj Pllumbi etj.
Qyteti i Krujës - Dielli i lavdisë- dhe Skanderbegu - Shkëmb me flatra dhe E shpat’ e jot’ e pamundshme / shëndritë përmbrenda meje - kanë shërbyer e shërbejnë si ushqim i përhershëm shpirtëror i arbëreshëvet: e këtë mësim unë e thith / nga mijëvjeçarët e patundshëm”. Kryetrimi Skanderbeg, i cili si dhe atdheu i të Parëve tek arbëreshët ka marrë përmasë mitike, është i gjallë në përfytyrimin e tyre, në këngët, në mallkimet, në dredhjen e valleve, në jehonën e djepave, në shërtimet e të mërguarëve, në gjakun e luftëtarëve, ndërsa Kruja simbolizon krenarinë e atdheut të të Parëve, dashurinë, domosdonë për flijim, për qëndresë dhe për njësim etnik, kombëtar.
Kruja, zemra ime,
ajo ec në mua.
Kruja është e kaluara
po që e gjej në prag të derës,
era e agimit,
ylli polar
që udhëheq fisin tim,
dashuri e gjatë
që askund s’më tradhton.
Ujko, Ora e historisë)
Pikërisht në poezi e nëpërmjet saj Ujko gjeti fillin e jetës dhe të së vërtetës (si ngjet edhe në një poezi të Martin Camajt me titull “Fill i gjetun”); poezia-kënga ishte ajo që e mbajti dhe i dha fuqi gjallimi atij (poetit) dhe arbëreshëve; ishte dufi dhe era e tokës që e ushqyen këngën dhe gjakun dhe kushtëzuan mbijetesën nëpër shekuj, përballë edhe një jete e kulture të pasur e me forcë ndikuese, siç është ajo italiane.
Sot jetës sime
një shije i gjeta
e duke i rënë lahutës
një premtim të vjetër
një kusht bese unë mbaroj.
Sot unë jam i lumtur
se dhimbja dhe e keqja
mua s’më kanë shndërruar
e mjafton vetëm kjo orë,
kjo aromë e ngrohtë toke
që ma pushton trupin
e më bëhet në zemër
gjak edhe këngë.
(E gjeta fillin)
Nëpërmjet këngës poeti shpreh qëndresën e pazakonshme përballë stuhive e të papriturave të njerëzve të tij nëpër kohë. Ata në kushte tejet të vështira, ngadhënjyen mbi realitetin e rëndë, duke krijuar me anë të vepri-meve konkrete (edhe përmes ëndërrimit e projeksionit të synimit të tyre të pashuar për të gjalluar) realitetin shpirtëror, formë e qenësishme e qëndresës dhe e mbijetimit të njeriut.
Shekujt kanë kaluar
nën qiej të flakët
kanë kaluar shekuj
nën akullin e voresë
e ti i barabartë
si një tokë që pret.
Ke gjetur këngët
përtej jetës së ditëve
ke gjetur malet
ku shkëlqei lumëria
ke gjetur vallet
ku ndrit trimëria
dhe vazhdon
tue mbyllur në sy
ëndrra të mëdha.
(Këngë arbëreshe VIII)
Në disa poezi përmasa mitike e vendlindjes së të Parëvet dhe e atdheut zhveshet deri në skajshmëri. Kështu, njëmendësia e rëndë e përditshmërisë së Shqipërisë nën sundimin komunist, ku u ushtrua dhunë mbi njerëzit dhe ku mungoi liria e mendimit dhe e veprimit, i bëri poetët arbëreshë të shprehin papajtueshmërinë dhe pezmin e tyre. Kjo del haptazi në disa poezi të Ll. Perrones dhe në dy poezi të fillimit të V. Ujko. Është përsëri deti (simbol i përdorur shpesh nga krijuesit arbëreshë) që poetit ia sjell jehonën e pikëllimit të Arbërisë, atdheut të të Parëvet të tij nën sundimin komunist, gjë që e bën të vuajë pafund.
Nga deti
si lutësí e lehtë,
valazit më sjellin
pikëllimin e Arbërisë,
shpresën e vllazërisë.
Shkrehet nj’yll
e unë shertonj.
(Ll. Perrone, Buzë detit)
Vuajtja dhe shqetësimi i poetëve për gjendjen e rëndë në Shqipëri, marrin ndonjëherë përmasa të mëdha. Kështu, robëria e saj shprehet, pos tjerash, nëpërmjet maleve që nxijnë, reve të zeza që mbulojnë qiellin si dhe Sytë lot gjaku më pikojnë / e zogjtë mbë lip këndojnë (Lluka Perrone, “Dielli s’llambarisen”), ose kur në emër të Skandërbeut, të mëmave, të motrave, të vëllezërve dhe të trimave poeti i bën lutje Zotit që t’ia sjellë lirinë Shqipërisë - Bijes më të bukur, / Bijes së paralindur / n’kopshtije t’shpirtit t’onë (V. Ujko, “Scanderbegu”).
Një përmasë e rëndësishme e kësaj poezie është qasja dhe shqiptimi i shpeshtë i ëndrrës, që nënkupton papajtueshmërinë dhe kundërshtimin e poetëve arbëreshë me njëmendësinë jetësore. Ëndrra në qenësi është mohim i njëmendësisë. Kjo ngjet për arsye se në jetë njeriu vuan dhe pëson, veprimet e tij janë të kufizuara, në të shumtën e rasteve dëshirat mbesin vetëm si të tilla. Në të kundërtën, në ëndërr dhe në njëmendësinë e përftuar nga imagjinata krijuese, çdo gjë bëhet dhe është e mundur, përmbushet çdo dëshirë e synim.
E ëmbla bukurí e ëndrrës
edhe ndë ligësitë
më çelën me shpresë
jetën e pikëlluar
ktu te zalli i shkumëzuar
(Ll. Perrone, Zemra dëgjon)
ose
Mos kërko zalinë
e luleve të bjerrura.
Vetëm gazi i shpirtit
llambaris mbi ëndrra t’kputura.
(V. Ujko, Ngushllime)
Poetët arbëreshë bënë objekt trajtimi edhe dashurinë, që shprehet herë si ndjenjë, herë si qëndrim ndaj tjetrit ose ndaj dukurive të ndryshme. Pra, ajo është gjakim edhe i jetës, edhe dashuror (në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës), edhe poetik, edhe i bukurisë. Ndonjëherë ajo përshkohet nga një përmasë biblike, që shkrihet mjeshtërisht në konceptin e tyre poetik. Ta duash dikë me të vërtetë, domethënë ta duash vetveten. Ai që ka dashuri të njëmendët për vetveten e për veprimet që bën në jetë, ai ka të gjithë përbërësit që ta dojë ashtu edhe tjetrin ose ta kuptojë më plotësisht dhe ta nxisë këtë ndjenjë tek tjetri. Koncepti i dashurisë së tillë është ai i dashurisë ndaj Zotit. Dashuria hyjnore ngërthen në vete sa një gjerësi aq edhe një thellësi kuptimi dhe ai që ia del të depërtojë në thelbin e saj, do ta kuptojë më mirë jetën, njeriun dhe fatin e tij.
Bazë kryesore e shqiptimit të dashurisë është gruaja ose vasha arbëreshe, por kuptimësia e saj ndërlidhet edhe me kënaqësinë, me të bukurën dhe me të madhërishmen.
Ndë të shoh e stolisur, ti më duke
Afërdita që ngrohin gjithë zëmrat
me atë zjarr që jetën e bukuron
kute mbjellë paqe kudo,
o bukuri arbëreshe,
lule që u tejmbjelle
ka e bukura Arbëri
te këta vende t'Italisë.
Del Gaudio, O bukuri arbëreshe)
Vasha arbëresheka një bukuri të jashtëzakonshme; në flokët e saj fitojnë dritë, pra pëndritën e ndizen dielli dhe hëna. Së këndejmi, poeti nuk e krahason arbëreshen e bukur me manushaqen, lule që cilësohet si ndera e lulsisë, po bën të kundërtën: manushaqen e krahason me bukurinë e arbëreshes - Nën qiellin e thjellët / të kalthëruar / si vashë arbëreshe / më jé e kulluar. Ndonjëherë vasha perceptohet e shprehet si qenie në përgjithësi - simbolikë e bukurisë dhe e fshehtësisë së bukurisë (gjërat që s’janë), edhe si burim frymëzimi, edhe si dhembje, po edhe si mrekulli ku ninëzohet qielli.
Rri gjithmonë kështù:
lule që s'u çel,
fërshëllimë bilbili,
burim uji të freskët,
me veshjen tënde manushaqje
te ku ninëzohet qielli,
mrekulli e varur
në rruzhén mizore të ditvet.
(V. Ujko, Sonatë e parë)
Në poezinë bashkëkohore arbëreshe trajtohen edhe një varg çështjesh të ndryshme si vetmia, mërgimi i brendshëm dhe mërgimi i jashtëm, aspekte të vetërrënimit arbëresh dhe shqiptar, bota hyjnore, vdekja etj. Pos kësaj, në këtë poezi shprehen qartazi ndjenjat e thella njerëzore, të mirësisë e të sinqeritetit, të flijimit për të mirën e njeriut kudo qoftë ai. Ky ndjenjësim nuk mbetet vetëm brenda botës njerëzore, po shtrihet shumë më gjerë.
U të lutenj, o Zot,
pir lisin pa rrënjë
pir lumin pa uj
pir qingjin pa jëmë
pir fjalën time pa gojë.
(E. Skutari, U të lutenj, o Zot)
Arti letrar arbëresh, e brenda tij dhe poezia, është krijesë nëpërmjet së cilës poetët gjakojnë njohjen dhe zbulimin e së vërtetës brenda vetvetes dhe tek tjetri; është përftesë ku shpërndërrohen e njësohen nuancimet e mendimeve, të tingëllimeve e të ritmit të shprehur nëpërmjet gjuhës, përkatësisht ballafaqimit të fjalëve e të kuptimeve të tyre; është shqiptim i brendsisë shpirtrore përballë realitetit, përballë të pamundshmes që bëhet e mundshme dhe të mundshmes që gjakon të shndërrohet në të pamundshmen, është kërkim i njësimit me qenësinë e të qenunit dhe me qenësinë e së vërtetës; është përftesë (krijesë) që lind nga fuqia shpirtërore e krijuesit dhe nevoja për ta shprehur botën e brendshme, vetveten, dhe për të shprehur atë që e cilëson qenien njerëzore, domethënë, thelbin e gjallimit, të veprimit e të shndërrimit. Thënë metaforikisht: poezia është lindje që gjakon vijimisht vetrrënimin, përkatësisht rilindjen e përhershme të saj nëpër kohë. Si e tillë ajo pati, ka e do të ketë rëndësi të madhe për botën njerëzore, e brenda saj edhe për arbëreshët e Italisë. Themi në këtë mënyrë për arsye se njeriu, pra edhe arbëreshi, gjithëherë do të ketë nevojë për ushqim dhe për pasurim shpirtëror nëpërmjet artit të fjalës, poezisë.




[1] Shih Giuseppe Schirò, Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie albanesi di Sicilia, Napoli 1923, f. 487-531.
[2] Poezia e Dushko Vetmos “Ndaj tjetrit” u botua në “Shêjzat” n° 3-4, 1958, f. 87-88, ato të Lluka Perrones “Ku je?” në “Shêjzat” n° 7-8, 1959, f. 263-265 dhe “Shpresa”  n° 11-12, 1959, f.403, ndërsa ato të Vorea Ujkos “Kujtim” dhe “Mbrëmja” (“Shêjzat”, Vjeti III, n° 9-10, 1959, f. 329).
[3] Vepra e parë me poezi, që u botua tek arbëreshët dhe dëshmon shprehjen e mirëfilltë moderne poetike është Lule shkëmbi e Lluka Perrones (Spezzano Albanese, 1968), ndërsa vëllimi Dërrudhez (Botimet e rrethit, Trebisacce 1977) e pasuron dhe e ngrit atë në një rrafsh edhe më të lartë.
[4] Veprat e poezisë arbëreshe të traditës si Këngë të Milosaos të De Radës, Canzoniere albanese e F. A. Santorit Mili e Haidhia e Z. Skiroit e ndonjë tjetër cilësohen me një shprehje dhe me një strukturim modern poetik. Shih më gjerësisht punimet e mia: Mbi strukturimin modern poetik dhe mbi shtresat kuptimore të Këngëve të Milosaos të De Radës (1836). Albanica 9, Quaderni dell’Istituto di Lingua e Letteratura Albanese. Palermo 1995, f. 29-43 dhe L’amore e la morte di fronte alla tragedia: Mili e Haidhia. Në Anton N. Berisha, Tre saggi sull’opera di Giuseppe Schirò, Quaderni di Biblos, Palermo 1997, f. 27-35.
[5] Mitrush Kuteli, në: Lasgush Poradeci, Ylli i Zemrës, Bukuresht 1937, f. 146.
[6] Shih punimin tim Mbi disa qenësi të poezisë së Vorea Ujkos. Në Vorea Ujko, Gërmime në dhimbje. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton Nikë Berisha, Editrice “Il coscile”, Castrovillari 1998, f. 7-34.

No comments:

Post a Comment