Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Sunday, 30 June 2013

Timo Mërkuri, ky det që nis te zemra …




Thanas Dino:-Intervistë me poetin dhe studiuesin Timo Mërkuri





Pyetje:-Kisha menduar për titull të intervistës disa variante si psh; Timo Mërkuri në …libra me vjersha, në…. përmbledhje me këngë popullore dhe në ...libra me studime, por ja që më pëlqen ky varg i yti dhe e zgjodha  per ta vënë  në titull. Besoj se mund të bisedojmë për çfarë të duam, apo jo?

Përgjigje;-Faleminderit që e nise bisedën me një varg timin. Kjo është mënyra më e mirë për ta ‘’robëruar’’, për ta bërë për vete një poet. Dhe me që unë u bëra ‘’robi yt’’  tashmë,  do t’u ‘’bindem’’ kërkesave tuaja,  gjer në momentin që do ‘’revoltohem’’ dhe do ‘’ngre krye’’. Por gjer sa të vijë ai moment, do derdhë shumë ujë në det lumi i Bistricës. Pastaj, bisedat me ty, janë vërtet një kënaqësi për këdo, e jo më për mua,  që i kam provuar.

Pyetje; -Edhe pse ju njohim, po ju pyesim; Kush jini ju?

Përgjigje;-Unë jam Timo Mërkuri… dhe prapa… s’më vjen historia. Jam unë ai që vrapoj pas historisë dhe historive, (si bleta pas luleve), për të vjelur prej tyre ‘’nektarin’’ e për të prodhuar mjaltin e poezisë. Dhe këtë mjaltë  prodhuar viteve, e kam derdhur në  katër vëllime poetike (pa përfshirë  këtu një vëllim të përkthyer në greqisht), tre vëllime me sprova e studime për iso-polifoninë, novelën “Thomai që mbolli kripë”, librin me  esse “Epoka që verbon poetët”.
Kam hulumtuar, mbledhur e botuar, shoqëruar me shënimet përkatëse nja katër vëllime me këngë,vaje e bejte pilurjote etj, etj.
Tani më thuaj ti, a të ka pëlqyer ‘’mjalti’’im, apo si gazetar pëlqen vetëm ‘’të thartat’’.

Kam lindur në Sarandë dhe këtë e konsideroj një fat të madh. Jam diplomuar për financë dhe kam punuar dhe punoj në sektorin e financës.

Pyetje:-Ç’kanë të përbashkët financa me poezinë?

Përgjigje:-Për ju, asgjë. Për mua financa është një poezi më vete, që të  habit me konçizitetin e saj. Në ato  pak faqe bilanci, në ato shifra renditur me skrupulozitet, unë lexoj  rezultatin e një pune periodike (mujore, tremujore apo vjetore) të  një grupi njerëzish. Te kjo poezi nuk ka fjalë, aty ka shifra që flasin. Por edhe te pentagrami,  janë notat që flasin, teksti është komentues....

Pyetje;-Ç’do të thotë të jeshë nga Piluri?

Përgjigje;- Kur isha i vogël, dëgjoja shpesh të thoshnin ‘’hajdut nga Piluri’’ ose ndonjë tipi ngatërestar,  plakat e lagjes t’i thoshnin;-Ti more djalë do keshë në bark ,ose shejtanin ose ndonjë “pilurak”. Unë nuk i kuptoja çdomethënie kishin, aqë më tepër që  unë kam lindur në Sarandë dhe vizitat e mia në Pilur kanë qënë të pakta, kjo e kushtëzuar  nga problemet ekonomike familjare, në fëmini e rini dhe nga largësia e punësimit, më pas. Por për fat të mirë, në s’vajta unë në Pilur, Piluri  erdhi ai tek unë me gjithë madhështinë dhe humanizmin, legjendat  dhe përrallat, trimërinë e zgjuarsinë e tij. Erdhi e më mbuloi të tërrin.  Në fëmini,  atë ma solli në Sarandë gjyshja dhe nëna, me këngët e përrallat, të cilat edhe sot nuk i kam haruar dhe i kam cituar  nëpër librat e mi.  Pastaj, çuditërisht, gjeta Pilurin  e këngëve dhe rapsodëve dhe atëherë ndjeva, më shumë se sa e kuptova, se unë gjithnjë kam qënë në Pilur, ndonëse jo fizikisht.
Të mësosh se edhe Zeusi  flet me fëshfërimën e  lisave  të Pilurit, të mësosh e të ndjesh se je pasardhës i një fisi të lashtë, tejet të lashtë, aqë sa të të ketë mbetur  edhe emërtimi ‘’bir i këmbëcjapit’’, duke nënkuptuar në këtë Panin e Madh, kjo  ndjenjë  të vë para një  përgjegjësie morale. Është si të jeshë duke mbartur  një thesar në shpinë, të cilën do ta shpiesh  të pacënuar diku larg, nëpër kohëra. Qoftë edhe duke ecur përmes  njerëzve  që të ngacmojnë.
Të jesh pilurjot është  edhe si të mbash një amanet të shënjtë, jo thjeshte si trastë në shpinë, por si pjesë organike, pikërisht në gjakun tënd.
Më pas, duke njohur historinë e Pilurit, fshatit të djegur tre herë vetëm pse nuk pranoi të   ndëronte fenë,  fshatin  e aqë trimave, kapedanëve e kuvendarëve, vetkuptohet që të ritet ndjenja e krenarisë së origjinës.
Duke shkruar për Pilurin, në një poezi them;
Në këtë majë mali  u ka hije/Të  bëjn’ kuvend a të këndojnë/Vetëm poetët dhe …perënditë/ Këtu i kemi ne shtëpitë.
Vetëm katër vargje, por s’besoj se duhen më.

Pyetje;-Po të jesh poet nga Piluri?

Përgjigje;-Më kupto, të lutem. Në Pilur, vetëm në shekullin që lamë pas, kanë krijuar   mbi tetëdhjetë rapsodë, të nivelit të lartë, që u kanë rezistuar kohërave..Ose që të jem më i saktë, nga hulumtimet e mia, që u përkasin vetëm kohëve të vona, kam ‘’takuar’’ kaqë rapsodë  dhe krijimet e tyre. Poezia është pjesë e jetës në Pilur.Të folurit e të ngacmuarit me bejte, vajtimet e famëshme të grave e plakave pilurjote, të vlerësuara  kudo,  janë si tempuj të shënjtë . Nuk është e lehtë të hysh e të pranohesh si poet në mjediset poetike të tilla, gati gati aristokratike. Po të sqaroj diçka  për ta kuptuar, duke marë shëmbullin  nga ceremoniali i vajtimit me ligje. Në qoftë se në një mort, një vajtore nis e  ligjëron dhe e ngre, e vlerëson më shumë nga sa duhet të ndjerin, vajtoret e tjera, me vajtimin e tyre të mëpasëm e korigjojnë menjëherë lartësimin e pamerituar të vajtores së mëparëshme dhe këtë korigjim janë gati ta mbrojnë edhe me sherr, edhe brenda shtëpisë së mortit.
Kur kushte të tilla të vështira u vihen, ose më saktë u vetëvihen rapsodëve, bejtexhinjve apo vajtoreve, duhet të kuptosh që poetëve u kërkohet shumë më shumë.

Pyetje:-Po në Sarandë, si është klima  letrare?

Përgjigje:-Në Sarandë klima është e ngrohtë. Nuk e kam fjalën për këtë pragsezon plazhi, por për klimën letrare…

Pyetje:- Më fal që të ndërpres, por dua të sqaroj diçka që kam dëgjuar. Thuhet se në Sarandë jeni mbi 80 poetë që…

Përgjigje:-Boll me këto statistika bufatorike, që të kujtojnë …rendimentet në parcelat e misrit të N.B.Vrinës, dikur. Pse ç’janë poetët, misër që mbillen në parcela eksperimentale, me kubikë e pa kubikë. Më kujtohet me këtë rast Basho, i cili diku ka thënë se një komb është fatlum, në qoftëse në një shekull nxjer një poet të madh.…Një qytet  duhet të ndjehet i nderuar në rast se një poeti, bir apo bijë e tij, i kujtohen pas disa vitesh katër apo pesë poezi të tij. Madje  ka detyrimin moral t’ja kthejë borxhin e ..nderit.

Pyetje:-…mbi këtë shifër mund të shtoj edhe mbi 200 libra të botuar…

Përgjigje:-Nuk po miremi vesh, më duket. Unë të flas për poetë dhe poezinë, ti më flet për libra të botuar dhe vargje të shkruara…Më kupto miku im. Çdo gjimnazist i ka bërë një poezi dashurie shoqes së bangës ose shoqes tjetër, dhe çdo gjimnaziste i ka derdhur në vargje emocionet e pritjes,takimit, puthjes dhe zhgënjimit të parë, por ata nuk qenë dhe nuk u bënë poetë dhe ato vjershëza nuk janë poezi. Të gjithë pensionistët shkruajnë kujtime dhe bëjnë bejte, madje dhe i botojnë me kushtime dhe amanete, por nuk janë  as shkrimtarë dhe as poetë.
Le të ta sqaroj pak më ndryshe. Të gjithe ne vemi në kishë, në pashkë e krishlindje, ndezim qirinj, lutemi, marim naforën e bëjmë kryqin dhe këndojmë hymne e lavdërime fetare... Por ne jemi thjeshtë besimtarë, ndonëse jemi gati njëmiliardë njerëz. Ne nuk jemi as shënjtorë dhe  as profetë  dhe askush nuk pretendon që është Jezusi. Ai është një dhe i vetëm, madje edhe në shkrimet e shënjta  ai  quhet “I vetëmlinduri”. Kështu dhe poeti, në mes të një mase të madhe  lexuesish, recitueshish, shkruesish (shpesh grafomanë) është një i vetëm. Shpesh herë është ai, i heshturi, i drojturi.
Mund të keshë shkruar …tetëdhjetë libra poetikë…dhe të mos jesh poet, ashtu si shpesh mjafton vetëm një vëllim poetik, që të tronditë botën letrare dhe ti ndryshojë orbitën globit…poetik.

Pyetje: Po ti, ku je?

Përgjigje:-Unë? Unë kam ca  vite që kam marë rrugën për të shkuar te Tempulli i Poezisë. Për të bërë një lutje a për të bërë një …fli. Për P(oezi)erëndinë. Ky tempull qënka në majëmali dhe shtegu qënka i ngushte e i  thiktë. Shumë kanë mbritur para meje. I dëgjoj  këngët (himne dhe lutje)  dhe e ndjej  aromën e “flive” të tyre, siç ndjehet në oborin e kishës, aroma e qirinjve të ndezur. Unë  ngjitem. Nuk e di  në do arij dot te obori i këtij tempulli, por dhe në mbritsha, do trokas te porta e tij, të cilën, nuk e di në se do ma hapë ndokush, ndonjëherë.
Këtë doje të dëgjoje? Dakort, është dhe kjo një pjesë e të vërtetës, madje finalja. Por në fakt ka dhe një anë tjetër, më njerëzore. Poezia, në veçanti dhe shkrimtaria në përgjithësi është  shndruar në një farë oksigjeni për mua. Unë nuk shkruaj, që të më shohin të tjerët që shkruaj e të më vlerësojnë. Unë shkruaj, sepse nuk mund të ri pa shkruar. Ashtu si çdo njeri, që s’mund të rojë pa thithur oksigjen.
(Më duhet që  t’ju them se shprehja në korsiv, nuk është e imja, por e një poeteje, dhe unë e citova motamo, në respekt të  shënjtërisë  që ajo përmban dhe të faktit që është  shprehja më konçize e të  vërtetës sime.)

Pyetje;-Ç’mesazhe përçojnë librat e tua me poezi?

Përgjigje;-Më  kanë thënë se poezitë e mia kanë shumë  dhimbje, shumë trishtim, ka shumë lot nëpër to. Po a s’më thoni, si mund të mos derdhë lotë poeti në trazirën e ’97, kur më shumë shihnim makinën e  varrimit të ecte rrugëve  të qyteteve se sa taksitë. Kush do këndonte këngë gazmore ndërsa numëroheshin ditë për ditë viktima njerëzore.
Pastaj unë kam një mendim tjetër për poezinë. Poezia e vërtetë është poezia e dhimbjes, jo poezia entusiazte. Edhe simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga shigjeta. Mendoj se dhëmb edhe gishti kur çpohet me një gjemb e jo më një zemër e çpuar nga shigjeta. …Një dashuri që ska lotë, nuk është dashuri…thotë një fjalë arabe.
 ‘’Dhimbja  është banore e qytetit tim’’  është vargu i parë i librit tim të parë.
Duke kënduar për të, unë ftoj gëzimin njerëzor të vijë  e të bëjë si zog, folenë te pema e dhimbjes. Duhet ta njohësh dhimbjen që të kërkosh lumturinë.Për vete e për të tjerët.

Pyetje;-Si do e karakterizoje  poezinë tënde?

Përgjigje;-Unë mendoj se poezia ime është aktuale. Por ju  dhe lexuesi duhet ta dini më mirë. Unë e shkruaj, ju e vlerësoni. Unë ua jap ‘’mjaltin’’ e lotëve të mia, mos ju duket shumë i kripur? Se i sheqerosur e di që nuk është.

Pyetje;-Ç’lidhje ka poezia jote me artin popullor,( iso-polifoninë) dhe si rri me të  e ndaj tij?

Përgjigje;- Ç’lidhje ka drita me lumin, që buron rrëmbyeshëm teposhtë, hyn nëpër turbine e përsëri del e përfundon në det? Në pamje të parë  s’ka lidhje fare.
Në pamje të parë poezia ime s’ka asnjë lidhje me artin popullor, me krijimtarinë popullore, qoftë ajo edhe në prozë. Unë kam vjersha të shkurtëra, populli ka  rapsodi të gjata.Unë i kam në varg të lirë, populli i ka në vargje të rimuara.
Por ka një gjë që harohet. Dhe më kryesori. Njeriu dhe shpirti i tij. Unë jam Brgedetas, jam pilurjot dhe në vargje derdh shpirtin tim bregdetas, pilurjot. Pavarësisht në se i derdh në vargje të rimuara apo  vargje të lira. Unë jam aty , në mes të librave, në mes të vargjeve, me brengën, hallet e dertet e mia. Që nuk janë thjeshtë të miat, personale.
Janë hallet e dertet e  kohës dhe të kohrave, të kombit e të kombeve.

Le të bëjmë një  largim nga unë dhe ti bëjmë një vizitë Fatos Arapit, psh. Fatos Arapi është një poet modern, që i përket të ardhmes, pavarësisht se shkruan sot. Vargjet e tija të lira s’kanë asnjë lidhje me vargun tradicional të poezisë popullore. Por po  të lexosh me vëmëndje poezitë e tij, sidomos ciklin kushtuar vëllait të tij, Vllas Arapit, për mënyrën se si shprehet e trasmetohet dhimbja njerëzore, të krijohet ndjenja se je duke lexuar(dëgjuar apo vajtuar) vajet e nënave labe dhe bregdetase. Vetëm një “sistemim” mund t’u  bëhet vargjeve të tij dhe të çfaqet para teje një vajtim. E pra, në shtratin e lashtë (të artit popullor) rrjedh rrëmbyeshëm lumi ( i fryrë )  i poezisë moderne të tij. Diku shtrati është më i “gjërë” apo më i “ngushtë”, diku në brigje kanë mbirrë rrepe apo shelgje lotues, diku koha  ka ndërtuar “kaskada”, por gjithësesi, lumi rrjedh teposhte e derdhet në det, i pastër e i kthjelltë, pa baltovina nëpër të. Prandaj është kaqë e bukur poezia e tij.

Shiko miku im, poezinë e Ali Podrimes. Në dukje, një poezi e largët, me vargje të “çuditëshme”.  Por ajo, poezia e tij, nuk është gjë tjetër, veçse shpirti  i poetit (dhe i popullit të tij) që reh me ritëm të shpeshtë, të mbytur nga gulçet e dënesat e fshehura mes vargjeve. Po ta lexosh me vëmëndje, të duket se në çdo varg, ai ka vënë një copëz zemre, të zemrës së tij të coptuar nga fatkeqsia (personale dhe kombëtare).
Dhe këto copëza zemrë nëpër vargje, ende janë të lidhura me njera tjetrën me nerva e damarë dhe rahin si një e tërë në gjithë krijimtarinë e tij.
E pra, të thuash se ç’lidhje ka poezia e këtyre dy viganëve modernë me artin popullor, është si të pyesësh se çfarë lidhjeje kanë mes tyre vera me vreshtin, vetëm e vetëm se e para është e amballazhuar mirë e bukur në shishe dhe tregëtohet nëpër restorante moderne, ndërsa vreshti është aty, në një shpat mali, në shi e në borë, me baltë e barishte nëpër rënjë dhe shpesh herë, edhe me insekte besdisëse nëpër gjethe.

Pyetje;-Pse u hodhe në studime të isopolifonisë, bile pa kaluar nga proza?

Përgjigje;-Këtë nuk e di as vetë saktësisht. Vlerësimi i iso-polifonisë si kryevepër e njerëzimit dhe marja e saj në mbrojtje nga UNESCO më gëzoi pa masë. Mendo dhe vetë;U shtua  edhe një kryevepër e njerëzimit që populli ynë i jep botës, krahas Butrintit, Beratit e Gjirokastrës. Pra, brenda një sipërfaqeje  afro dhjetëmijë kilometra katrore, populli ynë ka  katër kryevepra të njerëzimit, të njohura e të çertifikuara. Nuk di ndonjë  vend tjetër me një dëndësi të tillë gjeografike kryeveprash. Çertifikimi i iso-polifonisë  është vërtet një vlerësim për popullin tim. Po kur dëgjova se disa studiues, fatkeqësisht shqiptarë, filluan ta sulmojnë me argumente jo serioze si psh, jo po pse u quajt iso-polifoni kur ne e kishim mirë polifoni, jo po pse nuk na pyetën edhe ne etj etj, atëherë, pa  ju futur studimeve teorike, fillova të hedh në letër mendimet e mia, duke i argumentuar me shëmbuj konkretë të jetuar, kryesisht të marë nga bregdeti dhe  veçanërisht nga  Piluri. Kjo më diktoi  që këto shënime ti trajtoja në formën e sprovës dhe jo në formën e studimit akademik. Mandje në librin “Vesa mbi këngë”, këto tema i trajtoja më shumë në formën e një tregimi, gjë që solli dhe leximin dhe përthithjen massive të tyre, ndryshe nga çmund të ndodhte po të qenë studime të tipit akademik, ku lexuesi do qe një numër i kufizuar.
Pastaj, kureshtja është sëmundja  më e njohur e poetëve dhe studiuesve. Kureshtja se si  ka ardhur kënga nga vajtimi,  apo si fluturon shqiponja e këngës në qiellin e isos, si ka shtegëtuar kënga nëpër shekuj, si është krijuar vallja, e gjer edhe te zakonet e kanunet, këto janë shpella që duhen ekploruar nga studiuesit e folklorit dhe duhen  ditur e përthithur nga shkrimtarët e poetët.
Pastaj, arti popullor është një shkollë e pazvëndësueshme e shprehjes dhe konçizitetit të shprehjes artistike. Le të shohim, psh vargjet e një këngë, për një nuse të re, ardhur në vizitën e parë pasmartesore në shtëpinë e të jatit. Dikush e pa, ashtu të stolisur me  unaza e  zinxhirë floriri dhe këndoi… Ky zinxhir i hollë larë më flori/as na fol një fjalë si në vajzëri… Dy vargje janë, por sa dramë, dhimbje e brengë mbajnë nëpër gërmat e tyre. Do duheshin vëllime të tëra për ti shpjeguar teorikisht. Pra,shih sa qartë,shkurt dhe artistikisht flet populli.Kemi ç’të mësojmë, apo jo.

Të kaluarit nga proza për te studimet ska të bëjë fare. Për tu larë në det mund të hidhesh nga ndonjë gur, nga një varkë, mund të futesh me këmbë etj etj.

Pyetje;-Sa e kanë pikturuar poetët e Sarandës Jonin dhe sa është dhënë në përgjithësi në artet tona Mesdheu?

Përgjigje;-Të kuptohemi, s’ka rëndësi sa e kanë pikturuar poetët  sarandiotë Jonin e Mesdheun. Ata ditë për ditë shkruajnë e  flasin për Sarandën, Jonin e Mesdheun, por ka rëndësi si shkruajnë  për Jonin e Mesdheun, si e pikturojnë atë. Ajo që ka rëndësi është fakti se sa  u ka hyrë në shpirt, në jetën e tyre, në botën e tyre Joni dhe Mesdheu. Sa jonianë dhe mesdhetarë janë ata, sepse kur thua Joni dhe Mesdheu ke thënë Europa, kultura,dija, përparimi, civilizimi etj etj. Mund të banosh pranë Jonit dhe të jesh banor i prapamaleve. Mund të vish pranë Jonit dhe Mesdheut me kanun, koncepte e botë  të ngushtë provinciali, të jetosh e të vdesësh pranë Jonit e të mos marësh vesh se ke humbur një botë të ndritur e të madhe.
Mund të vish edhe si  shtetar i plotfuqishëm, psh në Sarandë dhe të kapardisesh e të thuash psh ; -Do ta bëj Sarandën të këndojë me çifteli, apo të këndojë  vetëm labçe.
Këta mjeranë nuk e kuptojnë se e kanë humbur që në fillim Sarandën, Jonin e Mesdheun. Nuk bëhesh dot qytetar pse  shite dhëntë e dhitë dhe bleve një “kullaro” e një kostum.
Ky është problemi more mik.A bëhemi dot jonianë e mesdhetarë, europianë. Për veten tonë, jo për botën. Pastaj vetkuptohet që do shkruajmë si jonianë për Jonin e si mesdhetarë për Mesdheun dhe sidomos do shkruajme, do mendojmë , do jetojmë e do punojmë si europianë për Shqipërinë Europiane. Dhe duke i dhënë shpirtin tonë jonian artit tonë, fjalës sonë, vargut tonë poetik..
Këtë objektiv ka edhe Klubi i Krijuesve të Artit Jonian, Ky është në thelb ajo që ne e quajmë Arti Jonian. Jo Arti Jonik i antikitetit, por Arti Jonian i kohës  dhe jetës sonë moderne, me ritme e vizione.
Unë do tju ftoja ta mirni poezinë e miqve të mi, psh Agim Matos, Andrea Zarballa,Niko Kacalidha, Adriana Dhrami etj, dhe nëpërmjet vargjeve të tyre të shihnit botën. Ju siguroj që do shikoni një  botë magjike, që as në ëndra nuk e kini parë. Një botë  (moderne)që të magjeps e të mrekullon. Dhe të fton të bëhesh pjesë active e saj.

Pyetje;-Ç’krijimtari ka dhënë tema e kurbetit?

Përgjigje;-Kurbeti, kjo plagë  shekullore e popullit tim, u gëric përsëri e filloi të kullojë gjak, dhimbje, e …këngë. Populli ynë gjithnjë, edhe dhimbjet i ka përjetësuar nëpër këngë, qofshin këto dhimbje të ëmbëla dashurie, qofshin edhe dhimbje të rënda morti. Është një bibliotekë e tërë me këngët, apo më mirë me këngëvajet e kurbetit, e cila  fatkeqësisht dhe fatmirësisht,  ritet ditë për ditë. Them fatkeqësisht, sepse ajo tregon se vazhdon vuajtja e popullit tim në kalvarin e kurbetit dhe them fatmirësisht, se edhe sot në kohët moderne, bota shpirtërore e njeriut shqiptar, ka trokitur te laboratori krijues i këngëve të vjetra të kurbetit, për të  artikuluar artistikisht brengat, hallet e dertet e jetës së tij të përditëshme, duke riaktivizuar këtë laborator, i cili në të kaluarën ka dhënë perla të poezisë dhe këngës popullore dhe sot në kohët moderne, rezikohej të amortizohet nga mospërdorimi.

Pyetje;-Si do ta shihje dramën e një plaku të mbetur vetëm?
Përgjigje;-Vetëm këtë dramë s’dua të shoh më te asnjë njeri. Do dëshiroja të mos e shihja tek asnjë njeri mbi këtë dhe, pavarësisht nga  kombësia e tij. Kam shkruar për plakat  që ua bren ditët ndryshku i vetmisë, kam shkruar për pleqtë që vdesin duke pritur, pleqtë tanë të mbetur vetëm, dhe të them të drejtën, e kam përjetuar dhimbjen rëndshëm. Por ta përjetosh artistikisht dhe ta jetosh realisht, është një det me lotë në mes, dhe unë s’dua të lundroj  nëpër të.
As me anie luksoze.

Pyetje;-Sa njihet dhe sa jeton në kulturën e përgjithëshme të vendit krijimtaria dhe kultura jonë lokale ose rajonale?Ç’mund të bëjmë më mirë?

Përgjigje;-Nuk ka kulturë lokale, nuk ka kulturë rajonale. Ka kulturë, ka art, ka stil të shkruari, të pikturuari, të vallzuari, të kënduari etj etj. Po ju donit të thoshnit, plot dashamirësi, për krijuesit që  jetojnë e krijojnë në ‘’rajone apo lokale’’, qytete  provicialë  e ca më shumë nëpër fshatra, ku hapërsirat e shikimit artistik janë më të kufizuara. Ky është problem i vogël që zgjidhet  lehtësisht. Problemi është se sa këta shkrimtarë, poetë, piktorë në përgjithësi artistë, krijojnë vepra që, për nivelin artistik dhe mesazhin që  emetojnë i kalojnë hapërsirat gjeografike të vendbanimit të tyre. Sa vend zënë këta artistë dhe vepra e tyre në jetën artistike të vendit.
Ismail Kadareja lindi në Gjirokastër, por ai tashmë nuk është më i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me thënë që është i gjithë Europës e më tejë
Por ajo që ka rëndësi,në këtë  këndvështrim, është fakti se  ajo që quhet zakonisht ‘’krijimtari lokale’’, kënga popullore, po bastardohet  nga përpunimet dhe përpunuesit e këngës popullore, duke i shndruar shpesh edhe perlat e vërteta të  artit të popullit në ‘’xhingla arixhiu’’ pa vlerë e pa shije, thjeshtë për komercializëm. Këta janë barbarët e kohëve moderne, këta janë barbarët e artit.

Pyetje;-Sa jetojmë si krijues?

Përgjigje;-Po u fute në det, do lagesh i tëri. S’mund ta pyesësh  tjetrin që është në mes të detit në se e ka lagur këmbën e djathtë apo dorën e majtë.
Po u fute në detin e krijimit do ‘’lagesh’’ i tëri dhe do jesh i lagur sa kohë që do jesh në atë ‘’det’’. Shpesh herë poezia nis duke bërë një vjershë dashurie.Në këtë rast je një djalë fatkeq ose fatlum i dashuruar, por nuk je poet. Të jesh poet do të thotë të jetosh çdo moment të jetës poetikisht, të gjesh poezinë dhe artin edhe aty ku të tjerët shohin banalitetin. Dhe një debat ose konflikt  të rëndomtë, ta shohish si një fenomen artistik aktual apo në prespektivë. Është njësoj si dashuria. S’mund të thuash që do dashuroj të hënën e të martën dhe do bëj pushim të mërkurën dhe të ënjtën. Po të zuri dashuria e krijimtaria, të zuri të tërin dhe për gjithë kohën. Është si sëmundje. Mund të të dhëmbë vetëm koka, por këmbët s’bëjnë çap më tutje.
E pra, shërimi është që të sëmuresh i tëri e përgjithnjë.
Ilaçet nuk më bëjnë gjë… thotë një këngë popullore.

Pyetje;-Kur shkruan dhe si?
Përgjigje; Puna e zyrës bëhet me tetëorarsh, jo arti. Arti bëhet gjithnjë. Për tu shkruar, mos u habit po më pe ndonjëherë që të kem ndalur makinën në anë të autostradës dhe të jem përkulur mbi bllok.

Pyetje;Cilin poet mba për idhull, po prozator.

Përgjigje; Unë i dua dhe i respektoj të gjithë krijuesit dhe lexoj sa më shumë të mundem. Jo vetëm kaqë, por kam nisur edhe ti rilexoj shumë autorë dhe gjithnjë bëj zbulime që dikur më kanë shpëtuar. Nuk kam idhuj. Nuk i vë krijuesit në peshë për të parë kush është më i rëndë a më i majmë. Secili ka  portretin e tij, ka botën e tij, ka artin e tij. Floriri është flori pavarësisht se ku  hidhet nga ai që sja di vlerën.

Pyetje;-Ç’ke në shtyp dhe mbi se po punon?

Përgjigje:- Akoma do për ….mua.
 Zakonisht unë flas pasi e kam mbaruar punën.Tani porsa mbarova këtë intervistë, për të cilën ju falnderoj së tepërmi, juve  dhe lexuesit e nderuar që do kenë rastin të njihen me të.

Ju faleminderit.

Thursday, 27 June 2013

LIRIZMI ATDHETAR NE SINOPTIKEN E NJE POETI



Vladimir Muça

( Rreth  dukurive të reja lirike të poetit Agim Mato )

  produktet librare të hedhura sot në tregun e të shkruarit poetik, lirizmi erotik është dominant, rrallë gjejmë  libra të një lirizmi natyror, atdhetar, shoqëror, e aq më pak patriotik. Shumë më pak një lirizëm të konverguar patriotik- epikobalaidik. Një risi që e kërkon si domosdoshmëri  zhvillimet e reja të poetekës shqiptare, në kuadrin e një moderniteti, globalizmi kulturor, ku krijuesit, studjuesit, kritikët duhet t’a vënë në planet e para krijuese, në perceptimin e estetikave të reja lirike.
Nga librat poetikë botuar pas viteve ’90, në rrëmimtarinë për të gjetur në to risi, më tërhoqën vëmendjen nocionet  e reja lirike të Agim Matos, veçantitë që ato perceptojnë.
 Si kurrë më parë, në këto  vite të pos soc-realizmit  uni  lirik është bërë një imperative  në proçesin e krijimit poetik. Mirpo në kuadër të hapjes ndaj letërsisë gjithë- botërore, të rrymave që penetruan, lirizmi në tërësinë e tij e pasuroi shumëllojshmërinë, por njëkohësisht u bë pjesë e një poezie , të një lirizmi më universal. Lirizmi u shkëput nga ato elokuencat e salloneve, nga kishëzat e vogla, tempujt vetiak, nimfat, duke u larguar sa më shumë nga një fragmentarizim shpirtëror momental, nga të cilët me shumi, më parë është mbingarkuar.
 Të gjithë poetët, në sensin  përgjithësues, lundrojnë në një varkë; ndjejnë secili një farë peshe sugjestioni, trandjeje shpirtërore, angazhim drejt një prirje për të hulumtuar  çfarë fshihet nën dallgëzime valësh poshtë  kësaj varke. Secili krijon sinoptikën e vet në bazë të një kaleidoskopi shpirtëror, ndaj dhe vështrimi estetik bëhet i larmishëm, i vëmëndshëm ndaj përjetimeve shpirtërore e dramaticiteteve sociale; ndaj dhe në këtë aspekt lirik, si në gjithë vendet  që tashmë e kanë kaluar me kohë këtë traumatikë të lirizmit, poetët tanë jetojnë, punojnë, krijojnë në një botë dytësie. Ata qëndrojnë mes dy rrymave krijuese; një rrymë që ecën me konseguencën e traditave (hera herës në të shumtën të bërë tabu’); kjo rrymë mundohet të gjejë forca  e  t’a transfigurojë atë duke duke mos dalë nga klishetë; ndërsa rryma tjetër lidhet me ngopjen nga risitë e zhvillimeve kohore, hapjen e shtigjeve drejt horizonteve të reja të cilat nuk janë aspak ato shpirtërore të përvëluara, liqeneve kaltërosh, nemitës, apo maleve me borë.
 Mjafton të sjellim në evidencë prurjet surrealiste të ekzistencializmit , antikonfrontizmit, të vullnetit që spikat sot në poezinë e re, në ligjërimin e çliruar nga caqet e vendosura si  në vrapimin me pengesa, aftësinë poetike të shumë-llojshmërisë lirike  për t’ iu përgjigjur me anë të imazheve të reja, shkaktuar nga ankthet shoqërore  e i dilemave që shtron fati i vazhdimësisë jetësore???
   Këto dilema bëhen më drithëruese se kurrë sidomos sot, në stadin e domosdoshmërisë të zhvillimit të një revolucioni lirik, krahas vënies në pikëpyetje të misionit e fuqisë të poezisë lirike, e cila po vetëkatarsohet  që prej fillimit të shekullit  të 21- të në vendin tonë, po aq sa dhe formatet e tjera shkrimore.
 Çfarë është poezia lirike? Lojë ndjenjësore, ushtrim shpirtëror, reflekse subkoshience, letërlakmues për njohje, angazhim  në zhvillimin shoqëror, diçka hyjnore që zbret nga qielli si suret në mendjen e “Muhametit”, apo ar vese që “pikon yjet”, apo është diçka që buron nga mendja njerëzore si aftësi për të kontrolluar gjithçka e mundësi prefernciale në interpretimin e tyre!?
Me flakjen tutje, “ arratisjen” nga klishetë e soc-realizmit, mbas viteve ’90, çdo poet është i lirë t’u përgjigjet sipas mënyrës, mundësisë e aftësive personale këtyre pyetjeve që aktualisht  në vendin tonë janë eminente. Kjo do të thotë se poezia lirike sot po merr pjesë në kërkimin e shumë-llojshmërisë së saj, në veshjen e kostumit të një moderniteti të ri, sfilimin e shumë lloj stileve.

***
 Si shumë të tjerë, edhe poeti Agim Mato, me këtë udhëtim lirik përpiqet të çajë murin e fjalëve tabu’, të bëjë qilizmën e një një ligjërimi dhe ta shtrojë atë me një vreshtari lirike, me lloje rrushi lirik për raki, për verëra, per trapeze, por dhe për uthull, që të thartojë turinjtë e atyre që akoma këndojnë “babaqemon”.
 Për këtë poeti shpik esencat lirike me anë të mjeteve shprehëse, metaforat, simbolet, krahasimet, similitudat, tropet, me qëllimin e vetëm që lirizmi i tij të jetë i kudondodhur në aventurën e jetës njerëzore.
 Në tërësinë e vet, materiale  librare e krijuar me ngjyra realiste, me patose sociale, e ka jetësinë e gjatë, sepse ajo përkon me shpirtin e popullit, se në këtë materie librare, populli sheh vetveten.
 Kur lexon produktet poetike të Agim Matos, të duket sikur lundron në një oqean kohor, ku hera herës tsunamet shoqërore ngrejnë dallga marramendëse e arka e “Noes” mendimtare tretet horizonteve për ankorimin e shpresave.
 Kjo kohë, tek poeti, identifikohet si  një iracionalitet, si kapje e çasteve ëndërrimtare të brigjeve, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë nëpër  ckërkat dhe fundot, dhiaretë e vendlindjes, Shpellës së Pëllumbave, nëpërmjet imazheve të pashlyera nga kujtesa fëminore, si  një kohë e kapshme e një dashurie të përjetshme mëmëdhetare; si një kërkim i vazhdueshëm  i dashurisë dhe nëpërmjet një dhëmbjeje e nostalgjie, duke u mëkuar qoftë dhe me jehonën e saj.
   Dashuria universale, hera herës, tek Agim Mato vjen dhe si një ndjenjë misterioze, konceptuale, e vështirë me ashpërsitë e saj, por e ngrohtë. Kjo vjen nga që autori përfshihet nga një rezonancë me kumtet e tij patriotike, sociale e etnike, por gjithnjë pa iu larguar thelbit të lirizmit: që është manifestimi i të bukurës në artin e të shkruarit.
    Lirizmi i Agim Matos ka gjakun dhe shpirtin e mbarë popullit,  gjak që i vlon nëpër damarë. Në të gjejmë rruaza të kuqe të patrazuara  nga leuçemia e soc–realizmit, gjejmë plazmën që mund t’a shërojë përfundimisht këtë leuçemi, e të ecë si kadëne në pasarelat poetike të botës letrare. Ajo vjen e demokratizuar, ku me epikën, dramacitetin, balaidikën, depërton thellë e më thellë në artin poetik të kohës. Kaleidoskopi i këtij lirizmi, njëherazi  del me gjithë tonet, tematikat, e nuancat që i jep koha. Ky proces shkëputjeje nga format klasike nuk ka qenë e vazhdon të mos jete një proces i lehtë. Ajo i degdisi në burgje e internime shumë e shumë poetë bashkë me autorin e “ Jashtë eklipsit” dhe “ Fundo “- s.
   Por Agimi, stoik në subkoshiencën e vet, si murgu Atos, për 35 vite luftoi në radhë të parë me vetveten, për të shprehur e derdhur në një materie librare, atë ç’ka ia diktonte shija e tij estetike. Besoj se në këtë rrugëtim ai pati bashkëudhëtarë si Frederik Reshpja, Moikom Zeqo, Skënder Rusi, Koçi Petriti, Vangjush Ziko, Petraq Risto, Mujo Buçpapaj, të cilët të rrëmbyer nga ky sharm lirik edhe sot luftojnë jo më pak se para viteve ’90 me “poetët e oborreve” të partive politike. Falë zotit, këta “poetë oborresh” janë të paaftë, janë si ajo egjëra në grurë, e triori i kohës do t’i veçojë për në kaden e plehrave si të panevojshëm për të brumuar bukën e re poetike, që kërkon sot koha dhe intelekti i  lexuesit të sotëm.
    Në sinoptikën lirike sot po shfaqet një sistem i ri, i cili jep e merr me heronjtë lirikë, mishëron portrete shpirtërore të gjyshërve, prindërve e të bashkohësve. Kjo mënyrë e proçesit të përgjithësimit ideatik, konkretizimi i kapjes fort pas atdhetares, për nga mesazhi dhe niveli artistik që përmban , kap jo vetëm lirikën e virgjër, por dhe nocionet balaidike e epikën  në një kuadër të ri historik.
   Me poezitë “Shishja“, “Dashuri e vdekur”, “Gjaku i luleve”, “Bunaca” , “Saranda” ,”Varrimi i kapidanit”, “Gjimnazi  zbrazej nga vajzat e bukura”, poemën “Qafa e botës” , bindesh se frut i një konvergjimi artistik të stileve e estetikave është atdheatrizma, qëndrimi patriotik, por që gjithnjë ka qenë një qënie “ problematike” për kohën në një botë që degradohej , binte në humbella, por që merrte me vete dhe këto qënie poetike të brishta.
 Agim Mato këtyre qënieve ”problematike”,  të ”pabindur”  u fut në gji pathosin e së vërtetës, ëndërrën për ngadhënjimin e pozitives, nëpërmjet një iluzioni që ai e përjeton dita ditës, për 30 vjet, e cila në rrethana të caktuara që aludon poeti, mund të shndrrohen në diçka të vërtetë, reale e shumë e dëshirueshme.
 Ky është fondamenti i lirizmit patriotik që shpërvjel  korracat shabllonike të një lirizmi qaraman. Përmes vargjeve poetike, në to rrjedh një lirizëm i kulluar dhe një meditim mbi ngjarjet, fenomenet, sendet e njerëzit që rrethojnë poetin, natyrën me tërë qenësinë e saj. Poeti me një botë të gjërë shpirtërore, i  përcëlluar nga dielli i saçtë i jugut, çapitur rrugëve të vështira të jetës, ekzistencial, aspak i përkëledhur dhe i lajkatuar, por i përbuzur ndoshta  po!
Ndaj në lirizmin tepër konceptual, nisur nga këto përvoja të jetës, nëpër shkallaret e strofave, si karakoll qëndron përvoja e jetës, ku në dialogimet ndër karakolle, here pas here  ndihet një polemikë e egër, por e përmbajtur, larg moçaleve mbytëse, agjitative, larg tendencave fetishizuese.
     Do të përmendja poezitë: “ Në muzeun e vogël i mësuam të gjitha”, “ Kënga e Ceno Hajdinit”, ku autori me një nderim të thellë shpreh dufin e tij liriko-patriotik, në një kohë kur ka poetë me shumi, edhe të nderuar me tituj “ Mjeshtri i madh” që druhen të shkruajnë qoftë dhe një fjalë për “dëshmorët”.  E  çfarë është me keqja  edhe fjala “ atdhe” është hequr nga fjalori i tyre poetik, e i kanë mbushur lirizmat me “ eros”  e “ pubitqeros”, gjoja se po ecin me kohën. Harrojnë mjeranët se kanë mbetur mbi njëqind vjet mbrapa në trajtimin e artit lirik.
Duke analizuar produktet letrare të kohës, kritiku i madh V. G. Bjelinski , dilte në konkludime të qarta ideore dhe stilistike:
  ” Po mallkoj dëshirën time të poshtër për t’u pajtuar me realitetin e ndyrë. Rroftë Shileri i Madh, ky avokat fisnik i njerëzimit, ylli i ndritur i shpëtimit, çlirues i shoqërisë nga paragjykimet e përgjakëshme të një legjende. Rroftë arsyeja, poshtë errësira.” (V.G. Bjelinski . - Artikuj kritikë - Sh . B. Naim Frashëri, Tiranë, 1977.)
    Siç duket në përcaktimin e kodit lirik, të vetin, Agimi e ka mbajtur si një proklamatë ndriçimtare në tavolinën e krijimit poetik këtë diskurs ndërshekullor të kritikut të madh rus. Ndaj në stacionimin  lirik, në krijimtarinë poetike, Agim Mato, është tepër racional. Ai tregon nevojshmërinë e një produkti poetik të një: “ Lirizmi si shprehje e përjetimeve të brendëshme të njeriut, është i domosdoshëm  në çdo lloj vepre.” (Dalan Shapllo, -Parathënie e” Artikuj Kritikë” tëV.G. Bjelinskit, Tiranë 1977).
 Në këtë kontekst krijimet poetike tek vëllimet “ Jashtë eklipsit” dhe “ Fundo” janë aq shumë vegjetative, gjelbërake, plot ndjeshmëri, ndjehet një interference, ndërlidhje e një epizmi ku lirizmi është multivalent, me ngarkesa shoqërore aq të domosdoshme për një civilizim të ri të epikës së trashëguar ndër breza.
 Heroi lirik në to rri pezull, si agu mëngjezit që sapo ka shkrepëtitur në mugun e natës, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Ky vezullim  agimor, me tonet më të pastërta të kujtimeve, dritëson në poemën “ Qafa e Botës” ku:
“ Nga të gjitha anët dheu më pëshpëriste me mijra
                                                                                    zëra
dhe shpirtin  e ndjeva të vinte si brumi në magje”
Se :
“Lumi kish ardhur dhe me brirët e vet u binte
  këmbarëve të urave.”
   Gjithçka është mbartëse  e një ideje që gulshon shpirtin e poetit. Përmes  toponimitetit, topografisë të vendlindjes, njerëzve më të dashur, heroi  lirik është në qendër, ku elementët autobiografikë dalin në sipërfaqe si një arkë “Noeje” .  Kjo lidhje e kujtimeve fëminore, korracuar me një ego të fshehtë të autorit  për dritën, mbrothësinë e të parit të fisit, janë mozaikët ideorë të kujtimeve. Veta e parë e heroit lirik shkrihet me vetorët e tjerë si integralitet natyror, ndaj dhe  dritësira  vjen si një shumatore, si një dritësirë që s’shuhet kurrë. Në skajshmërinë e shpirtit poetik si nga miniera fosforit shpërthejnë vargjet:
…“Tani  do të jetoja atje lart, buzë udhës së reve
                                           Buzë greminave të qiellit
në shtëpitë e fisit tim, me shkallët e gdhendura
në shkëmb,
me magjen pellazgjike prej guri
dhe yllësitë e bajameve që mbushin me dritë
                                               kopshtet e kujtesës.”
Që janë rrëfime historike, epike, por dhe nocione të mbrame poslegjende. Një varg i lirë, me tepër tingëllima muzikore, vendosur me mjeshtri në një solfezh aliteracionesh , dhe pse i mungon me shumi rimimi; përmes një ndjeshmërie të lartë, të një petku figurativ autori arrin të paraqitet në planin liriko- balaidik me një peisazh të brendshëm shpirtëror. Ky kthim kah vetja, kah bota shpirtërore e tejvluar nga zjarret e jetës, është një kthim permanent kah realitetit. Ky kthim ndaj asaj që përmban majanë e qytetarisë, obligimet mëmëdhetare,  është më e pranishme edhe tek vjershat “Dita e fundit e kapidanit plak” , “Ikja e arbëreshëve”, “Abedin Madani”, “Fterra “ , “Tri vegimet”, ku veçohet lirizmi subjektivo- patriotik, duke u marrë si frymëzim, si krijesë naïve e cila vjen atëhere kur i gulshon shpirti, pa pyetur askënd. Autori në mënyrë direkte na jep impresionet e kohës së diktaturës që ai përjetoi me bashkëvuajtsit, bashkëbrezarët.
Lirizmi i thekur për bregdetin Jonian, për ato vende “ ku i ka rënë koka” peshon rëndë, si një mendim i pikëlluar në mes të një gëzimi të përgjthshëm flurorë.
 Në vjershat “Odë e fëmijërisë për detin“, “Saranda”, “Anfora”  sado jo madhore, në to ndjehet një lirizëm atdhetar, ngrihen konturet e  krijimit të një arti të madh.
 Në to, si në poemat “ Qafa e botës”, “ Ati ynë që zbret në tokë” evidentohen lidhjet ndërthurëse të elementëve epiko – mitik, me nismën e botës së brendëshme subjektive. Duke nxjerrë në pah , lakuriqe, botën e brendëshme  (subkoshiencën e vet), pasqyrimi i frymës së kohës vjen si  një meritë e vetë krijuesit, si një e tërë e pandarë e një materie të materializur në një kohë tjetër, pa humbur autencitetin e fillesës epike. Kjo dukuri si  një substrakt i ri, mbisundon me elementët epiko- lirik si një epope, por dhe si një dramacitet. Në to nuk del primare ngjarja si ndodhi , por mbi të gjitha evidentohet njeriu, në një dramë shoqërore, ku hera herës plazmi epik plazmohet me lirikën balaidike e dramaticitetin, duke depërtuar tek njera tjetra.  Autori ka ditur me mjeshtri, në këto digresione, të evidentojë vetëm elementët poetikë të ngjarjeve, të cilët përbëjnë dhe shuminë e lirizmit.
***
 Bashkërendimet e këtyre elementëve, vënia në epiqendër vetërrëfimin, bisedat që ai i bën me veten, në konceptin tim përbëjnë dhe perlat lirike më të arrira që rrezojnë në këto dy vëllimet më të fundit të jonianit Agim Mato.
 Në një analizë kritike që i bën Bjelinski forcës e kontributeve estetike që ka poezia lirike, i porosit krijuesit:
 “ Lirika u jep gojë dhe fytyrë ndjenjave memece, i nxjerr ato  nga burgu mbytës, i ngushtë, i krahasuar ne ajrin e pastërt të jetës artistike, u dhuron atyre një ekzistencë të vetën” (Bjelinski “Artikuj Kritikë” Sh. B. Naim Frashëri Tiranë 1977.)
 Në fakt edhe sipas këtij domeni estetik, krijimi lirik, frut i një frymëzimi të shumëpërpunuar , mund ta trondisë qënien e krijuesit. Qenia krijuese Agim Mato i ka përjetuar  që më parë tronditjet e qenësisë psiqike, në afro 35 vjeçarë, ndaj dhe sot një lirizëm i tillë nuk e pushton dot botën e brendëshme të krijuesit. Lirizmi i tij tashmë ka me vete gjykimin, mendimin e thellë, ka balaidikën me dramaticietin e saj . Ai vjen jo i menjëhershëm fluoreshent, as si ajo bora flokëmadhe, por vjen si  një erë lulnaje, disi e ashpër, por që pllenon frutet në pistilet e luleve të çelura. Ajo vjen e lindur në të gjithë oborret, kopshtijet e zhvillimit të jetës  e të ndërgjegjes, në thellësinë e shekujve e ardhmërinë e epokave të reja, duke krijuar subjektivitete të reja në gjirin e popullit me realitetet e reja objektive.
 Siç vërejmë në poemat “Qafa e botës” , poezitë “ Ikja e arbëreshëve” , “ Piktori” , “ Dita e fundit e kapitenit plak” autori mbasi e ka rinjohur për 35 vite në stoicizëm veten e tij merr tani lirisht dhe e bën të vetin ndonjë objekt që i intereson. Në mënyrë  indirekte, ai i brumon poezitë lirike me maja të baladës dhe të odes. “ Objekti i odës – siç thotë Bjelinski – edhe i marrë në vete mund të ketë interes substancial.
 Pikërisht edhe autori u merr atyre anën substanciale sipas referencave bjelinskiane, i trazon në magjen e tij poetike, duke na dhënë diçka të veten, një amalgamë të re lirike. Kjo veçori e lirizmit atdhetar vjen nga  poeti  di të “pikturojë” fatin ekzistencial, i cili përmban në vetvete shpresën për atdheun, vendlindjen e tij, dashurinë për një toponomistikë të trashëguar  Iliro – Albano – Shqiptare,  himnizimin e trimërisë të Osman Takes, paraqitjen kinematike të skenave në vendbanimet ekstra shqiptare si dhe artikulimi për ruajtjen e vazhdimësisë në një ombrellë kombëtare.  Jo pa qëllim, ai   njëherësh   si    një  “ Jashtë eklipsit”  dhe “ Fundo”, me poezi  të veçanta u ka kushtuar rëndësi  njerëzve të afërt gjaknorë, por dhe intelektualëve të dashur sepse ai e çmon punën dhe angazhimin intelektualo – patriotik:
“ Bard i lashtë që shtegtoje në kuvende poetësh
nuk e kuptuam si na ike sërish drejt Francës
dhe le pas shpine, siç e pate profetizuar
netët ballkanike, valet, këngët , balladat.”  
    Sepse :
“Sikur ka mijëra vjet që ne te kafe “ Riviera”
në vend t ë cigareve
këmbejmë poezitë në gjuhët tona.
unë si De  Radë
ai si një Kavafis.”
  Fuqia e fjalës artistike në këto vargje nga “ Fundo”  është shumë domethënëse në aspektin e një lirizmi tjetërlloj, sepse autori e zgjedh fjalën duke i dhënë peshën e thirrjes të një patriotizmi  të ndërsjelltë. Figurat artistike kthehen në kushtrimore duke u mbingarkuar me elementë  jetësorë me të cilët  kombi ynë ka mbijetuar me këto fuqi ndjenjësore të mbinatyrshme duke e veshur atë me një semantikë të fuqishme.
 Duke  qenë ekstrakte të një bluarje dhe  triorimi 35 vjeçar, lirizmi konvergohet në një përbashkësi  sepse tematika dhe përmbajtja e tyre, në një formë a tjetër stilistike, kanë një objektiv dhe synim, ku rrëfimi lirik arrin qëllimin, e mendimtarinë e autorit.
     Duke hyrë në thellësinë e këtij qëllimi e mendimtarie të stivosur në palimpsestet e vargjeve, lexuesi hyn në thellësitë e detit Jonian, e në këto thellësi shpalosen kujtimet e të shkuarës si produkt i një supermetafore funksionale, e sigurisht malli për gjithçka të tokës mëmë mund  indiferencën e erosit të sotëm prostituiv.
 Marzhi lirik në produktet poetike të Agim Matos, ndryshe nga simotrat, shpalosin shqetësimin më tërë dramacitetin  identifikues  të aktualiteteve njerëzore të përjetuara dhe nga vetë autori , lidhur ngushtazi me transparencën e ekzistenciales konstruktive, hera herës kur realiteti krijon paralele aty ku frymon jeta me të gjitha mundësitë e saj.
 Kjo ekzistenciale, vjen si  një sintagmë, me ngjashmërinë e llogjikshme, me nocionet globalizuese, nga kontinentet e botës, dhe si e tillë në modernitetin e saj, ky import mund të quhet dhe proces zhvillimi por dhe një perspektivë postmoderniste e një lirizmi atdhetar. Në këtë proces krijues shtrihen mardhëniet e përditshme që rrethojnë njeriun global në subkoshiencën e bashkimit të gjithë racave pavarësisht se ku jetojnë.
***
 Këto relacione të kufishme dhe të pakufishme përbëjnë sot thelbin e të bërit poetikë pa kufij etnikë. Më qartazi, ndërkombëtarizimin e poetikës shqiptare,  heqjen e ”vizave” të vendosura nga estetika gulagtike e soc–realizmit të “ ishujve të thesareve”  që nuk ekzistonin kërkund. Në këto relacione  poezitë, poemat, nuk përfaqësojnë më në vetvete vetëm një tabllo. Në konceptin e autorit  nuk është thelbësore tablloja, sado “Françisko Goja” ajo të jetë, por ndjenja që ajo të zgjon.
 Çdo gjë ngjan si në operën  e Xhuzepe Verdit  “Aida”  ku situatat dramatike nuk kanë shumë rendësi në vetveten e tyre, por ndjesitë muzikore, ajo korale e famshme që shpërthen nga gjoksi i koristëve, përbën thelbësoren e shpirtit të personazheve.
E tillë është dhe poezia “ Ode e fëminisë për detin” ku meterologu plak me duart që zbon pulbardhat:
“ Tund kokën e thinjur
Dhe flokët e tij të gjata ngjajnë
 si erëmatës i përpiktë”
Ndërsa :
“ Ullinjtë e hirtë të shpateve kullosin si kuaj
dhe fari me acetilen në mes të gjirit
na kujton kandilet mbi kondizmat e shtëpive.”
 Ndokush, duke lexuar këtë vjershë, e shumë të tjera  si  kjo, duke mos gjetur aty apologji morale dhe aforizma filozofike mund të thotë: “ Ç’është kjo?  Poezi!!!   Ndërsa ata që e kanë përjetuar shpirtërisht kripësinë e bëmat joniane në vite, kjo lojë e forcave të natyrës me njeriun, u flet me një gjuhë më të kuptueshme për të cilët :
“ Mbush një grusht me guacka deti
………….
Si Hamleti rri e kundroj
Këto kafkëza të vogla
Llogore të braktisura të luftës për ekzistencë.”
 Ndaj dhe ky tjetër lexues e ndjen “ gjëmimin misterioz” të detit, sepse një amforë me zërin e saj mitik i thotë :
“ Poezisë i  pari un’ia kam prerë kërthizën,
Ndan brigjeve të  mia poetët
Nga dhimbja e madhe klithën.”
Po të evidentojmë me vëmendje  amalgamat artistike do të vemë re se poeti e modernizon lirizmin me dy arketipe, që në dukje, ngjajnë si tradicionalë: me lirikën dhe baladën. Por lirizmi i tij vjen paksa i ashpër, e poetizon baladën, kurse theksimi balaidik kap fortazi lidhjen ndërmjet iluzionit dhe reales.
Mbarsur me një  figuracion të pasur, shumëngjyrësh, herë herë dhe bodecian, që vë në  teh të mprehtë të gjykimit, dukuritë negative të një absurdi ndërklasor, arrin të triorojë ndjesitë më hyjnore, pa mllefe.
 Pas një fermentimi 30 vjeçar  të një lirizmi disi të veçantë, nga deklaracionet që jemi mësuar të dëgjojmë nga  “poetë  oborrtarë”, poeti Mato arrin një koncentrim në struktura ideore, duke futur  elementë modernë , novatorë në lirizëm, duke krijuar një identitet të fortë poetik dhe në këtë prizëm
Dyrrah  , qershor 2013                                                               
E –mail:  Vladimir_muça @yahoo.com