Nga Fatmir Terziu
Kanë kaluar thuajse njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet nga koha kur një
telegram i “Reuters” botuar në gazetën britanike “Edinburgh Evening News”,
që botohej në Midlothian të Skocisë, do të shtynte kurreshtjen e një grupi
studiuesish britanikë. Ndërsa lajmi kishte të bënte me diçka tjetër një guackë
e konsiderueshme e marrë në rrugëtim e sipër nga deti Jon do të shtonte
kurreshtje dhe vëmendje. Telegrami në faqet e brendshme të kësaj gazete të së premtes
19 mars 1897, do të citonte arsyen se përse një anije britanike me avull nuk u
lejua si fillim ti afrohej Gumenicës. Arsyeja ishte e thjeshtë se anija kishte
në bordin e saj disa kuaj, dhe kuajt ishin blerë pa pëlqimin e autoriteteve.
Kuajt më pas do të bënin historinë e
tyre në sportin e garimit në Jorkshire, ndërsa në kthim e sipër guacka e marrë
në Detin Jon do të sillte vëmendje...
-1-
Kur anija me avull, ngarkesa e së cilës ishte me kuaj të blerë në Vlorë nga
një grup biznesmenësh të sportit me kuaj gare, nuk u lejua të ndalonte në
afërsi të Gumenicës, ajo u detyrua të ndalonte në Sarandë, në kushte të
vështira. Gjithësesi, jashtë egërsisë zyrtare të kohës, sarandiotët e treguan
mikpritjen e tyre dhe i mbajtën edhe të mbrojtur madje tregëtarët e kuajve të
sportit. Ditëve të qëndrimit ata morën me vete edhe një guackë deti. Një guackë
që siç deklaruan ata ishte e ‘magjishme’; u shpëtoi jetën, i mbajti me zërra të
bukur rrugëtimit dhe me muzikalitet joni. Ky muzikalitet sillte në skenë fjalën
e bukur, timbrin, dhe më saktë ison e bukur që rrëshkiste memorjes dhe fletëve
të një grupi kërkuesish për isopolifoninë.
Ndërsa kuajt shqiptarë të garave ndiqnin Sarandën dhe në ‘heshtjen e tyre
premtonin’ të ngrinin lart emrin e vendit që i solli në jetë, duke garuar e
fituar, faktet tregonin se shqiptarët në fakt me kuajt e tyre që në vitin 1853
kishin garuar në ngjyrat britanike me agjencinë britanike të Bukureshtit.
Guacka e Jonit mesa dukej ishte e para që do hynte në historinë e medias
britanike, po aq sa edhe fakti që shqiptarët nuk ishin më të egër por ‘tepër
trima dhe mikpritës’, madje edhe rebelë për të shpëtuar jetë njerëzish...
-2-
Për këtë më vonë u sollën në jetë edhe mjaft poezi, siç bëri dhe u frymëzua
më pas në poemën e tij kushtuar Skënderbeut, Longfellou. Poeti i shquar
amerikan i shekullit tё 19-tё, Henry Uadsuorth Longfellou (1807 – 1882), botoi
me 1873 vёllimin e tretё tё veprёs sё tij me poezi Rrёfenja tё njё Hani ndanё
Udhёs, ku pёrfshihet edhe kjo poemё pёr heroin tonё kombёtar Gjergj Kastrioti.
Edhe Gladstone që i quajti shqiptarët të çmendur në vitin 1879, pse ishin sipas
tij të çliruar nga Traktati i Berlinit, nuk e çimentoi ndjenjën shqiptare tek
ai se ata dëshironin lirinë më shumë se çdo gjë se sa lirinë e paguar me jetën
e njeriut. Kështu një artikull tjetër i gjatë në faqet e gazetës “Sheffield
Daily Telegraph” të po atij viti do të sillte sërrish faktin e kuajve,
guackës, mikpritjes dhe bukurive shqiptare, po aq sa edhe gjuhës së tyre që
kërkonte respekt dhe vëmendje...
-3-
Por, vitet vërtet kaluan dhe sot udhëtimin e ke ndryshe. Zbret me avionin e
linjës direkte nga kryeqyteti britanik dhe ndalesh në Korfuz, e pastaj mjaft
shpejt gjendesh në Sarandë. Pikërisht në Sarandën që ndryshon mjaft
klimaterikisht, gjeografikisht dhe me arsye të tjera më udhën e gjatë nga
ishulli britanik. Arsyeja është kulturore, po aq e lidhur me aktivitetin
kushtuar krijimtarisë sarandiote organizuar nga Klubi i krijuesve Jonianë nën
përkujdesjen e Bashkisë së qytetit dhe nën drejtimin e z Agim Mato, kryetar i
Klubit dhe një nga emrat më në zë të poezisë shqiptare. Pra kështu niste jeta
kulturore në një stinë jashtë sezonit turistik të verës, duke promovuar një
risi të re atë të turizmit kulturor nën një pjesëmarrje të gjerë në
manifestimin poetik me titullin domethënës "Trirema e poezisë
joniane".
Dhe natyrshëm "Trirema e poezisë joniane" të sjell rastin të
takosh e të shtrëngosh duart me Agim Maton, Andrea Zarballan, Irena Gjonin,
Timo Mërkurin, Dashamir Malon, Konstandin Voglin, Vangjel Zafiratin, Bardhyl
Maliqin e mjaft të tjerë vendas, si artistët Odisea Papa, Lefter Çekon, Niko
Godrolin, Vasil Kaçin, Spiro Shtukën, pesë autorë të mjaft punëve të spikatura
qysh në monizëm, të cilët nuk i ndau nga Saranda as emigrimi i gjatë në Greqi,
për mjaft prej të cilëve ka nisur që më 1991. Por edhe me një listë të madhe
poetësh nga qytetet e tjera shqiptare, nga Anglia, Kosova, Maqedonia, Kroacia,
Bullgaria, Greqia, Italia e vise të tjera si Iliriana Sulkuqi, Agim Vinca, Fatmir
Terziu, Ibrahim Kadriu, Pandeli Koçi, Beatriçe Balliçi, Sabit Rrustemi, Ana
Kove, Sarë Gjergji, Zejnepe Alili Rexhepi, Puntorie Zyba Muço, Miradie Maliqi,
Zimo Krutaj, Aqif Hysa, Riza Braholli, Alma Begaj, Nikolla Spathari, Vladimir
Muça, Agim Bajrami, Xhelal Tosku, Sadik Bejko, Ana Kove, Izet Duraku, Robert
Martiko, Grigor Jovani, Stefan Martiko, Kiço Papa, Liljana Furrxhi, Brikena
Qama, Shahin Hasan Shkoza nga Kroacia, Margarita Mataçi, Vasilis Kaniaris, Niki
Rapti, Jota Partheniou, Natasha Karahristou, nga Greqia, Lalka Pavlova, dhe nga
Bullgaria Albena Dekova dhe Emilia Trifonova etj.
-4-
"Trirema e poezisë joniane" ishte dhe fitoi dimensionin e saj
kulturor në ambientet komode të Hotel “Grand”-it, ku dashamirësia e pronarit të
tij, Kastriotit, edhe pse me një distancë gjeografike të lindjes, me një
kulturë mirditore, u dha dhe u dhuroi të pranishmëve të "Trirema e poezisë
joniane" një arsye më shumë për të festuar poetikisht. Natyrshëm brenda
sallave të saj komode, si ushqimi letrar ashtu edhe ai shpirtëror forcuan bindjen
se "Trirema e poezisë joniane" ishte muri kryesor kulturor që formon
kështjellën autentike të poezisë dhe jonit poetik në këtë pikënisje të
bukurndërtuar.
Nata e parë solli përpara të pranishmëve interpretimin e poezive të
vendasve në një tens ritmik dhe profesional të dy aktorëve të qytetit, Vangjel
Agora e Valentina Boçi. Pos duartrokitjeve dhe tingujt në sfond që shoqëruan
ditën poetike i dhanë larmi festës së poezisë. Dita tjetër ishte një vizitë në
Butrint ku autobuzi ndjeu veç rrezeve të diellit të Tetorit sarandiot edhe
pastimën e shirtit poetik të pjesëmarrsve. Pastaj me radhë vizita tek varri i
Bilal Xhaferrit dhe homazhi pranë tij deri tek promovimi i librit të Timo
Mërkurit. Axhenda e manifestimit u pasurua kështu në veçanti me promovimin e
librit të autorit sarandiot Timo Mërkuri titulluar "Kur flasim për artin
jonian", për të cilin folën disa studiues dhe dashamirës. Manifestimi
poetik vijoi pra ditën e shtunë me homazhe në varrin e shkrimtarit disident
Bilal Xhaferri, buzë shetitores së Sarandës, me vizita në Galerinë "Arta
Saranda" e në muzeun e Traditës në këtë qytet.
"Trirema e poezisë joniane" vazhdoi festën e saj poetike për dy
ditë me radhë. Ajo dëgjoi interpretimet poetike nga vetë pjesëmarrësit në
finalen e saj. Interpretimet e poezive të poetëve, vendas e të huaj duke sjell
krijimet e tyre më të mira, i dhanë jetë aktivitetit. Të gjithë të ardhur me
zellin e poezisë dhe me dashurinë ndaj saj, si Mbretëreshë e Fjalës dhuruan dhe
fituan emocione dhe ovacione. Në fund pjesëmarrsve të shumtë iu dha simbolika
"Trirema e poezisë joniane" e ideuar dhe konceptuar nga kryetari Mato
dhe disa certifikata të firmosura prej tij.
-5-
Kështu në mjediset e “Grand Hotel” në Sarandë, edicioni VII i manifestit
poetik, "Trirrema e poezisë joniane" i dha jetë një evenimenti të
rrëndësishëm në mbarëvajtjen dhe integrimin kulturor e poetik, po aq edhe
kulturoro-turistik të Sarandës, që kryetari i Bashkisë Stefan Çipa ka
dëshiruar. Edhe pse vetë z Çipa për arsye angazhimi zyrtar nuk ndodhej, në emër
të tij fjala përshëndetëse u soll nga zëvendësi i tij zyrtar në Bashki, Jorgo
Mitro.
Kryetari i Klubit të Krijuesve jonianë në Sarandë, poeti Agim Mato, tha se
ky është një organizim tradicional që organizohet prej shtatë vjetësh në këtë
qytet tipik buzë Jonit. Sipas tij, emërtimi i këtij manifestimi është një qasje
ndaj poezisë antike që është lëvruar, ka qarkulluar dhe është deklamuar midis
këtyre brigjeve.
Pjesëmarrës në edicionin e sivjetëm të kësaj sofre poetike, siç e thamë
ishin autorë të afirmuar nga disa shtete të rajonit, si: Shqipëria, Greqia,
Italia, Maqedonia, Kroacia, Bosnja e Kosova. Të pranishmit ndoqën në ekran
videoguidën e vitit 2013 "Romanca joniane", me autor Virgjil Kulen,
që prezanton Sarandën dhe rrethinat e saj si destinacion dhe atraksion turistik
mjaft të kërkuar. Në prani të dhjetëra emrave të njohur të fushës së poezisë
nga rajoni, aktorët e estradës profesioniste Vangjel Agora e Valentina Boçi,
interpretuan poezi të autorëve sarandiotë, si një metaforë e qëlluar kësaj here
për të treguar se evenimenti edhe pse bëhej në diell tetori dhe pak grimë
anakronike të mjedisit, ishte dhe mbetet një model për të gjithë, edhe kur në
mendje bluan ndryshe. Arti i organizmit i takoi më së shumti Agim Matos, dhe
kështu mes tij të gjithëve, gjithë Sarandës së bukur dhe mikpritëse.