Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Wednesday, 2 October 2013

ΜONOLOGU IM ME SHKAS DIALOGËT E AGIM MATOS


image KIÇO PAPA






Duhet të kem qenë gjimnazist në vitin e tretë a të katërt kur e takova për herë të parë. Kisha lexuar në bibliotekën e fshatit tim dy librat e tij që, me sa duket, falë neglizhencës të përgjegjësit të vatrës së kulturës nuk ishin hequr nga raftet. Se duheshin hequr, këtë e mora vesh më vonë. Ashtu siç mora vesh më vonë që, ndërsa unë dija se punonte ne redaksinë e gazetës lokale, e kishin larguar prej andej dhe punonte si disenjator në një ndërmarrje.

Nuk mbaj mend nëse kjo, njohja e parë, kishte "kumbare" apo ishte pjesë komike e entusiazmit tim aventuresk për të njohur një poet dhe për t’i paraqitur shkaravinat e mia poetike të moshës me bindjen qesharake se do t’i pagëzonte poezi dhe mua, poet. Deri atëhere Saranda e kishte të vetmin poet me dy libra. Kishte një libër Niko Kacalidha, të cilin e kisha mësues letërsie dhe me mirënjohje kujtoj përkrahjen e tij dhe nxitjen për të shkruar. Por, mbasi ika nga shkolla ku jipte mësim Nikoja, dhe për një kohë u shkëputëm, une duhet të gjeja një tjetër tempull që  të rrëfehesha. Dhe rast më ideal se poeti i dy librave, nuk kisha.

    Nuk mbaj mend se sa prita ardhjen e tij nën një diell përvëlues qershori a korriku, por më në fund erdhi. Mbante në duar një dosier të vogël brenda të cilit kishte dorëshkrime dhe ndonjë libërth poezish. Me këtë dosier në duar do ta shihja vazhdimisht këndej e tutje.

Pyetjes time në se dinte ku e kishte shtëpinë Agim Mato ju përgjigj me një qetësi çmobilizuese: besoj se po, dhe, me po atë qetësi, duke hapur derën e barakës më ftoi që të hyja.

S'kisha bujtur deri atëhere në mjedise poetësh e aq më pak në mjedise personale siç mund të jetë shtëpia e poetit.

Më vonë dhe, veçanërisht pas viteve '90, harmonia e Universit me Rastësinë më dhanë mundësinë që të vizitoja jo pak rezidenca shkrimtarësh dhe politikanësh të vendit e të huaj. Kam përshtypjen se mekanizmi i kujtesës, herë herë, u anashkalon ligjeve universale të funksionimit të vet, del jashtë standarteve dhe kjo nuk është e njëjtë për të gjitha rastet e për të gjithë njerëzit. Kush e di se nga ç'impulse ndikohen ingranazhet e këtij mekanizmi gjatë procesit të përpunimit, seleksionimit, regjistrimit e ruajtjes së detajeve nga skena e përditshmërisë në jetën e secilit, duke dhënë parësi jo sipas nomenklaturës por sipas emocioneve momentale

Kështu, tek unë, ndërsa ruajti të plot mirënjohjen për mikpritjen nga këto takimet e mëvonshme, pasazhe nga bisedat lloj lloj te shoqëruara me nje gotë konjak apo whisky, në klasifikimin përfundimtar, pa u ndikuar nga luksi e komforti (gjithsesi të merituar), i spostoi këto në rradhët e pasme, duke nxjerrë përpara konturet e një barake gri prej pupuliti
dhe dërrasash të vjetra. Një barakë diskrete, surealiste në absurditetin e vet, reflektim i mendësisë diskrete dhe absurde që zotëronte kohën dhe jetën.

    Hyra dhe, o Zot, kundërshtia në gjithë madhështinë e saj për nga raporti jashtë-brenda. Çdo gjë e sistemuar, e pastër dhe përpikmërisht në vendin e vet. Dhe, libra, shumë
libra, gjithfarelloj librash, një arsernal që m’u duk si miniaturë e bibliotekës së Aleksandrisë së vjetër. Fletë të daktilografuara në një makinë të vogël e të vjetër shkrimi, OLIVETTI, me duket. Fletë formati të prera më dysh për stil a për kursim, nuk e di. Poezite e Agimit, poemat e tij të shqetësura, të dënuara atje, së bashku me Uitmanin e Ricosin e me poetë të tjerë, citonin dhe recitonin njeri tjetrin. Perkthime nga italishtja, gjithmonë në gjysëm formati. Më vonë m’u ngjit dhe mua virusi i gjysëm formatit, akoma dhe sot nuk mundem të përqëndrohem në një fletë të plotë. Atje lexova për herë të parë Romiosinin e Ricosit të përkthyer mjeshterisht prej Agimit, “Grecità” në italisht. Kur, më vonë e lexova në origjinal nuk m’u shtua ndonjë mbresë e re, qe sikur e rilexoja,
 ndaj them përkthim mjeshteror, perfekt. Po kështu Marshi i Oqeanit e shumë të tjera.

Më zihej fryma nga një ndjenjë e paprovuar mrekulluese, lumturuese, ngashëruese. Aq shumë poetë atje brenda, si rezistonte ky njeri, si mund të komunikonte me të tërë njëherësh, ç'dimensione kishte shpirti i tij që duronte një presion të tillë, nje bombardim yjor nga galaktikat e poetëve.
     Për shumë kohë dilja nga shtëpia e tij i trullosur si nga një ndeshje boksi, ku isha pjesë e duelit dhe kisha marrë shumë goditje. Hapat e para i hidhja si somnambul, vetëm trupi lëvizte në rrugë, shpirtin e kisha lënë atje me poetët e panjohur dhe me një poet të afërt, të prekshëm që do të bëhej miku im.

  Një ditë, tek më lexonte duke përkthyer direkt poezi të D'Anunzios dhe të Leopardit, befas heshti, më hodhi një shikim prej babaxhani dhe më tha që këta janë të ndaluar, pa më thënë që dhe ai vet ishte i ndaluar. U tremba, jo për vete po për atë dhe nxitova t’i them që dhe unë...biografia ime... nuk di çfarë dokrrash artikulova për ta mbrojtur ose për ta paralaj-mëruar se ndoshta shoqërimi me mua, ardhja ime në shtëpinë e tij  i krijonte probleme. Eja, dalim nje xhiro, më tha. Nuk besoj se mund të gjendej një kodifikm më i përkorë për të më çliruar nga ajo peshë e rëndë që më torturonte se sa ato katër fjalë.

Me Agimin asnjëherë nuk kemi folur për politikë, në kuptimin e agjitacion-propagandës. Kemi folur ama për poezinë, për përmasat e saj,  për poetët e ndaluar, për letërsinë e "verdhë", aq sa shpesh kam menduar që kjo ja kalon shumë agjitacion-propagandës. Por tani e njihnim mire njeri tjetrin.

Me kalimin e kohes krijova nje varesi të plotë nga Agimi. Një lloj si duhani që deri vonë më sundonte. Qe e paimagjinueshme që të gjendesha ne Sarande dhe të mos
hidhesha me vrap te puna e tij, qoftë dhe për të pirë një kafe në këmbë në një lokal puntorësh aty afër. Kështu, ditë pas dite e vit pas viti, Agimi, nga tutori im, u bë miku im.

Ka qenë redaktori i parë i librit tim para botimit. Ai e daktilografoi, ai më nxiti që t’ja shpija Shtëpisë Botuese, duke më çliruar nga ai lloj inferioriteti që më sundonte. Më parë, pa më pyetur, kishte marrë një poemë timen dhe e kish çuar te gazeta “Drita”. Ma tha këtë mbasi qe kthyer nga Tirana. Një javë më pas, kur poema u botua dhe u prit mirë, më bindi më në fund që ishte rasti, se nuk dihej ç'mund të ndodhte më vonë që ta çoja librin për botim.

   Dyzet vjet tani qe une strehohem në miqësinë e tij. Një miqësi lineare, solide. Edhe sot unë emocionohem njëlloj si para dyzet vjetësh kur e takoj

     Agimi shkruan poezi. Jam munduar shpesh qe te gjej nje tjeter poet që i ngjan Agimit apo Agimi atij. Nuk ja kam arritur. E vetmja gjë që më sillet vërdallë në kokë është një paralelizëm që as vet nuk e di se si dhe se kur nisi të më bëhet bindje, por që kursesi nuk pretendoj që të adaptohet apriori nga miqtë e mi. Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe poezia e Agim Matos. Një pjesë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, ose pjesa  që u drejtohet të gjithëve, që u intereson të gjithëve, është e kuptueshme dhe e pranueshme dhe nga malësori më i thjeshtë. Por madhështia e tij, nëse mund ta quajmë madhështi dhe të mos deshifrojmë pjesë të veçanta vetëm, qëndron në interpretimin juridik të kohës dhe tejkohës së vet. Me imtësitë, atje gjendet dhe madhështia sipas meje, mund të merren juristët, interpretuesit kompetentë se kanuni në vetvete përfshin tëresinë e ligjshmërisë dhe jo vetem gjakësine. Doja të thosha që dhe poezia e Agimit është e thjeshtë dhe e pranueshme nga të gjithë, por lum ata që mund të çkodifikojnë ato mesazhe që mishërojnë një kohë të ardhme, tejkohën, përherësinë. Dashuria e Agimit për gjuhën është e tillë që do të duheshin faqe të tëra dhe veçanërisht studiues mirëdashës për ta interpretuar.

Së fundi, do të doja të perifrazoja vargun e nje poeti qe nuk ja mbaj mend emrin. Kam nëpër dhëmbë bukën e miqve të mi, thotë. Aq shumë më tundoi ky varg. Esenca, materja, metafora sublime për miqësinë. Unë po kështu, besoj, dhe ju.


No comments:

Post a Comment