MËMËDHEU
Këtu ku më lindën kokën,
Nëpër mjegull e pashë botën,
Qesha sytë e thava lotët,
Marr në duar e puth tokën.
Mua zgjimin ma bën deti,
Unë jam vazhdim amaneti...
Ku është e pafund liria?
Ku s’peshohet dashuria?
Ku të flet gjuhën fëmija?
Këtu, në vendet e mia!
Që nga Çika në Tomor,
Perënditë i prek me dorë.
Ku s’ka të vdekur shqiponja?
Ku s’ka të shterur buronja?
Ku janë vajet, këngët tona?
Këtu, e gjitha është jona!
Brenda dheut tim unë jam,
Sa shqiptar dhe europian.
O shqiptarë, ngado që jini,
Te NËNA merret bekimi.
Edhe në gjumë ku flini,
Tek ATDHEU të jetë syri.
Zogjtë, kur rivjen pranverë,
Kthehen e gjejnë folenë.
Kush nuk e pati në zemër?
Kush nuk i foli në emër?
Kush brenda gjakut s’e ndjeu?
MËMËDHEU, MËMËDHEU!
ATI IM
(Pas vdekjes)
Më mungon, o Ati im!
Seç ma pret një cipë syrin,
Ç’më mbështjell një pikëllim,
Si kulpra kur mbulon lisin.
Midis lotit dhe selisë
Me ikjen të pamësuar,
Vjen papritur të na bindë
Një tërmet me shpirt në duar.
Nëse frymë e gjallësisë
Iku si një ëndërr qorre,
Ti nga bota e përjetësisë
Dërgove shenja hyjnore.
Ati im, gjysh i fëmijëve,
Limani i bindjeve tona,
Harku i urës së dashurive,
Na lidh gjakun në kolona!
Mbi lëndinë të urtësisë
Mbolle lule harmonie,
Nga një tufë për çdo ditë
Nuk të sjellim, por na bie!
Ti punove për të gjallët,
Të përjetshmit i nderove,
Në Parajsë kur ngjite shkallët
Patjetër, s’i numërove!
Mos na e ndaj syrin e shpirtit,
Nga ajo botë, atje ku s’vdesin,
Ne këtu si nxënësit, Krishtin,
Të rishfaqesh, prapë të presim!
RROJMË NË SHPIRTIN E LIRISË
Buzëqeshur midis lotit
Vinte shekulli i stuhive,
Natën po gremiste kombi
Hiqte mjegullën prej syve.
Ca burra të perëndishëm
Morën fatin, i dhanë dritë,
Me mëndafsh nderi qëndisën,
Mëngjesin e Shqipërisë.
Trimat për atdheun ranë,
Ndaj dhe zjarr po lëshon toka,
Gjakun në flamur e kanë,
Shpirtin ua mba shqiponja.
Në dyert e kësaj bote
Kishim zë, por s’na dëgjonin,
Ndaj në portat qiellore
Kërkuan takim me Zotin.
Dhe nga Zoti vjen profeti,
Plaku me flamur në gji,
Brenda kombit më të vjetër,
Shpalli shtetin më të ri.
Ismail Qemal Liria!
Fat i kombit që s’u shua,
Ka njëqind vjet historia
Që mendjen ta kërkon hua.
Një shekull me psherëtimë,
Në dilema eksiztence,
Për fqinjët mbollëm dafinë,
Sakrificë mbajtëm për vete.
Brenda harkut të lavdisë
Kemi Gjergj dhe Skënderbe,
Rrojmë në shpirtin e lirisë,
Se lirinë kemi atdhe.
Ju burrat e këtij kombi,
Dëgjoni zërin e zemrës:
“Nëse Shqipërinë nderoni,
Hallall qumështi i nënës!”.
BUKURIA T’I MERR SYTË
Kur në maja doli Çika
Nga habia zbardhi bora,
Ditën ftonte Gumenica,
Natën po përcillte Vlora.
Lumi kish mbetur pa gjumë,
Deti po fërkonte sytë,
Labi kungohej në shtrungë,
Bregasi pagëzon ullinjtë.
Çamërinë po çmonte çami,
Myzeqari lante plorin,
Perënditë linin Beratin,
Shkonin të puthnin Tomorin.
Qafën zgjat Karaburuni,
Se mos i ikën Sazani,
Mjegullat shkumë sapuni,
Venë e i mbështillen ballit.
Nëpër qafa, qethte era,
Qëndiste mbi flamur pishe,
Llogoraja nëpër stera,
Fshihte fishek vetëtime.
Ishujt në ujërat e Jonit,
Enden në ëndrrën e dheut,
Qindra vjet ia fshehin Gjonit,
Madhështinë e Skënderbeut.
Në liqen qahet Janina
Për pashain e marrosur,
Korfuzin rrëqeth Rugjina
Brenda dheut t’saj varrosur.
Nëpër lëngun e legjendës,
Bistrica ngjyrosi syrin,
E gjallë brenda bedenës,
Argjiroja murosi gjirin.
Dea nëpër mjegull gjoli,
Mjekon shpresën, jo verbimin,
Deti që dritën i vodhi,
S’do ta bëjë kurrë pendimin.
Nëpër gjysmëhark magjie,
Shtatë zëra shtangin globin,
Për një këngë polifonie,
Ngrihet Çika, ulet Zoti.
N’ato maja qiellore,
Bukuria t’i merr sytë,
Prandaj Çika u bë qorre,
Qorre është maja në Çikë.
I VODHA NJË NATË, JETËS
I vodha një natë, jetës
Për bela të këtij shpirti,
I thashë: “Zhvishju, të vërtetës,
Të shoh qiririn e gjirit!
Të lexoj ato të fshehta
Të hap kodet e misterit!”.
Dhe të vërtetat i gjeta
Vetëm në çelës të ylberit.
Shtatë ngjyra, shtatë rrugë,
Shtatë mistere janë brenda,
Udhë e parë të çon në buzë,
Pastaj shkon ku ta ka ënda.
Nëpër rërën bregdetare
Mollën e artë kërkoja,
Dhe me shkumën e një vale,
Zuri, po më lagej dora.
Deti sikur kishte vdekur,
Apo përgjonte i ngrirë?
Unë me buzën e etur,
Thua lumenjtë kisha pirë?!
Atje lulet ziliqare,
Nga marazi, vesë pinin,
Pemët lëviznin në zalle,
Donin të fshihnin burimin.
Kur hodhëm duart në qafë,
Shkëmbi lëvizi nga vendi,
Ajo shkau, sipër rashë,
Qielli yjet i hëngri.
Sa e bukur qenka bota,
Në mëndafsh të dashurisë,
Aty s’ka të dhembur koka
Aty gjumi s’t’i merr sytë!
Po është çast, e çasti ikën,
Si vegim, a ku di unë,
Pastaj zvarrë e tërheq ditën,
As i zgjuar, as në gjumë!
Moj “kusaria” dashuri!
Dil e vidh, mbrëmje më mbrëmje!
Kjo jetë e shkurtër, pa ty,
Do ishte, si ka parmende!
Atë natën e harresës,
Qiellin e tërë, gremisa,
Derdha djersë e piva vesë,
Nga dy sumbullat në sisa.
NË BEKIM TË UJIT
Ujërat u bekuan,
Shenjtorët na shohin në sy,
Më qorton flakë e qiririt,
Më sëmbon gulçim i gjirit,
Tek pres pa shpresë ty.
Bekimi u bë,
Mëkatet u amnistuan,
Qiriri që ndeza për ty
Ngjan si i penduar.
Po ti, a ndjen gjë?
Ronitin njerëzit në çezma,
Të marrin ujin e shpresës,
Kori kishtar drithërohet në mesha,
Përkushtohen priftërinjtë në shërbesa.
Oh, sa shumë doja,
Puthjen tënde ta lëndoja!
Ujërat u bekuan,
Unë dhe ti s’u shikuam.
KAMBANA E DASHURISË
Çdo mëngjes e darkë
Bie një kambanë,
Nuk bie për pashkë
As për mëkatarë.
S’është kambanë kishe,
As e manastirit,
Ajo është ndryshe,
Bie brenda gjirit.
Si detin e lodhur
Më qeton kur bie,
Jetën ma ke ngrohur
Kambanë dashurie!
Nëpër kambanore
Zemrash njerëzore,
S’tundej me litarë,
As me gishta dore!
Të tund dashuria
Kur marrohet shpirti,
Kjo botë pa tya
Do ish, gjysmë hiçi!
Kur ta dëgjoj zërin
Jam i gjithi flakë,
Më rrëmben të tërin
Si Krishtin në Pashkë.
Dashuri t’u fala,
I pa zë jam fikur,
Po nuk ra kambana,
Dijeni, kam ikur...
JEMI LIS, NUK JEMI HIJE
Në Prizren foli Abdyli,
Foli me gjuhën e kombit,
Shqipërisë po i vjen ylli,
Natën le ta marrë Stambolli.
Lëreni ditën të bjerë
Mbi këto troje Arbërie,
Mos na bëni pjesë-pjesë,
Jemi lis, nuk jemi hije!
Doli lumi i kombësisë,
Vilajetet valë-valë,
Hëna e Perandorisë,
Në të shkuar zgjon belanë!
Përmbi tretje ekzistence
Fqinjësisë zemrën ia hapi,
Paqe ka kur rron e drejta
Miqësia është ilaçi.
Atë që prishi lakmia
E ribën me durim koha,
Një nga një vendet e mia
Po i merr në gji Europa.
GËRSHETA
Me merakun e gërshetit
U ngrita, gjumin e prisha,
Ti me sy thërrmoje qelqin,
Mua më digjej këmisha.
Dole për të dehur detin,
Valëvit fustanin mbi valë,
Kur lëshon e lag gërshetin,
Dallgët i bëje me majë.
Tundeshe si perëndeshë
Përpjetë brigjeve të Bregut,
Me vetull qëroje retë,
Diellit i hapje shtegun.
Porsi hëna, gjurmë s’ke,
Si zëri kalon kaluar,
Kur mendoj, se e imja je,
Më shket si era në duar.
Unë për ty detin e thava,
Erën e mbylla në hone,
U hodha, gërshetin kapa,
Ti më the: “Vërtetë fitove!”.
ISHE KUPË E MIQËSISË
(Xhevahir Rexhepit, ish-prefektit të Vlorës)
E kërkoj e s’ta shoh syrin,
Qeshjen tënde ku ta gjej,
O Xhevahir?
Nëpër qiell shëtit shpirtin,
Në këtë botë dot s’ta kthej,
Skam fuqi!
Thonë se dhimbja e babait,
Për të birin çan dhe gurin,
E thërrmon.
Pikëllimi i Labërisë
Për prefektin, lot flamuri
Po pikon.
Syri yt që hapte motin,
Ku dremit e ku bën gjumin,
Si më s’sheh?
Xhevahir, pse na le lotin,
Që shkon e turbullon lumin
Si rrëke?!
Ishe kupë e miqësisë,
Kryedjalë, zemërhapur,
Qelibar,
O mëngjes i thjeshtësisë!
Ëmbëlsinë na ke falur
Atdhetar!
Asnjëherë mos mendoni,
Se nuk ka më degë lisi,
S’jeshilon!
Për Rexhepajt të besoni:
“Buronjë burri, gjak flamuri,
Janë gjithmonë!”.
Hënë e ngrënë në të shkuar,
Bie çast të dëshpëruar,
Na sëmbon!
Ajo vdekje e mallkuar
Ku kish ndenjur e përgjuar
Vret një engjëllor!
Mori Xhevahirin,
Dhe na njomi shpirtin!
MOJ FODULLJA HIMARJOTE!
O ju sy mos u verboni,
Donikë më besoni,
Kur magjeps si panteoni
Donikë, më besoni,
Vërshim amazoni.
Si një tramundane u shfaqe,
Donikë, zjarr në paqe,
E bëre detin me harqe.
Donikë, zjarr në paqe,
Mars me manushaqe.
Me vetull syrin lëndove,
Dona gjëmim bore,
Me gërshetë gjirin qëllove.
Dona gjëmim bore
Malet i mbulove.
Nuk je qiell i qëruar,
Dona shpirt lëshuar,
Engjëll i pamëkatuar.
Dona shpirt lëshuar,
Puthje e pambaruar.
Moj fodullja himarjote,
Donikë besa jote,
Pse i harron ato mote?
Donikë besa jote,
Eja, ktheu sonte!
Hape gjirin të shpëtojmë,
Donikë mjekomë,
Rruzullin ta rrotullojmë!
Donikë mjekomë,
Me gjire mbulomë!
SHIRAT E VJESHTËS
Me alarm grupohen retë
Nën sirena vetëtimash,
Qielli me ngjyrën e vet
Toka po mbarset me shirat.
E pa lajm, largohet vapa
Me këmishë e dekolte,
Krahët hap, e i zgjat nata,
Nata s’ka ç’bën, lëshon pe.
Mua muza po më shfaqet
Me një ëndërrim tundues,
S’mundem që t’i stivoj vargjet
T’i rreshtoj mendimet s’mundem!
Prandaj shkoj pas një rrëkeje,
Tek ty vij dhe ti më pret,
Oh, sa bukur është pranë teje,
Aq sa nuk është e vërtetë!
TË PLAKEMI, S’MUNDEMI
Të plakemi, punon koha,
Ora na largon.
Lisat në brinjë, i godet lloha,
I zhvesh e i rreh dimri,
Pranvera i zbukuron.
Ne brenda teshave firohemi,
Në rrudha depozitojmë bukurinë,
Ngjyrën e vendit vjedh fytyra,
Në grindje, pa shkak ankohemi
Si dhelpra rrushin aguridhe,
E quajmë rininë.
Të plakemi, punon koha,
Ora na largon.
Por humnera e brezave
Që goditi vendin tim,
Në vend qëndron.
Pas nesh, fije brezash,
Por shtresë nuk ka,
U shkërmoqen drejt të panjohurës...
Se adhuruar
As u sosën, as u kthyen
Gjer në palcë, u gënjyen.
“S’mund të plakeni! - thotë koha,
Rrini aty! Më duheni!”.
Ne s’kuptojmë ç’bëjmë,
Të rinohemi, s’mundemi!
Si lisat tundemi
Gjysmëzhveshur, gjysmëzbukuruar,
Të shkëmbtë e të hutuar,
Rrudhën e shekullit tendosim!
PËRMBI KRESHTAT E INATIT
Malet i kërcënon bora.
Koha u ligështua.
Ti u ngurose në pantallona.
Syri si moti,
Moti si loti
Derdhen mbi mua!
Mos u ngri nga akulli i inatit!
Në lot dëshpërimi, mos shkrij!
Eja të shkojmë te limani
Të hipim tek Jahti të dy...
Në ujërat e ngrohta mesdhetare:
Ja dehu,
Ja bindu, për fare!
THINJA NË FAVORITE
Ti krejt papritur m’u shfaqe,
Moj thinjë e bardhë në favorite!
Si shami e bardhë që kërkon paqe,
Pa zhurmë mbi flokë zbrite.
Para pasqyrës më hutove,
Sikur më the: “Ja, erdhi vjeshta,
Ti vërtet mua s’më ftove,
Por dhe pa ftesë unë erdha!”.
Ç’të bëjë me thinjën në favorite,
Si shpejt më erdhi, pa lajmëruar?!
Njëri mendim më thotë: “Hiqe!”,
Tjetri: “Mos e prek me duar!”.
“Je ende i ri, - më thotë e shkuara,
- Lastar në trung të pemës,
Jeto të ëndërruarat,
Gjithë bukuritë e jetës!”
“Po bëhesh gjysh, - heshtoi heshtja,
- Sapo ti shkele mbi pesëdhjetë,
Qoftë e qetë, pa stuhi vjeshta,
Se pas asaj dimri të pret”.
Po ç’pate moj, që më trazove,
Si detin me tallaze?
Mes favorites erdhe, qëndrove,
Ti thinja tërë naze!
Nuk të qortoj me thikë të syve,
Tej vetullës në qoshe,
Por të uroj, atje ku mbive,
Mos u bëfsh kurrë me shoqe!
GJOLEKË LIRIA
Kush mbi borë e ndezi zjarrin?
Kush nga vdekja kombin ngjalli?
Qe një Zot, me zemër labi,
Fliste me gjuhë jatagani!
Zot i vendeve të mia
Doli Gjolekë Labëria.
Doli kundruall dovletit,
Për në Lumë e ktheu detin,
Ngriti gjithë vilajetin,
Bregun edhe Kurveleshin.
Lebërit dhe himarjotë,
Kanë një gjak e një kokë.
Shpata, që shekullin preu,
I tha Shqipërisë “ngrehu”!
Lëre gjumin ta marrë dheu,
Erën e lirisë shpërtheu!
Ndaj janë majat kryelarta
Se i ka nderuar shpata.
Në malet e Labërisë,
Kush ka lindë e është rritë,
Dhe miku që vjen vizitë,
Bëhet Hero i Lirisë!
Në këto vende të rënda,
Lirisë kurrë s’i pushon zemra.
O ju bijtë e Shqipërisë,
Nga Kuçi ku lindi trimi,
Merrni “dheun e lirisë”,
Hajmali në gjoks ta vini!
MË LË PA GJUMË
Qysh atë ditë, faqeparruar,
E rimbledh kohën në inventar,
Ti mbi egoizëm kalon kaluar,
Unë shtirem më shumë se krenar.
Jam në dilemën hamletiane,
Të të afroj, të të largoj,
Nuk i del fundi kësaj ane,
Nga ana tjetër, më kot kërkoj.
Ekografia e zemrës time
E zbehtë është nga ndjenjë e lartë,
Ti me shikim i shter burimet
Do të më duhet të bëj by-pass.
Nisej për lindje, shkon perëndimit,
E shtyn me dhembje, ç’ka do më shumë,
Dhe nëpër sy, lot i pendimit
Të lë pa gjumë, më lë pa gjumë...
Unë e harkoj vetë burrërinë,
Dhe krenarinë në det fundos,
I falem si foshnjë dashurisë,
Të vij tek ty, zemra vendos.
Ende shijoj atë ç’kam dashur,
Megjithëse jam me buzë të plasur.
HIMARË, O LULJA HIMARË
Himarë, o lulja Himarë,
O guri që ndez sevdanë,
Të ranë supet, t’u vranë,
T’u ndanë lulet, t’u thanë!
Trungu s’ka lastar e dega,
Nga zgjoi ka ikur bleta,
E pagojë është e vërteta,
Me pleq e plaka rron jeta!
Po djepin kush ma shteroi?
Dallga detin e kaloi,
Loti-syrin e mohoi,
Hiri-zjarrin e harroi!
Do dal te porta në shkallë,
Bota zërin të ma marrë,
Kthehuni bij në Himarë,
Jo të shuar, por të gjallë!
LUFTA E VLORËS
Luftë e Parë Botërore,
Bajoneta dhe llogore.
Kur Vlora luftën vulosi,
Bota paqen e vendosi.
Pastron lakminë Italia,
E sheh yllin Shqipëria.
Ngrihet i gjallë amaneti,
Bëhet më i gjerë se deti.
E merr shqiponjën në dorë,
Rron mbi malet me dëshmorë.
Dhe në qiell të saj ngrihet,
Në folenë e saj i flihet.
UNAZA
E arta unazë
Me përqafimin e gishtit harrohet,
Drejt përjetësisë,
Që kur femra s’quhet më vajzë,
Por grua kurorëzohet
Në detyrën e historisë.
Unaza e kurorës
Në gishtin e burrit
Feks si mermeri,
Pëllëmbë e dorës,
E ashpër si guri
Në nurin e arit
Si kreshta nën hark ylberi.
O shpirtlidhje martesore!
Në dy gjysma harqe unaze,
Qielli paqen qetëson.
Perënditë shëmbëlltyrën,
Vullneti veten forcon,
Besnikëria lan fytyrën.
Mbajeni të artë unazën,
Ju çifti i harqeve!
Nga ndryshku i viteve
Rrudhet rinia
E tret si mjegulla borën
Veç pabesia!
Ndaj në u prefshin gishtat e dorës,
Unazën në zemër e vini,
Se mbi altarin e kurorës,
Do ëngjëllohet bekimi!
DHEU IM
Të pranoj, të punoj, të gëzoj,
Të kërkoj, të lakmoj, të pushtoj,
Dhe ti urtë më afron, më jeton,
E kur lodhem, dua gjumë, më mbulon.
Ti je At, ti je Mëmë, gjithçka!
Ti je fat, na ke rënë, kjo u tha.
Na mban lart, s’kemi rrënjë, as dhe krah,
S’kthehemi prapë, nuk na lënë, vizë s’ka!
Sa shumë djersë njerëzore ka kulluar,
Aq sa ahe shpirtërore kanë rënkuar,
Nëpër zënka djallëzore të ngatërruar,
Gjak e luftëra botërore ka kërkuar.
Oh, sa troje, territore kemi dashur,
Jemi kthyer përmendore, buzëplasur!
Si qiri në lakmi, jemi falur,
Kurrë nga ty, përjetësi s’kemi marrë!
Ç’ka ky diell, syzbërthyer, ta kërkojmë,
Nëpër qiell krahëthyer, fluturojmë!
S’jemi zotër, por te Zoti të tentojmë,
Brenda botës, pika loti, të shterojmë!
Ti je At, ti je Mëmë, ti o Dhe,
Shpresëtharë, dritëzënë, vijmë atje!
Te liritë, gjithë fuqitë, derdhim ne,
Kjo copë ditë, shkon nga sytë, s’e vëmë re!
KTHEHU PRAPË TE ZJARRI
Natë e ëmbëlsuar,
O miq, s’më zë gjumi!
Fryn kjo erë, vjen trazuar
Mendjen larg ma shpuri!
Ç’të kujtoj më parë?
Hajde djalëri!
Dilte hëna për të parë
Na kishte zili!
Ç’thoshe me atë gojë,
Zemra ty ta thosh,
Hënë e yje perëndojnë,
Mos më tradhtosh!
Bëje be, rrufe,
Digjeshe n’hapsane,
Më harron, a ç’merak ke?
Bota zjarr ka marrë,
Dil dhe më kujto,
Si lulja beharin,
Thuaj dhe një herë “Po”,
Mos më digj të gjallin!
NGA HËNA DO MARRIM HUA
Mike, nata do na dalë,
Zemra valë të na marrë,
Të qërojmë rrudhat mbi ballë,
Dhe botën në pjesë ta ndajmë?
Mike, do na dalë nata,
Të shtrojmë flokët e gjata,
Të puthim buzët e mjalta,
Të ndukim gjiret e larta?
Në mos daltë, mike ç’thua,
Nga hëna do marrim hua!
SHËRO PLAGËN E TË GJALLIT
Pse ma nduk zemrën e gjirit,
Si Nili fushës Misirit?
Në të tretur të prillit,
Rëndon vetullën e syrit.
Mos u lig, moj gjeraqinë,
Mërgoje farmak mërzinë,
Se vitet, në vend nuk rrinë,
Se zjarri ta bën hi gjinë!
Dil në Qafën e Pazarit,
Siç del vetëtima malit,
Burgose brengën e mallit,
Shëro plagën e të gjallit!