Nga Hart Wegner
Autori i librit Lamtumirë Fjalë
Jashtë
Salzburgut shiu sapo kishte pushuar. Pasi lashë pas Liqenin Hënor e pyjet e
blerta e të ftohta pranë Shën Wolfgang-ut e po i afrohesha Linz-it, peizazhi
mori atë zymtinë e butë të Austrisë së Epërme. Zyra e avokaturës në Essen më
kishte dërguar që të gjeja një varr e të kujdesesha për të. Edhe pse kishte
mëse dhjetë vjet që kishte mbaruar lufta, shumë njerëz shpresonin të gjenin të
afërmit që kishin mundur të mbeteshin gjallë. Dhe kur nuk arrinin t’i gjenin,
kërkonin varret. Në këto livadhe të buta, në pëllitjen e lopëve e në ndërtesat
luksoze me tulla përreth nuk kishte asgjë që të më sillte në mendje zjarrin dhe
vdekjen, por megjithatë, këtu jashtë Gjermanisë, kam menduar më shumë për
luftën sesa kur ndodhesha në shtëpi. Isha ende në shkollë kur mbaroi lufta dhe
në strehime strukesha me gratë dhe fëmijët e tjerë. Përse vallë më erdhën në
mendje fuqishëm këto kujtime kur kalova kufirin? Ula dritaret dhe thitha ajrin
e freskët e të larë nga shiu.
Mbasdite
vonë arrita në Payerbach, një qytezë e qetë nën hijen e malit Rax e zura një
dhomë në hotelin Horn-Hof, ballina e të cilit, ndryshe nga ndërtesat e tjera të
qytezës, ishte e porsalyer. Vendosa të filloja kërkimet për varrin, ndërkohë që
rrezet e diellit ende binin në luginën e ngushtë. Nëse do ta gjeja shpejt,
ndoshta mund të largohesha të nesërmen dhe të qëndroja një ditë në Vjenë. Pamja
e varreve që
sikur kacavirreshin në faqen e pjerrët të kodrës dhe dërrasat
në fund të çdo shkalle prej balte, të shtrembëruara e të çara nga ngjeshja e
dheut, e bënin ngjitjen të mundimshme. Përfytyroja mbajtësit e
arkivolit në krye të vargut të zi të cilët sforcoheshin e lëkundeshin nën
peshën e të vdekurit. I pamësuar me atë lartësi, u ula në një stol të ngushtë
pranë një gur varri të ngrënë nga koha dhe hodha vështrimin poshtë luginës që
po errësohej me rënien e muzgut.
Prapa
meje foli një burrë me një zë monoton si të një ciceroni muzeu. “Para lufte
Payerbach-u ishte një qytezë e bukur,” dhe shtoi sipas traditës së Alpeve, “Grüss
Gott.”
U ngrita në këmbë, u përkula para tij duke i shtrënguar dorën, ngaqë ishte i
vjetër.
“Po,
vërtet një vend i bukur para lufte. Njerëzit e rëndësishëm vinin nga Vjena. Të
pasurit e aristokratët shoqëroheshin së bashku, ose të paktën kështu mendonin
të pasurit.” Nënqeshi djallëzisht me pohimin e tij. “Ata rrinin te Fischer-i. .
. a e njeh sadopak qytezën? Jo? Fischer quhet hoteli në rrugën që të shpie në
Reichenau, afër urës.” Ai bëri me dorë në drejtim të kundërt të hotelit tim. “Natyrisht, shumë prej
tyre këtu kishin shtëpi të mëdha dhe ende në
anën e majtë kanë mbetur disa nga ato pallate. Në verë disa
nga vizitorët rrijnë. . .” Ai buzëqeshi
dhe bëri me dorë
nga gurët e zbehta të varreve përreth,
gurë që bartnin emra aristokratësh dhe stemat me pupla.
“ Çdo ditë vij këtu dhe nëse të
duhet ndonjë gjë, djalosh, jam gati të të ndihmoj. Pleqëria të sjellë dashuri
për rininë, ndërsa rinia sjell. . .” Ndaloi për një çast dhe iu duk i
parëndësishëm vazhdimi i fjalisë. “Po, jam gati të të ndihmoj.” Tundi kokën dhe
palltoja e vjetër ngjyrë jeshile iu përplas në trupin imët. Pastaj hoqi kapelën
prej shajaku në ngjyrë të zezë e flokët e bardha u shpupuritën në erë.
Pas pak vazhdoi, “Banorët e qytezës
ngjiten këtu me përtesë, thjesht për ndonjë ceremoni fetare dhe pastaj zbresin
me nxitim pa u përshëndoshur me njëri-tjetrin. Gjatë gjithë varrimit nxitojnë
në mënyrë të turpshme. Asgjë nga zakonet e vjetra. Pompes funébres. . . me
kuajt të mbuluar me kadife të zezë dhe puplat që u lëkunden kur ecin . . .”
Qeshi dhe këmbët i lëvizën sikur të kishte dëgjuar ndonjë muzikë funerale.
Pastaj u mbështet te një engjëll prej alabasteri, gati për fluturim, por që një
nga krahët e kishte të thyer.
“Po kërkoni dikë?”
I tregova për detyrën që më kishin
ngarkuar. Ishte një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara. Një zonjë nga Bostoni dëshironte
të jepte fonde për të mbjellë lule çdo pranverë në një varr.
Plaku tundi kokën. “Njoh shumë të
vdekur dhe guri i varrit tim duhet të jetë pikërisht mes tyre. Gjatë gjithë
këtyre viteve ua kam shkulur barin dhe myshkun
disa prej varreve të vjetër dhe me mollëzat e gishtave ua kam gjetur emrat. . .” Dora e tij rrëshqeti mbi
faqen e gurit ku mbështetej engjëlli me një krah. “Cilin varr po përpiqeni të zbuloni?”
Qeshi zymtë me lojën e fjalëve.
“Të Golik-ut,”
u përgjigja.
“Golik-ut?”
“Çarls-Louis Golik.”
Qeshi, “Sidoqoftë, Çarls-Louis. Pa
dyshim ndonjë honxhobonxho vjetnamez.” Mblodhi supet. “Golik?” Përsëri u
kruspullua sikur po lypte ndjesë. “Në të vërtetë njeriu duhet të njohë vetëm
njerëzit e sërës së tij.” Qeshi. “Nuk kam njohur kurrë një Golik.” E shqiptoi
emrin me një neveri të tillë saqë vijat e thella në cepat e gojës së lashtë u
zgjeruan e morën formë të lakuar.
Ngaqë nuk doja ta pezmatoja më
shumë, i thashë se do të vija nesër në mëngjes e të shikoja ca varre të tjera.
“Quhem Hainzës,” i thashë, “përfaqësues i firmës Mollenhauer & Faber në
Essen. . .”
“Essen?” Kam qenë një herë në Essen
për të vizituar fabrikën Krupp,” dhe buzëqeshi.
“Do të vini
përsëri nesër?”
“Sigurisht. E ku tjetër duhet të
shkojë një plak?”
“A mund t’ju pyes për emrin, zotëri?
“S’ka më emër, djalosh. Qysh kur ata
na i hoqën titujt tanë, pas lufte. . . luftës tjetër. . .” Zëri iu dridh.
Pastaj, vështroi përsëri, buzëqeshi dhe foli me zë të ulët. “. . . luftës
tjetër. Për ju në Gjermani, madje edhe tani, një dukë është ende dukë dhe e ka
kurorën e tij. Ndërsa ne e kemi humbur fisnikërinë. . . traktatet e Versajës, e
Shën Xhermain, dhe e Rapallos. . . Nuk ka më fisnikë në Austri. Që nga ajo kohë
emri im tingëllon i shkretë e nuk më pëlqen ta përdor më.”
Iu përkula si i zënë në faj.
“Atëhere, nesër,” thashë duke u përpjekur të dukem i kënaqur. “Atëhere, nesër.”
Ai tundi kokën, buzëqeshi dhe më
shtrëngoi dorën fort. Gishtat i kishte të ftohtë dhe menjëherë dora iu zhduk
mbrapa kurrizit. Sikur po recitonte një fragment nga një dramë, shtoi: “Ishte
kënaqësi. U gëzova kaq shumë.”
Kokulur dhe me kapelën e zezë në
dorë u largua rëndë-rëndë poshtë shkallëve të rrëpirta deri sa u zhduk në
luginën e Payerbach-ut.
Ngjita shkallët
deri në majë të kodrës dhe
hodha vështrimin poshtë. Asnjë dritë e
vetme nuk dukej prej shtëpive të mbledhura si një grumbull i madh dheu në
errësirën që po binte.
Restoranti i hotelit ishte bosh.
Burri që më mbajti valixhen e që më pas mësova
se ishte Herr Brack, i zoti i Horn-Hof, erdhi në tryezë dhe porosita një Pariser schnitzel. Pasi fillova të haja,
ai u afrua, u përkul deri në bel, kërciti lehtas thembrat e kërkoi leje të
ulej. Miratova me kokë, ndërkohë që po haja me lugë lëngun e qumështit të athët
të sallatës me kastraveca. Kamerierja i solli verë dhe ai filloi të flasë.
Pyesja veten se mos pahndehte se duke më treguar historira që kishin ndodhur
këtu, do të më nxiste të qëndroja sa më gjatë në dhomën më të shtrenjtë dhe të
haja në restorant.
S’më interesonte asgjë çfarë thoshte
ai e bënte komplimente për Gjermaninë e rrëfente se sa gjë e shkëlqyeshme kishte qenë që
oficerët gjermanë patën qëndruar në hotelin e tij gjatë
luftës së fundit. Nuk porosita ndonjë ëmbëlsirë e u ngrita duke kërkuar falje.
Ai qëndronte në këmbë mbrapa tryezës së rrumbullakët e u përkul pak teksa eca
në drejtim të errësirës. Pranë lumit, që këtu kishte marrë pamjen
e një kanali të betonuar, u gjenda para një ndërtese të vjetër e të hallakatur. Në
këtë rrënojë, mbi një tabelë të shtrëmbëruar e me gërma që mezi lexoheshin
ishte shkruar “Fischer.” U kujtova se në varreza plaku e kishte përmendur si
hoteli ku rrinin vjenezët e pasur. Ndodhej mbrapa rrugës
në një kopsht
të madh e të errët dhe pjesa kryesore
e ndërtesës binte në sy nga vilat që mbështeteshin në themelet e saj. Kate të tëra me ballkone
druri zgjateshin mbi
verandat me rripa dërrasash dhe mbi rruginat e mbuluara,
ndërsa nga çatia e varur dhe e mbuluar nga errësira binin mbi kafazin e shkallëve të jashtme
mbeturina të ndryshme duke përmbytur barërat e këqija me
copa druri të kalbur. Kanata dritaresh tërë zgjyrë e të lyera me bojë të kuqe e të bardhë vareshin shtrembër. Mbi ndërtesë dukej turbullt
një kullë.
Më kumboi në
vesh zëri i Hell Faber-it që oshëtinte në zyrat tona, me një
nuancë të dialektit të Vestfalisë që të jepte përshtypjen e pafajësisë. “Dhjetë
vite të shkuara duhet ta kishim spastruar këtë qytezë. Austriakët, vëllezërit çapaçulë. Madje edhe
në luftë nuk mund të mbështetesh kurrë tek ata.”
U ktheva ngadalë nga kisha ardhur.
Asnjë dritë e vetme nuk ishte ndezur, paçka se ishte ora nëntë. Asnjeri nuk
pashë në rrugë. Sapo afrohesha te hoteli, pashë së fundi një vend të ndriçuar.
Ishte një ëmbëltore, që shërbente edhe si kafene, me një derë xhami ku me gërma bojargjendi ishte shkruar Konditorei i Buchta-it.
Mezi hapa derën që kërciste dhe ngecte në dyshemenë
e paniveluar. Jehona rrapëlluese e derës me xhama ishte i vetmi
tingull brenda. Dhoma ishte kaq e ndritshme sa m’u desh kohë që sytë të më përshtateshin.
Karriget dhe tryezat me syprinë mermeri shkëlqenin nga llaku.
Në një tryezë ishin dy burra të përkulur
kaq shumë mbi një tabelë shahu, saqë kokat e tyre pothuajse preknin gurët e zeza e të bardhë. Nga ana tjetër e dhomës
m’u afrua një burrë i imët që më vështroi sikur po qante një të vdekur.
“Grüss
Gott,” tha dhe më pyeti çfarë dëshiroja.
“Akullore,” i thashë.
“Më falni, nuk
kemi akull.” Ai pothuajse nuk i lëvizi buzët e thara. Foli me
një zë të ulët, por të dy shahistët çuan kokat mbrapa dhe vështruan sikur të
kishte bërtitur. Qëndrova në këmbë e nuk ua ndava sytë derisa kokat e tyre u
shkrinë përsëri së bashku mbi tabelën e shahut. Kur dola jashtë, mbylla derën e
u gjenda poshtë degëve të ulëta të
një peme të madhe bliri në lulëzim. Erëmimi i ëmbël m’i ngacmoi hundët. Qëndrova
poshtë pemës e në çast gjithçka që kisha humbur m’u kthye përsëri: dritarja e
dhomës që binte nga rruga me pemë bliri atje në shtëpinë time në Silezi, përpara
lufte, përpara eksodit. Mbrëmjeve aroma hynte nga dritaret e hapura së bashku
me zërin e djemve më të mëdhenj që flisnin me vajzat e dëgjoja pëshpëritjet, të
qeshurat dhe shushërimën e gjetheve. Gjatë ditës, djemtë ngjiteshin mbi pemët
dhe mblidhnin lule bliri në këllefe jastekësh të varura
në qafë që t’i shisnin. Mora disa herë frymë thellë, pastaj shfryva me forcë e
shtriva krahët në erëmimin e ëmbël dhe gëlltita thërrmijat aromatike të luleve
të verdha të blirit deri sa ndjeva dhimbje në kraharor dhe filluan të më merren
mendtë.
Hoteli ishte vetëm disa hapa tutje,
në errësirë. Pronari, që ende po qëndronte prapa të njëjtës tryezë ku e kisha lënë,
tundi dorën dhe më ftoi të ulesha. Para tij ishte një radhë gotash vere ngjyrëqelibari.
Teksa i afrohesha tryezës, ai më shikoi drejt në sy. Deri atë çast, nuk e kisha
parë drejt në fytyrë. Kur më regjistroi në hotel, kur më kërkoi pasaportën, kur
më tha të plotësoja formularin e policisë apo kur qëndroi te tryeza ime, ai
asnjëherë s’më shikoi me ata sy të verdhë si të një qeni gjuetie.
“Ulu, Herr Hainzës,” tha dhe bëri me
gisht te karrigia pranë tij, një karrige e lyer me një stil fshatarak me lule të
kuqe e blu. Mbas pak, tha, “Herr Hainzës, ku ishe?”
I thashë se bëra një shëtitje të
shkurtër dhe pashë një ndërtesë të braktisur me kanata bardhëkuqe.
“E Fischer-it,” tha ai. “Në këto anë
na pëlqen t’i lyejmë gjërat me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë. A e di sesi e
kuqja-e-bardha-e-kuqja u bënë ngjyrat tona kombëtare?”
Kur pa që s’e hapa gojën, ai nxitoi
të flasë. “Ndoshta mund të jetë ndonjë rrëfenjë. Ndoshta ndonjë legjendë.
Nejse. Një kalorës u nis në luftë e mbi parzmore veshi këmishën e bardhë të betejës. Pastaj vuri rripin ku varej edhe
shpata.” U mbështet në karrige. “Nuk e di kur ka ndodhur, por pas fitores, tërë
veshja e kalorësit ishte mbuluar nga gjaku i armiqve dhe i vetmi vend që kishte
shpëtuar pa u gjakosur ishte pjesa e mesit e këmishës, mbrojtur prej rrëkeve të
gjakut nga rripi i gjerë i shpatës.” Qeshi e piu një gllënkë ngadalë. “Siç e
sheh, gjaku ka qenë në fillimin e historisë sonë, flamuri ynë. . .”
E ndërpreva. “Prej andej shkova te Konditorei për të blerë xhelatinë
frutash në akull, por nuk kishte.”
“A doni ndonjë ëmbëlsirë? Ndoshta një
pjatë Salzburger nockerl?”
Mendova të porositja nockerl, një si re veze e fryrë me
sheqer të pluhrosur, por ndërrova mendje. Erëmimin e ëmbël të luleve të blirit
ende e ndjeja në fyt.
“Jo të falem nderit, por më mirë një
gotë verë e ujë mineral.”
“Jozefa!” iu drejtua një vajze
anemike, me një fustan të zi që i rrinte keq e që po shkëlqente gotat e barit.
Ajo mbushi gotat me verë, i hodhi pak ujë minerali dhe i vendosi para nesh.
Pastaj mori gotat boshe nga tryeza dhe i buzëqeshi pronarit.
“Pra, ishe te Buchta,” tha ai.
“Më duket se kështu quhej. Por vështirë
ta them. Çdo gjë është kaq e errët në këtë qytezë.”
“A të tha ndonjë gjë të keqe?”
Hodha vështrimin tutje. “Jo. Atij i
ishte mbaruar akulli.”
Ai ra në mendime.
“Ndoshta nuk fole aq sa të të vinte
re. Po të të kishte dëgjuar, do ta merrte vesh se
je nga ana tjetër e kufirit,” tha ai e bëri një lëvizje përbuzëse. “Ai s’i ka
qejf gjermanët. Ata i varen gruan.”
“Gjermanët?”
“SS-të. Ta thashë se të gjithë oficerët e mirë gjermanë kanë ndenjur te ky
hotel. Por jo, s’është e vërtetë. Nuk ka oficerë gjermanë
të mirë. I gjithë ky vend u mbush me kafka bojargjendi të SS-ve. Nuk ishin të
zinjtë, SS-të politikë, por një grup që sapo kishte ardhur nga Ukraina. Ata vunë
nën kontroll gjithë ndërtesën, nga qilari deri te dhoma e pastrueseve, dhomën tënde
e t’imen. Bëhet fjalë për pranverën e 1945-ës. Jozefa, sill dy të tjera!”
Doja të largohesha. Fjalët dhe toni
i tij po më shqetësonin. Por ndenja. Asgjë nuk fitohet nga tërheqja.
“SS-të zbuluan se kur zhurma e artilerisë ruse po i afrohej qytezëz, gruaja
e Buchta-s kishte ngritur një flamur të bardhë. E pashë nga dritarja e kuzhinës
kur e ekzekutuan. Në atë kohë sapo isha kthyer nga fronti rus me një plagë në
shpatull nga një plumb që kishte kaluar tejpërtej.” U rrotullua në karrike dhe
më tregoi shpatullën e plagosur. “Ndodhi
herët në një mëngjes të bukur e gjithë dritë. Po skuqja vezë në sobën afër
dritares, i skuqja për ata. E pashë
kur po e nxirrnin nga Konditorei. Njëri
vuri litarin mbi një degë të ulët, tjetri e ngriti lart, sikur po e vinte në
sup për ta transportuar diku. E ngriti dhe . . . menjëherë e lëshoi. Pastaj hynë
brenda, hëngrën vezët dhe u ankuan, sepse në tryezë u mungonte mishi. Kjo ishte
e gjitha. Ja ata ishin gjermanët tuaj të mirë.”
Nuk fola fare.
“Arsyeja që hodha vështrimin nga
dritarja ishte se ajo bërtiti. Munda të dëgjoja britmat edhe pse dritarja ishte
mbyllur e yndyra kërciste në tigan. Ajo ulërinte. Ecte në mes dy ushtarëve me
uniformat në ngjyrë gri e jeshile dhe nxirrte një piskamë të mprehtë.”
Ai u ngrit papritur dhe shtrëngoi anën
e tryezës aq sa mbulesa u bë shuk në të dyja grushtat dhe gotat u lëkundën e u
përplasën me njëra-tjetrën. Pastaj ngriti kokën lart dhe lëshoi tri klithma
drejt traversave të errëta të tavanit. Shtrëngova krahët e karriges dhe hodha vështrimin
nga Jozefa, sytë e së cilës ishin ngulur te ky njeri që ulëriste. Në atë fytyrë
verdhacuke vetëm sytë e saj të ndritshëm kishin jetë, ndërsa uniforma e saj, e
zezë dhe e zymtë, thithte dritën si një sfungjer në atë
cep ku po qëndronte.
I zoti i hotelit qëndroi i heshtur
me kokën të ngritur përpjetë sikur priste që klithmat të oshëtinin në cepin e
errët. Ngriti gotën lart dhe vështroi flluskat në barkun e qelibartë.
“Njëri prej tyre u ul në gjunjë dhe
iu fut gruas nga mbrapa në mes të shalëve. Mbështeti spaletat me kordon
argjendi mbrapa gjunjëve të saj dhe me dorën e djathtë ia mbështolli të dyja këmbët,
ndërkohë që tjetri i vuri lakun në fyt. Ai që e ngriti lart, eci menjëherë
mbrapsht dhe trupi i saj filloi të lëkundej në erë dhe të shkelmonte me këmbë
sa më lart që të ishte e mundur që të shmangte peshën nga qafa. Kindat
e fundit u fryn, ndërkohë që qëllonte pemën me këmbë. Ushtari
tjetër u kthye me duart lart drejt degëve të gjelbra, kapi këmbët
e saj dhe i tërhoqi fort. Për Shën Mërinë e Virgjër të betohem se është e vërtetë
që dëgjova kërcitjen e qafës së saj në mes të asaj zhurme të yndyrës në tigan
dhe të dritareve që ishin mbyllur. Ajo mbeti e varur si një copë mishi në mes të
gjetheve. Pastaj, ushtarët hëngrën mëngjesin me vezë. Ja, i dashur Herr Hainzës
përse Buchta nuk i do gjermanët dhe kjo është arsyeja që askush në Payerbach
nuk i do ata. Jozefa, na sill një. . .”
E ndërpreva dhe i thashë se doja të
shkoja në dhomë. Ai tundi kokën dhe u përkul. Nuk e di si ta merrja, si
respekt, përçmim apo ironi? Kur u ngjita lart vështrova poshtë përmes parmakëve
të stilit barok dhe pashë që ai vazhdonte të qëndronte në këmbë vetëm pranë
tryezës, derisa Jozefa iu afrua dhe mbështeti faqen në gjoksin e tij. Ai nuk
reagoi fare sikur të ishte i vetëdijshëm për praninë e
saj. I vështrova edhe ca përmes parmakëve, përtej shtyllave të trasha ku
dalloheshin shtresa të ndryshme bojërash me figura zemrash të kuqe e lule mos-më-harro
në ngjyrë bojëqielli.
Dhoma ishte akull e ftohtë dhe, përpara
se të ndizja abazhurin mbi komodinë, shkova të
mbyllja dritaren duke u orientuar
me të cekur. Rrethi i vockël i dritës më ngrohu e ra mbi sendet që kisha
nxjerrë: mbi orën me sinjal alarmi që e merrja në udhëtime e që po punonte
pothuajse pa u ndier brenda këllëfit të lëkurtë; mbi një Bibël të vogël e me kapak lëkure
që pothuajse s’e lexoja më, por e merrja me vete kur udhëtoja; e mbi një botim
me kapak të hollë të Murtajës së
Kamysë. Nuancat e ndryshme të ngjyrës së verdhë të kopertinës së shkëlqyer, një
lloj portokallie e zbehtë e një jeshile si në spitale, krijuan një njollë të
turbullt mbi tavan. Edhe këtu brenda ishte akull, por më
mirë në këtë dhomë të ftohtë sesa të rrije poshtë me atë
hanxhi të marrë, apo në rrugët e
kësaj qyteze të heshtur e të mbuluar nga errësira.
U zhvesha dhe rrëshqita
nën mbulesa. Çarçafët ishin të ftohtë, të lagësht e të ashpër, ndërsa krevati
shumë i shkurtër. Mblodha këmbët aq sa munda, u ktheva në njërin krah dhe ia
ngula sytë dhomës. Kështu duhet ta kishte ndier veten Harkeri në filmin Nosferatu kur hyri në tokën e vampirëve.
Vërtet, kisha takuar disa banorë: aristokratin plak e nopran në varreza,
pronarin e hotelit, Jozefën dhe burrat e ngrysur në Konditorei. Të tjerët duhej të ishin diku, ndoshta në shtëpitë e
tyre, fshehur mbrapa mureve të trashë duke shikuar vjedhurazi nga kanatat e
dritareve. Herët në mëngjes dhoma u mbush me zhurmë dhe një
gri e ndotur drite
bëri që gjithçka të merrte një ngjyrë kënete. U mbështeta në dritaren e
ngushtë, por nuk pashë asnjeri në rrugë dhe nuk munda të kuptoja se çfarë më
kishte zgjuar. U vesha dhe zbrita poshtë në holl. Dëgjova hapa prapa meje.
Ishte Brack-u, pronari.
“Grüss
Gott, Herr Hainzës. Më vjen keq për mbrëmë, por shpresoj se nuk ma morët për
të keq. . . shumë verë.” Ai kreu ritualin e përkuljes, të buzëqeshjes dhe kërcitjes
së thembrave, si të ishte programuar. “Dhe nëse ju kam ofenduar, më falni, ju
lutem më falni. . . siç e di, vera.” Buzëqeshi përsëri. “In vino veritas,” tha
ai. Ju e dini për të vërtetën në verë. Mund të jetë po aq e keqe për mua sa
edhe për ty.” Heshti, qeshi dhe iu dukën mbushjet e florinjta të dhëmbëve.
Pastaj shtoi. “Ishte kënaqësi. U gëzova shumë.” Nuk fola fare,
ndërsa ai mbeti me gojë hapur e drita e zbehtë e
mëngjesit shkëlqeu nga mbushja e metalit të dhëmbëve.
Eca në të njëjtin drejtim nga kisha
ecur mbrëmë e ndalova në xhamat e ndotura të Konditorei. Në derë kishin vënë një kovë zinku për ta mbajtur pak të
hapur. Trokita në xhamin e hollë dhe Herr Buchta doli duke u përpjekur të
lidhte rripat e përparëses mbrapa kurrizit.
“Ç’urdhëroni zotëri?”
“Nuk kam ngrënë mëngjes. Ndoshta
mund t’më. . .”
“Pa dyshim, zotëri. Pak kafe, një
vezë të zier apo dy, dhe nja dy simite të ngrohta.”
“S’ka më mirë, të falemnderit.”
Mori dy karrige të zeza të lyer me
llak nga tryeza e mermertë afër dritares. “Urdhëroni. Për një minutë e keni
gati.”
Dritarja ishte e hapur dhe erëmimi i
pemës së blirit përhapej në dhomën bosh e të ftohtë. Përjashta gjithçka ishte
pluhrosur me pjalmin e verdhë të pemës. Në murin e Konditorei-t dhe në
pemë ishin krijuar duna ngjyrë squfuri
nga era që përplasej mbi to. U mbështeta
dhe mora frymë thellë. Rruga ime ishte e qetë, por të mërkurave gumëzhinte nga
trumbetat e fanfara e organizatës Hitler-Jugend
që vinin dhe stërviteshin në lëndinën pranë shtëpisë sonë. Vështroja të rinjtë
nga dritarja e dhomës sime. Babai e urrente zhurmën e rëndë të daulleve
ushtarake që buçitnin në shtëpitë tona. Ndoshta ishte diçka më tepër se zhurma,
por në atë kohë ai nuk guxonte t’ma tregonte.
Një vajzë e vogël eci pranë dritares
dhe fustani i kuq shkëlqeu nga rrezet e zbehta të diellit mëngjesor. I tërhiqte këmbët sikur gërvishte trotuarin
dhe rënkonte si
një sirenë.
“Urdhëroni kafenë dhe vezën. Nëse dëshironi gjë tjetër, më thoni. Oh harrova, kam çuar
të marrin ca simite të ngrohta. Të miat kanë qysh dje.”
Gjatë gjithë kohës vajza e vogël rënkonte. M’u kujtuan mesnatat që
më shkundnin të zgjohesha dhe rendnim drejt strehimeve.
Herr Buchta u largua dhe pastaj u
kthye pas disa minutash me një pjatë me simite të ngrohta. “Ajo gjithnjë kështu ka rënkuar,” tha ai. “Të paktën që kur ka filluar të ecë e të flasë. Madje siç e
sheh, ajo ka lindur shumë kohë mbas lufte. S’është në rregulll këtu,” dhe vuri
gishtin në mes të ballit me rrudha.
Përpara se të thoshte edhe diçka
tjetër, vajza e vogël kaloi përsëri e dhoma u mbush me një ulërimë sirene të
gjatë. Ajo u rrotullua rreth pemës dhe u zhduk
poshtë rrugës nën retë e verdha pluhrore duke përhapur nëpër
qytet pjalmin e ëmbël të pemëve të blirit.
“E qëllojnë me gurë. Hera-herës e sheh të gjakosur e të
strukur pas ndonjë gëmushe duke ulëritur.”
“Dikush duhet të bëjë diçka.”
“Askush nuk bën më
gjë.”
Tunda kokën dhe vendosa t’i thosha
atë për të cilën kisha ardhur. “Herr Buchta, më vjen shumë keq për vdekjen e
gruas tënde. Mbrëmë ma tregoi pronari i
hotelit.”
“Po, është e trishtueshme, por kanë
kaluar vite.”
“Ai më tha se çdo njeri këtu, dhe ju
veçanërisht, i urreni gjermanët.”
“Oh, ai. . .” ndaloi sikur donte të pështynte.
“Ai duhet të shikojë punët e veta dhe të mos flasë kaq shumë. Ishte luftë, ti e
di, luftë.” Ngriti zërin që të mos dëgjohej rënkimi i vajzës që po kthehej te
pema. “Ishte një ditë e shkëlqyer. Jo si tani. Nuk e di pse kjo kohë është kështu.
. .” Ndaloi, u kthye dhe pastroi tryezën e mermertë me leckën e njomë. “E nxorën
pikërisht nga kjo derë që hyre ti. Njëri nga ushtarët ecte përpara, pastaj ajo
dhe mbas saj ushtari tjetër që e la derën të hapur.” Ai fshiu një tryezë tjetër
dhe erdhi përsëri. “Ajo ishte atje. Nga dritaret e katit të sipërm e shikoja të
gjithë skenën. Nuk më kishin marrë ushtar, ngaqë isha i sëmurë nga mushkëritë.”
Ai u kollit disa herë si për të më bindur mua. “Ishte një grua e imët. Nuk mund
të krahasohej me atë ushtarin që e çoi te pema. Ishte kaq e vockël saqë edhe një
puhizë e tundte. Litari ishte tamam litar xhelati, bërë me fije bardhezi. Nuk u
bë gjyq fare. Asgjë veç . . . varjes dhe litarit të përshtatshëm që përdridhej
e shpërdridhej duke e rrotulluar atë ngadalë, ashtu siç e kishte zakon të
rrotullohej kur më tregonte mua ndonjë fustan të ri.”
Eca përmes Payerbach-ut, gjithçka
dukej e rëndomtë dhe e shkatërruar si një copë dru që deti e ka nxjerrë. Tabela
dyqanesh të gjymtuara tundeshin në ajrin gri. Në një park të errët ndodhej një
platformë e rrumbullakët koncertesh, e shtrembëruar, si një guackë boshe e
hapur dhe e pandërgjegjshme për arkitekturën e saj të mrekullueshme. Asnjë
orkestër nuk do të luante më aty. Dyshemenë e kishin shqyer, ndoshta e kanë përdorur
për t’u ngrohur. Shtëpitë ishin të grumbulluara përreth parkut dhe nëpër
shitore shije reklama të dalëboje dhe gjithë pluhur.
Afër mesditës, ndalova në një gasthaus
nën urë. Porosita dhe vërtet kisha ndërmend të haja, por desha të pyesja një
njeri tjetër për varjen. Nuk e mbaj mend fare fytyrën e kamerierit, por
fillimisht foli si me përtesë, pastaj u hap plotësisht.
“A ishit këtu kur ndodhi ngjarja?” e
pyetja.
“Po. Nuk më morën ushtar. Punoja si
brigadier në një fabrikë në malet në Hirschwang.”
“Kam
biseduar me Buchta-n te Konditorei. Rreth varjes.”
Burri s’e
hapi gojën.
“A e patë kur e varën?”
“Të gjithë e pamë.”
“I gjithë qyteti?”
Tundi
kokën, pastaj u zymtua. “Të gjithë e panë, por disa nuk e panë ditën e parë.”
Ngriva. “Ti thua se ajo qëndroi e
varur më shumë se një ditë?”
“Disa ditë, deri në çastin që
ngrysej. Kur këmbanat e lutjes e mbrëmjes binin, ushtarët marshonin drejt pemës
sikur do të ulnin flamurin. E ulnin, e shpinin në qilarin e hotelit dhe e
fshihnin aty gjatë natës që askush të mos e gjente dhe ta varroste natën. Edhe
e vdekur ajo duhej t’na kujtonte se çfarë do të ndodhte me tradhtarët dhe
disfatistët. Çdo mëngjes ata marshonin drejt pemës dhe e varnin përsëri atje.”
“Sa kohë zgjati?”
“Katër javë.”
“Sa veta ishin ata që e mbanin?”
Ai hodhi shikimin tutje pa folur.
“Sa veta e mbanin?”
“Të gjithë ata.”
Mbrëmja ishte e errët dhe tymi
ngrihej si rripa të murme mbi luginë.
Të nesërmen shkova në varreza përsëri.
Dërrasat e shkallëve m’u dukun më të larta se një ditë më parë.
Plaku ndodhej aty në të njëjtin varr
që ishte edhe dje. “Si e kaluat ditën në Payerbach?” pyeti ai. “Je vonë,” shtoi
prerazi.
“Më keni pritur?”
“Je vonë. A gjetët ndonjë gjurmë të.
. .”
“Golik-ut,” thashë. “Jo. Mbrëmë dhe
sot më kanë treguar për një ekzekutim, një varje gjatë luftës. Jam marrë me të.”
“Po, varja dhe dyqani i ëmbëlsirave.”
Qeshi. “Rusët erdhën pas një muaji, por gjermanët e varën gruan e Buchta-it.”
U ula në stolin e ngushtë, ndërsa ai
qëndroi në këmbë mbështetur në engjëllin prej alabastre. “Përse çdo njeri thotë,
Ishte kaq kënaqësi. U gëzova kaq shumë,” e pyeta. E dëgjova nga ty dhe nga të
gjithë.”
“Ishte kaaaq kënaqësi. U gëzova kaaaq
shumë.” Buzëqeshi përsëri, duke shijuar tingullin e stërzgjatur. Perandori ynë
e kishte zakon të thoshte kështu. Franc Jozefi e përdori këtë frazë për dhjetëvjeçare
të tëra me duart e mbledhura mbrapa kurrizit.”
“Po përse?” e pyeta me padurim.
Plaku tundi kokën ngadalë. “Gjatë
gjithë jetës së tij vetëm një herë tha atë që vërtet mendonte, pikërisht pasi u
ndërtua opera në Ringstrasse, në Vjenë. Ai kritikoi ndërtesën dhe arkitekti e qëlloi
me plumb që i përshkoi trurin tej për tej. Mbas kësaj, perandori ynë i
katandisi ligjeratat publike në Ishte kaaaq kënaqësi. U gëzova kaaaq shumë. Dhe
qëndroi kështu me duart e mbledhura mbas shpine për mëse gjysmë shekulli, ndërkohë
që gjithë Evropën e kishte përfshirë flaka.” Plaku heshti. Pas pak, foli përsëri.
“Ai ndenji një herë te Fischer-i. Shumë nga ne kanë vdekur. . .” Filloi të flasë
mbytyrazi, por papritur ngriti kokën lart dhe vështroi përsëri nga lugina.
“Shiko poshtë, në të majtë të kryqit
prej druri. Është
Horn-Hof, hoteli yt. E shikon atë deriçkën që të çon në qilar, pikërisht prej
andej e nxirrnin trupin çdo mëngjes. Përmes asaj deriçke. Besoj se e
kupton tani se kush e tradhtoi.”
“I zoti i hotelit?”
“Ishte e pamundur të gjeje njerëz të
tillë në kohën time. Njerëzit kishin dinjitet. . .”
Nga lodhja e humba durimin.
“Po ti ku ishe kur e varën?”
“Atje. Ashtu si të gjithë, atje.”
Ishte i etur të pranonte se kishte qenë një dëshmitar okular. Plaku mbylli sytë
e i hapi ngadalë.
I thashë: “Do të ketë qenë një tmerr
i vërtetë të shihje sesi një skuadër SS-ësh terrorizonin. . .”
“Skuadër?” Anoi kokën aq shumë saqë
veshi i djathtë më preku gojën.
“Pronari i hotelit dhe Buchta vetë më
treguan për ngjarjen. Skuadrat e SS-ve, e gjithë kompania në hotel. . .”
Plaku u drejtua dhe ia plasi të
qeshurës në një mënyrë të tillë që s’kisha dëgjuar asnjë të qeshte kështu.
“Skuadrat?!. . . Kompania?! A e ke idenë se sa veta ishin? Dy! Dy! Madje as
edhe uniformat me kafkat e argjendit, me kordonat e arta në spaleta dhe me
medaljet në gjoks nuk i bënin ata të dukeshin më shumë. Dy veta.”
“S’është e mundur,” thashë. “Kush e
çonte deri te pema dhe kush e ruante kufomën? Vetëm dy burra? Nuk flinin fare?”
Nuk mund t’u besoja veshëve. “A s’mundej njeri të bënte diçka? Të paktën ta
varroste?”
“Dy veta dhe s’ishin as të bëshëm.
Një skuadër?. . . Lächerlich!”
Ia dha së qeshurës kaq shumë, saqë iu desh të mbahet te këmba e engjëllit me
krah të thyer. E qeshura e tij jehoi nëpër varrezë. Papritmas e kuptova, por
ende nuk arrija ta kuptoja vërtet shkretinë e kësaj qyteze.
“Ku
janë të gjithë?” pyeta.
Ai e
kuptoi se ku e kisha fjalën.
“Kanë vdekur. Trupat e tyre ende lëvizin,
por janë aq të vdekur sa edhe shtëpitë e tyre të varrosura nën shtresa
pluhuri.” Pështyu në tokë mbi këmbën e engjëllit.
“Lufta?” pyeta.
“Lufta! Lufta!” shpërtheu me
padurim. Mori frymë thellë, pastaj mezi u ul.
U përpoqa ta qetësoja. “Çfarë duhej
të bënin ata. Ju s’kishit armë, ndërsa SS-të . . .”
“Ata duhej ta varrosnin. Unë duhej
ta varrosja.”
U ula pranë tij dhe u mbështeta te
varri, mbledhur grusht brenda pardesysë. Atje tej qyteza po
fundosej në errësirën e luginës.
Ai më pëshpëriti
në vesh. “Ik! Shko në shtëpi! Je i ri dhe s’të lidh gjë me . . .”
Atë natë u nisa drejt Vjenës. Kur
arrita në Essen, shkrova mbi dosjen e Charles-Louis Golik-ut: Varri nuk gjendet.
Përktheu nga origjinali
Pirro Dollani