Një histori piluriote…
Nga Timo Mërkuri
Askush në fshat nuk e mori vesh, si erdhi e nga
erdhi, ai njeri. Se, fshati ynë, është një fshat malor, ku dimri
përton të largohet dhe pranvera mezi vjen, për të ikur përsëri me vrap,
e ndjekur nga dimri. Dy stinë njeh fshati ynë, pranverën, nja dy-tri muaj dhe
kusuri është dimër. Ndaj, nëpër
shekuj e mote s’kishte fare të ardhur në fshat. Vizitorë
kishte me shumicë, sidomos në kohën e vjeljes së rrushit, por dhe këta vizitorë
qenë nipër e stërnipër, mbesa e stërmbesa
të fshatarëve të shpërngulur nëpër
mote. Prandaj u habitën fshatarët me këtë jabanxhi të porsa ardhur.
Fshatarëve u erdhi keq për të, si një
njeri pa jatak e katandi, ndaj i dhanë
dorën. Por ata u bënë kureshtarë me të, kur ai u prezantua si një njeri i
ditur, që kishte shkruar mbi 15 libra (por nga hallet që e kishin zënë kish
botuar vetëm tri), që kish shkruar mbi 875 shkrime e faqe nëpër gazetat e dynjasë, e që kish marë
për to gjithë ato dekorata e lëvdime, mbi të cilat shquhej ajo e kryepleqësisë së
fshatit Shelegar, e stolisur anash me
varak të bardhë e me një patok të zografisur në mes të saj.
Ai vazhdoi të flasë për veten e tij
dhe nga të folurit e shumtë fshatarët filluan të dyshonin se
ky delenxhi, do
ishte ndonjë zullumqar, i ndjekur nga fshati i tij për ndonjë zullum. E dëgjuan
me vëmëndje kur nisi të thoshte se
ai…medemek…. kish lëçitur gjithë
librat e dynjasë, e kishte “kallur” brenda vetes diturinë e tyre, dhe bëhej
gati që me atë dituri të përmbyste botën. Tëpkë si në kohën e Noes, zoti i madh, që i paçim uratën.
Por për këtë nuk u trembën shumë fshatarët
sepse, dihet që Piluri është fshat në majë të malit dhe që të mbërinte deri aty
përmbytja, do ishin mbytur e shuar gjithë dynjaja. E po ndërkohë, ata, fshatarët
pra, o do hipnin në majë të gorricave, o do ndërtonin varka e do lundronin nëpër
këtë det përmbytës dijesh.
Por një
zgjidhje i duhej dhënë të porsaardhurit, o ta ndiqnin nga kish ardhur, o
ta mbanin e ta ngarkonin me punën më të
keqe, me atë punë që s’donte ta bënte asnjë në fshat. Po cila qe kjo punë xhanëm,
ky qe marifeti. Ishin duke e ndjekur fare, se u lodhën duke menduar për të dhe
humbën kohën e çmuar të lojës së dominosë, kur Simos i ra ndërmënd dhe u tha
fshatarëve që, ta caktonin të porsaardhurin …kryetar të mbajtjes së defterëve të
fshatit.
Dihet
botërisht që, piluriotët mund të ulen në klub e të lozin letra tërë ditën, me apo pa para, të
ulen në për ziafete e të mbarojnë së ngrëni një kope të tërë, e së piri gjithë
vreshtin. Por për të shkruar ama, vuru pushkën në lulkë të ballit e një kartë
nuk e shkruanin...
Po ja që fshati mblidhej shpesh për të qarë
hallet, për të matur tokat, për të numëruar fiqtë e goricat, për debatet me
Himarën e me Kuçin, për… Për shumë gjëra mblidhej fshati, por për të shkruar,
asnjë s’donte të shkruante. E kam llafin, të shkruante për llogari të fshatit,
se për llogarinë e tij çdo piluriot shkruante si ja donte mideja dhe mbushte
rafte në shtëpi me fletore këngësh e bëmash.
Kështu ndodhi që fshati vendosi ti japë një
…titull … kryetar… këtij jabanxhiu, që akoma s’ja dinte as emrin. Dhe ai nuk përtoi
ta bëntë punën. Shkruante fletëthirjet për në mbledhje, procesverbalet e
mbledhjeve, pajtimet e gjaqeve, darovat,
ftesat për në dasma e fejesa. Djemve të rinj u shkruante letra dashurie
për vajzat dhe vajzave u shkruante për djemtë, përgjigjet për letrat e tyre. Në
fakt, asnjë nuk e dinte, që të tëra
letrat e defterët i shkruante në
dy kopje, një nga të cilat e mbante për vehte. Dhe, ashtu si shkarazi, u përmëndtte
citate nga letrat, sidomos vajzave dhe
djemve të rinj, që skuqeshin nga ndrojtja.
S’dihej si do kishte vajtur puna, sikur
sebepi i një sheri të mos vinte po nga Simua. Simua bëri një festë familjare,
por nuk e ftoi jabanxhiun. A s’deshi, apo haroi nuk u muar vesh. Po, ja që të
dielën në mëngjez, te rrapi i fshatit, ku Simua qeshte e bënte hoka dhe si
zakonisht lozte dominonë e tij të famshme me priftin, na afrohet serbes-serbes
edhe miku jabanxhi. A kishte pirë ky miku ndonjë shishe raki dëllinje, apo i
dukej vetja si një gjeneral, që kishte
kalëruar, drejtuar e fituar beteja në Vaterlo e më tej, për gati 12 vjet, që
kishte bërë 6 parada fitoresh, që nga Shelegari e deri në Vrion e Metoq, apo
si, kjo s’u muar vesh. Por, u dëgjua qartë e shkoqur fjala e tij, kur iu
drejtua Simos: -Dëgjomë këtu, o i tërëditur,
alegro dhe élan! Unë jam kryetari i mbajtjes së defterëve të fshatit.
Domethënë, më i pari i fshatit. Kësisoj dhe në shtëpinë tënde më takonte vendi
i nderit në atë drekë! Po ti më harove mua! Të më shohësh se çdo të të bëj! Simua
hapi sytë se s’po u besonte veshëve. Ky spurdhjak i bërtitka kështu! Prifti, që
e nuhati kthesën që do mirte puna, i
doli përpara Simos, që u ngrit vrik në këmbë.
-Dale prift, dale….i tha Simua i zënë ngushtë nga
ndërhyrja e tij. Ulu pak, ulu. Dhe pasi u ulën përsëri prifti dhe të tjerët, iu
drejtua jabanxhiut…
-Dëgjo këtu ti, i vetëmtiiditur, po dëgjomë
mirë e po s’më kuptove, pyet të tjerët, se nuk do flas dy herë. Të vumë
kryetar të mbajtjes së defterëve, për gomarodhula e jo për mënd. E di ti çdo të
thotë “gomarodhula”? Do të thotë …punë gomari. Pra të kemi vënë aty si…gomar, e
jo si kumandar. Dhe si gomar që të vumë, duhet të dish se: gomarin e marin në dasëm për tu prurë ujë dhe jo për ta
bërë dhëndër, apo për ta vënë dollibash.
More vesh, more …gomar. Tani, pirdhu nga fshati ynë, se do ta ndreqim vënçe
samarin… Dhe duke iu drejtuar priftit, vazhdoi….Hajde tani uratë, hidhe zarin e
luaj dominonë.