Admir Ninta
ese
Në historinë legjendare të njerëzimit,të
krijuar gjatë anikitetit,figura e parë që ju kundërvihet Perëndive,është
Prometeu. I dyti në rradhë pas tij,duket se vjen Sizifi. Por, nëse historia e
Prometeut është fund e krye tragjike, ajo e Sizifit është qysh në krye
tragjikomike. Ndërsa Prometeu ishte nje revolucionar, që predikonte përmbysjen
e sistemit te Olimpit, Sizifi ishte më tepër një anarkist, që kërkonte ta bënte
rrëmujë sistemin. Pra, ai ishte më pak i rrezikshëm se Prometeu. Për këtë
arsye, Perënditë e urrenin Prometeun, ndërsa Sizifin, thjesht nuk e donin. Për ta
ai ishte ngatërrestari, njeriu që fuste hundët ngado ( në ditët tona do të
quhej gazetar investigativ) dhe pastaj të gjitha ato që mësonte ja thoshte të
parit njeri që ndeshte rrugës. Kjo do të thotë se edhe Sizifi nuk i donte
Perënditë dhe dashurinë për ta e kishte zëvendësuar me dashurinë për njerëzit (kuptohet,
edhe me dashurinë për vetveten, meqënëse edhe ai vetë është njeri). Këtu figura
e tij i afrohet pak asaj të Prometeut dhe ka shumë njerëz që do të dëshironin
të hiqnin një paralele midis këtyre dy heronjve legjendarë. Sigurisht që, do të
ishte shumë mirë të kishim sa më shumë Prometej. Por, për fat të keq, Sizifi
nuk u ngrit dot në lartësinë e Prometeut. Ndaj dhe ndëshkimi që ai mori më vonë, ishte më i
lehtë se ai Prometeut. Në dallim nga Prometeu, i cili donte ta sakrifikonte
jetën e vet për hir të një ideali, Sizifi donte të jetonte te tijën, por jo
sipas rregullave që Zotat kishin përcaktuar për të. Ai bën atë që i vinte nëpër
mend dhe nuk ndalej t’i gjykonte veprimet e veta. Nga kjo pikëpmaje, duket
sikur ai vepron më tepër me instikt,se sa me llogjikë. Perënditë nuk e kuptuan
këtë mënjeherë dhe ndaj e lanë Sizifin përkohësisht të lirë. Dhe ndërsa ai
vinte vërdallë dhe bënte marrëzira, ata vrisnin mendjen se çfarë të bënin me të. Kur e kuptuan më në
fund se si punonte truri i tij, më tepër për kotësira, vendosën t’i gjejnë një
punë të perjetshme dhe kuptohet...të kotë. Dhe kështu t’i japin gurin dhe
detyrën ta ngjiste në majë.
Kështu e hoqën qafe Sizifin, pa ja marrë
jetën.Tani ai ishte vetëm, larg sekreteve dhe në shoqërinë e një sendi pa jetë,
i cili nuk kishte çfarë
të të thoshte dhe të cilit nuk kishte çfarë t’i thoje. Dikur një padron i vetes së vet, një krijesë
e lirë, kurse tash një qënie e izoluar, e mbyllur në kafazin e punës së përditshme.
Një punë të cilës, sigurisht, perënditë nuk do ta lejonin t’ia dilte mbanëm, sepse
guri gjithmonë do t’i
rreshqiste nga duart Sizifit në momentin e fundit. Një moment në të cilin fshihet gjithë gjenialiteti i qënieve superiore, siç janë në rastin konkret Perënditë e Olimpit. Duke përdorur matematikën, gjeografinë, gjeometrinë dhe
psikologjinë, që i kishin shpikur vetë, ata projektuan një gur, pesha e së
cilit ishte jo më madhe se dyfishi i
trupit të Sizifit. Sepse e dinin që njeriu nuk mund të lëvizi vendit një peshë
dy herë më të madhe se ajo e trupit të vet. Këtij guri i dhanë një formë
sferike dhe të lëmuar, çka
teorikisht e bënte më të lehtë për ta lëvizur vendit. Por, vendi që zgjodhën, në
përputhje më politikën e tyre “japim një e marrim dy”, ishte një terren i
pjerrët dhe i rrëshqitshëm. Pra, këtë lloj sfere, të cilën nuk kishte as nga ta
kapte, se nuk kishte cepa, Sizifi nuk do të kishte as ku ta mbështeste, kur do
t’i duhej të pushonte. Sepse Sizifi nuk duhej të pushonte rrugës, të qetësohej,
dhe të mblidhte forcat, se pastaj ku i dihej...ndofta ai e çonte gurin aty ku duhej. Ndaj dhe Zotat u
kujdesën deri në detaje, që ai të mos e çonte dot deri aty gurin. Ashtu siç u kujdesën, nga ana tjetër, që ai ta çonte deri në njëfarë pike, dmth deri aty
ku u leverdiste atyre. Ata e dinin gjithashtu, se, Sizifi nuk do t’i ndahej
asaj pune edhe për shkak të karakterit të tij kompleks. Personalitetet e
ndryshme brenda Sizifit do zëvendësonin njëri-tjetrin. Kur njëri do të hiqte
dorë nga ajo përpjekje e kotë, tjetri do ndërhynte, duke marrë në dorë trupin e
Sizifit dhe gjithçka do
fillonte nga e para. Në këtë mënyrë, duke shfrytëzuar matematikën (llogaritja e
peshave), gjeometrinë (sfera), gjeografinë ( terreni) dhe psikologjinë (
karakteri kompleks), ata ishin të sigurtë se loja që kishte nisur do të vazhdonte në përjetësi, edhe pa
ndërhyrjen e mëtejshme të tyre. Po vetë Sizifi, a e dinte këtë?! A e dinte ai, se
kur ta arrinte majën guri do të rrokullisej, dhe se kjo do të ndodhte jo një
apo dy herë,p or do herë që ai të tentonte? Për fat të keq, Sizifin nuk e kemi
midis nesh që ta pyesim. Por, të gjithë ata, që, e lexojnë historinë e tij, habiten
pikërisht me këtë fakt: Që ai nuk rreshti kurrë së provuari, nuk ndaloi kurrë
së ngrituri gurin. Edhe pse këtu habia vetë bëhet pak e pakuptueshme, sepse
edhe më parë Sizifi kishte bërë një jetë të pandalshme. Duke u hedhur nga një
aventurë në tjetrën dhe nga njëra botë në tjetrën. Çka e thekson karakterin e tij kompleks, që
i përafrohet atij të njeriut modern të ditëve
tonë. Një person me shumë
personalitete brenda, që shtyjnë njeri-tjetrin dhe kërkojnë të përmbushin sejcili, dëshirat e veta.
Mjaft njerëz, që e
lexojnë historinë e tij, habiten me atë zvarritjen e tij të çuditshme, që përfundon gjithnjë në të njëjtën
mënyrë. Duke harruar se, edhe ata janë nga pak Sizifë. Sepse, edhe atyre, pasi
kanë ardhur në këtë botë, kujt më parë e
kujt më pas, u është dhënë nga një gur për ta mbartur. Dhe çdo gur ka etiketen e vet. Mbi njërin prej
tyre mund të shkruhet murator, në gurin tjetër kamarier, në tjetrin i burgosur
politik...në një tjetër “dictator”...(zota
na ruani)...ç’rëndesi
ka, të gjithë e kemi nga një gur dhe të gjithë i ngjitemi malit me të mbi shpinë. E megjithatë, kur bie
fjala për Sizifin, të gjithë pyesin “përse
ai vazhdon të ngjitet”? Kjo pyetje mbetet intriguese, thjesht për faktin se ka
disa mijëra vjet që ka mbetur pa përgjigje. Madje shpesh formulohet edhe ndryshe: “Përse njerëzit punojnë dhe rropaten gjithë jetën, kur e dinë mirë, se një ditë do të
vdesin?” Është vështirë t’i përgjigjesh asaj edhe për faktin ,se,
shpeshherë shfaqen mes nesh Sizifë nga më të çuditshmit. Përpara disa kohësh, në kulmin
e krizës ekonomike, në SHBA u publikua historia e një Sizifi 90 vjeçar, në pension, i cili pas i humbi të
gjitha kursimet e veta për shkak të krizës ekonomike, u kthye të punonte në një
fabrikë. Sigurisht që ai nuk kishte asnjë dëshirë ta bënte një gjë të tillë, por
ja që Zotat e detyruan dhe kësaj ai
s’kishte çfarë t’i
bënte...Në fund të fundit, edhe ky Sizif, njësoj si Sizifi i legjendës, nuk ka
bërë gjë tjetër veçse ka
ndjekur rregullën, që Balzaku i madh ja përmend diku në një letër së motrës së
vet: “Unë jam i miri, i ligu, i poshtri
dhe i ndershmi, i këtilli dhe i atilli. E kam ndarë mendjen, se nuk jam
gjë tjetër vecse një vegël e rrethanave. Besoj se dhe njerëzit kështu më kanë
gjykuar.”
SKËNDERBEU: Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DO TË BËHET....
ese
Sa herë që flitet për Skënderbeun, vihet gjithnjë
theksi tek termi Hero Kombëtar. Një term pak i çuditshëm ky, kur mendon se Skënderbeu jetoi në
një kohë kur kombet, ashtu siç i njohim sot, ende nuk ekzistonin. Çudia bëhet akoma më e madhe dhe rrëshqet deri në ironi, kur mendon se këtë
titull Gjergj Kastriotit ia dhanë
pasardhësit e fisnikëve, që, pas vdekjes së tij, u bashkuan më osmanët. Duke
tradhëtuar pa kurrfarë brejtje ndërgjegjeje, idealet për të cilat ai luftoi. Në
shekujt në vazhdim, këta shqiptarë do të ingranoheshin në strukturat e shtetit
osman dhe do të luftonin për të zmadhuar kufinjtë e këtij shteti, ato kufinj që
ishte përpjekur t’i zvogëlonte Skënderbeu. Pikërisht këta shqiptarë , të veshur,të
qethur e të rruar si turq, pjesa më e madhe e të cilëve dinin të shkruanin dhe
të lexonin turqisht, por jo shqip, ngritën në 1912 flamurin e Skënderbeut. Dhe
e quajtën atë flamuri i shqiptarëve. Ndërsa vetë Skënderbeun, heroin më të madh
që ata kishin nxjerrë. Kështu Skënderbeu, që lufton për lirinë e atdheut të
vet, u bë guri i themelit në ngrehinën e kombit shqiptar, që po merrte shtat.
Ky Skënderbe ishte i nevojshëm asokohe, kur kombet po ngriheshin dhe
perandoritë po binin. Por sot, kur kombet po marrin tatëpjetën dhe po ngrihen
përsëri perandoritë, ky lloj Skënderbeu po del nga moda. Sepse nuk është më i
nevojshëm. Nuk na duhet më një Skënderbe i cili lufton për të çliruar atdheun e tij nga pushtuesit, sepse
befas jemi kujtuar që atëherë atdheu nuk ekzistonte fare. Dhe as ky i sotmi nuk
na hyn më në punë.
Në këtë mënyrë, ne e çmitizuam heroin dhe ja kemi hequr tashmë
Skënderbeut në praktikë titullin “Hero Kombëtar”. Ai nuk paska qenë i tillë! Po
atëherë çfarë ka qenë? Me çfarë do ta zëvendësojmë monumentin e Skënderbeut
nacionalist dhe patriot, që sapo e kemi rrëzuar? Një përgjigje e shpejtë për
këtë është “me Skënderbeun mbrojtës të Krishtërimit, që shpëtoi Europën nga
hordhitë myslimane”. Ky opsion në pamje të parë duket si zgjidhja më ideale. Ai
na përkëdhel edhe sedrën, sepse i kujton Europës se qytetëruar, se dikur ne e
kemi mbrojtur atë nga barbarët. Shkurt hesapi, Europa ka një borxh të madh ndaj
nesh, që ende nuk e ka shlyer. Por, për fatin tonë të keq, ne sot nuk kemi më
lidhje me këtë Skënderbe. Me Skënderbeun kryqëtar. Ne nuk kishim shume lidhje
me të as në kohën kur ai zhvillonte betejat e tij të famshme, sepse,ndërsa në
ushtrinë e Skënderbeut që luftonte kundër osmanëve kishte në rastin më të mirë
10 mijë shqiptarë, në ushtrinë turke që
luftonte kundër Skënderbeut, shqiptarët mund të ishin edhe 20 mijë. Kjo mund të
argumentohet me faktin se Osmanët kishin nën zotërim gati dy të tretat e tokave
shqiptare. Një pjesë tjetër e madhe mbahej nga Dukagjinët që ishin për shumë
kohë aleatë të Osmanëve dhe pastaj u bashkuan me Skënderbeun, sepse Osmanët
filluan të pushtonin zotërimet e tyre, dhe jo sepse ndanin të njëjtin ideal me
të. Ajo pjesë e vogël që mbetej, zotërohej nga Skënderbeu. Në këtë kontekst, edhe
ajo që është quajtur lufta e madhe midis shqiptarëve dhe Osmanëve në shekullin
e 15, del se paska qenë lufta e një
grupi të vogël shqiptarësh, kundër Osmanëve dhe kundër shumicës së shqiptarëve të tjerë, që ishin bashkuar me
Osmanët. Si do t’i quajmë ne këta shqiptarë? Si tradhëtarë të atdheut? A mund
të quhet tradhëtar një bujkërob shqiptar i shekullit të 15, krejt analfabet, që
e gdhinte dhe e ngryste jetën pas parmendës dhe për të cilin atdheu mbaronte
tek kufiri i fshatit të tij? Për të Skënderbeu nuk ishte heroi kombëtar, por
feudali fqinj, shumë ambicioz dhe i fuqishëm. Ajo që i dallon këto dy
personazhe, është fakti se fshatarit i mjaftonte edhe një ngastër toke
shqiptare, sado e vogël, mjafton që të ishte e tija dhe mbi atë ngastër ai të
ishte i lirë të bënte çfarë t’i
vinte për mbarë. Madje të krijonte dhe një shtet, të pavarur nga pjesa tjetër e
Shqipërisë, siç bëri
më 1914 berberi i Kavajës, njeriu më i ditur i qytetit, i cili shfrytëzoi një
rebelim fetar, për të shpallur pavarësinë e Kavajës nga shteti shqiptar. Ndërkohë,
feudalit nuk i mjaftonin as gjithë ngastrat e Shqipërisë dhe ka shumë gjasa që
po të arrinte t’i bashkonte ato të gjitha në dorën e vet dhe të krijonte një
shtet dhe një ushtri të fuqishme, të sulmonte popujt fqinjë dhe të pushtonte
tokat e tyre. Ambicien e Skënderbeut, ne e kemi transformuar në patriotizëm të
tijin. Ky ka qenë ndofta gabimi më i madh që kemi bërë gjatë trajtimit të kësaj
figure. Ne nuk ja ulim vlerat Skënderbeut kur flasim në këtë mënyrë për të, se
në fund të fundit,ai duhet gjykuar me standartet e kohës në të cilën jetoi dhe
jo me këto të kohës sonë. Dhe në atë kohë, të gjithë, absolutisht të gjithë, duke
filluar që nga fisnikët më të këputur dhe deri të sulltanët dhe perandorët e
fuqishëm, kishin një qëllim të përbashkët: Të zgjeronin zotërimet e veta,duke
shtirë në dorë sa më shumë prona tokësore dhe bujkërobër. Rruga më e shpejtë
për t’ia arritur këtij qëllimit ishte lufta. Dhe ata bënë luftë. Prapshtesat dhe
përcaktorët, që ne përpiqemi t’i vendosim sot kësaj
lufte, duke e quajtur herë heroike dhe herë patriotike, do t’i habisnin ata që
e zhvilluan. Nëse ne do të kishim mundësi të intervistonim sot disa prej
protagonistëve të asaj kohe, përfshi Skënderbeun, me siguri do dëgjonim prej
tyre të vërteta krejt të tjera nga ato që na kanë mësuar në shkollë. Me sa
duket, sa më tepër që i afrohemi së vërtetës historike, aq më shumë duket sikur
ngatërrohemi me të pavërtetat që vetë ne kemi krijuar.
Në një dokumentar për Skënderbeun, të xhiruar
përpara disa vjetësh me shpenzime të mëdha nga një studio amerikane, thuhej se
Skënderbeu ngriti nivelin e jetesës së popullit të vet. Madje edhe atë arsimor dhe
e ktheu Shqipërinë në një vend të lulëzuar në Europë. Në fakt, betejat e shumta
të Skënderbeut, e rrënuan ekonomikisht
territorin që ai kishte nën zotërim. Për arsim, as që bëhej fjalë. Ndërsa pas
vdekjes së Skënderbeut, qindra mijëra shqiptarë ja mbathën nga Shqipëria, në
një eksod biblik...Një pamje e ngjashme me atë që ndodhi ne fillim të viteve
90, kur njerëzit ja mbathën nga “parajsa socialiste”. Kjo paralele mund të
sqarojë edhe mendimin e shqiptarëve të kohës së Skënderbeut, për këtë të
fundit, i cili me sa duket ndryshonte kryekëput nga ai i yni. Ka zëra që thonë
se edhe kjo nuk është e vërtetë dhe se shqiptarët e asaj kohe ushqenin një
dashuri të madhe për Skënderbeun. Si shembull për këtë sjellin këngët e arbëreshëve, shqiptarëve të mërguar në Itali
pas vdekjes së Skënderbeut, dedikuar figurës së tij. Kjo është e vërtetë, ashtu
sic është e vërtetë se asnjë prej pasardhësve të tyre nuk u kthye në Shqipëri, pasi
kjo e fundit u “çlirua”
nga pushtimi osman. Madje nuk u kthyen edhe
pasi ajo u “çlirua”
nga pushtimi zogist, nga aiitalo-gjerman dhe as pasi u çlirua nga “pushtimi komunist”. Pavarësisht
se Shqipëria ishte toka e premtuar për ta, njësoj si Palestina për çifutët. Këta të fundit nuk e harruan tokën e tyre, edhe
pse u dëbuan prej andej për dy mijë vjet, dhe u kthyen përsëri aty, me rastin e
parë që ju dha. Ndërsa Arbëreshët nuk vërshuan në Shqipëri as si turistë dhe jo
më si qytetarë të saj. Ç’ka do
të thotës se, edhe roli i Skënderbeut, si pishtari që mban ndezur zjarrin e
atdhedashurisë mes shqiptarëve, është një sajesë e jona dhe asgjë më tepër...
Atëherë si do të konsiderohet Skënderbeu në të
ardhmen? Heroi i yni Kombëtar? Çfarë domethënie do të ketë ky term kur kombi shqiptar të përzihet me kombet
e tjera dhe të pushojë së ekzistuari si komb më vete? Hero i Krishtërimit?Çfarë do nënkuptohet me këtë në një Europë
post të krishterë? Po akoma më tej, në një botë globale, si do të konsiderohet
Skënderbeu? Duket se pyetje të tilla do të mbeten edhe për njëfarë kohe pa
përgjigje. Ndofta edhe për shkak të faktit se koha jonë është kohë e pyetjeve dhe
jo kohë e përgjigjeve. Dilemat rreth rolit të vërtetë të figurave historike, duket
se do të vazhdojnë deri në ditën kur do të ketë ardhur fund i historisë. Deri
atëherë edhe Skënderbeu, ashtu si figurat e tjera historike , do të vazhdojnë
të torturohet pamëshirshëm ndërmjet asaj
që ishte vërtetë dhe asaj çka ne do të donim që ai të kishte qenë.
Bajroni dhe Pushkini, dy
rrugë drejt romantizmit.
Ese
Bajroni dhe Pushkin i përkisnin të njëjtit brez
poetësh. Ishin të dy romantikë dhe ushqenin të njëjtën dëshirë për t’u ndeshur
me shoqëritë respektive në të cilat jetonin. Bajroni me atë angleze, Pushkini
me atë ruse. Të dy për arsye të ndryshme nga njëri-tjetri, sepse, ndërsa
Bajroni jetonte në një shoqëri që, megjithë fillimet e egra të zhvillimit capitalist nga këndvështrimi i mbrojtjes së të drejtave të
njeriut, mund të konsiderohej idale, Pushkini jetonte në një shoqëri e cila nga
i njëjti këndvështrim mund të konsiderohej pa frikë amorale. Atdheu i Pushkinit
ishte një burg, prej të cilit nuk mund të largoheshe për asnjë arsye. Atdheu i
Bajronit ishte nje hotel, nga i cili mund të largoheshe edhe për një arsye fare
banale, si p.sh. për shkak të papastërtisë së çarçafëve. Dhe duehet thëne se për çarçafët e Bajronit ishte
spekuluar jo pak në Angli. Shtypi ishte marre gjatë me skandalet e jetës së tij
private, cënimi i së cilës duket si
arsyeja kryesore qe e bëri atë ta braktiste atdheun e vet. Edhe Pushkinin duhet
ta ketë bezdisur konservatorizmi i shoqërisë ruse, i cili bëhej edhe më i
padurueshëm nga ndikimi i fuqishëm që ushtronte mbi jetën e vendit carizmi dhe kisha
ortodokse ruse dhe rregullat e saj të pamëshirshme morale. Por sigurisht që
bezdisjen më të madhe ai duhet ta ndjente karshi klasës politike ruse, e cila e
kapur pas diktaturës cariste ,përpiqej ti zgjaste jetën vetes duke ua shkurtuar
atë rusëve të zakonshëm. Pushkini duhet të ketë menduar se si mund të ndryshohej kjo shoqëri dhe që nga ky
moment ai bëhet një armik i regjimit. Tashmë, nëse donte të shpëtonte veten dhe
të fitonte lirinë që nuk e kishte, e vetmja zgjidhje mbetej braktisja e
atdheut. Por, në vend të braktisjes së atdheut, ai zgjodhi të qëndronte aty dhe
të përpiqej për ta ndryshuar atë për mes artit te vet, çka do ta paguaj shtrenjtë, fillimisht me
kërcënimet, pastaj me internimet e vazhdueshme dhe së fundi me jetën e
vet...Pushkini na del kështu si njeri i cili urrehej deri në një farë shkalle
nga atdheu i vet, por që nuk ushqente nga ana e tij kurrfarë urrejtjej për të. Edhe
Bajroni nuk shfaq urrejtje ndaj atdheut të vet edhe pse duket, githnjë sipas
Bajronit, sikur ky i fundit ushqen një urrejtje ndaj poetit. Vargjet “më shpjer në çdo vend,që do, veç jo në vendin tim”, tregojnë thjesht një pakënaqësi të njeriut të
cilin shoqëria nuk e lejon të bëjë çfarë i vjen nëpër mendje. Këtë pakënaqësi ai e shpreh duke i kthyer krahët
vendit të vet demokratik, duke u
nisur në kërkim të një vendi
tjetër, akoma më të lirë, i cili me standartet e kohës do të konsiderohej një
vend anarkik. Dhe një vend i tillë, i cili do ti jepte Bajronit lirinë të bënte çfarë te donte, pa u frikësuar se të
nesërmen mund ta shihte veten në faqen e
para të ndonjë gazete, ishte Perandoria Osmane. Një shtet diktatorial, i cili
për ata që jetonin aty ishte një ferr i vërtetë. Ky ferr u bë parajsa e gjetur
e Bajronit, drejt të cilit ai ,sic thonë edhe vetë vargjet e tij,vrapoi ‘’më
shpejt e më gazplotë’’ se kudo tjetër. Ai i kaloi vite të tëra duke përshkruar
pjesët më të prapambetura të shtetit Osman, midis të cilave bënte pjesë edhe
Shqipëria. Dhe shkroi pa fund poezi romantike, ku lavdëronte në një mënyrë jo
realiste ,këto skuta të errëta. Duket pra, se atij i ka pëlqyer shoqëria osmane,
me gjithë të këqijat e saj. Por, si për ta kundërshtuar këtë tezë, të ngritur
nga vetë Bajroni, vjen një veprim i tij i fundit heroik, me të cilin ai hedh
poshtë vetveten: pjesëmarrja ne luftën greke për pavarësi...Këto qëndrime
kontradiktore të tij, të çojnë në përfundimin se ai ishte një aventurier
që nuk dinte çfarë
kërkonte. Një mendim mjaft i ashpër, të cilin të paktën ne shqiptarët nuk mund
ta shprehim hapur për të, sepse ai ishte një poet i njohur që shkroi disa
vargje për ne, në një kohë kur nuk na begeniste askush. Pushkini, në dallim nga
Bajroni, i cili i këndoi gjithë botës, i thurri vargje vetëm atdheut të vet. Dhe
vendosi të vdiste aty, edhe sepse nuk e lejonin të ikte prej andej dhe të
vdiste diku tjetër. A mos do të thotë kjo se Bajroni dhe Pushkini, ndanin
ideale të ndryshme nga njëri - tjetri. Edhe pse janë quajtur të dy romantikë, duket
se sejcili ishte romantik sipas mendjes së vet. Një fenomen i tillë, që vërehet
rëndom në politikë, duket se infekton shpesh herë si pa e kuptuar edhe poetët. Nëse
Marksizmi p.sh. u transformua në Leninizëm, Stalinizëm, pastaj Mao Ce Dunizëm
etj, edhe romantizmi duket se u transformua në Bajronizëm, Pushkinizëm etj. Seicili
duket se synon drejt të njëjtit ideal dhe seicili zgjedh një rrugë të ndryshme
nga tjetri për t’ia arritur qëllimit. Por shpesh herë, rruga e ndryshme që
ndjekin tjetërson edhe vetë idealin. Këtu dalim përsëri tek përplasja antike
midis figurës së Prometeut dhe asaj të Sizifi.I pari është njeriu që përpiqet
të shpëtojë botën, qoftë kjo edhe një botë lokale, si ajo ruse, ndërsa i dyti
një Sizif që përpiqet të shpëtojë vetëm veten. Bajroni, njëlloj si Sizif, vendosi të arratiset nga shtëpia e vet, në mes të
natës, pa e ndier si detyriim të lajmërojë më parë familjarët e vet, që ja kanë sjellë në majë të hundës, duke e përgjuar
nga vrima e çelësit.
Pushkini nga ana tjetër, duhet ta shohim më tepër si Prometeun, të cilin vijnë
dhe e arrestojnë në shtepinë e tij, në mes të ditës, m’u në sytë e familjarëve
te vet dhe i hedhin prangat dhe e internojnë diku larg, në Siberi. Jo njëhere, por disa herë, dhe
gjithnjë brenda kufinjve të atdheut të vet të stërmadh. Kjo do të thotë se
Bajroni e vodhi lirinë e tij, duke ikur nga vendi i vet. Pushkinin nuk pati
mundësi ta vidhte të tijën, sepse ja vodhën të tjerët më parë. Dhe kjo na
nxjerr përsëri tek ajo çka
thamë në fillim, tek fakti famëkeq që tiranitë ua ndalojnë njerëzve lirinë, që
duhet t’u takojë me ligj, duke përdorur për këtë, pikërisht ligjin.S epse në çdo tirani, që nga ato antiket, dhe deri
tek ato modernet ( a ka vallë tirani të tilla?),liria ju është marrë njerezve
me ligj. Dhe në përjekjen për ta rimarrë
atë,njerëzit nuk mund të mos e shkelnin ligjin dhe të mos ndëshkoheshin pastaj
prej tij. Krim e ndëshkim, do të jusitifikohet dikush. Ndëshkim për çfarë krimi, do të pyësi dikush tjetër? Një
pyetje e tillë duket se ka vetëtitur në mendjen e Pushkinit kur plumbi i përshkroi
trupin. Ndëshkim sepse shkele rregullat e shoqërisë në të cilën bën pjesë? Vallë,
ata që i vendosën ato rregulla, a nuk i shkelën vetë të parët? Për rrjedhojë, a
nuk ishin edhe të tjerët të lirë që t’i shkelnin ato? Vallë a nuk mund të
divorcohej Tatjana nga burri i saj, që nuk e donte dhe të martohej sërishmi me
Onjeginin, të cilin e dashuronte? Pyetje të tilla zakonisht mbeten pa
përgjigje, ose marrin një ‘’jo’’ të prerë, kur vendosen në kontekstin e kohës
kur zhvillohen ngjarjet. Vetë Onjegini do të vdiste në 1837, pasi e detyruan të
merrte pjesë në një duel, nga i cili duhet të rifitonte nderin e humbur. Në
këtë duel, ai do të humbiste jetën. Kishte vendosur,ndofta për herë të
fundit,ti bindej shoqërisë,dhe shoqëria e vrau atë.Ndërsa për Tatjanën e tij, nuk
u fol më kurrë...