ALBERTO MORAVIA
tregim
Përktheu: Agim Mato
Jam rritur me makthin e një nëne pijanece,
erotomane, plangprishëse dhe mbi të gjitha piktore diletante dhe e dështuar.
Nëna ime është ndarë shumë shpejt nga im at, inxhinjer konstruktor digash
(ndoshta një simbol, profesioni i tij!) dhe shkoi të jetojë me të dashurin e
rradhës në një papafingo në majë të një pallati antik. Im at dhe unë kemi
ngelur në apartamentin e Paridëve. Thashë se jam rritur me makthin e nënës
sime. Mbi këtë makth, kisha edhe unë makthin e vetes sime, që çdo gjë e doja ndryshe nga ajo. Nëna ime i lejonte
gjithshka vetes në jetë: meshkujt, alkoolin, pikturën dhe shumë gjëra të tjera
të pamundura dhe joligjitime. Unë, që fëmijë, jam ushtruar për të krijuar tabu,
e vendosur të refuzoj gjithshka, duke nisur nga lodrat dhe nga ëmbëlsirat
(studioja te murgeshat, hiqja dorë nga dëshirat e mia, duke bërë lulka për
Madonën), gjer edhe dashurinë kur isha më e madhe. Duke hequr dorë, duke
ndaluar, duke parandaluar, duke mohuar
atë që ishte jeta ime. Në moshën njëzetekatër vjeç isha akoma virgjëreshë; u
diplomova në filozofi, një diplomim me të cilin nuk dija ç’të bëja dhe që e
kisha realizuar vetëm për të bërë të kundërtën e nënës sime, gjysëm analfabete
edhe pse gjysëm artiste. Menjëherë pas diplomimit u vura të ushtroja
profesionin e arreduesit, si vokacionin tim kryesor. Por a mund ta merrni me
mend se ku e sistemova laboratorin tim?! Pikërisht në të njëjtin pallat ku
ishte papafingoja e nënës sime, në katin përdhesk.
Në këtë kohë, kush më ka parë, do të ketë klithur:
”Sikur të ketë fluturuar nga një reviste mode”. Isha pikërisht kështu. Ju
kujtohen fotografitë publicitare të
revistave të modës, në të cilat modelet “prezantojnë” të ashtuquajturat “linja”
të të ashtuquajturave “stinë”? Ato vajza të dobëta në kulm, me sy provokues dhe
buzëqeshje verbuese, me trupin e orientuar në mënyrë të sforcuar dhe si prej kukulle,
me këmbët e lëshuara nga njëra anë dhe bustin në anën tjetër, me krahët e
shtrira jashtë, dhe me shprehjen e fytyrës, diçka sterile dhe histerike dhe e
gjitha kjo për të ilustruar në mënyrë dramatike një pallto apo një veshje
tjetër. E, pra, ndërkohë që unë fillova
të kem sukses në arredimin e apartamenteve të borgjezisë parioline, isha
egzaktësisht kështu. Një fjalë e vetme mund të më definonte, pa përshkrimet e
fundit: e ndrydhur. Isha kështu e ndrydhur sepse gati kisha harruar që isha
virgjëreshë. Edhe sepse nuk mundesha që të paktën të dalloja një raport midis
ndrydhjes dhe suksesit, dhe nuk ka asgjë si suksesi për të harruar çmimin që
kemi paguar për t’ja arritur.
Kujdesem për arredimin e apartamentit të një
diplomati të ri që jeton vetëm. Më fton për drekë e për darkë, më dërgon lule,
më shoqëron në kinema dhe në teatër, më telefonon në të gjitha ditët. Më në fund
fejohemi; im at, që ka simpati për të, jep aprovimin; ime më, që e urren sepse
i tingëllon borgjez, jo. Martohemi në kishë, ftojmë njëqind persona në drekën e
martesës, nisemi për në Greqi. Gjithshka në rregull, me pak fjalë, përveç natës
së parë në hotelin e Athinës ku dhëndërri im, pas disa tentativave të kota, bie
në gjunjë, më përqafon këmbët duke qarë dhe më rrëfehet se është impotent.
Kthehemi në Romë në dy avionë të ndryshëm; ai ende impotent, unë për gjithmonë,
siç thuhet, e virgjër.
Martesa ime e dështuar duhet të kish qenë për mua një kambanë alarmi. Do të
doja në fakt të kuptoja që isha martuar “posaçërisht” me një impotent, që të
mos i jap gjë askujt, për të ngelur e virgjër. Ndërkohë nuk kam kuptuar asgjë
edhe pse më kapi një tërbim i trishtë dhe i fshehtë. Kërkoja diçka, nuk isha më
shumë e sigurtë në vetvete, e ndjeja se po gaboja jetën time. Më në fund, pasi
lodha trurin, m’u duk se e kuptova: gabimi qëndronte në faktin se jetoja
egoisten, duke ju kushtuar tërësish vetes sime dhe në ç’ mënyrë pastaj? Për ti
ndaluar vetes praktikisht gjithshka. Do të duhej ndërkohë ta lija veten, t’u kushtohesha
të tjerëve ose një dashurie tjetër. Mbi gjithshka, virgjiniteti im kishte
humbur tashmë, në sytë e mi, kuptimin e tij të pastërtisë, ishte bërë ftohtësi
dhe thatësirë. Po, unë duhet të dashurohem për
të mos qënë më e virgjër dhe të dua një burrë e t’i kushtohem atij.
Një nga këto mbrëmje zëri i ngjirur dhe i ulët, prej të alkolizuare
i nënës sime më thotë në telefon se në paapafingon e saj ka një festë; e përse
të mos shkoja, do të argëtohesha dhe do të më bënte edhe mirë, kohët e fundit i
kisha lënë përshtypjen të isha e lodhur e nervoze. Po
i përgjigjesha se nuk më interesonte të argëtohesha, ndërkohë që i thoshja
vetes “është e vërtetë që nuk të intereson?” dhe atëhere pranova.
Festa e nënës sime ishte një mbledhje melankolike e një numri
personash të ngjashëm me të: piktorë pa treg, shkrimtarë pa talent,
intelektualë pa prestigj, të gjithë ama, sipas nënës sime, të destinuar nesër për çmime të pashmangëshme. Përballë këtyre
njerëzve provova të njëjtën ndjenjë neverie si përpara leckave dhe rrangallave piktoreske
të peshkuara nga nëna ime me të cilat kishte arreduar papafingon. Unë isha
ndërkohë për njerëzit e suksesit, siç isha për divanët e mëdhenj, për tavolinat
masive, për trapezeri të pasura dhe të kushtueshme.
Po kërkoja të
falur për t’u larguar kur nëna ime u hodh në qafën e një të porsaardhuri, një i
ri me bukuri të jashtëzakonëshme. Nëna ime pra, e prezantoi të porsaardhurin në
rreth. Nuk ishte italian por amerikan dhe quhej Roberto që do të thotë Bob. Kur
më erdhi radha, nëna ime ma hodhi madje përsipër, duke thënë, me një shkelje
syri të djallëzuar, që ishim bërë për njeri tjetrin. Djaloshi u kruspullua para
këmbëve të mia, me gotën në dorë, por nuk më foli. Atëhere e pashë; dhe kur
erdhi momenti që t’ja hiqja shikimin, siç e do edukata e mirë, vazhdova ta
shihja. Zot, sa i bukur ishte! Në mënyrë të pasjellëshme, paturpësisht, me
lakmi, jam zhytur të hetoj sytë e mahnitshëm të blertë në të kaltër, të
lëngëshëm, hundën fisnike të drejtë e të pastër, gojën e mrekullueshme
mospërfillëse e krenare. Më la ta shikoja mirë e mirë, edhe pse në heshtje:
duhej të ishte mësuar me këtë. Pastaj, u çua vrik në këmbë dhe, pa më
përshëndetur, doli nga papafingua.
Ngela pa lëvizur, më shumë e habitur, se sa e eksituar, ndoshta një
minutë apo dy dhe pastaj u lëshova pas tij. Gjëja e parë që pashë, pasi dola në
zgjerimin para pallatit, ishte djaloshi i stepur dhe në mëdyshje, midis
automobilëve të parkingut. Instiktivisht shkova tek makina ime dhe jam ulur tek timoni, duke lënë hapur dritaren,
siç kisha parë t’ua bënin shumë herë prostitutave, në vendin e tyre të pritjes.
Prita pak, djaloshi e kuptoi, erdhi drejt e tek makina, u ul përkrah meje dhe
më tha pa u vonuar adresën ku donte ta çoja, pikërish siç bëhet me një shofer
taksie.
Nuk lëviza gjersa më spjegoi. Me pak fjalë, ai nuk kish para dhe donte që ta çoja deri tek një
bar shumë larg, ku duhej të takonte dikë që ai e quante një “lidhje” d.m.th.,
siç më spjegoi pa siklet, një shitës droge. Natyrisht, tani duke e çuar, duhej
të paguaja edhe drogën. Shprehej në një italishte të pastër, madje me ndonjë
fjalë ose modulim romanesk, që tingëllonte e çuditëshme në buzët e tij.
E pranoj, nuk e prisja një propozim të ngjashëm: moraliste siç isha,
më dukej se disa gjëra duheshin thënë duke i ardhur rrotull dhe me nënkuptim.
Ai atëhere e ka përkthyer heshtjen dhe habinë time si fillimin e një refuzimi,
dhe me një zgjidhje të dëshpëruar e të çuditëshme më propozoi një shkëmbim: në
se do ta shoqëroja dhe do ti paguaja drogën atij, më pas do të ishte gati të më
çdebitonte me një çmim, ta quajmë sentimental. Për të gjithë këtë në fillim
mendova: “Pra, iu duka një beqare e uritur për dashuri që më propozoi diçka të
tillë të ngjashme?”, por pastaj e kuptova që ishte vetëm padurimi frenetik, spazmatik
prej toksikomani. Atëhere, kushedi si,
shpërtheu brënda meje një vendim i egër. Në mënyrë brutale i thashë se
do ta bëja atë që dëshironte, por pas dashurisë, jo më përpara. Duhet të kem
folur me një padurim akoma më të prerë dhe të dëshpëruar se i tij, sepse më pa
vetëm një çast, i habitur, dhe pastaj, si e kuptoi se nuk do ta lija, pohoi me
kokë. Zbritëm me shpejtësi nga makina, e mora nga krahu, gati nga frika se më
ikte dhe hymë në pallat.
Do ta besonit? Në laborator, kur pasi jemi xhveshur, ju afrova atij
që më priste i ulur mbi divan, duke pirë duhan i zhytur në mendime, dhe e
paralajmërova: “Shiko, se jam e virgjër”. Ai, në një mënyrë fëminore e të
këndëshme më bëri një inskenim. Më duket sikur dëgjoj akoma zërin e tij, që,
zemërthyer dhe i dërmuar, protestonte me theksin e tij qesharak anglo-romanesk.
Po si? Isha e virgjër? Dhe ja thoshja kështu?
Dhe nuk turpërohesha? Dhe përse kisha pritur kaq gjatë? Dhe nuk mendoja se për të
do të ishte një mundim i dyfishtë? Dhe, me pak fjalë, pse nuk ja thashë që në
makinë, atëhere, nuk do të kishte hypur, do të kishte kërkuar dikë tjetër, etj.
etj.
Nuk ju përgjigja fare. Isha shumë e prekur në sedër dhe në të
njëjtën kohë, e sigurt tashmë për gjahun tim, sepse ndjeja në zërin e tij më
shumë nënshtrim të zemëruar se sa revoltë. Dhe në fakt, pas pas pak, me vrull
të sforcuar dhe të shkathët, u hodh sipër meje dhe gjithshka ndodhi shumë më
lehtë, më shpejt edhe më me dhëmshuri nga sa e kisha imagjinuar. Pastaj erdhi
surpriza e madhe, e vërteta, e
mrekullueshmja e asaj nate të paharrueshme: në vend të kujtoja premtimin tim
për ta çuar të takonte “lidhjen”, ja ai fle midis krahëve të mia. Qëndruam
kështu disa orë, unë në shpinë dhe ai i përqafuar me mua me kokën mbi gjirin
tim. Pastaj jam çliruar pak nga pak dhe shkova të marr një kuvertë me të cilën
e mbulova e u shtriva përsëri bri tij. Nisa të reflektoj dhe më në fund e
kuptova: Providenca, Zoti, më dërgonte
një burrë që dukej në masën time për moralizmin tim: unë do të duhej ta shpëtoja nga droga me dashurinë time të
madhe. Kisha gjetur, me pak fjalë, dikë që t’i kushtohesha dhe, duke e
shpëtuar, do të shpëtoja edhe vetveten.
Nuk po zbuloj të veçantat e dashurisë sonë. Dashuritë janë të gjitha
të barabarta dhe kush më lexon mund të imagjinojë tonën duke menduar për një
nga të tij. Gjithashtu, mbi dashurinë nuk ka asgjë për të thënë, është një gjë
e papërshkrueshme, kur flitet për dashurinë, në realitet flitet për rrethanat
anësore që e shoqërojnë. Në rastin tim rrethana quhej drogë. Që do të thotë se
probabiliteti ishte se e doja, mbi të gjitha, sepse doja ta shpëtoja, dhe nuk
doja ta shpëtoja sepse e doja. Lypset të thuhet se fitorja ime mbi drogën ishte
e shpejtë dhe totale. Gjithë aftësia ime dërrmuese, si një ushtri që sulmon
armikun në pikën më të dobët në formacionin e vet, u vërsul kundër vesit fatal
të këtij djaloshi, përzëmërsisht i urtë dhe dhelpërisht rebel. E arrita fitoren
edhe falë një lloj shkathtësie, duke shoqëruar Robertin në profesionin tim të
arredueses, duke zëvendësuar drogën me punën. Nuk ishte i mefshët, kishte
shije, ishte vetëm përtac, i privuar nga respekti për veten. E emërova
sekretarin tim, me një rrogë dhe detyra të sakta. Si gjithmonë, i bindur me një vullnet të dukshëm në kushtet
e tij të reja. Edhe pse isha e vëmendëshme të mos e tregoja, isha e marrë nga
gëzimi: më në fund dashuroja dhe isha e dashuruar. Dhe isha e dashuruar nga njëri prej burrave më të bukur që mund të
kishte në botë. Pastaj, përnjëherësh, ja dhe katastrofa. Një ditë nuk u paraqit
në laborator. Në vend të tij gjeta një pusullë, madje fyese, në të cilën më
thoshte se jam tepër borgjeze, që e sëmurën divanet dhe poltronet e mia, që
edhe pse nuk jam më virgjëreshë, kam ngelë në mentalitet e tillë. Kështu më
braktisi, duke më falënderuar për gjithshka dhe më lutej të mos e kërkoja.
Ngela e tmerruar, e humbur. Pra dështova në momentin që ushqeva
iluzionin se ja kisha arritur asaj që kërkoja. Pra kisha besuar se isha e
dobishme; dhe përkundrazi nuk munda të isha veçse e dëmëshme. Pra, edhe në
dashuri unë tentoja në mënyrë të parezistueshme të mohoja, të ndaloja, të
krijoja tabu. Djaloshit, në fakt, qoftë pra nga dashuria, unë i kisha krijuar tabunë
e drogës. Por tani, logjikisht, edhe në se për logjikën e çmendur të pasionit,
unë duhej të ndryshoja drejtimin e vitalitetit tim. Deri tani kisha frenuar,
tani duhej të lejoja, të liroja, të nxitja.
Hypa në papafingo, tek nëna ime. E kisha takuar tek ajo. Me siguri, do
ta dinte ku kishte shkuar. Nëna ime po pikturonte një nga kuadrot e saj të
tmerrëshme. La pikturën dhe erdhi të më takonte; dhe unë, për një çast, duke
parë nga kjo grua e vogël me kominozhe prej kanavace të flliqur nga ngjyrat, me
faqet prej molle të kuqe dhe të fishkur, paksa mongoloide, pata ndjeshmërinë e
saktë se gjendesha përballë një rivaleje fitimtare dhe të pamëshirëshme. Në
çmendurinë time, gati mendova se ndoshta ishte ajo që e largoi prej meje
djaloshin. Por nëna ime ma hoqi dyshimin. Djaloshi kishte shkuar të
jetonte në një vilë në fushë me një grua
të pasur dhe të pjekur. Ndoshta i ishte kthyer drogës? Kurrë më, mu përgjigj
nëna ime me pa të keq, fare drogë, ishte një dashuri e madhe, dashuria e parë e
madhe e jetës së tij, pa drogë, as e premtuar, as e ndaluar. Pikërisht këtë dashuri,
nuk munda dot të mendoj për atë që ai kishte nevojë dhe me sa duket, unë nuk
isha në gjendje t’ja jepja.
Pasioni më këshilloi një vendim ekstrem dhe në kufijtë e krimit.
Njihja një mjek që kishte qenë i dashuruar me mua dhe është ende edhe sot. Shkova
tek ai, i tregova historinë time, i thashë se ai duhej të më siguronte një shiringë
dhe një sasi heroine. Ai më pa me një shprehje njëherësh të dëshpëruar dhe të
furishme dhe u tremba për një çast se do të më flakte me forcë jashtë studios
së tij, Por përnjëherësh u qetësua dhe me një cinizëm edhe më të madh se timin,
më tha se do të më jepte gjithshka që doja, në se për një herë të vetme, bëja
dashuri me të. Nuk i thashë as po, ose më mirë ja thashë duke u shtrirë drejt e
mbi krevatthin me mushama të bardhë, si për një operacion të rëndësishëm edhe
pse të pakëndëshëm. Ditën tjetër mora një paketë ku kishte brënda shiringën dhe
shishkat e drogës. E vendosa çdo gjë në çantën time dhe u nisa me makinë në
drejtim të Sakrofanos, ku gjendej vila
në të cilën djaloshi jetonte sëbashku me rivalen time.
Në mesditë mbërrita. Pikërisht në çastin kur po hyja në rrugën që të
çonte tek vila,
ja ku u shfaq një makinë, me djaloshin në timon. U zhduk prapa një kthese të
rrugës; bëra marshën mbrapa dhe e ndoqa. E kapa lehtë sepse e ngiste ngadalë,
si dikush që dëshiron të marrë dikë në ecje e sipër. Kur i jam afruar, i bie
borisë dhe ai shpejt shkoi të ndalonte pranë një hendeku. Ndala makinën time
përbri me të tijën, dhe pa e përshëndetur, pa i thënë asgjë, por duke e shikuar
ngultas në sy, i tregova shiringën. E pashë të zbehet dhe të turbullohet, buza
e poshtme filloi t’i dridhej. Pastaj bëri një gjest se ishte dakord dhe u hodh
nga makina. Zbrita edhe unë. Por ai vazhdoi nëpër një shteg gardhi dhe pastaj i
ra përmes një lëndine me barin e harlisur të majit, që arrinte deri në gju.
Shihej se oferta ime e heshtur kishte zgjuar dashurinë e tij, ose të
paktën mizorinë e tij, ose ndoshta, po shihte rrëzimin përfundimtar të
moralizmit tim. Sigurisht bëmë dashuri me furi të pazakontë, të zhytur në barin
e dëndur e të thellë. Pastaj qëndrova në shpinë, me sytë e kthyer nga qielli i
kaltër e i ndritshëm, në të cilin në këtë çast, fluturonin dy zogj, duke
ndjekur njeri tjetrin dhe duke ushtruar një zallamahi fluturimesh të gëzuara.
Tani ai qëndronte i ulur përbri dhe, në se doja, mund të shikoja
krahun e tij të zhveshur me dorën që prekte venën para se të futej ageja e
shiringës. Mbylla sytë dhe pastaj, pas një momenti shumë të gjatë, duke e
ndjerë të rrëshqasë tashmë përbri meje, i rihapa dhe e pashë. Qëndronte i
shtrirë me qepallat e ulura, shumë i zbehtë, i palëvizshëm, i zhytur me flokët
bionde në lëmshin e gjelbër të barit. Mendova me mendjelehtësi se droga e
mbushte me qetësi, si vdekja. Pastaj, duke parë se nuk lëvizte, i thirra, e
shkunda dhe atëhere e kuptova se kishte vdekur.
No comments:
Post a Comment