Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday, 5 December 2013

Cikël: Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti



AGIM MATO

1. TË FALËNDEROJ QË EKZISTON
Kur erdhe ti
çuditërisht u  terratisën
perënditë e rreme
që vërtiten rrotull njeriut.

Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.

Nuk e dija që ekzistonte ai dritësim i syve të tu
që përshkëndiste mijëra nuanca të kaltra rreth e rrotull.
U frenua verbimi brënda meje
dhe një puhizë e lehtë ëndërre
filloi të shtyjë dy vela të bardha
për të mbërritur në farin e vetmuar
ku rroja si një eremit deti
i harruar nga lutjet dhe blasfemitë e të tjerëve.
Drita që solle papritur ma trembi vetminë
dhe, i pamësuar me të, nuk guxova 
të rri gjatë përballë teje,
që të mos vuaja.  Pyesja hijen time
prej Heminguei
dhe ajo bëhej më memece se unë.

Tani të falënderoj që ekziston.
2. LUNDRIMET E MËDHA
FILLOJNË NGA SHPIRTI
Përpiqem të gjej rrënjët e dëshpërimit
ku është mpleksur spiranca e lundrimeve të tua.
Hetoj ujrat e kaltërta të syve të tu,
llokoçitjen e halave të qerpikëve, si shelgje lotues,
ku frika ka ngritur folezat e një dyshimi.

O brishtësi e trembur, o turbullim miturak,
O trumcak i urritur për një gllënkë qiell,
mos e lerë dritën tënde të përpëlitet nga terri,
mos e lerë shikimin të më pyesë me këmbëngulje
për dramën e një udhëtimi të ndërprerë
që mendon se luhet brënda teje.

Ç’ dramë? – të them unë. Pa shikomë,
nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit?
A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim
dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para?
Çfarë mendon se ke humbur
kur ende nuk ke mësuar
t’i nderësh pëlhurat e tua për udhëtimet e largëta?

Ku i ke pajimet dhe kalkulimet e trurit?
Në ç’palestër i stërvit ëndërrat e tua?
Në ç’liman pret të të brohorasin për finishin?

Vërtet nuk e di, se lundrimet e mëdha fillojnë nga
shpirti?
3. PJALMI  I  YJEVE
Eja, mësoje fluturimin me mua, mos u step,
flake frikën kur unë jam ndezur i tëri
dhe më hanë krahët për të përpirë hapësirat ku cijasin dritërat e
      udhëtimeve të largëta.
I vogël, provoja të fluturoja me krahë dylli,
duke u hedhur nga lartësitë e shkëmbinjve të Akrokerauneve
dhe përfundoja shpesh në degët e ilqeve të jugut,
apo mbi pëlhurat e zhubrosura të anijeve.

Tani nuk kam frikë se bie. Mbahem nga ekuilibrat në hapësirë
dhe stivos ëndërrat si thasët me rërë në koshat e balonave.
E kam kaluar provën. Tani dua të të kem pranë,
të dëgjoj klithëm e entusiazmit tënd,
t’u ve fre ngurimeve të tua.

Ku je? Dua të të ndjej.

“Këtu,- thua ti - Jam e ngurosur nga e panjohura”

“Po unë nuk u flas viktimave të miteve antike,
i flas shpirtit tim të ngjizur tek ty.”

“Ti je njeri i bukur”, - më përkëdhel sërish zëri yt.

“Po ti nuk e sheh bukurinë  tënde, e dashur,
duhet të marrësh sytë e mi për të parë veten.
Përqëndrohu, tani,
për të karrikuar energjitë e këtij udhëtimi.”

“Kam ndroje, nuk e kam provuar veten”,  më thua.

“Harroje ndrojtjen, tani po krijohet çudia para syve tanë,
para shpirtrave tanë që lëshojnë në eter
një dritë fosforeshente.
Oh, do të të bëj të shohësh shumë gjëra,
si atëhere  kur Shekspiri na ruante deri sa të këndonin gjelat,
deri sa të mbaronte nata dhe këmbenim shpejt e shpejt
padurimin e puthjeve, 
(i vetmi mjet me të cilin karrikonim veten tonë)

Tani ushtrohem të prek errësirën
si i verbëri për të prekur rrezikun.
I bindur se rreziku është emocioni që prodhon
 gjendjen e  misterit që duam,
pritshmërinë, hovin për të panjohurën që na pret.
Ti të vendos në qartësinë e dritës
dhe në misterin e errësirrës së madhe
ku unë bares për të të kërkuar.
Të bëj me shenjë të më ndjekësh
nëpër eskursionet e pafund të shpirtit,
sepse po nuk e dëgjova frymëmarjen tënde pranë meje,
 shfryhet ai baloni me të cilin fluturojmë”

Ti shton:“Të hidhemi me parashutë prej ëndërrës,
siç  do të thoshte Transtromeri”.
 
“Ose e kundërta: hidhemi në ëndërr
nga realiteti i bezdisshëm, them unë.
Ti dhe ëndërra jeni shtegu nëpërmjet të cilit dal nga ky realitet.
Mos kij frikë, mbaju prej meje, nga këmisha ime që valëvitet
 në erë si bishti i një komete.

(e sheh tani si fillojnë të pulsojnë motivet?)

Është e para herë,
që bëj udhëtime të tilla,
  betohem,
është prania jote që më nxit.
Ky është një zbulim i madh për mua.
E ndjeve si isha në fillim?
Nuk po e kuptoja ç’ ishte e panjohura.
Ende nuk i kisha veshur pajimet e lundrimit në hapësirë.
Erdha drejt e nga kotësia. Dija vetëm një gjë:
me askënd tjetër nuk mund të udhëtoja
në këtë botë të re veçse me ty.
Tani e tutje do të lundrojmë përkrahë njeri tjetrit.

Ai që dallon i  pari  
si shfaqen bukuritë që tej,
tregon me dorë nga do të ecim.
Duke ndjekur trajektoret e tyre,
Ti s'mund të rrish e tërhequr. Karburantin
do ta ndajmë barabar në të dy shpirtrat tanë
që të mos vajiset ngarkesa e madhe e ëndërrave.
Nuk të deh kjo? A të ka marrë për dore kush tjetër
 për udhëtime të tilla? Mrekullia mbërriti.”

“I ndjej të gjitha, - më the, -
përderisa flasim për të njëjtën ëndërr. Ka njerez
që flenë në të njëjtin jastek
dhe shohin ëndërra të ndryshme,
por ka dhe njerëz që flenë në jastekë të ndryshëm
dhe shohin të njëjtën ëndërr.”

“Shih si kalojnë pranë nesh asteroidët,
mjegullnajat, e dashur, dhe ndoshta, papritur, 
do të mbërrijmë në selitë e perëndive.” 

“Kaluam shkarazi një yll, më thua.  Nëse të humb
nga sytë për një çast, si do më thërrasesh
këtu mes galaktikave?”

“Kaltrina! Kaltrina, aq sa të jehojnë
shtyllat ku drejtpeshohen hapësirat.”

“Rrënja e fjalës është e kaltra apo kali+trina?”

“E kaltra, natyrisht!”

“Dhe e dyta, nuk është keq!”- ma pret.

“E mendova por tingëllon si kalk i poetëve tradicionalstë.”
Pegasi, trina nuk janë mjeti ynë,
ne lundrojmë mbi një anije kibernetike.”

“Kibernetike?” – çuditesh papritur dhe thua:
- Po kjo nuk është ëndërra jonë.

“Mosmarrëveshje!
– provoj që të nxehem unë –
Duhet të ndalim këtu.”

“Do të ketë edhe të tilla.
Është udhëtim i gjatë”
-  më the.

“Fluturojmë në boshtin e gjithësisë,
flitet për vjet drite, jo për kuaj
e patkoj. Nëma dorën.”

“E drejtë, këtë herë tërhiqem.”

“Mbahu. Do të bëjmë një kthesë të fortë.”

“Për ku?”

“Për t’i shpëtuar goditjes
së Shpirtërave të Këqinj.  Po na ndjekin...”

“Ka dhe të tillë këtu?”

“Gjithë hapësira është e okupuar
nga e mira dhe e keqja. Këtu luftohet.”

“Ç’duhet te bejme?”

“Fshiji sytë, largoje gjumin.”

“Po”

“A sheh rreziqe përpara?”

“Unë të shoh ty”

“Edhe unë, nuk t’i ndaj sytë. Jemi dy qënie të brishta
në hapësirë. Të ruaj nga goditjet, të tërheq para.”

“Nuk e mendoj kështu. Ne zgjodhëm
të jemi aty. Perse goditje?”

“A flasim për rreziqe?”

“Jo, nuk dua rreziqe.
Ëndërra jonë është,
e bëjmë si të duam.”

“Po unë dua të dal në sheshmejdanin e yjeve
dhe të ndeshem
për ta merituar dashurinë tënde. Shiko
si ngrihet pluhuri kozmik nga shungullimat e goditjeve
dhe vesh hapësirat me një verbim radioaktiv!”

“Jemi në ëndërr, thamë.”

“Edhe yjet stërviten që të bëjnë trajektoren e tyre.
A flemë në jastekë të ndryshëm
dhe shohim të njëjtën ëndërr?”

“E kisha harruar largësinë.”

“E pra, na ule në tokë. Pa shih sa karburant ka?”

“Edhe për një përqafim tjetër.”

“Dua të të përkëdhel lehtë. Dua që gishtat e mi
ti ndjesh mbi fytyrë si rrëshqitja e dëshirave të tua.
E di se dheu nuk na mjafton.

Ne mbledhim pjalmin e yjeve
dhe mbushim hojet e galaktikave.
Mbjellim në planetet e tjera njerëzime të reja.
Kemi me vete tërë mostrat dhe farat e vegjetacionit për të
eksportuar gjelbërimet e ardhëshme të tyre.
Nuk ka nevojë të marrim me vete, si Noe,
 gjithë gjallesat e dheut.
Kemi ADN- në e tyre.

“Humba fjalët - the - Jo, mi vodhe!
Dua sërish të sulemi drejt të pamundurës
Tani që duket se kemi salduar pjesë të vetes
brenda njeri tjetrit. Jemi një makinë e universit
që punon me energjinë e ëndërrave tona.” 
4. PLANETI ME DRITË TË ZEZË
Të kam njohur tej fëmijërisë, në një planet ku kemi qenë
bashkë në kohë të tjera.
Atje jemi dashuruar,
në atë sferë qiellore të mbështjellë me retë
dhe frymën e jetëve atje poshtë.

Ngjiteshim në fronin e perëndive dhe sodisnim si vinin rrotull
                                    në hapësirën qiellore,
nga lindja në perëndim basenet e oqeaneve,
pyjet dhe kopetë e panumërta të elefantëve,
si në një karusel ëndërrash. Merrnim për litarë
lumenjtë dhe ylberët dhe hidheshim nëpër sheshe
deri sa na merreshin mendtë. A nuk të kujtohet?

“Po. Atëhere më shkëputën nga krahët e tua,
dhe nga tmerri pashë të më binin flokët
dhe kujtesën në pavione ma mpinë.

Ku humbe që  nuk mu shfaqe?”

“Shumë kohë kaloi
dhe unë rashë në një planet tjetër me dritë të zezë
ku nuk ishe ti. Të tjera ligje mbërthyen gjuhën time
dhe ndëshkuan shpirtin tim. Nga dëshpërimi për ty
vrava veten dhe u hodha në një epokë tjetër
gjersa të shqova
në mes të kanioneve
dhe zhurmës shurdhuese të katarakteve.

Gjëmonte Osumi kur të rigjeta. Salmonet
vërviteshin në të kundërtën e rrjedhës,
duke u ngjitur si flurudha të mateshin me zogjtë.
Ç?mendoje në ato çaste?”

“Asgjë!”

“Si rroje kështu mes asgjësë?”

“Asgjëja ishte kudo.Ti nuk ishe
dhe të gjitha kishin ndalur,
Gjersa re nga ai yll!

Mamaja më ruante fshehurazi
Se mos më rrëmbente asgjëja,
si vrimat e zeza të gjithësisë,
se mos gremisesha në honet atje poshtë,
duke të kërkuar ty nëpër vorbulla e shpella
nga dukej sikur rënkonin shpirtëra pellazgjikë.

Kur më këputej rrypi i sandalleve
dhe duhej të hidhesha si kanguri
vija ulërimën nga gjembat që më shponin
dhe thërrisja emrin tënd. Mamaja m’i hiqte
e më thoshte: “Mos qaj me dyzet palë lotë!”
Dhe unë nuk e kuptoja si m’i numëronte.”

“Vinte nga mitet edhe ajo!”

“Pastaj u mësova me gjembat.
Vetëm ato që filluan të më shponin në shpirt
nuk i duroja dot. Nuk e dija
se ishte e mbushur me kaq shumë gjëmba jeta
në çdo hap që hidhja. Netëve dëgjoja veten
që rënkonte në drejtim të yjeve,
nga duhej të vije ti për të m’i hequr.”


“Atëhere kur të rinjoha,
një valë drite e kaltër vërshoi nga sytë e tu
dhe ndjeva të më mbështillte
aureola e  perëndive pellazge
e harruar nga shekujt.
Atë forcë që kërkoja, e gjeta të fshehur
në humbellat
e misterëshme të shpirtit tënd
edhe për jetën tjetër që do të nisim.

Larg njeri tjetrit - ishim vërtetë asgjëja.”
5. XIXËLLONJAT
Ti më pyete: ka ende xixëllonja te atdheu ku rron?

Si të të përgjigjesha kur ti vet më lyeje fytyrën
me fosforin e dritës së tyre që t’u ngjaja terrakotave
të ngjyrosura?

Të thashë: mos më bëj të të sjell këtu
fëmijërinë e largët
dhe të qaj për vrapin e çmëndur mbi mullaga,
kur ndiqnim llamburitjet e tyre nëpër sokakët
si një galaktikë farfuritëse
që mbushte me dritëza shpirtërat tanë
dhe manin e madh të oborrit!
Nuk të kujtohet kur binim të flinim të lodhur
me xixëllonjat brënda shisheve të penicilinave
nën jastek dhe zgjoheshim
nga zhurmërima e çeljes së luleve?

Mos ndoshta luleshqerrat
ishin krevatet e tyre
të ngritura në fushimin e pranverës që vinte?

Dhe ti më thua: kaq vjet më munguan llamburikat,
në dheun e huaj, në metropolin e madh ku rrojta,
ku kondicionerët gjithë vitin u bëhen barrierë stinëve
dhe kondensojnë në tubat e shkarkimit,
hapësirat e mia të largëta në trajtë lotësh.

Kështu më telefonon e merakosur
dhe ngre zërin
të mundësh rrapëllimën e një treni elektrik
që rrëshqet pranë teje
si dragojtë e përrallave tona.

Në se do vish, të betohem, e flaka moshën time,
dhe do të të çoj përdore në lëndinat e pranverave të reja,
në çastin kur xixëllonjat lajmërojnë se ngrohet koha
ndërsa mbajnë rradhën e çeljes së luleve,
të frutave të lidhura
dhe bëjnë inventarin e yjeve.
6. GJURMËT E FËMIJËRISË SATE
Më solle një foto të fëmijërisë,
mes moshatarëve,
në një oborr shkolle,
me mësuesen e klasës së tretë,
ku më shihje e çuditur nga vite të largëta.

Më sill të tjerat, të thashë, të ndjej hapat e jetës sate në udhën
      time.
Dua ti dëgjoj ato hapa,
të vijnë të brishta me sandalet e thjeshta të periferisë
e të mbërrijnë në maturinë tonë,
në gjendje që të  mbajnë peshën e ndjesive që na rrethojnë.

 A ke rendur mbi Osum me këto sandale?

A ke hyrë në kanione,
a ke dëgjuar zhurmat shurdhuese të katarakteve?

Në ç’shkëmbenj i ke gjakosur ëndërrat?

A i ke parë troftat të hidhen në lartësi,
si akrobacitë e dëshirave fëminore?

Vetëm unë do të hulumtoj shpellat,
gjiret,
vorbullat
ku vërtiten ujrat në kohë rrebeshi!

Ku ti gjej gjurmët e fëmijërisë sate?
7. GUGUSHI
Jam Gugushi i bardhë
që ulet në degën e lulëzuar të shpirtit tënd.
Ti e ndjen frushullimën e krahëve të mi
dhe sa të prek, hepohesh, qesh
duke mbushur me dritë tërë kopështin.

Nis e rrjedh limfa brënda teje,
çelin bisqet e reja, pikojnë qumësht
dhe drithërohesh nga gugatjet,
nga shpupurisja e puplave
dhe brambullitja e fjalëve dashurore.

Një rrymë mistike përshkon shpirtrat tanë
këto çaste. Askush veç teje s’më ka parë
kaq të brishtë,
sikur të shihte anën e pasme të hënës.

Kam xhveshur lëkurën e kushedi sa epokave,
kam kapërxyer selitë e sa perëndive,
për t’ju avitur bukurive.
8. URA
 Tani mbahem fortë nga vizioni yt.

Ndiej një rikthim të çuditshëm te fuqitë e shpirtit...Përkëdhel
     në ajër imazhin tënd,
të prek lehtë dhe të them:
“Çfarë magjie kanë në këto çaste sytë e tu?!”

Nuk të shoh gjatë që të mos më lëndojë mungesa e tyre.

Kurrë nuk të mendova si materie
por si një përzjerje ëndrrash.

Çfarë është kjo?
Ndoshta një mjegull e gjithë ndjesive të mia
dhe për këtë lus zotat që je larg
e të shoh si urën qiellore të poezisë
që përshkënditet çuditërisht në moshën time.

Këtu zë fill edhe dilema,
sepse nuk dua të shembet kjo urë,
nuk dua të shuhen përshkënditjet që na rrethojnë.

Une dua të ecë nëpër të, më thua ti,
të shoh se ç’ bëhet në hapësirat atje tej.

Ç'janë këto rrëfime sot? – shton pastaj, -
Nuk di ç'të them.
Më humbën fjalët. Mjaftohem me muzikën e shpirtit
që luhet në këto çaste tek unë.”

Jeta, siç duket, është një vuajtje e bukur.

Kam këtu një çelës të kaltër të syve të tu
dhe di të shoh nëse është turbulluar
rezervuari i dritës brenda tyre.

“Çelsi të është dhënë me vetëdije
si një ndarje pune e shpirtërave tanë!"

Jemi  njerëz që dimë të dialogojnë së brendshmi,
kur shumë të tjerë flasin me njeri-tjetrin me zë të lartë
dhe nuk kuptohen.

Në qenien tonë fjala lëviz me tërë misteret e veta.