Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday, 1 March 2012

MOS E SHIKO FUNDIN E DETIT


ANDREA ZARBALLA
      

                       
                   




LAVDIA

Të henën ngjeshi në kokë një kurrorë dafine,
të martën mbushi xhepat si kacek me gjethe dafine,
të mërkurën shkuli një pemë të tërë dafine dhe e
hodhi supeve,
të enjtën u pajtua rojtar në pyllin e dafinave,
të premtën la testement të presin gjithë pyjet e dafinave
e t’ia hedhin mbi varr.

Të shtunën e zunë një palë djerse të ftohta, pa fund.
Τë dielën iku i palavdishëm.




POETET E VDEKSHEM

Poetët e vdekshëm
presin me ankth majin, o shtatorin,
të shtërngojnë duart qoftë edhe një mbremje,
t’ u bien shpatullave njeri-tjetrit me nënkuptime,
të dhurojnë libra njëri-tjetrit me kushtime superlative
të recitojnë vjershat e tyre
e të mbledhin një për një duartrokitjet,
ashtu si zogjtë grurin e derdhur në një oborr fshati,
të hedhin ndonjë valle
me iluzionin se kështu, me ritme e kadenca vargjesh,
po shkojnë drejt pavdekësisë.

E dinë, se ditën tjetër,
që në mëngjes, do të dëgjojnë në lagjen e përtejme
ngulçimin e sharrës,
goditjen e thatë, inatçore të çekiçit,
sepse, nga puna e shumtë
lirohen lehtë dërrasat dhe bullonat e arkivolit
që mbart poetët e vdekshëm.

Kështu që Usta Harrimi,
mbushur tallazh edhe me lapsin kaluar veshit,
e riparon shpesh,
atje, në lagjen e përtejme,




DHJETOR

                        Piktorit J.M.

Mori të përpjetën i përhumbur, midis ngjyrave,
vijave e kurbave
për të vizatuar tymin e oxhakut,
që përdridhet si akrobat në cirkun e pafund të qiellit;
harabelin e oborrit,
që vazhdon koncertin e durimit sipër gardhit,
vetëm me një sol dhe me një fa.

Pëlhura ishte e gatshme,
tri ditë edhe tri netë e zbardhte me merak dhjetori.

Erdhi pesë herë rrotull në dëborë,
thua se u vu të ngrëjë një mur të lartë,
të mos hynte bisha.

Por bisha kishte hyrë prej kohësh
dhe kish coptuar akrobatin e fundit të qiellit,
solistin e fundit të oborrit.

Pastaj, mori të tatëpjetën,
duke kërkuar ngjyra, vija edhe kurba të panjohura,
të hedhë në pëlhurë
tingullin kërcitës të këpucëve të trasha në dëborë;

në pëlhurën e bardhë
që e kish ndehur bukur në dy bredha
dhjetori i fundit.




MODESTI

I mjaftonte vetëm një gjethe
për të shtrirë mbi të gjithë jetën e tij
dhe të nxënte akoma edhe dy oqeane.

Në fund të fundit,
sokaku i ngushtë i meridianit,
qoftë drejt veriut po ta shkelësh,
qoftë drejt jugut
me siguri, te akullnajat do të të nxjerrë.

Por edhe një paralel po të shkelësh
do të vijë një ditë,
që do të gjesh përpara prapë veten tënde.
 
I mjaftonte kodra e vogël me ullinjtë,
me ato degë të rënduara
nga pesha e këngës së gjinkallave.

I ngjitej asaj kodre dhe sodiste Globin.

Por, jo se kishte iluzione,
s’ mund ta shikosh tërë Globin nga një kodër –
modestët, s’janë medoemos të marrosur,
por, e dinte se kalonte ai nga kodra.

Kalonin dallëndyshet, dielli dhe lejlekët,
kalonte era edhe lufta,
vinin tej nga kontinentet, tej nga oqeanet,
dhe ai maste me pëllembë gjurmët e këmbëve të tyre,
kaq gjatësia, kaq gjerësia e thellësia,
dhe mbillte gjurmëve të tyre ullinj të rinj,
me degë të përkulura
nga pesha e madhe e këngës së gjinkallave.


KUFIJTE

Mos e shkel gjithë mllef hartën e botës,
dhe mos kërce nga një shtet te tjetri,
nga një kontinent te tjetri,
sepse kurrë s’do të arrish të zgjerosh kufijtë.

Këtë gjë të thjeshtë e di dhe molla e kopshtit.

Molla nuk i shtyn gardhet të zgjerojë kopshtin.
Mendja e saj ditë e natë është te kokrrat,
ditë e natë bredh mendja e saj
damarëve të ngjyrave dhe aromave.

Mos i gjakos, or mik, duart e bardha,
vetëm mbështetu për një çast te trungu i saj
dhe mollëza, për hatrin tënd,
do të vijë për në çast prej damarëve të ashpëra
sa të të thotë: kokrrat aromatike, faqekuqe
i hapin vetë kufijtë e kopshteve,
të shteteve,
të kohrave.


I SEMURI

Ma tha një trung i prerë, i plakur shumë,
ma tha me rrathët, lartë nga akuareli i piktorit:
Sëmundja jote është e pashërushme. Duhet të shkosh
të flesh një natë të tërë
në tempullin e blertë të Bredhit.

Zbrita te porta e tempullit më 17 korrik,
në çastin që një engjëll mbi çati mbante në dorë
hënën e freskët,
dhe dolën murgjit shtatëlartë me pelerina të jeshilta
hedhur krahëve
edhe me kryqe të brishta kokave,
gulfuan ujë të ftohtë prej rrënjëve dhe më spërkatën
                        në fytyrë tri herë,
sollën erë mali dhe ma kryqëzuan zagushinë e trupit,
më treguan se si çajnë kaltërsinë me kryqet,
dhe pastaj më mbuluan me thekore për të fjetur.

Bredhat njomëzakë, pa zë,
hidheshin, përhidheshin rreth gjumit tim tërë natën;

dhe në mëngjes, kur u zgjova,
pashë një shtambë të thyer copa – copa para meje,
dhe trishtimin tim të zi të derdhur krejt.



ANIJET E MBYTURA

Kemi dalë së bashku,
si një flotë festive që rrëshqet ujrave të kaltërta,
me direqe, flamuj, vela dhe bori, një të diel.

Për çudi, s’e ndjeva fare,
ishte nata, apo ndonjë shkëmb nënujor;
sidoqoftë, ishte kaq e rëndë, kaq e papritur,
mbytja e parë!

S’ ish dëgjuar asnjë farë përplasjeje,
vetëm ca kërcitje të zakonshme, të thjeshta,
por të tilla, i dëgjon njeriu,
edhe kur afrohen vitet nga e nesërmja 
ndërsa u kërcasin rrugëve këpucët fringo.

Sidoqoftë e çara ishte e madhe,
edhe anija zhytej me ngadalë,
duke çjerë me direkët dhe me bashin 
ujrat e brishta, të pamësuara me mbytje.

Si ta mbash me duar një anije?
E provoi para meje vllai i Eskilit, Kinegirosi,
dhe iu prenë duart, iu pre koka.

Dhe fundosej në mënyrë torturuese anija e parë,
deri sa takoi fundin e detit.

Por, me kohë, filluan mbytjet tre e tre
e pesë nga pesë.
Vanë varkat dhe anijet
me pëlhurat, me direkët dhe boritë.

M’u mbush fundi i shpirtit me gjemi të mbytura!




GURIÇKAT

Deti i Litohorit pikturonte gjithë ditën guriçkat,
nuk e dinte se Meri, që i mblidhte, kishte ikur.

Përderisa detrat e tjerë ia kanë fshehur,
as unë s’ ia tregova,
se mos trishtohej dhe humbiste përgjithnjë ngjyrat e tij.

U ktheva nga ana tjetër,
të mos më shohë me lotë e fillon dyshon,
dhe hiqesha sikur kërkoja gërmat J, E, T dhe prapë E.

Dhe gjersa deti të mbarojë e të shkojë për gjumë,
mendoja Mjeshtrin e çuditshëm,
që kaq lehtë ndërton një mozaik të tërë
vetëm me katër gogla.  

GJUMI

Përse të thosha shpesh se, kur flë
i ngjan një varke që vozit
detrave të bardha të çarçafëve?

Një varkë që erdhi dhe u ndal në dritaren time
dhe unë që s’ e duroja dot kaq pafundësi,
kundroja i mbështetur në përvaz
remat e liruara të vetullave,
shtambën rozë të buzëve plot ujë për udhëtimin,
që kur e pi shumohet,
velat e gjinjëve që i frynin erëra të paduruara.

Përse të thosha se i ngjan një sanalleje
që udhëton detrave të bardha të çarçafëve?

Dhe ty, për hatrin, tim, ke fjetur përgjithnjë.




LYPSARI BASHKËKOHES

Doli rrugës tej nga fusha e madhe,
dhe u lypte kalimtarëve
pak fushë.

Zbriti nga një mal i lartë
dhe u lypte kalimtarëve në sheshe
një copë mal.

Ndënji i pikëlluar në breg të lumit,
dhe u lypte kalimtarëve
pak ujë. 

VËLLAVRASJE

Ishte gusht
kur dolën për shëtitje bubullimat në Murganë.

Në çdo hap të tyre çirrej horizonti,
në çdo fjalë, shterej uji i burimeve.

Djersë të ftohta i pikonin që pa gdhirë
shtambës së ujit,
qeni i mbuluar me hijen e ullirit dridhej në mesditë,
fluturat te gardhi rrihnin krahët si ca plaka
që i bien kokës me dy duart pas mandatit.

Plot me ankth milingonat rrugëtimeve të tyre,
plot me ankth farat e gjëmbaçëve të kapura
prej jeleve të erës,
dhe një  brumbull sterë  i zi,
shtynte së prapthi Globin si top plehu.

Në murin e notepsur të mullirit, me antenat ngritur,
kërmilli mblidhte lajmet, për vallen e egër të thikave,
për gushtin vëllavrasës,
ku uli kokën thellë i Munduri,
e uli thellë edhe Triumfatori. 

     
ARAT SHTERPA

Poshtë, në arat e Grekosalentes, te ullinjtë,
çirret Fizarmonika e vogël
dhe Defi, si fëmijë, nga pas, u ngjir nga dënesat.

Poshtë në arat shterpa të Grekosalentes,
Befas një vajzë del vrik nga dallgët e Mesdheut,
shkund flokët një e dy, i hedh para e prapa,
shkel tokën prush hop! hop! me këmbë të zbathura –
A, nuk duroka një ulli, shkulet dhe ai nga dheu,
hedh e përhedh degët para e prapa,
kërcen mbi rrënjët si i dehur.

Tani, u bënë dy, që kërcejnë Tarantelën –
Zbrazuni ju, o detra, zbrazuni o shekuj!

Tej në arat e Grekosalentes,
çiftin mijëvjeçar,
e kish pickuar keqas Merimanga e Nostalgjisë.



MULLINJTË

Këngëtarë pleq breglumenjëve me vetulla plot miell,
trak-trak përsipër mokra e rëndë,
e vu e vu përposhtë fletët e helikave
dhe uji të vrapojë si mëz trevjeçar me yllin e diellit
në ball,
dhe Zonja Merimangë të drejtpeshohet në cepin e
kasketës tuaj,
dhe Zonja Breshkë e Ujit t’ju gudulisë ngadalë shputat
e këmbëve,
dhe rrepet me erashkat t’ju freskojnë zverkun,
dhe dapa-dup dërstilat deri në mengjes për ngjeshjen
e flokateve  
dhe radhë - radhë thasët e bardhë si gjyle gati për të rënë
mbi çatinë e urisë,
dhe trak e truk përsipër mokra e Kohës
dhe vu e vu përposhtë helikat e Shkretisë.

Dhe unë që endem me një thes pikëllimi krahëve,
ku ta bluaj?!

 Mokrat, futur gjer në mes në dhe, ngjajnë si spiranca
të braktisura. 
AUTOBUZI B5

Në stacionin e Atikës, të njoha nga vështrimi
që hiqej zvarë shinave
si një zog i trembur, pak para se ta shkelin trenat,
të njoha nga të ecurit e ndrojtur
përderisa kaq kohë të mungojnë fusha e mali,
por metroja të përpiu.

Sulem drejt stacionit të Aj Dhimitrit,
por ty shkave drejt Dukeshës Plancentia.

Në Aleksandras,
Autobuzi 5 kalon serbes me profilin tënd ngjitur xhamit.
thërras, lëviz duart, por më merr për të huaj i poshtëri,
dhe sa të arrij në kthesën Patision
zverdhem njëherësh si plepat përkarshi.
Vjen edhe era e Nëntorit nga Parnitha,
fërgëlloj si plepat e më bien fletët trotuarëve.

Dhe përkulem për t’i mbledhur një nga një copat e mia,
dhe pastaj në një stol, natën, në sheshin e Aresit,
lodhem t’i montoj nga fillimi.

Duhet të të gjej patjetër,
para se Shërbimet e Bashkisë
të më mbledhin copa – copa qeskave të zeza.

Tuesday, 28 February 2012

SHEGA E LULEZUAR


SPIRO LLAJO


Lindi në Janicat të Sarandës në vitin 1953. Studjoi për letërsi. Punoi dhe jetoi për shumë vjet në qytezën e bukur të Ksamilit. Pas rënies së diktaturës emigroi familjarisht në Patra të Greqisë. Ka shkruar në shqip dhe në greqisht. Ka botuar vëllimet poetike «Mora një grusht det», «Motiv Jugor» dhe «Fljalë deti». Ka shkruar gjithashtu vellimet «Nga është rruga për në Itakë» dhe «Harrim i padurushëm».
Është poet i vjershave të shkurtëra, lirike, meditative.   
Vdiq më 2007.
SHEGA E LULEZUAR

Sepse kundërmuan të gjitha rreth meje,
u shqetësova

Sepse u mbushën dritë dhe ngjyrë sytë e mi,
u tromaksa

Sepse çasti është kaq i bukur,
u deshpërova.
           MAÇOKU

I goditur maçoku në anë
të rrugës

S’ arritën të turbullohen sytë e tij,
dhe u mbushën me zogj.

Madhështor, lëpin plagët,
i mbuluar me një ajër të kuq që i rri
me dhëmshuri përsipër

si flutur.
            PEJSAZH I BEFTE

            Mëllënjë e vogël
në dëborë

Shami zie
në ëndërr

Që e mori era grykave
duke klithur

ÇASTE

Me klithma zogjsh
vritet dielli

Ngjeu në të kuq
sqepat e tyre

Pas pak s’do jenë
të përmbysura varkat

As gaforet
ngjyrë gri sipër tyre

Deti do të ndriçojë
zogj të zinj

Fshehtas nga zoti
do të buzëqesh

NE VENDLINDJE

U mbush me lulekuqe dheu
i nenës sime.

Fjalë që fluturuan në dritë
fjalë që nuk i tha 

Lulekuqe të mprehta
që shpojnë gishtërinjtë.

Dhimbje
prej shkuljes së trupit nga kryqi

NATEN VONE

Pret bisqe yjesh
dhe bien befas në tryezën time

lapsat e mi
buzët
kujtesa

të zeza mbetën vetëm vjershat
sikur janë hieja e tyre

I PASTREHË

Vërshëllen fjalë të harruara
pafajësie

Dhëmbshuria e tingullit
ngre rreth tij një mur të hollë
të padukshëm

Shikon yjet
dhe një rrëke e mbështjell që nga lartë

Ndonjëherë kur pushon
alarmohem

Mos dil jashtë, o njeri,
do ftohesh!

KUNDRUALL

Kjo gjethe e zverdhur në ujë
mund të jetë varka ime e shpëtimit –
kaike e fshehtë që ngul këmbë te ndjenja

O deshpërim i bukur i poetëve
pa atdhe

Gjithë të tjerët
janë nga bregu tjetër.

LIDHJE

Kënga e lashtë e së keqes
jehon në të gdhirë

Melodi të zvargura fryjnë lisat
në çastin që kalojnë ikanakët.

Nënat harruan portat hapur
vrapojnë të mbushin kandilet me vaj

NGA FUNDI

Poezitë i filloj gjithmonë nga fundi;
fillimi me lulet e bardha
midis gishtrinjëve
vetëm erën magjepsin.

Andej nga fundi fjalët i vendos
si guriçka që të më kërkojnë
kur të tretem

                                                Përgatiti: ANDREA ZARBALLA
   

Monday, 27 February 2012

4 Poezi nga Timo Mërkuri





Pragmbrëmje në bregdet

Ah ky det, ky det që nis te zemra ime
dhe këto pulëbardha në zhytje
që kërkojnë refugjatët e mbytur.

Ëndrat më ikën me skaf dhe stërkalat
janë lule të bardha,
lidhur në n jë tufë mortore, hedhur në det.

Kush i hodhi pas kësaj ikjeje vallë?

Hëna hesht. S’pa gjë. Atë çast s’kishte dalë.


Kënga e sime motre

Për mua refugjatin, vallë,
janë thurur shekujve këngët e mërgimit?

Sa dhimbshëm i këndon motërzeza ime.

Lotët e një ëndërre.

Në ëndërr pashe vendlindjen.
Kur u zgjova
fillova të lotoj përsëri.

Oh, ç’dhimbje e madhe është, i vogli, qyteti im.


Hëna në dritaren e mërgimtarit

Në dritaren time erdhi hëna
si një buzëqeshje e shumëpritur, e bardhë.
Por në ç’dritare të vendlindjes sime
u ul sot hëna vallë?



3 Poezi nga Niko Kacalidha



Njëmijë guacka deti

Njëmijë guacka deti blegërijnë brigjeve, kullotur në
bunacë

Kopshte haruar brigjeve duke pritur jaseminin e prillit
 dhe yllin e portokallit
Kopshte haruar brigjeve duke pritur gjethin e shpirtit
 të limonit.
Të gdhijnë zogjtë e puthjeve nëpër çarçafë pulëbardhash
Të hyjë nga lesa e anëdetit erëmimi i mandarinave
duke i kapur në flagrancë të dashuruarit e puthjes.
Kopshte  haruar brigjeve pas asteriseve natore dhe paqes
 enigmatike të puthjeve

Njëmijë guacka deti blegërijnë brigjeve, kullotur në
 bunacë buzëpërgjakura prej  puthjes.


Kepi i Palladës


Nata theu ditën në kep të Palladës
Dita si somnambul i vërsulet natës.

Nga plagët e tyre kanë çelur shegët
Nga dhimbja e tyre fërfëllijnë shtërgjet.

Jasemini

O, ç’marrëzi, zjarr mori jasemini!
O, ç’tmer, venitet jasemini!
O, ç’fat, pak orë rroka jasemini !

Po si nuk i ka ngjarë amarandusit ?!..

8 Poezi nga Kostas Mondis.



Përkthyer nga Niko Kacalidha


Vajza me të bardha


Ç’u bë ajo vajza me të bardha
Që e dashuruam për dy javë në këtë anëdet?
Ç’u bë ajo vajza me të bardha
Që e lamë pa gjumë për dy javë në këtë anëdet?
Tridhjë vjet emrin ia kanë shuar
Tridhjetë vjet ia paskan prishur formën.
Ç’u bë vallë?



Dallëndyshet


S’ka rëndësi në se janë dallëndyshe
të tjera,ato që erdhën.
S’ka rëndësi ç’u bënë ato të vjetëshmet.
Rëndësi ka që “erdhën dhe sivjet dallëndyshet”,
Rëndësi ka që zërat e dallëndysheve
përshkruan dhe sivjet lagjen tonë.


Pushtimi

O zot,ëndër e ligë le të jetë
Dhe të zgjohemi.


Përmendoret e heronjve


Druhem për qëllimin e vërtetë,
Druhem se është thjeshtë
Për të nxitur dhe të tjerët të vriten.








Një Akil i çuditshëm


Ky na qënkish një Akil i çuditshëm!
Shfuqizoi pavdekësinë
dhe shkroi dhe në thembrën tjetër
dhe në fytyurë dhe në kraharor:
“Të vdekëshme, të gjitha të vdekëshme”.



Gjethet


Nuk do të kenë pranverë të dytë.
megjithatë shihni sa bukur bien,
shihni me çfarë ndjenje rënie bien !


Ndërhyrje te zoti.

E di. I kam shkruar dhe pres përgjigje.


Cirku


E mendoni mirë se ç’bëni
Kur duartrokisni shpotitë e natyrës?
E mendoni mikrë çfarë duartrokisni,
kur duartrokisni elefantin  me fund gruaje
dhe uturakun e natës?


Thursday, 23 February 2012

JANIS RICOS



Përktheu: Agim Mato


VARRET E TË PARËVE
Duhet t’i ruajmë të vdekurit tanë me çdo kusht, nga frika 
se një  ditë prej ditësh
do t’i çvarrosin të huajt dhe do të na i marrin. Atëhere
            pa mbrojtjen e tyre
rreziku do të ishte i dyfishtë. Si mund të rrojmë
pa shtëpitë, mobiljet, pronat dhe mbi të gjitha
pa varret e gjyshërve luftëtarë e të mënçur? Le të kujtojmë 
se  si spartanët grabitën fshehurazi nga Tegjeu eshtrat e
Orestit. Do të duhej
që armiqtë të mos e dinin ku i kemi varrosur. Po si mund
ta  dimë se cilët janë armiqtë tanë,
kur dhe nga do të shfaqen?
Jo, nuk duhen varre madhështore, zbukurime që bien në sy –
            gjëra që
tërheqin vëmendjen dhe cmirën e të tjerëve. Të vdekurve
këto as që u hyjnë në punë – radhë radhë, të urtësuar e të
heshtur, tashmë nuk duan kujdesë,
as pijen e preferuar të mjaltit, blatimet e lavdet e kota.
Shumë më mirë do të qe një gur i xhveshur, një vazo lulesh,
            një shenjë e fshehtë ose asgjë.
Ndoshta është më e sigurt t’i mbajmë brënda vetes, po të qe
e mundur
dhe shumë më mirë akoma as vet të mos e dinim ku pushojnë.
Kush mund ta dijë si do të rrokullisen punën në ditët tona? mundet  që vet ne t’i çvarrosim, t’i flakim tutje, në një ditë
të bukur.

20.03.1968
PAS DISFATËS
Pas thyerjes në Egospotami, dhe më vonë,
më vonë akoma, pas disfatës përfundimtare – lamtumirë
biseda të lira, lamtumirë udhëtime të ndritura
dhe lulëzim i artit, palestra dhe simpoziume të bukura
filozofësh. Tani,
vetëm heshtja e rëndë dhe poshtërimi zotëron në Agorà.
Gjithshka u bë në mungesë. Dhe asnjë
mundësi s’na u dha për t’u mbrojtur, për të bërë
            apologjinë,
dhe asnjë protestë, qoftë edhe formale. Në zjarr u flakën
letrat dhe librat tanë,
kurse nderi i atdheut në plehra. Dhe po të guxonim
            të kërkonim si dëshmitar
ndonjë mik të vjetër, ai nuk do të pranonte nga frika
            se mos vuante
të njëjtin fat si tonin – e me të drejtë, fatziu.
            Kurse ne,
këtu ku na degdisën, do ta shihnim nga kënd i ri natyrën,
duke kërkuar pas telave me gjëmba pak det, një shkëmb,
 pak  gjelbërim,
një re në perëndim, të kuqërremtë, emocionuese.
Dhe ndoshta një ditë do të vijë një Kimon që,
i udhëhequr fshehurazi nga shqiponja, duke gërmuar,
ka për të gjetur majën e hekurtë të shigjetës sonë,
të ndryshkur, të braktisur dhe ka për ta çuar solemnisht
në një kortezh zije dhe lavdije, me kurora e muzikë
            në Athinë.

 21.03.1968
ZHGËNJIMI I PENELOPËS
Nuk besoj që s’e njohu atje pranë dritës së oxhakut, as që
            e penguan
zhelet e lypësit, veshja e tij për t’u maskuar ... – shenjat 
            i pa qartë:
nishanin mbi gju, hijeshinë e trupit, dinakërinë e syve.
            E tronditur.
me shpinën nga muri, u tërhoq për të fituar pak kohë,
për të mos u përgjegjur, për të mos e tradhëtuar veten.
Vallë, për të i kishte shpenzuar kot të njëzet vjetët,
pritja dhe ëndërrat e njëzet vjetëve për këtë fatzi
të përlyer me gjak e mjekërthinjur? U shëmb mbi një
 karrike,
rrotulloi sytë ngadalë mbi pretendentët e saj të vrarë e të
shtrirë  mbi dysheme,
sikur të shihte dëshirat e saj të vdekura. “Mirësevjen”, tha,
            duke dëgjuar zërin e vet
të largët e të huaj. Nga një qoshe, avëlmendi i saj
lëshonte në tavan një rrjetë hijesh. Dhe gjithë zogjtë që
pati endur tashmë
me fije të kuqe, të ndezuar mes gjethnajës së gjelbër,
brënda pak çastesh në këtë natë të kthimit, u bënë të hirtë,
            u nxinë
duke fluturuar ulët në qiellin e rrafshët të durimit të saj
            të stërmadh.

21.09.1968
FESTË E SHENJTË

Vendosëm: Të mos çohemi këtë vit. Boll më. Kotësi idiote.
Përse ta prishësh rehatin? Në fund të fundit, përse të bredhësh natën, me pishtarë, duke u përplasur nëpër gurë,
 pa mundur të marrësh vesh
kuptimin e këtyre simboleve boshe – ngritjen e kasolles së
 drunjtë
proçesionin mistik me një fëmijë, shigjetën që vërshëllen
 dhe ngulet në portë,
pastaj djegjen e kasolles dhe vrapin e çmëndur të njerëzve
 drejt tempullit,
pa mundur dot të kthesh as kokën. Dhe më pas bërjen e flive, kthimi mbrapa  të ngarkuar me dafina. E njëjta gjë
 çdo nëntë vjet,
e  njëjta gjë ( ndoshta për të harruar një çast hallet – dhe i
            harron vërtet) Eh, jo,
këtë radhë nuk do të lëvizim asnjë hap – ja, kështu
            vendosëm.
Mirëpo, si ndjemë së largu
daullet e natës, dhe sjellësit e pishtarëve kaluan pa zhurmë poshtë shtëpive tona, nuk e frenuam dot ngasjen, u lëshuam
tatëpjetë rrugës, duke u ngjeshur mes turmës,
morëm pjesë në zjarr, në ikje, në fli e u kthyem nëpër rrugën Pitike të Delfit, aq sa nuk ngeli kush pa u kurorëzuar
 me to –
dhe ishte një trishtim dhe krenari së bashku, që askush s’e
 dinte pse, dhe të gjithë
ishin të pushtuar nga këto ndjenja – Ende tymonte kasollja
 në agim. Duke u kthyer
ne shikonim qiellin, të qartë, ngjyrë qumështi, të kaltër, të
 kuq; shikonim në shesh
flamurkat e shkelura prej letre, një sandale fëmijësh, një
 shamizë me spermë,
shikonim të qetë, të shtangur, pa shprehur kënaqësi apo
 velje,
me një lumturi të lodhur, të hutuar nga pagjumësia,
si aktorët që kanë hequr makiazhin dhe ikin rrugës pas një
 shfaqjeje të bukur,
duke ndjerë si në përgjumje poteren e kotë të
            duartrokitjeve,
dhe një bezdi, në se u ka ngelur në fytyrë pak ngjitës nga
 mjekra
e Edipit apo Prometeut, ashtu madhështorë, të lumtur sërish
            këtë natë.

23.10.1968