Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday, 7 August 2014

Polifoni apo iso-polifoni



Polifoni apo iso-polifoni
Timo Merkuri
Ndërsa po hulumtoja materiale të ndryshme për krijimtarinë popullore në tërësi dhe për  iso-polifoninë në veçanti , më ra në sy dhe më befasoi fakti që pothuaj të gjithë studiuesit  tanë dhe të huaj  përdorin termin’’ polifonia labe’’ sa herë që donin të  flisnin për këngën popullore shumëzërëshe.
          Kjo habi u theksua edhe më tëpër kur konstatova se, duke folur  për polifoninë si krijim popullor, ndërsa e ngrinin në qiell ( me të drejtë) këtë krijimtari, theksin e vinin më shumë te teksti i këngëve dhe bënin sikur haronin atë që është më themelore dhe më karakteristike te këto këngë, atë që e mba  dhe e rit këngën, vete qiellin ku fluturon kënga, iso-n.Edhe kur ndonjëri  merej me të ose e përmëndte, e bënte këtë sikur fliste për një gjë të rastësishme në këngë, për të mos thënë si një besdi e detyrueshme për tu përmëndur.
Që  te emërtimi ‘’Polifoni labe’’ shprehim rezervat tona, le më pastaj shmangia s’di se pse e emërtimit ‘’iso’’ që është pikërisht themelorja në këto këngë.
Por le t’i shohim këto më konkretisht. Pse shprehim rezerva për emërtimin ‘’Polifoni labe’’.
E  para duhet të sqarojmë se çdo të thotë fjala ‘’Polifoni’’?
   1-      Fjala polifoni vjen nga greqishtja Poli-shumë dhe foni-zëra. Pra shumëzëra. Këtu duhet të sqarojmë se më shume se me numërin e këngëtarëve, shumzërësh do të thotë shumë zëra muzikorë, pra mbi një zë muzikor. Problemi është i thjeshtë te këngët popullore sepse evidentohen të dy elementet e duhur si numëri i këngëtarëve që është gjithmon mbi dy e më tepër, po ashtu edhe numëri i zërave muzikorë, psh marrësi, hedhësi, kthyesi, mbajtësit e isos etj të cilët janë zëra më vete.                 
            Mirëpo me shumë zëra, si në kuptimin e numërit të këngëtarëve ashtu dhe në kuptimin e zërave muzikorë, nuk këndohen vetëm këngët labe, ose vetëm këngët që  i quajmë ‘’Polifonike labe’’. Me shumë zëra këndohen edhe Marshet(kujto Marshet e Brigatave, Divizioneve partizane). Me shumë zëra këndohen edhe  Hymnet kombëtare të shumicës së shteteve të botës, të cilat domosdo këndohen me kore e grupe të mëdha dhe rallë ndonjë hymn që fillon(ama vetëm fillon) me solon e ndonjë tenori, për tu shoqëruar më pas me kore apo grupe këngëtarësh, me zërin e parë  dhe me zërin e dytë..Nuk është nevoja të citoj këngë festive apo këngë patriotike të cilat gjithashtu këndohen me grupe e korre te fuqishme këngëtarësh duke përdorur zërin e parë dhe zërin e dytë
              Argumenti se qoftë hymnet, qoftë edhe këngët e tjera te cituara me sipër mund të këndohen edhe vetëm nuk qëndron për dy arsye;
               E para ato s’janë  krijuar për t’u kënduar vetëm nga një person, pasi janë këngë që kërkojnë tonalitet të lartë, gjë që është e parealizueshme nga një person i vetëm. Plus faktin që të kënduara vetëm nuk e realizojnë dot misionin frymëzues dhe hymnizues për të cilën edhe janë krijuar. Ato kanë nevojë  për kolektivitet.
                 E dyta është fakti që edhe këngët iso-polifonike mund të këndohen vetëm, mund të logaten, por gjithsesi duke imituar  praninë e një grupi. Edhe këto hymne e marshe kur këndohen vetëm, gjithsesi imitohet prania e një kolektiviteti,e një grupi ose korri, imitohet zërei i parë  dhe zëri i dytë. Provojeni të këndoni në  vetmi  këngën, psh ‘’Për Mëmëdhënë’’’’Ato maja rripa rripa’’, Hymnin Kombëtar ose Marshet e Brigatave etj etj. Gjithsesi do përpiqeni ta trashni zërin, për të larguar vetminë e një zëri të vetëm, të zërit tuaj. Ndërsa misioni i tyre frymëzues do lejë shumë për të dëshiruar.
      2-       Dikush do të thotë që, qoftë disa marshe, qoftë disa hymne etj të këtij karakteri  , në shumicën e rasteve këndohen me dy zëra dhe jo me shumë zëra. Dakort jemi por gramatika e gjuhës shqipe ka numërorin njëjës dhe  shumës dhe jo dyjës, trejës etj etj.
         3-     Është i vërtetë fakti se  këngët të quajtura polifonike, ndonëse janë vërtet shumëzërëshe, secili zë ka karakteristikat e tij. P.sh roli i marësit është i dallueshëm nga roli i  pritësit dhe hedhësit dhe ca më i ndryshëm është dhe roli i mbajtësve të isos. Analiza dhe studimi i tyre nuk është objekti ynë, por ne i evidentojmë  për efekte krahasuese këto zëra dhe funksionet e tyre. Por ama edhe te koret që këndojnë hymne, marshe dhe këngë të tjera kemi disa zëra të dallueshëm, në disa raste edhe me ritëm e tonalitet të ndryshueshëm, dhe kjo s’përbën karakteristikën e këtyre këngëve.
                  Pra shumëzërëshi , pra të kënduarit nga shumë persona apo nga shumë zëra muzikorë, ’’poli-fonia’’nuk qënka karakteristike themelore e këtyre këngëve që quhen polifonike.
           4-     Karakteristika e tyre është pikërisht ajo që nuk e kanë këngët e tjera si Hymnet, Marshet etj etj. Dhe pikërisht iso-ja. Është më i plotë emërtimi ‘’Këngë me iso’’ose ‘’Këngë iso-polifonike’’ sesa ‘’këngë polifonike’’.

Po ç’farë është në vetvete kjo iso e famëshme. As më pak e as më shumë por një zë i njëtrajtshëm që zgjatet, herë pa u ndryshuar dhe herë me ndryshim sipas llojit të këngëve që shoqëron zërin kryesor’’marësin’’ të një këngë. Isoja përftohet  nga një zanore e vetme psh ‘’e’’ e cila në konteks mer formën ‘’e e e e e’’ si një zanore e stërzgjatur. Por në disa raste sipas llojit të iso-s, kjo përftohet dhe nga zanorja ‘’o’’ në formën ‘’o o o o’’, ose dhe nga dy zanorë që kanë në mes nja bashkëtingëllore si psh ‘’o h o o o’’, ose dy zanore të njëpasnjëshme si psh ‘’o i’. Përgjithësisht të gjitha zanoret janë funksionale për rolin e isos si psh  zanorja u,ë,o,a,i. Te disa këngë si psh këngët pilurjote të cilat kanë një asambël të tërë mbajtësish të iso-s, me qëllim që  marrësi të ngrihet mbi iso-n siç është  regulli normal i të kënduarit me qëllim që të dallohet teksti, disa mbajtës së iso-s e mbështesin marësin  duke e  mbajtur iso-n  në një mënyrë të përafërt me fjalët e këngës, ose që të shprehemi më qartë, fjalët e këngës i shqiptojnë vetëm me zanore  ose me një grup  të caktuar zanoresh, tinguj të cilët janë më afër iso-s sesa tekstit. Kjo bën që edhe marësi të vijë drejt nesh si një gjëmim, si një lumë i fryrë, gati të shpërtheje çdo pengesë. Kjo ndoshta ishte gjetja me e bukur e Lefter Çipës ku asambli pilurjot i këngës popullore nuk mund të dëgjohet ulur por vetëm në këmbë sikur do të të thotë;-Ose bëhu pjesë e imja , ose mbathja se të shtypa. Isua ndryshe nga disa përcaktime teorike( si psh ne Fjalorin e Gjuhes se Sotme Shqipe fq 730) nuk është një zë që vetëm zgjatet pa ndërprerje, por është një zë që shpesh pëson edhe vibracione, ulje e ngritje, zgjatje e ndërprerje të mënjëherëshme për të rifilluar përsëri me një ritëm dhe tonalitet më të fuqishëm ose dhe më të ulët sipas këngës. Iso-ja në vetvete është si shtrati ku shkon lumi, herë  i ngushtë e herë i gjërë, herë i pjerët e herë i sheshtë.   Iso-ja është e pranishme vetëm te këto lloj këngësh dhe nuk tjetërsohet kurrsesi. As nuk mund të hiqet.
      5-   Nuk imagjinohet  një këngë   pa iso por shumë mirë mund të konceptojmë  dhe të hasim një iso pa këngë..Më sipër e kam quajtur iso-n si qielli që mban këngën si një shpend (shqiponjë apo harabel qoftë). A mund të imagjinojë ndokush një shqiponjë që fluturon në një boshllëk, në një vakum. As në fantazitë më absurde s’mund të ndodhë kjo.
             Por ama kushdo jo vetëm mund të mendojë por edhe të shohë një qiell pa zogj, një ditë apo një natë vere apo dimri. Iso mund të kemi edhe pa një tekst kënge. Kujto logatjen. Jo vetëm kaq por disa këngë të teknikave të herëshme fillojnë pikërisht me iso ose së paku me një imitim të iso-s. Le të  kujtojmë këtu logatjen e famëshme;
                          Qyqe,qyqe,mavro qyqe/Ku e ke moj tët vëlla                                                                                         
                          Që ta therën porsi ka/Porsi ka e porsi lopë/                                                                                                 
                          Ja hodhën gjakun në gropë.
                 Pikërisht  këtu logatja nuk fillon me tekstin  e cituar por me një imitim isoje
ose më saktë një  rënkim me ndërprerje që instiktivisht të kujton rënkimet  e  një vaji. Edhe vajtoret para se të nisin vajtimin  me ligje, me një tekst të caktuar apo të improvizionuar  vaji në një mort, e fillojnë atë me rënkime duke e ngritur gradualisht tonalitetin . Pasi është bërë ky ritual, në momentin e duhur, duke zvëndësuar ndonjë vajtore të mëparëshme apo duke ‘’ndihmuar’’ ndonjë tjetër, ndërhyjnë  me tekstin e tyre në vajtim. Është një regull  i pashkruar por gjithsesi i pa shkelshëm nga askush.
                Por vazhdojmë me ison.  Kemi raste që në tekstin e këngës futen fjalë pa kuptim të mirëfilltë, por që çuditërisht i shërbejnë ritmit dhe ritmikës së iso-s.Psh;
                               Te ur’ e Kardhiqit-o  Trume trume
                               Zunë Ali beun-o  Trume trume
                               Na fal bej s’kemi muzikë Trume trume
                               Bilbili ja kthen me grikë Trume trume
                  Pikërisht fjala pa kuptim ‘’ trume ‘’ e përsëritur dy herë është në shërbim dhe në funksion të forcimit te isos aqë sa  i jipet kësaj më shumë rëndësi se sa vetë tekstit të këngës.
                 Në disa raste iso-ja fillon pas vargut të parë dhe në përsëritje e rimer me vete edhe vargun si psh;
                                    Xhamadani tirqe tirqe/o veqil more
                                   Te arra përtej ne ilqe/ o veqil more
                                   Bëje fjal’për gjëra hiçe/ o veqil more
                                   Për rrush e për  kokra fiqe/ o veqil more
                                   Keshe gjezdisë dynjanë/ o veqil more
                                   Nga mulliri gjer më arrë/ o veqil more.  
                  Pikërisht te kjo këngë iso-ja fillon me togfjalëshin ‘’ o veqil more’’ dhe në kthim mer me vehte edhe vargun cilindo  sipas radhës. Sqarojmë se në këngën polifonike, marësi këndon një varg ose një pjesë vargu dhe më pas grupi i iso-mbajtësve  e ‘’detyron’’ marësin ta rikëndojë përsëri vargun e cituar prej tij(shpesh herë dhe në formë recitativi), por këtë herë nën ‘’diktatin’’ e iso-s. Si me thënë, e detyron vargun te rikthehet por kete here bashke me iso-n gjemimtare, e ‘’detyron shqiponjën e këngës të fluturojë në qiellin me furtunë të iso-s’’.
Shpesh herë isua ka më shumë rëndësi se vetë kënga,se vetë teksti i këngës sado i bukur qoftë ai. Po marim si shëmbull një teks brilant;
                                                Djalërinë kush ma shet
                                                 I jap një mij’ e dyzet
                                                 Vetëmë për një sebep
                                                 Për miken që shkon e s’flet
                                                 O mike në të kam mike
                                                 Kur të vdes të bënesh qyqe
                                                 Të më qash brigje më brigje
                                                 Jo me lot moj po me ligje
                  S’ka nevojë për koment. Është një i shkuar nga mosha që kërkon të ‘’blejë’’ djalërinë, jo për të bërë ndonjë trimëri, por vetëm pse mikja e tij e dikurëshme e sheh si plak e sja kthen fare kokën. Si ka mbetur gjë tjetër veçse ti lutet që ta qajë me ligje brigjeve të vendit, duke vajtuar kështu dashurinë e parealizuar as në pleqëri, pa le më në rini. Kjo këngë këndohet me tone të forta, sikur do që të dëgjohet gjithkund. Por kemi patur rastin ta dëgjojmë edhe me një ndryshim të ‘’vogël’’, shpesh marësi nuk e këndon pjesën e tij si marës, por , si të themi e reciton atë shpejt e shpejt dhe bashkohet edhe vetë me grupin e  mbajtësve të isos.
                  Ky fenomen nuk është i rastit vetëm për këtë këngë. Shpesh herë kur kemi një grup të mirë mbajtësisht të isos, hedhesish  dhe pritësish, roli i marësist  bëhet vetiu sekondar, i dorës së dytë, aqë sa  ai e shpreh vargun në mënyrë recitative e jo duke e kënduar. Kjo ndoshta jo për të gjithë vargjet, por jo dhe për pak vargje. Ama një gjë e tillë nuk ndodh te mbajtësit e isos. Kurfarë recitativi nuk ka në mbajtjen e isos. Përkundrazi, edhe marësi dhe zërat e tjerë bëhën sy e veshë për të mbajtur sa më mirë  e për të  shijuar ison. Vëtëm pasi mbaron isua ngrihen gotat e rakisë e bëhen urimet e rastit etj etj.    
          6-    Ka mendime që e lidhin ison me periudhën bizantine duke gjetur një farë ngjashmërie midis isos edhe zërave të liturgjive kishëtare dhe duke e lidhur origjinën e isos së këngëve tona  pikërisht me këto  liturgji. Po të ishte i pranueshëm ky konkluzion atëherë duhej të  kishim njëfarë zbutje të isos me largimin e këtyre liturgjive  nga jeta e popullit,largim i cili erdhi si pasoje e myslimanizimit  të popullsisë të trevavë burimore të këtyre këngëve gjatë pushtimit  pesëshekullor turk.                                                               Por kjo  jo vetëm që nuk ndodhi, por çuditërisht në këtë periudhë mori një hov më të madh kënga popullore dhe shndrimi i vajtimeve për trimat e rënë në luftë kundër turkut, në këngë.
                  Nga kjo konkludojmë se kurfarë burimi i isos nuk është nga liturgjia bizantine, por përkundrazi duhet të kërkojmë burimin e liturgjive bizantine pikërisht të  koret antike greko-ilire, dhe burimin e këtyre koreve te isua. Dhe këtë të fundit te rënkimet e vajtimeve. Kjo është e vetmja llogjikë që mund ti qëndrojë çdo prove dhe çdo kohe.
           7- Por ka edhe  raste kur iso-ja nuk shoqëron fare këngët, por përkundrazi shoqëron melodinë dhe sidomos ato melodi të ‘’mara ‘’ me fyell. Shpesh herë  kur janë dy vetë dhe njeri është  fyelltar ja mer një melodia ‘’ me të qarë’’ për të shprehur një dhimbje, brengë a dert. Këtë situatë e shpreh m ë së miri edhe kënga;
                                     Shokë bimëni longarë
                                     Do t’i bie duke qarë
                                     Për atë miken e parë  
            Por ne e kemi fjalën për rastet kur nuk krijohet dot grupi apo nuk kemi grup për çfardo lloj arsyeje, por kemi vetëm një fyelltar edhe një shoqërues.
                Në këto raste, sado mjeshtër që të jetë fyelltari, nuk e shpreh dot nëpërmjet  melodisë së fyellit  gjithë dhimbjen  a brengën që do të shprehë. Atëherë në ndihmë i vjen pikërisht isua. Këngëtari tjetër e shoqëron melodinë e fyellit me një zë  grykor, të trashë që përbëhet  nga zanore  me ndonjë bashkëtingëllore aty nga fundi që të jep përshtypjen e një katarakti ku rëzohen lumenjtë e melodive. Edhe në  dukjen e jashtëme dallohet që  ky zë është thjeshtë një iso. Ky zë përbëhet nga  një  O o o o  ho  ose nga Ë ë ë ëhë ë ë . Intonacioni i këtij zëri  ulet e ngrihet sipas melodisë së fyellit, por gjithsesi ngjan si një rënkim i dalë nga shpirti. Pra kemi iso por skemi fare këngë, në kuptimin e tekstit të kënduar, por kemi vetëm një melodi  të trishtuar, të dhimbëshme, të fyellit e cila shumë mirë kryen funksionin e tekstit të këngës që këndohet nga grupi. Pikërisht ky fakt që dëshmon  për një mëlodi kolektive, (dy apo më shumë veta), por pa tekst, pa fjalë, let për lashtësinë e isos. Pra isua ka egzistuar edhe para se të  artikuloheshin artistikisht fjalët në formën e një teksti kënge.
            -Për kë po vajton-mund ti thuash lehtësisht fyelltarit apo shoqëruesit të tij
Në këtë rast dhe  nuk është çudi që të marësh një përgjigje me emrin e një  njëriu, qoftë ky djalë, vajzë, grua apo nënë a babë .
            Pra ky zë nuk është gjë tjetër  veçse një rënkim shpirti, një rënkim vajtimi i shndruar në iso.     
           8-  Sqarojmë se iso-ja  mbahet  pa ndihmën e mjeteve  dhe veglave  muzikore popullore apo moderne .Tentativat dhe përpjekjet për mbajtjen e forcimin e isos me ndihmën e një letre cigari të vendosur në një krehër të vogël xhepi, të cilën e mba pranë gojës dhe i fryn(njësoj si fizarmonikat e vogla të xhepit të fëmijëve), nuk kanë të bëjnë me krijimin popullor, me iso-n, por janë thjeshtë marifete, pavarësisht se shpesh herë ja arin që të japin një imitim iso-je që duket tejet e arirë. Por një vesh i mirë e ndjen se është diçka artificiale dhe larg këngës
                  Po le të kthehemi te këngët,  atëherë pse të mos i quajmë ,ose më mirë ti saktësojmë me emrin ‘’Këngë iso-polifonike’’, ose thjeshtë ‘’këngë me iso’’, pasi iso-ja në vetvete e nënkupton polifoninë, shumëzërëshin, praninë e shumë personave që këndojnë me një zë ose që bashkojnë zërat e tyre muzikorë(marësi, hedhësi, mbajtësit e isos ) në një këngë. Aqë më tepër po të kemi parasysh se edhe termi ‘’polifoni’’ për këto  këngë është relativisht i ri. Është vendosur rreth viteve 40-50.                          
            9-  Ne nuk diskutojmë se a kemi të drejtë ne të ndryshojmë emërtimet e vëna nga Institucionet Shkencore dhe as tu bëjmë thirje këtyre Institucioneve që të bëjnë korigjimet që mendojmë ne. Ne nuk diskutojme se kush është ‘’nuni’’,’’kumbara’’ që do pagëzojë fëmijën dhe çfarë emri do ti vëjë. Ne diskutojmë se çfarë është ky fëmijë vajzë apo djalë, pa nuni mirë se të vijë për ta pagëzuar. Vetëm se është mirë që djalit të mos i vërë ndonjë emër vajze. Jo se si duam vajzat ore, se mezi i kemi ato, por ato kanë emrat e tyre .Bile shumë të bukur.
                   Po pse pas emërtimit’’Këngë polifonike’’ shtohet rëndom fjala ‘’labe’’.
                   Thua vetëm labëria ka  këngë të tilla?
                   Vetkuptohet që jo, Këngë me iso ka edhe  Skrapari, edhe Lunxhëria, edhe Mallakastra, edhe Myzeqeja, Çamëria etj. Dhe këto s’bejnë pjesë në Krahinën që quhet Labëri. Përgjithësisht gjithë trevat e Shqipërisë së mesme dhe Jugore.(Pse mungon kjo te Shqipëria Veriore  është tema më vete).Mos vallë këto krahina e morën këtë këngë nga Labëria dhe për nder të  saj e quajtën ‘’këngë labe’’.
            10-    Duke patur parasysh origjinën e këngës me iso, origjinë që buron nga ritet mortore të vajtimit nëpër shekuj, ky argument ‘’i marjes së këngës vetëm nga labëria ‘’ nuk qëndron .Që të themi se ky emërtim është ‘’shkollaresk’’, i vendosur artificialisht , edhe kjo nuk qëndron pasi ne edhe sot themi’’hajt t’ja marim një labçe’’ duke i hequr cilësimet e tjera, duke i rënë shkurt. Pse nuk themi psh ‘’t’ja marim një mallakastriotçe, ose skrapariotçe. Ndërsa jo rallë cilësojmë’’Haj tja marim një himarjotçe’’.Pse ndodh kjo, në rastin e parë përgjithësimi dhe në rastin e dytë (himarjotçe)veçimi.
                     Pa marë pozat e kompetentit, shpreh mendimin tim.
                     Quhet këngë labçe në përgjithësi, sepse pikërisht në labëri  kjo këngë ariti nëpër shekuj kulmet e saj, duke krijuar një këngë karakteristike, elementet e të cilës u shtrinë edhe në trevat e tjera të vendit. Ju rikujtoj se para Neço Mukos, kënga himarjote nuk dallohej nga kënga e fshatrave të tjera të labërisë, përjashto këtu tekstin, pra nuk kishim këngë himarjote, këngë pilurjote etj. Kishim një këngë që shtrihej në të gjithë labërinë ashtu si pranvera qe vinte në të gjithë fshatrat e labërisë, pavarësisht se diku çelnin më shumë manushaqet e diku më shumë margaritat apo lule të tjera, nqse me këto lule do personifikojmë tekstet. Aroma e pranverës(isua dhe melodia ) qe gjithkund e njëjtë ose përafërsisht shumë e njëjtë.
              S’kishte ndonjë dallim kënga pilurjote nga kënga himarjote nga kënga e Kuçit, e Bençes e Lumit të Vlorës etj etj.Duhej të vinin viganët e këngës si Neço Muko, Lefter Çipa, Demir Zyko e shumë të tjerë që të ndanin  këngët(si melodi më shumë se si tekste)
sipas krahinave e fshatrave . Kënga himarjotë u shkëput nga kënga labe, kënga pilurjote u shkëput nga kënga himarjote e kënga labe etj. Secila mori portretin , profilin e vetë karakteristik. Por gjithsesi kulmet e para i kishte në labëri, prej nga u shkëputën.                       
                Arsyeja tjetër është  karakteristikat e këngës në trevat e cituara  ruajnë shumë gjëra të përbashkëta dhe që janë më të theksuara në zonën e Labërisë. Psh në Labëri grupi i këngëtarëve përbëhet nga marësi, pritësi, hedhësi dhe isoja.
Po dhe në këngën himarjote , po dhe në këngën pilurjote po këta zëra janë, pavarësisht se te kënga himarjote ka një funksion primar hedhesi, pas marësit ndërsa te kënga pilurjote funksionin kryesor e ka marësi i ndihmuar organikisht nga dy tre zëra me qëllim që të dalë përmbi ison e cila mbahet nga një asambël i tërë.
Të njëjtët elementë ka edhe kënga mallakastriotçe apo kënga e Skraparit, por me funksione dhe role të ndryshme të pjestarëve.
          11-  Prandaj ne themi ende sot ‘’tja marim një labçe’’, jo se do këndojmë me domosdo  këngët e Bençes apo të Salarisë, Progonatit apo Nivicës etj. Në konteks të shprehjes nënkuptojmë të kënduarit këngë shumëzërëshe me iso. Po a duhet të qëndrojë cilësimi ‘’labçe’’. Pse jo. A nuk vijojmë ende  edhe sot ne , pavarësisht se kemi lindur nëpër qytete , të themi;-Unë jam nga Piluri, nga Himara, nga Kuçi, Golemi etj etj. A nuk vijojmë të themi; ‘’Kanuni i Lekë Dukagjinit’’ ose i’’ Papa Zhulit’’ ndonëse ata kanë shekuj  që s’janë më. Atëherë pse të mos themi;-T’ja marim një ‘’labçe’’. Rëndësi ka të ‘’shtrohemi’’ në këngë, të biem dakort të këndojmë, pa s’prish punë në do këndojmë pilurjotçe, himarjotçe, mallakastriotçe apo qofte edhe këngë ‘’majë krahi’’ Tonat janë. Rëndësi ka të na këndojë zemra, se kemi shumë kohë që nëpër shtëpitë tona nuk këndojmë. Televizori e manjetofoni gjëmon tërë ditën e tërë natën, por ajo s’quhet ‘’të kënduar’’. Ajo është thjeshtë  ‘’ të dëgjuar’’ si këndojnë të tjerët. Të kënduar ‘’labçe’’ do të thotë të këndosh me gjithë shpirt, më shumë se me zë. Sepse iso-ja del nga shpirti e jo nga gryka.         



AUTOREFUZIM



  VASIL KLIRONOMI
25 poezi nga përmbledhja “Plagë qeramike”


       Vasil  Klironomi është poet nga Saranda dhe ka emigruar këtu e 20 vjet në Greqi. Ka botuar 2 libra me poezi shqip dhe boton në Athinë në gjuhën greke krijimet e veta. Vasili ka punuar shofer në Parkun e mallrave të Sarandës, dhe i magjepsur pas poezisë dhe metaforave, shkruan në kohë të lirë në kabinën e mjetit të vet, duke pritur ngarkimin e qymyrit në Memaliaj. Shkollën e poezisë e bëri kështu, në shoqërinë me ne krijuesit e atëhershëm dhe në vetminë e udhëve të gjarpëruara të jugut, duke i përshkuar ato me fantazinë e tij të ndezur. U rrit si poet në klimën e poezisë joniane. Vasili është vlerësuar nga poetë të njohur grekë, si Kostas Evangjellatos, i cili ka prezantuar librin e tij të fundit në veprimtarinë e organizuar me këtë rast. 25 poezitë e paraqitura këtu janë shkëputur nga përmbledhja e tij: “Plagë qeramike”, të cilat i përktheu në shqip poeti Vangjel Zafirati.
                                                            A. Mato


AUTOREFUZIM

Qiej
zbrazte Zoti në sytë e shumë njerëzve
dhe ndihesha i zemëruar.
Përse të mos jem i bukur, thoshja.
Humbisja në gishtërinjtë e duarve
me veten time fajtor.
Fryhej deti.
Shkumë nxirte ne cepat e buzëve
Thua se desh të më revokonte
Dhe unë në fundin e tij.

Frynte.

Re qe humbisnin udhën më ndiqnin.
Depërtonte lagështira në supet e mia
dhe në shtëpitë për rreth.
Mes përpjekjes për të kuptuar qëllimin,
nata diçka vidhte nga barku i ditës.
Parakalonin silueta të zeza.
Humbisja me zogjtë e natës.

Përemra
            nga buzët e mia kalonin.
Kush kishte bukurinë dhe kush përsosmërinë.
Ai kishte gjithçka, e unë asgjë.
Shikues në ngjyrat e tyre.
Zvarritjen e zërit tim vetëm unë e degjoja.

Përbri
            pisha kish marrë formën e shqiponjës
qe të jetojë.
Pema  kish marrë formën e shqiponjës
të më tregojë.
Ku e gjeti fuqinë,  pyesja,
të mbijë në këtë gurishte?
Me njërin nga gishtat e mi e shënova.

Në detin e hapur,
Anije të ndritëshme
I dorëzoheshin palëvizshmërisë.
Në udhën e tyre kërkoja shënja.
Ishuj artificialë ndërtoja me dallgët
Dhe përsëri humbisja në pallatet e thellësisë.


PERDET E HIJEVE

Në zjarrin që ndeza i shtriva duart,
zemra të futet në harmoni.
Rreth e rrotull
dëborë që zbriste  deri në tëmthin e malit
dhe lisa te zhveshur
që asnjëhere nuk mësova ç’ thonë midis tyre.
Dru të kalbur më trembën me krismat.
Barinjtë të veshur me rroba të gjera,
më thërrisnin
të mos trembem nga të lehurat.
Të keqen ndjekin brënda natës...
Por unë
dëgjoja perdet e natës
                                      dhe një shqiponjë erë,
fë fikur çka më dhuroi Prometeu.
Në erësirë kërkoja  të gjej fener dhe duart e Irinive
                                                                           takoja.
Duke mos ditur sa do t’i rezistoja breshërisë së erës,
për një ndihmë të vekshmi falesha.


NË DITËN TRAGJIKE

U përpoqa  të heq dimbjen
nga sytë e tu të thelluar.
Vura më shumë dëshirë,
eca me hap të lehtë pranë teje.
Fytyrën të ndriçova
duke vënë më një anë
flokët e tua të lëshuara.


TETOR

            Mikut tim poet e piktor  Spiro Llajo

Sot mbyllëm  dritaret dhe shiu me erë
ngjiti në to lule të fishkura, gjethe të verdha.
Si pikturon kështu edhe kjo erë !



PA TITULL

Ka disa poezi
qe shpërthejnë mbi letër
me denesa të qeramikta.
Por, po i pastrove me një penë
ngrë nervin edhe  gostitë me verë
lexuesit te gjithe.
Ka disa poezi
ku nga pena jote duan
të dëgjohet vetëm muzikë  e saj.


KRIMBI I MENDAFSHIT

Lëvizë në gishtin tim tregues
dhe të gjitha  me ngadalë lëvizin rreth meje.
Në sytë e mi surealistë,
dëgjon
çdo tingull.
Mblidhet në krahët e tij
dhe fluturon.

ME GJETHE  DAFINE

Thuaj se është e çmëndur,
thuaj se është një budallalëk
Ajo qe nga ty kërkoj.
Një ditë në shseshin qendror,
I larë, i krehur,
Me përkedheli, me puthje të të çvesh.
Rroba jota e pastër, te këmbet e zhubrosur,
Të jetë ajri që thith trupin tënd.
E ç’domethënë që kalove të pesëdhetë e pesat,
Gjoksi yt mund të mëkojë fëmijë
Sepse unë t’i zbresë tridhjetë.
Trupi yt, trupi yt i drejtë.
Kur kërcen,
Vathët ne vesh dëgjohen
Si këmbana të gëzuara
Dhe kjo ndh qysh atëherë që të dashurova.
Asnjëherë s’të lashë të kërcesh vetëm
Dhe u bëre perëndesha e valles.
Dhe nëse egzistojnë ca vija në fytyrë
I pikturova.
I bëra degë me gjethe dafine,
Të kundërmojë sheshi
Dhe do kundërmojë nga lakuriqësia jote.

DUA TË DI

cila dore kurdis Diellin
qe ta puth.
Sytë qe e ngjiten atje lart të na ndriçojë.
Të puth buzët qe i dhanë ngrohtësi.

SUSAMI

Susam hapu!
Brënda teje
si Diogjeni, të flë në një qyp
Paradokset e Zinonos
e mësimet e Platonit
në një bankë të gurtë,
në orët pa mbarim të ndjek.
Me dy grushte dheu fytyrën të lyej
e  të luaj Aristofanin.
Brënda teje kudo që  shkel, ngjitem tek dashuria.
Susam hapu!
Me antenat e një milingone
të mësoj se deri ku arrin  rrezja ime.
Me rosat e Ezopit
Tek Paktolusi  yt të notoj.
Në pafundësinë e Heraklitit të ruaj
formën time.
Susam hapu!
Tu kushtohem dënesave të tua prej qeramike.

NE FUND MAESTRUA THA

“...që të marrësh pjesë në një orkestër
duhet të kesh udhëtuar me erën
dhe jo vetëm.
Ti kesh rezistuar breshërisë së tyre.
Të kesh parë e dëgjuar lumenjtë
si rezistojnë para se të derdhen ne det.
Të kesh dalluar vijën shumëngjyrëshe
qe vjen pa zhurmë nga thellësitë e qiellit
edhe qendron pingul,
dallueshëm në pentagramin tënd.
Ndryshe, qorazi do t’i biesh veglës sate.”


E  VEJA

Edhe sivjet
e zhytur thellë në hidhërim,
sikur të ketë rënë në gjumë letargjik.
Maj
dhe qendron brënda.
Herë-herë tenton
që kokën të nxjerrë jashtë,
dëgjon botën që qesh
dhe pa shprehje
kthehet në gjëmën e saj.
Ka frikë mos e shikon Dielli
edhe i jep shkëlqim.
Një çast
guxon të mendojë
veten  aty  jashtë
dhe Dielli i vyrtitshëm,
nuk e humbet rastin.
Flutura rrobaqepse
E  veshin me ngjyra.
Në kembë, në të kuqe
si në afreske Minoike,
pikon
            poezi
dhe e ndrojtur, pak e zhveshur,
e ndjeshme
i dorëzohet
një ëndrre me vazhdim.

I SËMURI DINAK DHE KARDIOLOGIA

Brenda nga sytë, i tha, shiko zemrën time!
Dhe ajo pa një organ të thelluar
në formë piramide të përmbysur,
në mes të gjoksit të vendosur,
të ndarë në dy pjesë
me inde muskujsh të vizuar
të karakterizojnë muskujt
qe vareshin nga dëshira e tij dinake.

NXEHJE

Kur më ofendon,
kur më shan parardhësit
kur me krijuesin e dhunës nxin
zemrën time,
kur vazhdon  krimin e urryer
duke kafshuar një nga një
të dyzet vitet tona bashkëshortore,
kur fshehtas më kontrollon xhepat,
kur me thonjtë e tu të mprehta gjakos
fytyrën time të rrumbullaktë e të kuqe,
pendohem qe të dashurova,
pendohem qe shkrova
poezi të freskëta e të ëndërrta për ty,
pendohem që bëra fëmijë me ty,
pendohem qe ekzistoj dhe bëj shoqëri me
 poetë bashëmoshatarë qe janë vetvrarë.


PAS VDEKJES

Iku.
Mirë bëri qe iku.
Aty dikush do gjendet
që t’i flasë
ose kur do flasë ai,
dikush do gjendet
që ta dëgjojë.
Vetëm nëse i është bërë zakon
dhe nuk do dojë
t’i flasë njeri,
ta dëgjojë njeri.

NË PRAG TË DALJES

Mos ndalo tek unë!
Edhe të tjerë të presin.
Lindje e një magjie
e plotë.
Do desha që ti të më udhëhiqje
ashtu si unë dua që të ecë.
Mos ndalo tek unë!
Lëvozhgë e Hënës.
Dëgjo, dëgjo komedi antike,
këtej kaloi mendimi,
pasi nuk e preka,
u dashurua me fëmijtë e mi.
Mos ndalo tek unë!

ZËMËRIM

Çfarë do?
Pozicioni i Diellit apo i Hënës të shqetësoi?
Të ngrita si grua dhe u gjende mbi mua
furtunë.
Kam frikë se në çaste ekstaze
Do i ngjasoj Zotit
Edhe si Zot do të shikoj.


FASHISTJA E VOGËL

Fryu era dhe zogu shtegëtar
u ngatërrua në flokët e saj të ngrehura.
Në çast erdhi një sqifter dhe e coptoi.
Ay veprim kaloi në mëndjen e saj.
E  pamë në sytë e saj, në fytyrën e saj.
Zbriti në zemrën e saj, në stomakun e saj,
në  mëlçinë e saj, në zorrët e saj.
U bë e gjitha një egërsirë. Gati të na shqyejë.


SHQETËSIMI I 60-VJEÇARIT

Si flë kështu përmbys
me dy brylat
qe dalin nga jashtë
duke mos mundur të të përqafoj?
Si flë kështu përmbys
me njerin nga gjunjët nga jashtë,
e ngjan me top mesjetar
që më asgjëson.
Si flë kështu ?


VETEM TY
              
Të pres si një liman.
Shikoj e dëgjoj spirancën
qe ti hedh, spirancën qe dëshiroj.
Kaq e pandjeshme  distanca.
I ngarkuar me emocione,
bofor, me ngjyra dhe të tjera,
të padukshme,të parëndësishme,të pakta
ku për mua janë shkëndia.
Të pres.
Dëgjoj tingujt e zërit tënd
dhe lotë gëzimi e padurimi
dridhen në nofullën time,
lotë qe vetëm ti mund ti dallosh.

MAGJISTAR I DETIT

Jam magjistar i detit.
Para se  të eci, mësova të notoj.
Më hidhte vëllai nga guri i madh
dhe pulbardha
më shoqëronin, era të mos më prekte.
Mellanurë
hapnin rrugën, në fundin e detit mos vritesha.
Në ujrat e kaltëra,
sparot më pastrojnë lëkurën,
supjetë kalojnë sipër përkedhelitë.
kur i mungoj, një oktapod shtrin këmbën
dhe ngjit tek unë venduzat.
Në thellësitë e syve të mi
një sinagridhë nuk mundem që ta qetësoj.
Sa herë rrezikoj,
është gati të dalë e t’i coptojë.
Ngjala, shpresa të përdredhura,
vijnë nga lumenjtë,
në thellësitë e syve të mi të lindin.
Siç ju thash jam magjistari i detit.
Me një kupi valët përkëdhel
edhe ato bien në këmbët e mia.
Me një vel acaroj erërat
edhe ato përgatisin furtunat.
Mbi një dërrasë kërcej rrok
edhe delfinët shikojnë me kërsheri.
Në llëret e mi, në trupin tim
kam pikturuar jashtëtokësorët.
Jam magjistari i detit.

TAKIM ME VDEKJEN

E takova në Saltzburg,
jashtë kishës katolike.
Duart  e tij ishin të ngrira.
Qoftë e në metal, e takova.
Kishte në fytyrën e tij, erësirë të pa përshkruar
 ne perëndimin e njerëzve ngjitur.
Ah sikur të kishte sy, një grusht me yje të hidhja.
Hajde, më thoshnin fëmijtë,
ka kaq muze, kemi për të parë kaq shumë
dhe i ndiqja  duke u dridhur.
Ndërsa festungsban ngjitej në kështjellë,
shtrëngova dy duart e Elenit dhe e pyeta:
Të kam thënë se vetëm vdekja do na ndajë ?

DEGA

Degën qe vodhe nga hardhia ime
do ta fshehësh, për sa kohë ?
Do ta shartosh.
Mbreti i frutave brënda vitit,
do ngjitet në muret e shtëpisë tënde,
do hapet mbi tjegulla.
Hardhia e shenjtë do të mbështjellë në gjethe,
pastaj vilat do lidhen,
kokrat do marrin ngjyrë,
mbi çatinë tënde do piqet ëndrra ime,
po ti, çdo bësh ti? E di çdo bësh.
Ti do vazhdosh,
të këputësh rrushin
do ta mbyllësh në fuçi të bëhet musht
dhe kur vera do ulet brënda meje,
me një kanatë do mbushes bukuri
qe unë kaq dorëlëshuar do mundja të të jipja.
Të të them!
Do të thërras dhe Apollonin
qe këndon vetëm me liren e tij,
në çastin qe ti pi vetëm lëngun tim çudibërës.

 NË EPOKËN TONË

Fatkeqësishtë u linda në një epokë
ku edhe bodrumet pjellin frikë.
Një shkrepje arme si paralajmërim më mbyll gojën
dhe kjo, sepse nuk mundem që ta përballoj.
Në epokën tonë çdo politikan hajdut
mund të futet brënda meje
në momentin qe flë dhe ëndërroj.
Gjatë ditës të më vjedhë ëndrrat.
gjatë ditës të më vjedhë hapat,
qe të mos mbërrij kurrë në destinacion.
Në kohë,
larg nga të parët e mi
gjithnjë e më rrallë dal në rrugë.
Nuk ndihem mirë.
Fatkeqësisht u linda në një epokë
ku e vërteta nuk ka vlerë.
Çka më e thjeshtë se të thuash të vërtetën.
të ma thuash në vesh si një përrallë
në momentin që më kanë shqyer,
në momentin që nuk ndihem njeri.
Për derisa e di se
nuk mund të më çosh atje ku dëshiron,
përse merr në duar megafonët.
Nuk më mjafton dëshira jote e mirë.
Dua diçka më të vështirë, krijuese
që të më sjellë kënaqësi,
të vetflijohem duke ditur se dikush tjetër
do mbërrijë në destinacionin tim.
Dua të papengueshmen.


DESHIRA IME E FUNDIT

Më thonë se pas vdekjes të gjitha mbarojnë.
Vyshkesh, tretesh, bëhesh dhe.
Në rregull.
Por unë në jetën time kam disa vlera.
Isha tërheqës, i mahnitshëm, i bukur.
të gjithëve  ju pash me dashamirësi.
Në çdo gjë tregova per ju  personalitet.
Prandaj dhe kur të iki, dua,
të paktën qoftë e për një çast, të mbani zi për mua
Nëpërmjet një kënge,
Ose nëpërmjet një të qeshure apo një loti.
Të vendosni në xhepin e vogël të xhaketës,
një lule për mua
dhe sado e pabesueshme që dëgjohet, ju jap fjalën se do
ribëj veten time ne dhe të lehtë, pjellor
qe të mbij për ju diçka e bukur.