Ne jemi zëri juaj...


Mirëseerdhët në gjirin e Klubit tonë...

Thursday 15 March 2012

Zaho Vasili: Poezi



VARRI  KU  SHKON  KOMITI 
Zbret malit si shkëmb i shkoqur
Me dhimbjen që të trondit,
Një hajdut, kryehajdut
Një komit  kryekomit.

Hapen buzët, brengë e vaj
Mjekrës i shterën fuqitë,
Një hajdut që s’di të qajë
Një komit me strrall tek syt.

Mbi varrin me trëndelinë
Po dridhet më leht se bari,
Era qan e ulërin
Një komit që shtrat ka malin.

Ajo fle gjumin e madh
S’zgjohet dot të dalë në dritë,
Qaj hajdut, kryehajdut
Shtridh dhimbjen kryekomit.

Shkrep një herë pushkën e gjat
Gjunjë s’ka, në lot u mbyt,
Qan hajduti se ka plagë
Si del gjak, t’ja presësh misht.

Si të jetë mjegull largohet
Qan sërish si të jetë prill,
Balta nga lotët vesohet
Mbjell çdo vit një trëndafil...
LULET
Zgjidhe  rrugën kur sheh lule në tokë
Se ndryshe shkel mbi ëndërra,
Shmangu se sythi është një grusht me lot
Kudo që të jetë, nuk shkelet zemra...
UNË  JAM 
Unë jam nga ftoi i fshatit tim
Nga  uji i burimeve që këndojnë mbi bar,
Nga hardhia që loton në thëllim
Nga jelet e kalit tim të bardhë.

Unë jam nga shpirti që s’e gjej kund tjetër
Nga kënga që më bën me dy zemra,
Nga emri i gjyshit tim të vjetër
Nga lotët e pathara që derdh nëna.

Jam nga fjala e bukur që deh shpirtin
Nga dhimbja në mes të guximit,
Jam nga e djeshmja e gjyshit prej miti
Nga e sotmja e atit që s’e njeh zemërimin...
ME VËSHTRIME MË FLET MARSI
Me vështrime më flet marsi
Pikon marsi nën qerpik,
Sa bukur që lotët flasin
Nuk gjen buzë të ngjajnë me syt.

I futem prillit në buzë
Prill i bukur puthëm ti,
Më mbaj si gonxhe nën bluzë
Se unë do të bëhem gji.

Të vijë maji të më thithë
Të m’i bëjë buzët gjak,
Veç një djalë pres nga të gjithë
Tek dy gjijt të marri hak.

Shtatori kullon florinë
nëpër flakë zhuritet zemra,
porsi llavë ma dogji gjinë
drejt dasmës më shkau këmba.

Nën fustan të nusërisë
Çela si lulja në shegë,
Nën kostum të dhëndërisë
Krisi si shega në degë...
ISMAILI   DHE  DRITËROI
Qytetit me vlerë
Shtruar i rridh’ lumi,
Dy lumej të tjerë
Nuk i zinte gjumi.

Brumi që i zuri
Diamant i pastër,
Dielli dhe nuri
O moj Gjirokastër.

Gjimnazi poetve
Ekselenc e vargut,
Me  hënën, netëve
Hyjnë e dalin pragut.

Me prillin e pastër
Majin në qepallë,
0 moj Gjirokastër
Ç’zjarr të ndezën vallë?

Me kalldrëm sokaku
Gurë me salltanete,
Hyjnë e dalin pragut
Hapat e poetëve.

Endeshin poetët          
Si të marrë ndën hënë,           
Vargu  ndizte netët            
Nga yjet qe zënë.      

Varg e rimë ngacmuar
Në palcën e natës,
Shpirti u merr hua
Nga zjarri lofatës.

Rruzujt e floririt
Hëna derdh çative,
Si mëndafsh prej syrit
Hedhur poezive.

Grindeshin poetët
Për një varg a rimë,
Mblidhej porsi vetull
Hënëza me sqimë.


Ndën fustan dy gjijtë                 
Ftua e shegë ngjeshur,             
Vajzat hedhin sytë                 
Pas perdes rrinë fshehur.                       

Zunë e lehin qentë     
Dalin nëpër pragje,     
Ç’të bënin dy djemtë   
S’mbrohen dot me vargje...!  

Perdet në mesnatë
Po tunden si fletët,
Vajzat nëpër prag
Si t’i mbrojnë poetët !?

Po vrapojnë rrugës                           
Mbi mur a ndën mur,
Sokaku të marrve
Rrokulliste gurë.

Muret u bën prita
Hëna derdhte ar,
Në odë ndizet drita 
– Ç’janë këta të marrë !

Gjithë lagja në këmbë
Ç’të jetë vallë kjo zhurmë ?
- Ej , ju në kalldrëm                    
Na latë pa gjumë !                      

Rrugicë më rrugicë
Sokakët stolisur,
Hijeshi e vargut 
I bënte të krisur.

Adhurim për penën
Gjirokastra mban,
Që të dy poetët
Sa lavdi të dhanë.

Qyteti qe vatra                   
Prushi ata mbetën,
Gjirokastra ,djepi
Që tundi poetët.
ZEMRA E NËNËS
Zemra e nënës si fole zogu në degë
Cicërimat e  dashurisë  cijasin,
Kur të mos i dëgjohen më këngët
Duhet të shqetësohemi e të thërrasim...

Zemra e nënës si pentagrami me nota
Nëna e gjitha kullon këngë,
Nëse tingujt si ndihen të plota
Duhet  të ngrihemi në këmbë !

Zemra e nënës është një burim i thellë
Që rrjedh nga thellësia e shekujve,
Nëse ujët ka filluar e me zor del
Ah...nëna po u afrohet të vdekurve...

U afrohet po nuk bashkohet me ta
Krijon një ishull në det,
Ne jemi valët, përjetësisht e rrahim
Dhe e ndjejmë që ajo është përjetësisht në jetë...
BALADA  E  KËNGËS    PA MBAUAR 
           - Homazh për  F. Dedën -
Princi i këngës, princëruar
Krijoi kaltërsinë me yj,
në qiell e pa mbaruar
mbeti kënga e nënës së tij.

Notë pas note, fjalë e zemër
qerpikët i ranë tek sytë,
- Ma mbaroni këngën e nënës
Qielli i hapi vënd tek yjt.

sekondat në shpirt i mblidhte
vdekja s’pret, erdhi ta marrë,
notat për nënën kur hidhte
i gjanin me syt e gjallë.

Ju gremis zemra nga shpirti
shpirti nur, ju dogj nga nuri,
Muzika hijnesh e priti
Mbi lavdin e saj e vuri.

Toka ku të dy janë shtrirë                         
Nuk është balt, por lot i ngrirë,                 
Kush e ndjen mallin e nënës                     
E harron vdekjen e tij.                             

Prehëri jetës mbetet nëna                                                   
Atje kokën vë njerëzimi,                                 
Kurrë s’do të reshti zemra
Tek ajo që jetën lindi.                                   

Duhen sy që të ket lot                                  
Ku ka zemër, thuhet nënë,                           
Ku ka qiell do ketë botë                                
Ku ka botë  do ketë këngë...                    
QYTETI  IM
Qyteti im, si një pyll i madh vigan
Mbushur me pemë të larta, drurë të tretshëm,
Ah..qyteti i pyllt,tek gjiri mban
 pemë e shkurre,pa gjelbërim të përjetshëm.

Qyteti im, si një pyll i madh në këmbë, i blert
I përjeton të gjitha stinët, si njeriu njeri,
I than degët, gjethet i bien në vjeshtë
I dalin rrënjët nga stuhitë e moshës në tufan e në shi.

Qyteti im thahet, vyshket,sërish ka bleruar
Mbushur plot folet, nga zogjtë fëmi,
Pa këngët e tyre do mbetej i shurdhuar
Me këngët e tye ,nuk ka trishtim në gji.

Është harrur shumë qyteti im im pylltë
Degët nuk mpleksen më me njëra – tjetrën,
Filizat që mbillen i shtojnë jetë tek syt
Dhe përjetësisht e vazhdon jetën...
LOTËT  E  MUNGUAR
Qielli i mëmëdheut ka gjithmonë re
Në zheg e në lagështirë,
Për të derdhur lot dhimbjeje mbi ne
Për të gjithë njerzit e mirë,
Për të gjithë ata që sëpatën njerëz
T’i qanin njëherë me dëshirë...

No comments:

Post a Comment